Klea Love Forum
Klea Love Forum - Welcome

Mirë se vini në Klea Love Forum, Ju ftojmë që të Regjistroheni, në mënyre që të keni aksese në të gjitha kategorit dhe temat, në Klea Love Forum, mund të gjeni Shoqeri, Filma Shqip dhe të huaj, Muzikën më të re 2013, DVD Humore shqip, Këshilla Mjeksore, Diskutime, Video Klipe, Kuriozitete, dhe Lajmet më të reja nga vendi dhe bota.

KleaLove.com / Staff.

Familja dhe jeta, një evokim nga Eno Koço dhe letërkëmbimi i panjohur i të dashuruarve Tefta Tashko e Kristaq Koço

Shko poshtë

Familja dhe jeta, një evokim nga Eno Koço dhe letërkëmbimi i panjohur i të dashuruarve Tefta Tashko e Kristaq Koço

Mesazh nga WebMaster prej Mon 19 Sep 2011 - 11:40

Eno Koço
Prej disa kohësh, dirigjenti Eno Koço, bir arti, ka nisur të hedhë në letër kujtimet, mbresat, informacionet e gjithë sa ka dëgjuar e gjithë sa ndien në lidhje me prindërit e tij, këngëtarët e njohur Tefta Tashko Koço e Kristaq Koço. Libri, i titulluar “Familja dhe Jeta”, evokim nga Eno Koço, pritet të publikohet së shpejti kur viti 2010 shënon edhe 100-vjetorin e lindjes së Tefta Tashko Koços

Rrëfenjën time “Familja dhe jeta” vendosa ta quaj evokim. E huazova këtë emërtim gjinie nga Mitrush Kuteli (Dhimitër Pasko), i cili gjatë vizitave të shpeshta që i bëja në shtëpinë e tij në fillim të viteve 1960, më përmendte dendur se kishte ndërmend të shkruante një evokim mbi Teftën, nënën time. Kjo ishte arsyeja që më bënte të shkoja ta vizitoja në shtëpi. Jo dhe kaq dendur lexon shkrime të prirura kryesisht nga evokimi. Shkruhen kujtime, shkruhen ditarë, shkruhen tregime e rrëfenja, por jo dhe aq evokime, pasi evokimi letrar ka të bëjë më tepër me struktura idesh të përftuara nga eksperienca dhe kompleksiteti i jetës. Evokimi që donte të shkruante Mitrushi, por që jeta nuk i mjaftoi për të realizuar idenë dhe dëshirën e tij, mendova ta shfrytëzoj unë pas afro gjysmë shekulli që nga njohja me këtë nocion të shkruari, apo më mirë me këtë përjetim të shkruari. Nuk gjen dot fjalë më të përshtatshme për të zgjuar morinë e kujtimeve dhe mbresat gjysmë të vdekura, apo që flenë në një gjumë të thellë letargjik. Thirrja e tyre në jetë, ndoshta zhvarrimi i tyre, mund të sillen në kohë vetëm nëpërmjet evokimit. Kështu titulli i këtij evokimi, “Familja dhe jeta”, është një rizgjim i shumë mbresave dhe që çuditërisht ato më të hershmet më vijnë sot më të kthjellëta e më të figurshme në mendje. Kur botova dhjetë vjet të shkuara librin “Tefta Tashko Koço dhe koha e saj”, e filloja atë në këtë mënyrë: “Më 2 nëntor të vitit 2000 mbushen 90 vjet që nga lindja e nënës sime, Teftës, dhe më 22 dhjetor po të këtij viti bëhen 53 vjet nga vdekja e saj”. U desh pra një dekadë për të marrë përsipër të shtoj të tjera mbresa, këtë radhë më me shumë hollësi, por edhe bashkë me shqetësimin se po ta lija pas dhjetë vitesh të tjera, ato që ruaj për momentin me mjaft qartësi në mendje, trembem se mos mjegullohen si rrjedhojë e natyrshme e kalimit të kohës!
Pyetja më e shpeshtë dhe më jetëgjatë që më është bërë, ka qenë: Ai mban mend prindërit?

Përgjigjja ime ka qenë që nënën më pak e babanë disi më shumë. Por, edhe pse nuk arrita t’i njoh ata fizikisht, mendoj se i kam njohur deri në imtësi përmes të tjerave burimeve, e nxitur kjo gjë nga interesi dhe dëshira e madhe që kam pasur për t’i pasur prindërit sa më pranë. Tani disa fjalë për prejardhjen e prindërve të mi. Familja e Koçove vjen nga Boboshtica. Ka me të tillë mbiemër edhe në Kolonjë, Fier apo Vuno të Himarës, pasi mbiemri Koço ishte thjesht shkurtim i emrit Kostandin dhe me këtë emër a mbiemër pagëzoheshin një pjesë e mirë e banorëve të Ballkanit, veçanërisht në kohët e mëparshme. Babai u lind në Xanthi, Greqi, më 10 shkurt 1912. I ati i tij ishte Sotir Koço dhe e ëma Evridhiqi Çavo, të dy nga Boboshtica e Korçës. Kristoja emigron në Rumani më 1921 dhe vendoset atje te familja e xhaxhait. Pas dy vjetësh, më 1923, vjen në Rumani edhe motra më e madhe e tij, Vangjelia. Në Bukuresht Kristoja mësoi për tregti për tetë vjet me radhë në Liceul de Commerce. Pas mbarimit të liceut nisi punën në Doganën e Postës. Rumania, ku ai kishte emigruar që në fëmijëri, ishte bërë atdheu i dytë i tij jo vetëm për faktin që u rrit dhe u burrërua atje, por edhe sepse në këtë vend kishte një koloni të madhe boboshtarësh, duke u ndier si në shtëpinë e tij. Me shfaqjen e një zëri të kumbueshëm prej baritoni, Kristoja nisi të marrë mësimet e para për kanto në Bukuresht me profesor Petre Stefanescu Goandâ. Të qenët me kombësi shqiptare bëri që shërbimin ushtarak të mos e kryej në Rumani, por të largohet që andej, të vijë në Shqipëri më 1937-n dhe të aspirojë për një të ardhme muzikore, më konkretisht, që këndej të shkonte në Itali për të vazhduar atje studimet për kanto. Në Tiranë Kristoja thuajse nuk njihte asnjeri përveç ndonjë rekomandimi që kishte marrë nga Rumania, kryesisht nga bashkëfshatarët e tij boboshtarë. Në Tiranën e viteve 1930 ai u njoh me këngëtarët dhe pianistët që ushtronin veprimtarinë muzikore në Shqipëri. U njoh edhe me Teftën, bashkëshorten e tij të ardhshme. Duhet shënuar se gjendja e tij financiare nuk e lejonte perspektivën e studimeve të mëtejshme për kanto në Itali dhe për të realizuar ëndrrën e tij, Kristos do t’i vine në ndihmë Maria Paluca Kraja dhe Lola Aleksi Gjoka. Më 8 qershor 1938 ato së bashku me Kriston organizuan një koncert të bujshëm vokal, të ardhurat e të cilit do të stimulonin akordimin e bursës së studimeve në Itali. Shtypi i kohës e pasqyroi gjerësisht këtë ngjarje, aq më tepër kur dihej qëllimi i veprimtarisë. Projekti doli i suksesshëm dhe Kristoja u vendos në Milano, ku studioi për afër katër vjet (1938-1942) në liceun muzikor “Frescobaldi”. Lidhja e tij me Teftën pas gjysmës së dytë të vitit 1938 u bë gjithnjë dhe më e shpeshtë dhe do të përfundonte me martesën e tyre dy vjet më vonë, më 23 qershor 1940. Nga martesa e tyre patën dhe një djalë që u lind më 1943. Më 1941 Kristoja sëmuret nga kordat vokale, megjithatë vazhdoi të këndojë deri më 1947-n. Gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore ai punoi në Radio Tirana deri sa vdiq më 26 korrik 1949. Duke qenë se Kristoja u shfaq për herë të parë në Shqipëri kur ishte njëzetepesë vjeç dhe këtu nuk pati as edhe një pjesëtar të familjes së tij, opinioni i përgjithshëm shqiptar njeh kryesisht nënën, sigurisht edhe për faktin që ajo bëri karrierë më të madhe. Por mua, si bir i prindërve të mi, më duhet të them që babai nuk ishte aspak më larg nga ana e përgatitjes intelektuale. Ndër ato që kanë mbetur me shkrim, përveç kritikave muzikore mbi koncertet e tij, letërkëmbimi me Teftën në prag të martesës është ndoshta aspekti më i ndjeshëm i Kristos, gjë që mund të përftohet edhe sot. Sigurisht, ai jetoi në Shqipëri mbi dhjetë vjet dhe pati kolegë e miq me të cilët ndau kohën e punës dhe shoqërinë, por midis njerëzve që më kanë përcjellë kujtimet e tyre nga takimet me të dhe që kanë lënë mbresa te unë, ka qenë ai i Islam Petrelës, i cili e takoi Kriston në Milano, më 1941. Me Lamin punuam bashkë në opera në vitet ‘60 dhe nuk linte rast pa përmendur episodin e takimit me Kriston që “ngjante si një princ rus”. Dhimitër Cancoja do të ishte ai që do të zbërthente më shumë se kushdo tjetër portretin e babait, që nga ajo se si pikohej kur hante supë deri se si lëkundej abazhuri kur ai këndonte me të tërë fuqinë e zërit! Marie Kraja do të ma kujtonte shpesh tim atë në aspektin artistik; fliste me shumë simpati për të dhe çdo herë që e dëgjoja kënaqesha shumë nga rrëfimi i saj. Muharrem Pirdeni ishte ndoshta i vetmi që më fliste për tim atë për periudhën e pasluftës kur punonin bashkë në Radio Tirana. Gjyshi dhe gjyshja nga ana e nënës, Athanas Tashko dhe Eleni Zografi, patën gjashtë fëmijë, Koçon, Anastasin, Katerinën, Gaqon, Alekon dhe Teftën. Gjyshi kish lindur më 1863 në Frashër dhe emigroi në Egjipt në fund të shekullit XIX. Gjyshja ime, Eleni, vinte nga familja e Zografëve. Në Fajum të Egjiptit, ku pas shumë ecejakesh gjyshi u vendos aty përfundimisht, hapi atje fillimisht një kafene të vogël dhe më pas e shndërroi atë në një hotel pranë liqenit Karun, ndërkaq që familja Tashko jetonte në hotelin me të njëjtin emër “Karun”, në qytetin e Fajumit. Hotelit i vuri emrin “Moeris”, që është adaptimi greqisht i emërtimit të lashtë egjiptian Mer-Wer (Liqen i Madh), pra “Moeris” ishte emri i lashtë i liqenit që më vonë do të merrte emrin Karun (Birket Qarun). Hoteli mori për mbarë dhe Thanasi jo vetëm ngriti e mbajti familjen me të, por e ktheu në një vatër të shqiptarizmit duke pritur e përcjellë shumë nga ata që më vonë do të bëheshin patriotë të vërtetë, madje patriotë të mëdhenj shqiptarë. Më 1986-n u ftova të dirigjoj Orkestrën Simfonike të Kajros dhe me këtë rast gjeta mundësinë për të vajtur në Fajum. Kur e morën vesh në orkestër që kisha rrënjë edhe nga Fajumi filluan të më thërrasin “gjysmë-Fajumia”. Tek kaloja me makinë në të djathtë të piramidave, të cilat, të jem i sinqertë, nuk m’u dukën aq të mëdha sa ç’i kisha imagjinuar, u futa në shkretëtirën e pafund deri sa mbërrita në liqenin Karun. Që andej, nga një rrugë tjetër, shkova në Fajum-qytet. Dola në fotografi para hotelit Karun, ku kisha bindje se kishte lindur nëna ime. Më pas vajta përsëri pranë liqenit Karun të shihja se ku do të kish qenë hoteli “Moeris” i gjyshit. Nuk ishte më ai hotel i fiksuar nëpër fotot e bukura dhe të rralla të më shumë se para njëqind vjetëve. Buzë liqenit tani ngriheshin hotele moderne, sigurisht jo më prej fletë çadre për katin e dytë. Takova pronarin e njërit prej hoteleve dhe i tregova fotografi me pamje të Fajumit të dhjetëvjeçarit të parë të shekullit XX. Ai u mahnit dhe m’u lut t’ia jepja foton që ta zmadhonte e ta vinte në një faqe të tërë muri. Nuk e bëja dot një gjë të tillë, sepse duhej të merrja leje në ambasadë, ashtu ishin rregullat e pashkruara të asaj kohe. Në të vërtetë, doja shumë që ai ta zmadhonte dhe të përjetohej edhe një herë gjyshi dhe hoteli i tij “Moeris”, por kjo mbeti vetëm një dëshirë.

Nëna ime u lind pikërisht në Fajum, më 2 nëntor 1910. I vunë emrin Tefta. Deri në 11 vjeç Tefta në shtëpi fliste shqip dhe jashtë saj arabisht. Në shtëpinë e tyre mësohej edhe shqipja e shkruar dhe kur pas vdekjes së të atit, më 1915-n që familja u kthye për të jetuar në Korçë më 1921, Teftën e regjistruan në Shkollën Qytetëse të Vashavet. Ajo e gjeti jetën e Korçës mjaft të gjallë krahasuar me atë të Fajumit. Vetëm një vit pas mbërritjes nga Egjipti, më 1922, Tefta do të këndonte në kor, kur për herë të parë do të ekzekutohej në Korçë me kor e orkestër “Aleluja” e Hendelit nën drejtimin e Thoma Nasit. Një tjetër impuls për të ardhmen artistike të saj në vitet 1920 luajti Liceu Francez i Korçës, themeluar më 1917-n. Liceu bëri që kultura franceze të depërtonte ndjeshëm te korçarët dhe një pjesë e mirë e mësuesve francezë të kësaj shkolle, të cilët luanin në instrumente muzikorë klasikë, u integruan më së miri dhe ishin aktivë në jetën muzikore të Korçës. Xavier de Courville, drejtori teknik i liceut, bashkë me të shoqen i ofruan Teftës mbështetjen e tyre pas kthimit të saj nga Franca, që karriera e saj t’i ecte mbarë në Shqipëri. Por miqësia më e mirë dhe më frytdhënëse në fushë të profesionit ishte ajo me pianistin Jacques Wincler, i cili u bë dhe shoqëruesi i saj në koncertet e organizuara në Korçë. Përgjithësisht klima e gjallë artistike e viteve 1920 në Korçë jo vetëm e fokusuan edhe më shumë mendjen e Teftës drejt perspektivës së të kënduarit, por u bënë një trampolinë e përshtatshme për lëvizjen e saj bashkë me të tjerë pjesëtarë të familjes drejt Francës. Qëndroi në Francë për nëntë vjet me radhë, ku bëri shkollën e mesme dhe të lartë, të mesmen në Montpellier dhe të lartën në Paris. Gjatë gjithë kësaj periudhe ajo jetoi me të ëmën, të vëllanë e saj, Lekon dhe motrën, Katinën. Edhe me vëllain tjetër Gaqon, kontaktet ishin të vazhdueshme.

Në ato që kam botuar deri më sot për nënën, prirja e shkrimeve ka qenë më afër kërkesave akademike apo analizuese, duke u përpjekur të zhvishem nga emocionet e të bazohem kryesisht në dokumentacionin e shkruar, por dhe atë gojor, kur ky vinte nga intelektualë me integritet e të ngritur kulturalisht siç ishin ata të viteve 1930, të cilët mund t’i përcillnin ngjarjet me kthjelltësi. Më vjen keq për nënën time, çuditërisht më shumë në këtë moshë se sa kur isha i mitur dhe kisha vërtet nevojë për të. Duhet të ketë qenë vërtet e veçantë, ashtu siç ma kanë përshkruar shumë miq të saj. Duke jetuar në familje me të ëmën, motrën e vëllain, e marr me mend sa pak liri do të ketë pasur për jetën e një vajze të re dhe në moshën më të bukur të dashurive. Vërtet, profesioni dhe ambicia për të qenë soprano, artiste, të bëjnë që i gjithë fokusi i jetës të orientohet nga karriera dhe kjo do përqendrim thuajse të plotë në këtë drejtim. Megjithatë, të qenët tërheqëse, siç dihet, nuk është vetëm feminiteti apo bukuria, por është karakteri i njeriut apo inteligjenca dhe për këtë të fundit mund të them që nëna duhet ta ketë pasur në masë të lakmueshme. Ajo e shprehu atë në të kënduar, në të diskutuar, në marrëdhënie shoqërore e familjare dhe mbi të gjitha në zhvillimin e ndërtimin e jetës së saj edhe pse të shkurtër. Të qenët tërheqëse padyshim krijon dhe xhelozi dhe ndaj saj ka pasur gjithmonë interpretime, më shumë pas vdekjes se sa gjatë jetës. Të qenët e saj në vëmendje të publikut shqiptar, nuk kish se si të mos thureshin rreth saj episode jetësore emocionale. Nuk bëhej aspak me të keq. Pasionantët donin që ajo patjetër të implikohej me ndonjë histori dashurie, kështu nuk do të mjaftonin vetëm zëri dhe pamja për të qenë tërheqëse, por edhe ndonjë episod romantik me ndonjë djalë dhe atëherë portreti i artistes bëhej dhe më i “plotë”.


Letërkëmbimi i panjohur i të dashuruarve

Tefta Tashko e Kristaq Koço

[/color]



TEFTA TASHKO E KRISTAQ KOÇO

Nga periudha 1939–1940 kam në arkivin tim një letërkëmbim midis nënës dhe babait, i cili është një nga gjërat më të çmuara që ruaj sot, sepse i referohet pikërisht moshës së dashurisë së tyre me njëri-tjetrin. Janë dyzetenjë letra të shkruara nga të dyja palët. Më vjen vërtet keq, ndoshta më tepër sot se sa më parë, se si nuk pata fatin që dhe unë t’i njihja e t’i kuptoja prindërit e mi, ashtu siç e kanë atë fat shumica e njerëzve të tjerë. Pothuajse të gjithë informacionin që kam disponuar mbi ta, atë të shkruar, të regjistruar në disqe apo dhe atë gojor, ua kam transmetuar njerëzve që kanë qenë të interesuar të dinë diçka apo të shkruajnë rreth prindërve të mi. Sa i përket letërkëmbimit, i cili bëhej tre vjet para se të lindja unë, ai është pak i njohur, në mos fare i panjohur për këdo. Kjo për arsyen se më është dukur shumë intim, shumë emotiv, i mbushur me emfaza të forta dashurore. Sigurisht, në ato letra flitet edhe për ngjarjet e zakonshme të ditës, për problemet e punës dhe të karrierës kur herë njëri e herë tjetri ankohen për ndonjë përplasje mes kolegësh ashtu siç i ndodh cilitdo nga neve sot (gjatë periudhës së karrierës artistike ndjesitë e muzikantëve bëhen edhe më të brishta). Megjithatë, ajo që dominon në masën më të madhe të kësaj korrespondence është dashuria për njëri-tjetrin, mënyra e çiltër dhe ngrohtësia e komunikimit. Duke e vëzhguar me kujdes kaligrafinë e tyre gjithmonë më kanë bërë përshtypje veçoritë individuale të secilit, ndoshta dhe identiteti i secilit, si dhe mjaft nuanca të tjera që gjithnjë më është dukur se vetëm unë mund t’i përftoja këto ndjesi. Nuk duhet harruar se të dy u lindën dhe u rritën jashtë Shqipërisë dhe shkrimi shqip, shprehjet shqip, të menduarit në shqip të tyre, janë ato që mua më kanë bërë më shumë përshtypje. Nuk mund të them që shqipja e tyre është e kulluar, por duke menduar se kishin jetuar shumë më shumë jashtë Shqipërisë se sa në Shqipëri, të shprehurit me aq sinqeritet në shqip më bën të mendoj se në të gjitha rrethanat jetësore e kanë ndier veten para së gjithash shqiptarë. Gjithnjë e më tepër vlerësoj se kam pasur prindër të dashur, të kultivuar, të edukuar e arsimuar mirë, intelektualë të qenësishëm. Me kalimin e moshës, respekti ndaj tyre më shtohet, ndihem mirë si bir’ i tyre dhe ende e ndiej mangësinë që nuk kam mundur t’i njoh për së gjalli.

Tiranë 27/IV/1940
Shpirtit tem,

Letra jote e sotme më gëzoi me një mënyrë të veçantë. Ti, si çdo njeri tjetër, ke momente entuziazmi më të ëmbla se të tjerat dhe këtë entuziazëm ma komunikon dhe mua në një mënyrë të patregueshme.
Unë këto momente - edhe sikur të më ketë njarë nonjë gjë e papëlqyeshme e harroj përnjëherish. Kjo tregon edhe një herë se ti je i vetmi person që më mban me jetë e me shpirt.
Edhe unë - jo si mirënjohje por si detyrë - do të mundohem më sa është e mundur që tërë jetën të të bëj të lumtur...
Po ti shpirt e di që janë Pashkët dhe në ç’mënyrë do t’i festosh? Unë do t’i festoj duke të kënduar ty - d.m.th. që doemos do i festoj meqë gjithmonë të kujtoj...

Të puth me shpirt e me mall, e jotja Tefta



Milano 28/IV/1940
E vockla ime Tefkë,

Sot është dita e parë e Pashkës, dhe në këto raste gjith se cili dëshëron të jetë pranë familjes të tij-
Familja ime -je ti-
Me gjith se dëshira ime është e madhe të të shof - dhe jo vetëm në të këtilla festa të gjendem pranë teje, por zakonisht në të këtilla raste mblidhen familjet-
Unë nuk kam posibilitet të jem pranë teje (tashi) por me gjith këtë, do ta festoj ditën e sotme bashkë me letrën tënde të dashur që e mora sot-
Festat tona të vërteta do të jenë pak më von kur do tij festojmë vetëm neve të dy-
Do të festojmë dashurinë tonë të fortë, do të festojmë lumturinë tonë të vërtetë-
Nuk ësht ashtu shpirt?
A mund të ndjej unë kënaqësi në çdo festë po s’qenke tinë pranë meje? Jo! Festa ime është at-here kur kam Tefkën pranë meje.
Dije mora një letër prej disa kushërinjve të mi prej Bukureshtit.
Ta dish tinë shpirt, sa u gëzuan për bashkimin tonë- por me qenë se e muarën vesh vonë prandaj më shkruan tashi...
Dëshirojnë shumë të të njojnë- pse për të dëgjuar kanë dëgjuar prej gazetat emrin tënd-
Tinë shpirt si je me shëndetin?
Më shkruan se mamaja është skandalizuar pse nuk vete në kishë? Tashi është skandalizuar pse janë festat më me rëndësi (E premte e zezë! E shtunë e madhe!! Etc, etc)
Duhet ta bindësh që tashi për çështjen tonë e kishës- e dij se dëshira e ç’do nëne është të shikojë çupën përpara alltarit me psiftra, me kallaballëk etc. Por tërë këto janë arxhe të kota- Nejse këto i fjalosim edhe kur të vij unë. Tashi të lë duke i transmetuar mamasë i puth dorën, vëllezërit përqafime dhe tynë bubkë, të puth me tërë shpirtin tim.

Joti Kristaq

KRISTAQ KOÇO

Ndër ato që kanë mbetur
me shkrim, përveç
kritikave muzikore
mbi koncertet e tij,
letërkëmbimi me Teftën
në prag të martesës
është ndoshta aspekti
më i ndjeshëm i Kristos,
gjë që mund të përftohet
edhe sot

TEFTA TASHKO KOÇO

Të qenët tërheqëse
padyshim krijon dhe
xhelozi dhe ndaj saj
ka pasur gjithmonë
interpretime... Të
qenët në vëmendje të
publikut, nuk kish se si
të mos thureshin rreth
saj episode jetësore
emocionale

TË TJERËT

Pasionantët donin që
ajo patjetër të implikohej
me ndonjë histori
dashurie, kështu nuk do
të mjaftonin vetëm zëri
dhe pamja për të qenë
tërheqëse, por edhe
ndonjë episod romantik
me ndonjë djalë dhe
atëherë portreti i artistes
bëhej dhe më i “plotë”




Emri  i Forumit do të ndryshoj   Pytje & Përgjigje 
WebMaster
WebMaster
Fondatori i Forumit
Fondatori i Forumit

Vendbanimi Vendbanimi : Ku te dua un
Postime Postime : 98857
Gjinia Gjinia : Female
Anëtarësuar Anëtarësuar : 11/01/2009
Mosha Mosha : 40
Hobi Hobi : Të përballoj jetën

Shiko profilin e anëtarit http://www.klealove.com

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Re: Familja dhe jeta, një evokim nga Eno Koço dhe letërkëmbimi i panjohur i të dashuruarve Tefta Tashko e Kristaq Koço

Mesazh nga WebMaster prej Mon 19 Sep 2011 - 11:40





Emri  i Forumit do të ndryshoj   Pytje & Përgjigje 
WebMaster
WebMaster
Fondatori i Forumit
Fondatori i Forumit

Vendbanimi Vendbanimi : Ku te dua un
Postime Postime : 98857
Gjinia Gjinia : Female
Anëtarësuar Anëtarësuar : 11/01/2009
Mosha Mosha : 40
Hobi Hobi : Të përballoj jetën

Shiko profilin e anëtarit http://www.klealove.com

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Re: Familja dhe jeta, një evokim nga Eno Koço dhe letërkëmbimi i panjohur i të dashuruarve Tefta Tashko e Kristaq Koço

Mesazh nga Anakonda prej Sat 27 Oct 2012 - 7:01

Pse edhe at koh kan pas shkrujt letra dashurie?Un kom mendu se kshu gjerash ekzistojn vetem ne ditet e sotshme..
Anakonda
Anakonda
V.I.P Anëtarë
V.I.P Anëtarë

Vendbanimi Vendbanimi : Burrel
Postime Postime : 31648
Gjinia Gjinia : Female
Anëtarësuar Anëtarësuar : 02/12/2011
Mosha Mosha : 23
Hobi Hobi : Dashuria endrra shpresa ke te zgjidhja nga te tria dhe nje nate lotin pyeta mu pergjigj DASHURIA

Shiko profilin e anëtarit

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Re: Familja dhe jeta, një evokim nga Eno Koço dhe letërkëmbimi i panjohur i të dashuruarve Tefta Tashko e Kristaq Koço

Mesazh nga Sponsored content


Sponsored content


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi