Klea Love Forum
Klea Love Forum - Welcome

Mirë se vini në Klea Love Forum, Ju ftojmë që të Regjistroheni, në mënyre që të keni aksese në të gjitha kategorit dhe temat, në Klea Love Forum, mund të gjeni Shoqeri, Filma Shqip dhe të huaj, Muzikën më të re 2013, DVD Humore shqip, Këshilla Mjeksore, Diskutime, Video Klipe, Kuriozitete, dhe Lajmet më të reja nga vendi dhe bota.

KleaLove.com / Staff.

Përse po debatohet tani për Enver Hoxhën

Shko poshtë

Përse po debatohet tani për Enver Hoxhën

Mesazh nga WebMaster prej Fri 22 Feb 2013 - 7:46

Historia ka qenë, është dhe do të mbetet gjithmonë një “femër” joshëse për politikanët. Sa herë që politika i kthehet historisë…rishkrimit dhe rivlerësimit të figurave të saj, mund të lexosh mes rreshtave nevojën për përdorim elektoral. Të numërosh se sa herë politika ka qenë iniciatore e debatit për rishkrimin e historisë dhe rivlerësimin e figurave të saj, lista bëhet e gjatë. Fillimisht ishte debati që mbajti gjatë opinionin publik për rishkrimin e historisë, pasoi me rivlerësimin e figurës së Ahmet Zogut, Esat Toptanit, e për ta zgjeruar spektrin, me Dom Nikoll Kaçorrin, Mit’hat Frashërin, Abaz Kupin e deri te Qemal Stafa. Piruetat e politikës në pistën e historisë janë të shumta dhe të ndryshme. Por ky 100-vjetor i Pavarësisë u hap dhe u mbyll nën shenjën e rehabilitimit apo anatemimit të figurave historike sipas interesave politike të ditës. Për të mikluar apo jo elektoratin e majtë, Ilir Meta, kryetari i LSI-së e rindezi debatin me deklaratën e tij për rivlerësimin e figurës së Enver Hoxhës, por edhe të figurave të tjera komuniste që kanë dhënë kontributin në Luftën Nacionalçlirimtare. “Përderisa i jepen merita Zogut në disa aspekte, nuk ka arsye pse të mos i jepen merita edhe Enver Hoxhës, sidomos për sa i përket drejtimit të luftës”, – tha Meta vetëm pak minuta pasi kishte kryer ritualin e homazheve në Varrezat e Dëshmorëve. Mediat nuk e lanë t’i shpëtonte kësaj teme as kryeministrin Berisha, i cili konfirmoi qëndrimin e tij se Lufta Nacionalçlirimtare ka qenë një nga faqet më të ndritura të historisë. E pra, tema e debatit të radhës është servirur sërish nga politika, në një kohë që historianët, ata që hedhin teza, sjellin fakte të reja për rishkrimin e historisë deklarojnë gati-gati të irrituar se politika duhet t’i qëndrojë larg historisë. Tek “Mapo” tani fjalën e kanë historianët. Gazeta në këtë forum u është drejtuar atyre me të njëjtën pyetje: Çfarë mendojnë për debatin e hapur për rivlerësimin e kontributit të Enver Hoxhës në Luftën Nacionalçlirimtare? Përgjigjen historianët: Ana Lalaj, Pëllumb Xhufi, Beqir Meta, Muharrem Dezhgiu dhe Romeo Gurakuqi.

Pëllumb Xhufi:

Bashkë me Hoxhën të rivlerësohet dhe Mehmet Shehu

Mendoj se kontributi i E. Hoxhës gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare duhet rishikuar kryesisht në një drejtim: në atë të shpërndarjes së meritave edhe tek personalitete e komandantë të tjerë të shquar të kësaj lufte, duke filluar nga vetë Mehmet Shehu. Sidomos pas spastrimeve të viteve 1970, në propagandën e regjimit dhe në historiografinë e asaj kohe, u vu re tendenca për të përqendruar gjithçka të mirë tek figura e Enver Hoxhës. Ky ishte padyshim udhëheqësi kryesor i PKSH-së, i Frontit dhe i Ushtrisë Nacionalçlirimtare. Ishte komunist, por ishte edhe nacionalist: besonte se çështja shqiptare, që mishërohej kryesisht në problemin e Kosovës e të Çamërisë, do të zgjidhej pas luftës në favor të Shqipërisë. E konsideronte lindjen dhe forcimin e rezistencës antifashiste aty, si një atout për bashkimin e tyre me atdheun dhe, në këtë vështrim, punoi që lufta partizane të shtrihej edhe në këto dy krahina të shkëputura padrejtësisht nga Shqipëria më 1913-ën. Diti të bashkojë në luftën çlirimtare komunistë e nacionalistë, studentë e fshatarë, veriorë e jugorë, burra e gra, të rinj e pleq, myslimanë e të krishterë. Kështu, pati meritën që e ktheu, bashkë me shokë, Luftën Nac. Çl. në një moment të pashembullt bashkimi e uniteti të shoqërisë shqiptare përreth një ideali fisnik: çlirim i atdheut nga pushtuesit nazifashistë. Sigurisht, ashtu si në çdo vend e në çdo kohë, lufta veçoi në një tjetër pozicion, si indiferentë ose bashkëpunues me pushtuesit, shumë shqiptarë të tjerë. Ndaj tyre Hoxha mbajti një qëndrim të ashpër, shpeshherë edhe përtej normave që lejonin rregullat e luftës dhe një qëndrim po aq të rreptë mbajti pas lufte edhe me familjarët e tyre, që iu nënshtruan padrejtësisht dënimeve e persekutimeve të pajustifikuara. Por analiza e sjelljeve të Hoxhës pas luftës meriton një analizë të veçantë. Për sa i përket periudhës së luftës, s’do të lija pa cekur edhe aftësinë e Hoxhës për të ndërtuar me aleatët e huaj një raport, që nga njëra anë u ndihmonte nevojave të luftës, por nga ana tjetër nuk cenonte, ose cenonte sa më pak pavarësinë e lëvizjeve të tij. Ishte padyshim ai që kishte shkallën më të lartë të pavarësisë nga emisarët jugosllavë, britanikë e amerikanë. Ndër jugosllavët kishte mik vetëm Miladin Popoviçin, por në marrëdhëniet me të besoj se ai që tërhiqte më shumë ishte Hoxha, përderisa Miladini iu bashkëngjit pozicioneve të të parit edhe në çështje aq delikate, sa ç’ishte bashkimi i Kosovës me Shqipërinë pas lufte. Jo më kot Titua e kritikoi Miladinin si “oportunist” dhe e tërhoqi nga Shqipëria, ndërkohë që në Plenumin e Beratit, tetor 1944, kërkoi eliminimin e Hoxhës. Pati marrëdhënie të vështira me misionet angleze, pasi e kuptoi se ato nuk ishin aty thjesht për të ndihmuar rezistencën kundër nazifashistëve, por edhe për të përgatitur eliminimin e komunistëve nga qeverisja e pasluftës dhe gjithashtu për të sjellë në pushtet një qeveri të gatshme të cedonte ndaj pretendimeve territoriale të Greqisë, kanakarja e Ë. Churchillit. Arriti t’i kërcënojë britanikët se do t’i godiste edhe ata, për sa kohë misionet e tyre u vendosën edhe tek grupimet e ashtuquajtura nacionaliste që bashkëpunonin hapur me gjermanët. Me misionin amerikan pati marrëdhënie më korrekte, edhe për faktin se amerikanët i atashuan misionet e tyre vetëm tek Shtabi i Ushtrisë Nac. Çl. Pra, E. Hoxha tregoi qysh gjatë luftës stofin e një burri shteti dhe arriti t’i eliminojë të gjitha pengesat që do mund të shmangnin ardhjen e tij në pushtet pas luftës. Në fund të fundit, në aktin përmbyllës të Luftës II Botërore, në Konferencën e Paqes në Paris, 1946, falë luftës antifashiste që pati për organizatorë e protagonistë kryesorë komunistët e tij, E. Hoxha mundi të paraqitej me dinjitet e të mbronte me forcë interesat e Shqipërisë. Siç e ka pranuar edhe vetë kryeministri Berisha, fati i Shqipërisë do të kishte qenë i ndryshëm, edhe në kuptimin e një copëtimi të ri të vendit, në rast se në Shqipëri nuk do të kishte patur një rezistencë antifashiste dhe Shqipërinë në atë Konferencë do ta kishin përfaqësuar mbeturinat e organizatave kolaboracioniste, si Balli Kombëtar e Legaliteti (kjo pjesë e dytë e frazës nuk është e zotit Berisha). Kjo mjafton për ta vënë atë luftë në piedestal të historisë, dhe padyshim Hoxhës i duhet njohur merita e udhëheqësit kryesor të saj, duke mos harruar edhe rolin e tij kryesor në ekseset e luftës e sidomos në zhvillimet e mëvonshme të pasluftës.

Beqir Meta

Politika t’i qëndrojë larg historisë edhe në rastin e Hoxhës

Rivlerësimi i kontributit të Enver Hoxhës për qëndrimin e tij në Luftën Nacionalçlirimtare është bërë që me fitoren e demokracisë në Shqipëri, ku ka pasur një proces të gjatë mbi 20 vjet, ku janë nxjerrë fakte, argumente, janë bërë analiza. Sigurisht ka patur dhe kundërshti të ndryshme por janë bërë analiza që kanë patur thellësi të konsiderueshme shkencore. Ky vlerësim është bërë dhe duhet të vazhdojë të bëhet jashtë ndikimeve politike dhe ndërhyrjes së politikës. Kjo është themelore. Vështrimi i kësaj periudhe, ashtu si dhe të tjerat, do të bëhet mbi bazën e metodave serioze, korrekte rigoroze historiografike. Nuk është se ka nevojë për ndonjë ridimensionim të këtyre metodave shkencore, por do sillen sigurisht fakte dhe argumente të reja. Historiografia është një proces që sjell gjithmonë prurje të reja, por ajo që është bërë këto vitet e fundit ka qenë puna serioze që është bërë për rivlerësimin e figurës së Enver Hoxhës dhe qëndrimit të tij gjatë dhe pas luftës. Gjë që e ka bërë historiografia shqiptare këto 20 vjet mbi baza shkencore. Debati është hapur nga politikat dhe mendoj se kanë opsionet, interesat dhe qëndrimet e tyre. Por unë mendoj se historianët duhet të jenë jashtë politikës të njërit krah apo tjetrit, nëse duam t’i japim një histori serioze Shqipërisë. Gjatë kësaj kohe janë sjellë shumë argumente të reja dhe është një proces që vazhdon dhe që pasurohet me argumente, fakte, por ka dhe këndvështrime e metoda e analiza të reja. Të gjitha janë të vlefshme, por nevojitet zhvillimi i tezave të reja. Në Shqipëri për arsye të diktaturës ka pasur dhe ka një situatë specifike, e cila ka të bëjë me ndërhyrjen e thellë politike të diktaturës në historiografi. Këto 20 vjet është punuar shumë për ta shmangur këtë dhe për ta bërë historinë mbi baza serioze dhe prandaj ka patur vërtet arritje serioze në këtë drejtim. Nëse duam të kemi një historiografi serioze, kjo do të mbetet jashtë politikës. Ndërhyrja e politikës është e dëmshme, madje do të thosha se është e dëmshme edhe për vetë politikën. E rëndësishme është që institucionet tona të funksionojnë në bazë të lirisë akademike, e cila është e garantuar me ligj, por dhe me përvojën, eksperiencën dhe profesionalizmin e vet historianëve. Historianët është mirë të mos përzihen me këto deklarata politike. Detyra e politikanëve është të mësojnë nga historia dhe jo t’u japin leksione historianëve, së dyti detyra e politikanëve është që të forcojnë dhe përmirësojnë institucionet e kërkimit shkencor në fushën e historisë në radhë të parë, duke garantuar dhe respektuar lirinë akademike dhe e dyta, të investojnë në këto institucione.

Muharrem Dezhgiu

Në historinë e sotme Hoxha trajtohet në përmasa reale

Padyshim që Enver Hoxha, qoftë dhe me rolin e tij që ka luajtur gjatë historisë së gjysmës së dytë të shekullit të 19-të, është një figurë që nuk mund të lihet jashtë trajtimit të historisë. Rëndësi ka që figura e tij të dalë e plotë në përmasat historike qoftë për rolin e tij konstruktiv, rekrus në momente të caktuara historike siç ishte Lufta e dytë Botërore në Shqipëri, qoftë edhe si drejtues kryesor i sistemit të diktaturës komuniste në vendin tonë. Në këtë kuptim ai është dhënë në përmasa të ndryshme para ’90-ës dhe pas ’90-ës. Në qoftë se para ‘90-ës është mbivlerësuar roli i tij duke i atribuuar një rol vendimtar kyç në gjithë zhvillimin e ngjarjeve të Shqipërisë ku ai ka jetuar si personazh historik, kuptohet se pas ‘90-ës, me ndryshimet që ndodhën qoftë në gjetjen e dokumenteve të reja, qoftë nga mënyra e shikimit dhe trajtimit të problemeve të historisë, duke rivlerësuar ngjarje dhe figura të cilat ishin lënë jashtë vëmendjes së punës së historianëve për arsye që tashmë dihen, të censurës apo autocensurë, ka një diferencë dhe kjo diferencë tani për tani është e domosdoshme për të sfumuar atë fryrje të tejskajshme të rolit të tij para ’90-ës me rivlerësimin më saktë dhe korrekt pas ’90-ës. Unë mendoj se hëpërhë në tekstet tona të historisë ai ka gjetur përmasa të pranueshme reale të trajtimit të kësaj figure. Por a ka vend për t’u përmirësuar? Po, ka vend. Në ç’kuptim ? Në kuptimin që dokumente dhe fakte të reja do të bëjnë të mundur që të rivlerësohen kundërshtarët e tij politikë, të dalin me dimensionet e tyre të vërteta, jo të shtrembëruar siç i trajtonte ai në kohën e tij apo historiografia në kohën e tij dhe vetvetiu përmasat e tij do të shkojnë në shtratin e duhur, pa u shprehur nëse duhet të bëhet tani apo më vonë. Ky është një proces historik dhe nuk mund të bëhet me afate kohore, siç u interesojnë politikanëve me vetëdijen e tyre politike për të thithur më shumë elektorat. Historiani ka një linjë tjetër të vështrimit dhe gjykimit të figurave dhe ngjarjeve historike. Ai nuk stimulohet nga faktorë të tjerë të jashtëm, përveç të vërtetës historike. Për mua, ai e ka gjetur vendin në këtë kohë të shkurtër që ka kaluar, por ka vend për t’u thelluar më shumë qoftë edhe në vlerësimin negativ të kësaj figure, sepse mund të zbulohen dokumente që e vërtetojnë këtë, por qoftë dhe në meritat që ka patur.

Lalaj: Debat i hedhur për nevoja politike

Nga të gjitha perceptimet dhe vlerësimet për personat historikë të së kaluarës, ia vlen të merren në konsideratë, ndër të tjera, tri grupe vlerësimesh: i pari është vlerësimi i publikut, që operon me mjetet e njohura të testimeve, sondazheve etj; i dyti është vlerësimi i politikës dhe i treti, vlerësimi historik, me metodat studimore e shkencore. Në rastin e dhënë, tema është servirur nga një përfaqësues i një segmenti të politikës dhe në këtë rast ne kemi të drejtë të mendojmë për nevojën politike të atij që e shtron kërkesën. Duke pranuar inkompetencën në vlerësimin e kësaj nevoje politike, më duhet të them se në ndërkohë precedenti ka ndodhur: në këtë vit janë bërë vlerësime të tepruara e deri amnisti dhe rehabilitime të dyshimta politike për persona historikë, në kundërshtim me përcaktimet e deritashme historiografike. Qëllimet për këto rehabilitime janë politike, ndërsa metodat e përdorura janë radikale. Radikalizmi në mënyrë të natyrshme, gjen zëdhënësit e vet për t’u praktikuar në raste të tjera të ngjashme. Kjo mënyrë të menduari shfaqet pak a shumë kështu: tani që po ngremë, fjala vjen, piedestalet për Ahmet Zogun, pse të mos flasim edhe për Enver Hoxhën, si pararendje për piedestalet e nesërme. Enver Hoxha është e lidhur pazgjidhshmërisht me një periudhe të gjatë historike, por dhe me një sistem politik tanimë të përmbysur. Politikisht, ai dhe sistemi që përfaqëson dhe udhëhoqi e kanë marrë përgjigjen. Në pikëpamje historike, vlerësimet për Enver Hoxhën sapo kanë filluar të shprehen dhe, sigurisht, priten shqyrtime të thelluara. Jo vetëm për figurën e Hoxhës, por për gjithë sa u shënua, për mirë e për keq, me arritjet e dështimet e gjithë kësaj kohe të gjatë. Vlerësimet për Hoxhën dhe gjithë të tjerët, para dhe pas tij, do të jenë më të qëndrueshme dhe gjakftohta, kur politika do t’i qëndrojë sa më larg këtij procesi.



Ilir Meta: “Përderisa i jepen merita Zogut në disa aspekte, nuk ka arsye që të mos i jepen merita edhe Enver Hoxhës, sidomos për sa i takon drejtimit të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Megjithatë, unë mendoj se nuk është detyrë e politikanëve për të bërë historinë sepse politikanët kanë edhe interesat e tyre politike. Mendoj se koha e bën historinë më të mirë, bën rivlerësim më të mirë të këtyre figurave, por kur flasim për Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, absolutisht që do ishte një kompleks të mos përmendim rolin e jashtëzakonshëm të Partisë Komuniste dhe të komunistëve shqiptarë, sepse 90% e atyre që prehen këtu kanë qenë anëtarë të kësaj partie, por natyrisht që ata kanë dhënë jetën e tyre në emër të idealit të lirisë, të pavarësisë, për të ringritur flamurin e Skënderbeut dhe të Ismail Qemalit në një Shqipëri të lirë dhe të pavarur”, – tha ndër të tjera z. Meta.





Sali Berisha: “Sali Berisha nuk ka mohuar kurrë Luftën Nacionalçlirimtare. E ka quajtur dhe e quan atë një nga faqet më të ndritura. Ky është besimi im i plotë dhe bindja ime. Lufta duhet parë me të vërtetat e saj. Enver Hoxhën, në krye të Partisë Komuniste Shqiptare, e ka vendosur Dushan Mugosha. Shkoni merrni protokollin e mbledhjes së parë themeluese dhe do të shihni se ai është zgjedhur për financat. Si kryekujdestar u zgjodh një kosovar, Ramadan Citaku. Ai u la provizorisht dhe Enver Hoxha u mbajt në inkubator një vit dhe, vetëm pas një viti, ai u vu si sekretar i parë. Por dua t’ju them edhe diçka. Partia Komuniste Jugosllave dhe “marshalli” Tito, në atë periudhë, udhëhiqnin lëvizjen më të fuqishme antifashiste të rezistencës në Evropë. Çërçill kishte djalin e tij këshilltar të Titos, sepse aleatët donin me çdo kusht t’u krijonin okupatorëve tokën e djegur, ose prapavijat e djegura, nëpërmjet lëvizjeve guerile. Pavarësisht se si u vendos ai, lufta është një meritë e madhe, kjo nuk mohohet. Por ato çka i bëri ai Shqipërisë dhe qytetarëve shqiptarë, ju nuk mund t’i imagjinoni. Këtë jua them me bindjen më të madhe. Mbi 100 mijë shqiptarë të burgosur, të internuar, të vdekur burgjeve, të pushkatuar, me gjyqe ose pa gjyqe”.



Kujdes. Të gjitha të drejtat e këtij shkrimi janë të rezervuara nga Mapo dhe mapo.al. Ripublikimi i tij i pjesshëm apo i plotë është i ndaluar pa leje me shkrim nga Mapo. Ju lutemi në çdo rast citimi apo reference nga ky tekst, shënoni linkun përkatës në mapo.al




Emri  i Forumit do të ndryshoj   Pytje & Përgjigje 
avatar
WebMaster
Fondatori i Forumit
Fondatori i Forumit

Vendbanimi Vendbanimi : Ku te dua un
Postime Postime : 98857
Gjinia Gjinia : Female
Anëtarësuar Anëtarësuar : 11/01/2009
Mosha Mosha : 40
Hobi Hobi : Të përballoj jetën

Shiko profilin e anëtarit http://www.klealove.com

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi