Klea Love Forum
Klea Love Forum - Welcome

Mirë se vini në Klea Love Forum, Ju ftojmë që të Regjistroheni, në mënyre që të keni aksese në të gjitha kategorit dhe temat, në Klea Love Forum, mund të gjeni Shoqeri, Filma Shqip dhe të huaj, Muzikën më të re 2013, DVD Humore shqip, Këshilla Mjeksore, Diskutime, Video Klipe, Kuriozitete, dhe Lajmet më të reja nga vendi dhe bota.

KleaLove.com / Staff.

E vërteta e Luftës Civile në Shqipëri

Shko poshtë

E vërteta e Luftës Civile në Shqipëri

Mesazh nga WebMaster prej Thu 28 Feb 2013 - 11:29

Historiani Hamit Kaba është i kthjellët dhe i qetë në atë që artikulon. Shprehet me ftohtësi për rolin e Shqipërisë, por edhe përgjigjet për fjalët që qarkullojnë sot, që nga Ekzekutivi shqiptar me anë të kryeministrit shqiptar për të riparë historinë e Luftës së Dytë Botërore. Lufta çlirimtare e shqiptarëve ka qenë luftë e madhe dhe nga të vetmet ku kemi dalë fitimtarë. Megjithatë, ai di të dallojë dhe rolin e vërtetë të Aleatëve të Mëdhenj, ashtu si edhe shikimin e tyre të vendit tonë sipas interesave të tyre. E sa për Luftën Civile është i qartë: “Në Shqipëri, sikurse në Jugosllavi e Greqi (gjatë viteve 1943-1944) ka pasur konflikt të brendshëm apo luftë civile, por jo në formën klasike. Konflikti kryesor ka qenë ai me pushtuesin”.



Juve jeni një nga njohësit më të mirë të Luftës së Dytë Botërore, që keni hulumtuar shumë dhe në arkiva të huaja. Si e shikojnë dhe e vlerësojnë luftën çlirimtare të shqiptarëve, Fuqitë e Mëdha?

“Kur përmendim Fuqitë e Mëdha gjatë L2B kemi parasysh Britaninë e Madhe, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Sovjetik. Fatmirësisht, përveç botimeve të hershme në formën e kujtimeve nga ish anëtarë të misioneve britanike, si Julian Amery, David Smiley Reginald Hibbert etj., tashmë janë botuar edhe libra të tjerë, nga historianë e jo historianë si Bernd Fischer, Peter Lukas, Roderick Bailey, botime dokumentare etj. Gjithashtu nga historianët shqiptarë janë shkruar disa botime për këtë periudhë, duke përfshirë edhe kujtimet. Por, besoj se njohja e këtyre dokumenteve nga vetë historianët shqiptarë këto vitet e fundit, ka filluar të japë frytet e veta, e materializuar sidomos në shkrimet më të fundit, por besoj ato do jenë më të plota në të ardhmen.

Mund të shprehem pa hezitim se Lufta çlirimtare e shqiptarëve gjatë L2B, ka qenë një ngjarje e shënuar dhe e vlerësuar nga Fuqitë Aleate. Për herë të parë që nga krijimi i shtetit të pavarur shqiptar, shqiptarët jo vetëm që angazhoheshin në një Luftë Botërore, por ajo që është më e rëndësishmja, përkrah fituesve të saj. Njohja e luftës çlirimtare apo e rezistencës së shqiptarëve dhe e rivendosjes së pavarësisë pas mbarimit të luftës, është konfirmuar disa herë, duke filluar me deklaratat e ministrave të jashtëm të tre Fuqive të lartpërmendura në dhjetor 1942, por edhe më vonë, sidomos në përvjetorët e ditës së pavarësisë së shtetit shqiptar. Vlerësimi i qëndresës shqiptare u materializua qartazi gjatë luftës me dërgimin në Shqipëri të misioneve aleate angleze e amerikane e në një shkallë të vogël edhe të Bashkimit Sovjetik, në verën e vitit 1944. Pa dyshim roli i britanikëve në Shqipëri ka qenë i dukshëm, për shkak të interesave të tyre në Ballkan. Qëllimi kryesor i këtyre misioneve ishte mbështetja dhe rritja e rezistencës antifashiste në vend. Mendoj se misionet e huaja, në zbatim të politikave të vendeve të tyre e ndihmuan realisht luftën çlirimtare të shqiptarëve përmes ndihmave materiale, pajisjeve ushtarake, por edhe përmes bombardimeve jo të pakta në territorin shqiptar kundër fuqive armike nga RAF-it britanik dhe USAAF.

Sidoqoftë unë mendoj se roli kryesor në këtë luftë i përket popullit shqiptar, i materializuar sidomos tek Lëvizja Nacionalçlirimtare. Për rolin e kësaj të fundit nuk ka asnjë dilemë në burimet arkivore britanike e amerikane.

Por, mund të shtrohej pyetja a bënë më të mirën Aleatët për Shqipërinë dhe shqiptarët gjatë L2B? Dokumentacioni britanik, amerikan dhe rus të çon në përfundimin se interesat e tyre ushtarake e politike ndaj vendeve të Ballkanit kanë qenë të diferencuara. Vlerësimet për rezistencën greke e jugosllave kanë qenë më të larta, përveç të tjerave për shkak të interesave të tyre në periudhën e pasluftës. Për shkak të prirjes pro greke dhe disi pro jugosllave, britanikët, ndonëse ishin të parët që e morën iniciativën për shpalljen e deklaratave të dhjetorit të vitit 1942, qenë të fundit që e shpallën atë. Por jo vetëm kaq, ata e lanë të hapur problemin e rishikimit të kufijve të Shqipërisë në periudhën e pasluftës. Sovjetikët në dhjetor 1942 në deklaratën e tyre u shprehën pa ekuivoke e kushtëzime për njohjen e pavarësisë, së Shqipërisë, ndërsa në takimin e zhvilluar me britanikët në Moskë, në lidhje me me skemën e riorganizimit të Evropës pas luftës, Stalini, në prani të ministrit të jashtëm të Britanisë Madhe Idenit, më 16 dhjetor 1941 do të shprehej: ‘Shqipëria mund të rimëkëmbet si shtet i pavarur...’, ndërsa për të gjithë shtetet e tjerë u shpreh se ata ‘duhet të rimëkëmbeshin si shtete të pavarura’. Ndërsa deklarata amerikane kishte dy elemente që e dallonin nga ajo britanike, sepse ajo i referohej Kartës së Atlantikut dhe vetë rezistencës së shqiptarëve. Kjo diferencë është bërë objekt diskutimi nga diplomatët e dy vendeve.

Fuqitë e Mëdha Aleate ndonëse e njohën rezistencën e shqiptarëve nuk i krijuan mundësitë për njohjen juridike të saj. Mosnjohja e ndonjë qeverie shqiptare brenda apo jashtë vendit, nuk i lejoi shqiptarët që të nënshkruanin Kartën e Kombeve të Bashkuara të janarit të vitit 1942, nuk i lejoi që të përfaqësoheshin në disa konferenca të rëndësishme, ku morën pjesë vendet aleate e fqinje, dhe po kështu të merrnin pjesë në Konferencën e San Franciskos, që themeloi Kombet e Bashkuara. Kjo njohje e paligjëruar do të kishte efektet e veta në imazhin ndërkombëtar të Shqipërisë së pasluftës, dhe në veçanti në Konferencën e Paqes së Parisit të vitit 1946”.



Një sërë historianësh të huaj, që tashmë i bashkohen dhe vendas, flasin vetëm për Luftë Civile në Shqipëri. A e ul kjo kontributin shqiptar në Luftën e Dytë?

“Përgjithësisht, në botimet dhe dokumentacionin e hua nuk flitet vetëm për luftë civile, por ata nuk e mohojnë këtë përbërës të luftës në Shqipëri. Kjo logjikë është e mbështetur në dokumentacionin e huaj të kohës. Termi ‘luftë civile’ ndeshet dendur në raportet e të dërguarve britanikë e amerikanë në Shqipëri. Janë të pakta botimet që e konsiderojnë luftën e shqiptarëve përkrah Aleatëve thjesht si luftë civile. Megjithatë, unë gjykoj se as në studimet shqiptare dhe as në ato të huaja nuk zbërthehet ky problem si një koncept teorik dhe i argumentuar, mbi bazën e skemave të njohura për luftën civile, konfliktin e brendshëm apo luftën qytetare, siç përdoret në terminologjinë e sotme. Në vetvete lufta civile është një koncept i debatueshëm dhe pa konsensus absolut në botën akademike. Duhet thënë se ka një ndryshim midis konceptit luftë civile dhe konflikt civil. Që të dyja përmbajnë dimensionin civil, që do të thotë se palët ndërluftuese i përkasin të njëjtit shtet ose komb, por që ndryshojnë thellësisht përsa i përket shkallës së konfliktit. Që një konflikt i armatosur të quhet luftë civile duhet të ketë rreth 1000 të vdekur në betejë në vit nga të dyja palët. Ky sigurisht është një përkufizim arbitrar i botës akademike, por i nevojshëm për qëllime studimi. Në këtë kontekst mendoj se në Shqipëri përveç luftës çlirimtare ka pasur edhe konflikt civil, apo element të luftës civile. Personalisht, mendoj se ky komponent është i pranishëm duke filluar nga vjeshta e vitit 1943, dhe që vjen duke u shtuar veçanërisht pas qershorit të vitit 1944, periudhë kur ndodhin edhe luftime të pastra ndërmjet shqiptarëve.

Në Shqipëri, sikurse në Jugosllavi e Greqi (gjatë viteve 1943-1944) ka pasur konflikt të brendshëm apo luftë civile, por jo në formën klasike. Konflikti kryesor ka qenë ai me pushtuesin. Në këto tre vende lëvizjet e rezistencës u udhëhoqën kryesisht nga forcat e majta-komuniste, që luftuan pa kompromis me pushtuesit, por si të tilla ato nuk mund të bashkonin të gjithë forcat e rezistencës, për shkak të karakterit të tyre dhe të nesërmes, e cila do të paraqiste një ndërprerje të qeverisjes së shkuar, dhe detyrimisht do ndikonte në bashkimin e shqiptarëve në këtë luftë.

Në dokumentacionin e huaj flitet edhe për shkaqet e konfliktit civil në vend. Dokumentacioni britanik e amerikan nuk mjaftohet me shpjegimin se lufta civile në Shqipëri është produkt thjesht i prishjes së Marrëveshjes së Mukjes nga PKSH, por u referohet edhe faktorëve të tjerë, të tillë si: politika e zbatuar nga gjermanët, moszbarkimi i pritur i Aleatëve në Shqipëri në vjeshtën apo dimrin e vitit 1943-1944, përfundimi i luftës jo në kohën e parashikuar, luftës për pushtet nga të dy anët etj. Një studim serioz mbi luftën civile në Shqipëri do të ishte i nevojshëm, por mendoj se arkivat nuk do të na jepnin gjithçka që ne duam, sepse për arsye të njohura, ka qenë e vështirë që të fiksoheshin në letër ato ç’kanë ndodhur në terren”.



Cilët janë elementët që e veçojnë luftën e shqiptarëve në teatrin ndërkombëtar të luftës antifashiste?

“Do të theksoja edhe njëherë se lufta e shqiptarëve përkrah aleatëve ishte ngjarje e rëndësishme për shqiptarët dhe imazhin e tyre si kontributorë në një teatër luftarak me përmasa globale; se rezistenca e popullit shqiptar së bashku me atë të fqinjëve jugosllavë e grek bënë që në terrenin ballkanik të luftës, të koncentroheshin forca të rëndësishme armike, duke lehtësuar kështu barrën e Aleatëve të Mëdhenj, dhe së fundi shqiptarët e çliruan vendin e tyre pa pjesëmarrjen direkte të ushtrive aleate në territorin e tyre”.



A mund t’i përcaktoni thjesht me të mirat dhe të këqijat e tyre forcat shqiptare që ndihën luftën: Fronti nacional-çlirimtar, Balli Kombëtar dhe Legaliteti?

“Lëvizja Nacionalçlirimtare ka qenë forca kryesore që u bëri rezistencë serioze pushtuesve në Shqipëri. Për këtë ata edhe janë vlerësuar e ndihmuar nga Aleatët. Por, duke qenë i udhëhequr nga Partia Komuniste, pavarësisht nga dëshirat tona, ajo nuk do të arrinte siç ndodhi, të realizonte bashkimin e të gjitha forcave antifashiste. Duke u rritur “nën kujdesin” e PKJ dhe duke ndjekur skemat e saj për të ardhur në pushtet ajo ushqeu mosbesimin e nacionalistëve shqiptarë për zgjidhjen e çështjes kombëtare. ‘Martesa’ me Jugosllavinë, ndonëse e motivuar nga rrethanat e luftës, do të shndërrohej në periudhën e pasluftës në një martesë të dështuar dhe kundër ‘natyrës’.

Organizata e Ballit Kombëtar, ndonëse e udhëhequr nga njerëz me përvojë e kontribute në historinë tonë kombëtare, nuk mundi të zhvillojë një rezistencë serioze kundër pushtuesit, bile një pjesë e rëndësishme e tij bashkëpunoi direkt apo indirekt me pushtuesin, duke humbur besimin e aleatëve, por edhe të një pjese të madhe të popullit shqiptar. Në dokumentet e huaja udhëheqësit e Ballit Kombëtar konsiderohen si persona që u mungonte vullneti për të luftuar, të cilët i referoheshin eksperiencës së tyre të shkuar dhe shpresave se aleatët anglo-amerikanë do t’i mbështetnin ata si kundërshtarë të komunizmit. Koha tregoi se ata gabuan në parashikimet e tyre.

Legalitetin do ta gjykoja si një organizëm, i cili bëri përpjekje për të luftuar kundër pushtuesve, por mbeti një lëvizje me shtrirje lokale. Mosnjohja e Zogut, si politikan, nga qeveria britanike, por edhe nga aleatët e tjerë, duket se i kufizoi energjitë e kësaj organizate politike e ushtarake për rezistencë. Britanikët duke filluar nga pranvera e vitit 1944 u munduan t’i ngarkonin Legalitetit një rol të rëndësishëm në rezistencën shqiptare, por ai nuk mundi ta justifikonte atë”.



A duhet që politika të rrijë sa më larg rishikimit të historisë dhe pse specialistët e kanë gjithnjë e më të vështirë të thonë mendimin e tyre të pavarur në Shqipëri?

“Mendoj se historianët i kanë mundësitë të shkruajnë historinë e kombit dhe kanë filluar ta bëjnë këtë që pas rënies së komunizmit. Por unë mendoj se rishkrimi i historisë nuk do të thotë anashkalim i figurave kombëtare tashmë të njohura, në emër të figurave të tjera, të lëna në harresë për arsye të caktuara. Historianët shqiptarë tashmë janë në kontakt me kolegët e tyre jashtë vendit dhe kanë burime të mjaftueshme për të shkruar një histori serioze kombëtare. Unë do të dëshiroja që politika t’i mbështeste më mirë projektet e tyre, për të pasur më shumë akses në burimet brenda e jashtë vendit, për të kontaktuar më shpesh me kolegët e huaj e debatuar me ta, jo thjesht për çështje të rëndësishme të historisë sonë, por edhe më gjerë, si dhe për të përgatitur e kualifikuar historianët e rinj”.



Intervistoi Ben Andoni, Java




Emri  i Forumit do të ndryshoj   Pytje & Përgjigje 
WebMaster
WebMaster
Fondatori i Forumit
Fondatori i Forumit

Vendbanimi Vendbanimi : Ku te dua un
Postime Postime : 98857
Gjinia Gjinia : Female
Anëtarësuar Anëtarësuar : 11/01/2009
Mosha Mosha : 40
Hobi Hobi : Të përballoj jetën

Shiko profilin e anëtarit http://www.klealove.com

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Re: E vërteta e Luftës Civile në Shqipëri

Mesazh nga Anakonda prej Sat 25 May 2013 - 20:04

mendova se bahej flas per 97 por jo mesa shoh per me para
Anakonda
Anakonda
V.I.P Anëtarë
V.I.P Anëtarë

Vendbanimi Vendbanimi : Burrel
Postime Postime : 31648
Gjinia Gjinia : Female
Anëtarësuar Anëtarësuar : 02/12/2011
Mosha Mosha : 23
Hobi Hobi : Dashuria endrra shpresa ke te zgjidhja nga te tria dhe nje nate lotin pyeta mu pergjigj DASHURIA

Shiko profilin e anëtarit

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi