Klea Love Forum
Klea Love Forum - Welcome
FADIL VATA-SHËMBËLLIM I SHPIRTIT FISNIK E I KARAKTERIT BURRËROR People-icon
Mirë se vini në Klea Love Forum, Ju ftojmë që të Regjistroheni, në mënyre që të keni aksese në të gjitha kategorit dhe temat, në Klea Love Forum, mund të gjeni Shoqeri, Filma Shqip dhe të huaj, Muzikën më të re 2013, DVD Humore shqip, Këshilla Mjeksore, Diskutime, Video Klipe, Kuriozitete, dhe Lajmet më të reja nga vendi dhe bota.

KleaLove.com / Staff.


Join the forum, it's quick and easy

Klea Love Forum
Klea Love Forum - Welcome
FADIL VATA-SHËMBËLLIM I SHPIRTIT FISNIK E I KARAKTERIT BURRËROR People-icon
Mirë se vini në Klea Love Forum, Ju ftojmë që të Regjistroheni, në mënyre që të keni aksese në të gjitha kategorit dhe temat, në Klea Love Forum, mund të gjeni Shoqeri, Filma Shqip dhe të huaj, Muzikën më të re 2013, DVD Humore shqip, Këshilla Mjeksore, Diskutime, Video Klipe, Kuriozitete, dhe Lajmet më të reja nga vendi dhe bota.

KleaLove.com / Staff.
Klea Love Forum
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

FADIL VATA-SHËMBËLLIM I SHPIRTIT FISNIK E I KARAKTERIT BURRËROR

Shko poshtë

FADIL VATA-SHËMBËLLIM I SHPIRTIT FISNIK E I KARAKTERIT BURRËROR Empty FADIL VATA-SHËMBËLLIM I SHPIRTIT FISNIK E I KARAKTERIT BURRËROR

Mesazh nga Gjeto Gjetani Wed 18 May 2011 - 21:50

FADIL VATA - SHËMBËLLIM I SHPIRTIT FISNIK E I
KARAKTERIT BURRËROR

(Me rastin e 18 vjetorit të vdekjes)

Fadil Vata
10.01.1962 - 25.04.1990

Shkruan: Nezir MYRTAJ
Prishtinë, më 25 prill 2007

Po të mos kishte Kosova bij si Fadil Vata, pa dyshim nuk do të mund të mbijetonte fryma e rezistencës sonë kombëtare; Pa luftëtarët e paepur si Fadil Vata, sigurisht nuk do të mund të formohej Ushtria Çlirimtare e Kosovës; Pa trimat si Fadil Vata, Kosova nuk do të mund ta sfidonte pushtuesin shekullor serb e ta largonte atë që këtej; Pa bij të mençur, të vendosur e të sinqertë si Fadil Vata, Kosova nuk do të arrijë të ketë liri të plotë dhe as pavarësi normale e të pambikëqyrur; Pa idealistë si Fadil Vata, Kosova nuk do ta ketë të sigurt të ardhmen e saj.

- Foto: Ahmet Haxhiu me shokët: Fadil Vata, Avdyl Mustafa, Ali Ahmeti dhe Shaban Muja

* * *
Më 25 prill 2007 bëhen 18 vjet prej ndarjes nga ne, të veprimtarit të shquar të çështjes kombëtare, Fadil Vata, i lindur më 1962 në Sallagrazhdë të Therandës. Qysh në bangat e shkollës së mesme në Therandë, Fadili me një rreth shokësh, fillon të bashkëjetojë me hallet e Kosovës e të pjesës së robëruar të popullit shqiptar nën ish-Jugosllavi. Demonstratat e fuqishme të pranverës së vitit 1981, atë e gjejnë në shërbimin ushtarak në Pozharevc të Serbisë. I ndodhur në këtë shërbim, më 2 maj të vitit 1981 arrestohet nga shërbimi i sigurimit shtetëror dhe pas disa muajsh hetimesh i akuzuar për veprimtari nga pozitat e “nacionalizmit” dhe “irredentizmit” shqiptar, dënohet me 7 vjet burg. Dërgohet në vuajtje të dënimit në burgun famëkeq në Zabellë të Pozharevcit.
Jam i bindur se të gjithë ata që e kanë njohur nga afër Fadil Vatën, ndihen të lumtur e të privilegjuar. Njëri prej tyre jam edhe unë. Dhe, në qoftë se është e vërtetë ajo që thuhet se, më shumë se në çdo vend tjetër, njeriu në burg njeh veten dhe mikun, unë pikërisht në rrethana burgu pata fatin ta njoh Fadilin.
Ishte maji i vitit 1984, kur mua së bashku me disa shokë të prangave më larguan nga burgjet e Kosovës e më vendosën në burgun famëkeq të Pozharevcit në Serbi. Që në ditët e para të qëndrimit në regjim karantine të këtij burgu, nga disa të burgosur të nacionaliteteve të tjera kisha kuptuar se në pavijonet e ndryshme ndodheshin disa dhjetëra të burgosur shqiptarë, të dënuar për vepër politike. Natyrisht, kjo nuk ishte ndonjë informatë e jashtëzakonshme për mua, sepse atëherë nuk kishte burg në Jugosllavi ku të mos kishte shqiptarë të dënuar politikisht. Mirëpo, thënë të drejtën, pas dy vjet e gjysmë burgu të regjimit hetues, prisja me padurim takimin me shokë të rinj të idealit.
Nuk mund ta harroj kurrë çastin e parë të takimit me Fadilin, pak përtej pavijonit-karantinë, në afërsi të objektit të ngrohtores së kampit. Ishte gjysma e dytë e majit të vitit 1984. Ishte termini i shëtitjes së rregullt ditore në atë periudhë regjimi në karantinë. Meqenëse oborri i pavijonit ishte afër fushës së sportit, Fadili, sapo na vëren nga vendi ku ishte duke punuar disa punë ndërtimtarie pranë kësaj fushe dhe meqenëse ai tashmë kishte kuptuar se në burgun e Zabelës ato ditë kishin arritur disa të burgosur të tjerë politikë shqiptarë, në mënyrë të pahetueshme arrin deri në një afërsi të caktuar dhe paraqet njoftimin e tij. Ai, me shkathtësinë dhe gjallërinë që e karakterizonin jep dhe merr informacionet lidhur me numrin e të burgosurve shqiptarë në këtë burg, për gjendjen, si dhe për emrat e disa prej tyre. Ky ishte takimi im i parë me një të burgosur politik shqiptar në burgun e Pozharevcit.
Dëshira për të vënë kontaktin me ne si të burgosur të ardhur nga Kosova, informacionet e shumta e të shpejta që na i dha, si dhe interesimi i tij për të ditur sa më shumë për ne, krijuan te unë përshtypjet e para për Fadilin, si për një të ri energjik, të shkathtë, trim, i afërt e solidar. Këto përshtypje, së shpejti u bënë realitet. Pasi më nxorën nga karantina, në muajin qershor, më vendosën në pavijonin numër 5, ku ndodhej edhe Fadili. Kjo rastësi ma krijoi mundësinë që virtytet e tij njerëzore t’i njoh e t’i provoj edhe për së afërmi, ditë për ditë. Për më shumë se një vit, në këtë pavijon, unë dhe shokët e tjerë, ndamë me Fadilin, gëzimet e hidhërimet, shqetësimet e preokupimet, madje edhe ëndrrat dhe ushqimet, të cilat i merrnim nga familjet tona gjatë vizitave.
Fadili kishte një aftësi të jashtëzakonshme të depërtojë në qenien e shokut e mikut. Ai të bënte për vete me çiltërsinë e tij absolute shpirtërore, me ndjenjat e sinqerta, me harenë e përhershme, me humorin e ngrohtë e me zërin e ëmbël, me të cilin shpesh këndonte bukur pjesë të këngëve lirike e epike. Fadili kishte prirje të theksuar për këngë e humor. Në fytyrën e tij do të mund të vëreje seriozitet e krenari, por kurrë zymtësi, lodhje apo vuajtje. Në mesin e të gjithë shokëve dhe në çdo kohë e situatë, ai rrezatonte ndjenja optimizmi e dashurie vëllazërore. Këto ndjenja ka pasur fatin t’i provojë shumica e të burgosurve politikë shqiptarë të asaj kohe në burgun e Pozharevcit.
Meqenëse një pjesë e pavijonit numër 5 shërbente si vend i caktuar ku bënin pushimin vjetor të burgosurit e të gjitha pavijoneve të tjera të angazhuar në punë, për të burgosurit politikë shqiptarë të këtij pavijoni ky ishte një rast i veçantë për të kontaktuar me të burgosurit politikë të pavijoneve të tjera. Ky rast ishte i mirëseardhur, sidomos për Fadilin, i cili, në mungesë të punëve të rregullta në sektorin e ndërtimtarisë, shpesh kishte kohë të lirë, prandaj atë ua kushtonte pothuajse të tërën shokëve që vinin në dhomën e pushimit vjetor. Ai qëndronte e bisedonte me ta, lexonte e shkëmbente mendime të ndryshme, por bënte edhe plane organizimi për të ardhmen.
Fadili kishte një horizont të gjerë të njohurive, si rezultat i punës së pandërprerë intelektuale. Ai kishte një vullnet të pathyeshëm për të mësuar gjëra të reja dhe në të gjitha fushat. Atë mund ta shihje duke lexuar, sa Kapitalin dhe vepra të tjera ekonomike, sa Antidyringun e Engelsit, sa filozofinë e Hegelit, sa vepra historike, letrare e artistike. Prandaj, te ai mund të gjeje ideologun dhe intelektualin me të cilin mund të bisedoje për artin, filozofinë, historinë, shkencën... Me një fjalë, te ai gjeje njeriun e kompletuar.
Me interesim fanatik përcillte shtypin ditor dhe atë periodik, sidomos lidhur me ngjarjet në Kosovë. Atij nuk i shpëtonte asnjë cep gazete pa e lexuar dhe kishte një aftësi të jashtëzakonshme të komentimit të shkrimeve. Tërë preokupimi i Fadilit, tërë qenia e tij shpirtërore ishte në Kosovë. Në Pozharevc kishte vetëm trupin.
I kujtoj si sot momentet, kur unë me shokët e dhomës, Bejadinin, Imerin, Samiun e Skënderin, pas orarit të punës ktheheshim nga reparti në pavijon dhe aty gjenim Fadilin. Në sytë e tij lexoja kureshtjen për të na treguar ngjarje të reja politike të lexuara në shtyp. Sapo rreshtoheshim dhe niseshim për në mensë, ai më fuste dorën nën sqetull dhe fillonte të komentonte përmbajtjen e shtypit. Sidomos me kureshtje i përcillte proceset gjyqësore kundër shqiptarëve në Kosovë e kudo në ish-Jugosllavi, të cilat në atë kohë ishin pothuajse të përditshme. Me një kujdes të veçantë regjistronte në kujtesë fjalët e mbrojtjes të të akuzuarve dhe mbushej entuziazëm kur mbrohej fuqishëm kërkesa politike për republikën e Kosovës.
Fadili ishte atdhetar me ndjenja të kulluara. Ai i donte atdheun dhe popullin e tij, jo sa për formë e modë, por me pasion të kultivuar atdhedashurie. Për të nuk kishte interes më të lartë sesa interesi i atdheut, por as dashuri më të madhe se ajo për atdheun. Revolucionariteti dhe qëndrimi dinjitoz i Fadilit, nuk mund të mos tërhiqnin edhe vëmendjen e autoriteteve të burgut në Pozharevc. Këto autoritete i pengonte qëndrimi i tillë, i cili demaskonte politikën antishqiptare të shtetit të tyre. Prandaj, në korrik të vitit 1985, këto autoritete ia përgatisin Fadilit, përmes një spiuni që përgjigjej për vrasje, provokacionin për të mundësuar futjen e tij në çeli në pavijonin numër 7. Atij iu sajua akuza lidhur me motivacionin për komplot dhe po për të njëjtin motiv, atë ditë, në çeli u dërgua edhe Sami Kurteshi, i dënuar politik që ishte në të njëjtin pavijon me Fadilin. Derisa po mbanin dënimin prej 30 ditësh në çeli, Fadili e Samiu arrijnë t’i koordinojnë qëndrimet, gjatë kohës së shëtitjes në oborrin e këtij burgu, në mënyrë që pas vuajtjes së dënimit, të mos pranojnë të qëndrojnë në dhomat izoluese me të burgosurit ordinerë serbë. Në repartin e izolimit të pavijonit numër 7, po mbaheshin të burgosurit më degjenerikë që kishte prodhuar sistemi jugosllav: vrasës të pandreqshëm, kriminelë recidivistë, hajna të ushtruar... Prandaj, Fadili e Samiu kishin vendosur ta refuzonin qëndrimin në një dhomë me këta të burgosur dhe kishin planifikuar të shpallin grevë urie në qoftë se do të ndodhte një detyrim i tillë. Dhe kështu edhe ndodhi. Pasi dalin nga çelitë, ata dërgohen në dhomat e izolimit me serbë. Atë ditë ata hyjnë në grevë urie, në shenjë proteste, por edhe solidarizimi me grevën e urisë që ndërkohë kishin nisur të burgosurit politikë shqiptarë në dhomat e tjera të izolimit, për shkaqe të kushteve të rënda të vuajtjes dhe trajtimit antinjerëzor të tyre. Në këtë kështjellë mesjetare (pavijoni numër 7) po mbaheshin që prej disa vitesh rreth 20 të burgosur politikë shqiptarë. Disa muaj më parë, në atë regjim burgu ishte vendosur edhe dëshmori Afrim Zhitia, shok i afërt i Fadilit.

Dëshmori i kombit Afrim Zhitia

Për shkak të grevës së urisë, Fadili e Samiu dënohen përsëri edhe me nga 30 ditë vuajtjeje në çeli, pas së cilës ndalohen në regjim izolimi, po ashtu në pavijonin numër 7, ku regjimi i burgut ishte me mbikëqyrje të përforcuar. Në këtë lloj burgu mbaheshin të burgosurit të cilësuar si problematikë, por të burgosurit politikë shqiptarë në këto kushte mbaheshin, jo pse ishin problematikë, apo me qëllim të disiplinimit të tyre, por për t’iu hakmarrë qëndrimit të tyre krenar e të pathyeshëm e për t’ua dëmtuar shëndetin. Ky ishte edhe qëllimi i ndëshkimit të Fadilit, megjithëse kishte disa muaj prej që te ai ishin paraqitur shenjat e një dhembjeje të vazhdueshme.
Qysh në pranverë të vitit 1985, para se të izolohej, Fadili ankohej për dhembje në shpinë. Si pasojë e kësaj dhembjeje, ai paraqitej shpesh te mjeku dhe kërkonte të lirohej nga puna fizike. Për ne shokët e tij, këto shenja, me të vërtetë ishin brengosëse, por meqenëse shëndeti i tij ishte paksa delikat, shpresonim se ishte fjala për ndonjë pasojë ftohjeje. Me këto shenja sëmundjeje në trup, Fadili u vendos në tipin e mbyllur të burgut, kushtet e të cilit, pa dyshim do t’ia shpejtojnë zhvillimin e sëmundjes.
Në vjeshtë të vitit 1985, gjendja shëndetësore e Fadilit u rëndua, prandaj, autoritetet e burgut u detyruan ta dërgojnë në spitalin ushtarak të Beogradit, ku i nënshtrohet një operacioni të rëndë.
Ishte i papërshkrueshëm gëzimi kur disa muaj pas këtij operimi, Fadilin e pamë sërish në mesin tonë, megjithëse në kushte të njëjta burgu dhe pa mundësi takimi të drejtpërdrejtë. Gëzim i papërshkrueshëm ishte edhe për Fadilin, të jetë sërish në dhomë me Afrim Zhitinë, Halil Selimin, Sabit Veselin. Ai nuk pranon ofertën e zyrtarëve të burgut, që për shkak të gjendjes shëndetësore, të vendosej në trajtim të burgut për persona të sëmurë, vetëm që të mos ndahej prej shokëve. Parapëlqente të ishte me ta në një hapësirë të ngushtë, pa ajër e pa dritë të mjaftueshme.
Fadili i kishte të rrallë shokët me ndjenjë solidariteti si të tij. Kur në fillim të vitit 1987, të burgosurit politikë të pavijonit numer 7, refuzuan shëtitjen në shenjë proteste kundër shkeljes së të drejtës ligjiore për shfrytëzimin e kësaj shëtitjeje, Fadili iu bashkua këtij bojkoti, përkundër insistimit të shokëve që të mos solidarizohej. Ai kishte vetëm edhe disa muaj burg, por dëshironte t’i bashkëjetonte me shokët deri në fund, sfidat e burgut.
Me daljen e Fadilit nga burgu, ishim të bindur se lëvizjes sonë kombëtare po i shtohej një shtyllë e fortë. Dhe kështu edhe ndodhi. Ai, bashkë me Afrim Zhitinë, i cili doli nga burgu disa muaj pas Fadilit, u bënë ndër bartësit kryesorë të veprimtarisë së organizuar kombëtare në ato vite të fundit të dekadës së nëntë të shekullit të kaluar. Të përgatitura e të kalitura në kushte burgu për ta shpënë më tej luftën për liri, këto dy kuadro të palodhshme të lëvizjes për liri, nga ky angazhim i palodhshëm, i ndau vetëm vdekja.
Pas rënies së Afrimit, në nëntor të vitit 1989, lajmi për ndarjen e Fadilit nga jeta, në pranverën e vitit 1990 ishte një tjetër goditje e rëndë për shokët e tyre në burg. Ne kishim kuptuar për gjendjen e Fadilit në spitalet e Zvicrës. Kishim kuptuar për forcën e mbinatyrshme me të cilën ai po i përballonte dhembjes, por edhe për optimizmin për të ardhmen dhe vullnetin për punë. Ai deri në minutat e fundit të jetës, nuk reshti së punuari për çështjen e atdheut, me vendosmërinë të cilën do ta shprehnin vargjet e Hygosë:

Askush nga zemra ime s'ma heq këtë qëllim,
Këtë vullnet e zjarr, vrull, kushtrim, dëshirë!

Për mua, sikurse edhe për të gjithë shokët e tjerë të idealit e të vuajtjes, që e njohën, Fadil Vata ishte shëmbëllim i shpirtit fisnik e i karakterit burrëror. Ndonëse i ri në moshë, ai kishte personalitet të formësuar të një burri të fortë e të pjekur. Këtë personalitet mund ta takoje vetëm te personazhet e romaneve që tipizojnë luftëtarët e epokës së revolucioneve nacionale. Te ai mund të shihje të riun serioz e krenar, Qemal Stafa; të burgosurin e pathyeshëm, Antonio Gramshi, poetin kryengritës të revolucionit hungarez, Shandor Petëf e figura të tjera unikate.
Duke pas personalitet të kompletuar të luftëtarit të lirisë dhe shpirt të mbrujtur me ideale humane, Fadili personifikonte në mjedisin e tij, në mënyrën më të shkëlqyeshme dinjitetin e të burgosurit politik shqiptar. Këtij mjedisi, ai kishte arritur t’ia imponojë respektin për këtë të burgosur, edhe pse kundër tij po zhvillohej fushatë e egër shtetërore komprometuese. Takti i matur dhe sjelljet korrekte të Fadilit, kishin përvetësuar edhe simpatinë e të burgosurve ordinerë të dhomës së tij të burgut, në kohën para se të izolohej. Në dhomën e katit të dytë të pavijonit numër 5, ai ishte i vetmi i burgosur politik shqiptar, në mesin e vrasësve, kriminelëve, hajdutëve e të devijantëve të ndryshëm të shoqërisë së atëhershme jugosllave dhe megjithatë nuk kishte asnjë fërkim me ta. Në mesin e këtyre krijesave, do të mund të qëndronte i patrazuar vetëm ai që do të kishte aftësinë e Fadilit për të imponuar qëndrimin, autoritetin dhe respektin ndaj tij. Ai ishte i afërt e dashamirës me këta fatzinj. Komunikonte me ta, u bënte ndonjë të mirë e i këshillonte, duke mos i trajtuar si kriminelë, vrasës, hajdutër e devijantë, por si viktima të një shoqërie të kalbur.
Kanë kaluar 17 vjet qëkur Fadil Vata, fizikisht u nda nga gjiri familjar, nga shokët e idealit, nga miqtë dhe populli i tij. Shtatëmbëdhjetë vjet nuk janë pak, e sidomos në qoftë se me këto vite krahasohen ngjarjet e mëdha të cilat i ka përjetuar Kosova dhe populli i saj. Megjjithatë, këto vite, sado të rënda të kenë qenë, nuk kanë arritur dot ta zvetënojnë kujtimin për birin vetëmohues të Kosovës, siç ishte Fadil Vata. Përkundrazi, emri, vepra dhe figura e tij, duke qenë mishërim i idealeve për fitoret e djeshme e të nesërme të lirisë, do të ruajnë shkëlqimin e tyre të përjetshëm. Dhe sot, mund të themi:
Po të mos kishte Kosova bij si Fadil Vata, pa dyshim nuk do të mund të mbijetonte fryma e rezistencës sonë kombëtare; Pa luftëtarët e paepur si Fadil Vata, sigurisht nuk do të mund të formohej Ushtria Çlirimtare e Kosovës; Pa trimat si Fadil Vata, Kosova nuk do të mund ta sfidonte pushtuesin shekullor serb e ta largonte atë që këtej; Pa bij të mençur, të vendosur e të sinqertë si Fadil Vata, Kosova nuk do të arrijë të ketë liri të plotë dhe as pavarësi normale e të pambikëqyrur; Pa idealistë si Fadil Vata, Kosova nuk do ta ketë të sigurt të ardhmen e saj.
Fadil Vata do të jetë shembull frymëzimi për të gjithë ata që e aspirojnë lirinë dhe çmojnë frytet e saj
Gjeto Gjetani
Gjeto Gjetani
I/e Regjistruar
I/e Regjistruar

Vendbanimi Vendbanimi : Dukagjin
Postime Postime : 1969
Gjinia Gjinia : Male
Anëtarësuar Anëtarësuar : 20/12/2010
Mosha Mosha : 55
Hobi Hobi : leximi

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi