Klea Love Forum
Klea Love Forum - Welcome

Mirë se vini në Klea Love Forum, Ju ftojmë që të Regjistroheni, në mënyre që të keni aksese në të gjitha kategorit dhe temat, në Klea Love Forum, mund të gjeni Shoqeri, Filma Shqip dhe të huaj, Muzikën më të re 2013, DVD Humore shqip, Këshilla Mjeksore, Diskutime, Video Klipe, Kuriozitete, dhe Lajmet më të reja nga vendi dhe bota.

KleaLove.com / Staff.

KOMBËSIA E SHQIPTARËVE ËSHTË PESHUAR PËRHERË ME LIRINË!

Shko poshtë

KOMBËSIA E SHQIPTARËVE ËSHTË PESHUAR PËRHERË ME LIRINË!

Mesazh nga LaDescarada prej Tue 20 Nov 2012 - 3:23

Fatbardha Demi: KOMBËSIA E SHQIPTARËVE ËSHTË PESHUAR PËRHERË ME LIRINË!

Shumë të vërteta elementare nuk njihen për Shqipërinë dhe shumëkush flet përçart për të, bile pa ditur kush ta korigjojë ( Veis Sejko )


Duke dëgjuar debatet dhe lexuar shkrimet e shumta mbi vet-deklarimin e kombësisë dhe besimit fetar, mu kujtua përalla e Andersenit "Mbreti lakuriq". Autori gjithëmonë kishte pohuar se përallat e tij i shkruante edhe për të riturit. Një mbret doli lakuriq për të përshëndetur popullin e tij, i bindur nga rrobaqepësi i tij sharlatan, se ishte i veshur me një petk mbretëror të paparë. Edhe teza e vet-deklarimit të kombësisë dhe fesë ,nga faktet e sjella nga Konventat Europiane, Kushtetuta e jonë, dëshmitë historike të së kaluarës dhe të ditëve të sotme, tashmë s'mbulohet dot me asnje « rrobë » për t'u bërë e pranueshme për shqiptarët. Me gjith lakuriqësinë e saj, disa guximtarë, mundohen të na bindin "me fakte" se ky vet-deklarim është sa "një detyrim i BE-së" dhe “shprehje e një shteti demokratik”, po aq edhe "i përligjur nga konteksti i emërtimit KOMBËSI = NACIONALITET (qytetari)". I gjithë labirinthi ku vërtitej një nga mbështetësit “kompetent” të tezës së vet-deklarimit të kombësisë, Fatos Lubonja ,mbahej në dy faktorë: 1- shqiptarët e kanë filluar ta ndërtojnë kombin e tyre në valën e përpjekjeve për krijimin e shtetit shqiptar (në fillimet e shk20) dhe 2- Kombësia është e barazvlefshme me nacionalitetin (qytetarinë). Se ndërtimi i Kombeve është dukuri e shk.18 dhe që nga kjo kohë ,shtetet jo vetëm formuan kombet por edhe simbolet e nevojshme për këtë qëllim. Se proçesi i formësimit të kombësisë së shqiptarëve është i ngjashëm me ato të vëndeve europiane.

Dallimi midis “shtetit” dhe “kombit” është shumë i dukshëm:

-Shtetësia, qytetaria është bashkësi administrative. Kombësija jo.

-Në shtetet mund të ndryshohen simbolet, gjuha, kultura e trashëguar. Te një komb, po ndryshuan ato, kombi nuk ekziston më, por tjetërsohet.

- Shteti themelohet në një afat kohor shumë të shkurtër. Kombi që të formohet, do një periudhë shumë qindravjeçare

- Shteti nuk ka shtrirjen gjeografike të kombit, shteti ka kufij tokësorë. Kombi nuk përcaktohet me kufij administrativ dhe anëtarë të tij e dëshmojnë ekzistencën e tij edhe jashtë tij (si minoritet kombëtar).

-Shteti nuk ka nevojë për ato kushte të cilat e përcaktojnë kombësinë si : paraardhës të përbashkët, gjuhën e krijuar historikisht nga populli, traditën e përcjellë ndër shekuj, simbolet e të parëve, etj.

-Historikisht, por edhe në ditët tona (Vatikani, San Marino, Monako etj) , ka patur shtete-qytete. Për kombësinë kjo është e pamundur.

Për rrjedhojë,në dokumentet që përdorin shtetet e ndryshme, shënohet vetëm shtetësia dhe jo kombësia, sepse këto dy nocione nuk përputhen përveç se në raste shumë të veçanta si rrjedhojë e ngjarjeve historike, siç është ay i Shqipërisë. Formimi i kombit shqiptar , nuk lidhet me formimin e shtetit të tij më 1912, dhe nuk është i njejtë me rrugën e ndjekur “të ndërtimit të kombeve” të vëndeve europiane të shk.18-të.

Ne gjuhën shqipe, për të përcaktuar se "kush jemi" i pergjigjet emërtimi "Kombësi" (një emërtim i kohëve të reja), që nënkupton: paraardhesit tanë të përbashkët ose "të një gjaku", "të një fisi","të një trungu", « të një gjinije », « të një fare », me një gjuhë, me të njëjta zakone dhe tradita, me të njejtën kulturë, me të njëjta simbole, me një histori të përbashkët dhe pëpjekje të përbashkëta gjatë shekujve, dhe, sipas të dhënave të shkencave të sotme: me tipare antropollogjike të përbashkëta dhe strukturën e ngjashme të gjakut. Sigurisht një përcaktim kaq i gjërë i "kombësisë" së shqiptarëve e ka shpjegimin në vijushmërinë e qënies së tyre "që para se të krijoheshin detet" (është fjala për zonën e Mesdheut-shën im), siç ja shpjegonte një plak i Malësisë së Veriut në vitet 1920, amerikanes Rose Lane, në ato treva ku jetojnë edhe sot e kësaj dite. Të gjitha këto i bëjnë shiptarët (arbërit) një popullsi unike në Kontinentin Europian, për sa i përket gjuhës së tyre dhe përkatësisë (kombësisë). Nuk mund të fajësojmë plotësisht, ata historianë të huaj që bëjnë lajthitje, kur flasin për historinë e shqiptarëve, gjuhën, origjinën apo nivelin kulturor dhe pasurinë trashëgimore tonën. Kjo për faktin se studimet mbi baza shkencore për pellazgo-iliro-shqiptarët, nuk e kanë zënë vëndin që duhet, në shkencën dhe institucionet mësimore dhe kërkimore botërore. Arësyet dihen. Por është e pafalshme që këto lajthitje të vijnë nga ata që janë me kombësi shqiptare, përveç në se bëhen për qëllime të caktuara politike. Në shk 18, janë bërë përpjekje për të vënë si element të vetëm për percaktimin e kombësise, fenë (nga Pjetri i Madh 1711 dhe Kisha ortodokse) apo gjuhën greke, mbas themelimit të shtetit helenik (1830). Por këto kanë qënë dhe janë vetëm synime shtetërore, për ta ndryshuar kombësinë e popullsisë apo për të krijuar “kombe artificiale” që nuk janë produkte historike. Kështu p..sh. u sajua kombi i maqedonasve apo ay i bullgarëve: “Janë shpenzuar shuma të mëdha të hollash ,vetëm e vetëm për t’i bërë bullgarë. Po këto shuma, do të nevoiteshin për t’i bërë ata, po me aq lehtësi edhe sërbë. Pik së pari ata nuk kishin “atdhe” (f76 E.D.) Të jetosh në një atdhe historik të përbashkët, është një nga tiparet e kombësisë. Pashko Vasa, pjesëmarrës aktiv i ngjarjeve në Ballkan të shk 19, na dëshmon se “Të gjitha racat e popujt, që nuk ishin shqiptare, nuk e kanë njohur kurrë ndjenjën e detyrës, ndjenjën e të mbrojturit me armë të atdheut të përbashkët” (f 44 V.P.)

Feja nuk është kuptuar kurrë nga shqiptarët si element përcaktues i përkatësisë, sepse që në lashtësi janë zhvilluar luftra, ndërmjet fiseve pellazge apo me ato të huaja, për perënditë e ndryshme apo të ndryshuara, që u përkushtoheshin. E gjithë historia e shoqërisë njerëzore ka dëshmuar këtë dukuri, prandaj arbërorët,megjithëse besonin, nuk e quanin si një element të qëndrueshëm, për përfaqësimin e tyre. Ky qëndrim ndaj fesë vihet në dukje edhe në studimet shkencore: “Është rast i veçantë që këngët popullore të shqiptarëve të mos kenë asnjë motiv ku të zihet në gojë feja” (f278 V.S.) Koncepti i « kombësisë » , nuk është dukuri e shk 18, ai e ka zanafillën që në lashtësi, por me emërtimin e “fisit” apo “farës”. Herodoti, Plutarku dhe Straboni kanë dëshmuar se Maqedonasit e lashtë ishin të një fare (kombësie) me Epirotet për nga gjuha, zakonet, besimi,bile edhe nga veshja dhe prerja e flokëve. Edhe romakët e njihnin mirë perkatesine gjinore të popujve: « Cezari…u bëri thirrje ndjenjave kombëtare (galëve, fis i një trungu pellazg me romakët – shën im) duke siguruar kështu edhe mbështetjen e druidëve, që i dhanë luftës edhe një mbështetje fetare »(f220 I.M.)

Sikurse koncepti i « kombësisë » edhe ay i « shtetit » nuk i përket shekulli të 18, siç theksohet shpesh nga analfabetët e historisë apo shkrues të ndryshëm nëpër gazeta. Të dyja këto koncepte, e kanë zanafillën në lashtësi dhe janë plotësuar apo adaptuar kushteve historike në rrugëtimin e tyre shekullor deri në ditët tona. Në shk.3 pk ,mbas luftrave të shumta për sundim territorial dhe drejtim politik dhe ushtarak, u konsolidua pushteti shtetëror i Romës, në formën e republikës skllavopronare të aristokracisë. Në shtetin romak, ashtu siç ndodh edhe sot në shtete të ndryshme, jetonte një popullsi shumë - kombëshe :“3/4 e saj ishin skllevër të liruar ,jo latinë“ (f255 I.M.)

Por shumë kohë para saj, në jug të Gadishullit Pellazgjik (Ballkanik) që në shk.8 pk, ekzistonte shteti i Spartës në formën e reublikës aristokratike që drejtohej nga këshilli i pleqve dhe mbreti, dhe që u ndesh me qytete-shtete të kohës së tij si Argosi , Athina dhe Korinti. Këto mini-shtete ,( megjithëse ishin të ndërtuara mbi bazën e një shoqërije skllavopronare) u bënë modele për demokracinë e pushtetit drejtues, për idealistët e shk.18 dhe të shekujve të mëvonshëm. Në ato kohë, qytetarinë nuk e përfitonin të gjithë banorët, siç ndodhi në shtetet e shk18, por vetëm pjesa më e privilegjur e popullsisë. Pra edhe emërtimi « qytetari » është po aq i lashtë sa edhe ay i « shtetit ». Në shekullin e 18, kuptimit të "shtetit" ju dha një përmasë më e gjërë, për arësye se u pa e nevojshme grupimi , jo vetëm administrativ por edhe shpirtëror i banorëve, të ndryshëm për nga gjuha, kultura e trashëguar popullore dhe historia. Qëllimi ishte, për të ritur përkushtimin e tyre në nismat e mbretit që përfaqsonte shtetin, të natyrës ekonomike, politike dhe ushtarake. Kjo lëvizje e nisur nga lart (intelektualë së bashku me shtresat e pasura) fillimisht luftoi kundër kulturës globaliste franceze dhe greko-romake, e në përgjithësi të klasave sunduese të huaja, në vëndet e caktuara.

Për të realizuar detyrën e përfshirjes shpirtërore (për të krijuar Kombin), duhej ushqyer krenarija për paraardhësit, që të frymëzoheshin nga « heronj » të lashtësisë, të panjohur deri atëhere nga populli. Akademite e posakrijuara dhe përfaqesues të shtresave të pasura dhe intelektuale, nisën garën se kush do të dëshmonte i pari lashtësinë e shtetit te tij. Kështu u përurua Akademija Keltike (30.03.1805) franceze që ka si qëllim : « të riformojë lashtesitë kombëtare dhe kërkimi i gjuhës keltike » . “I gjithë proçesi i formësimit të identitetit, ka konstatuar në përcaktimin e pasurisë së çdo kombi dhe në përhapjen e kultit të tij. Etapa e parë e këtij proçesi nuk ishte e lehte: ...të shihej mundësia e gjetjes së paraardhësve të përbashkët hipotetikë për Overnjatët dhe për Normanët (për Suabët dhe per Saksonët, për Sicilianët dhe për Piemontezët). Për ta bërë të pranishme botën e re të kombëve, nuk mjaftonte të inventarizohej trashëgimija e tyre, do të ishte më e lehtë që ajo të shpikej. Po si? Një atelje e madhe eksperimentimi ...u hap në Europën e shek 18 dhe njohu prodhimtarinë e saj më të lartë, gjatë shekullit në vijim (19)” (f11 A.M.Th.)

Të parët qenë skocezët. “(James )Macphersonit ju dha misioni që të bëhej rapsod dmth, të qepte së bashku këngët popullore që kishte grumbulluar, të mbushte boshllëqet ...më 1761 doli nga shtypi “Fingal, Poemë e Lashte Epike në 6 vëllime shkruar nga Ossian, biri i Fingal-it e përkthyer nga gjuha galike prej James Macpherson”. Epopete e tij patën shumë kundërshtarë, “ata, në sajë të argumenteve filologjike, vlerësojnë se Mancpherson nuk ka mundur të gjente epopenë e shk 3 veçse në përfytyrimin e vet ...Macphersonit ju desh të shpikte disa dorëshkrime të lashta , bardike...Ai premton se do t’i botojë origjinalet, por deri sa vdiq (1797) nuk botoi gjë.” (f26-29 A.M.Th.) Në këtë periudhë, ishte bërë e modës që poetët apo romancierët, “t’iu rëfeheshin” lexuesve, se vepra e tyre ishte e bazuar në dokumenta të shekujve të kaluar, që “rastësisht” i kishin zbuluar. Ndonëse ky “rëfim” mund t’iu falej krijuesve, sigurisht ishte i pafalshëm për t’u përdorur si fakt historik dhe u dënua sidomos nga gjuhëtarët e kohës.

“Më 1795, Kont Pushkini (rëfeu në parathenien e librit të tij-shën im) se ka zbuluar një dorëshkrim të një autori anonim, i cili përmban një epope që lidhet me luftën e bërë nga rusët në shk 12 kundër popullit nomad të Polovcëve...që botohet më 1800 nën titullin “Kënga e trupës së Igorit” ...është quajtur e barabartë në vlerë dhe cilësi me epopenë e Ossian-it (të Macphersonit-shën im) ...dhe mbahej si provë se sllavët kanë gjithashtu Homerin e tyre ... “Kënga e trupës së Igorit” hyn në trashëgiminë ruse, si monument kulturor dhe si dokument historik, tamam atëhere kur disa gjuhëtarë në mënyrë të përsëritur pohojnë se bëhet fjalë për një tekst të shk 18 “(f 53,54A.M.Th) Prodhimi i epopesë kelte franceze, bazohet gjithashtu mbi një dorëshkrim të pagjetshëm. Kjo metode, u bë një sëmundje ngjitëse në shumë shtete europiane. Kështu Vàclav Hanka, një poet nga Bohemija (1817) pasi njofton se ka gjetur ca dorëshkrime të shk.13 ,të cilat nuk u panë kurrë , boton një përmbledhje me këngë lirike“Kralové Dvur”. “Ato mbartin provën që kombi çek mund të krenohet për lashtësinë po kaq të mrekullueshme, sa ajo e anglezëve apo gjermanëve “(f129 ,130 A.M.Th) Shpikësi i dorëshkrimeve , Vàclav Hanka, përshëndetet si hero kombëtar. Për t’u bëre të krahasueshme me epopetë homerike “Iliada” dhe “Odisea”, epopetë e shk 18-19, synonin të ishin sa më të gjata dhe të përligjeshin si simbole kombëtare. Më 28 shkurt 1863 ,dita e daljes së botimit të parë të “Kalevala-s” , me 20 000 vargje, do të bëhet festa kombëtare e Finlandës, dhe më 1857 del epopeja estoneze “Kalevipoeg” me 19 000 vargje.

Në këto përpjekje, grekëve ,që hynë me vonesë në garë, nuk ju desh të “zbulonin rastësisht” ndonjë dokument, sepse brënda vëndit kishte material të bollshëm të krijimtarisë gojore. Por ,“ më 1830 historiani austriak Jakob Philipp Fallmerayer pohon se grekët modern nuk janë aspak pasardhës të helenëve të lashtë” për rrjedhojë “Problemi kryesor i kombit grek (ishte-shën im) ...nevoja për të stabilizuar, konsoliduar identitetin e vet. “ (f114 A.M.Th) Kjo detyrë u mor përsipër nga gjuhëtari francez, Claude Furiel icili boton në Paris “Këngët popullore të Greqisë moderne” . Në parathënie shprehet se: “Kombi grek zotëron mjaftueshëm gjithëshka që, në 1823, është mbajtur si trashëgim i domosdoshëm i një kombi të denjë për këtë emër... “(f108 A.M.Th.) Faurieli vëren se në këto këngë ruhen disa besime mitologjike dhe zakone të paraardhësve, se këndohen nga bardët (rapsodë shëtitës të 1821-shën im) që shoqëronin vallet popullore. Se ato ishin më së shumti këngë të kleftëve. “ Këngët kleftike janë fragmente të Iliades së saj të re...Aty do të shihet që ka gjithënjë nëpër male një Greqi refugjate, bijë e denjë e Greqisë së vjetër” (f110,111A.M.Th)

Historikisht dihej se nepër male jetonte kryesisht popullsia arbërore dhe kleftët ,përgjithësisht ishin luftëtarë shqiptarë (ortodoks) që luftuan kundër Perandorisë Osmane (1821). Studiuesi arvanit Aristidh Kola, në veprën e tij “Arvanitasit” dëshmon se e gjithë krijimtaria popullore e arbreshëve të Greqisë, është përkthyer në greqisht dhe me kalimin e kohës i është haruar apo fshehur autorsia. Edhe në lashtësi, epopeja e fiseve pellazge, gjatë luftës së Trojës, e pasqyruar tek “Hakmarrja e Akilit” (Iliada) njihet si një krijimtari greke, kur janë të shumta dëshmitë se ajo është veçse një përkthim në greqisht. “Poemat e Homerit në të vërtetë u transkriptuan (u përkthyen nga pellazgjishtja-shën im) nga lolografët vetëm në epokën e “Pisistratit” në shk 6, dhe u kopiuan në formën e tyre të sotme vetëm në epokën “aleksandrine”, rreth shk 3 dhe 2 para Krishtit”(f499 A.M.) Me gjithë pasurinë arkeologjike të gjendur, problem për shtetin e posashpallur helenik, qe gjuha që flitej, për faktin se shumica e popullsisë fliste gjuhën shqipe ,ndërsa greqishtja përdorej përgjithesisht si gjuhë e administratës, fesë dhe kulturës. Për ta groposur këtë të vërtetë historike, po vijon ndër shekuj, lufta për zhdukjen e gjuhës dhe kombit shqiptar. Mbasi u ndërtua “gjuha kombëtare greke” ajo u bë e detyrueshme në administratë dhe arësim. Pasuria arkeologjike pellazge, krijimtarija e pasur gojore e arbërve, krahas gjakut shqiptar të derdhur për çlirimin nga pushtuesit turq, i shërbyen shetit helnik për t’i bindur europianët se ekzistonte “një komb grek”.

A është ndjekur rruga “për ndërtimin e kombit” edhe nga Rilindasit tanë, siç këmbëngul “analisti” Fatos Lubonja? Shqiptarët nuk kishin pse të krijonin Kombin, meqënëse ay ka ekzistuar përherë në ndërgjegjen e tyre me të gjitha elementët e tij. “ Shqiptari ka qenë shqipëtar, përpara se të bëhetë i krishterë a mysliman...nuk ka vëllezrë ata që ka në besët (në fe-shën im) të ti, po ata që ka në kombëri të ti” (f87 S.F. ) Arbërit e dinin se nga cilat fise vinin dhe lidhjen e gjakut midis tyre. Njihnin dhe u këndonin heronjve, pa patur nevojën te sajoheshin heronj imagjinarë, sepse tek shqiptari „fisi ndjek rrënjët deri tek prejardhja e përbashkët“ (f119 R.L). Ja një këngë e zonës Pilur-Vuno (1932) :”Kush ka qënë trim ngaherë/ Aleksandri i Madh me vlerë/ Pirrua me shokë të tjerë/ Po nga gjithë më i zoti/ Skënderbeu Kastrioti”. Asnjë poet apo gjuhëtar shqiptar, nuk ka fabrikuar heronj, për t’i paraqitur si dokumente historike, por veçse ka mbledhur legjendat dhe ndodhitë heroike, të mbështjella me ndjenjat adhuruese të rapsodëve. Nuk kishte ngjarje, që nuk ishte regjistruar në “gazëten e popullit” siç e emërtonte Ismail Kadare, këngët e shqiptarëve. “Nëpër vëndin e shqipeve lajmi këndohet... ata këndonin këngë të gjata për luftra e ndodhi, legjenda të vjetra për burrat, jetërat e të cilëve ishin bartur në mite nga vyshkja e shekujve..” (f95 R. L.) Amerikania Rose Lane mbeti e mahnitur, kur një malësor analfabet nga Thethi i Epërm, i tregoi vëndlindjen e Aleksandrit të Madh nga qyteti i lashtë i Emadhisë, afër Bulqizës së sotme, fakt që tregohesh edhe nga vetë banorët e asaj zone. I moshuari i numëroi të gjithë paraardhësit e Aleksandrit të Madh, prej 21 brezash, duke i përmëndur sejcilin me emër. Një pemë e tillë gjenealogjike për Aleksandrin, nuk njihet as në ditët e sotme nga shkenca historike botërore. Shqipëria gjithëmonë do t’i afrojë historiografise botërore “mrekulli-ra ” nga lashtësia. Nuk ka shumë kohë, që studiuesi Niko Stillo në studimin “Etruskishte-Toskërishte”, na zbulon historinë njerëzore të para 45 000 vjetëve të atyre, që në kohën e Homerit dhe Herodotit, quheshin perënditë e Olimpit, nëpërmjet gjuhës shqipe (dialektit çam). Faktet historike që dëshmojnë qënësinë kombëtare të shqiptarëve që nga lashtësia, janë aq të shumta , sa besoj edhe në të ardhmen, nuk do të reshtin së botuari studime serioze në këtë drejtim.

Në përpjekjet e shteteve europiane të shk.18-19, për të ndërtuar “kombet” një kërkesë vendimtare ishte ekzistenca e një “gjuhe kombëtare”,dhe në rast se ajo mungonte, duhej ndërtuar dhe mësuar nga populli. “... Të shumtet janë gjuhët e sotme kombëtare europiane që nuk ekzistonin në të vërtetë përpara shk 19.”(f86 A.M.Th)

Pa u zgjeruar se si e ndërtuan poetët dhe gjuhëtarët, gjuhën që sot flitet në shumicën e shteteve europiane, po jap vetëm një shëmbull të sjellë nga historiania franceze Anne Mary Thiesse: “Zgjimi kombëtar” në shumicën e vëndeve sllave shoqëron një punë shumë të madhe, rindërtimi gjuhësor...Më 1813, Vuk Stefanoviç Karaxhiç me prejardhje nga Mali i Zi, i aratisur në Vienë, lidhet me sllavistin Bartholomaüs Kopitar, ruajtës në Bibliotekën perandorake që i jep misionin : të rindërtojë monumentet kombëtare sërbe ...më 1814,harton Gramatikën sërbe ...ai përkushtohet krijimit të një gjuhe komunikimi dhe të kulturës së sllavëve të jugut (gjuha e shkruar e sërbëve qe përzjerje e sllavishtes së vjetër dhe rusishtes, shumë e largët nga gjuha popullore dhe e afërt me sllavishten kishtare)...Karaxhiç themelon një gjuhë të re kombëtare mbi dialektin “stokavien” të përdorur nga sërbet,malazezët,sllavët e islamizuar dhe një pjesë e kroatëve...që atëhere u përcaktua gjuha e përbashkët e sllavëve të jugut, e quajtur “sërbo-kroate” ...më 1850 u bë marrëveshja në Vjenë për këtë gjuhë, por ajo u bë e popullit vetëm pas formimit të Jugosllavisë (f102- 106 A.M.Th)

Këto gjuhë “të ndërtuara” sigurisht nuk ishin prodhim historik i natyrshëm i popujve, prandaj me të drejtë historiania Anne Mary Thiesse vëren: “Nuk ekziston në të vërtetë një gjuhë, që mund të ketë vlerën e simbolit kombëtar ...Janë intelektualët e ndikuar nga mendimi i Herderit, ata që ju futën ndërtimit të gjuhëve dhe të kulturës duke iu përgjigjur një thirrjeje identitare (f129 A.M.Th.) Kjo thënie tregon qartazi dallimin midis përpjekjeve të Rilindasve për formimin e shtetit shqiptar dhe ndërtimit të kombeve europiane të shk 18, sepse shqiptaret nuk “ndërtuan” as gjuhën dhe as kombin, ato ekzistonin në vijëmësi që nga lashtësia. “Është e vetmja gjuhë në Europë që mund të ngjitet deri në mugëtirën e kohrave dhe të interpretojë gjuhën antike madje parahistorike të këtyre Pellazgëve...Unë do ta emërtoj “pellazgo-shqipja” sepse bëhet fjalë për fillimin (Pellazgët) dhe fundin (Shqiptarët) e një vargu gjuhësor, vijimsia e të cilit deri në ditët tona nuk është kundërshtuar as nga historia, as nga gjeografia, as nga arkeologjia madje as nga atropologjia (f434 A.Mati ) Kombësinë, shqiptarët nuk e kanë ndërtuar në shk .18, por janë mbruajtur me këtë ndjesi ,qe kur kanë njohur veten të dalluar nga popujt e tjerë, me të cilët nuk kanë dashur të trazoheshin. Pikërisht kjo traditë, (për të mos u trazuar me të huajt në martesa) dhe luftrat e pandërprera kundër çdo okupatori, ka berë të mundur të ruhet kombi ynë me të gjitha tiparet e tij. Kur ra fjala për martesën e nënës ilire të Aleksandrit të Madh me Filipin “e huaj”, një malësor iu kthye mikes amerikane: “Do të thuash se babën jo? Kur ke dëgjuar ti të jetë martuar një mbret shqiptar me një grua të huaj ? Shqiptarët martohen me shqiptarët. Kur Filipi i Dyte u martua, ai u martua me një grua prej popullit të vet, siç ka qënë gjithëmonë zakoni. A guxojnë grekët të thonë se Filipi ka qënë grek ? Po të ishte grek, asnjë i parë i shqiptarëve nuk do t’i jepte bijën për grua“. (f138 R.L.)

Tema mbi historine e kombeve është shumë e gjerë dhe mund të trajtohet në aspekte të shumta të saj, por ajo që duhet të jetë unike, është trajtimi shkencor . Analfabetizmi në dijet historike dhe për t’i shërbyer politikave të ditës, që vërehet në shumë shkrime për këtë temë, ka sjellë një propagandë anti-shkencore në shtrimin e problemeve. Shëmbull tipik për këtë dukuri ,është nisma “për të formuar një komb kosovar” e hedhur në tregun mediatik shqiptar nga Fatos Lubonja e ndonjë tjetër. Problemi themelor për këta “ europianistë” është: Si do ta krijojnë , një gjuhë tjetër, një traditë, një histori të paraardhësve të përbashkët apo heronj të lashtë, zakone, folklor, për shqiptarët që jetojnë në shtetin e Kosovës, të ndryshme nga ato të kombit shqiptar? A nuk nënkupton kjo, që maxhoranca shqiptare dhe pakicat e papërfillshme etnike në Kosovë, duhet të flakin kombësinë e tyre, për të përqafuar kombësinë e re “ kosovare ”, në kundërshtim me Konventat europiane mbi të Drejtat e Njeriut ? Nuk e di si e ka mbajtur karigia Fato Lubonjën , kur shpalli se shqiptarët i paskan “fabrikuar” simbolet kombëtre në fillimet e shk20, (në emisionin “Opinion” me temën mbi vet-deklarimin e kombësisë dhe fesë). Një cub analfabet nga Thethi, që kishte shoqëruar delegtet e Kosovës dhe Ahmet Zogun 16 vjeçar drejt Vlorës , i tregonte mikes amerikane (Rose Lane) se flamuri që ngriti Ismail bej Qemali, ishte origjinali i Skënderbeut. Për lashtesinë e simboleve shqiptare ,ka një studim shkencor të hollsishëm të Dhimitër Pilikës “Pellazgët origjina jonë e mohuar”.

Shtetet dhe kombet, të lindura që në lashtësi dhe të ardhura në ditët e sotme, duke ju adaptuar kushteve historike ndër shekuj, dëshmojnë se do të kenë një jetëgjatësi edhe të mëtejshme, pavarsisht përpjekjeve ideollogjike të shtresave të caktuara të shoqërisë njerëzore (të përshëndetura shpesh nga F.Lubonja) për një botë globaliste : ” pa kufij, pa raca, pa shtete, pa dallime të popujve, të kulturës, teritoriale, gjuhësore, të zakoneve, të ligjeve, besimeve, të qeverive, të parave: një det pa kufij “i një mase uniforme ” mbi të cilën Dio Mercato (Zoti Treg) të kishte mundësi të lundronte me një lehtësi absolute”. (I.M.) Historia njerëzore ka dëshmuar se këto Perandori globaliste, (Perandoria pellzge,romake, bizantine, osmane, BRSS, etj) nuk kanë patur jetëgjatësi dhe kanë dështuar. Studiuesi më i shquar i nacionalizmit në Britaninë e Madhe, Anthony Smith është shprehur se: “Kombi dhe nacionalizmi, mbeten elemente të pazëvëndësueshme në një botë të ndërvarur dhe në kulturën e komunikimeve masive. Sepse kultura globale duket e paaftë që të afrojë cilesitë e besimit kolektiv, dinjitetit dhe shpresës...” (f174 A.S.)

avatar
LaDescarada
Princeshë
Princeshë

Postime Postime : 11767
Gjinia Gjinia : Female
Anëtarësuar Anëtarësuar : 29/12/2009

Shiko profilin e anëtarit

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Re: KOMBËSIA E SHQIPTARËVE ËSHTË PESHUAR PËRHERË ME LIRINË!

Mesazh nga Anakonda prej Sat 24 Nov 2012 - 4:43

shum interesante e njekohesisht edhe e bukur
avatar
Anakonda
V.I.P Anëtarë
V.I.P Anëtarë

Vendbanimi Vendbanimi : Burrel
Postime Postime : 31648
Gjinia Gjinia : Female
Anëtarësuar Anëtarësuar : 02/12/2011
Mosha Mosha : 23
Hobi Hobi : Dashuria endrra shpresa ke te zgjidhja nga te tria dhe nje nate lotin pyeta mu pergjigj DASHURIA

Shiko profilin e anëtarit

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi