Klea Love Forum
Klea Love Forum - Welcome
Shqiptarë e Kosovarë?! Një apo dy Kombe? People-icon
Mirë se vini në Klea Love Forum, Ju ftojmë që të Regjistroheni, në mënyre që të keni aksese në të gjitha kategorit dhe temat, në Klea Love Forum, mund të gjeni Shoqeri, Filma Shqip dhe të huaj, Muzikën më të re 2013, DVD Humore shqip, Këshilla Mjeksore, Diskutime, Video Klipe, Kuriozitete, dhe Lajmet më të reja nga vendi dhe bota.

KleaLove.com / Staff.


Join the forum, it's quick and easy

Klea Love Forum
Klea Love Forum - Welcome
Shqiptarë e Kosovarë?! Një apo dy Kombe? People-icon
Mirë se vini në Klea Love Forum, Ju ftojmë që të Regjistroheni, në mënyre që të keni aksese në të gjitha kategorit dhe temat, në Klea Love Forum, mund të gjeni Shoqeri, Filma Shqip dhe të huaj, Muzikën më të re 2013, DVD Humore shqip, Këshilla Mjeksore, Diskutime, Video Klipe, Kuriozitete, dhe Lajmet më të reja nga vendi dhe bota.

KleaLove.com / Staff.
Klea Love Forum
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shqiptarë e Kosovarë?! Një apo dy Kombe?

2 posters

Shko poshtë

Shqiptarë e Kosovarë?! Një apo dy Kombe? Empty Shqiptarë e Kosovarë?! Një apo dy Kombe?

Mesazh nga WebMaster Wed 14 Apr 2010 - 5:22

Shqiptarë e Kosovarë?! Një apo dy Kombe? Newborn-small-300x200Pas dekadash ndarje të
detyrueshme, shqiptarët debatojnë se sa kanë ndryshuar.
Nga Arjan Konomi në Tiranë, Prishtinë dhe Shkup
Në një ditë të nxehtë vere, një grup miqsh janë të ulur në një kafene
bregdetare në Shqipërinë e Jugut. Erleta, vajza e një disidenti të
Kosovës, dhe Tomi nga Tirana kanë shumë gjëra të përbashkëta.
Megjithatë, siç ndodh shpesh në Ballkan, ata s’pajtohen kur
diskutojnë të kaluarën. Tomi beson se regjimi i mëparshëm komunist në
Shqipëri ishte tejet më shtypës sesa regjimi i Josip Titos në
Jugosllavi. Erleta s’është dakord.
Varfëria dhe uria ishin të zakonshme në Shqipërinë komuniste, shton
Tomi, ndërsa njerëzit në Kosovë mund të kishin prona, të ushtronin fenë
dhe të emigronin në Perëndim nëse donin.
Gjithsesi, Erleta ngulmon që shtypja s’mund të matet vetëm me të
mirat materiale. “Përpiqu ta shijosh një tryezë përplot me ushqim ndërsa
dikush të godet fytyrës,” replikon ajo duke kërkuar një metaforë për të
shprehur shtypjen që shqiptarët mendonin se përjetonin në Kosovë. “Dhe
mos na quaj kosovarë,” shton ajo. “Edhe ne jemi shqiptarë”.
Debati i nxehtë i dy miqve të përkujton faktin se ndërkohë që të
gjithë shqiptarët e mbështetën revoltën e Kosovës kundër sundimit serb,
pavarësia e Kosovës prej vitit 2008 ka ngritur çështje lidhur me
identitetin e shtetit të ri dhe nëse ai ndryshon nga ai i Shqipërisë.
Disa vetë e shohin përpjekjen për të promovuar një identitet të
veçantë kosovar si të imponuar e të shpikur dhe e hedhin poshtë si
artificial. Disa të tjerë janë më pozitivë. Sidoqoftë, çështja është
temë e nxehtë në Prishtinë, Tiranë dhe Shkup, mes intelektualëve,
politikanëve dhe njerëzve të thjeshtë.
Ndarë nga kufijtë
Zanafilla e çështjes lidhur me identitetin e Kosovës daton nga Lufta
Ballkanike e vitit 1912, kur Serbia, Mali i Zi, Greqia, Rumania dhe
Bullgaria iu sulën ngulimit të fundit të territorit të sunduar nga
osmanët në Ballkan.
Rezultati i Konferencës së Paqes në Londër më 1913 ishte ndarja e
Maqedonisë mes fitimtarëve dhe krijimi i një Shqipërie të pavarur.
Gjithsesi, pothuajse gjysma e popullsisë shqiptare etnike u la jashtë
shtetit të ri mbasi Serbia aneksoi Kosovën dhe atë që sot është
Republika e Maqedonisë.
Megjithëse ende të bashkuar nga një gjuhë dhe trashëgimi e
përbashkët, tashti një kufi shtetëror ndante shqiptarët në Shqipëri nga
ata në Kosovë.
Mbas Luftës II Botërore, kufiri u bë edhe më i pakalueshëm. Dy
shtetet në të cilët jetonin shqiptarët tashti ndiqnin ideologji shumë të
ndryshme, ku Shqipëria besonte në filozofinë e ashpër staliniste. Nga
viti 1948 deri më 1991, kufiri mes Jugosllavisë dhe Shqipërisë ishte
pothuajse hermetikisht i mbyllur.
Edhe mbasi u shemb Jugosllavia, gjatë sundimit të Sllobodan
Millosheviqit në Kosovë, shqiptarët e Kosovës s’mund ta kalonin lehtë
kufirin. Si pasojë, shqiptarët në të dyja anët e kufirit kishin pak
mundësi të komunikonin për pothuajse gjysmë shekulli.
Edhe në Shqipëri, regjimi izolacionist i Enver Hoxhës u përpoq sa
mundi të fshinte nga faqja e dheut shumë aspekte të kulturës
tradicionale shqiptare. Shumica e popullsisë jetonte në shtërngesë
materiale, e lënë pa shumicën e mallrave bazike.
Robert Elsie, ish-diplomat gjerman dhe vëzhgues i kahershëm i
Ballkanit, thotë se edhe pse Kosova ishte rajoni më i varfër i
ish-Jugosllavisë, ajo gëzonte një prosperitet modest kur krahasohej me
Shqipërinë.
Porse, shqiptarët e Kosovës përjetonin shtypje të vazhdueshme
politike dhe kulturore nga Beogradi. Një pasojë e kësaj ishte që ata
prireshin të mbylleshin brenda vetes si bashkësi, duke mbetur më
tradicionalë në kulturë sesa shqiptarët e Shqipërisë.
Parajsa është në anën tjetër
Për shumicën e shqiptarëve të Kosovës që u rritën në ish-Jugosllavi,
Shqipëria ishte një parajsë proletare, e njohur vetëm nga imazhet
propagandistike lejuar nga regjimi i Hoxhës.
“E shihnim Shqipërinë si tokën e ëndrrave tona […] sepse ishte vend i
pavarur dhe nuk sundohej nga të tjerët, si ne dhe serbët,” thotë Seferi
nga Prishtina.
Ai e ka kaluar shumicën e viteve 1990 në mërgim duke drejtuar një
klub shqiptar në rrethinat e Lionit të Francës dhe duke botuar revistën
Rruga e lirisë.
“Ajo që ne dinim për Shqipërinë ishte propaganda që transmetonte
regjimi në Radio Tirana,” kujton ai. “Ajo ishte shtet i pavarur, larg
ndikimit rus dhe amerikan, ku njerëzit e lirë valëvitnin flamurin e
tyre.
“Kur miqtë e mi në Kosovë shkuan së pari në Shqipëri në fillim të
viteve 1990, u ulën dhe puthën tokën,” shton ai.
Revista e Seferit e lavdëronte Hoxhën si “patriot të madh”. Ai thotë
se nuk iu hapën sytë plotësisht deri nga fundi i viteve 1990, kur
përfundoi në Shqipëri si refugjat.
“E njohëm Shqipërinë e vërtetë vetëm gjatë eksodit të vitit 1999, kur
mbi 600.000 nga ne gjetën strehim [në Shqipëri] dhe pamë me sytë tonë
mizerjen e vendit tonë të ëndrrave,” kujton ai.
“Ndërsa njihnim njëri-tjetrin, kuptonim se nuk njiheshim aspak.”
Shqiptarët e Kosovës nuk ishin të vetmit që kishin keqkuptime lidhur
me shqiptarët e Shqipërisë. Edhe këta të fundit kishin iluzione të
ngjashme për kushërinjtë e tyre në anën tjetër të kufirit.
“Ne i konsideronim ata [shqiptarët e Kosovës] fatlumë sepse
ekonomikisht ishin shumë më të përparuar se ne,” mban mend Juliani.
Familja e tij ishte nga Mitrovica e Kosovës veriore, por ai ka lindur
dhe është rritur në një fshat afër Fierit në Shqipërinë qendrore.
Familja e Julianit është zhvendosur në Shqipëri gjatë Luftës II
Botërore për t’i shpëtuar shtypjes serbe, por regjimi komunist i
Shqipërisë i trajtoi edhe më egër se serbët.
“S’mund të largoheshim nga fshati, lëre më të iknim në ndonjë
metropol evropian si njerëzit në ish-Jugosllavi,” kujton Juliani. “Ata
kishin edhe liri fetare [në Kosovë] ndërsa ime më i përgatiste
ëmbëlsirat e Bajramit fshehtas, sepse po të zbulohej, do t’i vuanim
pasojat.”
Në një pikë, familja e Julianit u dërgua në një kamp internimi, në
një zonë të varfër kënetore quajtur Derrmenas. Një nga xhaxhallarët e
tij u pushkatua si disident politik. Familjes iu mohua e drejta për
studime të larta dhe përjetoi një jetë varfërie dhe frike derisa u shemb
sistemi komunist më 1991.
Juliani mban mend se si “mezi e kisha pritur çastin për ta vizituar
Kosovën për herë të parë sepse atëherë dukej sikur po hyje në Perëndim –
por u zhgënjeva”.
Terrori i përjetuar nga shumica e shqiptarëve të Kosovës gjatë
regjimit të Millosheviqit e tronditi. “E kuptova se në ç’shtet policor
jetonin – në frikë të vazhdueshme për jetën,” shpjegon ai. “Për më tej,
ata dukeshin të ndryshëm, sikur i përkisnin një kombi tjetër”.
Fatos Lubonja, shkrimtar shqiptar dhe ish-disident politik që e kaloi
shumicën e rinisë së tij në gulagët e Hoxhës, thotë se fakti që
shqiptarët e Kosovës kanë përjetuar një histori të ndryshme nga ajo e
shqiptarëve të Shqipërisë qysh prej vitit 1912 ka ndihmuar në formësimi e
identiteteve të tyre përkatëse.
“Shqiptarët e Kosovës për një farë periudhe kohe ndjeheshin më shumë
jugosllavë sesa shqiptarë,” thotë Lubonja. “Zgjimi kombëtar, edhe
atëherë [në Kosovë], ka qenë proces.”
Një identitet apo dy?
Udhëtimi nga Tirana në Prishtinë në autostradën e sapondërtuar me
katër korsi është një përvojë e këndshme. Dhjetë vjet më parë, kjo do të
kish qenë e pamendueshme.
Ideja se Kosova do të ishte shtet i pavarur, njohur nga 63 shtete,
përfshi ShBA-të dhe 22 nga 27 shtetet anëtare të Bashkimit Evropian,
ishte edhe më e pamendueshme atëbotë.
Nexhmedin Spahiu, pedagog i shkencave politike në Universitetin e
Prishtinës dhe autor i librit Drejt kombit kosovar, mëton se shqiptarët e
Kosovës dhe ata të Shqipërisë kanë zhvilluar identitete të veçanta.
“Sa i përket etnicitetit, kemi të njëjtin identitet sepse flasim të
njëjtën gjuhë dhe kemi tradita të përbashëkta,” thotë ai. “Por kemi
pasur histori të ndryshme dhe kjo ka krijuar dy identitete të dallueshme
– të ndarë nga njëri-tjetri në kuptimin politik të fjalës.”
Spahiu thotë se Kosova është e pazakontë në atë që po krijon një
identitet kombëtar mbasi vendi e ka shpallur pavarësinë – jo e
anasjellta. “Ne e krijuam shtetin tonë para se të formësohemi si një
komb,” vëren ai.
Me flamurin, himnin dhe simbolet e tjera kombëtare, “ne do të ecim
drejt krijimit të një kombi kosovar përbërë jo vetëm nga shqiptarët por
edhe nga pakicat e tjera etnike,” parashikon ai.
Komentatorë të tjerë gjithashtu pranojnë qenien e dallimeve të
rëndësishme shoqërore mes shqiptarëve të Kosovës dhe atyre të
Shqipërisë.
“Kur pata kontakt së pari me shqiptarët e Kosovës gjatë luftës ajrore
të NATO-s, nuk më shkoi gjatë të kuptoja se ishim të ngjashëm, por
ndërkohë që kalonte koha vija re dallime,” thotë Mustafa Nano, një
komentator politik nga Tirana.
“Më 1999 do të kisha thënë se kishim identitet të përbashkët, por sot
do të përgjigjesha se identitetet tona janë të dallueshme,” shton ai.
“Kjo shfaqet në marrëdhëniet tona me kombin, fenë, familjen, shtetin dhe
etikën tonë të punës,” vazhdon Nano.
Një dallim i dukshëm mes dy popujve është e folura e tyre. Dialekti
gegë i përdorur në Kosovë dallon nga gjuha standarde që mësohet në
shkolla dhe që përdoret në Shqipëri.
Enver Hoxha, jugor, e imponoi dialektin jugor toskë mbi gjithë
Shqipërinë. Si pasojë, përdorimi i dialektit gegë shpesh nuk shihet me
sy të mirë.
Në Tiranë, shqiptarët e Kosovës shpesh perceptohen si njerëz me vlera
rurale që mbështeten në struktura të vjetra fisnore, diçka që regjimi
komunist në Shqipëri e urrente gjatë diktaturës së tij të gjatë.
Shqiptarët e Kosovës kanë problemet e tyre kundrejt shqiptarëve nga
Shqipëria, duke i gjykuar si më pak patriotë sesa veten e tyre dhe
indiferentë ndaj kauzës shqiptare.
Në të njëjtën kohë, shumë shqiptarë të zakonshëm besojnë se këto
dallime janë vetëm sipërfaqësore dhe kryesisht të bazuara në
paragjykime.
Kur Murat Rrahmani nga Mitrovica iu largua konfliktit të armatosur në
Kosovë më 1999 me të shoqen, motrën dhe tri vajzat e tij, ai u vendos
në qytetin jugor të Vlorës.
“Isha i shqetësuar,” kujton Murati. Dinte që ai qytet kishte qenë në
qendër të trazirave disa vite më parë pas dështimit të një vargu skemash
piramidale.
Por familja e varfër e klasës punëtore që strehoi Muratin dhe
familjen e tij i habiti ata me mikpritjen që tregoi.
“Për shkak të dallimeve në dialekt kishim probleme t’i kuptonim
mikpritësit tanë në fillim,” thotë Murati. “Por u përshtatëm shpejt dhe
mbas pak u ndjemë si në shtëpi.” Të kthyer tash në Kosovë, ai dhe
familja e tij shkojnë në Vlorë çdo vit.
Mehmet Shushollari, punëtori i ndërtimit që strehoi familjen e
Muratit, thotë se megjithëse dy familjet pak dinin për njëra-tjetrën, në
fund kuptuan se ishin pak a shumë të njëjta.
“Në Vlorë dinim shumë pak për Kosovën,” thotë Mehmeti. “Por jetuam me
familjen e Muratit për disa muaj dhe, megjithëse kjo e fundit s’jepej
shumë mbas ushqimit të detit, pamë se ishim shumë të ngjashëm edhe në
aspektet e kuzhinës,” shton ai.
Disa intelektualë mendojnë që një identitet i veçantë kosovar as që
ekziston në të vërtetë. “Termi “identitet kosovar” është artificial.
Është e vështirë ta përkufizosh se çka është në të vërtetë ai, edhe për
ata që mendojnë se ekziston,” thotë sociologu i Prishtinës Shkëlzen
Maliqi. “Megjithëse ka dallime në botëkuptimet e shqiptarëve të Kosovës
dhe atyre përtej kufirit, këto dallime nuk mjaftojnë për krijimin e një
identiteti.”
“Një identitet kosovar nuk do të ishte… identitet i qëndrueshëm dhe i
fortë, me kuptim të fortë,” shton ai.
Akademiku shqiptar i Kosovës, Rexhep Qosja, pajtohet me këtë. Ata që
flasin për identitet të veçantë për shqiptarët e Kosovës dhe shqiptarët e
Shqipërisë duhet të kujtojnë se çdo krijesë njerëzore ka një
“identitet” të vetin, mëton ai.
“E njëjta logjikë qëndron për zonat e ndryshme banuar nga shqiptarët,
ku njerëzit kanë mikro-identitetet e tyre,”
shpjegon ai. “Por nëse e shtrijmë këtë në krejt shqiptarët, ata kanë
një identitet të përbashkët që përbëhet nga këto mikro-identitete”.
Qosja thotë se më fort janë fqinjët që i kanë imponuar dallimet dhe
jo se i kanë krijuar shqiptarët mes vetes.
Ai vë në dukje shprehjet e ndryshme që përdoren në serbisht për një
shqiptar në Kosovë dhe një shqiptar në Shqipëri – përkatësisht “shiptar”
and “albanac”.
Qosja thotë se bashkësia ndërkombëtare mund të dojë të nxisë
zhvillimin e një identiteti të veçantë kosovar për arsye politike, “duke
menduar se kjo do t’i bëjë serbët të ndjehen më mirë”.
Por ai ngul këmbë që shqiptarët në të dyja anët e kufirit “janë një
komb dhe pretendimi i krijimit të një kombi apo identiteti tjetër jo
vetëm është absurd, por edhe anti-historik.”
“Dy Koretë janë dy shtete, siç ishte Gjermania e ndarë, por përveç
sistemeve të ndryshme politike askush s’ka besuar [ndonjëherë] se
ndonjëri prej tyre përbëhej nga dy kombe,” përfundon ai.
Ribashkim në Bashkimin Evropian
Për disa shqiptarë të Kosovës, pasja e një identiteti të ri nuk do të
thotë ndryshim radikal i perceptimit të vetvetes, por pasurim të
identitetit të tyre shqiptar.
“Një shtet i ri po krijohet me një flamur të ri dhe kufijtë e vet,
dhe po bëhen përpjekje për të përcaktuar një identitet për shqiptarët e
Kosovës i cili nuk është më si identiteti që kanë pasur dikur,” thotë
Bujari, reporter nga Prishtina.
Shqiptarët e Shqipërisë dhe ata të Kosovës nuk janë të vetmit që e
ndjekin debatin mbi identitetin.
Në Maqedoni, një e katërta e popullsisë është shqiptare etnike. Shumica e
saj ndjehen të përjashtuar nga të dy “kombet” shqiptare, veçanërisht
prej theksimit aktual të identitetit të veçantë të Kosovës.
“Çfarë identiteti kam unë?” pyet Arbeni, punonjës në një kompani
farmaceutike në qytetin perëndimor maqedonas të Tetovës. “A jam
shqiptar, maqedonas, musliman, apo jam kosovar, siç na thërrasin shumica
në Shqipëri?”
Juliani pajtohet me këtë. Për shumë njerëz të zakonshëm si ai, fokusi
i ri mbi identitetin e ri të Kosovës duket përçarës. “Deri në
ndërhyrjen e NATO-s, askush nuk e diskutonte të qenit shqiptar,” thotë
ai. “Tani që s’merren më me serbët kanë filluar të merren me
njëri-tjetrin.”
Për shumë politikanë shqiptarë, përgjigjja ndaj pyetjes së Arbenit se
ku futet ai duhet të vijë, të paktën pjesërisht, përmes integrimit në
Bashkimin Evropian.
Vetëm atëbotë shqiptarët anembanë rajonit mund të ribashkohen vërtet,
sepse kufijtë kombëtarë atëherë do të kenë pak ose aspak kuptim.
Duke folur në Prishtinë në tetor, kryeministri i Shqipërisë, Sali
Berisha, tha se megjithëse ndarja e Kosovës nga Shqipëria kishte lënë
vraga, ata kishin mbetur në thelb një komb që synonte drejt një të
ardhmeje të përbashkët në Bashkimin Evropian.
“Kombi është një dhe i pandarë, dhe nuk ka dy kombe shqiptare siç nuk
ka dy kombe kroate ose dy kombe serbe,” tha ai, duke shtuar: “Nuk ka të
ardhme më të ndritshme për ne shqiptarët sesa integrimi në Bashkimin
Evropian.”
WebMaster
WebMaster
Fondatori i Forumit
Fondatori i Forumit

Vendbanimi Vendbanimi : Ku te dua un
Postime Postime : 98857
Gjinia Gjinia : Female
Anëtarësuar Anëtarësuar : 11/01/2009
Mosha Mosha : 45
Hobi Hobi : Të përballoj jetën

http://www.klealove.com

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Shqiptarë e Kosovarë?! Një apo dy Kombe? Empty Re: Shqiptarë e Kosovarë?! Një apo dy Kombe?

Mesazh nga Ardii Wed 14 Apr 2010 - 5:23

1 KOMB
Ardii
Ardii
I/e Regjistruar
I/e Regjistruar

Vendbanimi Vendbanimi : Drenic ForEver
Postime Postime : 3698
Gjinia Gjinia : Male
Anëtarësuar Anëtarësuar : 22/01/2010
Hobi Hobi : BeAt bOx

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Shqiptarë e Kosovarë?! Një apo dy Kombe? Empty Re: Shqiptarë e Kosovarë?! Një apo dy Kombe?

Mesazh nga Vizitor Sun 12 Sep 2010 - 7:27

1 KOMB.
Anonymous
Vizitor
Vizitor


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Shqiptarë e Kosovarë?! Një apo dy Kombe? Empty Re: Shqiptarë e Kosovarë?! Një apo dy Kombe?

Mesazh nga Sponsored content


Sponsored content


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi