Klea Love Forum
Klea Love Forum - Welcome
Afer edhe Larg People-icon
Mirë se vini në Klea Love Forum, Ju ftojmë që të Regjistroheni, në mënyre që të keni aksese në të gjitha kategorit dhe temat, në Klea Love Forum, mund të gjeni Shoqeri, Filma Shqip dhe të huaj, Muzikën më të re 2013, DVD Humore shqip, Këshilla Mjeksore, Diskutime, Video Klipe, Kuriozitete, dhe Lajmet më të reja nga vendi dhe bota.

KleaLove.com / Staff.


Join the forum, it's quick and easy

Klea Love Forum
Klea Love Forum - Welcome
Afer edhe Larg People-icon
Mirë se vini në Klea Love Forum, Ju ftojmë që të Regjistroheni, në mënyre që të keni aksese në të gjitha kategorit dhe temat, në Klea Love Forum, mund të gjeni Shoqeri, Filma Shqip dhe të huaj, Muzikën më të re 2013, DVD Humore shqip, Këshilla Mjeksore, Diskutime, Video Klipe, Kuriozitete, dhe Lajmet më të reja nga vendi dhe bota.

KleaLove.com / Staff.
Klea Love Forum
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Afer edhe Larg

2 posters

Shko poshtë

Afer edhe Larg Empty Afer edhe Larg

Mesazh nga WebMaster Sun 8 Aug 2010 - 4:55

Diku pranë Gjirokastrës, në të dalë të Urës së Kardhiqit, vapa bëhet e padurueshme. Sytë dhe veshët na janë mbuluar nga një përzierje e keqe me djersë e pluhur. Do të na duhet të freskohemi një copë herë në një lokal në anë të rrugës që të shohim mirë siluetën e fshatit për ku jemi nisur. Është një fshat i heshtur. Vetëm rrallë e tek ndodh ndonjë gjë që të meritojë të dalë në lajmet e kolegëve tanë. Këtu njerëzit shohin punët e tyre në një qetësi që i ka përfshirë prej kohësh. Në dimër jetojnë me bizneset rreth e qark fshatit, në verë presin emigrantët që vijnë nga Greqia. Sikur të mos ishte tabela në anë të rrugës askush nuk do ta kthente kokën në këtë anë, me përjashtim të atyre që kanë ndonjë lidhje familjare apo ndonjë punë këndej. Megjithatë, me gjithë heshtjen dhe shpërfilljen e tij, ky fshat ka një histori të veçantë. Më e para nga të gjitha: ai mban mbi supe një emër njeriu. Ai quhet “Andon Poçi”. Këtij Andonit, dëshmor i Luftës LANÇL, me siguri as që i ka shkuar ndonjëherë ndër mend se një fshat i tërë do të mbante emrin e tij. Ai ishte një vlleh i varfër, që punonte argat diku nga fushat e Vrinës. Doli partizan dhe pati fatin e keq, apo të mirë në këtë rast, që të vritej në një përleshje me gjermanët. Ishte vetëm 18 vjeç. Bustin e tij e shohim në qendër të fshatit. Edhe në bronz mban atë shprehjen e çuditshme, njësoj sikur të dojë të thotë: Po me mua ç’patët xhanëm? Unë atë fat pata dhe aq! Gjithsesi, më vonë do të mësojmë se pas 1990-s në fshat është diskutuar nëse do ta mbajnë emrin e bashkëpatriotit të vrarë apo të venë ndonjë emër të vjetër. Fshati ka vendosur që edhe në mijëvjeçarin e tretë të quhet “Andon Poçi”. Kur mësojmë këtë, shikimi i dëshmorit të shkretë nuk na duket më i çuditur, por më krenar të paktën. Po tani edhe vapa ka nisur të bjerë. Ky fshat është i banuar krejtësisht nga banorë vllehë, arumunë i quajnë disa të tjerë. Sapo kemi kaluar poshtë një tabele ku shënohet “Gjini Vinut”. “Mirëserdhët” në shqip.
Një kryetar udhërrëfyes


Kryetarët e komunave nuk duhet t’i kenë edhe aq fort për zemër gazetarët. Ata se ç’dreqin kanë që rrëmojnë ndër ankesa e letra dhe shumë herë prishin punë në vend që të ndreqin. Ky që kemi takuar, përkundrazi tregohet shumë i gatshëm të na shoqërojë ngado. Një herë bëjmë atë hyrjen zyrtare. Kryetari quhet Foto Jani. Ai na thotë se këtu është qendra e Komunës së Odrijes ku ka nja njëmbëdhjetë biznese (kryetari nis t’i numërojë një për një), ku ka 20 hektarë vreshta dhe 10 hektarë dardha, ku ka një shkollë 9-vjeçare, që së shpejti do të mbyllet për mungesë nxënësish, për…
Para kishës së Shën Jorgjit (Shën Gjergjit), shenjtit mbrojtës të fshatit, shohim një monument prej mermeri. Aty janë shënuar emrat e atyre vllehve nga ky fshat që vuajtën persekutimin nga diktatura. Vetë Foto, kryetari, ka pasur të atin në burg për 17 vjet me radhë. Gjyshi i tij, Ndini Jani, i pat dërguar Ahmet Zogut si peshqesh për dasmë 40 desh. Si ia sekuestruan pasurinë në 1948 e arrestuan në 1953. Në akuzë ia kujtuan edhe atë punën e dhuratës për mbretin. Sipas Fotos, plaku është përgjigjur: “Zogut ia çova me dëshirë të madhe, sepse në kohën e tij unë e kisha kokën e bagëtive në Jergucat e bishtin në Sarandë, askush nuk më prekte. Kurse Enveri m’i mori të tëra”. Ky plak vdiq në burg gjashtë muaj pasi ishte dënuar. Dy nga djemtë e tij u arratisën në Greqi. Vëllai tjetër, babai i kryetarit bëri burg të rëndë.
Bashkë me Foton shohim edhe një minimuze që ai vetë e ka ndërtuar me iniciativën e tij. Velenxa, lugë prej druri, sahanë e tepsi të bakërta, sofra të mëdha që të mbledhin bashkë një familje të tërë, pastaj foto të vjetra. Të gjitha na kujtojnë kohën kur vllehtë e parë, paraardhësit e këtyre banorëve, bënin një jetë endacake e të lodhshme vërtet, por krejtësisht të lirë e në mes të natyrës së virgjër. Se si ka ndodhur që vllehtë e këtyre anëve e lanë këtë jetë, këtë do të kemi rast ta mësojmë pas pak.
Histori te poeti


Bashkë me kryetarin, si kemi shëtitur, me aq sa na lejonte vapa, nëpër fshatin fort të këndshëm, me shtëpi e kopshtije të mbajtura mirë, trokasim në portën e Manol Bashos. Manoli është poet, ish-gazetar, shkrimtar. Mbi të gjitha është një njohës i mirë i historisë së fshatit. Një libër i tij, i botuar në 2007, e përshkruan me detaje se si lindi ky fshat i pazakontë. Në hijen e vreshtit të Manolit bisedojmë për histori dhe shfletojmë herë pas here librin.
Fusha që shtrihet në këmbët tona quhet “Fusha e Tavanit”. Tradicionalisht ka qenë pronë e fshatit Picar. Picariotët e përdornin këtë zonë për të kullotur bagëtitë e tyre. Në 1944, askujt prej vllehve që jetojnë sot këtu nuk u shkonte mendja të ndërtonin shtëpi mbi këtë fushë. E gjithë historia lidhet me një njeri të vetëm, që ka pasur një histori të çuditshme dhe një fund tragjik. Ky quhej Kosta Karamani. Ishte vlleh. Kishte lindur në Qefallovrizi në Greqinë e sotme (turqisht Mexhidije). I ati ishte pronari më i madh i bagëtive në krejt zonën. Asokohe, këta pronarë të mëdhenj quheshin “çelnikë”. Kosta mbeti jetim që i vogël dhe e gjithë pasuria u bë rrush e kumbulla. Kështu që, bashkë me të ëmën, u vendos diku në afërsi të Delvinës ku punonte argat në pronat e më të pasurve. Kur nisën të përhapen idetë komuniste Kosta dukej djali ideal për t’u lidhur me PKSH. Kështu ndodhi. Ai doli partizan, mori pjesë në luftë dhe u bë një ndër eksponentët komunistë në Jug. Pikërisht ky Kosta, që kishte miq e kushërinj, gjysmën e vllehve që ende jetonin ndër stane, i hyri një valleje që dukej fillimisht e pamundur: të ngrinte kooperativë ku vllehtë më në fund të jetonin të ngulur, në shtëpi të vërteta prej guri. Shembulli i parë ishte dhënë. Disa kohë më parë në një vend në skaj të Lunxhërisë ishte ngritur kooperativa blegtorale “Asim Zeneli”. Këtu ishin zhvendosur që nga Kurveleshi pa tokë të gjithë çobanët që kishin ndihmuar komunistët në fitoren e tyre. Edhe për propagandë fshati ishte bërë model, me shtëpi, sheshe dhe rrugë. Vllehtë në fillim u lëkundën, por pastaj shumica e tyre dëgjoi fjalën e Kostës. Në maj të 1956 ndodhi gjëja e padëgjuar: vllehtë bashkuan kopetë dhe ndërtuan kasollet pranë e pranë njëri-tjetrit. Në fillim kooperativa u quajt “Jeta e Re”. Stili i kohës ishte plotësuar. Kryetar u zgjodh vetë Kosta, sigurisht.
Por pas kësaj pati disa diskutime, tërheqje nga kooperativa, hezitime, mbledhje e sherre. Gjithsesi, kooperativa mbijetoi, s’kishte se si të ndodhte ndryshe. Por vllehtë kanë një zakon: nëse diku në një stan apo vend nuk u ecën mirë puna, atëherë ata nuk kthehen më aty dhe madje nuk ia kujtojnë as emrin. Kështu dikush nga fshati propozoi që kooperativa të quhej ndryshe. Këtë radhë ajo duhej quajtur me emrin e Andon Poçit, familjarët e të cilit, të ardhur nga Mursia, ishin anëtarë të kooperativës. Kështu emri i fatkeqit të rënë në luftë mbeti i përjetshëm. Por “jeta e begatë” e premtuar ende nuk po vinte. Vllehtë e kooperativizuar jetonin po në ato kasolle si prej qëmoti. Atëherë, Kosta, shfrytëzoi një rast të veçantë. Prej kohësh ia kishte vënë syrin Fushës së Tavanit, një lëndinë e begatë dhe me ujë, porse ajo tradicionalisht ishte pronë e picariotëve. Edhe këta kishin dalë fitimtarë nga lufta. Një njeriu i tyre, Shefqet Peçi, ishte ndër kryesorët e pushtetit. Megjithatë, Kosta gjeti rastin e një mbledhjeje në Tiranë dhe takoi vetë Enver Hoxhën në 1957. “Brenda tri ditësh të plotësohen kërkesat e shokëve vllehë”, pat dhënë urdhër Enver Hoxha. Kështu nisi të ndërtohej fshati i sotëm. Në prill të 1958 u hodhën themelet e shtëpive të para. Ato ishin gjashtë. Ishte ndarja e parë me jetën e lirë, me fjetjen nën yje, me kasollet erëmbara. Ngulitja kishte filluar.
Bariu meteorolog


Të kënaqur që, më në fund, i kemi shpëtuar vapës, ne flasim e flasim për histori të kohëve të shkuara. Shumë nga ata që janë pjesëmarrës, në bisedë duke përfshirë edhe vetë poetin, i cili deri në moshën 16-vjeçare pat shkuar jetë prej nomadi në fshatrat e Mursisë, mbajnë mend mirë ngjarje, mbledhje, akuza, diskutime, personazhe… Një plak rri i heshtur në një kënd të tavolinës. Kush e di se përse një buzëqeshje nuk i hiqet asnjëherë nga portreti. Ai është Llambi Kapurani, 66 vjeç. Si na gostit me një grusht lajthi të mëdha, që i lëshon mbi tavolinë, ai nis të flasë për profesionin më të vjetër të vllehve, për blegtorinë. Ai është ndër të paktët e mbetur në fshat që vazhdon ta praktikojë zanatin e të parëve. “Eh – thotë plaku me modesti – nuk punojmë dot si qëmoti kur kishim kope me mijëra krerë e kur i njihnim të tëra një për një. Tani rinia kërkon punë të tjera. Është e vështirë puna e blegtorit. Kërkon mund e durim. Unë tani kam tetë kokë dele që më japin 24 kuintal qumësht. Nuk duhet të qahem apo jo?”. Xha Llambi njihet edhe për një aftësi tjetër, të cilën e kanë pasur dikur të gjithë blegtorët vllehë, për parashikimin e motit. “Ç’datë është sot – pyet – 5 gusht, hë? Atëherë më 5 të nëntorit do të ketë shi në fushë dhe dëborë në male. Mbrëmë ka fryrë Veriu këndej nga anët tona. Po nuk më doli fjala hajdeni e më takoni”.
“Fshesa”


Si të gjithë edhe vllehtë e fshatit me emër dëshmori e shtynë si e shtynë deri në 1967, vit në të cilin Mehmet Shehu, asokohe Kryeministër, pas një vizite në këto anë, vendosi që kooperativën ta kthejë në fermë të ushtrisë. Pas dy vjetësh ferma e ushtrisë u shndërrua në ndërmarrje civile. Dy vjet më vonë vllehtë nisën të jetojnë me frikë. Në 1971 u arrestuan dy vetë nga fshati, të gjithë i njihnin për njerëz të urtë e punëtorë. U sajua një histori me të arratisur, të cilët kishin ardhur dhe i kishin takuar dy të arrestuarit në fshat. Ishte e qartë se kush ishte vllah duhej të ruhej, dhe mirë madje.
Goditja e dytë e madhe iu dha fshatit në prill të 1975, kur u arrestuan 11 vetë. I pari në listë ishte Kosta Karamani, pikërisht ai që u kishte mbushur mendjen fshatarëve për të ngritur kooperativën në emër të partisë. Në të gjithë vendin nisën të arrestohen drejtues vllehë. Akuza e ngritur ishte lidhja e kahershme me “Asfalinë” greke, një lloj paranoje që kishte nisur që me dënimin e grupit të çamëve “të drejtuar” nga admirali Teme Sejko.
Njeriu i kuajve


Xha Naun Thomai është 80 vjeç, por ecën me një ritëm si prej një djaloshi. E takojmë në shtëpinë e një fqinji të tij, thuajse në qendër të fshatit. Ai i mban mend fare mirë ditët kur erdhën e u vendosën këtu. “E mbaj mend, si nuk e mbaj mend – na thotë – ishte nëntor i 1959 – ne kishim ngarkuar gjithçka mbi mushka. Deri në atë kohë kishim jetuar në kasollet tona në anët e Odrijes. Mbaj mend vetëm se ishim si me mëdyshje për këtë jetën e re që po bënim. Në shtëpi të reja sigurisht që do të ishim më mirë, por edhe jeta që bënim ishte e vështirë vërtet, por ama e bukur, e bukur dhe në liri. Po nejse, ajo punë e pat. Bëmë si gjithë të tjerët”. Xha Naumi ka punuar jetë e mot me kuajt. “Është punë e vështirë. Më e vështirë se me bagëtinë. Atë nuk do ta kisha problem – thotë – me kuajt duhesh sjellë si me njerëzit. Janë shumë delikatë. Pastaj ne kemi jetuar me kuaj gjysmë të egër. Jashtë në vapë e në acar, në shi e në thatësirë. Njësoj si ata. Po ishte punë e bukur”. Xhaxhai kapsallit sytë andej nga grihen malet njësoj sikur të dojë të kujtojë edhe një herë atë hingëllimën me të cilën ka çuar jetën.
Në të njëjtin oborr Foto dhe miqtë tanë na prezantojnë me një mik tjetër. Në fakt, ky është i zoti i shtëpisë ku po qëndrojmë. Për shumë e shumë vjet me radhë ka qenë kryetari i këshillit të fshatit. Edhe në kohën kur u bënë arrestimet e bujshme. “Çfarë mban mend nga ajo kohë”, ia prishim ne qetësinë. “Mbaj mend – përgjigjet - që kur donin të arrestonin njeri vinin e më merrnin mua. Nuk më thoshin asnjë arsye vetëm donin të ishin të sigurt nëse ishte pikërisht njeriu që kërkonin. Kemi shkuar në ara, në shtëpi, ku të na thoshin ata. Vetë çuditesha. I kisha njerëzit e mi, punëtorët e mi. Nuk besoja kurrë se kishin bërë ndonjë gjë të keqe. Po kush guxonte të kundërshtonte atëherë?”.
Zhaku, artisti


Ai quhet Dhimitër Zharkalli, por shumë vetë nëpër Shqipëri e njohin thjesht me emrin Zhaku. Është muzikant, skulptor, shou-men, madje edhe arkitekt hera-herës. Është një nga pasuesit e atyre familjeve të pasura vllehe që u goditën nga diktatura që në 1948. Origjina e kësaj familjeje të madhe është nga Voskopoja, por shumë prej tyre janë zhvendosur më pas edhe në Konispol dhe në vende të tjera. Goditja e parë nisi me sekuestrimin e pasurisë. Gjyshi, i ati dhe 17 anëtarë të tjerë të familjes u dënuan me burg. Shuma e viteve të burgimit ishte 360. Gjyshi, shtylla e shtëpisë vdiq në burg. Eshtrat nuk iu gjetën kurrë. Vetë Zhaku është rritur në internim, në Grabjan të Lushnjës. Në 1991 erdhi këtu në “Andon Poçi”, ku jeton një pjesë e mirë e të afërmve të tij. Kështu Zhaku u bë vllahu i fundit, i ngulitur në fshatin që “lindi nga lart”. Nuk e ka pasur të lehtë. Jo vetëm në qytetet e mëdha kanë problem me të porsaardhurit. Megjithatë, duke iu kushtuar punës dhe artit, dashurisë së tij të madhe, ka arritur të përballojë telashe shumë të mëdha.
Në qetësinë e lokalit të sajuar prej tij vetë – një përzierje mes shtyllave të gurta, betonit dhe gjërave tradicionale – flasim gjatë për të shkuarën e tij, për faktin se çdo të thotë të jesh vllah, ç’lidhje ka kjo me lirinë dhe se cili është haraçi për ta arritur atë. Zhaku flet pak, vetëm sytë i skuqen pak nga mallëngjimi. E ka marrë malli për të atin. Ai jeton larg. Pikërisht ai ia ka mësuar se sa sakrifica duhen për të arritur deri te liria vetë. Mbase të gjitha të mundshmet.

Nga janë vllehtë?


Ata janë një popullsi me tipare të theksuara të veçanta etnokulturore. Sipas Çabejt, gjuha e tyre është një dialekt i rumanishtes që ka për bazë latinishten. Jetojnë në një zonë të gjerë që shtrihet që nga Maqedonia Jugore, në disa krahina të Bullgarisë, në Greqinë e sotme, në zonën e Pindit, në Çamëri, si dhe në Shqipëri. Më parë një pjesë e mirë e tyre, dallohej për jetën nomade bashkë me tufa të mëdha bagëtish, duke shtegtuar në verë ndër kullota të larta dhe në dimër në fusha, sidomos në ato të Vrinës dhe Myzeqesë. Nga kjo vjen dhe emërtimi, që përmendet ende në shqipe “çobanë”. Ka pasur edhe një pjesë tjetër fort të rëndësishme të elementit vlleh që u ngul që me kohë ndër qytetet kryesore të Shqipërisë: në Berat, Korçë, Durrës, Tiranë, Elbasan. Të gjithë kanë dhënë një kontribut shumë të njohur në lëvizjen kombëtare shqiptare në fund të shekullit XIX dhe fillimit të shekullit XX. Shumë nga personazhet e njohura të jetës kulturore artistike të Shqipërisë së shekullit të XX janë me origjinë vllahe. Sot një pjesë e tyre e kanë humbur gjuhën, sidomos ata, që janë ngulitur me kohë nëpër qytete. Ndër fshatra, përkundrazi, gjuha e vjetër flitet ende dhe trashëgohet brez pas brezi. Shoqatat e tyre, që janë lejuar vetëm në këto 20 vjetët e fundit, janë munduar shumë për ruajtjen e gjuhës së tyre duke botuar fjalorë, tekste mësimore dhe duke organizuar kurse të mësimit të gjuhës së shkruar vllahe.
Interesi për ta në Europë lindi aty nga fundi i shekullit XVII. Që prej asokohe kanë ekzistuar tri teori lidhur me origjinën e kësaj popullsie të veçantë. Në shumë raste interesi shkencor është vënë në shërbim të atij politik. Sot, një pjesë e mirë e vllahëve të Shqipërisë, sidomos në Jug janë deklaruar si “vorioepirotë” duke përfituar kështu pensionin e përmuajshëm nga shteti grek.
Teoria e parë mbi origjinën e tyre, bazohet vetëm në lidhjet gjuhësore të vllahishtes me latinishten. Sipas kësaj teorie, vllehtë janë pasardhësit e kolonëve romakë që u vendosën në këto anë në kohën e lulëzimit të Perandorisë Romake. I të njëjtit mendim ka qenë edhe Eqrem bej Vlora.
Teoria e dytë mbështetet në burimet e pakta të periudhës bizantine. Sipas saj vllehtë janë një popullsi që ka zbritur në Jug e nisur nga Vllahia (në Rumaninë e sotme). Studiuesit që mbështesin këtë teori janë të bindur se vllehtë nuk janë gjë tjetër veçse dakë të romanizuar.
Teoria e tretë ka një tjetër zgjidhje origjinale të problemit. Këtë teori e mbështesin më së shumti historianët e rinj. Sipas saj vllehtë janë pasardhësit e një popullsie autoktone që banonte dikur në territoret e Trakës, Maqedonisë dhe Thesalisë dhe që ishin romanizuar. Me ardhjen e hungarezëve dhe sllavëve kjo popullsi synoi të zbresë drejt Jugut të Ballkanit.
Nga erdhën vllehtë vërtet? Pyetje e vështirë, përderisa as edhe ata vetë nuk e dinë edhe fort mirë përgjigjen.
(Më gjerë: Spiridhulla Poçi, Vllehtë. Historia dhe gjuha e tyre, Toena, Tiranë 2009).
WebMaster
WebMaster
Fondatori i Forumit
Fondatori i Forumit

Vendbanimi Vendbanimi : Ku te dua un
Postime Postime : 98857
Gjinia Gjinia : Female
Anëtarësuar Anëtarësuar : 11/01/2009
Mosha Mosha : 45
Hobi Hobi : Të përballoj jetën

http://www.klealove.com

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Afer edhe Larg Empty Re: Afer edhe Larg

Mesazh nga genaro gattuso Sun 8 Aug 2010 - 5:00

flm shume KLEA...
genaro gattuso
genaro gattuso
I/e Regjistruar
I/e Regjistruar

Postime Postime : 673
Anëtarësuar Anëtarësuar : 10/07/2010

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Afer edhe Larg Empty Re: Afer edhe Larg

Mesazh nga WebMaster Fri 17 Sep 2010 - 21:15

Afer edhe larg jam une edhe jeni ju
WebMaster
WebMaster
Fondatori i Forumit
Fondatori i Forumit

Vendbanimi Vendbanimi : Ku te dua un
Postime Postime : 98857
Gjinia Gjinia : Female
Anëtarësuar Anëtarësuar : 11/01/2009
Mosha Mosha : 45
Hobi Hobi : Të përballoj jetën

http://www.klealove.com

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Afer edhe Larg Empty Re: Afer edhe Larg

Mesazh nga Sponsored content


Sponsored content


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi