Klea Love Forum
Klea Love Forum - Welcome
Hiqmet Meçaj - Kukullat e Pyllit (roman) - Faqe 2 People-icon
Mirë se vini në Klea Love Forum, Ju ftojmë që të Regjistroheni, në mënyre që të keni aksese në të gjitha kategorit dhe temat, në Klea Love Forum, mund të gjeni Shoqeri, Filma Shqip dhe të huaj, Muzikën më të re 2013, DVD Humore shqip, Këshilla Mjeksore, Diskutime, Video Klipe, Kuriozitete, dhe Lajmet më të reja nga vendi dhe bota.

KleaLove.com / Staff.


Join the forum, it's quick and easy

Klea Love Forum
Klea Love Forum - Welcome
Hiqmet Meçaj - Kukullat e Pyllit (roman) - Faqe 2 People-icon
Mirë se vini në Klea Love Forum, Ju ftojmë që të Regjistroheni, në mënyre që të keni aksese në të gjitha kategorit dhe temat, në Klea Love Forum, mund të gjeni Shoqeri, Filma Shqip dhe të huaj, Muzikën më të re 2013, DVD Humore shqip, Këshilla Mjeksore, Diskutime, Video Klipe, Kuriozitete, dhe Lajmet më të reja nga vendi dhe bota.

KleaLove.com / Staff.
Klea Love Forum
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Hiqmet Meçaj - Kukullat e Pyllit (roman)

Faqja 2 e 2 Previous  1, 2

Shko poshtë

Hiqmet Meçaj - Kukullat e Pyllit (roman) - Faqe 2 Empty Hiqmet Meçaj - Kukullat e Pyllit (roman)

Mesazh nga Alberti Thu 14 Oct 2010 - 23:12

First topic message reminder :

Hiqmet Meçaj "Kukullat e pyllit" (roman)

KAPITULLI I PARË

1

Kur hyri Admeti në zyrën e shefit, ishte mesditë. Shefin nuk e njihte më parë, ndaj u çudit nga trupi i tij i paktë dhe buzët tepër të holla.
-Nuk kam shumë kohë, - shpejtoi të thoshte ai, pa i thënë “ulu” e pa i dhënë dorën.
-Ju kemi emëruar në Kajat, është zonë e mirë, pak si larg...
Admeti për herë të parë e dëgjonte këtë emër fshati. Emërimi iu duk i çuditshëm, ngaqë mendonte se do ta caktonin në qytet, në njërën nga shkollat e mesme, jo vetëm se në diplomë nuk mungonte mesatarja e lartë, por edhe nga libri i tij i botuar e i pritur mirë dhe se në xhep mbante librezën e Lidhjes së Shkrimtarëve, gjë e rrallë për një të ri të moshës së tij.
-Me kaq mbaruam, - tha shefi me indiferentizëm, që atij iu duk tepër i shtirur e aspak miqësor, - nisu sa më shpejt, të mos humbasin fëmijët mësimet.
Pasi e vështroi të porsaemëruarin shkarazi, shtoi si rastësisht “kalo pak nga zyra e kuadrit, më duket ke lënë diçka pa shënuar”.
-Çfarë ? - pyeti Admeti .
-Hollësitë i dinë ata ...
Doli nga zyra ftohtë. Diçka e beftë e kishte goditur, e kishte lodhur. Entusiazmi, gjallëria, gëzimi i emërimit i ëndërruar prej kohësh, u tulatën diku thellë me një peshë të rëndë, që ia kërrusën trupin. Zbriti shkallët e ndërtesës hijerëndë duke zvarritur këmbët.
-E, ku ? – e pyeti një zë i njohur.
Ishte Afrimi me të cilin kishin studiuar bashkë për njëmbëdhjetë vjet.
-Në Kajat, - po nuk e di nga bie.
-Aq larg ? – u habit ai, - po ti je shkrimtar, do të vesh?
-Nuk dua ta filloj punën duke trokitur dyerve, - tha Admeti, që nuk donte të shtonte se nëpër ato dyer ishin po ata që e kishin emëruar. Ata nuk do të bënin asgjë më tepër veç moralit, “se shteti harxhoi aq e kaq që të nxorri ty me shkollë dhe ti e ke për detyrë të shërbesh e t’ia shpërblesh”.
-Do hash dynjanë, - tha Afrimi, - për mua u gjend një vrimë në qytet.
-Urime, - pëshpëriti dhe vazhdoi rrugën nëpër diellin e nxehtë të fundgushtit. Nuk shihte asgjë, veç hapave të tij të lodhur e të rënduar nga fyerja. Ishte një fyerje e rëndë, që ai si shkrimtar po e quante me një term tepër pompoz “fyerje shtetërore”, prandaj qe tepër e rëndë, sidomos për një si ai, të sapoemëruar, diku në humbëtirë. Nuk mendonte gjë tjetër, veç të arrinte sa më shpejt në shtëpi e të bëhej gati për udhë. Prindët e kishin mbajtur katër vjet në shkollë, duke u ngushtuar së tepërmi dhe ai e ndjente për detyrë ta gëlltiste “fyerjen shtetërore”, sado e rëndë të ishte, për hir të pagës që do të merrte. Duhej të takonte edhe Ladinën, të përballonte rënkimet e saj për atë emërim të papritur. Ajo që tani kishte filluar të mburrej se djali i saj, domethënë ai me të cilin do të martohej, do të jepte mësim në gjimnaz, mu në zemër të qytetit, do të zinte miq me peshë e jeta diçka do të sillte.
Ndjeu për herë të parë se jeta ishte çuditshme. Ajo kishte ngritur krejt papritur para tij disa enigma që as i kishte ëndërruar ndonjëherë. “E papritura”, mendoi ai, “mos vallë kjo është jeta dhe jemi të pambrojtur prej saj”?

Alberti
Legjendë
Legjendë

Postime Postime : 41743
Gjinia Gjinia : Male
Anëtarësuar Anëtarësuar : 23/11/2009
Mosha Mosha : 35
Hobi Hobi : Tenisi

Mbrapsht në krye Shko poshtë


Hiqmet Meçaj - Kukullat e Pyllit (roman) - Faqe 2 Empty Re: Hiqmet Meçaj - Kukullat e Pyllit (roman)

Mesazh nga Alberti Thu 14 Oct 2010 - 23:17

KAPITULLI I NJËMBËDHJETË




1

Kot së koti u nxeh me Billin. Jo fare kot së koti, se Billi, si drejtor që ishte, donte të tregohej autoritar me të, të dëgjonte nga goja e vartësit “po drejtor, si urdhëron” e me që Admeti, në vënd që t’i thoshte “po drejtor, si urdhëron”, nuk ia vari fare, Billi e urdhëroi t’i shkonte në zyrë. Admeti, përkundra, u nis për në klasë. Drejtori, kuptohet, pasi do ta priste pas skrivanisë duke marrë poza nga më të ndryshmet, pasi të mendonte se ç’do t’i thoshte atij “rrugaçit nga qyteti” që t’i dridheshin leqet e këmbëve, si pa që kaluan disa minuta e ai s’po i bindej urdhërit të vinte, e humbi durimin fare, harroi të gjitha ç’do t’i thoshte, doli në koridor dhe pyeti Virin mos e kishte parë në ç’vrimë qe futur. Viri si Viri, një hop u zu ngushtë, pastaj bëri me kokë për nga dera e klasës, pikërisht kur Admeti po dilte dhe e zuri mësuesen me shkrim të bukur duke e spiunuar. Viri iku me të shpejtë, që burrat të lanin hesapet me njeri tjetrin pa qënë ajo aty, se kur ta pyesnin, do t’i duhej të spiunonte prapë o njërin o tjetrin dhe ajo qe mërzitur me atë djallo zanat. Pikërisht atëherë Admeti do t’i bërtitiste Billit me fjalët më të ndyra, mu në mes të tempullit të dijes, siç është shkolla, megjithëse më tepër ngjante me ahur, pa marrë parasysh se mund ta dëgjonte ndonjë nga nxënësit e sharjen ta merrte vesh i gjithë fshati. “Shqitu me të mira nga unë, Bill drejtori”, do t’i thoshte, “se do të të shkërdhej Virin ”. Aty e kuptoi Admeti që bëri gabim të madh, më mirë t’i kishte thënë diçka të ndyrë për drejtorllëkun, ose edhe për gruan, kurse për Virin... E kishte fyer më rëndë se ç’duhet!
“O ti o unë këtu”, do t’ia mbyste Billi, megjithëse e dinte fare mirë që nuk mund të thoshte gjë në asnjë zyrë për atë sharje që s’ta nxinte goja, jo se kishte fjalë, që nuk duheshin thënë në tempullin ahur të dijes, por sepse ata të zyrave, që s’ishin fare budallenj, do përpiqeshin të gjenin lidhjet midis sharjes, Billit e Virit. Tërkuza do të bëhej litar, litari mund të formonte nyje dhe kushedi, në atë nyje gabimisht mund ngecte edhe qafa e tij e hollë. Prandaj do të ndërronte menjëherë ton, do të harronte ç’i kishte thënë, do t’i hidhte Admetit dorën në sup duke i pëshpëritur “vërtetë të pëlqeka Viri?”, që do ta bënte Admetin të gajasej e t’ia plaste “ta kam lënë ty me gjithë shkrimin e saj të bukur”. Pas kësaj sherri do të mbyllej, Billi do të mallëngjehej sikur në ato çaste të kishte gjetur vëllanë e vogël që i kishte humbur prej vitesh, do t’i thoshte se këtë “dreqo barrë të drejtorllëkut” do ta mbante sa të mbyllej viti dhe ai gjatë kësaj kohe të mos ta çante kokën për asgjë se “njëri tjetrin kemi për çdo hall e të keqe, vëllaçko”.
Admeti si tip prekej shpejt, por kësaj radhe u prek më shpejt se ç’duhej. Kishte mësuar rastësisht, fare rastësisht se nga të tria çupat që kishte Baxhua, ajo e madhja paskësh lindur epileptike. Thoshin, se kur e zinin ato (qoftëlarg!), rrëzohej në shesh e shkumonte, shkumonte e shkatërronte, sa të nxihej jeta ta shikoje ashtu. Njerën, atë të dytën e kishte grua ambasadori, kurse e treta qenkësh e madhja e një ministrie që bënte sikur merrej me botën përjashta.
Mirëpo Baxhua nuk i dha Billit për grua as të dytën e as të tretën, po pikërisht të parën, atë që rrëzohej në shesh e shkumonte, sepse, siç e kishin dëgjuar “atë donte më shumë nga të tria”. Kishte bërë dhe dy fëmijë Billdrejtori me të, kundër këshillës së doktorit, të dy djem, po Admeti asnjëherë s’i kishte parë, se s’ishin për t’u parë. Njeri, që tani duhej të qe rreth të pesëmbëdhjetave, nuk linte shkopinj e hunj gardhi pa shkulur, i grumbullonte mu në qendër të fshatit dhe u vinte zjarrin natën duke uluritur si ujk Bënte edhe paudhësira të tjera, siç thoshin, se Admeti s’e kishte parë, mbante ca fjalime pa kuptim, po duke bërtitur e uluritur “poshtë!” e “rroftë”, por që nuk kuptohej mirë kush duhej të ishte “poshtë” e kush duhej të ishte “rroftë”. Kur e zinte një frymëzim i tillë, nuk kishte burrë nëne t’i qasej, se të qëllonte me hunjtë e shkopinjtë e ndezur dhe po të shpëtoje paq e kishe qelepir.
I dyti kishte huqe të tjera më të lezetshme. Hynte nëpër kotece, ahure, stalla e ku nuk ta pret mëndja për të bërë të pabërat e tij. Kapte mace, qen, keca e qëngja, deri te breshka, zhapinj e gjarpërinj, i rripte të gjallë duke u kënaqur me llahtarën e tyre. Të nesërmen në mëngjes, secili shikonte të varur te porta gjënë e vet, pa lëkurë, tek pikonte ende gjakun që nuk kishte ngrirë. Qe tepër i përpiktë i dyti, mbante mend mirë kujt i përkisnin, bile edhe zhapinjtë e gjarpërinjtë, tek i ndante me saktësinë e një njeriu që mbante shënime të hollësishme.
U rrënqeth e u lemeris kur si pa dashje tha me vete “po sikur Billit t’i kishte shkuar në mënd të bënte jo dy, po nja dhjetë djem të tillë? Atëherë, jo vetëm Kajatit, po gjithë krahinës do t’i duhej të shkulej nga vëndi e të ngulej diku gjetkë, sa më larg nga marifetet e lezetshme të djemve të Billit”.
Këto solli nëpër mënd Admeti, prandaj, si tip që prekej shpejt, kësaj radhe u prek edhe më shpejt se ç’duhej, ia fali atij lumëziut të gjitha, edhe dehjen, kur e hodhën si thes mbi një mushkë e ai do të thoshte të nesërmen “më pa ashtu fshati?”, por sidomos edhe atë shprehjen “mësuesi dogji shkollën bashkë me nxënësit për hakmarrje”, që të çonte patjetër te ajo vrima e qenit ku hyje për shtatë vjet e nuk dilje më as për tridhjeteshtatë. Ai i fali atij dhe Virin, e cila vërtet qe pak e shëmtuar, me një bllamë të zezë në zverk, me ca sy të vegjël e të trembur, por që kishte pa dyshim shkrim të bukur e ia zëvendësonte gruan ndonjë natë, kur fshiheshin e harroheshin rastësisht nëpër xhepat e shkollës. Se Billi, nuk mund të ishte njeri aq i keq, mirëpo të kesh në shtëpi një grua që shkumon e shkatërron, një djalë që i shkul e i djeg hunjtë mu në qëndër të fshatit, që ulurin si ujk e mban fjalime me “rroftë” e “poshtë”, por sidomos një tjetër djalë që t’i var te porta kafshët e rrjepura si me një listë të përpiktë, patjetër diçka do të të lëvizë nga mëndja, ndonjë dërrasë do të të shkasë e ca vida do të të lirohen.

Alberti
Legjendë
Legjendë

Postime Postime : 41743
Gjinia Gjinia : Male
Anëtarësuar Anëtarësuar : 23/11/2009
Mosha Mosha : 35
Hobi Hobi : Tenisi

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Hiqmet Meçaj - Kukullat e Pyllit (roman) - Faqe 2 Empty Re: Hiqmet Meçaj - Kukullat e Pyllit (roman)

Mesazh nga Alberti Thu 14 Oct 2010 - 23:17

2

“I shkreti Bill”, do të shfrente brenda vetes kur të dilte jashtë, ku nuk e dinte se e priste nxënësja e tij e bukur, që e kishte puthur aq nxehtë atë ditë kur shpiku “ulurimën”, për të cilën edhe ai kishte filluar diçka të ndjente, sepse “nuk donte të ishte pykë si të tjerët”. Prej saj do të merrte lajmin e madh për xhaxhababanë që nuk do të kthehej më në fshat, po do të rrinte përgjithnjë në kryeqytet, se e kishin emëruar drejtor në një ministri që blinte e shiste me ata të përjashtmit. “Sikur t’i thyeja edhe unë nja katër brinjë”, do të mendonte Admeti, “më çojnë në ndonjë ministri”?, kur Lina do t’i thoshte “unë nuk iki”, me tepër solemnitet, siç betohen të dashuruarit në raste të tilla, gjë që do të ishte mallëngjimi i dytë i madh brenda asaj dite për Admetin. Më pas do të vinte me vrap një nga nxënësit e tij që thyente rekordin në andrat e trupit e do ta njoftonte që larg, jo pa iu marrë goja “më tha drejtori se një vajzë e bukur ju pret para klubit”. Lina do të skuqej kur të dëgjonte fjalët “një vajzë e bukur”, ai do të ngrinte supat e do të nxitonte për ta parë e takuar atë gjënë që thoshin se ishte e bukur e që i kishte ardhur si e rënë nga qielli, kurse Lina do të nisej një hop pas tij, patjetër për t’i vëzhguar nga e përpjeta e kodrës.

Alberti
Legjendë
Legjendë

Postime Postime : 41743
Gjinia Gjinia : Male
Anëtarësuar Anëtarësuar : 23/11/2009
Mosha Mosha : 35
Hobi Hobi : Tenisi

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Hiqmet Meçaj - Kukullat e Pyllit (roman) - Faqe 2 Empty Re: Hiqmet Meçaj - Kukullat e Pyllit (roman)

Mesazh nga Alberti Thu 14 Oct 2010 - 23:17

3

E pa që larg tek bënte poshtë-lart në pritje të tij. Ishte një vajzë me trup të hollë e flokë të gjatë, veshur me minifund shumë të shkurtër përmbi gju, ngjarje kjo që s’kishte si të mos mblidhte gjithë ata burra t’ia shijonin me sy, jo pa neps, kofshët dhe gjoksin e derdhur me art. Vetëm kur të afrohej do të dallonte te e porsaardhura tiparet aq të dashura të Ladinës, do t’i merrej fryma nga malli dhe nuk do të mundëte t’i thoshte dot as atë shprehjen kallëp “falemnderit shumë që erdhe”.
Pastaj ajo do t’i hidhej në gjoks, do ta shfrente mallin që e digjte përbrënda muaj të tërë, do t’i varej në sup e do t’i linte gojëhapur të gjithë sehirxhinjtë kur ta puthte në buzë pa u shqitur për minuta të tëra. “Hajde të puthur që bëkan këto qytetaret në klimë malore”, do të shkaktonte një batare të qeshurash dikush, po që ata as e panë, as e dëgjuan. Të dy nuk e çanë fare kokën për ç’u tha e nuk u dëgjua, se e ngjitura buzë më buzë ua kishte shurdhuar veshët e ua kishte mjegulluar sytë, duke lënë vetëm prushin të digjej e të përvëlohej pa lënë pikë hiri e pa nxjerrë fjollë tymi.
-Ke ndryshuar shumë,- do t’i thoshte ai.
-Edhe ti,- do të mërmëriste ajo pas tij.- Ke marrë pamje burri.
Pasi ta shikonte gjatë në sy, pasi t’i rregullonte pak jakën e xhaketës “erdha”, do t’i thoshte, “se ti humbe”.
Vërtet kishte humbur për muaj të tërë, qe bërë dhe ai njeri pylli, me kokën nën një qiell të drunjtë, me pak re e ajër të rralluar.
“Sa muaj u bënë pa zbritur në qytet?”, por ai nuk do të përgjigjej.
“Të kam pritur, të kam pritur shumë të vije”, por ai prap nuk do të përgjigjej.
Si mund të përgjigjej një njeri që ishte mësuar t’i rridhte koha së prapthi, të bëhej plak dhe fëmijë, ta quanin Baxho dhe Shaho, të kishte një çetë të madhe që pastaj e bënte batalion dhe, kur e shpërndante batalionin, bënte garën e shurrës me ushtar-policin që e ruante, i cili kishte zakonin e keq t’ua shqyente shalët grave. Pastaj, asnjeri s’e dinte që ai ngrihej natën, hipte mbi një rrap të madh, shkelte mbi një rrugë të verdhë, qielli ia shuante vetëtimat te thëmrat e koha i ngecte e i rridhte qull e trashë, kur copëtohej e binte poshtë, mu mbi shkollën që ai e digjte për hakmarrje.
Ladinës iu dhëmb ky Admet pak si tjetër, vuri re te tëmthat disa fije të bardha që gabimisht i lidhi me pleqërinë, por që nuk e dinte se ato i kishte marrë përkohësisht hua, ca nga Besua e ca nga Nikua, që kërkonin prej kohësh varrin e tyre, se kishte njerëz që thoshin t’i kishin parë të veshur herë me të bardha e herë me të zeza duke ardhur rrotull, duke thënë “duhet të jetë këtu”, por pa qënë të bindur, prandaj vazhdonin më tutje sa për të thënë prap “mund të jetë edhe këtu”. Ata loznin e loznin si dy çamarrokë, nuk u shkonte fare në mëndje se kishin vdekur e si kishin vdekur, vërtiteshin vetëm natën, se ditën flinin, po s’e ku, asnjeri s’e dinte, kurse Admeti vinte kot së koti ca thinja të holla nëpër tëmtha, sa për ta bërë Ladinën të prekej tek i shikonte.
“Kemi kohë dy orë”, e përmendi ajo. “Më ço diku ku të mos na shohin” dhe pa orën.
Vajza i hodhi krahun. U nisën përpjetë përroit për të humbur mes pyllit të lartë me rrepe. Aty do të shtroheshin përdhe mbi ca fier të dëndur ku Ladina do t’i binte përsipër për ta mbuluar me afshin përvëlues të trupit. Më vonë, menjëherë pasi Ladina të hipte në postë për t’u kthyer në qytet, ai do ta merrte vesh që shumë i kishin parë kur i bënë të gjitha. U erdhi mirë atyre kur ajo vajza e hollë me minifund, që ngjante më shumë me artiste kinemaje, filloi të ecte duke çaluar, sepse kuptuan që Admeti ia rrëmbeu çëk-fët virgjërinë, pa ia bërë tërt syri nga gjithë ata sy të babëzitur që e vëzhgonin fshehura.
Po asnjë nga ata nuk e dinte që ajo vajza kishte ardhur t’i thoshte se qe fejuar. Nuk dinin as sa vjet dashuroheshin ata të dy, se s’kishin si ta dinin pa ua thënë njeri. Po të merrnin vesh që shkaku i fejesës së vajzës me një tjetër, na paska qenë Kajati i tyre, do ta shanin patjetër rëndë Kajatin, se një vajzë si kjo, që ngjante me artiste kinamaje, e dashka shumë këtë “rrugaçin e tyre”, që nuk ia bën tërc syri nga asnjë, prandaj kishin filluar edhe ata ta donin shejtanin. Ata nuk e dinin që edhe virgjërinë ajo ia fali vet, për inat të asaj fejese, prandaj udhëtoi deri këtu te ky fshat i mallkuar në gryka malesh, që pikërisht këtu ta shfrente inatin për t’u çnderuar me dashje, duke i thënë Kajatit “mbaje si njollë turpi gjakun tim të vajzërisë”. Ajo do t’i thoshte edhe “tërë jetën, sa herë të kujtoj Admetin përmes lotësh, po mes lotësh do të të kujtoj edhe ty, fshat i mallkuar”. Patjetër i tha këto fjalë, megjithëse asnjë nuk i dëgjoi, se ishin futur thellë, mu poshtë gjoksit të saj të derdhur, aty nën krahun e majtë, ku rrinë të fshehura thellë ca ndjenja, që jo kot së koti i quajnë herë dashuri e herë urrejtje, sepse janë të pleksura aq keq me njera tjetrën, saqë nuk mund t’i shqitësh dot.
-Kësaj nuk di ç’emër t’i vë,- tha Admeti.- Nuk mund ta quaj dot ndarje.
-Edhe unë,- tha Ladina.
-Jo po seç thonë që ndarja ka ca lotë, ca sharje, “ e ke fajin ti, s’e kam unë”, ca betime me surrat të skuqur për hakmarrje. Duhet të ketë edhe “si ti nuk do dua njeri tjetër tërë jetën”, ca profka e myqe të ngatërruara, që nuk di se nga i nxjerrin, “pa ty nuk rroj dot” dhe pastaj rrojnë rehat një jetë tërë, që ç’ke me të, me atë tjetrin,- do të derdhte ligjëratën e tij të gjatë Admeti, që Ladinës iu duk së tepërmi e masakruar.
Mirëpo më pas edhe ai nuk do të ndryshonte shumë nga ata të tjerët, do të ndjente sikur ishin gati t’i lëngëzoheshin sytë, që ishte gjëja më trembëse për të, prandaj diçka do të shpikte, do të kapte një milingonë e do t’ia vinte asaj në pëllëmbë të dorës, duke bërë shakanë më të trashë që mund të jetë dëgjuar ndonjëherë “po unë, mos ngjaj ca si shumë me këtë milingonë”?
Ladinës iu desh të qeshte mes lotësh, megjithëse atij iu dukën si diçka tjetër, prandaj tha si **** “nuk e dija që edhe sytë djersijnë”. Po ajo s’e dëgjoi. Mbante shtrënguar fort në dorë milingonën, që vërtet iu duk se ngjante ca si shumë me të, kaq e pafajshme dhe e pambrojtur siç ishte, kur lëvizte e trembur mes gishtave të saj.
Kështu u ndanë, thjeshtë, atë e mori duke çaluar posta që e kishte prurë, pasi nxorri ca shtëllunga të pista tymi dhe e mbushi rrugën me pluhur të dëndur, që Admeti nuk deshi ta shkundëte më nga rrobat. Ishte ndoshta i vetmi kujtim që donte t’i mbetej nga Ladina dhe për çudi do t’i dukej se nuk ndodhi gjë, nuk erdhi askush dhe nuk iku askush. Megjithatë, tani që ajo s’ishte më aty, mendoi se do të qe më mirë të kishte ndenjur edhe ca, sa t’i mërmëriste të paktën “e thashë me shaka, nuk jam bërë ende milingonë”.

Alberti
Legjendë
Legjendë

Postime Postime : 41743
Gjinia Gjinia : Male
Anëtarësuar Anëtarësuar : 23/11/2009
Mosha Mosha : 35
Hobi Hobi : Tenisi

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Hiqmet Meçaj - Kukullat e Pyllit (roman) - Faqe 2 Empty Re: Hiqmet Meçaj - Kukullat e Pyllit (roman)

Mesazh nga Alberti Thu 14 Oct 2010 - 23:18

4

Për herë të parë e pa atë, djalin e madh të Billit, jo natën, po ditën. Kishte shkulur e mbledhur gjithë ata hunj gardhi, u kishte vënë flakën dhe bërtiste më shumë “lartë” se “poshtë”, pastaj ulurinte si ujk. Asnjë nuk i afrohej. Nuk ngjante fare me atë kafshën, të cilës ia kalonte në ulurima, s’ishte as gri, as i murrmë, vetëm sytë i kishin pak si njëlloj, me atë shkëlqimin e egër. Flokët e gjatë e të verdhë i vareshin deri te mesi, (kush guxonte t’ia priste), i tundeshin si krifë sa herë bënte zërin si ajo kafsha e murrme në gri, rrotullonte hunjtë e ndezur dhe i hidhte përpjetë si fishekzjarre të llahtarshëm. Të gjithë ata që e panë thoshin se kjo kishte lidhje me Billin, që u bë kryetar në vënd të ishkryetarit dhe prisnin me lemeri ç’do të bënte i dyti natën e ç’do të gjenin te porta nesër në mëngjes, të varur e pa lëkurë, tek rridhte gjaku i pangrirë. Kishte nga ata që këto nuk i quanin më lodra se u dhimbte zemra, jo vetëm për qen e mace, por edhe për zhapinj e gjarpërinj të rrjepur, por që ishin ndjenja të kota, se në Kajat s’pinin ujë prej kohësh.
Të gjitha këto do të ndodhnin ditën kur Admetin ta thërritnin ata të parisë të shkonte me ngut se do t’i thoshin diçka të rëndësishme. Nuk e dinte se atje do të shikonte gjënë më për të qeshur të botës, që po ta tregonte, nuk do t’ia besonte njeri. Në vendin kryesor qe ulur Billi, veshur me një kostum të vogël për trupin e tij të gjatë që kishte hyrë në të sikur e kishin ngjeshur e shtypur. Mëngët i vinin pak më poshtë bërrylave, kurse këmbët nuk ia shikonte, po e merrte me mënd, do të ishin pak më të gjata se pantallonat e shkurtëra. Jakën e madhe të këmishës, brenda së cilës qafa e Billit ngjante si cipal, e kishte mbështjellë një gravatë lidhur me kokë të madhe, që tundej edhe kur sapokryetari nuk lëvizte. Admeti filloi të qeshte si budalla në prani të asaj parie aq serioze, ku shquhej njëvetulla e trashë e Baxhos, ndërsa tre të tjerët qenë të parëndësishëm aq sa Admeti mendoi t’i quajë askushë.
Billit ia kishin lënë t’ia shkoqiste atë gjënë me peshë, për të cilën e kishin thirrur, po ai edhe në kohën kur kryetari i ri e nxorri më në fund të fshehtën e thirrjes së tij me aq ngut, vazhdonte të qeshte si budalla, kuptohet, jo me zë, po mbyturazi. Vetëm kur u ngrit të thoshte pa pikë falënderimi brënda, “më mirë se unë këtë punë e bën Viri, se ka edhe shkrim të bukur”, vetëm atëherë u bë disi serioz, kurse ata të parisë heshtën disi të çuditur, megjithëse e dinin se kishin shumë kërkesa të tjera “për të drejtuar shkollën”, kurse ky birkua këtu s’desh dhe propozoi Virin, gjë që pa tjetër e kënaqi së tepërmi Billin, po asnjë, veç Admetit, nuk e kuptoi. Bile këtë propozim do t’ia kishte borxh për tërë jetën, sepse ishte shënjë që, jo vetëm ia kishte falur atij përgjithnjë Virin, por tani mund ta thërriste në çdo kohë mësuesen me shkrimin e bukur t’ia zëvendësonte më dëndur gruan nëpër xhepat e fshehtë të kryesisë.
“U bëftë siç the ti”, do t’i shprehej Baxhua kur ta përcillte deri te dera, pa harruar të shtonte edhe kërkesën e Linës “të mos harronte t’i shkonte në shtëpi për mësimet”.

Alberti
Legjendë
Legjendë

Postime Postime : 41743
Gjinia Gjinia : Male
Anëtarësuar Anëtarësuar : 23/11/2009
Mosha Mosha : 35
Hobi Hobi : Tenisi

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Hiqmet Meçaj - Kukullat e Pyllit (roman) - Faqe 2 Empty Re: Hiqmet Meçaj - Kukullat e Pyllit (roman)

Mesazh nga Alberti Thu 14 Oct 2010 - 23:18

5

Plaku Shaho që nga ajo natë plakej çdo ditë e më tepër, zbardhej në fytyrë e kërrusej në trup, megjithëse atë natë nuk u tha gjë që ta rëndonte, sepse ajo natë ndoshta nuk kishte ndodhur.
“Mirë që theu qafën”, kishte thënë për kryetarin, “se po të më kishte bërë perëndia kriminel, do ta kisha qëruar me këto duar prej kohësh”. Pastaj do të shtonte “këtej e tutje nuk do të ketë më fantazmë që ngrihet natën, se xhindi iku”, fjalë që Admetit iu dukën si të thëna kot së koti dhe krejt pa kuptim
Kur të mbaronte së thëni këto, do t’i dridheshin zëri e duart dhe do t’i kërkonte t’i sillte shënimet. Kur ta merrte fletoren e trashë, do ta shikonte gjatë me dashuri që nuk shprehet, pastaj do t’ia griste një e nga një fletët për t’i hedhur në zjarr. Admeti nuk do të bënte dot asgjë për ta ndaluar, do të thoshte i pikëlluar me zë të ulët “më mbetën edhe shumë faqe pa lexuar”, por asgjë nga këto nuk do ta ndalte plakun të kryente asgjësimin e atyre që i dinte vetëm ai dhe s’ishte mirë t’i dinin edhe të tjerët. Ai shikonte ngjarjet se si përvëloheshin nga flaka, dridheshin e kërcisnin si qënie të padukshme që japin shpirt e ktheheshin në një hi të zi që shkërmoqej e binte pa pikë mëshire në të gjitha qoshet e vatrës. Kur të mbeteshin vetëm kapakët me dy tre faqe të bardha, do ta ndalonte zhurmën e rëndë të grisjes e do të thoshte “mbaroi edhe kjo”, që Admetit iu duk sikur tha “mbaroi jeta ime”.
-Nuk mund të bëhemi të gjithë shkrimtarë, - u mundua të qeshë plaku.
Admeti s’u përgjigj. Plaku qe tepër i rënduar dhe priste që ai ta pyeste, ta nxiste të fliste, t’i thoshte përse e shkatërroi dhe atë pak gjë të vyer që i kishte mbetur nga e shkuara. Por Admeti heshtëte, i dukej sikur diçka e pangushëllueshme kishte vdekur aty pranë, në sy të tij dhe nuk dinte më ç’të thoshte.
-Trillojmë disa gjëra, - do të vazhdonte plaku, - i mbushim mëndjen vetes që kanë ndodhur dhe u besojmë atyre e jo asaj që vërtetë ka ndodhur.
-Pse, - do të ndërhynte Admeti,- nuk ka ndodhur asgjë nga ato ?
-Kurrë, - do të thoshte plaku. - U përpoqa të shkruaja një roman pa vlera, mbushur trillime e fantazira fund e krye. Edhe tymin në zjarr, nuk e pe, e nxorrën të zi si pisa.
Asnjëherë nuk e kishte ndjerë veten kaq të fyer Admeti, sa sonte. Kishte filluar të mos kuptonte, çdo gjë iu vesh në mjegull, po i mohonin ato që kishte besuar, po i thoshin se vetëm një budalla nuk mund të dallojë dot të vërtetën nga trillimi. Nuk dinte, ndodhej para një krimi apo para një pastrimi? Nuk dinte, të qeshte apo të qante? Plaku para tij vazhdonte të zbardhej edhe më në fytyrë, shpina i kërrusej e i kërrusej, kurse flokët e gjatë, që i krijonin pamjen e një dijetari, ia mbulonin krejtësisht profilin.
-Po Xhuzepja, - ngriti zërin Admeti, - ka qënë Xhuzepja?
-Jo, - tha qetë plaku.
Iu desh t’i numëronte shumë emra dhe ngjarje që tashmë i njihte mirë, se edhe ai i kishte jetuar duke hyrë brenda tyre, kur koha i ecte së prapthi. Edhe ai kishte pirë kafe në Espresso, qe futur në laboratorin e të famshmit profesor K.K., qe takuar me Nikun dhe kishte hedhur firmën në një peticion kundër pushtimit të vëndit të tij. I kujtohej fare mirë kur u kthye në Kajat pas gjashtë vjetësh, me dhurata për nënën e Baxhos, kur Xhuzepja i kishte thënë të mos ta merrte vesh njeri se dërgoheshin nga ana e tij dhe më pas qe takuar me banditin Baxho, fshehurazi, në një shpellë të malit. Të gjitha këto , sipas tij, kishin ndodhur, siç kishte ndodhur edhe dashuria me Nildën, të cilën ai mund ta njihte fare mirë në një milion gra, se e kishte takuar kaq herë nëpër netët që bëhej Shaho, atje në qytetin F. matanë detit.
-Ka qënë bandit Baxhua, ka vrarë e ka grabitur?
Plaku do të mohonte.
-Nikun, babanë e Ritës, nuk e ngrite nga pluhuri kur e hodhën përmbys në qëndër të Kajatit?
Plaku do të mohonte.
-Nuk ke qenë kurrë doktor i shkencave gjenetike?
-Kurrë, - do të thoshte me vendosmëri plaku.
-Po me Nildën si u dashurove?
-Nuk kam njohur ndonjë Nildë, - do t’i shuhej zëri plakut. - S’jam larguar asnjëherë nga fshati im.
Papritur iu duk vetja njeri krejtësisht i besdisshëm, me tërë ato pyetje të kota, kur tjetri i thoshte se të gjitha qenë trillime, një përpjekje e dështuar për roman, se njeriu që kishte përballë nuk qe larguar kurrë nga fshati i tij e s’kish si të studjonte e të merrte titull shkencor në një fshat të humbur me emrin Kajat. Ndaj filloi të qeshë, në fillim ngadalë, pastaj gjthnjë e më fort, në fillim vetëm, pastaj bashkë me të edhe plaku me profil shkencëtari të rremë.
-Ky është mashtrimi më i bukur, - do t’i thoshte. -Falemnderit xha Shaho.
Xha Shahua, kuptohet, do ta ndërpriste menjëherë të qeshurën, do ta shikonte me sytë e mjegulluar, do të ngrinte në atë pamje dhe do t’i thoshte “nuk kam mashtruar kurrë njeri”. Dhe kur ta pyeste për xhindin që iku, për fantazmën që nuk do të ngrihet më të flerë majë pemës e sidomos për të fshehtën e rëndë të Pelos pas plagosjes poshtë barkut, plaku diçka do të mërmëriste.
Tashmë Admeti kishte kaluar në një sulm të pamëshirshëm, shumë gjëra i rëndonin, nuk dinte të dallonte më midis trillimit dhe asaj që kishte ndodhur, prandaj i kujtoi plakut atë natë kur Rita i erdhi e alarmuar, se Pelua kishte menduar të vriste veten. Plaku qe në korridor kur dëgjoi Ritën të thoshte “eja të shtrihemi, jemi burrë e grua të shkretën”, kurse Pelua ishte dëgjuar të kishte thënë “mund të jesh burrë me këtë?”, duke i treguar asaj patjetër diçka të sakatuar, ndërsa ajo i ishte përgjigjur kot, sa për ta ngushëlluar, “edhe kaq mjafton”.
-Boll,- u mundua të bërtasë plaku, duke pohuar atë natë, për herë të parë, diçka që kishte ndodhur me të vërtetë.
Atëherë Admetit i vajti mëndja te të katër fëmijët, me të cilët kishte lozur atë ditë, ai nga brenda e ata nga jashtë, kur fshiheshin dhe ai i gjente, katër kokëbardhë tepër të ngjashëm, por që baba i tyre s’mund të ishte dikush, që quhej Pelo, sidomos pasi qënka dëgjuar t’i ketë thënë një natë Ritës “mund të jesh burrë me këtë”?
Pas kësaj plaku seç filloi të thotë disa gjëra të lidhura ngushtë me gjenetikën, që se ku djallin i kishte mësuar aty në Kajat, ku me sa dihej nuk kishte as universitet e as akademi, sepse sapo u tha që nuk kishte qënë kurrë në qytetin F. e nuk ishte diplomuar asnjëherë atje. Kuptohet, ato që filloi të thotë, qenë gjëra tepër të ngatërruara, me kromozone e alele, me kode që merren e jepen, të cilat një fare inginerie gjenetike mund t’i drejtojë nëpërmjet ndërhyrjeve tepër delikate, duke kryer atë që quhet klonim. Kurse procesi i bërjes së fëmijëve në mënyrë natyrale, sipas plakut s’qenkej fare i vështirë, boll të niseshin spermatozoidet në vendin e duhur dhe pastaj ata, si ujq të tërbuar, do të fillonin menjëherë sherrin e babëzitur për jetë a vdekje drejt vezës. Miljona e miljona do të flijoheshin në atë llahtari, vetëm njeri do të fitonte. Mirëpo plaku harroi të thotë se nga dalin ata ujqit e tërbuar, të quajturit spermatozoide, me ç’vegël do të hidheshin në vëndin e duhur, se dikush që qe dëgjuar të kishte thënë “mund të jesh burrë me këtë?”, nuk mund t’i lëshonte dot atje, ku do të fillonin sherrin për jetë a vdekje, ku miljona do të vdisnin e vetëm njeri do të fitonte. Kështu që Admetit iu desh t’ia kujtonte, pa e ditur se do të merrte nga ana e plakut një përgjigje pa pikë kuptimi “rëndësi ka që fëmijët të jenë vazhdim i fisit”.
Të dy i kishte lodhur së tepërmi kjo bisedë. Admeti hodhi edhe një herë sytë në vatër për t’u bindur përfundimisht që hiri i zi ishte ende aty, domethënë shënimet qenë djegur, sepse ishin një roman i shkruar keq, mbushur me trillime pa asnjë të vërtetë brenda. Për herë të dytë brenda ca ditëve pa para vetes një milingonë. E kapi me kujdes dhe ia vuri në pëllëmbë plakut duke përsëritur pikë për pikë ato që i kishte thënë Ladinës para se të largohej “po unë, mos ngjaj ca si shumë me këtë milingonë”?
E dinte, s’do të merrte përgjigje, se ajo shprehje ishte aq e trashë dhe e pakuptimtë, sa që ai që do ta dëgjonte do të qe i detyruar të besonte se përballë tij ndodhej dikush që kërkonte t’i rriste vlerat vetes duke u krahasuar me atë insekt të mrekullueshëm.

Alberti
Legjendë
Legjendë

Postime Postime : 41743
Gjinia Gjinia : Male
Anëtarësuar Anëtarësuar : 23/11/2009
Mosha Mosha : 35
Hobi Hobi : Tenisi

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Hiqmet Meçaj - Kukullat e Pyllit (roman) - Faqe 2 Empty Re: Hiqmet Meçaj - Kukullat e Pyllit (roman)

Mesazh nga Alberti Thu 14 Oct 2010 - 23:18

KAPITULLI I DYMBËDHJETË




1

Virit seç i kishte shkrepur në kokë të vishte ca fustane që asaj i dukeshin të bukura, pak të shkurtëra, të pudrosej lehtë dhe një e më dy ta thërriste në drejtori për t’u konsultuar kot së koti me të. “Diçka mësuan këto të fshatit nga ardhja e Ladinës”, do të mendonte. Mirëpo nuk ishte kaq e thjeshtë çështja, “se ai ia kishte falur Virin Billit, i kishte falur edhe drejtorllëkun”, kurse asaj i qe mbushur mëndja top, se tani, veç porsakryetarit fishko, mund t’i pëlqente edhe ndonjë tjetri, për shëmbull Admetit, kot s’e kishte thënë dikur ai atë shprehjen “ik, se do të të shkërdhej Virin”, që ajo e kishte dëgjuar jo krejt pa dashje, kur kishte përgjuar prapa derës dhe qe rrënqethur, aq shumë e kishte ngacmuar.
Iu dhimbs shumë Viri kur i kapi një ditë dorën me gishtat e ftohtë që i dridheshin, ndërsa sytë tepër të vegjël i puliteshin, sikur ia vriste ndonjë dritë e fortë. “Të gjithë gënjejnë, këtu dhe në gjithë zyrat e shtetit”, do t’i thoshte ajo me zë të ulët, sikur ta përgjonin. Ai nuk do të interesohej të mësonte përse e gënjenin, mirëpo Viri e thoshte mendimin e vet edhe pa ia kërkuar kush. Do t’ia vështronte për herë të parë me vëmëndje fytyrën dhe përsëri do të ndjente që do t’i dhimbsej më tepër kjo qënie e imtë, me atë njollën e madhe të zezë në qafë, kur të vinte re se duhej t’i kishte cikur të tridhjetat dhe po shndërrohej nga dita në ditë në një vajzë të plakur. “Ka dhjetë vjet që më gënjejnë”, do të rënkonte ajo “dhe çdo vit s’më lëvizin që këtej”.
Ai do të ngrihej pas atyre fjalëve, asaj do t’i binin pa fuqi gishtat e ftohtë mbi tavolinë, pasi të shkëputeshin nga dora e tij, në kohën kur do të mendonte “kot ia paska thënë Billit ato fjalë që më rrënqethën”, kurse atij do t’i përdridheshin në mëndje “e shkreta Viri, as drejtorllëku e ngushëlloka”.
Si gjithnjë, në oborr do ta priste Lina, e cila do t’i thoshte, jo pa u ngatërruar “sonte duhet të takohemi natën në pyll”. Nga të gjitha iu duk tepër pa vënd fjala “pyll”, por Lina nuk i dha shpjegime të tjera, vetëm i tregoi vendin dhe orën, duke e siguruar “s’do ta marrë vesh njeri”.

Alberti
Legjendë
Legjendë

Postime Postime : 41743
Gjinia Gjinia : Male
Anëtarësuar Anëtarësuar : 23/11/2009
Mosha Mosha : 35
Hobi Hobi : Tenisi

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Hiqmet Meçaj - Kukullat e Pyllit (roman) - Faqe 2 Empty Re: Hiqmet Meçaj - Kukullat e Pyllit (roman)

Mesazh nga Alberti Thu 14 Oct 2010 - 23:18

2

Sa herë që hynte prilli, gënjeshtari i madh, të cilit dikur, kur s’i kishte marrë ende hua thinjat, ca nga Besua e ca nga Nikua, i kishte kushtuar edhe një vjershë, shqetësohej shumë, ndjente t’i mungonin ato që kishte patur dhe i kërkonte nëpër ëndërra. Mund të ishin, mund të mos ishin ëndërra, s’ka rëndësi, ai hynte nëpër to pa trokitur e pa e thënë atë shprehjen kallëp: “S’më prisnit? Erdha”. Mirëpo ky gënjeshtar prill i sivjetshëm qënkësh ndryshe, s’kishte fare ëndërra, po vetëm zhgjëndërra, që kishte filluar prej kohësh të mos i dallonte dot njerën nga tjetra.
Sapo u nda nga Lina, i qe ngjitur të përpjetës pa e kuptuar fare, qe futur në shtëpi sikur s’kishte ecur. Gjëja e parë që i ra në sy, ishte mungesa e njerëzve. Gjëja e dytë, një sepete e madhe, gjysma dru e gjysma hekur. Në kapakun e saj shkruhej në një gjuhë të huaj, që Admeti e njihte mirë, “Dhuratë Shahos nga Nilda”, gjë që s’mund të mos e trondiste, sidomos pas bisedës me plakun atë natë, kur mori vesh se edhe Nilda na paskej qenë njeri i trilluar. “Një njeri i trilluar mund të dhuroka, bile edhe një baule të rëndë, gjysma dru e gjysma hekur”, u shfreh ai. I hipi inati, aq i madh qe, saqë e hapi kapakun duke e përplasur me forcë për muri, aq sa edhe murit i kërcitën brinjët e rënkoi tek rrëzonte copa të mëdha suvaje. Pa me zemërim një kuti të vjetër e të ngrënë nga koha që e hapi me aq tendosje, sa gati e shqepi. Ishte e mbushur me vegla të ndryshme ndërtimi dhe me një shënim që lexohej me vështirësi, po në atë gjuhë të huaj, se Xhuzepja ia dhuronte Shahos, sidjalit të tij, ato sende që dikur i ishin bërë aq të vyera në Kajat. Më pas i zuri dora një album të trashë, fshehur brenda një thesi, ku kuptohej që veç albumit kishte diçka si rrobë, mbështjellur me kujdes. E mori albumin, e vuri mënjanë, pastaj nxorri ato që iu dukën si rrobë. Ishte një kostum i qepur në vend të huaj, pikërisht si ata të filmave të viteve dyzetë. Poshtë kostumit, po brenda në thes, gjeti dy diploma; njera ku shkruhej se studenti mbaronte studimet me përfundime të arta dhe titullohej gjenetist, kurse tjetra titulli i doktoratës, edhe ai i vlerësuar me pikët më të larta.
I grumbulloi të gjitha me inat edhe më të madh, sikur të nxirrte të vërtetën nga errësira e gënjeshtrës, shkoi në dhomën e tij dhe, e para gjë që do të bënte, do të ishte hapja e albumit.
Pa atje një djalë të ri, të pashëm e luksoz, të quajtur Shaho, që nuk ngjante fare me këtë biçimin e plakur të tanishëm, në krah të të cilit rrinte gjithnjë e njëjta vajzë, që për Admetin nuk ishte më e panjohur. Shahua referonte në katedër, provonte nëpër tubëza të hollë qelqi në laborator, pinte kafe me wiski në kafene Espresso. Pastaj profesor Xhuzepja, tepër i plakur, mbështetur në bastunin e tij të zi, profesori K.K., të tria vajzat e Xhuzepes, që e kishin vënë në mes. Ishin vite të lumtura, mbushur me suksese e dashuri verbuese, prandaj i picërronte sytë në të gjitha pozat. Admeti ndjeu se po rrënqethej. Tani i kuptoi fare mirë ato që kishte shkruar plaku për ca farëra të buta e ca të egra, për njëfarë degjenerimi e shkatërrimi, që nëpërmjet fotografive kuptohej se paskësh qenë tepër i madh.
Iu duk sikur po shikonte fantazma që kishin ardhur dhe humbur në një kohë tjetër, që s’mund të quhej as jetë, as ëndërr, por thjesht trillim. A nuk ishte trillim edhe Nikua që përqafohej me Shahon, m’u në zyrën e tij, veshur me atë kostumin e bukur, pikërisht pak ditë para se të shkatërrohej përfundimisht? Buzëqeshte si i humbur, me pak trishtim të fshehur nëpër sy, duke u përpjekur të kuptojë përse do të duhej të ishte një kujtim i hidhur, pikërisht pas ca ditëve, përse djali i madh do t’i vritej burgjeve dhe emri i tij do të duhej të lidhej me atë të Besos, kur së bashku netëve do të kërkonin varrin që s’e kishin?
Tronditja qe tepër e madhe. E la albumin, hapi kostumin dhe provoi ta vishte. U pa në një pasqyrë të vogël, rrjepur vënde- vënde dhe u bë plotësisht Shaho, ardhur nga një kohë tjetër, që s’kuptohej fare në ishte e shkuar, e ardhme apo e tashme.
Paskej qënë tepër bukur të ishe për ca kohë Shaho. Jetoje në një botë me gjëra tepër të vockëla, që të tjerët s’i kuptonin fare. Hyje nëpër ca që quheshin qeliza, njëlloj si të futeshe në mëhallën tënde të njohur e aty lozje me orë të tëra nëpër peisazhe pa diell e pa hënë, po ngjyra ama kishte. Se nga vinin ato, nuk dihej, se ishte një botë tjetër, tepër e vockël, që ndërtonin atë botën tjetër tepër të madhe, ku kishte diell, hënë e yj, ku kishte njerëz, krimba dhe ujq. Mos pandehni se dhe atje nuk bëhej luftë, nuk kishte ndërtim dhe shkatërrim, dashuri dhe urrejtje. Kur u bë Shaho, ai i pa të tëra, i dashuroi dhe mendoi se pa to nuk mund të rronte dot më. Mirëpo ia morën atë botë të vockël, e përplasën në një tjetër më të madhe, tepër të zhveshur e të egër, ku nuk mundi të mësohej dot.
Dhe e zuri gjumi.

Alberti
Legjendë
Legjendë

Postime Postime : 41743
Gjinia Gjinia : Male
Anëtarësuar Anëtarësuar : 23/11/2009
Mosha Mosha : 35
Hobi Hobi : Tenisi

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Hiqmet Meçaj - Kukullat e Pyllit (roman) - Faqe 2 Empty Re: Hiqmet Meçaj - Kukullat e Pyllit (roman)

Mesazh nga Alberti Thu 14 Oct 2010 - 23:18

3

U fut në pyll pa e çarë kokën në e ndiqte njeri apo jo, në ishte në ëndërr apo në zhgjëndërr. Po shkonte të takonte Linën, në vëndin dhe në orën e caktuar, siç i tha ajo dhe siç pranoi edhe ai. Për herë të parë iu desh të kalonte atë urën me tela, me ca shkopinj të kaftë e të kalbur përsipër, që tundej nga era dhe të dukej sikur nga çasti në çast do të rrëzoheshe bashkë me të mbi ujrat e turbullta të lumit.. Nuk qe bërë plotësisht natë e errët, diçka dallohej, ngjyrat nuk qenë mbledhur plotësisht, për t’i bërë gjërat të njëllojta, të fshehta e të frikshme.
Megjithëse në gjumë, ai po i shikonte të gjitha ato që duhej t’i kishin ndodhur, po i kontrollonte me imtësi, që nga nisja e deri te vëndi ku duhej të bëhej takimi. Iu drodhën gjunjët shpesh herë kur ecte mbi atë që gjoja ishte urë, ndërsa era e fillimprillit ia shpupuriste flokët dhe e ngjethte me zhurmën fishkëllyese të përplasjes nëpër rrepet. E dinte se në të gjithë librat plot moral të lartë nuk qe shkruar gjëkundi që profesori mund të takohej natën me nxënësen e vet të bukur, edhe sikur të kishte gjoksin më kërcënues të të gjitha kohëve, sidomos në pyll, megjithëse ajo nuk ishte e vockël dhe paskej ardhur nga një botë “ku i kishte provuar të gjitha”. Po të mos vinte, do t’i dukej vetja frikacak me nam, që nuk guxoka të kaloka natën kur fishkëllen era, një gjoja urë, që tundet mbi një gjoja lumë të turbulluar.
Megjithëse në gjumë, ai i pa edhe një herë me përpikmëri të gjitha vendet ku shkeli, rrëzimet, pengimet, përplasjet nëpër degë dhe sidomos trembjet nga disa klithma, herë si soprano e herë si tenor, por që nuk mund të thuash se këndonin esëll, pasi duhej të kishin rufitur shumë nga ai lëngu që quhet alkool. “Sonte të gjitha qënkan dehur”, duhej të kishte menduar, “që nga ura e lumi i tallavitur, deri te rruga e klithmat”.
Patjetër kishte arritur te vëndi, po Linë s’kish. U rrotullua, kërkoi me saktësi të gjente mos qe gabuar. Iu desh të ulej pastaj në një gur të madh, të priste e të priste, duke shikuar përreth me habi.
Dhe çfarë pa? Të njëjtën gjë që kishte parë natën me plakun, pasi dritat u llokoçitën, fantazma e bardhë me duar të drejtuara para u nis nëpër shi e errësirë, kurse ata të dy iu qepën pas për ta gjetur në atë gjumin e pazakontë, atje midis qiellit e tokës, kur vetëtinin vetëtima e bubullinin bubullima.
Lart, në degën e një peme që nuk dallohej në ishte lis apo rrap, por kjo s’kishte rëndësi, pa figurën e një gruaje që lëkundej nga era. Trupi iu drodh e gjunjët iu prenë. Nuk dinte ç’të bënte, të rrinte apo të ikte. Kishte dëgjuar se nuk duhej parë, se ajo atje lartë mund të rrëzohej papritur poshtë kur e shihte dikush, se mund të vritej dhe shkaktari do të ishte ai. Megjithëse bënte ftohtë, balli filloi t’i mbytej në djersë.
Pikërisht në atë kohë u dëgjua një krismë e thatë, trupi i varur u lëkund herë majtas, herë djathas, bëri një si hark në ajër dhe u rrëzua poshtë në shkurret e errëta, jo sikur të binte, po sikur të fluturonte ngadalë. Ishte një pamje vërtetë ngjethëse, mbushur me frikë dhe mister. Pastaj heshtje, një zhurmë e lehtë nëpër gjethet, që zgjati pak, por që atij iu duk shumë, më vonë zëri i njohur i dikujt që ai e njihte mirë, “më fal, të bëra të më prisje shumë”.
Ishte Lina.
Pati kohë të mendonte “këtu gratë të vijnë nga qielli” dhe më pas “vetëm se qielli duhet të jetë i zi”, kur Lina po vonohej t’i shfaqej e plotë. Tashmë ishte errur krejt dhe nata nuk do ta lejonte t’i shihte mirë fytyrën, vetëm do t’i dëgjonte që larg dihatjen e shpeshtuar e ndërkaq s’kish si të mos mendonte “patjetër e ka lodhur fluturimi”.
Por kur ajo iu hodh në krahë, iu zhdukën të gjitha mendimet, sepse gjokset e Linës paskëshin cilësira të çuditshme, t’i fshinin të gjitha ç’kishe patur në kokë, ta bënin gjakun të të ziente e buzët të të mërmëritnin ca budallallëqe si “nuk duhej të vija” ose “seç paske një si shije qielli”. Vërtet atë natë Lina paskësh “një si shije qielli”, ca si vetëtima e bubullima që i ndizeshin e i shuheshin përbrënda, shkrepëtinin e shkrepëtinin, sepse që andej po vinte, pasi kishte fluturuar përpara syve të tij.
Më pas ajo do të cicërinte e cicërinte dhe ai do të kuptonte se ishte hera e fundit që shiheshin, sepse që nesër herët do të nisej për në kryeqytet, me një makinë që paskësh dërguar qysh sonte ish kryetari për t’i marrë të gjithë, bashkë me të rrallin hero të gjallë, xha Baxhon. Sipas Linës do të ndodhnin ngjarje të mëdha, se ai i madhi, domethënë kokëshqopja, ose e kishte dredhur, ose pritej me orë ta dridhte, “shumë e kishte zgjatur dhe aq”. Për herë të parë e kishte parë heroin, gjysh Baxhon, të trembur, kur kishte mërmëritur me orë të tëra “po tani, qysh do na vejë halli pa atë?”, ndërsa ajo i qeshte pas kurrizit dhe mërmëriste ca mbroçkulla të tjera. “Unë do nisem përsëri atje jashtë, te nënëhalla e xhaxhababai, po nuk do të të harroj kurrë”, përkëdheli zërin ajo, ndërsa Admeti mendoi të kundërtën kur i tha “Kajati nuk duket as në një hartë”, që ajo s’e kuptoi pse u tha, nga që s’kishte asnjë kuptim.
Para se të ndaheshin, as do të rrënqethej e as do të përlotej, por do t’i përsëriste të njëjtat fjalë, si edhe Ladinës, “nuk më duket fare si ndarje, sepse s’ka as sherr e as fajtor”, me të cilat Lina do të qeshte si djallushkë. Por ajo do të qeshte edhe më shumë kur ai t’i kërkonte si me lutje “më trego si u bëre fantazmë” dhe nuk do të fyhej aspak kur ajo do t’i quante të gjithë burrat budallenj dhe të trashë, sepse nuk e kuptojnë fare “që të gjitha femrat këtu janë edhe gra edhe fantazma, ndryshe si mund të dashurojnë”?
Kur ai nguli këmbë për më tepër, ajo i tha “atje lart isha kukull, se të gjitha grave u pëlqen të jenë edhe kukulla, të lozin me to e t’i përkëdhelin, por jo vetëm kukulla pylli”.
I mbeti për një kohë të gjatë në trup ngrohtësia e saj. U ndanë me një puthje tepër të gjatë dhe pastaj iu duk sikur s’kishte ndodhur gjë. Ajo që quhet e shkuar, koha që e shprehim me “ishte”, e mbështolli Linën brënda vetes e, me që qe natë, ai nuk e pa si hyri atje, si grua apo si kukull dhe as që mendoi në se do të dilte ndonjëherë prej andej për ta takuar përsëri, me që ajo i tha “nuk do të të harroj kurrë”.
Patjetër s’kishte qenë në gjumë, sepse i pa të gjitha, pikë për pikë, pa harruar gjë, dëgjoi edhe zhurmat, pastaj fjalët, eci, u pengua e u rrëzua. Mirëpo sytë i kishte patur të mbyllur, sepse kur i hapi, nuk qe i veshur më me atë kostumin, qe bërë përsëri Admet dhe të gjitha ç’kishte marrë nga baulja e rëndë me mbishkrimin “dhuratë Shahos nga Nilda”, ishin zhdukur. Vetëm mbi komodinë rrinte rëndë-rëndë blloku i zi, që i kishte dhënë dikur plaku, me të vetmin ndryshim se tani ishte më i hollë, ngaqë i kishin mbetur vetëm tri fletë, që s’ishin më të bardha. Meqë i shkoi nëpër mëndje se mund t’i kishte mbushur plaku, i hapi për t’i lexuar si i babëzitur.

Alberti
Legjendë
Legjendë

Postime Postime : 41743
Gjinia Gjinia : Male
Anëtarësuar Anëtarësuar : 23/11/2009
Mosha Mosha : 35
Hobi Hobi : Tenisi

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Hiqmet Meçaj - Kukullat e Pyllit (roman) - Faqe 2 Empty Re: Hiqmet Meçaj - Kukullat e Pyllit (roman)

Mesazh nga Alberti Thu 14 Oct 2010 - 23:18

KAPITULLI I TREMBËDHJETË




SHËNIME TË FUNDIT TË SHAHOS


ku tregohet se si një herë e një kohë kishte dhënë shpirt në duart e plakut shkencëtari i ri Shaho dhe se si plaku, për nder të kujtimit të tij, vazhdonte të jetonte e të mbante emrin Shaho, gjë që nuk e quante të drejtë, si dhe ca gjëra të tjera...

Një ditë më vjen një djalë i ri e më thotë: “o njeri i pyllit, më ka lodhur shumë qytetërimi me ato prapësitë e tij”. M’u duk sikur e njihja, sikur diku e kisha parë, po se ku, nuk i bija dot në të. U mundova ta qetësoja, po hiç. Kishte vendosur të vdiste, të jepte shpirt në duart e mia.
“Po pse pikërisht në duart e mia”, i thashë. “Ç’të shkrepi që më zgjodhe mua”?
Ai nuk e vrau mëndjen të më përgjigjej. Më dorëzoi një baule të tërë mbushur me diploma e fotografira, kujtime të kota, siç tha, nga një kohë e ca njerëz që ishin ndryshe. Më tregoi dhe historira, që m’u dukën fund e krye përralla, për një farë Xhuzepe, një profesor K.K., një Nildë të bukur e ku di unë çfarë nuk pillte truri i tij. Dukej që kishte ethet e njeriut që thotë gjërat që mendon e jo ato që kanë ndodhur vërtet. Po çudia më e madhe për mua qe, kur donte të më mbushte mëndjen se edhe atë e quanin Shaho dhe, megjithëse qemë tepër të kundërt, sipas tij ngjanim shumë. M’u dhimbs fort ai djalë i ri, që e kishte lodhur aq tepër qytetërimi, siç tha dhe gënjente pa pikë turpi se e quanin Shaho e ngjante me mua.
Filloi të më thotë ca gjëra, të cilat nuk i mbaj mënd të gjitha, megjithatë do të mundohem të shënoj ç’të mundem e ç’të më kujtohen.

Edhe unë erdha rastësisht në jetë, si të gjithë, fitova një llotari të madhe dhe shumë të tjera të vogla. Tani po mundohem të t’i shpjegoj, se ti, si njeri i pyllit që je, mendon që jeta të falet vetvetiu, se të lindësh na qënkërka dhuratë. E ke gabim, o njeri i egër i pyllit, që mendon kështu. Edhe unë isha një spermatozoid që synonte mitrën e nënës sime, po ama tepër dinak e i mënçur. U fsheha në turmën e miliona të tjerëve, i bëra të grinden e të vriten njeri me tjetrin. Kështu m’u hap rruga të shkoja fitimtar e të mbillesha për t’u bërë embrioni i atij që jam. Atëherë duhet të kem menduar që isha me fat, se ç’tru mund të ketë një spermatozoid i vockël e i padukshëm nga syri, ndryshe do të kisha menduar se isha fatkeq, nuk do ta përdorja fare dinakërinë për t’u bërë embrion e pastaj njeri.
Që këtu kuptohet mirë që njeriu lind edhe budalla, edhe i mënçur, i ka të dyja brenda vetes. Po kështu, që këtu kuptohet, se, që pa lindur, kemi gëzuar kur të të tjerët janë vrarë e kanë humbur ngaqë kemi dashur për vete të mos vriteshim e të fitonim.
Pa tjetër këto duhet t’i kem menduar që atje, thellë në errësirën e krijimit tim, pa u bërë ende njeri, duhet të m’i kenë mësuar ato qelizat e tjera, kur merrnin e jepnin te unë gjithë të mirat e gjithë të këqijat e grumbulluara gjysh pas gjyshi. Kur linda e u rrita, për fatin tim të keq, këto i mësova mirë, paskëshin qënë kode të shkruara në gjuhë të pakuptueshme, urdhëra e shtampa të cilave duheshe t’u bindeshe.
Por të mos largohem shumë nga ato që dua të të them. Ajo që quajmë jetë është energji, lëndë dhe kohë. Mundohu t’i kuptosh, o njeri i egër i pyllit. Energjia dhe lënda ndërtojnë dhe shkatërrojnë njëra tjetrën, koha i sjell format e reja të tyre, të ndërtuara ose të shkatërruara, pastaj i merr me vete duke i humbur përgjithnjë. Ajo që është bëhet ka qënë e më pas,ose nuk ka qënë fare, ose e mendojmë ne si duhet të ketë qënë, pra bëhet iluzion. Ajo që është, shfaqet fare pak, o njeri i egër i pyllit, ajo që ka qënë ose që nuk ka qënë fare, zgjat shumë, aq sa zgjat edhe ajo që quhej kohë e që ka ikur pasi ka marrë me vete ç’është shkatërruar nga energjia dhe lënda. e dikurshme.
E di pse t’i rrumbullakosa të gjitha këto? Për të të thënë se edhe unë, me gjithë atë baulen, ku ka brënda diploma e fotografira, hyj te ka qënë. Ajo që dikur quhej koha ime, ma ka shkatërruar lëndën dhe energjinë që kisha. Kjo domethënë që unë s’jam më, dikur kam qënë, kurse tani kam formën e një iluzioni.

...dhe kështu, duke thënë këto pakuptimësira e përçartje si në ethe, pasi më quajti aq herë njeri i egër i pyllit, dha shpirt në duart e mia. Kur po e varrosja thellë, brënda vetes, se atje donte, vura re që vërtet ngjanim shumë. Tani e tutje, mendova, jam i gjalli që ecën me një të vdekur brenda tij, i cili, të thuash të drejtën, nuk kishte vdekur plotësisht, sepse e ndjeja nga një herë tek lëvizte e përpëlitej, ashtu si fëmija në barkun e nënës. Për hir të tij vendosa të rroja, ta ushqeja ende me jetën time atë djaloshin, të gjorin Shaho dhe, për të nderuar kujtimin e tij fatkeq, vazhdoj edhe unë të quhem Shaho, megjithëse jemi aq të ndryshëm.

V.O. Nuk kam gënjyer e mashtruar kurrë njeri. Shpesh herë historirat e jetës së atij të riut i ngatërrojnë kot së koti me mua, plakun. Gjithnjë më duhet t’i përgënjeshtroj, pikërisht se nuk dua të mashtroj njeri. Mirëpo këtu ndodh keqkuptimi i madh i të tjerëve me mua, që jam, siç më quan ai i riu, “njeri i egër i pyllit” dhe vetëm kaq. Edhe ato shënimet që grisa e i flaka në zjarr, nuk kanë lidhje fare me mua plakun, por me atë, të riun, që vazhdoj ta mbaj brenda vetes sime, t’i ndjej çdo ditë dhimbjet, rënkimet e përpëlitjet.



FUND


28 gusht – 15 nëntor 2001

Alberti
Legjendë
Legjendë

Postime Postime : 41743
Gjinia Gjinia : Male
Anëtarësuar Anëtarësuar : 23/11/2009
Mosha Mosha : 35
Hobi Hobi : Tenisi

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Hiqmet Meçaj - Kukullat e Pyllit (roman) - Faqe 2 Empty Re: Hiqmet Meçaj - Kukullat e Pyllit (roman)

Mesazh nga Sponsored content


Sponsored content


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Faqja 2 e 2 Previous  1, 2

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi