Klea Love Forum
Klea Love Forum - Welcome
Ramazani nis më 1 gusht People-icon
Mirë se vini në Klea Love Forum, Ju ftojmë që të Regjistroheni, në mënyre që të keni aksese në të gjitha kategorit dhe temat, në Klea Love Forum, mund të gjeni Shoqeri, Filma Shqip dhe të huaj, Muzikën më të re 2013, DVD Humore shqip, Këshilla Mjeksore, Diskutime, Video Klipe, Kuriozitete, dhe Lajmet më të reja nga vendi dhe bota.

KleaLove.com / Staff.


Join the forum, it's quick and easy

Klea Love Forum
Klea Love Forum - Welcome
Ramazani nis më 1 gusht People-icon
Mirë se vini në Klea Love Forum, Ju ftojmë që të Regjistroheni, në mënyre që të keni aksese në të gjitha kategorit dhe temat, në Klea Love Forum, mund të gjeni Shoqeri, Filma Shqip dhe të huaj, Muzikën më të re 2013, DVD Humore shqip, Këshilla Mjeksore, Diskutime, Video Klipe, Kuriozitete, dhe Lajmet më të reja nga vendi dhe bota.

KleaLove.com / Staff.
Klea Love Forum
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Ramazani nis më 1 gusht

Shko poshtë

Ramazani nis më 1 gusht Empty Ramazani nis më 1 gusht

Mesazh nga Єямєℓiиdå Sun 31 Jul 2011 - 10:14

Ne 1 gusht nis muaji i Ramazanit per te gjithe besimtaret myslimane. Me kete rast, kreu i Komunitetit Mysliman shqiptar Selim Muca ka uruar te gjithe ata per agjerim te mbare.



“Kaluan ditët dhe muajt dhe erdhi muaji i Ramazanit. Në këtë muaj Zoti i madh shpall amnisti të përgjithshme për njerëzit, është muaji i faljes së gjynaheve. Me këtë rast ju uroj të gjithë besimtarëve dhe jo besimtarëve që të agjërojnë muajin e Ramazanit, ne qetësi, në pajtim me njëri-tjetrin në harmoni të plotë mes tyre dhe feve të tjera për të patur gjithnjë të mira dhe begati”, tha Muca.
Єямєℓiиdå
Єямєℓiиdå
WebMaster
WebMaster

Postime Postime : 17963
Gjinia Gjinia : Female
Anëtarësuar Anëtarësuar : 09/10/2010
Mosha Mosha : 38
Hobi Hobi : Muzika, leximi & noti

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Ramazani nis më 1 gusht Empty Re: Ramazani nis më 1 gusht

Mesazh nga Єямєℓiиdå Sun 31 Jul 2011 - 10:21

Agjërimi i Ramazanit Rregulla dhe Dispozita

Falënderimet dhe lavdërimet i takojnë Allahut të Lartësuar, Zotit të botëve. Paqja dhe bekimi qofshin mbi të Dërguarin e Tij, Muhamedin, dhe mbi të gjithë ata të cilët ndjekin rrugën e tij deri në ditën e fundit.

Të agjërosh do të thotë të privohesh nga ushqimi, pija, marrëdhëniet seksuale dhe nga të gjitha shkaqet e tjera që e prishin agjërimin, duke filluar nga agimi (imsaku) e deri në perëndimin e diellit, me qëllim adhurimin dhe bindjen ndaj Allahut.

Agjërimi i muajit Ramazan është një detyrim islam dhe një nga pesë shtyllat kryesore të tij. Agjërimi ka qenë detyrim edhe për besimtarë të tjerë para nesh, të cilëve u janë dërguar Profetë. Allahu i Lartësuar thotë: “O ju që keni besuar, agjërimi u është bërë obligim sikurse ishte obligim edhe për ata që ishin para jush, në mënyrë që të bëheni të devotshëm.”(El Bekare: 183)

Agjërimi i muajit Ramazan është bërë detyrim për muslimanët në vitin e dytë të hixhretit (emigrimit). Për vlerat e mëdha të këtij muaji dhe të agjërimit të tij, Profeti Muhamed (alejhi selam)ka thënë: “Ju ka ardhur një muaj i bekuar, në të cilin është bërë detyrim agjërimi. Në këtë muaj janë hapur dyert e Xhenetit, janë mbyllur dyert e Xhehenemit dhe shejtanët janë lidhur në pranga. Në të gjendet një natë, e cila është më e mirë se një mijë muaj.” (Ahmedi & Nesaiu)

Në disa thënie të tjera Profeti (alejhi selam)thotë: “Në këtë muaj një engjëll thërret dhe thotë: “O kërkues i së mirës, gëzohu, o kërkues i së keqes, jepi fund asaj!” Dhe këtë ai e bën deri në fund të Ramazanit.” (Ahmedi)



Falja e pesë namazeve, falja e xhumasë deri në xhumanë tjetër dhe agjërimi i Ramazanit deri në Ramazanin tjetër, janë shlyerës të gjynaheve, nëse ruhesh nga gjynahet e mëdha.” (Muslimi)

“Kush agjëron muajin Ramazan me besim tek Allahu, dhe duke pritur shpërblimin nga Ai, atij do t’i falen gjynahet e mëparshme.” (Buhariu & Muslimi)

Allahu në një hadith të shenjtë thotë: “Çdo punë e birit të Ademit është për të, përveç agjërimit, i cili është për Mua dhe vetëm Unë e shpërblej atë. Agjërimi është mburojë, e kur ndonjëri prej jush të jetë me agjërim, të mos flasë me fjalë të ulëta, të mos bërtasë më kot dhe të mos bëj vepra të injorancës. E, nëse dikush e fyen ose e shqetëson, le t’i thotë dy herë: “Unë agjëroj!”.

Profeti (alejhi selam)ka thënë: “Pasha Atë në dorën e të Cilit është shpirti im, era e gojës së agjëruesit është më e mirë tek Allahu se era e myshkut. Për agjëruesin do të ketë dy gëzime, kur të çelë iftarin dhe kur të takohet me Zotin e tij.” (Muslimi)

Besimtari në këtë botë gëzohet, kur e çel iftarin, sepse Allahu ia mundësoi t’i japë fund urisë dhe etjes nga agimi deri në perëndim të diellit, ndërsa gëzimi tjetër për agjëruesin do të jetë në botën tjetër, pas vdekjes, ku Allahu ka përgatitur për agjëruesin shpërblime të mëdha. Në atë botë agjëruesit do të futen në Xhenet nga një portë e veçantë. Për këtë Profeti (alejhi selam)ka thënë: “Vërtet xheneti do të ketë një portë që quhet Rejan. Ditën e Gjykimit do të thirret: “Ku janë agjëruesit (për t’u futur nga kjo portë)?” E pasi të futet edhe njeriu i fundit i tyre, kjo portë do të mbyllet.” (Buhariu & Muslimi)

Po ai që nuk agjëron?

Një mysliman që nuk agjëron Ramazanin kryen një gjynah të madh. I Dërguari i Allahut (alejhi selam)ka thënë: “Kush e prish një ditë nga Ramazani pa asnjë nga arsyet që e ka justifikuar Allahu, atë ditë nuk e zëvendëson edhe sikur të agjërojë gjithë jetën.” (Ebu Davudi & Tirmidhiu)

Shikimi i hënës

Agjërimi i Ramazanit bëhet detyrim kur shikohet fillimi i hënës së muajit Ramazan dhe vazhdon deri kur të shihet fillimi i hënës së muajit pasardhës Sheval. Profeti (alejhi selam)ka thënë: “Mos agjëroni derisa të vëreni hënën e re (të Ramazanit) dhe mos e ndërpritni agjërimin derisa të vëreni hënën e re (të Sheualit). Nëse pengoheni nga shikimi i saj (për shkak të reve apo mjegullës), përcaktojeni (përllogariteni) atë.” (Buhariu & Muslimi)

Për sa i përket fillimit të muajit Ramazan, ai përcaktohet fetarisht me shikimin e Hënës së re (hilalit) dhe në rastin se ajo nuk shihet për arsye atmosferike, atëherë duhen plotësuar tridhjetë ditë të muajit paraardhës Shaban. Ky është kuptimi i hadithit profetik që përmendëm më sipër ku Profeti (alejhi selam)thotë: “Nëse pengoheni nga shikimi i saj (për shkak të reve apo mjegullës), përcaktojeni (përllogariteni) atë.” (Buhariu & Muslimi)

Mbyllja e agjërimit të Ramazanit, gjithashtu përcaktohet me pamjen e Hënës së re të muajit që pason Ramazanin, muaji Sheval. Si shpallja e fillimit ashtu dhe mbarimit të agjërimit të Ramazanit është kompetencë e autoriteteve fetare të një vendi të caktuar.



Nijeti (qëllimi) i agjërimit

Nijeti është detyrë themelore si për agjërimin ashtu edhe për adhurimet e tjera, sepse nëpërmjet qëllimit dallohet se për kë është adhurimi, për Allahun apo për dikë tjetër. Po ashtu nëpërmjet qëllimit dallohet adhurimi i detyruar (farz) nga ai vullnetar (nafile). Nijeti bëhet para agimit (imsakut) sepse Profeti (alejhi selam)ka thënë: “Kush nuk vendos (bën nijet) për agjërim para agimit, atij nuk i vlen agjërimi.” (Ebu Davudi & Tirmidhiu)

Kush e ka detyrim agjërimin?

Dijetarët në bazë të argumenteve fetare kanë rënë në konsensus se agjërimi është detyrim për çdo mysliman, që ka arritur moshën e pjekurisë (pubertetin), i cili është i shëndoshë fizikisht e mendërisht dhe është rezident (jo udhëtar) në një vend. Ndërsa personat që nuk e kanë detyrim agjërimin janë:

1. Fëmijët: Çdo fëmijë që nuk ka mbushur akoma moshën e pjekurisë nuk e ka detyrim agjërimin. Nëse babai ose kujdestari i tij shikojnë se ai mund të agjërojë, atëherë ata duhet ta mësojnë të ushtrohet me agjërimin. Një nga bashkëkohëset e Profetit, Rubeja, e bija e Muadhit tregon: “Ne agjëronim ditën e ashurës dhe i urdhëronim fëmijët tanë që të agjërojnë në atë ditë. Ne i çonim ata në xhami (i referohet xhamisë së Profetit në Medinë) dhe u jepnim kukulla prej lecke në mënyrë që mos ta mbanin mendjen tek ushqimi. E nëse dikush prej tyre qante për shkak të urisë, ia tërhiqnim vëmendjen me marifete në mënyrë që të rezistonin derisa të vinte koha e çeljes (së agjërimit).” (Buhariu & Muslimi)

2. I paafti mendërisht: Njerëzve me të meta mendore apo që janë të paaftë mendërisht nuk e kanë detyrim agjërimin, pasi mendja është kushti i domosdoshëm që njeriu të merret në llogari Ditën e Gjykimit. Profeti ynë (alejhi selam)ka thënë: “Nuk i shkruhen gjynahet një njeriu: të paaftë mendërisht derisa ai të logjikojë, një personi që është në gjumë derisa ai të zgjohet dhe një fëmije derisa ai të arrijë moshën e pjekurisë.” (Ahmedi, Ebu Davudi & Tirmidhiu) Këtu futet edhe rënia të fikëtit. Nëse një personi i bien të fikët vetëm në një pjesë të ditës, atij nuk i prishet agjërimi. Nëse kjo gjendje vazhdon gjatë gjithë ditës, atëherë ai duhet ta zëvendësojë këtë ditë. E ngjashme është edhe gjendja në koma. Nëse njeriu hyn në koma gjatë gjithë muajit Ramazan, ai duhet të agjërojë më pas pasi të dalë prej saj.

3. I sëmuri: Çdo person që është i sëmurë gjatë gjithë jetës së tij dhe merr ilaçe vazhdimisht gjatë orëve që agjërohet, nuk e ka detyrë të agjërojë, por duhet të japë një sasi ushqimi për të varfrit me vlerë rreth 250 lekë të reja, për çdo ditë si shpagim për mosagjërimin. Kjo vlerë jepet në ushqim dhe nuk është një shumë fikse në çdo kohë, vend dhe person, por varet nga cilësia e ushqimit që ndryshon sipas gjendjes ekonomike të çdo njeriu, vlera është thjesht një mesatare, për kohën e sotme në Shqipëri dhe që ndryshon. Ky gjykim vlen edhe për ata pleq të cilët nuk mund ta mbajnë dot agjërimin. Kurse personat që janë të sëmurë përkohësisht duhet t’i kompensojnë me agjërim ato ditë kur të shërohen. Për këtë Allahu në Kur’an ka thënë: “Nëse ndonjëri prej jush është i sëmurë ose në udhëtim, le të agjërojë aq ditë sa i ka prishur në ditët e tjera pas, kurse ata që kanë vështirësi në agjërim duhet të ushqejnë si shpagim nga një të varfër për çdo ditë agjërimi.” [Suretu El-Bekare: 184] Transmetohet nga Ibën Abasi se ka thënë: “Është bërë lehtësim për pleqtë që ta çelin muajin e Ramazanit dhe ta shlyejnë atë duke ushqyer për çdo ditë agjërimi një të varfër dhe nuk ka detyrim tjetër për ta përveç kësaj.” (Darekutniu & Hakimi)

I lejohet gruas me barrë dhe asaj që ka fëmijë në gji që ta prishë agjërimin, në qoftë se ka frikë për fëmijën ose veten e saj, më pas e kompenson atë në ditët kur ndien që nuk ka rrezik.

4. Gruaja me cikël menstrual dhe gruaja lehonë: Dijetarët thonë se gruaja me cikël menstrual dhe ajo lehonë nuk duhet të agjërojnë. Agjërimi për gratë në këto periudha është i ndaluar kategorikisht. Edhe në qoftë se ndonjë grua agjëron me dëshirë të vet gjatë ciklit apo lehonisë, ky adhurim është i pavlefshëm dhe këto ditë -megjithëse janë agjëruar- duhet të zëvendësohen sapo të kalojë cikli menstrual apo lehonia. Aishja r.a. ka thënë: “Kur ishim me menstruacione, Profeti na urdhëronte që të zëvendësonim agjërimin për ato ditë që nuk i agjëronim dhe nuk na urdhëronte për të zëvendësuar namazin.” (Buhariu & Muslimi)

5. Udhëtari: Lejohet që udhëtari ta çelë agjërimin gjatë udhëtimit. Udhëtimi i konsiderueshëm për çeljen e Ramazanit është ai udhëtim në të cilin namazi mund të shkurtohet dhe të bashkohet. Argument për këtë është ajeti i lartpërmendur në suren Bekare. Gjithashtu transmetohet nga Hamza el Eslemij se ka pyetur Profetin a.s: “O i Dërguari Allahut, e ndiej veten të fuqishëm për agjërim në udhëtim. A kam gjynah për këtë?” Profeti u përgjigj: “Çelja e agjërimit në udhëtim është lehtësim nga Allahu i Madhëruar. Kush dëshiron ta marrë këtë lehtësim, ka bërë punë të mirë dhe kush dëshiron të agjërojë, nuk ka gjynah për të.” (Muslimi)

Por cili veprim është më i mirë në udhëtim, agjërimi apo çelja e tij? Shumica e dijetarëve kanë thënë se ai që ka fuqi të agjërojë, atëherë për të është më mirë të agjërojë dhe kush nuk ka fuqi të mjaftueshme, atëherë çelja e agjërimit është më e mirë për të. Ebu Seid el Hudri thotë: “Kur ishim në luftë me Profetin a.s. gjatë muajit Ramazan, disa prej nesh agjëronin dhe disa të tjerë e çelnin atë dhe askush nuk e kritikonte tjetrin. Kjo sepse mendonin se ai që kishte fuqi të agjëronte, ishte më e mira për të që të agjëronte dhe kush nuk gjente fuqi, ishte më e mirë ta çelte atë.” (Ahmedi & Ebu Daudi)

Duhet theksuar se atë që e mundon agjërimi i Ramazanit aq sa mund t’i dëmtojë shqisat, trurin ose çdo gjë tjetër me dëmtim të rëndë, i lejohet atij ta çelë këtë ditë dhe ta plotësojë më pas. Këtu futen punët e rënda për të dënuarit me burgim, detyrimi nga dikush tjetër (presioni) etj., derisa disa dijetarë e kanë lejuar çeljen për shpëtimin ose dhënien ndihmë të ndonjërit që është në rrezik për jetën, kur nuk mundet ndryshe vetëm se duke e çelur agjërimin.

Çfarë e prish agjërimin

1. Të ngrënët dhe të pirët me qëllim: Kush ha ose pi me harresë ose është i detyruar, nuk e ka prishur agjërimin dhe nuk e ka detyrë ta kompensojë. Profeti (alejhi selam)thotë: “Kush harron në agjërim dhe ha e pi, le ta vazhdojë agjërimin se atë e ka ushqyer Allahu i Lartësuar.” (Buhariu & Muslimi)

2. Marrëdhëniet seksuale: Ai që kryen marrëdhënie seksuale duke e ditur se është agjërueshëm dhe duke e ditur se ato e prishin agjërimin, ai duhet të agjërojë një ditë tjetër si shlyerje pas Ramazanit, plus edhe dy muaj rresht si dënim për nënvleftësimin ndaj këtij muaji të shenjtë. Këto dy muaj duhet të agjërohen ditë pas dite, rresht, pa shkëputje. Kjo vlen vetëm për prishjen e agjërimit me marrëdhënie seksuale. Ebu Hurejra thotë: “Erdhi një burrë tek Profeti (alejhi selam)dhe i tha: “U shkatërrova, o i Dërguari Allahut!” Profeti e pyet: “Cila gjë të shkatërroi?” Ai u përgjigj: “Kreva marrëdhënie gjatë agjërimit të Ramazanit.” Profeti i tha: “A mund të lërosh një rob?” Ai i tha: “Jo.” Profeti i tha: “A mund të agjërosh dy muaj rresht?” Ai i tha: “Jo.”Profeti i tha: “A mund të ushqesh gjashtëdhjetë të varfër?” Burri i tha jo dhe u ul. Në këtë moment Profetit i sollën një shportë të madhe me hurma3. Profeti ia dha këtë enë atij burrit që i erdhi dhe i tha: “Merre këtë shportë dhe shpërndajua të varfërve.” Burri ia ktheu: “A ka më të varfër se unë?! Nuk gjen ndërmjet dy skajeve të Medinës familje më nevojtare sesa e imja.” Atëherë Profeti qeshi aq sa iu dukën dhëmballët dhe tha: “Shko dhe ushqe me të familjen tënde.” (Buhariu & Muslimi)

3. Provokimi i të vjellit: Kur kjo ndodh pa qëllim, atëherë agjërimi është i saktë. Profeti (alejhi selam)ka thënë: “Kush vjell pa e provokuar, nuk e ka prishur agjërimin dhe kush e provokon atë, le të agjërojë një ditë kaza.” Ky është mendimi unanim i të gjithë dijetarëve. (Ahmedi & Ebu Davudi)

4. Dalja e gjakut te femra për arsye menstruale apo të lindjes, edhe në qoftë se kjo ndodh pak çaste para se të perëndojë dielli. Për këtë pikë dijetarët islamë janë të një mendimi.

5. Ejakulimi, nga çdo lloj epshi, qoftë edhe kur nuk kryhen marrëdhënie seksuale, si për shembull ejakulimi nga ngacmimet vetjake apo të huaja, fërkimet, puthjet etj. Nëse ejakulimi vjen si pasojë e sëmundjes, gjumit apo rrëzimit, kjo gjë nuk e prish agjërimin. Gjithashtu ai nuk prishet me shikimin e një gjëje eksituese ose me mendim, edhe në qoftë se kjo zgjat për një periudhë të gjatë kohe. Këtu futet edhe dalja e spermatoreas (lëng i tejdukshëm që del para daljes së spermës nga eksitimi) apo sekrecioni i prostatit (lëng i trashë që del me urinën).

Allahu i madhëruar në një hadith kudsij thotë: “Ai (agjëruesi) të ngrënët, të pirët dhe epshin e tij e lë për Mua. Agjërimi është për Mua dhe Unë shpërblej për të.” (Buhariu & Ebu Davudi)

6. Marrja e ilaçeve nga goja apo e çdo gjëje tjetër, si për shembull kokrra e drithit ose orizi të pagatuara, guralecë, shkop, gjëra të dëmshme e të padëmshme, me kusht që ta kalojnë fytin dhe nëse kjo bëhet me vetëdije dhe duke e ditur se është agjërueshëm.

7. Kush e bën nijet të prishë agjërimin gjatë tij, e ka prishur atë edhe nëse nuk ka futur gjë në gojë. Kjo sepse nijeti është kusht për agjërimin

8. Futja e ujit në bark gjatë abdesit pa dashje nga neglizhenca. Shumica e dijetarëve janë të mendimit se ai që merr abdest dhe e kalon ujin e tij në bark jo nga harresa, por nga pakujdesia e momentit, ai e ka prishur atë ditë dhe duhet ta zëvendësojë më vonë. Kjo bazohet në hadithin e Profetit a.s, i cili thotë: “Kur të shpëlash hundën (në abdest), çoje ujin sa më lart, përveçse kur je me agjërim.” (Ebu Davudi & Tirmidhiu) Imam Ebu Hanife, Maliku dhe Shafiu janë të mendimit se kjo e prish agjërimin, përndryshe Profeti (alejhi selam)nuk do ta ndalonte çuarjen e ujit sa më lart gjatë agjërimit.

9. Pirja e duhanit. Dijetarët bashkëkohorë të fikut, kanë rënë dakord se pirja e duhanit futet tek ato gjëra të cilat e prishin agjërimin. Në lidhje me këtë çështje, ata kanë dhënë argumente të shumta

Çfarë nuk e prish agjërimin

1. Të ngrënët, të pirët dhe marrëdhëniet seksuale me harresë: Profeti (alejhi selam)thotë: “Kush harron gjatë agjërimit dhe ha ose pi diçka, le ta vazhdojë agjërimin sepse atë e ka ushqyer Allahu i Lartësuar.” (Buhariu & Muslimi)

2. Të vjellët pa provokim: Kjo bazohet në hadithin e përmendur më lart.

3. Futja e pluhurit, grimcave të rërës apo e ndonjë insekti pa dashje në stomak: Dihet që është shumë e vështirë që njeriu të ruhet prej këtyre gjërave. Allahu i Lartësuar thotë në Kuran: “Dhe nuk ju ka bërë ju vështirësi në fe.” Gjithashtu në këtë logjikë futet edhe mbajtja e ndonjë sendi në gojë, si laps, gomë apo ndonjë gjë tjetër, por me kusht që të mos ketë shije, ngjyrë apo erë që arrin në fyt.

4. Përdorimi i misvakut nuk e prish agjërimin: Profeti (alejhi selam)e ka përdorur atë dhe ka thënë: “Misvaku është pastrues për gojën dhe kënaqësi për Allahun.” (Nesaiu & Ibën Huzejme)

5. Përdorimi i gjilpërave joushqyese për trupin, të cilat vendosen në damar ose në mish: Kjo gjë nuk e prish agjërimin për arsye sepse nuk konsiderohet si ushqyes për trupin. Në këtë pjesë si shembull mund të përmendim kurimin me ilaçe mbi plagë të ndryshme, edhe në qoftë se ilaçi arrin të depërtojë në brendësi të trupit. Nuk duhet harruar se transfuzioni i gjakut dhe serumi e prishin agjërimin, pasi janë ushqyese për trupin e njeriut.

6. Përcjellja e pështymës ose e ushqimit që ndodhet ndërmjet dhëmbëve, nëse është shumë pak.

7. Futja e ujit në gojë, me kusht që të mos shkojë në fyt: Kjo ndodh kur marrim abdest apo kur shpëlajmë gojën për shkak të vapës. Lejohet gjithashtu edhe larja e trupit për freskim etj., se Profeti alejhi salatu ue selam e ka lagur kokën e tij gjatë agjërimit nga etja ose vapa, siç transmetohet nga Ahmedi dhe Ebu Davudi.

8. Puthja e gruas, prekja, përqafimi etj. Kjo vlen për ato raste kur njeriu e kontrollon veten. Aishja r.a. thotë: “Profeti (alejhi selam)ka puthur gjatë agjërimit dhe ka qëndruar në intimitet, por ishte më i vetëpërmbajturi ndaj epshit të tij krahasuar me ju.” (Ahmedi)

9. Ai që ha, pi ose bën diçka tjetër nga ato gjëra që e prishin agjërimin me mendimin se akoma nuk ka filluar dita e agjërimit. Ky person nuk e ka prishur agjërimin, pasi origjina është vazhdimi i natës dhe dyshimi i tij nuk merret në konsideratë.

10. Provimi i shijes së ushqimit me majën e gjuhës nuk e prish atë.

11. Larja e dhëmbëve, me kusht që pasta e dhëmbëve mos ta kalojë fytin.

12. Shkulja e dhëmbëve ose kurimi i tyre, në qoftë se lëndët e përdorura nga mjeku nuk arrijnë në fyt.

Agjërimi i ditëve të lëna nga muaji i Ramazanit duhet plotësuar me çdo kusht

Në qoftë se dikush ka nga Ramazani ditë të paagjëruara, ai mund t’i agjërojë ato kur t’i krijohet mundësia, por është e pëlqyer që të shpejtohet agjërimi i tyre. Aishja r.a. thotë: “Kam pasur ditë të paagjëruara nga muaji i Ramazanit dhe nuk munda t’i agjëroja vetëm se në muajin Sha’ban.” (Muslimi)

Nuk është kusht që agjërimi i këtyre ditëve të bëhet një pas një, por mund të ndahen sipas mundësisë, sepse Allahu xh.sh. nuk e ka përcaktuar në Librin e Tij metodën e shlyerjes së ditëve të paagjëruara. Ai thotë: “E kush prej jush është i sëmurë ose në udhëtim të agjërojë aq ditë sa i ka prishur në ditët e tjera pas.” [El Bekare: 184]

Kush vdes dhe ka lënë ditë pa agjëruar nga muaji i Ramazanit të atij viti ose të viteve të tjera, për të duhet të agjërojë një i afërm i tij, qoftë ky kujdestari i tij apo një i afërm i çfarëdoshëm. N.q.s. këtë e merr përsipër një njeri jo i afërm, patjetër duhet ta bëjë këtë gjë me lejen e të afërmve të tij. Profeti (alejhi selam)ka thënë: “Kush vdes dhe ka lënë ditë të paagjëruara, le ta bëjë këtë i afërmi tij.” (Buhariu & Muslimi)

Ç’duhet bërë në këtë muaj?

Në agjërim disa gjëra janë të pëlqyeshme fetarisht nga tradita profetike. Këto gjëra është mirë që të mos lihen pas dore. Ato janë: ngritja për ngrënien e syfyrit (qoftë duke pirë edhe disa gllënjka ujë), përshpejtimi i iftarit dhe vonimi i syfyrit, çelja e iftarit me hurma (nëse nuk ka, me ujë), lutja e agjëruesit gjatë çeljes së iftarit, përdorimi i misvakut për pastrimin e dhëmbëve, këndimi i Kuranit, dhënia e lëmoshës, falja e suneteve dhe e namazit të duhasë dhe çdo vepër e mirë në përgjithësi.

Namazi i teravive

Nga punët e pëlqyera në këtë muaj është edhe kryerja e namazit të teravive. Fjala “teravi” , është shumësi i fjalës “tervihatun” që në arabisht rrjedh nga fjala “rahatun”. Namazi i teravive është quajtur kështu ngaqë muslimanët e gjeneratës së parë, kur falnin këtë lloj namazi, pushonin pas çdo dy selamesh, pra pas katër rekateve.

Historikisht besimtarët i kanë dhënë rëndësi të veçantë këtij namazi duke u bazuar në thënien profetike që thotë: “Ai që ngrihet (në netët) e muajit të Ramazanit për t’u falur me besim tek Allahu dhe duke pritur shpërblimin nga Ai, atij do t’i falen gjynahet e kaluara.” (Buhariu)

Duhet ditur se Profeti (alejhi selam)ka falur në këtë muaj dhe jashtë tij njëmbëdhjetë ose trembëdhjetë rekate bashkë me namazin e vitrit. Por kur ai u moshua, e reduktoi këtë numër në nëntë, siç transmeton Buhariu nga Aishja r.a. Kjo do të thotë që ky numër pranon shtim ose pakësim, prandaj ashtu siç është trashëguar brez pas brezi që në kohën e tabi’inëve deri në ditët tona, muslimanët kanë falur më shumë se tetë rekate teravi, duke filluar që në Mekë dhe Medinë e deri në vendet e tjera ku praktikohet feja islame. Dijetarët e mëdhenj si Ebu Hanife, Shafiu, Maliku, Ahmed ibn Hanbeli, Sufjan Ettheuri, Ibnul Mubarek, e plot të tjerë prej dijetarëve të hershëm e të mëvonshëm, pohojnë se namazi i teravive mund të falet më shumë se 8 rekate, pasi kjo gjë ka qenë e njohur te tabiinët (pasuesit e sahabëve), të cilët i kanë falur teravitë dikush 20 rekate, dikush 36 rekate, dikush më pak e dikush më shumë.

Ebu Dherri thotë se Profeti (alejhi selam)u fal me ta natën e njëzetë e tretë deri në një të tretën e natës dhe në natën e njëzetë e pestë deri në gjysmën e saj. Shokët e tij i thanë: “Sikur të faleshe me ne deri në fund të natës!” Ai u tha: “Kush falet me imamin derisa ai të largohet, i llogaritet sikur është falur deri në fund të natës.” (Tirmidhiu) Ibn Rexhebi4 ka përmendur se imam Ahmedi nuk largohej nga xhamia gjatë kryerjes së namazit të teravive pa u larguar imami i xhamisë.

Duhet theksuar se në këtë muaj besimtari duhet të lërë veset e këqija, të cilat ia pakësojnë atij shpërblimin, qofshin këto gjynahe apo punë të papëlqyeshme. Kjo nuk do të thotë se këto gjëra mund të kryhen jashtë muajit të Ramazanit, por në këtë muaj vullneti për lënien e tyre duhet të jetë më i madh. Nga këto vese mund të përmendim përgojimin, gënjeshtrën, dëshminë e rreme, fyerjen, qëndrimin me orë të tëra para televizorit apo lojërave dhe çdo lloj shpërdorimi të kohës pa dobi, etj.

Disa dobi të agjërimit

Agjërimi është një adhurim i pasur me dobi shpirtërore, sociale dhe mjekësore. Nga dobitë shpirtërore mund të përmendim: agjërimi e forcon më shumë besimtarin në sinqeritetin e tij ndaj Allahut, e bën atë më të durueshëm nga uria dhe etja dhe kjo gjë e forcon atë më shumë për sprovat e jetës. Agjërimi e bën besimtarin të mendojë më shumë praktikisht për njerëzit e varfër, të cilën në shumë raste kanë uri dhe i merr etja. Agjërimi e largon njeriun nga mëkatet dhe në të njëjtën kohë e nxit besimtarin të punojë brenda këtij adhurimi e të veprojë punë të mira. Ai e nxit besimtarin të ndihet më afër me besimtarët e tjerë. Agjërimi e pastron besimtarin nga veset e liga.

Nata e Kadrit dhe argumentet që flasin për të

Nata e Kadrit është nata më e mirë e gjithë vitit. Allahu i Madhëruar thotë në Kur’anin Fisnik: “Nata e Kadrit është më e mirë se një mijë muaj.” [El Kadër: 8] Pra, vepra e mirë në këtë natë, për shembull namazi, leximi i Kur’anit, përmendja e Zotit, është më e mirë se vepra e një mijë muajve.

Kërkimi i natës së Kadrit

Është e pëlqyeshme që të kërkohet kjo natë në netët teke të dhjetëditëshit të fundit të muajit Ramazan. Transmetohet se Profeti (alejhi selam)e ka kërkuar këtë natë në dhjetëditëshin e fundit të këtij muaji. Kur hynte fundi i muajit, Profeti (alejhi selam)i përkushtohej Allahut në këto net me adhurim.

Në cilën natë të muajit është ajo?

Dijetarët islamë kanë mendime të ndryshme për këtë çështje. Dikush prej tyre mendon se ajo është në natën e njëzetenjëtë, dikush mendon se është në natën e njëzetetretë, dikush mendon se është në natën e njëzetepestë dhe dikush në të njëzetenëntën. Por një numër i konsiderueshëm mendojnë se ajo lëviz nga viti në vit. Pra, një vit mund të jetë në të njëzetenjëtën dhe në vitin tjetër mund të jetë në një natë tjetër. Disa të tjerë mendojnë se ajo është në natën e njëzeteshtatë. Ndër këta janë Ibn Abasi dhe Ubej ibn Ka’bi. Profeti (alejhi selam)ka thënë: “Kush do që ta kërkojë atë, le ta kërkojë në natën e njëzeteshtatë.” (Ahmedi) Ubej ibën Ka’bi betohej dhe thoshte se ajo ishte në natën që na urdhëroi Profeti që të bëjmë ibadet, e njëzeteshtata. (Muslimi)

Nga shenjat e kësaj nate është qetësia shpirtërore që ndjen njeriu në të, lindja e diellit në mënyrë të qartë dhe pa rreze qorruese. Allahu i Madhëruar thotë për këtë natë: “Paqe është ajo deri në lindjen e agimit.” [El Kadër: 5]

Adhurimi në këtë natë

Siç u përmend edhe më lart, në këtë natë pëlqehet adhurimi, si për shembull namazi, dhikri, leximi i Kur’anit, sadakaja etj. Profeti (alejhi selam)ka thënë: “Kush falet në Natën e Kadrit me besim tek Allahu dhe duke pritur shpërblimin prej Tij, atij i falen gjynahet e bëra.” (Buhariu)

Aishja një ditë ka pyetur Profetin a.s: “O i Dërguari i Allahut, ç’të them në Natën e Kadrit po e rastisa?” Ai u përgjigj: “Thuaj: “Allahumme inneke afuun tuhibul afue fa’fu anni.” Që do të thotë: “O Allah, Ti je falës dhe e do faljen, më fal mua!” (Ahmedi)

Itikafi

Itikaf nga ana gjuhësore do të thotë të qëndrosh mbyllur në një vend, ndërsa në gjuhën e sheriatit Islam do të thotë të qëndrosh për një kohë të caktuar brenda në xhami duke bërë adhurime. Imam Ibn Kajjim El-Xhuzijjeh, në librin e tij “Zadul mead” thotë: “Qëllimi i itikafit është të lidhësh zemrën me Allahun, duke u vetmuar me Të me adhurime, si dhe duke i ndërprerë lidhjet me krijesat.

Koha e itikafit nuk është e përcaktuar, mund të qëndrohet për një kohë të shkurtër ose të gjatë, sipas nijetit. Prej sunetit (traditës profetike) është të qëndrohet në itikaf 10 ditët e fundit të Ramazani bashkë me netët e tyre, sepse në to gjendet nata e kadrit. Profeti (alejhi selam)ka hyrë në itikaf në xhaminë e tij çdo Ramazan 10 ditët e fundit, ndërsa në vitin në të cilin ka ndërruar jetë ka hyrë në itikaf 20 ditët e fundit, siç përcillet kjo nga Buhariu.

Itikafi mund të bëhet në çdo xhami në të cilën falet xhumaja dhe pesë namazet e ditës me xhemat. Gjatë itikafit nuk mund të dilet nga xhamia, vetëm nëse është e nevojshme. Gjatë itikafit besimtari duhet të bëjë sa më shumë adhurime, të falë namaze vullnetare, të këndojë Kur’an, të përmendë Allahun sa më shumë, të kërkojë falje për gjynahet dhe t’i drejtohet Atij me lutje të ndryshme.

Itikafi lejohet të bëhet edhe nga gratë. Çdo grua që dëshiron të qëndrojë në itikaf brenda në xhami është e lirë ta bëjë këtë. Aishja r.a ka thënë: “Profeti (alejhi selam)ka qëndruar në itikaf për çdo Ramazan në 10 ditshin e fundit, derisa ndërroi jetë, pas vdekjes së tij kanë qëndruar gratë e tij në itikaf.” (Buhariu & Muslimi)

Çdo musliman që futet në itikaf i lejohet të hajë, të pijë dhe të flejë në xhami gjatë kohës së itikafit, por duhet të ketë kujdes të ruajë pastërtinë, rregullin dhe respektin e xhamisë si vend adhurimi. Duhet të kemi parasysh edhe diçka tepër të rëndësishme, nuk lejohet që burri ose gruaja të qëndrojë në itikaf dhe të lërë mënjanë detyrimet dhe përkujdesjen ndaj familjes, sepse itikafi është sunet, ndërsa kujdesja për familjen është vaxhib (detyrë). Nëse mund të bëhet edhe vaxhibi edhe suneti, atëherë ajo është mirësi e madhe.



Agjërimi i gjashtë ditëve të muajit Sheual

Nga punët e pëlqyera pas këtij muaji të begatë është përcjellja e tij me gjashtë ditë agjërim në muajin pasardhës. Kjo mund të kryhet menjëherë pas muajit ditës së Bajramit ose në gjashtë ditë të ndara. Profeti (alejhi selam)ka thënë: “Kush agjëron muajin e Ramazanit dhe e përcjell më pas atë me gjashtë ditë nga muaji Sheual, është sikur ka agjëruar gjithë kohën.” (Muslimi)

Këto ishin rregullat kryesore të agjërimit të Ramazanit.

Mos harroni se shembulli i këtij muaji është si shembulli i një tregu të hapur, produktet e të cilit shpërndahen falas dhe secilit i jepet mundësia të marrë në të sa të ketë mundësi. Shokët e Profetit e lusnin Allahun gjashtë muaj para se të vinte ky muaj i begatë që ta arrinin atë dhe gjashtë muaj pas tij që t’i pranoheshin punët e tyre.

Lusim Allahun e Lartësuar që të na e lehtësojë agjërimin e këtij muaji dhe të na pranojë adhurimet në të! Amin uel hamdulil-lahi rabil alemin!

Përgatitën: Mustafa Tërniqi dhe Ervin Qylafku
Єямєℓiиdå
Єямєℓiиdå
WebMaster
WebMaster

Postime Postime : 17963
Gjinia Gjinia : Female
Anëtarësuar Anëtarësuar : 09/10/2010
Mosha Mosha : 38
Hobi Hobi : Muzika, leximi & noti

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi