Klea Love Forum
Klea Love Forum - Welcome
Gënjeshtra tek fëmijët People-icon
Mirë se vini në Klea Love Forum, Ju ftojmë që të Regjistroheni, në mënyre që të keni aksese në të gjitha kategorit dhe temat, në Klea Love Forum, mund të gjeni Shoqeri, Filma Shqip dhe të huaj, Muzikën më të re 2013, DVD Humore shqip, Këshilla Mjeksore, Diskutime, Video Klipe, Kuriozitete, dhe Lajmet më të reja nga vendi dhe bota.

KleaLove.com / Staff.


Join the forum, it's quick and easy

Klea Love Forum
Klea Love Forum - Welcome
Gënjeshtra tek fëmijët People-icon
Mirë se vini në Klea Love Forum, Ju ftojmë që të Regjistroheni, në mënyre që të keni aksese në të gjitha kategorit dhe temat, në Klea Love Forum, mund të gjeni Shoqeri, Filma Shqip dhe të huaj, Muzikën më të re 2013, DVD Humore shqip, Këshilla Mjeksore, Diskutime, Video Klipe, Kuriozitete, dhe Lajmet më të reja nga vendi dhe bota.

KleaLove.com / Staff.
Klea Love Forum
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Gënjeshtra tek fëmijët

2 posters

Shko poshtë

Gënjeshtra tek fëmijët Empty Gënjeshtra tek fëmijët

Mesazh nga Emona Wed 30 May 2012 - 0:16

Gënjeshtra përkufizohet me fjalët:”Diçka e thënë që s'është e vërtetë; pohim që nuk përputhet me të vërtetën, të cilën e di edhe vetë personi që e thotë. Gënjeshtra është një proces falsifikimi i të vërtetës, me qëllim mashtrimi. Këtë përkufizim e sollëm me qëllim që ta bëjmë sa më të kuptueshme nëse kemi të bëjmë me një gënjeshtër, apo diçka që i ngjan asaj.

A është gënjeshtra një sjellje e natyrshme, apo është diçka e fituar?

Askush prej nesh nuk lind bashkë me gënjeshtrën. Prandaj, ajo shihet si një sjellje e fituar siç është dhe thënia e të vërtetës. Pra, fillimisht dhe përfundimisht, gënjeshtra lind dhe zhvillohet në mjedisin përreth fëmijës, zakonisht familja.

A luan rol familja në kultivimin e gënjeshtrës tek fëmijët?

Padyshim që po dhe shembujt e mëposhtëm flasin më qartë për këtë:

1 – Krijimi i modelit të gënjeshtarit [thuaji që babi nuk është këtu] [thuaji që është duke fjetur] [ thuaji që mami nuk ka ardhur akoma] [vëllai ka vajtur në shkollë] [babi, më premtove një dhuratë nëse kaloj dhe nuk e ke mbajtur fjalën].

2 – Insistimi për të thënë të vërtetën dhe vetëm të vërtetën për çdo çështje, e madhe apo e vogël qoftë. Kjo bën që fëmija të gënjejë për të mënjanuar ashpërsinë dhe ekzagjerimin e prindërve.

Cila është mosha në të cilën mund ta klasifikojmë sjelljen si gënjeshtër?

Në përgjithësi, është mosha pesëvjeçare. Para kësaj moshe, fëmija nuk e bën dot dallimin mes realitetit dhe imagjinatës. Prandaj, i bëjmë padrejtësi nëse e përshkruajmë si gënjeshtar.

A është gënjeshtra një sjellje e përhershme, apo diçka aksidentale që mund të ndryshohet?

Kjo varet nga ambienti përreth. Nëse ai e stimulon gënjeshtrën për vite të tëra, ajo shndërrohet në tipar thelbësor të personit. Por nëse ekzistojnë përpjekje të njëpasnjëshme dhe serioze për ndryshimin e kësaj sjelljeje, brenda një ambienti të përshtatshëm, ky tipar mund të ndryshojë.

Llojet e gënjeshtrës

1 - Gënjeshtra imagjinare. Atë e hasim kryesisht në fëmijërinë e hershme, për shkaqet e mëposhtme:

-Pa aftësia e fëmijës para moshës pesëvjeçare, për të dalluar realitetin nga imagjinata.

- Shumë lodra dhe lojëra të fëmijëve, përmbajnë gjëra të pavërteta.

- Fëmijët i shprehin ëndrrat dhe dëshirat e tyre. Kështu, fëmija që dëshiron që babai ti blejë një biçikletë, i thotë të vëllait se babai ia ka sjellë biçikletën dhe se gjendet në tarracë.

- Nga dëgjimi i përrallave mitologjike para gjumit.

Këto imagjinata të fëmijëve nuk kemi përse ti quajmë gënjeshtra, madje as nuk kemi përse të shqetësohemi prej tyre. Ato nuk janë prirje për gënjeshtra patologjike më vonë. Ne si prindër, duhet që herë pas here fëmijën ta lidhim me botën reale dhe ti themi sa gëzohemi nga këto imagjinata të tij. Kështu, si ne ashtu dhe fëmija mëson se ato janë thjesht lojëra dhe mënyrë dëfrimi dhe se ajo që ai thotë nuk është e vërtetë, as gënjeshtër, por thjesht një mënyrë argëtimi. Ndonjëherë, kjo imagjinatë është si bërthamë e dhuntisë së aktrimit.

2 – Gënjeshtra pështjelluese. Në këtë rast, e vërteta pështjellohet dhe ngatërrohet me ëndrrat e fëmijës. Kështu, atij i ngatërrohen gjërat dhe nuk e kupton nëse ka ndodhur me të vërtetë apo e ka parë në ëndërr. P.sh, një vajzë e vogël i ankohet nënës se roja i pallatit, ia mori lodrën dhe paratë dhe e qëlloi në fytyrë kur ishte duke luajtur para pallatit.

Nëna, mund ta besojë këtë, sidomos nëse roja është njeri i vrazhdë, prej të cilit mund të pritet një sjellje e tillë. Në fakt, vajza e vogël kishte parë në ëndërr sikur roja i merr lodrën dhe paratë, e mandej i jep dhe një dackë dhe këtë e tregoi si të vërtetë. Aq më tepër që ajo e ka frikë, për shkak të fytyrës së vrenjtur të tij. Me ta parë në ëndërr, ajo vajti tek e ëma dhe ia rrëfeu si të vërtetë. Kjo lloj gënjeshtre, fillon e zhduket me rritjen graduale të fëmijës.

3 - Gënjeshtra kompensuese. Në këtë rast, fëmija gënjen kur ndihet inferior dhe më i mangët se të tjerët që e rrethojnë. Ai mund të gënjejë edhe për të tërhequr vëmendjen, për tu bërë qejfin prindërve kur ka dështuar të realizojë pritshmërinë e tyre në një punë të caktuar. Kështu, ai shpik gjëra që nuk i ka bërë. Shembuj për këtë mund të sjellim:

Një fëmijë në klasën e katërt fillore, me trup të dobët, të pazhvilluar mirë dhe i shkurtër. Për këtë, ai vuan nga talljet dhe ironia e shokëve në shkollë. Kështu, kur kthehet në shtëpi, një fëmijë i tillë mund tu thotë prindërve se ka rrahur shtatë shokë të këqij në klasë, të cilët kishin dashur ta rrahin.

Një fëmijë klasë gjashtë fillore, në shkollën e gjuhëve të huaja. Ai është djali i një nëpunësi të thjeshtë në administratën shtetërore, sakaq shumica e shokëve të tij i përkasin shtresës së lartë në shoqëri. Zakonisht, një fëmijë i tillë, u rrëfen shokëve për pronat e pafund të atit, profesionet e tij dhe postet e larta që kanë xhaxhallarët dhe dajat në qeveri.

Një vajzë në klasën e gjashtë, zeshkane, e dobët, me hundën e gjatë, dhe dy sy të vegjël. Ajo u tregon shoqeve për disa djem mjeranë që e ngacmojnë në telefon, i vihen pas sa del jashtë shtëpisë dhe i shkruajnë letra dashurie.

Në këtë rast, lipset përkujdes për fëmijën, si dhe të kuptohen mirë nevojat e tij psikologjike, si dhe ndjenja e inferioritetit. Është mirë që të gjenden metoda reale për të plotësuar këto nevoja, pa gënjeshtra. Në të kundërt, kjo do të shndërrohet në gënjeshtër kronike, madje mund të kthehet në përpjekje për të mashtruar dhe për tua hedhur njerëzve kur të rritet.

4 – Gënjeshtra obsesive ose maniake. Ajo ndodh tek ato fëmijë të cilët vuajnë nga dhuna e prindërve dhe mungesa e besimit mes tyre. Ngaqë janë të privuar nga shumë gjëra, ata përdorin gënjeshtrën për ti poseduar. Kështu, djali u thotë prindërve se mësuesi u ka kërkuar pesëqind lekë për zbukurimin e klasës. Ose se trajneri i futbollit u ka kërkuar dymijë lekë për orët shtesë të stërvitjes. Ose vjen vajza dhe u thotë se drejtoresha e shkollës u ka kërkuar të gjithë studenteve që të blejnë këpucë të zeza sipas një stili të caktuar (të cilat i pëlqejnë vajzës).

Kështu, kur fëmija humbet besimin në ambientin përreth, ndihet i privuar dhe fillon e gënjen për të zotëruar sa më shumë gjëra të cilat i pëlqejnë. Kjo lloj gënjeshtre, kërkon që fëmijës ti afrohemi emocionalisht dhe shpirtërisht, ta bëjmë të ndihet i sigurt dhe ti falim besimin e munguar. Ne duhet t’ia plotësojmë nevojat, me qëllim që të mos detyrohet të bëjë hile dhe të gënjejë.

5 – Gënjeshtra imituese. Fëmija imiton njërin nga prindërit kur dëshiron ta ekzagjerojë diçka. Kështu, imiton babanë i cili e ekzagjeron me një aksident automobilistik, ku ka qenë vetë dëshmitar dhe fëmija, duke ekzagjeruar kontributin e tij heroik në shpëtimin e viktimave dhe të lënduarve. Fëmija duke qenë prezent në atë aksident, ku i ati në fakt nuk është se bëri ndonjë gjë të madhe, mësoi artin e të gënjyerit pikërisht nga i ati.

Fëmija mund të gënjejë edhe ngaqë është familjarizuar me gënjeshtrën, të cilën e ka parë si normale në familje. P.sh, nëna e merr fëmijën gjoja për të dalë për shëtitje, mandej, fëmija zbulon se gjithçka ishte një gënjeshtër, pasi ajo po e çon tek dentisti. Ose kur babai i premton një dhuratë dhe nuk ia blen.

6 - Gënjeshtra për të tërhequr vëmendjen:

Këtë lloj gënjeshtre zakonisht e përdorin dy tipa fëmijësh:

- Fëmija egoist dhe i llastuar, i cili dëshiron të mbetet në qendër të vëmendjes të dy prindërve gjatë gjithë kohës. Prandaj, ai gënjen që të tërheqë vëmendjen ne tyre, edhe pse kjo mund të shkaktojë zemërimin e tyre. E rëndësishme është që ai të ndihet në qendër të vëmendjes.

- Fëmija i lënë pas dore dhe i harruar, i cili kërkon të tërheqë vëmendjen e dy prindërve të shkujdesur dhe indiferentë. Duke qenë se ata janë dhënë pas vëllezërve të tij dhe me problemet e tyre të përditshme, ai nuk gjen formë tjetër për tu bërë pjesë e “lojës” veçse duke gënjyer, gjë e cila shkakton tension në familje dhe fokusim të vëmendjes prindërore tek ky fëmijë.

7 – Gënjeshtra si rrjedhim i urrejtjes dhe dëshirës për hakmarrje. Motivi kryesor i këtij lloji gënjeshtre është ndjenja e urrejtjes, neverisë dhe dëshirës për tu hakmarrë. Ky lloj është shumë i përhapur mes vëllezërve të një familjeje, ku vëllai i ankohet mamasë se vëllai tjetër gjithmonë vjedh të holla nga çanta e saj, ose motra ankohet tek nëna se i vëllai ngacmon vajzat në rrugë.

Ajo ndodh edhe në shkollë, ku një vajzë i ankohet mësueses për një shok klase i cili gjoja e paska ngacmuar. Në fakt, ajo thjesht e urren atë për shkak se ai nuk ia var fare dhe se e injoron gjithmonë. Ndonjëherë ajo ankohet se djali në fjalë i paska dërguar letra dashurie. Në përgjithësi, ky lloj gënjeshtre lind në rastet kur fëmija ndihet i lënë pasdore nga prindërit ose mësuesit, ose për shkak të xhelozisë ndaj bashkëmoshatarëve, të cilët e bëjnë të ndihet inferior dhe nuk ia varin.

Gënjeshtra të këtij lloji, shkaktojnë shumë probleme brenda familjes dhe në shoqëri, pasi mund të ndëshkohen dhe penalizohen njerëz të pafajshëm. Për këtë, duhet që familja dhe shkolla ta zgjidhin problemin me kujdesin më të madh, duke studiuar dhe motivet e vërteta. Në të kundërt, fëmija duhet dërguar tek një specialist.

8 – Gënjeshtra e frikës nga ndëshkimi, ose gënjeshtra vetëmbrojtëse. Ky lloj gënjeshtre përbën 70 % të gënjeshtrave tek fëmijët, sidomos tek ata mbi gjashtë vjeç. Bazuar në këtë, ky lloj konsiderohet si më i përhapuri.

Fëmija detyrohet të gënjejë kur në familje, shkollë apo shoqëri zbatohet një rregullore dhe sistem shumë i rreptë. Kështu, fëmija gënjen për ti shpëtuar ndëshkimit. Madje, çështjet për të cilën akuzohet, ai mund t’ia delegojë një fëmije tjetër të pafajshëm, duke e dyfishuar masën e fajit. Kështu, fillimisht ai gënjen dhe e refuzon akuzën që i vishet, mandej ia ngjit dikujt tjetër.

Ka prindër të cilët përdorin dajakun me qëllim që fëmijët të thonë të vërtetën. Në fakt, këta prindër nuk bëjnë gjë tjetër veçse i motivojnë për të gënjyer më shumë, pasi e detyrojnë që fëmija të thotë atë që dëshirojnë prindërit për ti shpëtuar dhunës fizike të fortë. Me qëllim që kjo gënjeshtër të eliminohet nga jeta e fëmijëve tanë, lipset sigurimi i një ambienti të qetë, ku gabimet e fëmijës pranohet, shoqëruar me përpjekje për ti korrigjuar me mekanizma pozitive dhe edukative, larg dhunës dhe ndëshkimit të rreptë si mënyrë zgjidhjeje.

9 – Gënjeshtra si rezistencë ndaj pushtetit të rreptë. Këtë lloj gënjeshtre, fëmija e praktikon kur jeton nën pushtetin e rreptë të prindërve, të cilët i projektojnë rrugën që duhet të ndjekë për tu arsimuar dhe si të sillet në jetë. Duke qenë se nuk i lejohet të bëjë zgjedhjet e veta, ai u bindet sipërfaqësisht dhe pas shpinës së tyre vepron sipas dëshirës së tij, duke e mbushur vakumin mes të jashtmes dhe të brendshmes me gënjeshtra. P.sh, kur nëna e pyet mbi detyrat e shtëpisë, ai përgjigjet se mësuesi nuk kishte ardhur atë ditë, kështu nuk ka detyra. Kur pyetet mbi notën që ka marrë në provimin mujor, ai i jep testin ku ka korrigjuar notën, që ti afrohet pritshmërisë së prindërve.

Në këtë rast, trajtimi i këtij problemi kërkon trajtim dhe ndryshim të metodës së punës së prindërve, pa filluar me fëmijën. Ata duhet të heqin dorë nga format imponuese, duke e respektuar personalitetin e fëmijës dhe zgjedhjet e tij, duke i dhënë rast të jetë vetja.

10 – Gënjeshtra sociale. Kjo formë përdoret si nga fëmijët ashtu dhe nga të rriturit, për të justifikuar mospjesëmarrjen në një takim, apo për të shmangur disa presione shoqërore. Nuk është kusht që kjo formë gënjeshtre të jetë tipar i pandashëm i personit.

11 – Gënjeshtra patologjike, kronike. Ajo është gënjeshtër e qëllimshme dhe kronike, ku fëmija e ndjen veten në motivuar për të gënjyer në mënyrë të pavetëdijshme. Ai gënjen gjatë gjithë kohës, duke e shndërruar gënjeshtrën në tiparin më dallues të tij në mesin e njerëzve me të cilët jeton. Këtu, gënjeshtra bëhet pjesë e një sistemi të çrregullt sjelljesh, si vjedhja, largimi nga shtëpia ose shkolla, dinakëria, mashtrimi, hilet dhe dhuna.

Ky rast ka nevojë për një trajtim psiko-social nga një specialist, para se ky sistem i çrregullt i sjelljeve të marrë natyrë kriminalistike dhe agresive ndaj shoqërisë.

Trajtimi i gënjeshtrës tek fëmijët:

Teksa mendojmë për trajtimin, duhet të kemi parasysh:

1. Moshën e fëmijës. Kjo, pasi para moshës pesëvjeçare gënjeshtra nuk merr dimensionin që njohim.

2. A është gënjeshtra një tipar i fëmijës apo diçka aksidentale?

3. Cilat janë motivet e gënjeshtrës dhe rrethanat e saj?

4. Në cilën kategori renditet kjo gënjeshtër?

5. A është gënjeshtra diçka e rastit apo është pjesë përbërëse e sjelljeve të çrregullta?

6. Ndëshkimi nuk vlen shumë në trajtimin e gënjeshtrës, ashtu siç prezantimi i fëmijës si gënjeshtar para familjes dhe shokëve, ia përforcon këtë ves, gjë e cila ndikon negativisht në personalitetin e tij.

7. Ne duhet ta kërkojmë burimin e vërtetë dhe shkakun e gënjeshtrës tek ambienti ku jetoj fëmija. Që do të thotë, ta pastrojmë mjedisin rrethues të tij nga çdo lloj formë gënjeshtre, si në fjalë ashtu dhe në sjellje. Kjo kërkon kurajë nga prindërit për tu përballur fillimisht me gënjeshtrat e tyre personale, që të jenë me të drejtë model i mirë për fëmijën. Fëmija, ashtu siç ka mësuar prej tyre gënjeshtrën, do të mësojë të thotë të vërtetën.

8. Studimi i nevojave të fëmijës, të cilat e demoralizojnë, siç është nevoja për dashuri, vlerësim dhe siguri. Mos plotësimi i këtyre nevojave, mund ta motivojë të gënjejë, si formë hakmarrjeje.

9. Ti jepet rasti fëmijës që të shprehet për veten, larg presionit dhe kanosjes, të cilat zakonisht motivojnë gënjeshtrën.

10. Gabimet e fëmijës dhe shkarjet e tij të kalohen me durim dhe maturi, por pa rënë pre e llastimit dhe injorimit të dëmshëm.

11. Të respektojmë premtimet që i bëjmë fëmijës, duke vlerësuar në maksimum sinqeritetin dhe thënien e të vërtetës.

12. Duhet të ndërgjegjësohemi se mjetet më të dobëta në këto raste, janë ndëshkimi dhe këshillat gojore.




Emona
WebMaster
WebMaster

Postime Postime : 46759
Gjinia Gjinia : Female
Anëtarësuar Anëtarësuar : 12/03/2010

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Gënjeshtra tek fëmijët Empty Re: Gënjeshtra tek fëmijët

Mesazh nga Anakonda Wed 30 May 2012 - 4:42

ndonjehere femjijet me an te genjeshtrave shpetojn koken...
Anakonda
Anakonda
V.I.P Anëtarë
V.I.P Anëtarë

Vendbanimi Vendbanimi : Australia
Postime Postime : 31717
Gjinia Gjinia : Female
Anëtarësuar Anëtarësuar : 02/12/2011
Mosha Mosha : 34
Hobi Hobi : Once Upon A Time

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi