Klea Love Forum
Klea Love Forum - Welcome
 Bizanti i pakinezëruar  People-icon
Mirë se vini në Klea Love Forum, Ju ftojmë që të Regjistroheni, në mënyre që të keni aksese në të gjitha kategorit dhe temat, në Klea Love Forum, mund të gjeni Shoqeri, Filma Shqip dhe të huaj, Muzikën më të re 2013, DVD Humore shqip, Këshilla Mjeksore, Diskutime, Video Klipe, Kuriozitete, dhe Lajmet më të reja nga vendi dhe bota.

KleaLove.com / Staff.


Join the forum, it's quick and easy

Klea Love Forum
Klea Love Forum - Welcome
 Bizanti i pakinezëruar  People-icon
Mirë se vini në Klea Love Forum, Ju ftojmë që të Regjistroheni, në mënyre që të keni aksese në të gjitha kategorit dhe temat, në Klea Love Forum, mund të gjeni Shoqeri, Filma Shqip dhe të huaj, Muzikën më të re 2013, DVD Humore shqip, Këshilla Mjeksore, Diskutime, Video Klipe, Kuriozitete, dhe Lajmet më të reja nga vendi dhe bota.

KleaLove.com / Staff.
Klea Love Forum
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Bizanti i pakinezëruar

Shko poshtë

 Bizanti i pakinezëruar  Empty Bizanti i pakinezëruar

Mesazh nga Alberti Tue 17 Aug 2010 - 23:43

nga Aurel PLASARI

A mund të pandehet, siç kanë bërë në vite historianët "perëndimorë" se Bizanti qenkësh shkëputur nga Perëndimi, nga jeta e gjallë e Perëndimit, jo nga tradita juridike dhe nga kujtimet historike? Lufta kundër një historie të konceptuar si "perandori mandarinësh", të izoluar me murin e tyre kinez, është gjithnjë aktuale për të na mësuar të refuzojmë "historishkruesit" papagallë të stereotipive.


Jug-lindja e shembëllyer

Ridimensionimi i raporteve Orient/Oksident përgjatë historisë europiane ka përbërë një problem ngashënjyes në historiografinë e kontinentit, së paku prej fillimit të shekullit XX. Historiografë dhe, posaçërisht, teoricienë të historisë i janë përkushtuar sidomos çështjes së leximit të stereotipuar nga ana e "perëndimorëve" të traditës historiko-shpirtërore të jug-lindjes europiane. As sot e gjithë ditën fjalët e fundit për këtë çështje s'janë thënë, pra as mund të thuhen në dy-tre artikuj. Shënimet që përbëjnë këta artikuj pretendojnë vetëm që, nga njëra anë, ta parashtrojnë çështjen duke e vështruar nga ato që quhen "kënde të brendshme" të jug-lindjes europiane në të cilën jetojmë dhe, nga ana tjetër, të ndihmojnë për ta zhvendosur leximin e së kaluarës së popujve të Ballkanit prej stereotipive me të cilat vishen jorrallë "arsye politike".

Libri Duke shembëllyer Ballkanin (New York 1997) i Dr. Maria Todorovës, profesor universitar në ShBA, mund të përmendet si nga shembujt më të fundit të orvatjeve për një ridimensionim të tillë. Ai është bërë një ndër librat e diskutuar në qarqet universitare dhe ato jashtuniversitare pikërisht ngase u kundërvihet stereotipive të sipërpërmendura. Todorova e fillon dhe e mbaron librin e saj me një akuzë (angl. indictment) formuluar prej analistit amerikan George F. Kennan në parathënien për Luftërat e tjera ballkanike, bot. i vitit 1993 i Raportit të vitit 1913 nga Carnegie Endowment mbi luftërat ballkanike 1912-1913. Për autoren, si parathënia ashtu edhe botimi i ri vuajnë nga një predispozitë negative në të vështruarit e Ballkanit si "një e tërë e paqytetëruar dhe e pashpresë". I mbështetur në një përzgjedhje shënimesh udhëtimi, relatimesh diplomatike, vështrimesh akademike, dëshmish publicistike dhe letrare në shumë gjuhë, libri i Todorovës shqyrton ontologjinë e Ballkanit nga shek. XVIII deri në ditën e sotit, duke zbuluar rrugët nëpër të cilat një traditë e mbrapshtë intelektuale është konstruktuar, mitologjizuar dhe vijon ende të përçohet në nivelin diskursiv.

Historiografi më në zë që ia ka kushtuar një pjesë të madhe të punës së vet kthjellimit të raporteve Orient/Oksident ka qenë, pa dyshim, Nikolla Iorga (1871-1940). Vepra e tij shkencore mbahet si ndër përpjekjet më të thella, më konsekuente dhe më të çiltëra të gjenisë njerëzore për të depërtuar nëpër rrugën e shkencës drejt së vërtetës dhe për ta vënë këtë të vërtetë në shërbim të njerëzve. Një nga drejtimet në të cilat përpjekjet e Iorgës u përqendruan ka qenë pikërisht thyerja e stereotipive në të cilat janë modeluar faktet e historisë universale prej historianëve "perëndimorë". Dyke synuar gjetjen e vendit dhe rolit që u takon popujve të jug-lindjes europiane në këtë histori, te Probleme të historisë universale (1929) ai shkruante: "S'kemi asnjë motiv për të vijuar ta pranojmë historinë e njerëzimit ashtu sikundër është shkruar ajo në mënyrë diverguese, simbas ambicjeve, të cilat asnjë metodë s'mund t'i ndalë dhe t'i frenojë, të popujve të mëdhenj. Por, duke përfituar nga pozita jonë gjeografike dhe nga ekzistimi i sintezave që na janë imponuar, duhet të ngulisim vijat e mëdha dhe pikat e takimit për jetën e asaj bote që të tjerët edhe kur e shohin, s'duan ta marrin parasysh" (f. 5).

Pavarësisht shkaqeve që e shtynë, Iorga u ngrit në historiografinë europiane si përfaqësues i një "bote të injoruar", të vështruar nga lart dhe, kështu, të shformuar. Mbështetur mbi një erudicion të pazakontë dhe mbi një fuqi shpirtërore që e bënë atë historianin më të madh të kohës së tij, Iorga ia doli t'i imponojë shkencës perëndimore nocionin "jug-lindje europiane", duke themeluar edhe të parin Institut të Studimeve Jug-lindore Europiane më 1913. Integrimi i Bizantit në këtë njësi të historisë universale është një nga momentet e kësaj përpjekjeje për skajimin e stereotipive të vjetra. Prandaj njëra nga sintezat për të cilat Iorga fliste, dhe ndoshta më e rëndësishmja e realizuar prej tij, në kuptimin që përfaqëson më së miri ridimensionimin e lakmuar, është "sinteza bizantine".

Alberti
Legjendë
Legjendë

Postime Postime : 41743
Gjinia Gjinia : Male
Anëtarësuar Anëtarësuar : 23/11/2009
Mosha Mosha : 36
Hobi Hobi : Tenisi

Mbrapsht në krye Shko poshtë

 Bizanti i pakinezëruar  Empty Re: Bizanti i pakinezëruar

Mesazh nga Alberti Tue 17 Aug 2010 - 23:43

Viset iliro-shqiptare

Ndryshe nga sa përfytyrohet shpesh, gadishulli i Ballkanit kishte për Perandorinë romake të Lindjes një rëndësi relativisht mesatare. Prej këtij gadishulli Perandoria kishte nevojë për bregun e Adriatikut dhe për rrugët që e lidhnin me të. Kështu shpjegohet që, posaçërisht për Ilirikun dhe banorët e tij, të cilët bënë pjesë në atë që quhej Basilea ton Rhomaion, dhe që sot emërtohet Bizant, prej ndarjes perandorake të vitit 395 deri në ndarjen e "pjesëve" për perëndimorët më 1204, "koha bizantine" përbën një nga periudhat e gjalla të historisë së tyre. Interesi i Kostandinopojës për bregun e Adriatikut dhe për rrugët që e lidhnin me të do të jetë shkaku numër një i integrimit të shqiptarëve në Bizant, por njëherësh kjo pozitë e tyre gjeopolitike do të bëhet edhe motivi kryesor i shkepjes gjithnjë më të madhe të shqiptarëve prej Bizantit nën ndikimin e atij që duhej quajtur "implus i perëndimit". Sado kundërthënës të ngjajë ky konstatim, ai nuk është i tillë për këdo që kupton qoftë edhe pak nga gjeopolitika.

Në këtë periudhe zë fill edhe "çështja fetare e Ballkanit", si rivalitet jo vetëm fetar, por edhe kulturor, me gjurmë specifike që i dallohen në Gadishull deri në ditën e sotit. Prej kësaj kohe viset shqiptare nisin e përfillen si zonë ballafaqimi e Lindjes me një Perëndim në ngritje e sipër. Mes herezish dhe shkimjesh religjioze, këto vise do të bëheshin fushë beteje për dy Kishat, të cilat do të vinin duke u larguar gjithnjë më shumë njëra nga tjetra. Sa i takon popullsisë, ajo do të ndiente në mënyrë të drejtpërdrejtë ndikimet tanimë të përkundërta të "dy Romave", të së vjetrës dhe të së resë, shprehur në vija të përgjithshme në literaturën tradicionale si "kulturë romane" (katolike) dhe "kulturë bizantine" (ortodokse). Është fjala për ndikime që, gjithsesi, zhvendoseshin me kufij vijimisht të pasigurt, madje tekanjozë. Ata që përpiqen ta përfshijnë një ballafaqim të tillë në "konstruksionet metahistorike dhe irealiste" (Martelli, 11), mund ta lexojnë atë të dëshmuar, për shekujt XII-XIII kur tanimë qe shfaqur sheshit, tek e famshmja Kronikë e Moresë, nëse duan.

Për t'i përkapur në mënyrë pamore raportet e reja të këtyre viseve mes Romës dhe Kostandinopojës mund të na ndihmojë konfigurimi në dy rrathë i O. Randit: njëri rreth me qendër në Romë dhe tjetri me qendër në Kostandinopojë. Shihet prej këtij konfigurimi se si një pjesë e madhe e Shqipërisë së sotme (si dhe e Malit të Zi dhe e Dalmacisë) bie brenda një rrezatimi të dyfishtë, aty ku rrathët idealë i mbivendosen njëri-tjetrit. Vetë kjo "copëz" (tract) shqiptare brenda rajonit jug-lindor europian është dëshmia se rrezatimi i dyfishtë që pëson kjo zonë nuk është as fantastik dhe as i trilluar, por real, d.m.th. i konfirmuar nga historia. Një zone të tillë, kulturorisht "hibride", do t'i binte të ishte, së paku nga ana e jashtme, cement i bashkimit të qarkut të Kostandinopojës dhe atij të Romës; në të vërtetë, ajo rezultoi më së shumti si një shatter zone, në të cilën u ndeshën thuajse gjithë të çamet që do ta dallonin të ashtuquajturën "botë orientale ballkanike" (bizantine) prej asaj "oksidentale latine" (romane).

Alberti
Legjendë
Legjendë

Postime Postime : 41743
Gjinia Gjinia : Male
Anëtarësuar Anëtarësuar : 23/11/2009
Mosha Mosha : 36
Hobi Hobi : Tenisi

Mbrapsht në krye Shko poshtë

 Bizanti i pakinezëruar  Empty Re: Bizanti i pakinezëruar

Mesazh nga Alberti Tue 17 Aug 2010 - 23:44

Shqiptarët

Për paraardhësit e shqiptarëve dhe shqiptarët "koha bizantine" paraqitet, pikësëpari, si një periudhë ballafaqimi me dyndjet barbare: të visigotëve në shek. III e.r., të ostrogotëve në shek. V, mandej duke filluar nga shek. VI me radhë: të avarëve, serbëve, kroatëve, bullgarëve etj. Për ta kuptuar rëndësinë e një ballafaqimi si ky, duhet lënë m'anësh historia dhe i duhet drejtuar antropologjisë kulturore; kështu mund të dallohet ndikimi i drejtpëdrejtë i këtij ballafaqimi në zhvillimin e grupit etnik shqiptar.

Po në këtë "kohë bizantine" popullsia iliro-shqiptare bie në takim me një organizim administrativo-ushtarak, sado fillestar. Nga njëra anë, brenda suazës perandorake (themat e Nikopojës dhe të Durrësit, mandej thema e Ilirikut etj.), nga tjetra edhe jashtë saj, së paku duke nisur nga shek. XI. Prej shek. XI shfaqen në habitatet e shqiptarëve edhe "pushtete" të reja: shteti ushtarak i normanëve, republikat e Venedikut, Amalfit etj. Por, kujdes! Shteti i normanëve dhe, mbas tij, mbretëria e Dy Siqilive ngriheshin mbi një traditë drejtpërsëdrejti bizantine, duke pasë qenë edhe Italia e jugut vetëm një provincë e Perandorisë. Në veri të Adriatikut, po ashtu, Republika e Vendikut riprodhohej po mbi një "dukat bizantin", me shumë tipare që do t'i mbeteshin bizantine deri në fund të ekzistimit të saj. Edhe brendapërbrenda rajonit ballkanik modele bizantine riprodhoheshin prej shtetesh në miniaturë, si Principata e Moresë dhe Despotati i Epirit e i Artës, apo provinca si Dyrrachii et Arbanii organizuar nga Republika e Shën Markut. Këndej viset i shtinte në dorë një Mihal Engjëll-Komneni apo një Teodor Engjëlli, andej shfaqej Mbreti Manfred, një bir i tij bastard me gjithë angjevinët e vet, sajoheshn "dukët" e Durrësit, mandej "markezët", duke riprodhuar po modele bizantine. Kështu deri më 21 shkurt 1272, kur Karli Anjou pranonte një kurorë që ia ofronin kontë, baronë, ushtarakë dhe qytetarë "shqiptarë" dhe shpallte një "Regnum Albaniae" me kufij që me saktësi nuk i dinte askush. Kur prej "perëndimit" meheshin kryqëzatat dhe nga "lindja" binte mësymja e sllavëve të Stefan Dushanit, atëherë ngriheshin bujarët shqiptarë, Balshë, Thopiaj, Muzakë. Bëheshin fejesa dhe martesa nga njëri breg në tjetrin duke përdorur për "pajë" pikërisht viset shqiptare. Kur ndaheshin të zotët, copëtoheshin edhe viset. Një Balshë vriste në gjah një Matarangë për t'i marrë gruan së toku me "Albaninë", e cila s'reshtte së kaluari kështu nga një dorë në një tjetër.

Shekulli XI është edhe momenti kur "shqiptarët" përmenden nominalisht në suazën e Perandorisë si Arbanoi dhe Arbanitai prej autorëve bizantinë, për të dalë pak më vonë edhe si Albanenses e Albanesi në evidencat "perëndimore". Është shekulli kur Perandoria ka mbërritur kulmin e vet, "epokën e dytë të artë", sikundër është quajtur, e cila e zë fillin historik tek ardhja në pushtet e dinastisë ushtarake të Komnenëve. Situata kulturore e shqiptarëve gjatë kësaj periudhe mund të rindërtohet duke u mbështetur në burimet e shekujve XI-XIII, tanimë mbledhur e botuar nga Farlati (dhe Coletti) në Illyricum Sacrum VII, në koleksionin e Acta-ve, si dhe në ato përfshirë në studimet e veçanta mbi Mesjetën shqiptare nga Ã…Â ufflay, Thallóczy, Jirecek, Valentini, Cordignano deri tek A. Ducellier.

Kemi, nga njëra anë, një klasë së paku politikisht të ngritur. Shtresa e saj më e kulturuar duket e përbërë prej zotërinjsh të mëdhenj (dominis) të integruar deri në sferat e larta të hierarkisë perandorake. Pikërisht thyerja e papritur nga ana e zotërinjve shqiptarë e kësaj njësie politike, me sa duket edhe kulturore e fetare (isopoliteia), e ka shtyrë Ataliatin të flasë për ta me tone befasimi në kalesën shumë të cituar të tekstit të tij. Një shtresë më pak e kulturuar fisnikësh (nobilis) përbëhet prej kryetarësh fisesh të mëdha, zotërinjsh të vegjël vendës etj. brenda mjedisit të oborreve të zotërinjve të mëdhenj. Zotëria i madh i Durrësit, Gjergj Thopia, për shembull, në shtratin e vdekjes shqetësohej për fatin e atyre që ai i quante "nobilis ac fidelis sui ac vassalli". Mes këtyre dy shtresave regjistrohen, nga njëra anë, priorë, arhondë dhe katapanë, nga tjetra kontë, baronë dhe kavalierë, përzier në një rrjetë të kokolepsur krushqish me familjet e mëdha greke, korfiote, dalmatine, kroate, serbe, mandej hungare, amalfitane, venedikase, gjenoveze, më vonë fiorentine etj. Prej të njëjtave burime mund të përvijohen me përafërsi edhe tiparet e një jete kulturore të zhvilluar në mjediset në fjalë, në oborret e zotërinjve të mëdhenj, në kapitolet e katedraleve dhe të manastireve. Mund të vihet re ndikimi i ushtruar në këto mjedise prej ipeshkvijsh të ditur, si domenikani frëng Guljelm i Adës ose një Gjon nga Pian'del Carpino, por edhe nga princër ardhur prej oborresh të rafinuara, si ato të Napolit, prej qarqesh intelektuale, si ai i Firences: Acciaino-t, Tocco-t, Orsini-t etj.

Alberti
Legjendë
Legjendë

Postime Postime : 41743
Gjinia Gjinia : Male
Anëtarësuar Anëtarësuar : 23/11/2009
Mosha Mosha : 36
Hobi Hobi : Tenisi

Mbrapsht në krye Shko poshtë

 Bizanti i pakinezëruar  Empty Re: Bizanti i pakinezëruar

Mesazh nga Alberti Tue 17 Aug 2010 - 23:44

Nën shenjën e shkartisjes

Është për shqiptarët një periudhë lulëzimi kulturor në dukje "e shkartisur" (angl. mixed), por në të vërtetë kjo është karakteristika thelbësore e "sintezës bizantine". "Bizanti - përkufizonte Iorga – është një sintezë elementesh mjaft të ndryshme, të ardhura nga gjithandej, që mbetet gjithnjë e hapur, derisa vetë ideja bizantine u zhduk" (ç'është Bizanti, 16).

Nga njëra anë ngrihen deri në qytetet e bregut adriatik, të njohura si "romane", manastire ortodokse (ai i Kryeengjëllit Mëhill në Ulqin nën kështjellë, ai i Shën Pjetrit në Shkodër themeluar nga Gjergj Balsha II dhe i nënvënë një patriarku sllav nëpërmjet peshkopit të Zetës etj.). Nga ana tjetër, gjurmët e latinitetit zbresin deri në terminologjinë kishëtare ortodokse, sikundër është rasti i kishës së vogël të fshatit Drenovë (në luginën e Limit), ku Karl Patsch-i zbulonte fragmente mbishkrimi latin të shekujve IX-X. Durrësi, ky qytet i përftuar në rrugët gjeografike të botës si krye ure mes Romës dhe Kostandinopojës, përbën shembullin par excellence të kësaj shkartisjeje. Nga njëra anë, prej shekujve të parë të shkimjes (schisma) në Durrës u vendosën njëra përballë tjetrës dy seli simetrike: një ipeshkvÃÂ* katolike dhe një peshkopatë ortodokse. Madje për një kohë të gjatë regjistrohet bashkekzistimi i njëkohshëm i dy metropolitëve, të cilët i ndërronin vendet njëri me tjetrin sa herë ndryshonte sundimi politik: nën një autoritet bizantin dëbohej metropoliti katolik, ndërsa nën një autoritet "perëndimor" i dëbuari ishte metropoliti ortodoks (Ã…Â ufflay, 125). Në të njëjtën kohë në qytet takoheshin të dyja gjuhët e mëdha kancelareske të kontinentit: latinishtja dhe greqishtja. Deri në kohën e sundimit venedikas u mbajtën aty shërbimet noterile në greqishte dhe në latinishte: "notarii greci autentici et alii notarii boni latini" (1401). Një shkartisje e këtillë ndeshet edhe në monedha, mbishkrime varresh, kisha etj. Edhe në fillim të shek. XX në një nga muret rrethuese të Durrësit rindërtuar prej turqve me mbeturina të lashta të "portës së madhe" Jirecek-u dhe mbas tij Ã…Â ufflay zbulonin një "muze" të vërtetë mbishkrimesh romake, bizantine, venedikase, copëra stelash funerare, stema etj. Me gjasë, një kësi situate e shtynte Ã…Â ufflay-n të caktonte se pikërisht që aty niste "damari ballkanik" që do të ndante në Gadishullin tonë "Oksidentin" nga "Orienti".

Nga pikëpamja artistike, prej njërës anë të kufirit kulturor u ndie lulëzimi i artit të kapelave (angl. chapels), të kishëzave të vogla me kupolë në trajtë kryqi dhe e kodikëve të praruar. Nga tjetra, konkuronin një shkollë e Dalmacisë latine, një tjetër e artit romanik sjellë prej mbretëreshave frënge të martuara në shtëpinë mbretërore të Rashës ose me feudalë të tjerë vendës (si Thopiajt), me një art pastërtisht latin që zbriste nga Kotorri deri në manastirin e Deçanit. Një tjetër shkollë piktorësh bizantinegjantë të Perëndimit, nëpërmjet monumentesh si abacia benediktine e Shën Shelbuesit në Rubig, takohej me një shkollë venete ose veneto-dalmate etj. Shpesh në të njëjtat ngrehina fetare shkartiseshin elemente të artit romanik me ato të artit gotik që, në të vërtetë, s'qenë pos se pjesë e "sintezës bizantine". Në kishat më të rëndësishme, prej të cilave janë ruajtur afreske ose mbishkrime mesjetare, përkrah modeleve të dukshme "bizantine" bie në sy përdorimi i latinishtes për shenjtorë që në pjesën e tyre më të madhe mbahen për "orientalë". Kisha e Vaut të Dejës, kushtuar Shën Mërisë, ka pasur mbishkrime njëherësh greke dhe latine. Kulti i shumëpërhapur i Shën Sergjit dhe Shën Bakut, trashëguar ndoshta nga koha e Justinianit, u përfaqësua pranë Shkodrës nga abacia e famshme benediktine mbi Bunë, që dëshmonte pikërisht ndikimin e atyre që janë quajtur "dy tradita". Në fakt, fjala është po për "sintezën bizantine", edhe më të dukshme në fushën e artit. Përsëri ka qenë Iorga ndër të parët që ka vënë re se "shoqëria bizantine nuk pati krijuar asnjë nga elementet që ia përbëjnë sintezën e saj të pasur dhe të shkëlqyer artistike" (Probleme, 88). Dhe shtonte po aty: "Arti romanik, arti grek dhe arti oriental u bashkuan për të dhënë këtë shkartisje interesante: artin bizantin".

Alberti
Legjendë
Legjendë

Postime Postime : 41743
Gjinia Gjinia : Male
Anëtarësuar Anëtarësuar : 23/11/2009
Mosha Mosha : 36
Hobi Hobi : Tenisi

Mbrapsht në krye Shko poshtë

 Bizanti i pakinezëruar  Empty Re: Bizanti i pakinezëruar

Mesazh nga Alberti Tue 17 Aug 2010 - 23:44

Bizanti simbas Iorgës

Historiografia perëndimore, ndonëse e vinte re gjithnjë më shumë peshën e madhe që kishte ngritur Bizanti në historinë universale, qe mësuar ta trajtonte Perëndimin si qendër të përhershme të kësaj historie, ndërsa Orientin si periferinë e tij. Në punimin e tij në zë Sprovë sinteze e historisë së njerëzimit (1923), në veprën madhore Histori e jetës bizantine simbas burimeve (1934) dhe sidomos në vëllimin e saj IV me titullin kuptimplotë Bizanti mbas Bizantit, si dhe në një varg ligjëratash të përmbledhura në dy vëllimet Studime bizantine (1939), Iorga u përpoq të bëjë inventarin e atyre realiteteve që për një kohë të gjatë e patën imponuar Bizantin në rrafshin e parë të historisë universale. Njërën nga ligjëratat e mbajtura në Universitetin e Sorbonës ai me krenari e fillonte kështu: "Dhe sado që ta kenë hequr m'anësh sprovën time për një "sintezë të një historie universale", mua do të më dihet së paku përpjekja për të shfronësuar prej kësaj sipëranie Perëndimin për momentet kur s'ka qenë Perëndimi ai që vendoste për fatin e njerëzimit" (Histori, 26).

Ishte koha kur në bizantologjinë botërore thuhej rëndom: kishte në Mesjetë një "Oksident" qysh prej ndarjes së Perandorisë më dysh. Qenkëshin zhvilluar kështu dy jetë paralele: një greko-bizantine në Lindje dhe së këndejmi vinte emërtimi i pasaktë "Perandori greke e Lindjes", si dhe një jetë tjetër romane në Perëndim, dhe së këndejmi pretendimi për ekzistimin e një të ashtuquajture "Perandori romake të Perëndimit". Simbas kësaj shembëlltyre, secila "perandori" paskësh pasur qendrën e vet të rëndesës dhe një mur paskësh ekzistuar mes syresh, së paku deri në kryqëzatat. Atëherë kjo historiografi i jepte vetes të drejtën që në tekstet e historisë universale (e nënvizoj universale) të fliste për Klovin dhe mbasardhësit e tij në po aq faqe sa ç'fliste, ta zëmë, për Justinianin, apo dinastinë e Komnenëve dhe atë të Paleologëve marrë së bashku. Kundër kësaj mënyre të trajtuari të punëve në historinë universale u ngrit Iorga në dy nga studimet e tij më emancipuese me tituj Bizanti në Oksident (1932) dhe Ndërdepërtimi i Orientit dhe i Oksidentit gjatë Mesjetës (1934). "Të pandehësh se Bizanti qenkësh shkëputur nga Perëndimi, nga jeta e gjallë e Perëndimit, jo nga tradita juridike dhe nga kujtimet historike, - shkruante ai, - është një gabim shumë i madh. Mes Lindjes bizantine dhe Perëndimit të rënë në dorë shumë fisesh, disa grupesh etnike të dala nga bota romake, ka pasur një ndërdepërtim të vijueshëm" (ç'është Bizanti, 23). Thuajse për të "kënaqur" edhe ata historianë që kanë mbrojtur me ngulm idenë e një "perandorie të Perëndimit", Iorga propozoi termin "perëndim perandorak" si konceptim më bashkëkohor. Kjo përkon me atë realitet faktesh simbas të cilit Perandoria romake u vijua dhe u përqendrua në personin e perandorit, i cili ndodhej në Kostandinopojë; ideja perandorake dhe legjitimiteti perandorak që ai përfaqësonte do të përbënin teorinë politike të Mesjetës. Ky interpretim, në mënyrë të qartë, u kundërvihet atyre që kanë dashur të shohin te Bizanti vetëm një "monarki orientale", një shtet tampon mes "barbarisë aziatike" dhe një Perëndimi kinse të qëndrueshëm në vetvetete.

Kësisoj Iorga u bë një nga çliruesit e bizantologjisë botërore, për të cilën mund të thuhet se mbas tij ka ardhur duke e pranuar gjithnjë më shkoqur peshën e Bizantit në historinë universale. E dëshmojnë këtë evoluim një sërë sintezash madhore mbi Bizantin: nga Georg Ostrogorski (Mynih 1940/1952), Luis Bréhier (Paris 1948-1950), D. Angelov (Sofie 1959-1967) etj.

Në një ligjëratë të mbajtur për "miqtë e universitetit të Parisit" dhe të titulluar E ardhmja e studimeve bizantine (1929) Iorga u tërhiqte vëmendjen ndaj një rreziku gjithë atyreve që merren me "Bizantin" dhe dëshirojnë t'ia gjejnë atij vendin që i takon përkrah qytetërimeve të tjera të mëdha të së kaluarës. Ai bënte fjalë për rrezikun që bizantologjia të mbytet në vepra arkive, filologjie, në "cic-mice" hulumtuesish që e thërrmojnë njësinë organike të jetës së njëhershme bizantine në grimca të panumërta prej të cilave askush më s'mendon ta rindërtojë të tërën si një të gjallë. "Shkenca - këshillonte ai - duhet të vështrojë pak edhe vetveten. Sepse ajo duhet të vendosë: ose të mbyllet në një qark shumë ngushtë mandarinësh – mandarinësh që nuk e shohin, shpesh nuk e dëgjojnë dhe nganjëherë nuk e vlerësojnë njëri-tjetrin – ose ajo duhet të bëjë një gjë tjetër: të çelë dyert dhe dritaret. Po të mos i çelë dyert dhe dritaret, ajo do të mbetet mjaft e nderuar, por do të jetë jashtë kohës së saj dhe unë s'besoj se është bërë ndonjëherë punë e mirë duke qëndruar jashtë rrymave që zotërojnë një epokë" (E ardhmja, 5). Si këtu, edhe në më se një ligjëratë, ai u bënte thirrje kolegëve të tij të mos e "kinezëronin" kësisoj Bizantin.

Alberti
Legjendë
Legjendë

Postime Postime : 41743
Gjinia Gjinia : Male
Anëtarësuar Anëtarësuar : 23/11/2009
Mosha Mosha : 36
Hobi Hobi : Tenisi

Mbrapsht në krye Shko poshtë

 Bizanti i pakinezëruar  Empty Re: Bizanti i pakinezëruar

Mesazh nga Alberti Tue 17 Aug 2010 - 23:44

Bizanti së brendshmi

Një rrugë e tillë, e çelur prej Iorgës, të detyron ta përkufizosh Bizantin pikësëpari me atë çfarë ai vetë (Bizanti) llogariste se ishte dhe synonte të ishte nëpërmjet "idesë bizantine" të tij, dhe jo nëpërmjet asaj se si dukej ai së jashtmi. Transfizika e mrekullueshme e historianit që i gjallinte përbrenda e bëri Iorgën të shndërrohej, si me thënë, në bashkëkohës të Bizantit. Ai u përpoq të mendonte dhe të ndiente si njeriu bizantin dhe të na thotë se ç'është Bizanti ashtu sikurse do të na e kishte thënë një diplomat, një funksionar i kancelarisë perandorake, ose një njeri i rrugëve të Bizantit. Qe ky një element specifik, modern në thelb, i metodës së tij shkencore. Kështu në mënyrë të prerë ai na mëson: "Ne sot themi "Bizant", por me këtë emër nuk thirrej veçse qyteti i dikurshëm. Bizanti nuk është një perandori greke ose orientale, por, në konceptin e vet themelor, perandoria romake: Basileia ton Rhomaion. Greku vetë, në jetën e tij popullore, mbërtiti ta quante veten jo elen si dikur, por Rhomaios" (ç'është Bizanti, 15). Dhe më tej: "Perandorët e Kostandinopojës nuk e patën mbajtur veten kurrë si perandorë të një territori, por si perandorët e botës mbarë. Gjithë sa thuhet se perandorët e Bizantit paskëshin njohur perandorët gjermanë të perëndimit janë vetëm përfytyrime të shkaktuara nga krenaria oksidentale. Kurrë ndonjë perandor i Bizantit s'ka pranuar se ekziston një tjetër perandor në Romë, në Aahen, në Paris apo gjetiu" (f. 20).

Te ky karakter në thelb romak i Perandorisë, pavarësisht formave të reja në të cilat ai transpozohej, mund të gjendet gruri i themelit i marrëdhënieve të shqiptarëve me Bizantin. Nëse ky Bizant mundi t'u afrohej shqiptarëve, t'i devijonte ata sadopak nga jeta e vjetër popullore dhe t'i fuste në suazën e vet, këtë nuk e bëri as prej ndonjë karakteri grek të tij dhe as prej ndonjë devocioni të posaçëm të shqiptarëve për ortodoksinë. Nëse Bizanti iu afrua shqiptarëve dhe shqiptarët iu afruan Bizantit, kjo ndodhi ngase, prej traditës së lashtë romake të mbetur në instinktin e masave iliro-shqiptare, ata njihnin veten në bazën romake të tij.

Pa zvogëluar kontributin themelor të Romës së vjetër, një rol të konsiderueshëm u zbulon Iorga popujve të jug-lindjes europiane në atë botë të madhe që gravitonte në orbitën e Bizantit. Këtë rol ai e sheh në funksion edhe të vetë sistemit të "qeverisjes bizantine", shumë i ndryshëm prej "zotërimit" apo "sundimit" që mund të përftytyrojmë ne sot: "Grupet etnike të vendosura në Ballkan – shënon ai – vijonin të jetonin mbas mënyrës së vjetër, çdonjëri i kantonuar në domenin e vet, ndërsa ndaj rumunëve, ndaj shqiptarëve dhe ndaj grupeve të ndryshme sllave Perandoria vetë ishte e gatshme të pranonte ato forma partiarkale për ekzistime etnike që vareshin prej saj vetëm për sa mund t'u shërbenin synimeve të saj, si fiskalitet dhe mjete mbrojtëse. Ekzistonte kështu konfederimi etnik i pashprehur, por prandaj edhe më real, nën udhëheqjen sipërane të një perandori. çdonjëri prej grupeve etnike ballkanike mund ta rivendikonte atë edhe për mbret. Nuk ishte perandor i grekëve a i shqiptarëve a i rumunëve; ishte perandori i të gjithëve dhe gjithsecili mund të besonte se basileusi ishte perandor në radhë të parë për të vetë dhe se ai shqetësohej pikësëpari për mbrothësinë dhe qetësinë e nënshtetësve të tij të cilët i përkisnin këtij apo atij grupi entik. S'kishte pra as rivalitet, ngase të gjithë e dinin veten nën krahët mbrojtës të perandorit të tyre" (Forma bizantine, 100-101).

Alberti
Legjendë
Legjendë

Postime Postime : 41743
Gjinia Gjinia : Male
Anëtarësuar Anëtarësuar : 23/11/2009
Mosha Mosha : 36
Hobi Hobi : Tenisi

Mbrapsht në krye Shko poshtë

 Bizanti i pakinezëruar  Empty Re: Bizanti i pakinezëruar

Mesazh nga Alberti Tue 17 Aug 2010 - 23:45

"Punët e mëdha themelore"

Në revistën The american historical review, vëll. 105, nr. 3 (qershor 2000), në rubrikën e "opinioneve" mbi librin e sipërpërmendur të Torodovës, mes të tjerave jep "opinionin" e vet edhe njëfarë Gary nga Teksasi. Gary pa mbiemër paraqitet mjaft i acaruar nga libri në fjalë. Gary është bezdisur prej citimeve dhe referimeve të shumta. Edhe anglishtja e librit Duke shembëllyer Ballkanin Gary-t i vjen e vështirë në vesh. Gary-n jo vetëm nuk e paskësh dëfryer ky libër, por ai mburret se nuk e ka mbaruar dot as kreun e parë dhe e ka lënë librin "on an airplane". Gary kështu është i kuptueshëm në acarimin e tij. Për të shtyrë kohën "në avion", në vend të një libri që përpiqet të çlirojë mendimin, Gary-t do t'i duhej rekomanduar ndonjë best-seller me aventura lëkurëkuqsh apo paraadhësish të tjerë të tij.

Për ne punët qëndrojnë ndryshe. Përfshirja e pararadhësve të shqiptarëve, dhe mandej e vetë shqiptarëve, në botën e madhe që gravitonte në orbitën e Bizantit gjatë Mesjetës pati për ta një rëndësi dore së parë: sepse, si për të shumtën e popujve të jug-lindjes europiane, kjo përfshirje u dha shkas proceseve 1) të amalgamimit etnik dhe 2) të përftimit historiko-shpirtëror. Po t'i kthehemi vështrimit emancipues mbi Bizantin, një rol i dalluar në formimin e popujve dhe të qytetërimit të kësaj jug-lindjeje europiane u takon etnive vendëse, mbi të cilat erdhën e u shtruan shpërnguljet sllavo-bullgare. "Trakë, ilirë, kolonizim romak, - numëronte Iorga, - këto janë punët e mëdha themelore, pavarësisht asaj çfarë dyndja sllave dhe turanike ka ndërtuar mbi themelet e tyre, të cilat mbaskëtaj do të jenë të padukshme" (Të përkufizosh Bizantin, 417). Do të thotë kjo se evoluimi i popujve përkatës ka ndjekur absolutisht të njëjtën vijë si dhe në shoqëritë e tjera të mbajtura "oksidentale", madje në marrje e dhënie të përhershme me to, gjatë asaj epoke të mrekullueshme shndërrimi të vijueshëm që padrejtësisht e quajmë "kohë e mesme".

S'mund të mos kujtohet, më në fund, se me librat dhe ligjëratat e tij një dijetar si Iorga e ndihmoi shkencën perëndimore të shohë këtu ku ne jetojmë jo një mish-mash popujsh, që përbëjnë "fuçinë e barotit" të Europës, por një "botë" me të kaluar, të tanishme dhe ardhme, të cilat mund të paraqiten në trajtën e një zhvillimi njëjësor të vijueshëm. Mbas Iorgës tanimë u bë një domosdo të vështruarit e "jug-lindjes europiane", sikundër erdhi duke u emërtuar Ballkani, si një botë e integruar, nga ana e saj, në njësinë e madhe të historisë së njerëzimit. Në këtë mënyrë historia ishte dhe mbeti për të një "shkencë e jetës", d.m.th. shkencë e gjërave të gjalla, e paracaktuar të pasurojë, të thellojë dhe madje të prijë, në rast nevoje, jetën e sotit. Prej kësaj jete historia merr vijimisht sugjerime, kështu i zmadhon mundësitë e të kuptuarit të asaj çfarë ka qenë dhe, prej shumë rrënjësh të thella, mund të vijojë ende të jetë.

Lufta që Iorga bënte kundër një historie të konceptuar si "perandori mandarinësh", të izoluar me murin e tyre kinez, është gjithnjë aktuale për të na mësuar të refuzojmë "historishkruesit" papagallë të stereotipive, pa kurrfarë lidhjeje me nevojat dhe aspiratat e botës mes së cilës jetojnë, për të cilët lexuesi e di se çfarë do të thonë qysh para se ta hapin gojën.

Alberti
Legjendë
Legjendë

Postime Postime : 41743
Gjinia Gjinia : Male
Anëtarësuar Anëtarësuar : 23/11/2009
Mosha Mosha : 36
Hobi Hobi : Tenisi

Mbrapsht në krye Shko poshtë

 Bizanti i pakinezëruar  Empty Re: Bizanti i pakinezëruar

Mesazh nga Sponsored content


Sponsored content


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi