Klea Love Forum
Klea Love Forum - Welcome
Shqipëria me katër vilajete People-icon
Mirë se vini në Klea Love Forum, Ju ftojmë që të Regjistroheni, në mënyre që të keni aksese në të gjitha kategorit dhe temat, në Klea Love Forum, mund të gjeni Shoqeri, Filma Shqip dhe të huaj, Muzikën më të re 2013, DVD Humore shqip, Këshilla Mjeksore, Diskutime, Video Klipe, Kuriozitete, dhe Lajmet më të reja nga vendi dhe bota.

KleaLove.com / Staff.


Join the forum, it's quick and easy

Klea Love Forum
Klea Love Forum - Welcome
Shqipëria me katër vilajete People-icon
Mirë se vini në Klea Love Forum, Ju ftojmë që të Regjistroheni, në mënyre që të keni aksese në të gjitha kategorit dhe temat, në Klea Love Forum, mund të gjeni Shoqeri, Filma Shqip dhe të huaj, Muzikën më të re 2013, DVD Humore shqip, Këshilla Mjeksore, Diskutime, Video Klipe, Kuriozitete, dhe Lajmet më të reja nga vendi dhe bota.

KleaLove.com / Staff.
Klea Love Forum
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shqipëria me katër vilajete

Shko poshtë

Shqipëria me katër vilajete Empty Shqipëria me katër vilajete

Mesazh nga WebMaster Thu 17 Nov 2011 - 3:44

(C.C. Constante: “Spre Albania” (Drejt Shqipërisë), Bukuresht, 1905)
Është një nga veprat e shumta bukureshtare, që mbron interesat e kombit shqiptar. “Le të përmendet me këtë rast fakti, se flas për Shqipërinë e Veriut, që përfshin krejt vilajetin e Kosovës dhe një pjesë të vilajetit të Manastirit, dhe i cili dallohet për tepër nga Shqipëria e Jugut, e formuar nga dy vilajete tjera: Janina dhe Shkodra, të shtrira përgjatë brigjeve të Adriatikut”. Fati i shqiptarëve dhe rumunëve, autorit i duket identik: dy popuj të kërcënuar me gëlltitje, “nga barbaria turke”, dhe “nga uragani sllav”. Kur vjen fjala për Kosovën, “po qe se Shqiptarët janë popullata autokotone, ndërsa Sllavët kanë vërshuar përmbi ta, atëherë Serbët duhet ta kuptojnë se pretendimet e tyre, janë jo vetëm të ekzagjeruara, por edhe absurde” . Edhepse e shkruar para një shekulli, në një gjuhë të huaj, kjo vepër paraqet interes të veçantë për studjuesit e albanologjisë. Pothuajse në çdo faqe të saj, defilon dashuria ndaj Shqipërisë dhe shpirtit shqiptar.
Nuk mund ta trasosh ardhmërinë, pa e njohur të shkuarën
Një ndër librat e vjetër dhe të rrallë, që ta mundëson një njohje të këtillë, është edhe vepra monumentale e autorit bukureshtar, Konstantin Sterie Konstante: “Spre Albania” (Drejt Shqipërisë). Fjala është për një spektër subjektesh, të sitematizuara shkencërisht në një monografi prej 211 faqesh, me një ballinë që ta përkujton shqiptarin e kohës së Rexhep Vokës (1905). U botua në Bukuresht para 99 vitesh, dhe u ribotua dy vjet më vonë, me të njëjtën përmbajtje, në një shtypshkronjë të re, dhe me një ballinë të re (1907). Një ekzemplar i saj ruhet në Bibliotekën e Akademisë Rumune. Autori ishte shkrimtar rumun me prejardhje vllahe nga Maqedonia. U lind në Ohër, më 1877, dhe vdiq në Bukuresht, më 1964. Nuk e dimë në e dinë ndërkombëtarët, se komunistët maqedonë, si produkt i pansllavizmit sovjetik, për ta justifikuar sintagmën “makedonsko ime nema da zagine”, i fshinë nga faqja e dheut, varrezat vllahe në qendër të Ohrit. Sot e kësaj, dite jetojnë në Bukuresht, dy vajzat e autorit: Viorika Mojsul, dhe Lena Konstante, kjo e fundit duke patur 95 vjet, një kujtesë të kthjelltë, dhe një numër të konsideruar veprash letrare. Pos librit mbi Shqipërinë, babai i saj ka botuar edhe një serë librash të tjerë mbi rumunët e Timokut (1907, 1929, 1943), kujtime nga Maqedonia (1939), një fjalor turqisht-bullgarisht-rumanisht, si dhe një monografi mbi Selanikun. Është një nga veprat e shumta bukureshtare, që mbron interesat e kombit shqiptar.
Edhepse e shkruar para një shekulli në një gjuhë të huaj, kjo vepër paraqet interes të veçantë për studjuesit e albanologjisë. Pothuajse në çdo faqe të saj, defilon dashuria ndaj Shqipërisë dhe shpirtit shqiptar. Qysh në kuadrin e parathënies, “Epoka e re”, autori thekson faktin se “kauzat inedpendente”, ishin ato që e shtynë t’i reket rrugëtimit për në jug të Danubit. Pas kthimit në atdhe, “vendosa t’i botoj përshtypjet që m’i sugjeroi studimi i propagandave të ndryshme që e preknin terenin e Shqipërisë Lindore, ku qesh angazhuar të themeloj një shkollë rumune në Prizren, dhe të afirmoj, traditat dhe doket shqiptare, pothuajse të panjohura për popullin rumun, dhe publikun lexues. Dhe meqë fati i popullit rumun është i ngjashëm me atë të popullit shqiptar, mendoj se bëj një shërbim të shenjtë, duke ia bërë të njohur vendit tim, dhe sidomos njerëzve tanë politikë, me shpresë se ndoshta kështusoj, do të arrij ta zgjoj interesin, për një popull që meriton vëmendjen tonë të sinqertë”. Admirimin e autorit ndaj kauzës shqiptare, e konfirmojnë edhe letrat e tij, ende të pabotuara, që ia dërgonte Nikolla Naços nga Shkupi, përgjatë vitit 1900.
Vepra e Konstantin Konstantes mbi Shqipërinë Lindore (Kosova në jug dhe veri të Sharrit), ndahet në katër kaptina. Në të parën bëhet fjalë për impresione, zakone dhe tradita, për konsiderata hitorike dhe gjeografike, për njerëz dhe fakte, për luftërat ndërmjet helenizmit dhe sllavizmit, për bullgarët e serbët, për propagandën serbe, për qëndrimin e rumunëve ndaj grekëve dhe bullgarëve. Kaptina e dytë trajton do subjekte mbi Fushën e Kosovës, moralin dhe logjikën shqiptare, mbi Prizrenin dhe lëvizjen shqiptare, mbi “Serbinë e Vjetër” dhe propagandat austriake. Në kaptinën e tretë lexuesi kënaq shpirtin duke lexuar subjektet: Shqipëria dhe Shqiptarët, Shqiptarët dhe islamizmi, Martesa, lindja dhe vdekja, Psikologjia e Shqiptarëve, Besa-besë. Kaptina e fundit përfshin konkluzionet: Ndjenja kombëtare e Shqiptarëve, Themelimi i shoqërive të para kulturore, Lëvizja kulturore dhe qeveria Osmane, Autonomia e Shqipërisë, Prenk-Bib-Doda, Shqiptarët grekomanë, Alfabeti shqiptar, Vëllezërit Frashëri, Shqiptarët dhe propaganda rumune në Maqedoni, Procesi i asimilimit ndërmjet rumunëve dhe shqiptarëve, Një manifest shqiptar, Superioriteti i Shqiptarëve dhe Rumunëve ndaj të gjitha nacionaliteteve të tjera, Një shtet Albano- Rumun.
Ligjet e perandorisë nuk kanë kurrfarë vlere në Shqipëri
Si e konsideron autori në fjalë, vendlindjen e Kolë Bojaxhiut? “Para se të vazhdoj rrugën për në Prizren të Shqipërisë Lindore, u ndala disa ditë në Shkup. Qëndrimi im i këtushëm arsyetohej me faktin se duhej ta rishoh familjen time, e vendosur këtu nga komuna e Krushovës, që nga viti 1870. Në anën tjetër, kisha nevojë për t’u armatosur me rekomandimet e nevojshme për misionin tim, për autoritetet e Prizrenit,...dhe sidomos për prijsit Shqiptarë, fjala e të cilëve është vendimtare në çështjet administrative apo gjyqësore, ngase, siç do të shohim më poshtë (kur do të merremi me jetën dhe zakonet e Shqiptarëve), ligjet e perandorisë nuk kanë kurrfarë vlere në Shqipëri, ku çdo gjë bëhet sipas zakoneve të konsakruara në praktikë, që nga kohët e pambajtura mend”(9). Në vazhdim autori e përshkruan Shkupin ku ka kaluar pjesën më të madhe të fëmijërisë. “Shkupi paraqet një rëndësi të veçantë përmes fakti se është qendra tregtare e Shqipërisë Veriore, dhe në të njëjtën kohë, qendra e pikëpjekjes së propagandave që i kanë drejtuar shikimet kah porti i Selanikut, dhe qytetet e brigjeve të Adriatikut” (11).
Duke u ndodhur në një kryqëzim rrugësh mes Lindjes dhe Perëndimit, Veriut dhe Jugut, Shkupi përgjatë historisë u bë vatër shkollash, kishash e diplomacishë. Të gjithë rendnin pas tij për ta përvetsuar, sidomos Serbia, Bullgaria dhe Austria. Autori e përshkruan Sharrin si “një kështjellë vargmalesh”, si dhe Vardarin si “pikëndarja e Shqipërisë Lindore nga Maqedonia, ...që buron në fshatin Vrut (ar. “i dashur”), rrëzë malit Vllajnicë, si një pjesë e Sharrit, e dominuar nga platoja magjepse e Bunecit (rum.“i mirë”)”. “Ku fshihet misteri?”– pyet autori bukureshtar. Përmes cilave rrethana mbetën këto emra?” (13). Pasi e ndërlidh Shkupin me periudhën ilire të Justinianit, pasi deshifron mbishkrimet romake të do pllakave antike, Konstante thekson se “Shqipëria Lindore ishte e kolonizuar dikurë, nga stërgjyshërit tanë” (19).
Mos vallë nga kjo periudhë, e “stërgjyshërve” romakë, kanë mbetur edhe do toponime tjera si: Gajre (nga “gara” ), Vica (nga “vita”), Llumnica (nga “lumina”)? Pasojnë fragmente mbi pushtimin osman, mbi mërgimin drejt Rumanisë si pasojë e varfërisë, mbi manipulimet e pansllavizmit në Ballkan, mbi serbët dhe bullgarët e përkrahur nga Rusia, mbi serbizimin e bullgarëve të Maqedonisë, mbi influencat e helenizmit, mbi propagandat serbe ndaj Kosovës. “Përmes publikimeve të ndryshme kontinuitive, Bullgarët përpiqen tani të dëshmojnë sa historikisht po aq edhe filologjikisht, bullgaritetin e sllavëve të Maqedonisë, sidomos atë pjesë të vilajetit të Kosovës, të cilën serbët e quajnë “Serbia e Vjetër” (45). Autori synon të njohë jetën e arumunëve të Krushovës, dhe militon për hapjen e një shkolle rumune në Shkup, bën fjalë për shkombëtarizimin e shqiptarëve dhe arumunëve nga ana e grekëve dhe bullgarëve, dhe më në fund, niset për në Kosovë. E gjithë kjo ndodh përgjatë vitit 1905.
Rruga për në Kosovë
Në kaptinën e dytë, “Drejt Fushës së Kosovës”, përshkruan nisjen për në Ferizaj, në gjirin e një treni të vjetër. “Linja hekurudhore që shkon nga Shkupi në Mitrovicë, qarkullon vetëm dy herë në javë. Një vagon i vetëm i kl.të dytë, dhe disa vagonë të kl. të III-të, të përngjitura për trungun e një treni mallrash, janë të denja për administratën e hekurudhës orientale, dhe sidomos për udhëtarët që i shfrytëzojnë. Të gjitha vagonat e dalë nga përdorimi në këtë linjë, shfrytëzohen për transportimin e bujqve Arnautë” (65). Treni asokohe qarkullonte dy herë në javë, dhe mu kjo ndikonte që të ketë një tollovi të madhe udhëtarësh... “Për ndryshe, përveç Arnautëve, që formojnë pothuajse krejt klientelën e rregullt të kësaj linje, janë edhe Serbët, që gjenden të shpërndarë, duke bashkëjetuar me Shqiptarët, në krejt Shqipërinë e Veriut (vis i okupuar dikurë, edhe nga Knjazët serbë, gjë për të cilën, edhe sot vazhdojnë ta konsiderojnë si Serbi e Vjetër)” (66). Si e përshkruan autori bukureshtar, sallën e pritjes në stacionin hekurudhor? Porsi në film: një film dokumentar i fillmshekullit XX:
“Poshtë, të hedhur në parregullsi të madhe, gjendej një grumbull i madh hejbeshë të lëkurës, përndryshe, të punuara me njëfarë shije artistike orientale. Në të djathtë e në të mëngjër, një grumbull thasësh me gjithfarë mallërash. Mënjanë grumbuj batash (këpucë prej gome), tejmatanë dengje tërkuzash, gjithfarë mallërash të tjera që i kishin marrë me vete, me shpresë se nuk do të vërehen nga kontrollorët, që të shpëtojnë kësisoj nga taksat e bagazheve, e gjithë kjo ta jepte panoramën e një pazari osman, dhe assesi të një sallë pritjeje, të një stacion hekurudhor. Udhëtarët, të mbështetur mbi thasë, me cigare në gojë, shpërndajnë valë tymi, duke e mbushur sallën, deri në gulçitje. Pjesa dërmuese e tyre janë Arnautë, të veshur në kostume e tyre kombëtare; qytetarët mbajnë do shallvare të gjera prej pëlhure të kaltërt apo të kuqe, një mintan në formë sakoje, i qëndisur me fije mëndafshi, njëfarë “ibrishini” me do pulla të mëdha. Në kokë mbajnë një fes të kuq e të gjerë, ndërsa nga maja e kokës, dmth. e fesit, lëshohet deri mbi supe, një fjongo e madhe, që peshon përmbi një kgr”. Fshatarët shqiptarë, sipas autorit, “janë disi më të thjeshtë në veshje, dhe mbajnë do shallvare të ngushta prej shajaku të bardhë apo të zi, të qëndisur nga xhepat e deri poshtë, me do fije gajtani; një mintan prej leshi, dhe përmbi të një lurkë të shkurtë, e zezë, me njëfarë jake, e cila kur bie shi, mbërthehet në dy skaje, dhe shndërrohet në kësulë” (67).
Në këtë turmë udhëtarësh që ishin nisur me tren, autori takohet me një plakush gjakovar (Qerim Aga). “Pasi i la hejbetë nën kanape, dhe do dengje tjera me mall, u ul këmbëkryq në një qosh, dhe pastaj, duke u drejtuar kah ne, na uroi tradicionalisht “Udhaembarë!”, të cilës ne, me modesti të veçantë iu përgjigjëm “Tungjatjeta!”. Nuk kaloi asnjë minutë dhe plaku, e hapi një pungë të madhe, që e mbante në brez, brez i qëndisur me fije ari, i thurri tre cigare të mëdha sa gishti i madh, dhe pasi e vu njërën në llullë, e ndezi, dhe pastaj na ofroi edhe neve nga një”. Edhepse s’i duronte shtjegullat e tymit, autori duke i njohur traditat shqiptare, e merr cigaren pa kurrfarë refuzimi. “Refuzimi te Shqiptarët konsiderohet si ofendim, dhe këtë e dija nga Shqiptarët e Shkupit, që numerikisht janë të shumtë” (69). E përshkruan sinqeritetin, pamjen, trimërinë dhe Besën shqiptare. “Pothuajse krejt Shqiptarët e Shqipërisë Veriore, janë përnga shtati më të lartë se të tjerët, me do krahë të gjerë që reflektojnë trimëri, me gjoksin e mbuluar me lesh të dendur, të hapur ndaj diellit dhe ngricës, me do sy të mëdhenj e të shndritshëm, të inkuadruar nga do qerpikë të dendur, me fytyrën e djegur nga dielli; thuajse para teje ke një gjigand i gatshëm të të qesë përtoke me duart e tij, dhe kjo frikë shtohet kur duke e takuar në rrugë, je i detyruar ta shikosh drejt e në sy, dhe t’i përgjigjesh përshëndetjes së tij tradicionale “Tungjatjeta!” (84).
Në Shqipëri, sipas autorit, çështjet kryesore që komentohen përgjatë ditës, janë “hakmarrja, ndonjë krim, ndonjë vjedhje e rëndësishme, apo rrëmbimi i ndonjë tregtari të pasur”. Sipas tij, “të gjithë, madje edhe Shqiptarët e krishterë, vuajnë nga Shqiptarët myslimanë. Këta të fundit, që nuk janë myslimanë, veçse me emrin dhe përmes faktit të synetllëkut, përmes konvertimit të tyre në islamizëm, e kanë rruajtur tërë pavarësinë e tyre, ashtu siç e kanë trashëguar nga gjysh-stërgjyshërit. Përmes një fakti të këtillë, ata i terrorizojnë ata të cilët krishtërimi ua ka ngritur të drejtën për të mbajtur armë” (70-71). Duke deshifruar letërkembimin elektronik, konstatojmë se edhe pas një shekulli, kemi “sivëllezër” të atillë, që edhe në kohë të paqës, keqpërdorin armët dhe uniformat ushtarake shqiptare, duke e njollosur dinjitetin e shqiptarit, përmes hakmarrjes politike, hajdutllëkut, dhunës, dhe kriminalitetit. “Kur kalojmë para varreve të dëshmorëve që dhanë jetën për liri, stërkuqemi nga turpi që na ka kapluar, si pasojë e kopilave të kombit”, thekson në letrën e tij, njëri nga luftëtarët e lirisë. Se ç’janë duke bërë shqiptarët dhe ndërkombëtarët, për identifikimin dhe shpartallimin e tyre, këtë vetëm ata e dinë.
Vazhdon ......
WebMaster
WebMaster
Fondatori i Forumit
Fondatori i Forumit

Vendbanimi Vendbanimi : Ku te dua un
Postime Postime : 98857
Gjinia Gjinia : Female
Anëtarësuar Anëtarësuar : 11/01/2009
Mosha Mosha : 45
Hobi Hobi : Të përballoj jetën

http://www.klealove.com

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Shqipëria me katër vilajete Empty Re: Shqipëria me katër vilajete

Mesazh nga WebMaster Thu 17 Nov 2011 - 3:44

Fati i shqiptarëve dhe rumunëve, autorit i duket identik: dy popuj të kërcënuar me gëlltitje, “nga barbaria turke” dhe “nga uragani sllav”. Në atë kohë, kishte lindur ideja e krijimit të një shteti të përbashkët shqiptaro-vllah. Autori ëndërron ditën kur elementi shqiptar, duke arritur në të njëjtën shkallë të intelektualitetit, me atë të nacionaliteteve të tjera, do t’ia shtrijë dorën rumunëve “për të formuar (nga katër vilajetet, në të cilat Rumunët dhe Shqiptarët formojnë mazhorancën e madhe mbi të gjitha nacionalitetet e tjera), dhe me miratimin e Fuqive, të krijojnë një shtet i cili do ta qetësonte, sa ekspansionin e Sllavëve, po aq edhe atë të Gjermanëve ndaj jugut, drejt detit Egje, dhe nga veriu, drejt detit Adriatik”(97). Rumunët nuk e duronin dot, perandorinë osmane dhe atë austro-hungareze. Shqipëria katolike, megjithatë, mbante lidhje të fuqishme me Austrinë dhe Gjermaninë. Konstantini ka krijuar përshtypjen se “Austria ëndërron të peshkojë përjetë, në ujëra të turbullta”.

Kisha katolike dhe lëvizja kombëtare shqiptare
“Merreni me mend se si do të dukeshin dymilonë Shqiptarë, të arsimuar në gjuhën e tyre amtare, me një ndërgjegje kombëtare të zhvilluar, duke krijuar, sëbashku me Rumunët, një shtet të vogël, por të fuqishëm, në jug të Austrisë!”. Sintagëm Rumunë, autori e përdor për arumunët. Në anën tjetër, sipas tij, as Italia nuk mund të qëndrojë indiferente ndaj shqiptarëve, me të cilët ka interesa politike dhe ekonomike. Në këtë rrëmujë ëndrrash e aspiratash, herë për një Shqipëri reale nën protektoratin e Austro-Hungarisë, herë në atë të Italisë, e herë në atë të një shteti të përbashkët Shqiptaro-Vllah, në kohën kur vilajetet shqiptare ende ndodheshin nën pushtetin osman, autori njihet me drejtorin e shkollës shqiptare të Prizrenit, Matej Logoreci, “një patriot i ndezur shqiptar, me prejardhje nga Durrësi. Zotëria e tij nuk dinte si ta manifestojë entuziazmin që ndjeu, kur pat dëgjuar se në Prizren do të themelohet një shkollë rumune. Shumë të paktë janë patriotët rumunë dhe ata shqiptarë, që do ta kuptonin rëndësinë e një bashkëveprimi të këtillë, të këtyre dy popujve. Edhe unë pata kënaqësinë e veçantë, të konstatoj se ky atdhetar i dëshmuar shqiptar, ishtë njëri ndër ata raste të rralla, që kishte arritur ta kuptojë rëndësinë e bashkëveprimit të Shqiptarëve me Rumunët.”(104).
Në vazhdim, pasi i përshkruan peripetit nëpër të cilat kishte kaluar, derisa e kishte themeluar, të vetmen shkollë shqiptare që funksiononte asokohe në vilajetin e Kosovës, Matej Logoreci, e fton autorin ta vizitojë shkollën. “Në një shtëpi me një kat, e përbërë nga tri dhoma të mbushura me mbi 90 nxënës dhe nxënëse, ja e vetmja shkollë shqipe. Krejt mobilieri i kësaj shkolle, përbëhej nga bangat, nga një dërrasë e zezë dhe shkumsi. Aq dhe asgjë më shumë: as libra, as harta, asgjë që i nevojitej një shkolle dhe profesorëve, apo nxënësve. Të vetmet libra që i mësonin nxënësit, ishin do katekizme. Dëshmoj se rrallëherë kam parë ndonjë njeri, me një përkushtim kaq të lartë, ndaj atdhedashurisë së tij. Ky njeri, që kishte një pozitë të favorshme në qytetin e lindjes, ka ardhur në Prizren, vetëm e vetëm nga malli, për t’ua themeluar bashkatdhetarëve të vet, një shkollë kombëtare”(105). Pasojnë pasazhe ku autori spjegon vështirësitë nëpër të cilat pat kaluar drejtori, për të përfituar autorizimin, për hapjen e një shkolle të këtillë, për dyshimin e autoriteteve turke që kishin ndaj arsimimit të shqiptarëve. Atyre s’u konvenonte që shqiptarët ta kuptojnë të vërtetën, se të parët e tyre kanë qenë të krishterë, ngase komuniteti i vetëm i shtetit turk, “ishte feja”. Matej Logoreci, sipas tij, dëshmonte një mençuri të rrallë, duke ua mësuar shqiptarëve lutjet katolike. Pse? Ngase “autoritetet turke, nuk kishin frikë më të madhe, se sa frikën ndaj Papës” (po aty-105).
Në kuadrin e kaptinës Lëvizja shqiptare, autori e përshkruan Prizrenin, i cili asokohe kishte 12 mijë banorë, nga të cilët dymijë ishin shqiptarë të konfesionit katolik, ndër ta duke bërë pjesë, edhe prindërit e Nënë Terezës. “Në Prizren banon edhe episkopi katolik Monseniori Troksi, edhepse rezidenca e tij gjendet në Shkup. (...) Porsi në të gjitha kishat katolike, mesha mbahet në gjuhën latine, por lutjet në gjuhën lokale. Mu për kërë shkak, krejt kleri katolik i Shqipërisë, është me prejardhje shqiptare”(106). Autoritetet kishtare sipas këtij autori bukureshtar, kanë përkrahjen e Austrisë, paguhen nga Vjena, dhe e kanë për detyrë “të veprojnë për afirmimin e interesave shqiptare” (106). At Troksi, sipas autorit, duke u bashkuar edhe me patriotë të tjerë shqiptarë, “filloi një lëvizje serioze në kuptimin kombëtar shqiptar, sa pranë fiseve katolike të Mirditës, po aq edhe pranë atyre të shqiptarëve muhamedanë” (po aty-106). Meqë konsullit austriak nuk i konvenonte qëndrimi patriotik i Troksit, e spiunoi në Vjenë.
Qeveria e Vjenës, duke i besuar konzullit, ndikoi që ky i fundit të thirret në Vatikan. “Popullata shqiptare e Prizrenit duke parë ndërkaq padrejtësinë që i beheshin episkopit për shkak të ndjenjave të tij kombëtare, në shenjë proteste, e mbyll kishën katolike, dhe për ta hapur, kërkon nga qeveria e Vjenës, jo vetëm zëvendësimin e konzullit, por edhe diç më shumë: rehabilitimin e episkopit Troksi”(107). Kështu, më në fund, Troksi kthehet në vendin e tij. “Aktin e parë të tij, që e bëri pas kthimit nga Roma, ishte themelimi i një shkolle shqipe në Shkup, si dhe vënia e gurit themeltar, për ngritjen e një katedrale (katolike shqiptare-B.Y.), që u ngrit me shpenzimet e perandorisë së Franz Josefit” (107). Ky manifestim i ri kombëtar i episkopit, kaloi pa kurrfarë incidenti, duke patur parasysh qëndrimin tolerant, të autoriteteve turke në atë kohë. Më në fund, autori kthehet me të njëjtën karrocë postare, në Ferizaj, dhe prej atje, merr trenin për në Shkup.

Kosova, pretendimet absurde serbe, dhe autoktonia antike shqiptare
Në kuadrin e kaptinës mbi Kosovën (113-119), të cilën serbët e konsiderojnë si “Serbi e Vjetër”, autori rumun, duke s shfrytëzuar argumentin historik, parashtron pyetjen: “A ka qenë vallë “Serbia e Vjetër” e banuar që nga antikiteti nga sllavët, ndërsa popullata shqiptare, që gjendet e përzjerë me këtë element sllav, në Veri-Lindje deri tejmatanë Kumanovës, në Veri deri Vranjë dhe Nish, dhe nga Veri-Perëndimi deri në kufinjtë e Bosnjës dhe të Malit të Zi – po qe se këto popullata paskan ardhur nga Shqipëria e Jugut, nga Janina dhe Shkodra, apo përkundrazi, elementi sllav ka ardhur përmbi elementin shqiptar?” . Në rastin e parë, autori thekson faktin se “pretendimet e serbëve ndaj këtij territori, justifikohen vetëm përmes faktit se e kanë zotëruar (përmes okupimit) një kohë të gjatë”, dhe kjo mund të jetë “një e drejtë e tyre historike e patjetërsueshme”, megjithatë, “po qe se Shqiptarët janë popullata autokotone, ndërsa Sllavët kanë vërshuar përmbi ta, atëherë Serbët duhet ta kuptojnë se këto pretendime janë jo vetëm të ekzagjeruara, por edhe absurde” (114). Duke u mbështetur në statistikat e misionarëve katolikë, të vitit 1900, Konstantin Konstante konstaton se nga 900.000 banorët e vilajetit të Kosovës, vetëm 300.000 janë Sllavë, nga të cilët po qe se i nxjerrim 100.000 bullgarë, “Serbëve nga krejt “Serbia e Vjetër” nuk u mbeten veçse 200.000 Serbë, ndaj 500.000 Shqiptarëve të kulluar”. Sa janë të sakta këto shifra, nuk dihet, duke patur parasysh faktin, se autori bukureshtar, e citon me një rast autorin serb, A. Bogosavleviç, dhe librin e tij “O Arnautima”, Nish, 1897. Edhe në kuadrin e kësaj kaptine, lexuesi përfiton përshtypjen reale, se Shqipëria Lindore përkufizohet me Vardarin, përmes linjës Manastir-Veles-Kumanovë. Në këtë kontekst, numri i arumunëve në Maqedoni, sipas statistikave turke, sillet rreth 4.000 banorë, pjesa dërmuese e tyre, megjithë 300 arumunët e Tetovës, ndodhet në fillim të sllavizmit. Pokështu, sipas kësaj vepre, ngjet edhe me 820 gogallarët e Prizrenit (118).
Pason një kaptinë e re “Propaganda austriake”. “Përveç konsullatës së Shkupit, Austria e ka një konsullatë edhe në Prizren, në zemër të Shqipërisë së Veriut”(123). Misioni i saj, me fjalë të tjera, ishte ndjekja e aktiviteteve serbe, dhe përkrahja e shqiptarëve, duke patur parasysh, përkatësinë e tyre katolike. “Kleri katolik, sipas autorit, me një frymë propaganduese e denjë për ta theksuar, ka ditur ta përfitojë besimin jo vetëm të fiseve shqiptare të ritit katolik, por edhe atë të Shqiptarëve myslimanë, shefat e të cilëve, pothuajse të gjithë janë në shërbim të qeverisë austriake”. Qëllimi i Austrisë, sipas tij, ishte “ta përforcojë frymën kryengritëse të Shqiptarëve kundër Sllavëve, për ta mbajtur rendin e gjërave, përjetë të turbullt” (123). Pasojnë fragmente ku prshkruhen shefat e fiseve shqiptare, duke filluar nga Mustafa Lita i Lumës, e deri te Riza bej Gjakova, Bajram Curri, Mulla Zeka, etj.

Shqipëria dhe Shqiptarët (Albania shi Albanezii)
Para kaptinës së fundit (Konkluzionet), në kaptinën e tretë, që meriton një vëmendje të veçantë, autori nxjer në pah, shtrirjen territoriale të shqiptarëve, natyrën shqiptare, prejardhjen e shqiptarëve, fiset shqiptare dhe karakterin e tyre, etj. Po e japim atë që duhet ta dinë edhe ndërkombëtarët, dhe pse jo, edhe fqinjët tanë, të dehur me një mitologji të atillë ballkanike, e cila u jep të drejtën, që edhe në ato vise ku ka tre serbë apo tre grekë, ta konsiderojnë si Serbi, apo Greqi: “Pjesa Perëndimore e Turqisë Europiane, e kufizuar në Veri me Serbinë dhe Austrinë – përmes Bosnjës në Jug me Tesalinë greke, në perëndim me Detin Adriatik dhe në Lindje duke patur për kufi qytetet Shkupi (vil.Kosovës), Manastiri, Korça dhe Ohri (vil. Manastirit), është e njohur nën emërtimin Arnautllëk, dmth. vendi i banuar nga Arnautët, Albania. Kjo krahinë kolosale, që ka një shtrirje prej përmbi 40.000 km.k. dhe një popullatë prej rreth 2.20.000 shpirtërash, ndahet në dy regjione: Shqipëria e Jugut, që përfshin Epirin dhe një pjesë nga regjioni i brigjeve të Adriatikut, e quajtur Myzyeqe, dhe Shqipërinë e Veriut, që përfshin tërë viset e tjera të bregdetit Adriatik, dhe shtrihet drejt Veriut, deri te qytetet që sot janë të përfshira në mbretërinë e Serbisë – Vranja dhe Nishi” (129). (Ka dhe më). (Baki Ymeri, Bukuresht)
WebMaster
WebMaster
Fondatori i Forumit
Fondatori i Forumit

Vendbanimi Vendbanimi : Ku te dua un
Postime Postime : 98857
Gjinia Gjinia : Female
Anëtarësuar Anëtarësuar : 11/01/2009
Mosha Mosha : 45
Hobi Hobi : Të përballoj jetën

http://www.klealove.com

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi