Klea Love Forum
Klea Love Forum - Welcome
Homeri                    People-icon
Mirë se vini në Klea Love Forum, Ju ftojmë që të Regjistroheni, në mënyre që të keni aksese në të gjitha kategorit dhe temat, në Klea Love Forum, mund të gjeni Shoqeri, Filma Shqip dhe të huaj, Muzikën më të re 2013, DVD Humore shqip, Këshilla Mjeksore, Diskutime, Video Klipe, Kuriozitete, dhe Lajmet më të reja nga vendi dhe bota.

KleaLove.com / Staff.


Join the forum, it's quick and easy

Klea Love Forum
Klea Love Forum - Welcome
Homeri                    People-icon
Mirë se vini në Klea Love Forum, Ju ftojmë që të Regjistroheni, në mënyre që të keni aksese në të gjitha kategorit dhe temat, në Klea Love Forum, mund të gjeni Shoqeri, Filma Shqip dhe të huaj, Muzikën më të re 2013, DVD Humore shqip, Këshilla Mjeksore, Diskutime, Video Klipe, Kuriozitete, dhe Lajmet më të reja nga vendi dhe bota.

KleaLove.com / Staff.
Klea Love Forum
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Homeri

2 posters

Shko poshtë

Homeri                    Empty Homeri

Mesazh nga LaDescarada Sat 26 Feb 2011 - 7:54

Letërsia klasike greke fillon me dy poemat e mëdha epike, me "Iliadën" dhe "Odisenë" që bota antike mendonte se i ka krijuar Homeri, edhe pse për të nuk dinte pothuaj asgjë. Për shumë qytete greke është thënë se janë vendlindja e poetit. Duke u nisur nga veçoritë gjuhësore të poemave, shkenca ka pranuar si më të mundshëm Smirnën, qytet kolonial grek në Azinë e Vogël (Izmiri i sotëm në Turqi).

Për Homerin mendohet të ketë jetuar aty nga shekuli IX para erës së re. Babai i histografisë greke, Herodoti (shek. V p.e.r.) thotë se Hesiodi ka një mendim tjetër që sjell Homerin në shekullin VIII para erës së re. Në këngën VI të "Iliadës" poeti flet për rrëmbimin e Helenës nga Paridi. Në këngën V ku tregohen bëmat e heroit grek Domerdit, thuhet se ai "rroku një shkëmb të madh hata, dy burra që jetojnë sot prej vendit s'mund ta luajnë". Kjo dhe të tjera tregojnë se Homeri flet për kohë dhe ngjarje të hershme, të kënduara para tij, nga aedë dhe rapsodë, emrat historike të të cilëve kanë humbur në mjegullat e kohëve dhe shpesh janë veshur me petkun e fantazisë dhe të legjendës me këngët e tij magjepse kafshët e egra, ujërat i bënte të ndalonin rrjedhën e tyre dhe popullin ti shkonte pas. Në gurrën e pasur të këngëve të lashta të krijuara në shekuj, njomi buzët e saj muza e poetit, që me "Iliadën" dhe "Odisenë" i ngriti përmendore jo vetëm heroizmit, por edhe bukurisë së artit popullor, që humbi në errësirën e shekujve dhe u ringjall në këto dy poema.

Nuk ka asnjë dyshim se përpara Homerit ka gjalluar një letërsi e pasur gojore, me këngë e himne të ndryshme kushtuar hyjnive, heronjve dhe bëmave të tyre. Për këtë flasin dy poemat e mëdha, vlerat e larta artistike të të cilave dëshmojnë qartë se ato janë jo fillimi, por mbarimi i përkryer i një proçesi të gjatë letrar, Përpunimin përfundimtar të "Iliadës" dhe "Odisesë" në gjendjen që i njohim sot, shumica e studiuesve e çojnë në shekujt VIII-VII. Për Homerin ka mendime të ndryshme si:
I vetmi krijues i dy poemave "Iliada" dhe "Odisea";
Një nga autorët e mundshëm midis shumë të tjerëve që kanë vënë dorë mbi to;
Njeri që nuk ka ekzistuar, por që ky emër ka mbetur simbol i poezisë epike etj. etj.

Të gjitha këto kanë krijuar atë që quhet çështje homerike që nis me shek. III p.e.r. e vazhdon deri në ditët tona.
Homeri i ngjan një mali të lartë, maja e të cilit vazhdon të jetë e mbushur me mjerull. Vendi ku janë krijuar poemat homerike është Joma; gjuha e tyre është dialekti jonian i përzier me elemente të dialektit eolian dhe më pak të dialekteve të tjerë.
Në "Iliadën" dhe në "Odisenë", përveç shtresimeve gjuhësore ka edhe shtresime kohore, që fillojnë nga periudha para qytetërimit të Mikenës dhe mbarojnë afërsisht në shekullin IX para erës së re. Kjo i ka shtyrë shumë studiues të mendojnë se në tekstin e poemave janë futur një numër i madh shtojcash nga rapsodë të veçantë, që kanë dashur tu përshtaten shijeve dhe gjendjes shpirtërore të dëgjuesëve të tyre. Ka shumë të ngjarë që rapsoditë ose këngët që kanë pasur në themel të tyre ciklin Trojan të gojëdhënave popullore të përpunuara nga shumë breza rapsodësh, të kenë shërbyer si bazë për hartimin e poemave homerike aty nga shekulli IX.
LaDescarada
LaDescarada
Princeshë
Princeshë

Postime Postime : 11767
Gjinia Gjinia : Female
Anëtarësuar Anëtarësuar : 29/12/2009

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Homeri                    Empty Iliada

Mesazh nga LaDescarada Sat 26 Feb 2011 - 7:57

Subjekti i dy poemave homerike "Iliada" dhe "Odisea" është nxjerrë nga cikli i legjendave heroike mbi luftën e Trojës, ndërmjet grekëve dhe trojanëve. Sipas gojëdhënës, princi Trojan Paridi rrëmben gruan e mbretit të Spartës, Menelau, Helenën e bukur (1). Për tu hakmarrë dhe për të larë këtë dhunë që iu bë njërit prej mbretërve të saj, u ngrit në këmbë tërë Greqia. Menelau dhe vëllai i tij Agamemnoni, mbret i Mikenës, mblodhen një ushtri të madhe nën komandën e përgjithshme të Agamemenonit. Për dhjetë vjet rresht qëndroi e nuk u dha Troja e rrethuar nga armiqtë. Vetëm me anën e dredhisë, të fshehur në kalin e drunjtë, luftëtarët grekë mundën më në fund të futeshin në qytet. Troja u dogj e u rrënua nga themelet, kurse Helena iu kthye të shoqit.
Këto ngjarje nuk përmenden në "Iliadë" jepen skena të veçanta vetëm Brenda 51 ditëve të fundit të luftës së gjatë dhjetëvjeçare rreth mureve të Trojës. Në qendër të poemës është zemërimi i Akilit, që është tërhequr nga lufta dhe qëndron i veçuar në shtatoren e tij, sepse Agamemnoni i ka rrëmbyer atij skllaven e bukur Brisedë që heroi e donte aq shumë. Kjo poemë e gjatë prej 15696 vargjesh, që në dy vargjet e para na fut menjëherë në temë:
Këndo, hyjneshë, mërinë e Akil Pelidit
Që shumë hidhrime e hobe akejve u solli…


Momenti i zemërimit është fillimi që end pëlhurën e gjerë të luftimeve të ashpra ndërmjet akejve dhe trojanëve dhe që përcakton fatin e tyre. Zeusi i thotë Tetidës, se trojanët do të fillojnë sa kohë që Akili, biri i saj do të qëndrojë i tërhequr nga fusha e luftës. Trojanet, të udhëhequr nga kryetrimi i tyre Hektori, zmbrapsin njëri pas tjetrit sulmet e akejve, të cilët gati sa si hedhin në det dhe su vënë zjarrin anijeve të tyre. Por sukseset e trojanëve në luftë nuk janë kaq të lehta. Në këngët e tjera të "Iliadës" tregohen heroizmat e prijësave akej si Diomedi, Ajaks Telamoni, Menelau, Odiseu etj. Gjithësesi kjo nuk e ndryshon rrjedhën e luftimeve.
Akili, i shqetësuar nga epërsia e trojanëve në fushën e luftës, pranon që miku i tij Patrokili të njgeshë armët e tij dhe të dalë t'u presë hovin trojanëve. Por s'shkon shumë dhe vritet nga Hektori. Akili pikëllohet nga humbja e mikut të tij më të dashur dhe si një re e zezë lëshohet dhe bën kërdinë në njësitë trojane. Ata që i shpëtojnë dorës së tij gjakatare, mbyllen Brenda mureve të kalasë. Vetëm Hektori mbetet tani përballë Akilit.
Njerëz e perëndi janë ngritur peshë e shikojnë teatrin e dylutimit që përfundon më në fund me vrasjen e Hektorit. Por ende Akili s'e ka shuar etjen e hakmarrjes, prandaj trupin e Hektorit të vrarë e lidh pas qerres së tij dhe e heq zvarrë egërsisht nëpër pluhur e baltë. Duke u shkaktuar kështu një pikëllim të thellë prindërve dhe luftëtarëve trojane.
Pas tërë këtyre ngjarjeve plot mizori e gjak, një notë thellësisht njerëzore do të përshkorjë tani këngën e XXIV, që i jep fund "Iliadës".

Mbreti plak i Trojës, Pirami, vjen në shtatoren e Akilit dhe i lutet ti kthejë trupin e të birit. Akili preket nga lutjet e thekshme të plakut fatkeq, që qëndron i gjunjëzuar në këmbët e tij. E merr përdore, e ngre, dhe të dy së bashku qajnë për fatkeqësinë që iu bien njerëzve mbi krye nga zotat e pamëshirshëm.
Luftën e përgjakshme që bënë grekët për të plackitur Trojën aty nga fundi i shek. XII, fantasia e poetit e ka shndërruar në një luftë për tu hakmarrë e për të vënë në vend nderin e tyre të cënuar nga Paridi që rrëmbeu Helenën. U krijua kështu një dramë epike, e thurrur në vargje, që është dramë e fuqishme njerëzore, plot pasione; dashuri dhe urrejtje, gëzime e hidhërime, humbje e fitore.
Te Homeri cdo gjë kthehet në poezi, edhe kur ai u këndon luftimeve të përgjakshme, edhe kur i këndon ndarjes së dhimbshme të Hektorit nga e shoqja dhe i biri, kur vajton heronjtë e rënë në luftë ose kur përshkruan agimin me gishta trëndafili, natyrën e bukur ku poeti sheh madhështinë e mistershme të gjithësisë. Nuk është më Zeusi zot i saj, por poeti, vështrimit të të cilit nuk i shpëton asgjë, as hyjnitë në qiell, as njerëzit në tokë.
Homeri është poeti më i madh dhe i pari që thurri një tragjedi, - ka thënë filozofi i lashtë grek Platoni.
Poemat homerike janë ndërtuar me mjeshtëri të rrallë nga pikëpamja e thurrjes së ngjarjeve. Kompozicioni në "Iliadë" është i thjeshtë. Filli i tregimit ecën përpara dhe drejt. Ku më i shpejtë dhe ku më i ngadalësuar nga episode të dorës së dytë, që lidhen me episodin kryesor, me mërinë e Akilit. Kjo veçori e shtjellimit të ngjarjeve, që në stilistikë quhet vonesë, është karakteristikë e mënyrës epike të të treguarit.

"Iliada" është më e thjeshtë, ka me pak vonsa ose digresione se sa "Odisea". Kompozicioni i secilës poemë kushtëzohet nga përmbajtja e saj. "Odisea" ka një thurrje më interesante e më të koklavitur. Këtu veprimi fillon nga mesi, kurse për ngjarjet e mëparëshme njihemi nga tregimi i vetë Odiseut te mbreti Alkino i Feakëve.
Por talenti i madh i poetit duket, sidomos në krijimin e karaktereve, të cilët janë sa të shumtë, aq edhe të ndyrshëm nga njëri-tjetri.
Karakteret e personazheve që dalin më në pah në "Iliadë", janë të fuqishëm e si të derdhur në Bronx. Mbi të gjithë heronjtë, ngrihet si një piramidë e lartë dhe shquhet nga të tjerët për guxim dhe heroizëm, Akili. Edhe pse vdekja i qëndron vazhdimisht mbi krye ai nuk tutet, por lëshohet me vërtik si një shqiponjë dhe e mbyt në gjak fushën e përleshjes. Akili është ideali i epokës homerike.
Ky hero. Kaq i rreptë dhe gjakatar në luftë ka një zemër të ndjeshme e bujare. Ai qan si fëmjë kur shikon në këmbët e tij plakun Priam që i lutet ti kthejë trupin e të birit.

Midis luftëtarëve trojanë, Hektori është heroi që i përgjigjet më tepër Akilit për nga guximi e trimëria. Ai u prin trojanëve dhe hidhet aty ku rreziku është më i madh, i frymëzuar nga dashuria e pakufishme për atdheun. Si figur¨r letrare, Hektori është më i plotë se Akili, është personazhi me simpatik e më i dashur i "Iliadës". Në ndryshim nga Akili, Hektori është treguar në rrethana të ndryshme, në të cilat ai zbulon virtytet e tij të larta. Ai është jo vetëm trimi më i çartur ndërmjet të gjithë luftëtarëve trojanë, por edhe i matur, i përmbajtur e tepër njerëzor; baba i dhembshur dhe bashkëshort besnik e i dashur, mik i çiltër për shokët e fort i ndjeshëm ndaj halleve dhe fatkeqësive të të tjerëve, Në vajtimet e saj mbi trupin e heroit të vrarë nga dora mizore e Akilit, Helena shpreh ndjenjat më të bukura për të, dhe disa nga tiparet e tij si urtësinë e maturinë. Përkundrazi kur ndonjëri nga kunetërit, ose kunatat << … o e nderuara vjehërr/ mua më përbuztë ndër këto saraje/ … ti urtë e butë njerzishëm i qortoje…>>
Mbreti i Argosit dhe i Mikenës, Agamemnoni është tipi i sundimtarit kryeneç dhe despot, por edhe trim, si Menelau, Diomendi, Ajaksi e shumë luftëtarë të tjerë akej…

Paridi shkaktari i luftës së Trojës, është një djalosh i bukur mendjelehtë, "mashtrues grash", siç e quan i vëllai, Hektori. Ai është qitës i shquar me shigjetë, herë i guximshëm e herë frikacak.
Një vend të veçantë zënë në poemë figurat e grave, e sidomos Helena. Në vizatimin e saj, Homeri është treguar artist i madh dhe njohës i thellë i shpirtit njerëzor.
Helena është në poemë simbol i bukurisë së përsosur hyjnore. Dikur e rrëmbyer nga pasioni i dashurisë, tani e ndien veten fajtore ndaj dhe përjeton një dramë të rëndë në ndërgjegjjen e saj. Në një bisedë me të vjehrrin, plakun Priam, ajo i shpreh me dhembje pendimin që e bren.

Përveç kësaj , ajo e ndien se Paridi, për të cilin sakrifikoi cdo gjë dhe i përgjigjej idealit të saj, tregohet frikacak përballë Menelaut dhe Helena nis ta neveritë, por e plotfuqishmja Afërditë, hyjneshë e dashurisë, e hedh përsëri në krahët e tij.
Homeri nuk na e përshkruan drejtëpërsërdrejti bukurinë e Helenës, por na e jep vetëm efektin që shkakton ajo në shpirtin e atij që e sheh. Pleqtë trojanë, që rrinë dhe kundrojnë nga bedenat e kalasë së Trojës, kur panë Helenën që po vinte s'larku/ sa shpejt nën zë mes tyre zun' të thoshin:/ Nuk duhen sharë, për besë trojanë e akej,/ që për këtë grua hoqën aq mundime/ vite me radhë; me të vërtetë përqaset/ për bukuri me zonjat perëndesha.
Ndryshe nga Helena, Andromaka, gruaja e Hektorit, është mishërim i besnikërisë bashkëshortore. Nga faqet më të bukura e më prekëse të "Iliadës", ku tregohen virtytet e saj të larta morale si grua, nënë, bijë, janë skenat e ndarjes nga i shoqi, Hektori, dhe vajtimi plot dhembje e gjëmë mbi trupin e tij të vrarë.
Në galerinë e figurave të personazheve ka edhe shumë të tjerë që kanë rolin e tyre e të gjithë së bashku plotësojnë tablonë e gjerë të dramës së madhe që luhet rreth mureve të Trojës.
Një vend më vete zënë figurat e hyjnive, të cilat janë ndarë edhe ata në dy kampe. Ata lëvizin nga qielli në tokë dhe kryejnë veprime çudibërëse. Por forcë lëvizëse e ngjarjeve janë luftëtarët, të cilët me heroizimin e sakrificat e tyre përcaktojnë fatin e luftës. Mbi të gjithë hyjnitë e Olimpit qëndron Zeusi i plotfuqishëm. Ashtu si njerëzit edhe ata kanë sërën e tyre, disa qëndrojnë më lart, disa me ulët, Zeusin e nderojnë edhe e kanë frikë edhe njerëz edhe hyjni. Poeti, fuqinë e Zeusit e ka dhënë me vargje shumë të bukura.
Ai… vërenjti të zezat vetulla, e në kokë të pavdekshme leshrat hyjnore si dallgë iu lëkundën, të madhit mbret; sa u drodh i tërë Olimipi.
Homeri në poezinë e tij ka mundur të gërshetojë botën fantastike të hyjnive me botën reale njerzore, të mbinatyrëshmen me të natyrshmen. Cdo gjë në poemat homerike tingëllon e besueshme. Dhe kjo i bën ato vepra të një bukurie të rrallë dhe të një arti të fuqishëm realist.

Të njohura, sidomos në "Iliadë", janë similituadat dhe krahahsimet, të cilat për nga bukuria dhe forca e tyre, është bërë zakon të quhen "krahasime homerike". Stili epik i "Iliadës" përmes të cilit heronjtë, madje dhe sendet duhet të bëhen sa më të afërta e në të njëjtën kohë sa më monumentale, kërkon përdorimin e epiteteve të shumtë. Kështu Akili cilësohet hyjnori, këmbëshpejti, Atena sykaltra, Odise mendtaku, Menela zemëradhi, Hektor lavdimadhi, i ndritëshmi, Paridi mashtrues grash, Helenë krahëbardha. Herë mendjezeza, Prijam gojëmbli, Ares gjakatari; Eos (Agimi) gishtatrëndafili etj.
Për Zeusin, që ka në duart e tij pushtetin mbi njerezit e perëndisë ka shumë epitete si shungullues, rrufehedhës, stuhishpërthyes; mizor, etj.
LaDescarada
LaDescarada
Princeshë
Princeshë

Postime Postime : 11767
Gjinia Gjinia : Female
Anëtarësuar Anëtarësuar : 29/12/2009

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Homeri                    Empty Re: Homeri

Mesazh nga Anakonda Sun 26 Oct 2014 - 21:05

Homeri (greqisht: Óμηρος - 'Ómeros) ishte poet epik legjendar i Hellenies antike. Për qënien dhe veprimtarinë e tij letrare, kritikët modernë kanë mendime të ndryshme qe kanë të bëjnë me dy poema te mrekullueshme të nivelit botëror: Iliada dhe Odisea.
Homeri mendohet se ka jetuar rreth shek. IX pr.K. Per daten dhe vendlindjen ka mendime te ndryshme; shkenca ka pranuar si me te mundshme Smirnen, qytet kolonial grek ne Azine e Vogel (Izmiri i sotem ne Turqi). Homeri ka jetuar shume kohe me vone nga koha kur ka ndodhur Lufta e Trojes dhe nga kthimi i grekeve ne atdhe. Kjo do te thote se poeti ka ditur ta shfrytezoje mrekullisht burimin e pasur te letersise gojore me kenge e himne te ndryshme kushtuar hyjnive, heronjve dhe bemave te tyre, te cilat kendoheshin ne ate kohe nga rapsode te ndryshem.
Është vërtetuar arkeologjikisht se poemat e tij përkundër fantazisë poetike, pasqyrojnë ngjarje të vërteta historike që kanë ndodhur shumë më para se të krijoheshin poemat. Këto ngjarje kanë ndodhur në shekulljt XIII - XII p.e.s. Të dhënat që rrjedhin nga poemat e Homerit kanë shërbyer dhe shërbejnë si burime historike për njohjen e historisë së Greqisë antike. Gjithashtu vlen per tu theksuar se mbi figurën e Homerit janë hedhur shumë hije dyshimi te cilat vënë në dyshim vetë ekzistencén e tij. Por ajo qe bie më shumë në sy është diferenca artistike ndërmjet dy veprave. Përderisa Iliada është shkruar në një stil epik, Odisea paraqitet me stil lirik. Madje nga studiues të shumtë është hedhur ideja se ndoshta këto dy vepra nuk janë shkruar nga i njëjti autor.Homeri ka qene i verber. Tek Iliada, Homeri mban qendrim asnjanes, ai nuk mban anen e asnjerit prej heronjve, vecse shpreh hapur simpatine ndaj virtyteve te personazheve te veta. Ne kete poeme, Homeri eshte autori dhe njekohesisht rrefyesi i kesaj kryevepre klasike.
Homeri                    282px-Homer%2C_marble_bust
Anakonda
Anakonda
V.I.P Anëtarë
V.I.P Anëtarë

Vendbanimi Vendbanimi : Australia
Postime Postime : 31717
Gjinia Gjinia : Female
Anëtarësuar Anëtarësuar : 02/12/2011
Mosha Mosha : 34
Hobi Hobi : Once Upon A Time

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Homeri                    Empty Re: Homeri

Mesazh nga Anakonda Sun 26 Oct 2014 - 21:08

Kur në shek. XI u shfaq emri albanë dhe arvanitë nuk kishte vështrim etnik, por ishte, sikurse u tha, emri i krahinës Arbëni/Arbëri (Arbanon), që shtrihej në Shqipërinë e Mesme me qendër Krujën. Pas shek. XI filloi përhapja e apelativit Arbëni, Arbëri, Albani edhe në viset e tjera ku banonin shqiptarët. Faktori që përcaktoi shtrirjen e emrit ishte po ai që përcaktoi shfaqjen e tij në shek. XI – në fillim bashkësia politike dhe fetare dhe më vonë bashkësia politike dhe gjuhësore.
Sikurse u tha, emërtimi Arbanon ishte në origjinë emri i trevës rreth e rrotull Krujës, e cila deri kohët e vona e ruajti
Homeri                    200px-Homer
Skulptur e kokës së Homerit
të paktën në Kurbin, emrin historik Arbëni. Ishte pra, njësoj si emrat e krahinave të tjera të vendit Polati (Pulti), Kunavia (Martaneshi), Crnika (Çermenika), Trafandena (Mirdita), Matia, Dibra, Skuria, Tamadea, Benda, Mokra, Skrapari, Malakas, Mazarek etj.
Peshkopata e Krujës e krijuar sipas traditës në fillim të shek. VII194, ishte në shek. XII fqinje me peshkopatën e Lisit, që shtrihej në Mat e Mirditë, dhe me peshkopatën e Stefaniakës, që përfshinte krahinat e Tamadhesë e të Bendës. Pra, ishte krijuar bashkësia fetare në shkallë krahinore. Më 1166 Arbanoni kishte një prior (Andreas prior Arbanensis) dhe një peshkop katolik (Lazarus episcopus Arbanensis).
Titulli “prior” i qeveritarit tregon autonominë e krahinës; mbiemri i primarit të dioqezës sqaron kufijtë e saj. Të dyja së bashku tregojnë se konsolidimi dhe shtrirja e emrit Arbanon për territorin dhe arbanit për banorin, erdhi si pasojë e konsolidimit dhe e shtrirjes së komunitetit politik e fetar arbanit që ishte formuar në shekullin e mëparshëm.
Dinamika e përhapjes në shekujt e mëvonshëm e emrit Arbanon, Arbanum, Albania është me interes. Kjo duket sidomos gjatë ekzistencës së Principatës së Arbërisë që shfaqet në burimet historike të fundit të shek. XII. Gjatë sundimit të arkondit Progon, emërtimi Arbanon u shtri në veri përtej Matit dhe Trafandenës deri në krahinën e Pultit.
Po ashtu gjatë sundimit të arkondit të madh Dhimitër Progonatit u shtri nga ana jugore në viset e Kunavisë e të Cernikut deri në luginën e Shkumbinit. Shtrirja e këtij emërtimi përtej kufijve të Arbanonit historik mund të shpjegohet fare mirë me përfshirjen e këtyre krahinave në komunitetin politik e fetar të shtetit të arbanitëve, i cili u formua nga shkrirja në të e katërmbëdhjetë bashkësive krahinore.
Ky fenomen vihet re edhe gjatë gjysmës së dytë të shek. XIII, kur Karli I Anzhu i grumbulloi në vitin 1271 territoret e pushtuara në Shqipëri në një formacion të vetëm politik – në “Mbretërinë e Albanisë” (Regnum Albaniae) me kufij më të gjerë nga ç’kishte principata arbanite në kohën e arkondit të madh Dhimitër Progonatit.
Po në këtë kohë sovrani anzhuin i detyroi dioqezat kishtare të territoreve të pushtuara të kalonin në katolicizëm. Pavarësisht se “Mbretëria e Albanisë” ishte një pjellë e dhunës së armatosur të feudalëve anzhuinë, për shkrimtarët dhe kancelarët e shek. XIII ajo formonte një komunitet politik e fetar më vete. Sipas mendësisë mesjetare, banorët
Homeri                    350px-Odyss%C3%A9e_7_4
Odysseusi
katolikë të këtij komuniteti politik u konsideruan anëtarë të kombësisë arbanite/ albanite.
Si pasojë, emërtimi Albanum, Albania u shtri në shek. XIII që nga lumi Drin i bashkuar në veri deri në Kaninë në jug, që nga brigjet e Adriatikut në perëndim deri në Drinin e Zi në lindje. Banorët jokatolikë të kësaj mbretërie nuk u përfshinë në gjirin e kombësisë arbanite, albanite. Pavarësisht nga gjuha amtare, shqiptari ortodoks ishte, për shkak të traditës shumëshekullore, “romaios” për bizantinët, “graecus” për anzhuinët.
Kur Karli I D’Anzhu shkruante: “armiqtë tanë grekë”, e kishte fjalën për bizantinët. Por kur në 1274 shkruante se Durrësin e kishin rrethuar kryengritësit “albanitë dhe grekë” (albanenses et greci), ai nënkuptonte me këta dy apelativa shqiptarët katolikë e ortodoksë, mbasi
ekzistenca e fshatarëve të gjuhës greke në zonën e Durrësit nuk vërtetohet dokumentarisht. Në fillim të shek. XIV me arbanit/albanit, kuptohej gjithnjë shqiptari katolik.
Që në shek. XIII në qarqet e njerëzve të ditur bizantinë të Perandorisë së Nikesë u shfaqën shenjat e para të një koncepti të ri mbi kombësinë, i përcaktuar jo si më parë nga komuniteti politik e fetar, por nga ai gjuhësor e fetar. Si pasojë e këtij koncepti të ri, nga gjiri i kombësisë “romaios” filloi të shquhej “heleni”, shtetasi bizantin ortodoks greqishtfolës.
Me zhvillimin e mëtejshëm të këtij botëkuptimi të ri, shqiptari ortodoks filloi të dallohej nga heleni ortodoks, sepse u takonin dy komuniteteve gjuhësore të ndryshme. Por, nga ana tjetër, shqiptari ortodoks mbeti përsëri i dalluar nga shqiptari katolik, sepse bënin pjesë në dy komunitete fetare të veçanta. U krijua kështu terreni për daljen e një emri të përbashkët për gjithë shqiptarët ortodoksë.
Prodhimin e parë të konceptit të ri duket se e ndeshim te shkrimtari bizantin i shek. XIV. G. Paclymeres, i cili duke folur për banorët e Eprit të Ri përdor në një rast emrin albanitë (????vo?), në një rast tjetër emrin ilir ????????. Më vonë krahas apelativit albanit doli në shesh emri epirot.
Në disa raste, kundrejt epirotit që kishte tingull të lashtë historik, emri i albanitit u zëvendësua me atë të makedonit, gjithashtu me tingull të lashtë historik: për analogji Makedonia u bë emër i dytë i Albanisë (Macedonia sive Albania). Ndikoi në këtë mes fakti se në shekujt e parë të erës sonë provinca e Epirit të Ri me qendër Durrësin, ku bënte pjesë edhe krahina e Arbanonit, u quajt për disa shekuj Provinca e Maqedonisë së Dytë.
Në këtë mënyrë, banorët e hapësirës gjuhësore shqipe u quajtën nga të huajt epirotë dhe albanitë (Epirotes et Albanenses) ose epirotë dhe makedonë (Epirote et Macedones).
Por konsakrimi i dy emërtimeve të veçanta etnike për shqiptarët e dy riteve fetare të ndryshme, nuk mori formë të prerë, siç ndodhi te sllavët e jugut, midis kroatit katolik dhe serbit ortodoks. Pa dyshim ka luajtur rol, në masën e vet, fakti se në viset e banuara nga shqiptarët ortodoksë nuk u krijua ndonjë komunitet politiko-fetar i veçantë që t’i kundërvihej komunitetit politik-fetar katolik të Arbanonit.
Arsyeja kryesore duhet kërkuar te toleranca fetare, karakteristikë e shqiptarëve të të gjitha kohëve. Këtë e ka konstatuar M. Šufflay kur thotë: “në Kohën e Mesme fanatizmit fetar të shqiptarëve mezi i gjenden gjurmët”. Shkurt, folësit e gjuhës shqipe të krahinave të ndryshme nuk bënin nga pikëpamja etnike dallim midis bashkatdhetarëve të feve të ndryshme. Kjo veçori ndikoi në lindjen e një emërtimi të përbashkët për mbarë shqiptarët, pavarësisht nga ritet e tyre fetare.
Shprehësit e parë të këtij emërtimi të përbashkët janë përsëri shkrimtarët bizantinë. Megjithatë, zgjedhja e emrit të përbashkët nuk ishte që në fillim e njëjtë. Te shkrimtari i shek. XIV N. Gregoras, duket se ndikoi tendenca savante arkaizuese mbasi ai shqiptarët pa dallim feje i quajti ilirë. Bashkëkohësi i tij, J. Kantakuzeni, i quajti albanë, sepse, sipas tij, pasardhësit e ilirëve qenë tribalët (serbët). Në shek. XV u quajtën albanë nga Halkokondili, nga Duka, nga Sfrantzes, kurse ilirë, siç është thënë, nga Kritobuli.
Megjithatë, koncepti i ri i kombësisë nuk triumfoi plotësisht as gjatë shek. XV. Duken ende shkrimtarë apo kancelarë, kryesisht nga bota perëndimore, të cilët shkuan pas konceptit gjuhësor-fetar. Duke mos u shkëputur dot nga
Homeri                    484px-Brand_von_Troja_Frankenthalschule
mendësia tradicionale mesjetare, ata e kishin vështirë t’i konsideronin si gjymtyrë të një kombësie të vetme të gjithë banorët që flisnin në të njëjtën gjuhë, që jetonin në të njëjtin territor, por që u takonin dy riteve të ndryshme fetare. Kështu shpjegohet përse në disa akte të huaja të shek. XV flitet ende për albanitë dhe epirotë ose për makedonë dhe epirotë, si për dy etni të ndryshme.
Për shqiptarët, të dyja këto emërtime u veshën me të njëjtin kuptim etnik. Ata e identifikonin veten edhe me arbanitë, edhe me epirotë. Dëshmitar i parë është vetë Skënderbeu. Në korrespondencën e vet me kancelaritë e huaja, ai nënshkruante “Zot i Arbërisë” (Dominus Albaniae), bashkatdhetarët e tij i quan “albanë/arbër” (albanenses, albanesi). Përkundrazi, në letrën e përmendur që i drejtoi më 31 dhjetor 1460 princit të Tarentit, J. A. De Orsinis, ai shkruante: “Në qoftë se kronikat tona nuk gënjejnë, ne quhemi epirotë” (se le nostre croniche non mentino, noy in chiamamo Epiroti).
Dëshmitar i dytë është Marin Barleti. Humanisti shkodran i përdor të dy emërtimet etnike, pa bërë dallim midis tyre. Ai i quan arbër (albanenses) si shqiptarët që banonin në Arbëri apo Epir, ashtu dhe ata që kishin zënë vend në Peloponez. Njëkohësisht i cilëson epirotë (epirotes) jo vetëm krutanët e dibranët, por edhe zotërit feudalë të malësive veriore si Lekë Dushmanin e Pjetër Spanin. Vetë Skënderbeun e quan zakonisht epirot, në disa raste e cilëson arbër, por preferon t’i japë titullin “Princ i Epirotëve” (Epirotarum Princeps).
Nganjëherë M. Barleti flet për arbër dhe epirotë si për dy grupe të ndryshme etnike, por këto raste të rralla duhen parë si gjurmë pa jetë të koncepteve të vjetra që jetojnë në mënyrë të pandërgjegjshme edhe për disa kohë nga forca e traditës. Dëshmitar i tretë është Gjon Muzaka, i cili gjithashtu i përfshin të gjithë shqiptarët pa dallim feje, në një emër të përbashkët: i quan albanesi, gjuhën e tyre lingua albanese, kurse emrin epirot nuk e përdor asnjëherë.
Mund të thuhet se në shek. XV me albanë dhe epirotë nënkuptoheshin banorët e hapësirës gjuhësore shqipe; se përmbajtja e tyre gjuhësore-fetare e kishte humbur fuqinë e saj; se për vetë shqiptarët ato ishin veshur me të njëjtin kuptim etnik; se në shumicën e rasteve shqiptarët njiheshin edhe jashtë Shqipërisë me një emër të vetëm etnik, pavarësisht se ekzistonin ende qarqe të huaja, të cilat e ruanin ende konceptin gjuhësor-fetar mbi kombësinë, emërtimi albanitë po fitonte vazhdimisht terren.
Në shek. XV emërtimi Arbëri (Albanum, Albania) ishte shtrirë në një hapësirë gjeografike më të gjerë se ajo që pati arritur gjatë “Mbretërisë Anzhuine”. Nga ana veriore më 1429 Tivari në bregdet, më 1430 Lushtica pranë Kotorrit, më 1442 Podgorica, quhen qytete të Arbërisë, de Albania. Nga ana jugore Vlora cilësohet si dhe në kohën anzhuine qytet në Arbëri (Valona in Albania). Nga juglindja, sipas një akti raguzan të vitit 1390, Kosturi quhej pjesë e Arbërisë, Castoria de partibus Albaniae.
Shtrirja e emërtimit Albanum, Albania në këtë hapësirë gjeografike mund të shpjegohet me po ata faktorë që përcaktuan shtrirjen e dikurshme të këtij emërtimi nga kufijtë e ngushtë të mesit të shek. XI në kufijtë e gjerë të fillimit të shek. XIV. Konkretisht, mund të shpjegohet me shtetin e Balshave që u formua gjatë gjysmës së dytë të shek. XIV. Në fillim, brenda kufijve të këtij shteti u përfshinë territore shqiptare e sllave. Pra, Balshat mbështetjen kryesore politike e gjetën te popullsia shqiptare. Më 1369, me kalimin e tyre në anën e Kishës Perëndimore, lidhjet me sllavët ortodoksë u dobësuan edhe më tepër, kurse komuniteti politik e fetar me shqiptarët katolikë u forcua edhe më tej.
Si rrjedhim i këtyre lidhjeve, në vitet ’70 Balshat filluan të shtriheshin në jug, drejt krahinave shqiptare, duke arritur më 1372 në vijën Vlorë–Berat–Kostur. Në veri humbën krahinat sllave, duke u tërhequr afërsisht në vijën Tivar–Podgoricë–Prizren. Në këtë mënyrë ky komunitet politik fetar mori dalëngadalë karakterin e një komuniteti shqiptar e katolik.
Rrjedhimisht, edhe titulli i sundimtarëve Balsha u ndryshua nga sovranë të Zetës (Dei Gratia dominus Zetae), në sovranë të Arbërisë – Gjergj II Balsha “Zot i Arbërisë” (Arbanaskim Gospodinum), “Princ i Arbërisë” (Princeps Albaniae). Pra, Albanum, Albania u shtri në veri vetëm në viset shqiptare dhe katolike që hynë në shtetin e tyre.
Si përfundim, emërtimi Albanum, Albania, duke filluar nga shek. XI u zgjerua vazhdimisht duke shtyrë më në jug emrat Epir dhe Romania dhe më në veri emrat Dioklea dhe Sklavonia dhe arriti në shek. XV atje ku e çoi përçuesi i vet historik – faktori politik shtetëror shqiptar dhe jo ekspansioni i supozuar i shqiptarëve, siç mendojnë pa të drejtë disa historianë, ndër të cilët J. G. von Hahni dhe G.Stadtmülleri.
Në lidhje me territoret që shtriheshin në jug, pika më delikate qëndron te çështja nëse emërtimi Epir kishte ose jo një përmbajtje etniko-gjeografike. Sipas mendimit tonë, çështja zgjidhet sapo të sqarohet përkatësia etnike e epirotit dhe në vështrim më të gjerë karakteri etnik i Epirit të Vjetër. Me epirot mund të nënkuptohej, të paktën në shek. XV, shqiptari që banonte në Epir.
Për të sqaruar përkatësinë etnike të banorit të Epirit të Vjetër, mund t’u referohemi drejtpërdrejt shkrimtarëve dhe kronistëve greko-bizantinë që nuk e përdorin fare termin epirot. J. Kantakuzeni gjatë përshkrimit të ngjarjeve që ndodhën në territorin e Epirit gjatë gjysmës së parë të shek.
XIV quan albanë banorët që jetonin në afërsitë e Beratit e të Kaninës, në krahinat e Devollit e të Kolonave, në rrethet e Pogonianit e të Libisdës, në afërsi të Ohrit dhe gjetkë, të cilët dihet se praktikonin ritin bizantin. Nga “Kronika e Janinës” mësojmë se banorët e trevës së Përmetit ishin mazarakët; të Dropullit e të Delvinës:zenevistët; në rrethin e Janinës: malakasët, të cilët sipas mendimit të përgjithshëm të historianëve, qenë shqiptarë.
Që viset bregdetare të Jonit banoheshin nga shqiptarë, na e thotë shkoqur Kritobuli dhe na la të nënkuptojmë Halkokondili. Prania e shqiptarëve në krahinat lindore të Epirit të Vjetër provohet nga fakti se në vitin 1330 ata thyen një çetë të kompanisë së madhe katalane në Gardhiq të Janinës që kishte kaluar Pindin dhe po plaçkiste Epirin. Nga njoftimet që jep Kantakuzeni dhe nga ato që ndeshen në “Kronikën e Janinës”, mund të nxirret lehtë konkluzioni se banorët e Epirit në shumicën dërrmuese qenë shqiptarë, përderisa siç vinte re me të drejtë J. G. Hahni, fituan në luftë kundër grekëve dhe serbëve.
Ne do të shtojmë me këtë rast se formacionet shtetërore shqiptare që u krijuan në territoret e Epirit gjatë gjysmës së dytë të shek. XIV dhe në mënyrë të veçantë ekzistenca për një kohë të gjatë e despotatit shqiptar të Gjin Bua Shpatës, i cili u përmbys vetëm nën goditjen e vërshimit osman, na japin në dorë dy elemente të rëndësishme në favor të problemit që kemi në diskutim.
Nga njëra anë, provojnë se shqiptarët, të cilët u bënë bartësit etnikë të këtyre formacioneve shtetërore në luftë kundër pushtetit bizantin dhe serb, përbënin masën kryesore të popullsisë së Epirit. Nga ana tjetër, komuniteti politik-gjuhësor, që u formua nga këto formacione shtetërore shpjegon arsyen përse shqiptarët dalin në Epir me emrin e tyre etnik pikërisht në burimet historike të kësaj periudhe dhe jo më parë. Me këtë përbërje etnike, emërtimi gjeografik Epir u vesh për shumicën e shkrimtarëve dhe kancelarëve të Mesjetës së mëvonshme, me një vështrim etnik shqiptar.
Për shqiptarët u sanksionuan kështu në shek. XIV–XV dy emërtime etnike: arbër dhe epirotë. Në këto dy emërtime nuk u përfshinë viset e banuara nga shqiptarët që ndodheshin jashtë kufijve të emërtimeve Arbëri dhe Epir. Është fjala kryesisht për territoret e Kosovës, Rrafshit të Dukagjinit (Metohisë) dhe të Maqedonisë Perëndimore, vendbanimet e dikurshme të dardanëve, paionëve dhe lunkestëve ilirë.
Fakti që shqiptarët nuk përmenden me emrin e tyre etnik si banorë të këtyre viseve ose përmenden rastësisht në burimet historike mesjetare jo më parë se në shek. XIV, mund të shpjegohet, si dhe për pjesët e tjera të Shqipërisë, jo me mosqenien e tyre në ato vise, por me konceptin mbi kombësinë që kishin shkrimtarët dhe kancelarët mesjetarë.
Meqenëse këto vise qëndruan në mënyrë të pandërprerë nën sundimin bizantin, dukljan, serb apo bullgar dhe nuk arritën të grumbullohen në ndonjë formacion shtetëror shqiptar, është e tepërt të pretendohet që ata të shfaqeshin në burimet historike me emrin e tyre etnik.
Përpjekjet që janë bërë për t’i zbuluar shqiptarët e këtyre viseve me anën e toponomastikës dhe onomastikës, as kanë dhënë, as mund të japin rezultat për shkak të tendencës së theksuar që kanë pasur sllavo-jugorët mesjetarë për t’i sllavizuar në masë jo vetëm emrat e vendeve që pushtonin, por edhe emrat e vendeve që pretendonin.
Emrin etnik të shqiptarit në trajtën “arbanas” ne do ta ndeshim si banorë të këtyre viseve vetëm atëherë kur ai nuk kishte njërin nga të dy komponentet e konceptit mesjetar mbi kombësinë – ose bashkësinë politike ose bashkësinë fetare, me serbët ose bullgarët, praktikisht vetëm po të mos ishte më ortodoks.
Nuk është pra e rastit që “arbanasët” përmenden për të parën herë në burimet mesjetare të shek. XIV pikërisht në ato zona (në rrethet e Shkupit e të Prizrenit), ku dihet se u përhap në një masë të kufizuar katolicizmi – si frekuentues në Pazarin e Manastirit të Shën Gjergjit pranë Shkupit, si barinj, bujq e ushtarë në krahinën e Tetovës, si fshatarë në feudet e manastirit të Kryeëngjëjve të Prizrenit, si bujq në analet e manastirit të madh të Deçanit, kurse gjurmët e tyre i gjejmë gjithnjë në shek. XIV dhe jo më parë, në Dalmaci, në Bosnjë, Hercegovinë.
Fakti që shënojnë L. Thalloczy, K. Jire?eku dhe M. Šufflay se deri në kohët e vona, në sllavët e Dalmacisë e të Malit të Zi, me “arbanas” kuptohej vetëm shqiptari katolik, ndihmon në konkluzionin tonë se shqiptari ortodoks, i cili banonte në territoret e përfshira për një kohë relativisht të gjatë brenda kufijve të shteteve serbe ose bullgare, konsiderohej thjesht “serb” ose “bullgar”. Në këto rrethana, problemi i përkatësisë etnike të banorëve mund të sqarohet vetëm me defterët osmanë të shek. XV–XVI që u përkasin sanxhakëve të Kosovës, Metohisë e Maqedonisë, materiali i të cilëve do të na ndihmojë për të hedhur një vështrim retrospektiv.
Me islamizimin në masë të shqiptarëve në shek. XVII, folësit e gjuhës shqipe u ndanë në tre besime fetare – në katolikë, ortodoksë dhe myslimanë. Për konceptin mesjetar, ishte e vështirë që shqiptarët myslimanë të quheshin arbër apo epirotë, përderisa ata nuk qenë as katolikë, as ortodoksë. Qenë vetë qarqet qeveritare osmane, të cilët u dhanë atyre emrin “arnautë”.
Por prirja e shqiptarëve për të mos i dhënë rëndësi përkatësisë fetare, e cila sillte diferencimin në radhët e tyre, solli si pasojë nevojën për një emërtim të përbashkët etnik për mbarë folësit e gjuhës shqipe. Apelativi i ri lindi nga fjala shqip, të cilën e ndeshim që te Buzuku, nënkuptimin e gjuhës që e kuptonin të gjithë banorët shqipfolës. Që këtej lindi apelativi “shqiptar”, ai që flet shqip, ai që e kupton gjuhën shqipe.
Me sa dimë, apelativi shqiptar zëvendësoi për të parën herë në burimet e shkruara historike emrat arbër dhe epirotë në shek. XVIII, kurse emri i vendit Shqipëri në vend të Arbërisë dhe të Epirit u sanksionua në fushën e shkrimit në shek. XIX. Si apelativi për banorin shqiptar, ashtu dhe ai për atdheun Shqipëri, u përhapën në mënyrë të rrufeshme gjatë Rilindjes Kombëtare vetëm në radhët e shqiptarëve që nga Mitrovica deri në Prevezë. Për qarqet e huaja u përhap apelativi Albanese për banorin dhe Albania për vendin, i cili zëvendësoi gjithashtu në mënyrë të rrufeshme apelativat historikë arbanitë, epirotë dhe arnautë.
Etnogjeneza e shqiptarëve vështrim historik
Një vepër e re studimore e akademikut kristo Frashëri sapo është botuar nën logon e botimeve M&B. Mografia “Etnogjeneza e shqiptarëve” është një vështrim historik, që trajton që në hyrje problemin e metodikës dhe metodologjisë që kanë ndjekur deri sot dijetarët e ndryshëm dhe, pasi vihen në dukje dobësitë e disave prej tyre, sugjerohen kritere më shkencore në trajtimin e albanologjisë dhe të ilirologjisë. Pastaj kalohet në trajtimin e mirëfilltë të të dy problemeve.
Bëhen përpjekje për të hedhur ndopak dritë mbi popullatat e stërlashta që kanë banuar në kohët parahistorike, në trojet e sotme shqiptare dhe të gjurmëve që ato kanë lënë në formimin e etnosit shqiptar dhe të gjuhës shqipe. Flitet për popullatat paraindoeuropiane që banonin në këto vise. Trajtohet e ashtuquajtura çështje pellazgjike. Më tej trajtohet problemi i gjenezës së ilirëve dhe përfundohet me etnogjenezën e shqiptarëve. Monografia mbyllet me shfaqjen në vitin 1043 në fushën e dokumentacionit historik të emrave Arbër dhe Albani si apelativa krahinorë dhe shndërrimin e tyre më vonë në emërtime kombëtare.
Me rastin e këtij botimi historiani Frashëri ka deklaruar se për këtë trajtesë është mbështetur në kronologjinë historike që disa dijetarë mendojnë se i përshtatet parahistorisë së Europës Juglindore: grupet njerëzore që banonin në Europën Juglindore në Paleolitin e vonë quhen në mënyrë konvencionale popullata të Cro- Magnon-it. Popullatat që këtu banonin gjatë Neolitit të hershëm dhe të mesëm (7000–4000 p.e.r.) quhen popullata paleoballkanike.
Ato të Neolitit të vonë, që nga fillimi i mijëvjeçarit të katërt deri në mesin e mijëvjeçarit të tretë p.e.r. (4000–2500 p.e.s), popullata të grupit etnikogjuhësor alarodik ose mesdhetare. Ato të epokës eneolitike (2500–2000 p.e.r.), popullata protoindoevropiane, ku bënin pjesë edhe pellazgët. Për banorët e epokës së bronzit (e cila mbulon mijëvjeçarin e dytë p.e.r.), nënkuptohet se është fjala për popullatat indoeuropiane – grekët, trakët, protoilirët, dorët, ilirët... Nga ky libër me mjaft interes ne zgjodhëm për lexuesit tanë me lejen e botuesit kapitullin ku trajtohet emri etnik i shqiptarëve.
Anakonda
Anakonda
V.I.P Anëtarë
V.I.P Anëtarë

Vendbanimi Vendbanimi : Australia
Postime Postime : 31717
Gjinia Gjinia : Female
Anëtarësuar Anëtarësuar : 02/12/2011
Mosha Mosha : 34
Hobi Hobi : Once Upon A Time

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Homeri                    Empty Re: Homeri

Mesazh nga Anakonda Sun 26 Oct 2014 - 21:09

Analiza e vepres Iliada dhe Odisea nga Homeri
Thuhet se Homeri ka qënë i verbër dhe mendohet që ai të ketë lindur në njërin nga qytetet e bregdetit Jon. Por, deri më sot nuk janë gjetur dokumenta të cilat vërtetojnë ndonjërën nga këto mendime. Madje nuk ka as ndonjë lloj evidence apo dokumentacioni që vërteton egzistencën e vetë Homerit, si person.

Në greqisht Homēros do të thotë "peng." Egziston një teori që thotë se emri i Homerit është marrë nga një shoqëri poetësh të quajtur Homeridë që do të thotë ‘prej pengjesh’ (si shëmbull: pasardhës të të burgosurve/pengve të luftës). Pjestarët e kësaj shoqërie nuk pranoheshin si ushtarë lufte, sepse besnikëria e tyre ishte e dyshimtë dhe si rrjedhoje ata nuk rrezikoheshin të vriteshin në luftë. Këta burra kishin për detyrë të mësonin përmëndësh poema epike si dhe ngjarje me rëndësi historike, para shpikjes së shkrimit dhe këndimit.

Kjo është dhe arsyeja përse shpesh herë është diskutuar fakti nëse Iliada dhe Odisea janë shkruar nga i njëjti shkrimtar. Shumë veta nuk besojnë se Odisea është shkruar nga një person, dhe në të njëjtën kohë ka të tjerë të cilët besojnë se kjo vepër epike ka të njëjtin stil shkrimi nga fillimi deri në fund dhe ngjashmëria është aq e madhe përgjatë tërësisë së veprës sa s’ka se si të jetë shkruar nga shumë shkrimtare. Batrakomiomakia, Himnet Homerike dhe Epikat Ciklike mendohet të jenë shkruar më vonë se Iliada dhe Odisea.

Shpesh herë Homeri është konsideruar si shkrimtari i të gjithë Ciklit Epik, i cili përbëhej nga poema mbi vazhdimin e luftës së Trojës si dhe poema të Tebëns të cilat flisnin për Edipin dhe djemte e tij. Ka gjithashtu mendime se Homeri ishte shkrimtari i pjesës më të madhe të ‘Himneve Homerike’, mini-epikës komike ‘Batrakomiomakia’ ("Lufta midis bretkosës dhe miut” - Βατραχομυομαχία), dhe ‘Margitit’ (greqisht μάργος – budallai; Kjo ishte një epikë komike e cila fliste për një budalla të quajtur Margit. Personazhi ishte aq budalla sa ai nuk e dinte se cili prind i kish dhënë jetë/e kish lindur. Fjala ‘margit’ tek kjo vepër i dha shkas përdorimit të mbiemrit margitomanes nga Philodemus Margites.) por këto mendime nuk u vërtetuan ndonjëherë dhe si rrjedhojë u lanë pas dore.
Shumë studiues janë në të njjëjtin mendim në lidhje me proçesin e standartizimit të Iliadës dhe Odisesë, në shek e 8të p.k.. Rolin kryesor për këtë ndryshim mendohet ta ketë luajtur tirani i Athinës në atë kohë, Hipparku, i cili reformoi leximin e poemave Homerike në festivalin Panathenaik.
Edhe pse ka shumë pak njohuri të sakta në lidhje me jetën e Homerit, ka studiues të cilët besojnë se ai ka egzistuar vërtet. Mbi mëdyshjen e egzistencës së Homerit egziston dhe një shprehje sarkastike e cila thotë se poemat “nuk u shkruan nga Homeri, por nga një burrë tjetër me të njëjtin emër” (*nga Lefkowitz). Samuel Butler ka hedhur mendimin se Odisea është shkruar nga një grua e re nga Siçilia, ky mendim u diskutua më vonë nga Robert Graves në novelën e tij ‘Vajza e Homerit’.
Sido që të jetë, shumica e klasikëve janë në të njëjtin mendim në lidhje me poemat Homerike. Ata besojnë se këto krijime e kanë prejardhjen tek tradita e gojëdhënave, të cilat ishin pasuri e përbashkët e disa poetëve/recituesve (aoidoi – këngëtar, në greqishten e vjetër) të kohës. Një analizë e zhvilluar mbi strukturën dhe fjalorin e Iliadës dhe Odisesë nxjerr në pah faktin që këto poema kanë shprehje dhe vargje të tëra të cilat përsëriten përgjatë tërësisë së tyre. Ndaj dhe shtrohet pyetja nëse poemat kanë qënë formula-gojore të cilat janë përbiluar nga poeti, duke përdorur vargje dhe shprehje popullore apo jo?! Studime mbi këtë hipotezë kanë kryer studiuesit Milan Parry dhe Albert Lord. Fokusi i studimeve të tyre ka qënë “formula e gojëdhënave tradicionale”.

Gjithashtu periudha e saktë e hedhjes në letër të këtyre poemave nuk është saktësuar deri më sot. Një hipoetezë në lidhje me këtë përcaktim thotë se “Homeri” mund t’ja ketë diktuar poemat dikujt tjetër që dinte shkrim e këndim, midis shek të VIII-të dhe të VI-të. Por alfabeti grek u përdor për herë të parë në shekullin e 8-të, ndaj dhe ka mundësi që dhe vetë Homeri të dinte shkrim e këndim, e si rrjedhojë i ka dokumentuar vetë poemat. Të tjerë studius të Homerit, si Gregory Nagy janë të mendimit se tekstet e shkrimeve Homerike nuk egzistonin para periudhës Helenistike (shek i III-rë – I-rë P.K.)
Anakonda
Anakonda
V.I.P Anëtarë
V.I.P Anëtarë

Vendbanimi Vendbanimi : Australia
Postime Postime : 31717
Gjinia Gjinia : Female
Anëtarësuar Anëtarësuar : 02/12/2011
Mosha Mosha : 34
Hobi Hobi : Once Upon A Time

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Homeri                    Empty Re: Homeri

Mesazh nga Sponsored content


Sponsored content


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi