Letërsia e sotme dhe koha e sotme
3 posters
Faqja 1 e 1
Letërsia e sotme dhe koha e sotme
KOHA JONË, LETËRSIA, SHKENCA LETRARE
Konferencë letrare
“Në kuadrin e 45-vjetorit të çlirimit të Atdheut dhe fitores së revolucionit popullor, më 13 nëntor në një nga sallat e Pallatit të Kongreseve, filloi punimet Konferenca Shkencore “Koha jonë, letërsia, shkenca letrare”, organizuar nga Akademia e Shkencave dhe Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë…” (shënim i redaksisë - g.com)
Koha e letërsisë së sotme shqipe, ajo që zakonisht e quajmë letërsi e realizmit socialist, përbën gati një të dhjetën e periudhës së letërsisë së shqiptarëve në përgjithësi, ndërkohë që letërsia e Rilindjes zë një të pestën, kurse ajo e pavarësisë një të njëzetën e saj.
E bëmë këtë krahasim për të rikujtuar dimensionet fizike të katër periudhave kryesore të letërsisë sonë, çka nuk është pa lidhje me dimensionet dhe vlerat e krijuara prej tyre. Siç shihet, ndonëse realizmi socialist është periudha e fundit dhe kulmore e letrave shqipe, nga madhësia ajo zë vendin e tretë, pas mesjetës dhe Rilindjes kombëtare. Qysh tani ajo është dyfish më e shtrirë se periudha e Pavarësisë, dhe duke u rritur çdo vit, nuk do të jetë e largët dita kur do t’i afrohet kohështrirjes së Rilindjes.
Kjo përmasë kohore na ndihmon për ta patur më të qartë vizionin tonë për këtë periudhë, që është më e afërta për ne, ngaqë është pjellë e kohës sonë dhe e rendit tonë shoqëror socialist. Ajo na ndihmon që kërkesat tona për të të jenë tejet serioze, që vlerësimet dhe pesha e fjalës sonë për to të jenë sa më të sakta dhe reale.
Kohë e socializmit në Shqipëri është koha e jashtëzakonshme e emancipimit më të madh që ka njohur ndonjëherë populli shqiptar gjatë gjithë historisë së tij. Kultura dhe letërsia e tij gjithashtu kanë njohur në këtë kohë një zhvillim të pazakonshëm. Ndërkaq, në vlerësimin e letërsisë sonë të sotme në krahasim me periudhat e tjera të letërsisë ne nuk do të tregoheshim objektivë në rast se meritat e kohës, meritat e revolucionit, do t’ia kalonim automatikisht letërsisë duke e vënë atë në pozitë të privilegjuar në krahasim me periudhat e tjera. Kështu ne do t’i jepnim vetes të drejtën për eufori, vetëkënaqësi dhe mungesë të plotë të sensit vetëkritik për punën tonë.
Letërsia e sotme shqipe është vërtet pjellë e kohës, por ajo duhet të vlerësohet pas meritave të saj dhe jo të përfitojë nga rrethanat jashtëletrare. Për ta konkretizuar këtë mendim le të hamendësojmë një krahasim midis jetës së sotme dhe një periudhe njëqind vjet më parë, ta zëmë vitin 1889, ose gjashtëdhjetë vite më parë, vitin 1929. Kurrfarë elementesh krahasimi s’mund të gjendeshin dhe çdo përpjekje për këtë do të ngjante qesharake. Ndërkaq si në vitin 1889, si në vitin 1929 janë shkruar kryevepra letrare që do të përballonin me sukses çdo krahasim.
E ngrita këtë problem në hyrje të këtij referati, ngaqë ai ka lidhje me qëndrimin vetëkritik ndaj krijimtarisë sonë. Ky qëndrim është një nga faktorët kryesorë për të ecur përpara. Në qoftë se nuk jemi ne, shkrimtarët e kohës, që të aplikojmë të parët këtë sens vetëkritik, atëherë kush do ta bëjë atë?
Sensi vetëkritik është një vlerë e re autonome që ka krijuar etika jonë e re. ai është një normë, një garanci që siguron zhvillim të mëtejshëm e të pandalshëm.
Letërsia e sotme socialiste shqipe i ka fillimet e saj në kohën dramatike kur populli shqiptar i udhëhequr nga komunistët bënte një luftë për jetë a për vdekje me pushtuesit dhe feudalët e borgjezinë vendase për çlirim kombëtar e shoqëror. Ajo u zhvillua e u rrit vit pas viti e dekadë pas dekade në kohën e ndërtimit të socializmit, u zgjerua e u pasurua duke kapërcyer vështirësi të njëpasnjëshme, të parashikueshme e të paparashikueshme, të natyrës ideore e artistike, të drejtimit të djathtë apo të majtë.
Asnjëherë në historinë e gjatë të shqiptarëve letërsia nuk kishte krijuar kontakte aq të gjera me popullin dhe asnjëherë populli dhe koha nuk bashkëpunuan me të si mbështetës, si frymëzues dhe si dashamirës e entuziastë të saj. Por këtu duhet shtuar se, pavarësisht nga meritat e letërsisë, ishte vetë natyra e rendit të ri shoqëror, natyra e vetë kulturës socialiste që krijuan një komunikim të tillë të paparë. Të gjithë këto përcaktuan rolin dhe karakterin emancipues të saj në një shkallë aq të gjerë, saqë nuk qe ndeshur e s’mund të ndeshej ndonjëherë në jetën e shqiptarëve.
Ishte një letërsi e re, e një tipi të ri, siç qenë të reja atmosfera, koha, krejt rendi i ri që u vendos në këtë vend. Në vështrim të parë dukej sikur s’kishte gjë të përbashkët me letërsinë e mëparshme, por dalngadalë, kur mendimi i kohës u bë më i pjekur, dhe vizioni u bë më i plotë, u pa se ajo ishte pjesë e letërsisë qindvjeçare shqiptare, më e përparuara pjesë e saj, që bashkë me mesazhet e reja, trashëgonte mesazhet e përjetshme të letrave shqipe, ashtu si koha e re trashëgonte traditën më të mirë të dikurshme.
Letërsia e sotme komunikon me të tre periudhat e tjera të letrave shqipe dhe me vlerat e saj të padiskutueshme bashkon vlera e cilësi të tyre, gjë që tregon se ajo është veç tjerash një art i vërtetë kombëtar i Shqipërisë.
Me letërsinë e vjetër shqipe, atë të mesjetës, që duket më e largëta e të gjithave, letërsia e sotme ka një gjë të përbashkët: njohjen ndërkombëtare. Për një paradoks të historisë, pikërisht këto dy periudha, më e moçmja dhe më e reja kanë qenë më të njohurat jashtë kufijve të vendit.
Letërsia e vjetër shqipe, letërsi gjysmëfetare, e zymtë dhe tejet elitiste, me shumë pak lexues në Shqipëri, ka lojtur megjithatë një rol të rëndësishëm për krijimin e të gjitha mekanizmave të të shprehurit të njërës prej gjuhëve më të vjetra e më të bukura të Evropës, si edhe për njohjen e Shqipërisë, të kombit shqiptar e të gjuhës shqipe në të katër anët e botës. Për këtë të fundit mjafton të përmendim vetëm dy fakte: e para, që ajo me botimet e saj të shumta në vende të ndryshme bëri të njohur kudo epopenë e Skënderbeut dhe dramën e shqiptarëve, e dyta, që nxiti studimet e para për gjuhën e qytetërimin e tyre. Ishin pikërisht dy libra të kësaj letërsie të autorëve Pjetër Budi e Frang Bardhi, që treqind vjet më parë i ranë në dorë shkencëtarit më të madh të kohës Gotfrid Lajbnic, nismëtarit të studimeve të prejardhjes së gjuhës shqipe e të vetë shqiptarëve prej ilirëve.
Denigrimi që iu bë vite me radhë prej studiuesve e kritikëve tanë kësaj periudhe monumentale të letërsisë shqipe, e ngarkon rëndë ndërgjegjen e tyre, aq më tepër që ky denigrim u shoqërua me insinuata të palejueshme.
Me Rilindjen tonë letërsinë e sotme shqipe e afron misioni i madh emancipues kombëtar, militantizmi dhe angazhimi pa kurrfarë rezerve në çështjet jetike të vendit. Atë e afron gjithashtu karakteri i gjerë popullor, humanizmi, qytetërimi i lartë dhe fisnikëria e artit si urë bashkimi midis popujve. Sot, kur në gadishullin ballkanik kanë shpërthyer ernat e zeza vulgare të shovinizmit, këto cilësi ngjajnë edhe më të mrekullueshme.
Nga letërsia e Pavarësisë, periudhës më të shkurtër, por tepër të dendur të letrave shqipe, letërsia e sotme përfitoi mesazhin shoqëror, tonet dramatike të kontradiktave shoqërore, si edhe përkryerjen e mëtejshme artistike.
Të gjitha këto vlera e cilësi të periudhave të ndryshme të artit shqiptar, letrat shqipe të sotme i pasuruan me idetë e reja të epokës, iu dhanë një vitalitet e një shkëlqim të ri, të paparë ndonjëherë. Bashkë me vetveten ato ndërtuan një lexues të mrekullueshëm që u bë mbështetja më e gjerë dhe më e mençur e tyre në rrugën e zhvillimit.
Rruga e zhvillimit dhe e përkryerjes së letërsisë së sotme socialiste, nuk ka qenë as e thjeshtë, as e lehtë. Në njëfarë mënyre ajo ka qenë e lidhur dhe ka pasqyruar vështirësitë dhe tensionet që i është dashur të përballojë gjithë jeta e vendit.
Faza e parë e saj, ajo që afërsisht shkon nga mesi i viteve dyzet gjer në fund të viteve pesëdhjetë ësht ënga më interesantet pikërisht për ndeshjen e koncepteve të kundërta për artin. Nga një anë ishte gjithë entuziazmi, dehja optimiste që zgjonte çlirimi i vendit, besimi dhe ndjenjat më fisnike që shkaktonte fillimi i epokës së re, nga ana tjetër, si një dush i ftohtë u shfaq, sidomos në vitet e para, mosbesimi meskin ndaj letërsisë dhe intelektualëve.
Sektarizmi i koçixoxistëve, urrejtja ndaj kulturës dhe identitetit kombëtar i shkakto dëme të ndjeshme letërsisë, pikërisht sepse ajo ishte në një fazë fillestare, ende e brishtë dhe e plagosshme lehtë. Këta armiq të kulturës e të kombit shqiptar në përpjekjet e tyre për ta paralizuar letërsinë shqipe, në kuadrin më të gjerë të paralizimit të krejt inteligjencies, u rrekën të përdornin një mekanizëm të vjetër, atë të kompleksit të fajit. Duke e ngarkuar inteligjencien, e bashkë me të shkrimtarët, me një kompleks faji, ata mendonin se kështu e kishin lehtë për t’i nënshtruar ndaj qëllimeve të tyre, për t’i çarmatosur, për t’i depersonalizuar, shkurt, për t’i kthyer nga militantë të kohës në lolo të dikurshëm të oborreve feudale.
Varrosja e koçixoxistëve e groposi pa dyshim edhe këtë mendësi reaksionare e injorante, por kjo s’do të thotë se ajo nuk vazhdoi të shfaqej më pas aty-këtu, në po atë masë që përpiqej të rigjallërohej sektarizmi i majtë.
Vështirësi të tjera me të cilat u ndesh letërsia e re shqiptare ishin keqkuptime të ndryshme lidhur me misionin dhe rolin e artit. Ato vinin nga drejtime të ndryshme, të djathta e të majta. Po ndërsa klima politike, karakteri i theksuar antiimperialist i gjithë jetës së vendit e bënte të qartë dhe efikase luftën kundër pikëpamjeve djathtiste që mbronin karakterin e përjetshëm të artit dhe largimin nga problemet shoqërore, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për skematizmin. Pjellë e pjesshme e vetë artit të ri, por më tepër ndikim nga skematizmi sovjetik, ai ishte një sëmundje e përkëdhelur dhe mjaft e vështirë për t’u luftuar.
Pikëpamjet skematike për heroin pozitiv, teoria famëkeqe e mungesës së konfliktit, ose e konfliktit jo midis të keqes dhe së mirës, por midis së mirës dhe më të mirës, si dhe keqkuptime të tjera si këto, ndonëse paraqiteshin me një petk revolucionar, nuk ishin veçse shfaqje të një lloj dekadentizmi, imitime të letërsisë rozë mikroborgjeze të njohur në Perëndim si letërsi bulevardesh. Asgjë të përbashkët s’kishte kjo lloj letërsie me revolucionin, ndonëse me arrogancë dhe intolerancë pretendonte të ishte e vetmja përfaqësuese e tij. Përkundrazi, në thelb ajo ishte shprehje e një servilizmi ndaj artit mediokër e vulgar borgjez, ngaqë imitonte mekanizmat e tij.
Të gjitha këto sollën pa dyshim zbehtësi, cektësi dhe mërzi në letrat shqipe. Megjithatë, ndërsa e kishte më lehtë të luftonte dhe të kapërcente disi këtë sulm të vulgaritetit, më vështirë e pati letërsia jonë të sqaronte me kohë probleme të tjera më të ndërlikuara, si raportet mes kombëtares dhe socialistes në letërsi, midis tipikes dhe antitipikes etj. Disa nga këto probleme vazhdojnë ende sot të mbeten të tilla dhe është detyrë e ngutshme e kritikës, e gjithë mendimit tonë letrar të merret me ftillimin e tyre.
Për veshin tonë është tepër familjar formulimi “përmbajtje socialiste dhe formë kombëtare”, por mendoj se për letërsinë tonë të sotmë kjo formulë nuk ka shumë kuptim. Pyetja e parë që do të bëhej do të ishte: përse kjo ndarje e tillë, përse kombëtares i ka mbetur vetëm forma? Nuk po zgjatem me pyetje të tjera të mundshme, të vështira për përgjigje.
Formulimi i mësipërm, ka lindur dhe ka patur kuptim në një vend shumëkombësh socialist, ku kombe të ndryshme përbënin megjithatë një popull, dhe një letërsi unike, letërsinë sovjetike. Në vendin tonë që është homogjen kjo ndarje komponentësh nuk qëndron.
Por ndërsa raportet përmbajtje-formë, në këtë rast, nuk mbeteshin veç në kuadrin e një formule, shumë më e ndërlikuar paraqitej çështja e tipikes dhe jo tipikes në letërsi.
Teoria e tipikes, e zhvilluar si e tillë në Bashkimin Sovjetik në mesin e viteve 50-të, pikërisht në prag të proceseve revizioniste, i ka sjellë çoroditje dhe dëme të pallogaritshme letërsisë socialiste në të gjitha vendet.
E nxjerrë në mënyrë metafizike nga një letër e Engelsit drejtuar një shkrimtareje gjermane të kohës, për një problem konkret të një lloj letërsie konkrete, një frazë e drejtë e Engelsit, duke u shkëputur nga konteksti konkret, duke u veshur me dimension universal, u shndërrua në teori, ndonëse po ta shikoje me kujdes kjo vinte në kundërshtim me vlerësimin e njohur të Marksit dhe Engelsit për letërsinë botërore.
Ligjet e letërsisë s’mund të nxirren në këtë mënyrë, qoftë dhe nga një personalitet i madh si Engelsi. Ligjet e letërsisë e të artit lindin dhe përpunohen gjatë shekujve prej vetë letërsisë dhe artit, prej proceseve dhe praktikës së tyre shekullore.
Në kundërshtim me çdo dialektikë të zhvillimit, e ashtuquajtura teori e tipikes, në atë mënyrë si u servir, shpallte tipike, pra të lejueshme, për letërsinë socialiste, çdo ngjarje, rrethanë a personazh që takohej më shpesh në jetë, dhe atipik, çdo ngjarje, rrethanë a personazh të pazakontë.
Në këtë mënyrë letërsia i hiqte vetvetes ngjarjet e personazhet e papërsëritshëm e tejet origjinalë, që janë thesari i paçmuar i artit.
E gjithë kjo vinte në kundërshtim me thelbin e artit dhe arritjet mijëvjeçare të tij. Personazhet e letërsisë antike, heronjtë e eposeve popullore, Don Kishoti i Servantesit e Fausti i Gëtes, ferri i Dantes e historia e shpirtrave të vdekur të Gogolit, e dhjetra e dhjetra ngjarje, rrethana e karaktere origjinale të letërsisë botërore, më shumë se tipike ngjanin atipike, sipas kësaj teorie. Të pazakonta e origjinale janë ngjarjet e mëdha që ka jetuar e vazhdon të jetojë vendi ynë që prej shumë vitesh në këtë gjysmë shekulli.
Teoria e tipikes, ashtu siç u servir, ishte baza teorike e mediokritetit, themeli ku ai do të mbështetej për të shkatërruar artin e madh. Ajo ishte drejtuar në radhë të parë kundër çdo noviteti e origjinaliteti në art. Ajo ishte për një art uniform, për konformizmin dhe kundër militantizmit, kësaj cilësie themelore të artit socialist.
Ndonëse me fjalë e pranonte militantizmin, ajo e mohonte atë katërcipërisht, sepse e çarmatoste shkrimtarin dhe nuk i jepte asnjë mundësi që në veprën e tij të trajtonte probleme të shoqërisë. Çdo personazh i kritikuar mbrohej prapa kategorisë shoqërore që përfaqësonte dhe kështu personazhi negativ s’mund të ishte as mjek, as artist, as polic e as zyrtar, e aq më pak mund të qe fshatar e punëtor, sepse këta tipikisht s’mund të ishin me të meta.
Nuk është nevoja të zgjatem më shumë për të kuptuar se sa fatale do të ishte kjo teori në qoftë se do t’i imponohej letërsisë. Këtu duhet thënë se ndonëse në planin teorik, megjithëse janë bërë përpjekje, ajo ende nuk është hulumtuar e hedhur poshtë prej kritikës sonë letrare, çka tregon dobësinë e kësaj kritike, që praktikën e saj letërsia jonë e ka mohuar atë prej kohësh. Qëndresa që letërsia jonë e re i ka bërë kësaj pseudoteorie të huaj, përbën një nga meritat e mëdha të saj. Ajo është veç të tjerash një dëshmi e vitalitetit të saj dhe e trungut të shëndoshë mbi të cilin mbështetet.
Në fillim të viteve 60, atëherë kur ndodhi një ngjarje atipike, dhe Shqipëria e vogël sfidoi hrushovianët, këta të fundit bënë për letërsinë shqipe një profeci të zymtë. Ata dhanë dy alternativa: ose letërsia shqipe do të shfytyrohej duke u shndërruar në letërsi tipike borgjeze, ose do të shpërbëhej, duke përfunduar në një llomotitje propagandistike, siç ndodhi me disa letërsi dogmatike të asaj kohe.
Letërsia shqipe e sfidoi në mënyrën më të bujshme këtë profeci dashakeqe. Ajo jo vetëm nuk u shpërbë duke u kthyer në një çorbë propagandistike, ajo jo vetëm nuk degradoi duke u kthyer në një imitim të letërsisë dekadente, por përkundrazi, kundër çdo parashikimi u shëndosh, u hovzua e njohu një zhvillim të paparë gjer atëherë. Me këtë ajo tregoi se ishte një letërsi e vërtetë dhe jo një flakëz e përkohshme që mund të shuhej nga furtuna më e parë.
Zhvillimi i hovshëm i të gjitha gjinive u shoqërua me një emancipim të krijuesve, me çlirim të mendjeve të tyre prej klisheve e dogmave, me një risi të gjinive e të formave. Vepra të fuqishme novatore krijuan një klimë letrare nga më të bukurat në historinë e letrave shqipe. U ridëshmua edhe një herë më forcë e vërteta e madhe se letërsia dhe artet janë të përjetshme nëpërmjet përtëritjes dhe ndryshimit.
Ishte një gjë që pritej që në vitet 70, trysnia kineze, e cila nuk kaloi pa gjurmë në disa vende, të kthehej mbrapsht nga letërsia jonë. Ajo ishte tashmë mjaft e konsoliduar për t’u tronditur nga presione të jashtme nga cilido drejtim që të vinin. Por ndërsa nuk arriti të linte dot gjurmë në letrat shqipe, ajo trysni, për arsye rrethanash jashtëletrare ndikoi për keq në tekstet dhe programet shkollore me anë të të cilave brezi i ri njihej me letërsinë tonë dhe me letërsinë botërore në përgjithësi.
Vitet 70-të u karakterizuan nga një luftë e ashpër në të dy frontet: kundër ndikimit të liberalizmit borgjez, nga njëra anë, dhe kundër skematizmit konservator nga ana tjetër. Këtu duhet pohuar se ndërsa në frontin kundër djathtizmit, ashtu si edhe më parë, lufta qe vërtet efikase, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për luftën kundër majtizmit. I inkurajuar nga trysnia kineze, ai, u përpoq të ringjallej, të rifitonte pozitat e humbura dhe t’i paralizonte letrat shqipe. Por ato ishin tashmë mjaft të forta për t’u vënë në gjunjë prej skematizmit. Ky ishte ndoshta edhe shansi i fundit i skematizmit, ndaj edhe sulmi i tij qe më se i dëshpëruar.
Dhjetëvjeçari i fundit i letërsisë sonë ka qenë po aq i pasur në mos më tepër, me probleme që kërkonin sqarim e zgjidhje me përpjekje të përbashkëta të shkrimtarëve për të kapërcyer vështirësi të parashikuara e të paparashikuara që nxirrte procesi letrar.
Zhvillimi joharmonioz i gjinive të ndryshme, sidomos i poezisë dhe i romanit, prapambetja e teatrit dhe e kritikës letrare krijuan shqetësime disa herë të përligjura e disa herë jo. Një problem i ndeshur edhe më parë, por që jeta letrare e nënvizoi më me forcë, ishte ai i temave të quajtura të mëdha e të vogla. Ishte shenjë pjekurie e mendimit të përbashkët letrar e shoqëror konsensusi i arritur për këtë problem, domethënë shmangia e një ndarjeje të tillë metafizike dhe vlerësimi i veprave letrare jo nga nomenklatura e temave, por nga niveli ideoartistik.
Zgjerimi i tematikës, përfshirja në letërsi e sferave më të ndryshme të jetës, e problemeve të ndërlikuara shoqërore, filozofike e psikologjike kanë qenë një tjetër preokupim i shkrimtarëve. Veçanërisht kjo lidhej me disa tema që pa u deklaruar prej askujt, në mënyrë tinzare e të vetvetishme dukeshin si tema tabu. Mendoj se për këto të fundit shkrimtarët tanë nuk duhet të kërkojnë shkaktarët jashtë radhëve të tyre. Janë ata vetë që nuk patën ose talentin, ose kurajon të kapërcenin një pengesë plotësisht të kapërcyeshme. Kështu, në letërsinë tonë ka ende boshësi me tema e motive të sferës etiko-morale, impulse e pasione, pa të cilat nuk mund të përfytyrohet jeta njerëzore, trazime të tjera të ndërlikuara, të pranishme në jetën e çdo njeriu por të pagjetshme në faqet e librave. Janë të trajtuara pak ose mungojnë tema të tjera të mprehta e dramatike që lidhen me raportet e njeriut me shoqërinë, çështje të demokracisë, të luftës kundër burokratizmit, të legjislacionit etj. Të gjitha këto çështje motra të letërsisë që e kanë shoqëruar letërsinë qysh nga kohërat antike krijojnë me mungesën e tyre një bosh të ndjeshëm. Historia e shtetit tonë socialist, dokumentacioni i botuar i Partisë, veprat e Enver Hoxhës janë të mbushura me fakte, ngjarje e personazhe, që lidhen me temat e mësipërme, kurse në letërsi takohen rrallë ose aspak.
Për të përligjur një mungesë të tillë disa nga kritikët tanë kanë përdorur mekanizmin e tipikes. Të tjerë, përherë duke u nisur nga tipikja, kanë shkuar edhe më larg. Pyetjes se përse nuk duhet të trajtohen në letërsi çështje që figurojnë në historinë e vendit, i janë përgjigjur me argumentin se letërsia përgjithëson, tipizon, ndaj është me delikate. Duhet të jesh i pajisur vërtet me një logjikë barbare që të pranosh se fakti i trajtuar në romanin ose novelën e një shkrimtari, e përsëris, në romanin ose novelën që ka në kopertinë emrin e një prej shkrimtarëve të shumtë të vendit, paska më shumë forcë përgjithësuese, pra tingëllon më shumë delikat sesa fakti i përmendur në librin e themeluesit të Shqipërisë së sotme.
Kapërcimi i keqkuptimeve të mësipërm, kontaktet më të afërta me jetën janë një domosdoshmëri e ngutshme. Ato do t’i freskojnë e do t’i zgjerojnë mushkëritë letërsisë sonë.
Ka kaluar tashmë njëfarë kohe që ndaj letërsisë dhe arteve tona u fomulua një kërkesë themelore: ngritja e cilësisë dhe lufta kundër ambientimit me mesataren dhe kundër mediokritetit. Problemi i ngritur nga shoku Ramiz Alia është i natyrës madhore, nga ata që lidhen me fatin e mëtejshëm të një letërsie.
Ashtu sikurse skematizmi dhe letërsia rozë, ashtu sikurse përfytyrimi banal i heroit pozitiv, ashtu sikurse moralizimet e thata dhe fundet e lumtura optimiste, mediokriteti nuk është aspak cilësi e letërsisë socialiste, por sëmundje universale e letërsisë që ka lindur bashkë me të e që do ta shoqërojë atë gjithmonë. Një luftë totale për jetë ose për vdekje është zhvilluar e vazhdon të zhvillohet midis artit të madh e mediokër që nga koha kur Homeri këndoi vargun e parë të Iliadës, e gjer në ditët tona, gjer në këtë orë që jemi mbledhur sot për të folur për letërsinë.
Nga fati i kësaj ndeshjeje të gjatë dhe sfilitëse është përcaktuar fati i letërsive të tëra, i lulëzimit ose zbehjes, i ngritjes ose rënies së tyre.
Zakonisht shtetet dhe administratat, duke filluar nga Roma e lashtë, nuk e kanë përkrahur këtë të fundit kundër artit të madh. Dhe kjo është në logjikën e gjërave, sepse dihet që arti i madh është shqetësues për administratën shtetërore, kurse mediokriteti është komod.
Fakti që shteti ynë socialist e ka ngritur këtë problem në sensin e kundërt tradicional, domethënë kundër mediokritetit, është kuptimplotë dhe shkrimtarët dhe artistët tanë duhet të dinë ta çmojnë atë.
Në socializëm aksioni i mediokritetit kundër artit të vërtetë vazhdon gjithnjë i furishëm, ndonëse ka dia karakteristika të vetat. Ashtu si një sëmundje që stimulohet prej sëmundjeve të tjera dhe që stimulon nga ana e vet gjithashtu të tjerat, mediokriteti ushqehej prej skematizmit e ushqen skematizmin dhe gjithë nënproduktet e tij. Ata bashkëveprojnë kështu në një front të gjerë për të fituar pozita dominuese në letërsi, çka nuk është e vështirë për ta, në qoftë se letërsia dhe shoqëria e humbasin syçeltësinë.
Në socializëm mediokriteti përpiqet të joshtë nëpunësit burokratikë në mënyrë që të realizojë një nga ëndrrat e tij kryesore, të njihet qoftë dhe pa u shpallur si letërsi zyrtare.
Koncepti “letërsi zyrtare” është i papranueshëm në socializëm, ashtu siç ishte i papranueshëm e kundërta e tij “letërsi jozyrtare”. Një ndarje e tillë do të ishte një diversion me pasoja fatale që do ta shfytyronte letërsinë.
Duke folur për mediokritetin si dukuri negative, është theksuar edhe më parë dhe me shumë të drejtë se krijuesit mediokër nuk kanë asnjë faj që janë të tillë. Por kjo mungesë faji mbaron në çastin kur ata kërkojnë ta kthejnë mediokritetin në normë, shkurt kur mediokriteti bëhet agresiv.
Ky lloj mediokriteti kërkon të bëjë ligjin në art. Ai përdor për këtë mënyra të ndryshme. Një nga këto është përpjekja për të vendosur përfaqësuesit e vet në poste drejtuese që merren me punët e letërsisë dhe të arteve. Kur krijuesit mediokër, e sidomos krijuesit mediokër pretenciozë e megallomanë, zënë poste të tilla, ata bëhen të rrezikshëm, sepse shijet e tyre, revanshet dhe preferencat e tyre përpiqen t’ua imponojnë letërsisë dhe artit.
Këta lloj zyrtarësh-shkrimtarë në vend që të ndihmojnë për vendosjen e raporteve të besimit midis forcave krijuese dhe administratës shtetërore, qëllon të bëjnë të kundërtën. Dhe kjo ndodh qysh në çastin e parë kur ata përpiqen të nënvizojnë se ata kanë vulën dhe monopolin e besnikërisë ndaj shtetit, besnikëri që sipas tyre nuk e kanë ose e kanë të mangët krijuesit. Sipas kësaj logjike të mbrapshtë këta të fundit, dmth. krijuesit, është e nevojshme të mbikqyren e të mbahen nën tutelë. Me koncepte e praktika të tilla ata thyejnë unitetin e forcave krijuese dhe krijojnë çarje të dhimbshme midis shkrimtarëve dhe Shtetit.
Të gjitha këto vijnë në kundërshtim të plotë me vijën e Partisë për letërsinë dhe artet. Vërtetimi më i saktë i kësaj është fakti që në Shqipërinë e pasçlirimit nuk ka ekzistuar asnjëherë dhe nuk ekziston institucioni i Censurës, çka është në nderin e shtetit tonë socialist. Në qoftë se ka njerëz që nuk u pëlqen kjo gjë, ata janë jashtë kohës dhe kundër zhvillimit e përparimit të vendit, kundër demokracisë socialiste dhe kundër perspektivave që hapi për kulturën shqiptare Plenumi i 8-të i Partisë.
Problemet e ngritjes së cilësisë të letërsisë e të arteve, të luftës kundër ambientimit me mesataren dhe të luftës kundër mediokritetit janë të ndërlikuara e nuk mund të zgjidhen pa një bashkërenditje të forcave më të mira krijuese, të mendimit kritik e studimor, të shtypit, të botimeve dhe të gjitha institucioneve të kulturës.
Letërsia ka ligjësitë e zhvillimit të saj. Mekanizma të ndryshme të brendshme e mbrojnë atë nga mortifikimi dhe sigurojnë rifreskimin e saj, me fjalë të tjera jetën e saj. Një nga këto mekanizma është procesi i seleksionimit të vlerave.
Seleksionimi është një nga proceset bazë dhe më vitalë të ekzistencës së një letërsie. Seleksionimi në letërsi është njëlloj si procesi i metabolizmit te qeniet e gjalla. Ndërprerja e tij do të thotë ndërprerje e jetës.
Dhunimi i procesit të seleksionimit është një nga aktet më të rënda që mund të kryhen kundër një letërsie. Megjithatë, për fat të keq, qëllon që ky dhunim arrin të realizohet. Arsyet janë të ndryshme: në radhë të parë presioni i mediokritetit, i cili kërkon që me çdo kusht të zërë vend në thesarin letrar të një populli. Arsye të tjera janë sentimentalizmi, tarafet letrare, mungesa e parimeve dhe keqkuptimi i demokracisë.
Lufta kundër mediokritetit nuk mund të kryhet pa respektuar seleksionimin. Mediokriteti bën çmos që ta shkelë me këmbë këtë parim, arti i vërtetë bën të kundërtën.
Një dhunim i rëndë i parimit të seleksionimit është bërë dhe vazhdon të bëhet sot te ne me programet dhe tekstet shkollore. Në to kanë zënë një vend të gjerë vepra mbi të cilat koha ende nuk e ka bërë seleksionimin e saj. Të futësh para kohe veprat e paseleksionuara në tekstet studimore do të thotë të fiksosh të keqen bashkë me të mirën.
Merret me mend se ç’punë kolosale do të duhet më pas për të shkulur të keqen e fiksuar. Kurse në rastin kur vepron parimi i seleksionimit e keqja del në mënyrë të natyrshme nga letërsia çdo ditë dhe çdo orë.
Është kjo arsyeja që në praktikën studimore botërore letërsia bashkëkohore futet me kujdes dhe pa ngut. Është e vërtetë se ka shkolla konservatore borgjeze që janë kritikuar rëndë për injorim të plotë të letërsisë bashkëkohore. Por edhe skaji i kundërt, vërshimi i kësaj të fundit, nuk i sjell asgjë të mirë kulturës.
Tek ne shkrimtarët bashkëkohorë zënë një vend tepër të madh në krahasim me letërsinë e kaluar. Raportet nganjëherë janë skandaloze. Puna rrin gjer aty sa një shkrimtar i zakonshëm i kohës sonë zë vend sa një epokë e tërë. Kjo nuk është vetëm çështje etike, mungesë modestie dhe mungesë e plotë e sensit vetëkritik. Kjo është në radhë të parë mungesë respekti për kulturën e popullit tënd.
Një dukuri e tillë ka patur dhe vazhdon disa herë të ketë akvokatët e vet. Ka një simbiozë të çuditshme midis mendimit kritik skematik dhe letërsisë mediokre. Të dy palët janë tepër komodë për njëri-tjetrin, ushqejnë dhe mbajnë gjallë njëri-tjetrin, duke krijuar kështu një rreth vicioz, në dëm të artit.
Lufta për ngritjen e cilësissë së letërsisë dhe arteve tona, është veç tjerash edhe luftë kundër kësaj simbioze të rrezikshme.
Letërsia shqipe është thesar i madh shpirtëror kombëtar dhe si e tillë ajo meriton tërë energjitë, tërë pasionin dhe përkushtimin tonë.
Ajo është pjesë e ndërgjegjes dhe e dinjitetit të popullit shqiptar. Pjesë e lirisë së tij.
Kudo që krijohet, në radhë të parë këtu në atdheun mëmë e pastaj jashtë kufijve shtetërorë, atje ku shqiptarët jetojnë në trojet e veta, ajo mban vulën dramatike të një prej popujve më të lashtë e të qytetëruar të Evropës, racës fisnike të shqiptarëve.
Flitet shumë sot në botë për lirinë e të shkruarit, për dhunimin e saj, e disa herë vetë shkrimtarët akuzojnë të tjerët për këtë dhunim. Lirinë e të shkruarit, këtë dhunti sublime të shkrimtarit, nuk ka forcë në botë që mund t’ia heqë atij. Asnjë administratë nuk e jep atë dhe asnjë administratë nuk e merr. Atë mund ta ruajë ose ta dorëzojë vetë shkrimtari, dhe për këtë ai nuk duhet as të kërkojë alibi e as të akuzojë askënd, por të përgjigjet para ndërgjegjes së vet dhe kombit të vet.
Flitet shumë sot në botë se si duhet të jetë letërsia: me mision apo pa mision, e angazhuar në problemet e mëdha të kohës apo mospërfillëse ndaj tyre.
Shkrimtarët shqiptarë prej kohësh e kanë bërë zgjedhjen: angazhimin pa asnjë rezervë në anën e popullit të vet, të gjithë popujve të botës që marshojnë drejt përparimit. Për këtë ata nuk kanë asnjë dyshim dhe nuk impresionohen nga asnjë lloj filozofimi. Të angazhuar kanë qenë tragjikët grekë, i angazhuar ka qenë Dantja, të angazhuar kanë qenë Servantesi, Viktor Hugoi, Brehti e dhjetëra korifej të artit botëror. Shkrimtarët e sotëm shqiptarë e ndjejnë veten mirë e të nderuar në këtë shoqëri dhe nuk kërkojnë një tjetër klub.
Letërsia jonë e sotme është një nga më të emancipuarat në këtë rajon të Evropës. Ajo ruan traditën e madhe të emancipimit të letërsisë së vjetër shqipe, të Naim Frashërit e de Radës që ishin nga mendjet më të ndritura në këtë zonë të Mesdheut, të Migjenit, Nolit e Poradecit, që ishin në krye të emancipimit ballkanas në kohën e tyre.
Shumë prova kanë kaluar letërsitë e vendeve ballkanase, këto dy shekujt e fundit. Disa nga këto prova kanë qenë aq të rënda, saqë kanë shkaktuar deformime të ndryshme në to. Një nga deformimet ka qenë shovinizmi, kjo sëmundje mortore e letërsisë. Ne kemi qenë e jemi dëshmitarë se si shkrimtarë e akademikë shovinistë ballkanas, prapa etiketës e fjalëve të bukura, prapa titujve e diplomave fshehin natyrën e tyre barbare, urrejtjen e zezë, ligësitë dhe xhelozinë ndaj popujve të tjerë e kulturave të tjera.
Është meritë e jashtëzakonshme e letrave shqipe, meritë që buron nga kultura e fisnikëria e popullit shqiptar, mosrënia në këto nivele të ulta e vulgare. Kjo letërsi mund të krenohet për shumë gjëra, por një nga krenaritë e para të saj është padyshim dashuria ndaj popullit të vet, dhe bashkë me të, e pandarë prej saj, dashuria për popujt e tjerë dhe për krejt njerëzimin përparimtar.
Ka gati gjysmë shekulli që populli shqiptar jeton e ushqehet me letërsinë socialiste shqiptare. Nevoja e tij për të është e madhe, dashuria e tij për të është prekëse. Kjo nevojë e kjo dashuri e nënvizojnë edhe më shumë përgjegjësinë tonë përpara popullit që i përkasim, përpara kohës që jetojmë, përpara socializmit për të cilin kemi dyzetepesë vjet që punojmë e luftojmë papushim.
Nëntori, Nr. 1, viti XXXVII i botimit, janar 1990, f. 56-67.

Re: Letërsia e sotme dhe koha e sotme
Tema zhvendoset nga Konkursi Letrar 2012, tek Letersia Shqiptare.
Ju faleminderit.
Ju faleminderit.
Re: Letërsia e sotme dhe koha e sotme
Letersia na nevojitet,po ce do se te rinjve te sotem nuk ju pelqen te lexojne por te merren me fb.msn chate etj...
Anakonda- V.I.P Anëtarë
- Vendbanimi : Australia
Postime : 31717
Gjinia :
Anëtarësuar : 02/12/2011
Mosha : 34
Hobi : Once Upon A Time
Similar topics
» Letersia e bejtexhinjeve
» Letërsia Shqiptare
» Letersia e Rilindjes.
» Letërsia e Rilindjes
» letersia shqiptare
» Letërsia Shqiptare
» Letersia e Rilindjes.
» Letërsia e Rilindjes
» letersia shqiptare
Faqja 1 e 1
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi