Klea Love Forum
Klea Love Forum - Welcome
Anglo-amerikanët, pse nuk ndërhynë në Shqipëri People-icon
Mirë se vini në Klea Love Forum, Ju ftojmë që të Regjistroheni, në mënyre që të keni aksese në të gjitha kategorit dhe temat, në Klea Love Forum, mund të gjeni Shoqeri, Filma Shqip dhe të huaj, Muzikën më të re 2013, DVD Humore shqip, Këshilla Mjeksore, Diskutime, Video Klipe, Kuriozitete, dhe Lajmet më të reja nga vendi dhe bota.

KleaLove.com / Staff.


Join the forum, it's quick and easy

Klea Love Forum
Klea Love Forum - Welcome
Anglo-amerikanët, pse nuk ndërhynë në Shqipëri People-icon
Mirë se vini në Klea Love Forum, Ju ftojmë që të Regjistroheni, në mënyre që të keni aksese në të gjitha kategorit dhe temat, në Klea Love Forum, mund të gjeni Shoqeri, Filma Shqip dhe të huaj, Muzikën më të re 2013, DVD Humore shqip, Këshilla Mjeksore, Diskutime, Video Klipe, Kuriozitete, dhe Lajmet më të reja nga vendi dhe bota.

KleaLove.com / Staff.
Klea Love Forum
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Anglo-amerikanët, pse nuk ndërhynë në Shqipëri

Shko poshtë

Anglo-amerikanët, pse nuk ndërhynë në Shqipëri Empty Anglo-amerikanët, pse nuk ndërhynë në Shqipëri

Mesazh nga WebMaster Thu 28 Feb 2013 - 11:36

Anglo-amerikanët, pse nuk ndërhynë në Shqipëri..DOSSIER/ Edhe pse amerikanët e britanikët nuk e donin regjimin komunist të Enver Hoxhës, në qershor 1945, Uashingtoni thoshte se “kurrsesi nuk mund të inkurajonte” opozitën për përmbysje me dhunë të regjimit të Hoxhës dhe se Londra “nuk do ta gjente tëpërligjur ndërhyrjen kundër tij”. E përjavshmja “Investigim” boton dy dokumente të reja të arkivave diplomatike të Uashingtonit. Pse SHBA nuk kishte besim te opozita shqiptare.Fotografi e rrallë: Maj 1945. Teksa qytetarët bënin homazhe për dëshmorët, mbanin në duar parulla: “Kërkojmë nga aleatët dorëzimin e kriminelëve të luftës” etj.

Nga Thanas Mustaqi

SHBA dhe Britania e Madhe nuk ishin të predispozuar të rrëzonin me forcë Enver Hoxhën dhe pse këtë ua kërkonin kundërshtarët e regjimit komunist. Më 8 qershor 1945, kreu i misionit amerikan në Shqipëri, Xhozef Xhejkobs, raportonte në Departamentin e Shtetit lidhur me takimin e tij me një përfaqësues të opozitës. Në “kabllogram” shkruhej se ishte i interesuar të dëgjonte pikëpamjet e opozitës mbi çështjen e njohjes apo mospranimit të njohjes së regjimit aktual, që ishte një gjë dhe se çështja e dhënies së mbështetjes morale dhe materiale për një grup të opozitës ishte një gjë krejt tjetër, të cilën, për të cilën ishte i sigurt se qeveria amerikane nuk do ta merrte në konsideratë. I tha se kurrsesi nuk mund ta inkurajonte opozitën për përmbysje me dhunë të regjimit të Hoxhës. Ndërkaq, në një përkujtesë (aide-mémoire) të ambasadës britanike në Uashington drejtuar Departamentit të Shtetit, më 21 qershor 1945, thuhet se “sipas pikëpamjes së Forin Ofisit, edhe pse ka arsye të mjaftueshme për të mos pëlqyer regjimin e Hoxhës dhe metodat e tij, qeveria e Madhërisë së Tij nuk do ta gjente të përligjur ndërhyrjen kundër tij”. Është interesant fakti se botuesit e dokumenteve diplomatike amerikane kanë përfshirë dhe një letër të Enver Hoxhës dërguar Presidentit Truman, lidhur me trajtimin e mirë që u bënin aleatët krerëve të Ballit Kombëtar në kampet italiane të përqendrimit.

TREPIKËSHI

Kur botoi vëllimin 3 të “Veprave”, me raporte, fjalime, artikuj, mesazhe, nota, telegrame, etj., të periudhës 1945-1946 dhe pse nuk janë përfshirë të gjitha notat, telegramet si dhe korrespondenca si Kryeministër dhe Ministër i Punëve të Jashtme, Enver Hoxha nuk donte të kujtonte faktin se kishte pasur “besim të plotë në gjykimin e shkëlqyer të qeverisë” amerikane dhe të Presidentit Truman. “Investigim” ka ballafaquar tekstin të përkthyer në anglisht të letrës së Kryeministrit shqiptar Enver Hoxha drejtuar Presidentit amerikan Herri Truman më 1 qershor 1945, ku ankohej për trajtimin e mirë që u bënin aleatët krerëve të Ballit Kombëtar në kampet italiane të përqendrimit, me atë të botuar në shqip nga vetë Enver Hoxha në vëllimin 3 të “Veprave”. Në tekstin shqip ka një trepikësh, pra shkurtim. Duket si pa rëndësi, por dëshmon për paranojën antiamerikane të tij. Enver Hoxha nuk donte që opinioni publik shqiptar në vitet 1960 të mësonte se në vitin 1945, ai i drejtohej kështu kreut të imperializmit amerikan: “Duke pasur besim të plotë në gjykimin e shkëlqyer të qeverisë tuaj dhe të juve vet, në emër të Qeverisë Demokratike të Shqipërisë dhe të popullit shqiptar…”. Prandaj censuron veten me trepikësh!

Ndërkaq është për t’u vënë në dukje se në fusnotën (shënim) e dokumentit shkruhet: “Ky dokument i përkthyer në anglisht u dërgua në Departamentin e Shtetit me shkresën nr. 24 prot., datë 6 qershor 1945 nga Tirana, i pabotuar. Kopja e nënshkruar iu dërgua Shtëpisë së Bardhë. Sipas telegramit nr. 30 prot., datë 3 qershor 1945, ora 14:00, nga Tirana, letra të ngjashme u ishin dërguar kryeministrit Çërçill dhe mareshalit Stalin”. Por Enver Hoxha nuk e përmend që “letra të ngjashme u ishin dërguar kryeministrit Çërçill dhe mareshalit Stalin”. Raportimi nga Tirana i misionit amerikan mund të mos ketë qenë i saktë.

DEKURAJIMI

SHBA “kurrsesi nuk mund të inkurajonte” lëvizje të armatosur kundër regjimit komunist. Në një telegram të përfaqësuesit amerikan në Shqipëri drejtuar Sekretarit amerikan të Shtetit, më 8 qershor 1945, bëhej e ditur se më 5 qershor për herë të parë një shqiptar, që njihej mjaft mirë nga amerikanët, shkoi të takonte Xhejkobsin duke i thënë se përfaqësonte opozitën kundër Enver Hoxhës. Por çuditërisht, edhe pse është një telegram sekret, shefi i misionit nuk shënon emrin e tij. Shqiptari i kishte thënë se ekzistonte një grup i madh në rritje, disa prej të cilëve janë partizanë të FNÇ-së (Fronti Nacional Çlirimtar), në opozitë me regjimin, sepse politika e regjimit konsistonte në vendosjen e lidhjeve të ngushta të Shqipërisë me Jugosllavinë dhe Bashkimin Sovjetik, ndërsa grupi i tij mendonte . Po ashtu ishte organizuar një komision prej 10 vetash dhe se një numër mjaft i madh oficerësh të ushtrisë ishin të gatshëm të bashkoheshin me lëvizjen dhe të dilnin në mal po të kishin mbështetje morale dhe materiale nga Britania e Madhe dhe Amerika. Por Xhejkobsi i kishte shpjegova vizitorit qëllimin e misionit amerikan duke i thënë se në të njëjtën kohë interesohej për pikëpamjet e opozitës mbi çështjen e njohjes apo mospranimit të njohjes së regjimit që ishte një gjë dhe se çështja e dhënies së mbështetjes morale dhe materiale për një grup të opozitës ishte një gjë krejt tjetër, për të cilën isha i sigurt se qeveria amerikane nuk do ta merrte në konsideratë. Xhejkobsi ia kishte prerë shkurt: kurrsesi nuk mund ta inkurajonte.

“OUR INTELLIGENCE”

“Nga droja se mos kërkesa mund të jetë sajuar për të sqaruar nëse misioni im kishte si qëllim inkurajimin e opozitës, i kërkova shërbimit tonë sekret (our intelligence), që nuk dinte asgjë për lëvizjen, të shihte se çfarë mund të mësonte rreth saj”. Në të vërtetë është tejet intrigues fakti që SHBA kishin një shërbim sekret në Tiranë, në kuptimin që i jepet sot fjalës “intelligence”, sikurse është CIA. Në Shqipëri vepronte një grup i OSS (Office of Strategic Services – Zyra e Shërbimeve Strategjike). Zyra e Shërbimeve Strategjike u themelua në bazë të një urdhri presidencial ushtarake të Ruzveltit më 13 qershor 1942, për të mbledhur dhe analizuar informacionin strategjik të kërkuar nga ana e shefave të shtabit të përbashkët dhe për të kryer operacione të veçanta, për të cilat nuk caktoheshin agjenci të tjera. Gjatë luftës, OSS u jepte hartuesve të politikave fakte dhe vlerësime, por OSS nuk kishte juridiksion mbi të gjitha aktivitetet e zbulimit të huaja. U formua për të koordinuar aktivitetet spiunazhi prapa linjave të armikut për degët e forcave të armatosura amerikane. Më 20 shtator 1945, Presidenti Truman nënshkroi një urdhër ekzekutiv që hyri në fuqi që nga 1 tetor 1945. Kështu në ditët në vijim nga 20 shtator 1945, funksionet e OSS-së u ndarë midis Departamentit të Shtetit dhe Departamentit të Luftës. Në janar 1946, Presidenti Truman krijoi Grupin Qendror të Inteligjencës (CIG – Central Intelligence Group), pararendës i drejtpërdrejtë i CIA-s. Akti i Sigurisë Kombëtare (National Security Act) i vitit 1947 themeloi Agjencia Qendrore të Zbulimit (CIA), që pastaj mori funksionet e OSS-së.

OPOZITË E TRASHË

Duke iu rikthyer dokumentit, Xhejkobsi shënonte se shërbimi sekret kishte zbuluar diçka për lëvizjen e opozitës dhe që tregonte se ajo ose ishte “filiz” ose promotorët ishin kaq të trashë në metodat e tyre saqë ndoshta të gjithë do të arrestoheshin së shpejti. Ndoshta amerikano-shqiptari Thomas Stefan (1917-1959), miku i Enver Hoxhës, është informuar nga ky i fundit për arrestimet, ose Stefani ka dekonspiruar te Enver Hoxha drejtuesit e opozitës. Më 28 nëntor 1944, Stefani ishte në rreshtin e parë dhe në qendër të tribunës, krahas Hoxhës. Kur Stefani u martua me një grua balliste dhe që e nxori fshehtas nga Shqipëria në shtator të vitit 1945, marrëdhëniet mes dy burrave u prishën përfundimisht. Ndërkohë Stefani dhe nusja e tij u kthyen në SHBA. Stefani u lirua nga ushtria në maj 1946 me gradën e kapitenit. Ishte dekoruar me urdhrin e Legjioni të Meritës dhe Yllin e Bronzit. Shpresonte se, me përvojën e tij në Shqipëri, do të bënte karrierë në Departamentin e Shtetit. Vdiq në Los Anxhelos, në moshën 42 vjeç, në skamje.

LONDRA

Kryeministri Çërçill kishte miratuar pozicionin e Forin Ofisit që për momentin Britania e Madhe nuk mund të mbështeste opozitën në Shqipëri. Më 21 qershor 1945, Ambasada Britanike në Uashington i drejtohej Departamentit amerikan të Shtetit me një Përkujtesë (Aide-Mémoire).

Londra shkruante se nuk dihej me saktësi se ç’ forcë kishte opozita e armatosur në veri dhe se mund të hamendësohej se kishin njerëz dhe armë të mjaftueshme, duke mbetur kështu një kërcënim potencial dhe i vazhdueshëm për FNÇ-në. Megjithatë, duke pasur parasysh sasitë e mëdha të armëve që iu dhanë FNÇ-së nga aleatët, apo të kapura gjermanëve, FNÇ-ja ishte në një pozicion të fortë për të shtypur çdo kundërrevolucion, shkruante ambasada britanike. Por sipas pikëpamjes së Forin Ofisit, edhe pse ka arsye të mjaftueshme për të mos pëlqyer regjimin e Hoxhës dhe metodat e tij, qeveria e Madhërisë së Tij nuk do ta gjente të përligjur ndërhyrjen kundër tij. Qeveria e Madhërisë së Tij ishte më se e prirë të bashkërendonte me qeverinë amerikane politikën e saj për sa i përket njohjes dhe mbështetjes së qeverisë shqiptare.

Çdo kriminel lufte të gjykohet në vendin ku ai ka kryer krimet e tij

Letër e Kryeministrit shqiptar Hoxha drejtuar Presidentit amerikan Truman [1]

Tiranë, më 1 qershor 1945

Shkëlqesë,

Në emër të Qeverisë Demokratike të Shqipërisë kam nderin të vë në dijeninë Tuaj sa vijon:

Komisioni qendror për zbulimin e krimeve të kriminelëve të luftës dhe të armiqve të popullit i kishte kërkuar më 23 shkurt 1945 Komisionit ndërkombëtar për zbulimin e krimeve dhe të kriminelëve të luftës, dorëzimin e një numri kriminelësh shqiptarë të luftës, që ndodheshin në kampet e përqendrimit të Italisë, si në Bari, Leçe, Salerno e gjetkë. Kjo kërkesë e ligjshme e popullit shqiptar jo vetëm nuk pati përgjigje, por ne vërejmë me keqardhje se kriminelët më të poshtër shqiptarë të luftës, si: Ali Këlcyra, Mithat Frashëri, Abaz Kupi, Kadri Cakrani, Koço Muka, Vehip Runa [2] e shumë të tjerë, në vend që të mbahen në kampet e përqendrimit dhe të trajtohen si armiq duke marrë parasysh bashkëpunimin e tyre të vendosur me nazistët gjermanë, ata trajtohen në mënyrën më të favorshme dhe lihen të lirë në qytetet e Italisë të vazhdojnë intrigat e tyre fashiste në dëm të popullit tonë dhe të njerëzimit përparimtar. Një trajtim i tillë i kriminelëve shqiptarë të luftës, të cilët kanë kryer aq mizori në vendin tonë, nuk mund veçse të habitë popullin shqiptar, i cili ka një besim të patundur në drejtësinë e madhe për të cilën ai ka derdhur aq shumë gjak.

Një trajtim i tillë i kriminelëve shqiptarë të luftës, të cilët kanë kryer aq mizori në vendin tonë, nuk mund veçse të habitë popullin shqiptar, i cili ka një besim të patundur në drejtësinë e madhe për të cilën ai ka derdhur aq shumë gjak.

Fakti se këta kriminelë lufte nuk u dorëzohen autoriteteve shqiptare, në bazë të vendimit të Konferencës së Moskës [është fjala për Deklaratën e J.V. Stalinit, F. Ruzveltit dhe U. Çërçillit mbi përgjegjësinë e hitlerianëve për krimet e kryera kundër popujve, që u bë e njohur gjatë punimeve të Konferencës së Moskës të Ministrave të punëve të jashtme (19-30 tetor 1943). Fusnotë (shënim) në versionin shqip të vëllimit 3 të “Veprave” të Enver Hoxhës – “Investigim”], i cili përcakton qartë se çdo kriminel lufte do të gjykohet në vendin ku ai ka kryer krimet e tij, si dhe trajtimi i favorshëm që u bëhet atyre nga autoritetet aleate në Itali, përbëjnë një padrejtësi dhe në të njëjtën kohë një fyerje ndaj popullit shqiptar, i cili ka bërë aq sakrifica për çështjen e përbashkët.

[“Having absolute confidence in the great justice of your government and of yourself, in the name of the Democratic Government of Albania and of the Albanian people” - Duke pasur besim të plotë në gjykimin e shkëlqyer të qeverisë tuaj dhe të juve vet, në emër të Qeverisë Demokratike të Shqipërisë dhe të popullit shqiptar – kjo pjesë e frazës mungon në versionin shqip, duke u zëvendësuar me trepikëshin – “Investigim” ] ju lutem të keni mirësinë të merrni parasysh dhe të rishqyrtoni kërkesat e drejta dhe të ligjshme të popullit tonë.

[“Please accept (etj.)” - Ju lutem pranoni (etj.) - kjo frazë mungon në versionin shqip - “Investigim”]

Kryetari i Këshillit të Ministrave të Qeverisë Demokratike të Shqipërisë

Gjeneral-Kolonel Enver Hoxha

Fusnota (shënime) të origjinalit anglisht

[1] Herri S. Truman (Harry S. Truman) u bë President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës më 12 prill 1945, pas vdekjes së Presidentit Ruzvelt (Roosevelt).

Ky dokument i përkthyer në anglisht u dërgua në Departamentin e Shtetit me shkresën nr. 24 prot., datë 6 qershor 1945 nga Tirana, i pabotuar. Kopja e nënshkruar iu dërgua Shtëpisë së Bardhë. Sipas telegramit nr. 30 prot., datë 3 qershor 1945, ora 14:00, nga Tirana, letra të ngjashme u ishin dërguar kryeministrit Çërçill (Churchill) dhe mareshalit Stalin.

[2] Ali Këlcyra (ose Klissura), Mithat (ose Midëhat) Frashëri, Kadri Cakrani dhe Koço Muka ishin krerë të lëvizjes anti-komuniste nacionaliste politike shqiptare të Ballit Kombëtar, që u shpërbë gjatë vitit 1944. Abaz Kupi ishte udhëheqës i “Lëvizjes e Legalitetit”, që u formua në nëntor të vitit 1943 dhe shpalli besnikërinë ndaj Mbretit Zog të Shqipërisë në mërgim. “Lëvizja e Legalitetit”, gjithashtu u shkatërrua gjatë vitit 1944. Vehip Runa më parë ishte zyrtar shqiptar provincial. Të gjithë këta persona u tërhoqën nga Shqipëria dhe u internuan nga autoritetet ushtarake aleate.


Kur opozita testonte qëndrimin e Uashingtonit

Telegram i përfaqësuesit amerikan në Shqipëri (Xhejkobs) drejtuar Sekretarit të Shtetit


Tiranë, më 8 qershor 1945, ora 16:00

Marrë më 9 qershor, ora 07:40

Nr. 35 prot. Më 5 qershor për herë të parë një shqiptar, që njihet mjaft mirë nga ana jonë, erdhi të më takonte duke thënë se përfaqësonte opozitën. Ai deklaroi se ekziston një grup i madh në rritje shqiptarësh, disa prej të cilëve janë partizanë të FNÇ-së (Fronti Nacional Çlirimtar), në opozitë me regjimin aktual, sepse politika e regjimit konsiston në vendosjen e lidhjeve të ngushta të Shqipërisë me Jugosllavinë dhe Bashkimin Sovjetik, ndërsa grupi i tij mendon se Shqipëria duhet të lidhet me regjimet demokratike të Britanisë së Madhe dhe SHBA-së dhe ka frikë se regjimi aktual nuk do të mbajë asnjëherë zgjedhje të fshehta, me anën e të cilave do t’u mundësohej shqiptarëve të zgjedhin një qeveri që ata dëshirojnë. Ai tha se ishte organizuar një komision prej 10 vetash dhe se një numër mjaft i madh oficerësh të ushtrisë ishin të gatshëm të bashkoheshin me lëvizjen dhe të dilnin në mal po të kishin mbështetje morale dhe materiale nga Britania e Madhe dhe Amerika. Vizitori tha se dëshironte që këtë informacion t’ia komunikoj qeverisë time dhe shtoi se po përgatitej prospekti i lëvizjes dhe do të më jepej më vonë një kopje, nëse jo nga ai vetë, nga një anëtar tjetër, pasi mund të ketë arrestime masive së shpejti.

Meqë qarkullonin shumë thashetheme sikur gjeneral brigade Hoxhson (Hodgson, shef i misionit ushtarak britanik në Tiranë – “Investigim”) ka biseduar me të për këtë gjë, prandaj e pyeta vizitorin nëse kishte takuar Hoxhsonin. Ai u përgjigj ai vetë nuk e kishte takuar, por kishte takuar dy nga ndihmësit e gjeneralit të brigadës dhe se Brigadieri ishte në dijeni të lëvizjes. I shpjegova vizitorit qëllimin e misionit tim dhe i thashë se në të njëjtën kohë isha i interesuar të dëgjoja pikëpamjet e opozitës mbi çështjen e njohjes apo mospranimit të njohjes së regjimit aktual ishte një gjë dhe çështja e dhënies së mbështetjes morale dhe materiale për një grup të opozitës ishte një gjë krejt tjetër, për të cilën isha i sigurt se qeveria amerikane nuk do ta merrte në konsideratë. I thashë se unë do të përmendja kërkesën e tij në raportin tim drejtuar Departamentit të Shtetit por kurrsesi nuk mund ta inkurajoja (could give him no encouragement whatsoever).

Nga droja se mos kërkesa mund të jetë sajuar për të sqaruar nëse misioni im kishte si qëllim inkurajimin e opozitës, i kërkova shërbimit tonë sekret (our intelligence), që nuk dinte asgjë për lëvizjen, të shihte se çfarë mund të mësonte rreth saj, kurse problemin e diskutova me Hoxhsonin. Shërbimi ynë sekret ka zbuluar diçka për lëvizjen dhe që tregon se ajo ose është “filiz” ose promotorët janë kaq të trashë në metodat e tyre saqë ndoshta të gjithë do të arrestohen së shpejti. Mësova nga Hoxhsoni se ky ishte një grup që i kishte dhënë informacion për opozitën dhe se ai vetë ishte bërë paksa dyshimtar dhe po bënte hetime të mëtejshme. Me sa kuptova ai vet nuk është edhe aq të sigurt për çështjen e opozitës edhe pse ende këmbëngul se dezertimet nga ushtria po vazhdojnë në një numër më të madh nga sa besohet në përgjithësi. Shërbimi ynë sekret është gjithashtu i vetëdijshëm për këto dezertime, por ne nuk e dimë nëse janë për shkak të opozitës ndaj regjimit apo janë normale, për të pritur kur ushtria prej rreth 60.000 vetash, jo në përpjesëtim me një vend të vogël, të kthehet nga gjendja aktuale e luftës në jetë sedentare në shtëpi.

Dërguar Departamentit të Shtetit me nr. 35 prot., kopje në Kazerta [Itali, këshilltarit amerikan pranë Shtabit Aleat të Mesdheut] me nr. 46 prot.

XHEJKOBS

Çërçill: Britania nuk mund të mbështesë kundërshtarët e regjimit

Ambasada Britanike në Uashington i drejtohet Departamentit amerikan të Shtetit

PËRKUJTESË (AIDE-MÉMOIRE)

Forin Ofis-i (Foreign Office – Ministria e Punëve të Jashtme e Britanisë) sapo ka marrë një raport nga kryetari i Misionit Ushtarak Britanik në Shqipëri mbi administratën aktuale e vendit, raport që tregon se FNÇ-ja ende po kontrollon në mënyrë të vendosur.

2. Rezistenca e armatosur në zonën e Shkodrës, e cila ka qenë deri tani qendra e opozitës ndaj regjimit të FNÇ-së, u shtyp dhe sikurse bëhet e ditur autoriteti i FNC-së është mbajtur me një forcë të armatosur dërrmuese dhe me represionin ndaj çdo forme të shprehjes popullore.

3. Ende nuk ka shenja tolerance ndaj ndonjë partie tjetër politike përveç asaj të komunistëve. Anëtarët e Qeverisë, madje edhe ministra, të cilët nuk janë komunistë, mbikëqyren me rreptësi dhe kanë kompetenca të kufizuara. Të rinjtë, madje, duke filluar që nga mosha 4 – 5 vjeç, po organizohen me disiplinë të ashpër dhe po indoktrinohen politikisht. Deri tani ende nuk ka shenja se po parashikohen zgjedhje dhe përgjigjet e pyetjeve për këtë temë janë gjithmonë të mjegullta dhe evazive. Nuk dihet me saktësi se ç’ forcë ka opozita e armatosur në veri dhe krijohet përshtypja se situata është e qetë. Megjithatë, krerët, me sa dihet, tani për tani janë të lirë dhe mund të hamendësohet se kanë njerëz dhe armë të mjaftueshme, duke mbetur kështu një kërcënim potencial dhe i vazhdueshëm për FNÇ-në. Megjithatë, duke pasur parasysh sasitë e mëdha të armëve që iu dhanë FNÇ-së nga aleatët, apo të kapura gjermanëve, FNÇ-ja është në një pozicion të fortë për të shtypur çdo kundërrevolucion.

4. Sipas pikëpamjes së Forin Ofisit, edhe pse ka arsye të mjaftueshme për të mos pëlqyer regjimin e Hoxhës dhe metodat e tij, qeveria e Madhërisë së Tij nuk do ta gjente të përligjur ndërhyrjen kundër tij. Nga ana tjetër qeveria e Madhërisë së Tij mendon se nuk është e detyruar të mbështesë Hoxhën, dhe, nëse është me të vërtetë kështu, siç është sugjeruar në raportin e gjeneral të brigadës Hoxhson, se njohja nga ana e Britanisë do të ketë efekt vendimtar në mbajtjen e regjimit të Hoxhës në pushtet, Forin Ofisi nuk do ta shihte të arsyeshme të ngutej për ta njohur. [1] Forin Ofisi arrin në përfundimin se masa e vetme e mbështetjes që administrata Hoxhës duhet të marrë nga burime të aleatëve është sigurimi i ndihmave humanitare dhe se edhe kjo ndihmë duhet të vijë nga UNRRA dhe jo drejtpërdrejt nga qeveritë britanike dhe amerikane.

5. Qeveria e Madhërisë së Tij është më se e prirë të bashkërendojë me qeverinë amerikane politikën e saj për sa i përket njohjes dhe mbështetjes së qeverisë aktuale shqiptare. Në informimin e Departamentit të Shtetit për pikëpamjet e Forin Ofisit i ngarkuari me punë i Madhërisë së Tij është udhëzuar të thotë se Forin Ofisi do të mirëpriste çfarëdo komenti që Departamenti i Shtetit mund të ketë dëshirë të bëjë.

Uashington, më 21 qershor 1945.


Fusnotë (shënim) e origjinalit anglisht

[1] Telegrami me nr. 2926 prot., datë 11 korrik 1945, ora 15:00 nga Kazerta, bënte të ditur se feldmareshali Aleksandër kishte informuar Misionin Ushtarak Britanik në Shqipëri se kryeministri Çërçill kishte miratuar pozicionin e Forin Ofisit që për momentin Britania e Madhe nuk mund të mbështeste opozitën në Shqipëri.
WebMaster
WebMaster
Fondatori i Forumit
Fondatori i Forumit

Vendbanimi Vendbanimi : Ku te dua un
Postime Postime : 98857
Gjinia Gjinia : Female
Anëtarësuar Anëtarësuar : 11/01/2009
Mosha Mosha : 46
Hobi Hobi : Të përballoj jetën

http://www.klealove.com

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi