Klea Love Forum
Klea Love Forum - Welcome
MESJETA E HERSHME SHQIPETARE People-icon
Mirë se vini në Klea Love Forum, Ju ftojmë që të Regjistroheni, në mënyre që të keni aksese në të gjitha kategorit dhe temat, në Klea Love Forum, mund të gjeni Shoqeri, Filma Shqip dhe të huaj, Muzikën më të re 2013, DVD Humore shqip, Këshilla Mjeksore, Diskutime, Video Klipe, Kuriozitete, dhe Lajmet më të reja nga vendi dhe bota.

KleaLove.com / Staff.


Join the forum, it's quick and easy

Klea Love Forum
Klea Love Forum - Welcome
MESJETA E HERSHME SHQIPETARE People-icon
Mirë se vini në Klea Love Forum, Ju ftojmë që të Regjistroheni, në mënyre që të keni aksese në të gjitha kategorit dhe temat, në Klea Love Forum, mund të gjeni Shoqeri, Filma Shqip dhe të huaj, Muzikën më të re 2013, DVD Humore shqip, Këshilla Mjeksore, Diskutime, Video Klipe, Kuriozitete, dhe Lajmet më të reja nga vendi dhe bota.

KleaLove.com / Staff.
Klea Love Forum
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

MESJETA E HERSHME SHQIPETARE

Shko poshtë

MESJETA E HERSHME SHQIPETARE Empty MESJETA E HERSHME SHQIPETARE

Mesazh nga GENTA Mon 8 Mar 2010 - 7:51

Shqipëria dhe Bizanti

Pas ndarjes së Perandorisë Romake në dy pjesë, më 395, trevat iliro-shqiptare hynë në përbërje të Perandorisë Bizantine, siç quhet zakonisht pas kësaj date Perandoria Romake e Lindjes sipas emrit antik të kryeqytetit të saj, Bizant, që për nder të Konstandinit të Madh u quajt Konstandinopojë.

Ashtu siç i kishin dhënë në shek. III-IV Perandorisë Romake një numër perandorësh e gjeneralësh të shquar, po ashtu gjatë periudhës së hershme bizantine (shek. V-IX), trevat iliro-shqiptare i dhanë Perandorisë Bizantine disa perandorë, ndër të cilët shquhen në mënyrë të veçantë Anastasi I nga Durrësi (491-518) dhe Justiniani I nga Taurisium i Shkupit (527-565). Me reformat dhe me masat e zbatuara në administratën civile e ushtarake, këta dy perandorë përgatitën kalimin nga antikiteti në mesjetë dhe hodhën bazat e asaj që do të ishte perandoria më jetëgjatë në historinë e qytetërimit mesdhetar.

Pozicioni skajor në kufi me Italinë, me të cilën interesat e Bizantit mbetën deri në fund të lidhura ngushtë, përcaktoi rolin e jashtëzakonshëm të trevave iliro-shqiptare në kuadrin e Perandorisë Bizantine. Ato u kthyen në një nyje komunikimi të Lindjes me Perëndimin dhe anasjelltas. Një rol të tillë e favorizonte ekzistenca e porteve të rëndësishme gjatë bregdetit të Adriatikut e të Jonit ose e arterieve rrugore që fillonin prej tyre dhe zgjateshin në thellësi të Gadishullit duke lidhur bregdetin me qendra të tilla të rëndësishme, si Nishin, Shkupin, Ohrin, Sofjen, Kosturin, Selanikun, Adrianopojën e vetë Konstandinopojën. Ashtu si në shekujt e lashtësisë, rruga Egnatia vazhdoi ta luante rolin si vija kryesore e komunikimit midis provincave të Perandorisë në rrafshin perëndim-lindje. Përgjatë traktit perëndimor të rrugës Egnatia (Durrës - Apoloni - Peqin - Ohër) janë zhvilluar disa nga betejat më të përgjakshme të historisë bizantine. Perandorët bizantinë i kushtuan vëmendje të veçantë mbrojtjes strategjike të trevave iliro-shqiptare. Perandori Justiniani, sipas biografit të tij, Prokopit të Cezaresë, ndërtoi nga e para apo rimëkëmbi 168 kështjella në katër provincat ilire: të Dardanisë, Prevalit dhe të dy Epirëve. Nga ana e tij, Anastasi I e rrethoi qytetin e tij të lindjes, Durrësin me mure madhështore që shihen ende sot. Veç Durrësit, pikëmbështetje të pushtetit bizantin në Shqipëri përbënin Tivari, Shkodra, Lezha, Kruja, Dibra, Prizreni, Shkupi, Berati, Devolli, Kolonja, Adrianopoja etj. Mbrojtja e tyre dhe e territorit në juridiksionin e tyre, u ishte besuar forcave e komandantëve vendas. Trupa ushtarake iliro-shqiptare shërbenin gjithashtu në vise të tjera të Perandorisë, sa në Lindje aq edhe në Perëndim. Në kohën e perandorit Justinian, ushtarë iliro-shqiptarë shërbenin në ushtrinë bizantine me qëndrim në Itali. Në një nga mbishkrimet e asaj kohe të gjetura në Itali, bëhet fjalë për “numrin e madh të ilirëve” (numerus felix Illyricianorum). Edhe në shekujt e mëvonshëm, reparte nga trevat iliro-shqiptare shërbenin në provincat bizantine të Italisë e në provinca të tjera në Evropë dhe Azi
GENTA
GENTA
I/e Regjistruar
I/e Regjistruar

Postime Postime : 99
Anëtarësuar Anëtarësuar : 05/01/2010

Mbrapsht në krye Shko poshtë

MESJETA E HERSHME SHQIPETARE Empty Re: MESJETA E HERSHME SHQIPETARE

Mesazh nga GENTA Mon 8 Mar 2010 - 7:51

PERHAPJA E KRISHETRIMIT NE SHQIPERI
Shqipëria është përcaktuar si një nga vendet mesdhetare, ku krishterimi depërtoi qysh në shekujt e parë. Autori i shek. VI, Kosmas, i përfshin iliro-shqiptarët në grupin e popujve që në kohën e tij kishin përqafuar krishterimin. Durrësi, Nikopoja ishin qendrat kryesore bregdetare, nga ku feja e re u përhap pastaj në thellësi të katër provincave ilire: të Prevalit, Dardanisë, Epirit të Ri dhe të Epirit të Vjetër. Që në shekujt e parë të erës së re, në qendrat urbane të këtyre trevave përmenden bashkësitë e para të krishtera, si dhe ngrihen ndërtesat e para të kultit të ri. Të tilla ndërtesa, bazilika e pagëzimore (baptistere) të shek. IV-VI, ruhen edhe sot pjesërisht në rrethet Durrës, Shkodër, Lezhë, Mat, Apoloni, Elbasan, Dibër, Ohër, Tiranë, Vlorë, Gjirokastër, Sarandë, Butrint e akoma më në jug.

Hershmërinë e krishtërimit shqiptar e provojnë gjithashtu një sërë emrash vendesh që u referohen martirëve të parë të Lindjes, kulti i të cilëve ka qenë i përhapur në shek. IV-VI. Të tilla janë toponimet Shirgj (Shën Sergj), Shubak (Shën Baku), Shëndekla (Shën Tekla), Shën Vlashi, që ndeshen në Shkodër, Durrës, Himarë e deri poshtë në Çamëri (Shën Vlash, Shën Tekla). Të lidhur me kultin e martirëve në fjalë si dhe me historinë e hershme të krishterimit, janë toponime të tilla të huazuara nga vendet e Lindjes, si Rozafë (vend në Siri, ku u varros Shën Baku e Shën Serxhi), Barbullush (Barbalista, vend buzë Eufratit, ku u masakrua Shën Baku), Sebaste, Jeriko.

Persekutimet e mëdha kundër të krishterëve regjistruan edhe në Shqipëri martirë të shumtë, kulti i të cilëve u ruajt në shekuj. Më të shquarit ndër këta martirë janë Shën Asti, peshkop i Durrësit, Shën Terini nga Butrinti, Shën Donati, peshkop i Evrojës (Paramithi), Lauri dhe Flori nga Dardania etj. Po në këtë kohë në toponomastikën e vendit futen emra të krishterë të tipit Shëngjin, Shën Gjergj, Shupal (Shën Pal), Shmil (Shën Mëhill), Shën Koll apo Shën Nik (Shën Nikollë), Shëmri (Shën Mëri), Shëndëlli (Shën Ilia), Shëngjergj, Shtish - Shën Matish (Shën Matheu), Shingjon, Shëgjun (Shën Gjon), Shën Ndreu etj., etj. Të gjithë këta emra bëjnë pjesë në fondin e hershëm të toponomastikës së krishterë (shek. I-VII). Të tilla toponime, që në Ballkan në një masë e në një shtrirje të tillë gjenden vetëm në trevat shqiptare, lidhen gjithsesi me periudhën para vendosjes së sllavëve në shek. VI-VII. Përhapja e tyre sa në viset bregdetare, aq edhe në viset e thella malore larg bregdetit, është një e dhënë më shumë që provon se këto hapësira mbetën në thelb të paprekura nga ngulimet e sllavëve paganë dhe se edhe pas dyndjeve sllave të shek. VI-VII, popullsia vendase autoktone u ruajt e paprekur në pjesën më të madhe të Ilirisë së Jugut.

Pavarësisht nga përpjekjet për mbytjen e fesë së re, krishterimi u afirmua në Shqipëri në mënyrë përfundimtare. Pas persekutimeve të mëdha të shek. IV, burimet historike flasin për një strukturë kishtare mjaft të konsoliduar. Ajo ishte e organizuar mbi bazën e provincave administrative të epokës së Dioklecianit. Në qendrën e çdo province ndodhej kisha mitropolitane dhe aty e kishte selinë kryepeshkopi. Nën juridiksionin e këtij të fundit ndodheshin peshkopët e dioqezave vartëse (sufragane). Kështu, në katër qendrat kryesore kishtare në trevat shqiptare ishin kryepeshkopatat e Shkodrës (Prevali), Justiniana Prima (Dardania), Durrësi (Epiri i Ri), Nikopoja (Epiri i Vjetër). Kryepeshkopi i Shkodrës kishte nën varësi 3 peshkopata vartëse (sufragane), ai i Shkupit 5, i Durrësit 8 dhe i Nikopojës 9. Me përhapjen e krishterimit në viset e brendshme, numri i peshkopatave sa vinte e rritej. Kështu, në shek. X mitropolia e Durrësit kishte tashmë 14 peshkopata vartëse (sufragane) mes të cilave: Tivari, Licini (Ulqini), Shkodra, Drishti, Dioklea (Genta), Pulti, Elisoni (Lezha), Kruja, Stefaniaka, Kunavia, Cërniku. Siç shihet, në atë kohë juridiksioni i mitropolisë së Durrësit ishte shtrirë drejt veriut duke përfshirë brenda saj provincën e dikurshme të Prevalit. Siç ndodhte shpesh, një përhapje e tillë e pushtetit fetar kishte pasuar shtrirjen në atë drejtim të juridiksionit politiko-administrativ të Durrësit (krijimi i temës së Durrësit në shek. IX). Kryepeshkopët kishin për detyrë të emëronin, të shkarkonin, të transferonin e të shuguronin peshkopët e juridiksionit të tyre. Për zgjidhjen e problemeve të ndryshme që kishin të bënin me administratën kishtare të provincës së tij, kryepeshkopi thërriste periodikisht sinodin provincial. Nga ana e tyre, kryepeshkopët, të shoqëruar herë-herë edhe nga peshkopë të dalluar, merrnin pjesë në koncilet ekumenike, ku mblidheshin përfaqësuesit më të lartë të klerit të botës së krishterë, për të diskutuar mbi problemet e dogmës dhe të organizimit kishtar. Kështu, në Keshillin e Nikese, më 431, mitropoliti i Durrësit i shoqëruar nga sufraganët e tij, nënshkroi aktin përfundimtar që dënonte herezinë nestoriane. Në Keshillin tjetër të rëndësishëm, në atë të Kalcedonisë të vitit 451, ku u zgjidhën përfundimisht grindjet dogmatike mbi natyrën e Krishtit, morën pjesë edhe Lluka, mitropolit i Durrësit, Evandri, peshkop i Dioklesë dhe Euzebi, peshkop i Apolonisë.
GENTA
GENTA
I/e Regjistruar
I/e Regjistruar

Postime Postime : 99
Anëtarësuar Anëtarësuar : 05/01/2010

Mbrapsht në krye Shko poshtë

MESJETA E HERSHME SHQIPETARE Empty Re: MESJETA E HERSHME SHQIPETARE

Mesazh nga GENTA Mon 8 Mar 2010 - 7:52

Përvijimi i hapësirës shqiptare në mesjetë

Që në shek. VII-VIII situata etnike në Ballkan u stabilizua dhe nuk përmenden më dyndje popujsh. Kjo gjendje etnike e shekujve të hershëm të mesjetës, në atë që u konstitua si atdheu mesjetar i shqiptarëve (Albania-Arbëria), mbeti në thelb e pandryshuar edhe në shekujt e mëvonshëm, kur nuk ka njoftime për dyndje të reja popujsh, nëse përjashtohen në shek. VIII-IX inkursionet episodike në brigjet shqiptare të arabëve të Sicilisë, të cilët gjithsesi nuk u vendosën në këto anë. Kronikat e vjetra serbe që përshkruajnë ekspansionin e shtetit serb të Rashës në Kosovë e në Diokle (Gentë) në shek. XII, bëjnë të njohur se serbët gjetën në ato treva një popullsi që ato e quajnë të huaj (barbare), ndërkohë që burime të tjera qoftë serbe, raguzane ose perëndimore, flasin në mënyrë më te theksueshme për shqiptarë (Arbanasi, Arbanenses) në ato treva. Karvanet e tregtarëve që në shek. XIII-XV niseshin nga Raguza (Dubrovniku) e nëpërmjet Breskovës e Rudnikut (Sanxhak) mbërrinin në Trepçë e në Novobërdë, kalonin nëpër vende të banuara nga shqiptarë e ku flitej gjuha shqipe (lingua albanesca).

Shtrirja në këto treva e shtetit serb të Stefan Nemanjës, në çerekun e fundit të shek. XII, solli aty elementë sllavë, që erdhën dhe iu shtuan grupeve të tjera sllave të kohëve të kolonizimit të parë sllav (shek. VI-VII). Në Diokle, krahas popullsive shqiptare edhe atyre sllave, në disa nga qytetet e bregdetit mbijetonin edhe grupe të vogla popullsish të romanizuara, të përmendura edhe nga historiani-perandor Konstandin Porfirogjeneti (shek. X). Për rrjedhojë, në shek. XIV Dioklea-Genta (Zeta), veçanërisht ana e sipërme e saj, u shfaqej të huajve si një vend "me popuj e fe të ndryshme". Gjithsesi, gjatë gjithë mesjetës krahina e bashkësi të tëra, si Kuçi, Markajt (Markoviçët), Pastroviçët, Piprët, Gjurashët (Cërnojeviçët) etj., njihen si shqiptare.

Marrëdhëniet e diokleasve me popullsitë tashmë sllave në veri të tyre, me trivunët dhe kanalitët, u shprehën edhe në ndikime politike të ndërsjella. Kështu, aty nga mesi i shek. XI Dioklea kishte një sundimtar, Stefan Vojisllavin, që pas çdo gjase ishte sllav. Në fakt, historiani bashkëkohës bizantin, Kekaumenos, e cilëson atë “trivunas serb”, duke dëshmuar faktin se ai ishte i huaj në Diokle.

Në drejtim të jugut popullsitë shqiptare shtriheshin në Epirin e Vjetër (tema e Nikopojës). Kjo trevë i përjetoi më butë tronditjet etnike të fillimeve të mesjetës. Burimet vërtet të rralla greko-bizantine të shek. VII-XII vazhdojnë traditën e kohëve antike, duke i cilësuar banorët e Epirit si "ilirë" ose "barbarofonë", pra, që flasin gjuhë të huaj. Nga ai moment edhe këtu filloi të përdoret termi "arbëreshë" (arbanenses, arbanitai) me të cilin tashmë thirreshin pasardhësit e ilirëve të lashtë. Burime bizantine të shek XIV, si "Panegjiriku i Manuel Paleologut" apo historiani Johan Kantakuzeni, ndërsa e cilësojnë si shqiptare popullsinë e Epirit, nuk mungojnë të saktësojnë se shqiptarët epiriotë të kohëve të tyre janë pasardhësit e fiseve të dikurshme të tesprotëve, kaonëve e molosëve.

Trevat e Epirit ishin ato nga ku më së shumti e pati prejardhjen vala e madhe e shtegtimeve shqiptare e shek. XIV-XV drejt Greqisë. Megjithatë, edhe pas kësaj hemorragjie të madhe, regjistrimet osmane të shek. XV-XVI konfirmojnë praninë e një popullsie të madhe e kompakte shqiptare në gjithë shtrirjen e Epirit.

Në kuadrin e trevave shqiptare, Arbri (Arbanon-Arbanum-Raban) zinte në mesjetë një vend të veçantë. I vendosur në qendër të tyre, në hapësirën e përfshirë mes Lezhës-Dibrës-Ohrit-Vlorës, dhe i përshkruar mes për mes nga boshti i rrugës strategjike Egnatia, Arbri u bë bërthama e trojeve shqiptare në të cilën në mënyrë më konsekuente e intensive u zhvilluan proceset ekonomike, politike, kulturore e psikologjike, që plazmuan qenien historike të kombit shqiptar. Me të drejtë, studiues si M. Shuflai, K. Jireçek, G. Prinzig, M. Angold, e kanë vlerësuar këtë territor si "bërthamën e trojeve shqiptare". Emri i vendit, Arbër, dhe i banorëve të tij, arbëreshë, trashëgohej nga kohët antike. Në fakt, në shek. II të erës sonë, gjeografi aleksandrin Ptolemeu, njoftonte praninë në këto territore të një fisi me emrin albanoi dhe të kryeqendrës së tyre, Albanopolis. Këta etnonimë iu trashëguan vendit dhe banorëve të tij edhe në mesjetë. Dhe falë rolit qendror që Arbri dhe arbrit luajtën në fatet historike të universit shqiptar, këta emra etnikë u shtrinë dora-dorës edhe në viset e tjera në veri, në jug e në lindje të tyre, ku banonte e njëjta popullsi.

Tashmë në shek. XIII, Shqipëri (Albania) dhe shqiptarë (Albanenses) quheshin trevat dhe popullsitë nga kufijtë e Dioklesë (Gentës) e deri në gjirin e Prevezës. Udhëtarët e huaj dallojnë në të gjithë këtë shtrirje një popullsi me tipare etno-kulturore unitare.
GENTA
GENTA
I/e Regjistruar
I/e Regjistruar

Postime Postime : 99
Anëtarësuar Anëtarësuar : 05/01/2010

Mbrapsht në krye Shko poshtë

MESJETA E HERSHME SHQIPETARE Empty Re: MESJETA E HERSHME SHQIPETARE

Mesazh nga GENTA Mon 8 Mar 2010 - 7:52

Kryengritjet e mëdha antibizantine të shek. XI

Bazili II ishte perandori i fundit i dinastisë maqedone që mundi të ruajë ekuilibrin e brendshëm shoqëror e politik midis interesave të shtetit, atyre të aristokracisë feudale dhe të fshatarësisë së lirë, si dhe të stratiotëve që përbënin shtyllën kurrizore të shtetit bizantin. Me vdekjen e tij (1018) ky ekuilibër u prish: aristokracia feudale, civile apo ushtarake filloi t'i rrisë në mënyrë të pakontrolluar pronat e veta duke gllabëruar pronën e vogël. Pronarët e vegjël e humbën pak nga pak statusin e mëparshëm të lirisë dhe u kthyen në fshatarë të varur. Për një kohë të gjatë shteti bizantin, e në radhë të parë perandorët e dinastisë maqedone (shek. IX-XI) ishin përpjekur t'i vinin fre procesit të krijimit të pronës së madhe dhe të zhdukjes së pronës së vogël të fshatarit. Fshatari i lirë si dhe stratioti, që merrte nga shteti një parcelë toke kundrejt përmbushjes së detyrimit fiskal e atij ushtarak, kishin përfaqësuar për shumë kohë burimin kryesor të të ardhurave të arkës perandorake dhe njëherësh elementin bazë të ushtrisë bizantine. Por në kushtet e reja që u krijuan pas vdekjes së Bazilit II, pronarët e vegjël u gjendën përballë një sulmi të dyfishtë: të aristokracisë feudale të tokës, nga njëra anë, dhe të shtetit bizantin që rëndoi në mënyrë galopante barrën e taksave në dëm të tyre. Për rrjedhojë u krijua një gjendje shpërthyese, e cila jo rastësisht arriti kulmet e saj në territoret ballkanike të goditura rëndë nga luftërat e fundit bullgaro-bizantine. Në vitin 1040 shpërtheu këtu një kryengritje e fuqishme kundër pushtetit qendror e udhëhequr nga Pjetër Deljani, një bujar bullgar që e mbante veten për nip të car Samuelit dhe që e shpalli sakaq veten car. Kryengritja prej Beogradit u përhap me shpejtësi drejt Nishit e Shkupit. Strategu bizantin i Durrësit, Bazil Sinadeni, mblodhi ushtarakë të temës së tij dhe shpejtoi t'u zërë rrugën kryengritësve të Pjetër Deljanit "përpara se e keqja të përhapej", siç shprehet kronisti Johan Skilice që përshkruan këtë ngjarje. Por revolta preku edhe vetë radhët e ushtrisë së Temës së Durrësit dhe një ushtarak me emrin Tihomir ngriti flamurin e kryengritjes në zonën e Dibrës, ku ishin dislokuar forcat e strategut të Durrësit. Këtu kryengritësit i arriti Pjetër Deljani me të vetët. Forcat e kryengritësve u bashkuan nën drejtimin e Pjetër Deljanit, që ndërkohë kishte hequr qafe Tihomirin. Paskëtaj forcat kryengritëse iu drejtuan Durrësit, të cilin e morën, dhe më tej morën Selanikun. Flakët e kryengritjes përfshinë sakaq edhe temën e Nikopojës, popullsia e së cilës ishte tejet e pakënaqur nga arbitrariteti i nëpunësve perandorakë. Bizantinët mundën të mbanin këtu vetëm kështjellën e Naupaktit mbi Gjirin e Korintit.

Megjithatë, si rezultat i kontradiktave që vazhduan të ekzistojnë në gjirin e drejtuesve të kryengritjes edhe pas vrasjes së Tihomirit, lëvizja u shua më shpejt nga çka pritej po të kihen parasysh përmasat e saj. Këtu luajti rolin e vet edhe një djalë i carit bullgar Ivan Vladisllav, Alusiani, që u arratis nga Konstandinopoja ku mbahej rob dhe u bashkua me kryengritësit. Pasi eliminoi Pjetër Dejlanin, Alusiani u vu në krye të kryengritësve. Por pas një beteje të pasuksesshme me trupat perandorake, Alusiani iu dorëzua perandorit bizantin duke shpejtuar kështu edhe fundin e kryengritjes. Megjithatë kryengritja e madhe e vitit 1040-1041 ishte sinjali i parë i fuqishëm i tensioneve shoqërore që do të mbërthenin Perandorinë Bizantine. Në të njëjtën kohë, ajo qe një tregues i hendekut të madh që ishte krijuar ndërkohë midis pushtetit qendror bizantin dhe provincave perëndimore të tij, ku bënin pjesë edhe trevat shqiptare.

Rreth 30 vjet pas kryengritjes së Pjetër Dejlanit, një tjetër lëvizje shpërtheu në Kosovë, nga ku u hap me shpejtësi në viset fqinje. Kryengritësit kërkuan t'i printe princi i Dioklesë, Mihali, i cili dërgoi për këtë qëllim të birin, Konstandin Bodinin. Në Prizren kryengritësit e shpallën Bodinin mbret të tyre. Me Bodinin u bashkua edhe paria e Shkupit me kreun e saj, Gjergj Vojtehu, i cili erdhi vetë në Prizren. Në Prizren kryengritësit thyen keqas edhe forcat e dukës bizantin të Shkupit, që u dërguan kundër tyre. Pas kësaj kryengritësit morën Nishin, Ohrin, Devollin dhe vetëm në Kostur forcat e riorganizuara bizantine mundën të thyenin grupin kryesor të kryengritësve. Pjesa tjetër e kryengritësve, me "mbretin" Bodin, ishte përqendruar në Nish. Në përpjekje për të sulmuar e për të pushtuar Shkupin, forcat e Bodinit u thyen keq nga ushtria bizantine e dërguar me ngut nga perandori bizantin "për të shuar flakën, përpara se ajo të merrte dhenë", siç është shprehur një kronist bizantin, dëshmitar i ngjarjes. Gjatë betejës Bodini u zu rob dhe u dërgua në Konstandinopojë ku u mbyll në manastirin e Serxhit e të Bakut derisa i ati i tij, Mihali i Dioklesë, organizoi arratisjen e kthimin e tij në atdhe.

Marrëdhëniet e Perandorisë Bizantine me Bodinin e Dioklesë vazhduan edhe më tej të tensionuara. Pas betejës së vitit 1082 në rrethinat e Durrësit, kur Bodini nuk u erdhi në ndihmë ushtrive bizantine të angazhuara në një betejë vendimtare me normanët e Robert Guiskardit, princi i Dioklesë i shfaqi hapur ambicjet për ta shtrirë sundimin e vet sa në viset e Dalmacisë, në veri, aq edhe në territoret e Temës së Durrësit, në jug. Madje, sipas Kronikës së Priftit të Dioklesë, për një periudhë të shkurtër Bodini mundi të pushtojë dhe të mbajë temën në fjalë, së bashku me kryeqendrën e saj, Durrësin (tulit atque obtinuit totam terram Duracinorum et ipsam civitatem Durachium). Perandori bizantin, Aleksi I Komneni, dërgoi atëherë si strateg të Durrësit një kunatin e tij, Johan Duka, i cili rifitoi kontrollin mbi Temën e Durrësit dhe e mbajti Bodinin larg territoreve të saj.
GENTA
GENTA
I/e Regjistruar
I/e Regjistruar

Postime Postime : 99
Anëtarësuar Anëtarësuar : 05/01/2010

Mbrapsht në krye Shko poshtë

MESJETA E HERSHME SHQIPETARE Empty Re: MESJETA E HERSHME SHQIPETARE

Mesazh nga Sponsored content


Sponsored content


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi