Klea Love Forum
Klea Love Forum - Welcome
A mund të vihet në diskutim “aftësia” shqiptare në mësimin e gjuhëve të huaja? People-icon
Mirë se vini në Klea Love Forum, Ju ftojmë që të Regjistroheni, në mënyre që të keni aksese në të gjitha kategorit dhe temat, në Klea Love Forum, mund të gjeni Shoqeri, Filma Shqip dhe të huaj, Muzikën më të re 2013, DVD Humore shqip, Këshilla Mjeksore, Diskutime, Video Klipe, Kuriozitete, dhe Lajmet më të reja nga vendi dhe bota.

KleaLove.com / Staff.


Join the forum, it's quick and easy

Klea Love Forum
Klea Love Forum - Welcome
A mund të vihet në diskutim “aftësia” shqiptare në mësimin e gjuhëve të huaja? People-icon
Mirë se vini në Klea Love Forum, Ju ftojmë që të Regjistroheni, në mënyre që të keni aksese në të gjitha kategorit dhe temat, në Klea Love Forum, mund të gjeni Shoqeri, Filma Shqip dhe të huaj, Muzikën më të re 2013, DVD Humore shqip, Këshilla Mjeksore, Diskutime, Video Klipe, Kuriozitete, dhe Lajmet më të reja nga vendi dhe bota.

KleaLove.com / Staff.
Klea Love Forum
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

A mund të vihet në diskutim “aftësia” shqiptare në mësimin e gjuhëve të huaja?

2 posters

Shko poshtë

A mund të vihet në diskutim “aftësia” shqiptare në mësimin e gjuhëve të huaja? Empty A mund të vihet në diskutim “aftësia” shqiptare në mësimin e gjuhëve të huaja?

Mesazh nga WebMaster Fri 26 Jul 2013 - 7:33

Kur mësonim gjuhë të huaja

Nga: Armand Plaka

Simptomat e liberalizimit në mësimin e gjuhëve të huaja në fundin e monizimit. 
Sfidat e përkthyesve shqiptarë dje në diktaturë dhe sot në demokraci. 
A mund të vihet në diskutim “aftësia” shqiptare në mësimin e gjuhëve të huaja?

Nëse sot je mbi 30 vjeç, lehtësisht mund të kujtosh emisionet për mësimin e gjuhëve të huaja që nisën të transmetoheshin në TVSH, kanali i vetëm televiziv në vend, duke ia nisur me anglishten e frëngjishten, e më pas duke vijuar edhe me gjermanishten e italishten. Ky trend, në fakt vijoi edhe përgjatë viteve të para pas ardhjes së demokracisë. Por jo vetëm kaq. Mësimi i gjuhëve të huaja tashmë pas vdekjes së diktatorit, kishte marrë përmasa realisht të konsiderueshme edhe përmes mësimit autodidakt, apo mësimdhënies në ambiente private kundrejt pagesave në dorë. Ndërsa shteti tashmë mbyllte “me stil” njërin sy, megjithëse lagjeve e blloqeve të banimit nëpër qytete, vijonin të gëlonin “kalecë” të zellshëm të ish-regjimit, që në ndonjë rast mund të jenë habitur me tolerancën apo mosdashjen e regjimit për t’i ndëshkuar mëkatarët. 

Ndërkohë, fenomeni kishte rënë në sy me kohë edhe tek mediat e huaja, të cilat në një konstatim të vitit 1988, shkruanin se: Studimi i gjuhëve të huaja aktualisht po promovohet gjerësisht në radhët e opinionit publik shqiptar, ku në të shkuarën vetëm një sasi e pakët të përgjedhurish janë lejuar të mësojnë. Në të njejtën kohë, përkthimi i letërsisë së huaj po inkurajohet. Vëmendja në rritje që po u jepet atyre, është në linjë me rritjen e kontakteve që vendi komunist po synon me botën e jashtme (shih: “Foreign Languages and Books Win Favor in Albania”, RAD Background Report / 163 ALBANIA, 22 Aug. 1988, By Louis Zanga). Në fakt shqiptarët, edhe në një pikëpamje historike kanë shfaqur e vijojnë të shfaqin interes të veçantë për mësimin e gjuhëve të huaja. Mjafton të përmendim se italishtja për shembull, sidomos në kohë të caktuara (sigurisht edhe sot e kësaj dite) perceptohet ndër shqiptarët si një gjuhë, e cila përthithet ndoshta pa iu nënshtruar domosdoshmërisht asnjë seance të mirëfilltë mësimore, duke hasur në një masivitet të konsiderueshëm. Sidoqoftë, ky trend ishte shumë i përhapur në fundvitet ’80 e fillimvitet ’90, për t’ia lënë vendin gjuhëve të tjera që u mundësuan pas ardhjes së demokracisë e lëvizjes së shqiptarëve në vendet e huaja. 

Qysh në kohët e hershme, nën sundimin romak, bizantin, venedikas, apo osman, shqiptarët kishin shfaqur aftësi të veçanta, duke u rekrutuar shpesh jo vetëm si luftëtarë e nëpunës të zotë, por edhe si mendimtarë, e në këtë kontekst edhe si përkthyes. Mjafton të kujtojmë fazat e para të angazhimit zyrtar në shërbim të Perandorisë osmane të Babait të shtetit shqiptar, Ismal Bej Vlora, i cili, duke pasur bagazhin e duhur gjuhësor e intelektual, shërbeu si përkthyes i disa gjuhëve të huaja në Ministrinë e Jashtme osmane, para se t’i nënshtrohej një karriere brilante që e katapultoi atë me shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë, në postin e Kryeministrit të parë të vendit. 

Nësë hidhemi më afër në kohë, aftësitë e shqiptarëve për të mësuar e zotëruar gjuhë të huaja, na i rrëfejnë më së miri edhe raportet, apo artikujt e shkruar nga korrespondentë e udhëtarë të huaj në viset shqiptare, ku rëndom përmendet fakti se në vitet ’20, për shembull, në Korçë “…gjithandej mund të dëgjosh anglisht, pasi thuajse çdo i rritur i familjeve korçare ka qenë në Amerikë“ ( shih: “A New Nation In An Old World”, Scribner’s Magazine, by Viola Paradise and Helen Campbell, Feb. 1923). Po aty, konstatimi bëhet edhe më evident, ndërsa theksohet se: Shqiptarët kanë një dhunti për gjuhë të huaja. Pajisja me turqisht, greqisht dhe serbisht, bullgarisht apo rumanisht, alternativë ndaj shqipes, është e zakonshme. Mes atyre që kanë pasur mundësinë të kenë një edukim të huaj, frëngjishtja, gjermanishtja dhe italishtja – shpesh të trija sëbashku – përbëjnë kanale interaktive të komunikimit. Shqipëria nuk e ka përzier urrejtjen me gjuhët e huaja, siç bëjnë shpesh kombe të tjera. Ajo i edukon të rinjtë e saj në Itali, Francë e Austri, të gjitha këto vende të cilat kanë qenë dikur pushtuesit e saj. Shumë shqiptarë lexojnë në persisht, duke e renditur atë si njëra ndër gjuhët e tyre klasike. 

Këto tendenca vijuan (sigurisht se ndërkohë, numri i atyre që njihnin turqisht, osmanisht, persisht e arabisht, sa vinte e ulej) e madje u konsoliduan edhe më tej gjatë monarkisë shqiptare e viteve të Luftës së Dytë. Në një esé kritike rreth çështjes së botimeve në gjuhën shqipe, në vitin 1944, Muzafer Pipa shkruante diku se: Është koha kur libri sjell fitim! O burra! Të rrokim penët! E mbijnë atëherë veprat si kërpudhat pas shiut! Përkthimet morën dhenë. Kush është ai që nuk e njeh një dreq gjuhe moderne? E kush është ai i marrë që nuk përkthen ndonjë send? (shih: „Frenezia e Botimeve“, Revista Fryma, Nr. 4, 1944, fq. 151-154).

Në vitet e Pasluftës u has një tendencë e re në mësimin e gjuhëve të huaja, ku si trend kryesor u vu re ai i mësimit të rusishtes (mos harrojmë se për pak kohë madje, pati nisur të futej në shkollat shqiptare edhe mësimi i serbokroatishtes), një risi kjo për shqiptarët, por jo për kohën, kur gjysma e botës tashmë kishte rënë nën ndikimin sovjetik e ku “gjuha e Leninit” kishte marrë të drejtën e qytetarisë, duke shërbyer si gjuha bazë e komunikimit mes vendeve të ish-Demokracive Popullore. Interesant është fakti se rusishtja vijoi të mësohej e ushtrohej me prioritet deri në rënien e komunizmit në Shqipëri, duke u shoqëruar ndoshta paralelisht nga frëngjishtja, e cila gjithsesi duhet thënë se mbeti deri në fund, një domen i inteligjencës moniste shqiptare, pa mundur dot të depërtonte në masat e gjera. Fati i saj, me ardhjen e demokracisë, ka njohur madje vazhdimisht një kurbë në rënie, pavarësisht se prezenca e departamentit përkatës në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, ajo e Aleancës Franceze dhe anëtarësimi “pro forma” i Shqipërisë në Klubin Ndërkombëtar të Frankofonisë, kanë tentuar në dukje ta pengojnë atë. Në periudha e kontigjente të caktuara, tendenca, ose le të themi më mirë, orientimi, zhvendosej paksa edhe nga italishtja e anglishtja, në terma publikë e masivë, pasi sigurisht gjuhët e fqinjëve apo ajo arabe, kineze, spanjishtja etj, i nënshtroheshin trendeve të veçanta. Sidoqoftë, ndryshe nga të gjitha kohërat e tjera, mësimi i gjuhëve të huaja tashmë orientohej më shumë nga e ardhmja dhe interesat ekonomike, duke përdorur nuhatjen që diktonte kthesa radikale. Kështu nisi të eksperimentohej në vitet ’70 e ’80 me çeljen e degëve të reja në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja të Universitetit të Tiranës, të cilat jo gjithmonë kishin jetëgjatësi e vijimësi. 

Vitet ’80 dhe gjuhët e huaja 

Në gjysmën e dytë të viteve ’80, shtypi shgiptar raportonte në formë avokatie për trendin që po përhapej në mësimin e gjuhëve të huaja nëpër shkollat shqiptare të kohës. Patjetër, si “mbrojtje” e mirë ideologjike përdorej thënia e Marksit, “një gjuhë e huaj është një armë në luftën e jetës”. Të tjera masa për promovimin e këtij trendi ishin edhe konkurset mes shkollave të mesme e gjimnazeve në promovimin e anglishtes e frëngjishtes. Gjithashtu, edhe promovimi i Shqipërisë në dokumentarë të ndryshëm shoqëruar me komente në gjuhën angleze, i shërbenin në dukje këtij qëllimi( Shih: Gazeta “Mësuesi”, 22 mars 1988). Po në këtë kohë, “Zëri i Popullit” publikonte një artikull që bënte fjalë për kërkesën e madhe që reflektohej në popull për hartimin dhe shitjen e fjalorëve dygjuhësh. Kështu, sipas organit të ish-Komitetit Qendror të PPSH-së, në (shih: Zëri i Popullit, 31 korrik 1988) shkruhej se përgjatë 15 viteve të fundit, ishin botuar gjithsej 25 fjalorë dygjuhësh me nga 50.000 fjalë secili. Po kështu, gazeta konstatonte se ishte e vështirë të gjendej në librari ndonjë kopje e fjalorit frëngjisht-shqip që ishte botuar tashmë 10 vjet më parë dhe se kur një fjalor anglisht-shqip ishte futur në treg 7 vjet më parë, 8.000 kopjet e tij, ishin shitur brenda pak ditëve. Ndërkohë, 15.000 kopjet e fjalorit italisht-shqip botuar së fundmi në atë kohë, dhe 25.000 kopjet e fjalorit tjetër të botuar vetëm dy vjet më parë, anglisht-shqip, ishin mbaruar pak ditë pas daljes në treg. Nga ana tjetër, edhe një fjalor gjermanisht-shqip (botuar në 15.000 kopje) po shitej me shpejtësi, sikurse edhe disa doracakë bisedimorë anglisht-shqip e gjermanisht-shqip. Interesant është fakti se tashmë theksi po shkonte gjithnjë e më shumë drejt gjuhëve perëndimore dhe megjithëse rusishtja vijonte të ishte akoma gjuha numër 1, e cila mësohej në sistemin arsimor shqiptar, fakti se fjalori i fundit rusisht –shqip, (përveç njërit mbi terminologjinë teknike, me 50.000 fjalë), i botuar tashmë para 35 viteve, në vitin 1954, me 25.000 fjalë, fliste më së miri për këtë fenomen. 

Letërsia e huaj dhe përkthimet 

Rritja e interesit për mësimin e gjuhëve të huaja, kryesisht atyre të mëdha perëndimore, tashmë po shoqërohej vrullshëm edhe nga rritja e përkthimeve nga letërsia e huaj. Në një takim të zhvilluar me përkthyes të letërsisë së huaj, që e organizonte në Tiranë organi i Lidhjes së Shkrimtarëve e Artistëve të Shqipërisë, “Nëntori”(shih: Revista Nëntori, Maj 1988), ish-kreu i saj, Prof. Dhimitër Shuteriqi, theksonte se letërsia, filmat etj, duhej t’u vinn në ndihmë individëve për t’u lidhur e përshtatur më mirë me njerëzit e kombeve të tjera. Ka pasur një kohë, theksonte Shuteriqi, kur letërsia e huaj, sidomos veprat bashkëkohore, ishin lënë vërtet pas dore. Gjatë dy viteve të shkuara janë bërë përpjekje për ta mbushur këtë vakuum, por se për këtë duhej të viheshin në punë më shumë përkthyes. Përveç përkthimeve nga anglishtja, frëngjishja, italishtja, gjermanishtja, spanjishtja, etj, tashmë, sipas tij, kishte ardhur koha të zbuloheshin edhe letërsia amerikanolatine, ajo arabe dhe ajo irlandeze, duke e renditur këtë të fundit si njëra nga letërsitë më të moçme e më me tradita. Po kështu ai ngrinte lart rëndësinë e letërsisë gjermane që rrënjët e saj – sipas tij – i kishte qysh nga koha e Martin Luterit e ajo e humanizmit europian, e duke vijuar me atë bashkëkohore. Në këtë kontekst, Prof. Shuteriqi bënte thirrje për një ngritje profesionale të përkthyesve tanë. “Gjërat duhet të ndryshojnë, pasi, aktualisht ne kemi, pak, shumë pak, përkthyes kompetentë”. Ai bënte nga ana tjetër rekomandimin që pas rreth 12 vitesh punë teorike në nxënien e gjuhëve të huaja nga studentët shqiptarë, ata të dërgoheshin jashtë në vendet përkatëse për të thyer veshin e rritur performancën profesionale.

Nga ana tjetër, Robert Schwartz, ish-përkthyesi i ndjerë i letërsisë gjermanike, thoshte se ai ishte plotësisht dakord me shqetësimin që ishte bërë prezent në takim dhe se këto gjëra duhej ndoshta të ishin bërë qysh 10 apo 20 vjet më parë. Herë pas here rezulton që ish-diktatori komunist Enver Hoxha të ketë bërë kërkesë për rritjen e numrit të përkthyesve nga gjuhët e huaja, porse trendi më shumë ishte ai i përcjelljes së veprave të letërsisë shqipe e atyre me përmbajtje ideologjike, ku pikësëpari renditeshin vetë veprat e Hoxhës, drejt gjuhëve e vendeve të huaja, se sa e kundërta. Sipas perceptimit publik e vlerësimeve të shumë dëshmitarëve të kohës dhe autorëve të huaj, sigurisht se Hoxha vetë kishte një adhurim për letërsinë e huaj, por kjo e limituar ndoshta vetëm tek klasikët grekë dhe ajo franceze e shekullit të 19-të apo ajo e fillimshekullit ’20. 

Gjuhët e huaja dhe përkthimet sot 

Me ardhjen e demokracisë, sigurisht se të mësoje tashmë një gjuhë të huaj, jo vetëm që nuk përbënte më asnjë rrezik, por ishte një armë, të cilën, me shumë gjasa do të gjendej rast ta përdorje në çdo rast. Në aspektin masiv, vendin e rusishtes e frëngjishes tashmë e kishin zënë italishtja e anglishtja, duke u pasuar nga gjermanishtja, e cila ka njohur rritje në terma relativë, sidomos në moshat e reja përgjatë 20 viteve të fundit. Po ashtu një trend modern e me kahje sidomos femërore, është edhe ai i spanjishtes, i cili po tenton të rritet kohët e fundit, falë edhe përpjekjeve të institucioneve të promovimit gjuhësor të shtetit spanjoll e më gjerë. Ndërkohë, rritje ka pësuar edhe mësimi i gjuhës greke, porse duhet theksuar se kjo, e lidhur veçanërisht me kontigjentet që shkojnë e vijnë në Greqi, si emigrantë ekonomikë, duke prekur kësisoj trupa shumë të vogla njerëzish e individësh që e mësojnë atë, nisur nga interesa thjesht studimorë dhe pavarësisht prezencës prej vitesh të departamentit të gjuhës greke në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja në Tiranë, apo institucioneve të tjera minore të arsimit publik e privat që e ofrojnë këtë mundësi.

Në terma profesionalë, përkthimet nga letërsia apo botimet në gjuhë të huaj, kanë njohur një bum të vërtetë, por e gjitha kjo ka shkuar në kurriz të cilësisë, për të cilën është folur e debatuar shpesh në publik. Në fakt, vlerësimin më eksplicit dhe më kritik në lidhje me aftësinë e shqiptarëve për të mësuar gjuhë të huaja, e ka bërë studiuesi Robert Elsie, i cili vite më parë, përpos nxjerrjes në pah të aftësisë së shqiptarëve për të mësuar gjuhë të huaja, ka kritikuar hapur mungesën e përkthyesve të thelluar që do mundësonin kësisoj përcjelljen e veprave të letërsisë bashkëkohore shqipe në gjuhë të huaj. Nga ana tjetër, ai ka kritikuar orientimin e kohës së monizmit për t’ia ngarkuar këtë rol, vetëm shqiptarëve (madje në shumicën e tyre, ish-të burgosuve politikë) e shumë pak e thuajse aspak të huajve, të cilët sigurisht se duke ardhur nga jashtë, do të njihnin më mirë gjuhët e tyre përkatëse (shih: “Nuk bëhesh i famshëm vetëm kur përkthehesh jashtë“, revista “Ars”, Tiranë, 26.10.2003, f. 22.)

Niveli i përkthyesve (por jo sasia) dhe ndonjëherë edhe shpërblimi i tyre, liçensimi, ndërthurur me një sërë problemesh të tjera që vijnë si pasojë edhe tendencave aktuale të tregut të lirë, apo edhe e shkaqeve e fenomeneve të tjera të veçanta që mbart ndoshta vetëm Shqipëria, bashkë me krizën në tregun e librit, kanë bërë që paradoksalisht, thirrja e Prof. Shuteriqit për rritjen e nivelit të përkthimeve në vitin 1988, të tingëllojë aktuale, sot më shumë se kurrë më parë. 

*Përkthyes, studiues
WebMaster
WebMaster
Fondatori i Forumit
Fondatori i Forumit

Vendbanimi Vendbanimi : Ku te dua un
Postime Postime : 98857
Gjinia Gjinia : Female
Anëtarësuar Anëtarësuar : 11/01/2009
Mosha Mosha : 45
Hobi Hobi : Të përballoj jetën

http://www.klealove.com

Mbrapsht në krye Shko poshtë

A mund të vihet në diskutim “aftësia” shqiptare në mësimin e gjuhëve të huaja? Empty Re: A mund të vihet në diskutim “aftësia” shqiptare në mësimin e gjuhëve të huaja?

Mesazh nga Anakonda Thu 1 Aug 2013 - 21:31

hmmmmm per gjuh te huj nuk them se shumica dinnn a[po nje 50%e mir e shqiptarve trinjve apo tadoleshenteve min. nje gjuh te huj e din e kan msu nepermjet filmave psh nepermjet telenovelave kam msu spanjisht jo me anglisht qe e kam msu nshkoll
Anakonda
Anakonda
V.I.P Anëtarë
V.I.P Anëtarë

Vendbanimi Vendbanimi : Australia
Postime Postime : 31717
Gjinia Gjinia : Female
Anëtarësuar Anëtarësuar : 02/12/2011
Mosha Mosha : 34
Hobi Hobi : Once Upon A Time

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi