Kultura okulte dhe ndergjegja bashkohore
Faqja 1 e 1
Kultura okulte dhe ndergjegja bashkohore
Kthesa nga monizmi ideologjik drejt pluralizmit demokratik pasqyrohet në mënyra të shumanshme në ndërgjegjen dhe psikologjinë e shoqërisë sonë, të cilat po zhvendosen në kahe të reja
Megjithë trysninë e shumanshme dhe me masat represive që u përdorën, pas monizmit, rezultoi se dukuritë ezoterike nuk ishin zhdukur. Tashmë vihet re një gjallërim i dukshëm i kulturës okulte edhe me dukuri të reja ezoterike, siç janë telepatia, dukuri të subkoshiencës, parapsikologjia, rimishërimi, shpjegimi i ëndrrave, rite e kulte të zeza; ezoterike janë përhapja e fallit, llotaritë, telebingot, deri edhe firmat piramidale.
Kthesa nga monizmi ideologjik drejt pluralizmit demokratik pasqyrohet në mënyra të shumanshme në ndërgjegjen dhe psikologjinë e shoqërisë sonë, të cilat po zhvendosen në kahe të reja. Për të mos përsëritur dogma e këndvështrime të vjetëruara të strukturës së ndërgjegjes psikologjike, shoqërore e individuale, ne zgjodhëm për diskutim një fushë dukurish shpirtërore e intelektuale, që spikasin në sfond të zhvendosjes bashkëkohore të tyre dhe që kanë karakter problemor. Bëhet fjalë për dukuri të kulturës okulte, që ndryshe mund të quhen dukuri ezoterike (nga greqishtja "ezoterikos", që do të thotë "e fshehtë", "e brendshme"). Në këtë fushë përfshihen dukuri të mirënjohura të vjetra, si: bestytni të kota, paragjykime e supersticione të lashta, praktika magjike, kulte e rituale sakrale, religjioze, nuska e amulete, mallkime e lutje, të shtënët fall, përfytyrime mitike, astrologjia, alkimia, hiromantia, besimi në syrin e keq, në forca të zeza etj.
Të tilla dukuri quhen "ezoterike", sepse përgjithësisht nënkuptojnë ekzistencën e veprimin e forcave misterioze, që nuk i pranon mentaliteti shkencor dhe që parapërcaktojnë fatin e njeriut ose të bashkësive shoqërore.
Të tilla dukuri konsiderohen si bartëse të një fryme të fshehtë, me të cilën lidhen ngjarje, veprime, pasoja (herë pozitive e herë negative) të çuditshme, të habitshme, të pashpjegueshme. Ata që i ushtrojnë praktikat ezoterike njihen si mjeshtra të një komunikimi të jashtzakonshëm me forca misterioze. Në të kaluarën, por edhe sot ngaqë dijet e fshehta u kundërqëndronin, si rregull, ortodoksisë ideologjike zyrtare dhe mentaliteteve shkencore e intelektuale, bartësit e këtyre "mjeshtërive" ezoterike bashkoheshin në shoqata të fshehta ilegale, si ato të pasuesve të Pitagorës, masonerisë etj. Edhe bektashinjtë tek ne lidhjen midis tyre e mbështetin në "Të fshehtën e Madhe", e cila, nga sa e kemi hulumtuar, mbetet misterioze edhe për vetë pjestarët e këtij komuniteti fetar.
Të tilla dukuri e praktika ezoterike kanë ekzistuar dhjetëra e dhjetëra shekuj me radhë; valët e ndikimit të tyre herë janë ngritur e herë janë ulur, por përbëjnë një prirje që ka bashkëjetuar gati në të gjitha epokat e ekzistencës të njerëzimit. Ato janë shpjeguar tradicionalisht si pasoja të pashmangshme të injorancës, të obskurantizmit. Ky shpjegim i cekët e i njëanshëm u jepej dukurive ezoterike (besimeve e supersticioneve të kota) edhe në kohën e luftës së ashpër që iu bë besimeve fetare në vitet '60 tek ne; megjithë trysninë e shumanshme dhe me masat represive që u përdorën, pas monizmit, rezultoi se dukuritë ezoterike nuk ishin zhdukur. Por edhe në kushtet e sotme të pluralizmit e të sigurimit të lirisë të besimeve fetare, vihet re një gjallërim i dukshëm i kulturës okulte edhe me dukuri të reja ezoterike, si me thënë, bashkëkohore ose "moderne", siç janë telepatia, dukuri të subkoshiencës, parapsikologjia, reinkarnimi, shpjegimi i ëndërrave, rite e kulte të zeza; ezoterike janë përhapja e fallit, llotaritë, telebingot, deri edhe firmat piramidale etj. S'ka gazetë, që të mos u ofrojë lexuesve, krahas lajmeve të ditës, edhe horoskopin; masmediat vazhdimisht përhapin lajme për Ufo, pjata fluturuese ekstrateresterë e komunikime jashtëplanetare. Të tilla njoftime bashkohen në një rrymë me informacione për hulumtime të reja shkencore mbi kozmosin dhe mbi të fshehtat e tij. Madje, edhe në sfera të politikës ose ekonomisë janë të pranishme dukurit ezoterike, që identifikohen me ngjarje të papritura, që qëndrojnë përtej shpjegimeve e mentaliteteve shkencore. Kush e besonte rënien e Murit të Berlinit ose të komunizmit, disfatat e superfuqive në Vietnam, Afganistan, Irak. Një ngjarje e papritur ishte rrëzimi i perandorisë, monarkisë mijëravjeçare të Iranit dhe realizimi i revolucionit të Komejnit. Fenomene të tillë nuk u nështrohen shpjegimeve të vjetra tradicionale. Sigurisht, padituria, mashtrimi e favorizojnë gjallërimin e dukurive ezoterike të kohës së sotme. Gjithsesi, ato kërkojnë një shpjegim më të thellë, më tolerant e bashkëkohor, sidomos kur konstatojmë se ato janë të pranishme edhe te intelektualë, te njerëz të arsimuar.
Njeriu priret të zbulojë shumë nga ato fenomene që i janë dukur më përpara të pashpjegueshëm, misteriozë, por në këtë rrugë ai i kapërcen kufijtë e ekzistencës, realitetit. Cili i ka ditur në kohën e fillimit të hulumtimeve të para kibernetike se ku do të çonin ose ku mund të çojnë më tej ato? Njeriu për shekuj me radhë e pat ulur kokën mbi Tokën-Mëmë se aty gjente të vetmen bazë për ekzistencën e tij, kurse tani fluturimet kozmike (me njeri ose pa të) e çojnë mendimin e njohjen njerëzorëe drejt hapësirave të pafundme, përtej planetare. Studimet gjenetike në fillimet e tyre dukeshin si hulumtime abstrakte, por ato çuan në inxhinierinë gjenetike, e cila e ka venë njeriun para problemeve të rëndësishme ekzistenciale të frikshme, të pashpjegueshme e tronditëse morale, juridike, filozofike e shkencore dhe shumë prej tyre nuk është në gjendje t'i sqarojë as shkenca. Në këtë kuadër, njeriu i drejtohet njohjes ezoterike, e cila nuk bën të vlerësohet thjesht si rrugë mashtrimi sharlatanësh, por edhe si kërkim e meditim për dije të reja.
Similar topics
» Periudha e Letersise Bashkohore
» Morali, etika dhe ndërgjegja
» KULTURA&POPULLI SHQIPTAR
» Kultura Tradicionale në Shqipëri
» Ndergjegja drejton jeten apo jeta ndergjegjen?
» Morali, etika dhe ndërgjegja
» KULTURA&POPULLI SHQIPTAR
» Kultura Tradicionale në Shqipëri
» Ndergjegja drejton jeten apo jeta ndergjegjen?
Faqja 1 e 1
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi