Klea Love Forum
Klea Love Forum - Welcome
Dora d’Istria: Princesha me origjinë shqiptare, ë themelet e qytetërimit europian People-icon
Mirë se vini në Klea Love Forum, Ju ftojmë që të Regjistroheni, në mënyre që të keni aksese në të gjitha kategorit dhe temat, në Klea Love Forum, mund të gjeni Shoqeri, Filma Shqip dhe të huaj, Muzikën më të re 2013, DVD Humore shqip, Këshilla Mjeksore, Diskutime, Video Klipe, Kuriozitete, dhe Lajmet më të reja nga vendi dhe bota.

KleaLove.com / Staff.


Join the forum, it's quick and easy

Klea Love Forum
Klea Love Forum - Welcome
Dora d’Istria: Princesha me origjinë shqiptare, ë themelet e qytetërimit europian People-icon
Mirë se vini në Klea Love Forum, Ju ftojmë që të Regjistroheni, në mënyre që të keni aksese në të gjitha kategorit dhe temat, në Klea Love Forum, mund të gjeni Shoqeri, Filma Shqip dhe të huaj, Muzikën më të re 2013, DVD Humore shqip, Këshilla Mjeksore, Diskutime, Video Klipe, Kuriozitete, dhe Lajmet më të reja nga vendi dhe bota.

KleaLove.com / Staff.
Klea Love Forum
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Dora d’Istria: Princesha me origjinë shqiptare, ë themelet e qytetërimit europian

Shko poshtë

Dora d’Istria: Princesha me origjinë shqiptare, ë themelet e qytetërimit europian Empty Dora d’Istria: Princesha me origjinë shqiptare, ë themelet e qytetërimit europian

Mesazh nga WebMaster Wed 19 Jan 2011 - 1:00

Ilia S. Karanxha

Emri i Dora d’Istrias zuri një vend të nderuar qysh në periudhën e Rilindjes Kombëtare shqiptare dhe mbeti i pa prekur deri në ditët tona. Qysh kur ishte gjallë dhe pas vdekjes shkrimet lavdëruese, studimet apo monografitë që fokalizonin aspekte të veçanta apo komplekse të jetës e veprës së saj nuk kanë munguar në Shqipëri por edhe në vendet e tjera e në veçanti: Rumani, Greqi, Itali, Francë e gjetkë. Fama e saj u përhap shumë shpejt në Evropë dhe fill pas saj edhe përtej oqeanit. Në ShBA gjatë vizitës që bëri në verën e vitit 1880 ajo u prit me nderime të veçanta dhe gjatë takimit që pati tek shkrimtari i shquar amerikan Henry Longfellow (1807-1882) ai ju zotua asaj se do të shkruante një poemë për Skënderbeun. Një rast i shquar dhe jo i vetmi kur Dora d’Istria përdorte famën e prestigjin e vet para personalitetesh të shquara të shkencës, të kulturës, të artit apo të politikës për tu imponuar atyre pikëpamjet e veta në dobi të të popujve danubianë-ballkanikë, që luftonin për çështje kombëtare e për progres shoqëror. Lista e këtyre personaliteteve me të cilët ajo pati kontakte në kohë e për çështje të ndryshme është mjaft e gjatë. Mund të përmendim vetëm disa për të krijuar një ide të pjesshme të vlerës dhe rëndësisë që i jepnin asaj persona të shquar si: Luis Benloew (1818-1900), Johann Georg von Hahn(1811-1869), Angelo De Gubernatis(1840-1913), Bartolomeo Cechetti(1838-1889), Lorenzo Valerio(1810-1865), Niccolo Tommaseo(1802 – 1874), Adam Wolf(1822-1883), Edgar Quinet(1803-1875), Francesco Protonotari(1836-1888), Paolo Mantegazza (1831-1910), Giuseppe Garibaldi(1807-882), Giorgio Asproni(1808-1876), Federgo Scolpis(1798-1878), Felice Schiavone(1803-1881) e shumë të tjerë.

Raportet e Dora d’Istrias me rilindësin tonë të shquar Jeronim de Rada e nëpërmjet tij edhe me rilindësit e tjerë Zef Jubani, Thimi Mitko, Dhimitër Kamarda, publiku shqiptar është njohur nga epistolari i saj i publikuar në një formë të pjesshme nga J. Kastrati(A.Popullor 3/1963), A. Kondo(1977), J. Bulo(Nëntori 12/1987) dhe së fundi, me kompetencë shkencore në gjuhën origjinale e në një variant gati shterues, nga studiuesja Merita Sauku-Bruci (2004), e cila ka nxjerrë në dritë me komente përkatëse 112 letra të Dora d’Istrias.
Në lidhje me epistolarin e Dora d’Istrias me botimet e bërë në Shqipëri dhe diçka në Rumani mbetemi gjithmonë në hapat e para të kësaj ndërmarrje të rëndësishme editoriale. Botimet e letrave të saj në Rumani janë bërë në “Revue historique du Sud-est européen” që drejtohej nga N. Jorga (më 1925, 1928 e më 1932 )dhe tani së fundi nga Georgeta Penelea Filitti në revista Biblos (Iasi) (n* 9-10/ 2000).
Mbeten akoma për t’u gjurmuar e për të nxjerrë në dritë epistolarin apo dokumente që lidhen me jetën dhe veprimtarinë e Elena Gjikës në fondet e Bibliotekës Kombëtare të Firences (letërshkëmbimi me A. De Gubernatis 156 letra, me F. Protonotari 18 letra, me N. Tommaseo 7 letra, e po këtu edhe disa fonde të tjera). Në bibliotekën Labornica të Livornos (rreth 20 letra drejtuar personave të ndryshëm), Biblioteka Arkivi i Risorxhimentos- Firence(Fondi mbi bashkë llazërinë e artizanëve), Arkivi Historik i Komunës të Firences (Fondet e Institutit Kombëtar Shurdh-memecët), e po kështu fonde të tjera që sot ndodhen në Torino, Venecia, Pisa, Roma, Cagliari, Gjenova, Graz dhe Bukuresht. Fondet që ndodhen në bibliotekën e Kosencë-s mbi letërkëmbimin me Jeronim de Radën mund t’i konsiderojmë të shteruara nga botimet e sipërpërmendura.

Krahas raporteve të saj me figura të shquara në një plan më të gjerë ajo ishte e njohur dhe e nderuar nga një sërë institucionesh me karakter kultural e akademik. Më 1873 B. Cechetti, kuptohet në konsultim edhe me vetë Dora d’Istrian, krahas veprave të saj të botuara deri në atë moment na transmeton edhe listën e këtyre institucioneve, të cilat njihnin dhe nderonin emrin e Dora d’Istrias. Në lidhje me këtë ai shkruan:

Princesha Dora d’Istria është pranuar nga shumë akademi të Italisë, Francës, Greqisë, Turqisë evropiane, të Azisë së Vogël, Austrisë. Është anëtare nderi e shoqatës Arkeologjike të Athinës (28 maj 1860), anëtare e Shoqatës gjeografike të Francës (19 janar 1866), anëtare korrespondente e Universitetit të Venecias, 8 mars 1868, anëtare nderi e shumë akademive italiane (1868-1873) mes të cilave akademia fizio-medistatika e Milanos, 18 qershor 1868, anëtare nderi e Minervës të Triestes, anëtare nderi e Sillogut të Athinës, maj 1867, anëtare nderi e Sillogut të Kostandinopolit, 8 gusht 1870, presidente nderi e (shoqatës) Elikona të Smirine (Azi) 17 mars 1871, anëtare e merituar e Akademisë Mbretërore Rafaelo nga Urbino, 17 dhjetor 1871, anëtare letrare e Shoqatës për nxitjen e teatrit në Itali, Firence 21 janar 1872, nën-presidente nderi e Shoqatës të grave greke për institucionalizimin femëror, 11 shtator 1872, anëtare e Akademisë të Konsultës (Quiriti) në Romë shkurt 1873, anëtare nderi e Paransios të Athinës, 28 shkurt 1873, anëtare nderi e Akademisë Pitagorike të Napolit 24 maj 1873, korrespondente e huaj e Akademisë Kombëtare e letërsisë dhe e shkencave të Barcelonës (Spanja) dhe e Institutit arkeologjik të Buonos-Ayres (Amerikë) 30 maj 1873, presidente nderi dhe kujdestare e shoqatës Chark të Kostandinopolit, 20 prill 1873 etj.

Këtu pra mbyll listën Cechetti duke mos i rreshtuar dot të gjitha institucionet e duke na lënë ne detyrën për vitet që do të vinin ta plotësonim këtë listë. Mund të shtojmë diçka se ishte edhe anëtare e shoqatës për studimet e orientit (9.XI.1873), por deri këtu del qartë që ajo u bë shumë shpejt një nga tre gratë më të famshme të shekullit të XIX mes Giorgio Sand (Arnandine Lucia Aurora Dupin, 1804- 1876). Dhe konteshës d’Agoult (Marie Catherine Sophie 1805-1876 e njohur edhe me pseudonimin Daniel Stern) fakt të cilin na e referon në një shkrim përkujtimor një muaj pas vdekjes (16 dhjetor 1888) revista “Nuova Antologia” ku Dora d’Istria kishte botuar shumë nga studimet e saj.

Duke mbetur gjithmonë tek B. Cechetti ish-drejtor i arkivave veneciane ai veç meritës që pati si kujdestar dhe përkthyes në italisht i veprës “Shqiptarët në Rumani” u kujdes gjithashtu të ndiqte me vëmendje të posaçme gjithë jetën publicistike të Dora d’Istrias dhe njëkohësisht ishte i pari që filloj të përpilonte bibliografinë e saj. Kjo bibliografi doli për herë të parë më 1868 e në vitet që do të vinin ribotohej me shtesat e reja. Më 1873 ai nxori edicionin e pestë të kësaj bibliografie dhe ky punim na bën të kuptojmë se sa e shumtë dhe e larmishme ka qenë veprimtarja krijuese e kësaj gruaje të shquar. Këto informacione kanë vlerën e veçantë se ato përpiloheshin në kohën kut vetë Dora d’Istria ishte gjallë dhe këshillat e informacionet e saj kuptohet nuk i kanë munguar B. Cechettit. Kanë anën e dobët se diçka ka mbetur pa përmendur e nuk u ndoq ibotimi i tyre në vitet e mëtejshme.
Ndër të parët intelektualë të nderuar që i shprehu mirënjohjen Cechetitt për këtë punë të kujdesshme dhe të rëndësishme ishte vetë Jeronim de Rada, i cili më 1868 i dedikon atij një vjershë në dialektin arbërsh bile edhe në emër të shqiptarëve të Kalabrisë. Bibliografia e vitit 1869 ishte strukturuar sipas argumenteve që Dora d’Istria kishte trajtuar në publikimet e saj dhe Cechetti i ndan ato në 8 kapituj). Në ribotimi e vitit 1873 ruhet i njëjti koncept i rigrupimit të shkrimeve sipas tematikës që trajtonin veçse kësaj radhe ajo është e ndarë në 10 pjesë dhe brenda tyre, në ndonjë rast, ka dhe nënndarje.

Pjesa e parë i kushtohet historisë të letërsisë dhe brenda saj kemi: 1. Poezia popullore e gadishullit lindor. 2. Poezia popullore e fino-mongolve. 3. Epope. 4. Portrete letrare.

Kështu sipas këtyre nënndarjeve janë renditur studimet: Letërsia dhe kombi rumun sipas këngëve popullore, e me radhë për kombin serb, për kombin shqiptar, për kombin grek e për kombin bullgar. Të gjitha të publikuara në “Revue des deux mondes” nga viti 1857 deri më 1867. Në këtë seksion mund të futim edhe valle dhe këngë kombëtare të rumunëve të botuar në “Acta comparationis literarum universarum” (maj 1884).

Bie në sy interesimi i menjëhershëm dhe i veçantë për artikullin që trajtonte këngët popullore shqip. Ribotimi i menjëhershëm i tyre u bë nga Luigi Luciano Bonaparte (1813-1891) një nga nipërit e Napolonit I të cilin Cechetti na e prezanton si një filolog dhe albanolog të shquar. Në fakt u mor më shumë me gjuhën baske. Fill pas tij ato u përkthyen menjëherë në greqisht(Therianos), në italisht(E. Artom) ndërsa në shqip nga Dhimitër Kamarda. Varianti në italisht u botua në Kozencë (Kalabri) i shoqëruar me portretin e autores të realizuar sipas një skice të Felice Schiavone-s. Pra brenda vitit 1867 ato u ribotuan 4 herë dhe sot i gjejmë edhe në një ribotim modern shqip nën kujdesin e D.Siliqi(2002).

Vazhdohet të dalin në të njëjtën revistë pariziene poezitë popullore të hungarezëve(gusht 1871) dhe ato të turqve të lindjes(shkurt 1873), e cila do të vazhdonte në disa artikuj. Këto të fundit do të ribotoheshin akoma në frëngjisht në rivista “Europea” (1876-77)edhe në italisht (La poesia degli ottomani...) në revista “Cornelia” (1877) ndërsa në anglisht (The poetry of the Turkish People) i gjejmë në revista “The Penn Monthly”( 1878 shtator e më tej) Më 1877 do të kemi daljen e vëllimit përmbledhës në Paris me titullin “La Poésie des Ottomans” ndërsa në një varinat modern kemi përkthimin e daljen e tyre edhe në turqisht “Osmanlilarda siir- Istambul” (1988).

Nën ndikimin e studiuesit Angelo De Gubernatis mbas viteve 1870 Dora D’Istria do t’i kushtohej edhe kulturës indiane e asaj persiane. Kështu në kapitullin Epope Cechetti ka përmbledhur pikërisht këto studime të cilat nisin me: Studimet indiane në Italinë e Sipërme- Mahâbhârata dhe mbreti Nala(Les etudes indiennes dans la Haute Italie- Le Mahâbhârata et le roi Nala). Ky studim u lexua fillimisht para shoqatës Arkeologjike të Athinës u botua më 1870 në revista “Gréce” e pastaj edhe si broshurë më vete në Athinë. Po këtë vit pati edhe botime të tjera në italisht. Me të njëjtën interes u pritën edhe studimet e tjera të kësaj natyre ku Dora d’Istrias trajtonte këtë argumente. Kështu kemi: Epopea indiane- Râmâyana(1871); Vdekja e mbretit Dasarata(1871); Uttakaranda(1871); Epopea persiane- Shahu Nameh(1873). Pastaj studime të tjera që nuk i përmënd Cecheti si p.sh., Poezia e persianëve nën Kaxharët(1879). Jeta e kleftëve në perandorinë persiane (1879) dhe Epope ruse (Les épopées russes) kjo e fundit e botuar në Revue Internationale (1883-84).

Nën zërin portrete letrare Cechetti e fillon me studimin e Dora D’Istrias mbi Shkrimtarët shqiptarë të Italisë jugore (1867) që doli fillimisht në Athinë e menjëherë u përkthye edhe në gjermanisht në Internationale Revue të Vienës (janar 1867). Në italisht u përkthye nga prof. N. Camarda dhe u botua si broshurë më vehte në Palermo (1867)

Studimi mbi letërsinë rumune ku trajtohen Giorgio Cretiziano, Eliade Radulesco u botua fillimisht në Rivista Orientale e Firences(1867) e më pas u përkthe në italisht nga prof. Pietro Ardito dhe u botua në revista L’Umbria e le Marche (1868-69). Një shkrim për Radulesco u botua edhe në Illustration(14 nëntor 1868) Figura të tjera që trajtovi Dora D’Istria e që i përkasin këtij seksioni janë: një studim mbi Giuzepe Veludo(1869), një shkrim mbi Marko Polon(1869), Rusët e mongolët dhe Jean du Plan de Caprin (1872), një nekrollogji mbi Eliade Radulesco(Neologos 1872).

Një studim mbi historianët në literaturën gjermane doli në Konstandinopoli në revista Evridiki(15 janar 1872) ndërsa studimi mbi letërsinë franceze në shek. XIX u botua në Revue Iinternationale
duke filluar nga dhjetori i vitit 1884 e vazhdoi në shumë numura deri në 10 gusht të vitit 1885.

Pjesën e dytë të bibliografisë Cechetti ia ka kushtuar çështjeve fetare që trajtoi Dora d’Istria, ku na rendit veprën e mirënjohur që e bëri të famshme në Evropë: Jeta në manastiret në Kishën e lindjes të botuar në Bruksel(1855) dhe më pas në Paris(1858). Më tej studimet Rumania dhe kisha ortodokse(1857); Rumenët dhe papati (1856). Letër një filozofi athiniot(1860), Mitollogjia zoollogjike(1873). Por edhe shkrime të tjera të pa përmendura nga Cechetti në lidhje me këtë argument si: Kisha dhe Perandoria në shek. IV për princin Alberto de Brolie(1856), Kisha orthodhokse(1874) Teollogjia dhe mrekullitë e Zonjës dë Krüdner(1888).

Pjesa e tretë që rreshton shkrimet me karakter shoqëror Cechetti e ka ndarë në dy n/kapituj: 1. Probleme femërore dhe 2. Polemika kundra luftës. Bibliografia këtu nis me veprën e njohur: Femrat nga një femër(Pariz 1865) dhe vazhdohet me shumë shkrime e studime që kanë parë dritë në periodikë të ndryshëm të kohës. Citojmë kështu: Cështja e grave në Austri(maj 1873) Çështja e grave në Gjermani( qershor 1873); Gratë e forta (New York 1871); Një princeshë ruse për të drejtat e grave(New York 1871); Letër Presidentes të shoqatës të Zonjave greke për arsimimin e grave(1872) Letër Presidentes të Parnassos(1873) Kushtet e grave ndër sllavët e jugut(1878) Letra e princeshës Dora d’Istria mbi kufizimet në punët e grave(1878); Letër e Princeshës Dora d’Istria mbi elektoratin në gratë(1878); Letër zonjës Aurelia Ciminio Folliero(1873)etj. Këtu mund të futim edhe shkrimin Shqiptarët e Krishterë i publikuar revistën (1874) ku trajtohen probleme që lidhen me zakonet e martesave në Shqipëri por edhe me situatën e gruas shqiptare.

Në polemikën e saj kundra luftës janë botuar artikujt apo studimet: Lufta (Ahinë 1870), Politika e burrave dhe politika e grave(Costandinopoli 1871), Lufta dhe gratë(New York 1870), Lufta.(Firence 1871), Feja dhe lufta(Athinë1870, Costandinopoli 1871), Çështja e Alabamës(Athinë 1871, Kostandinopoli1871), Paqja dh civilizimi(1882).

Në pjesën e katërt kushtuar ekonomisë politike dhe agrikulturës mund të shënojmë mes të tjerave shkrimin: Shoqëria amerikane e shkencave shoqërore(1871) ndërsa pjesën e pestë Cechetti ja kushton shkrimeve të Elena Gjikës mbi disa figura të artit si p.sh. Giovanni Dupre(Athinë 1870), një skulptor i shquar në Firence cili thuhet se ka realizuar edhe një bust të Dora d’Istrias. Pastaj një studim mbi Artistët grekë(1871) e më tej një përshkrim nga një vizitë që ka bërë në Muzeun e Felice Schiavoni-t. Ky piktor ka qenë edhe autori i shumë portreteve që ne trashëgojmë sot nga Elena Gjika i cili në ndonjë rast ka bashkëpunuar edhe me piktorin parizian Adolfo Salmon.

Gati në të gjitha jetëshkrimet dedikuar Dora d’Istrias theksohet edhe kontributi i saj si piktore e pjesëmarrja e saj në ekspozita mirëpo deri më sot ka qenë a pamundur të demonstrohet ndonjë vepër e realizuar prej dorës së saj. Në lidhje me shkrimin: Një verë në brigjet e Danubit Cecheti na thotë se ai është shoqëruar me një dizenjo nga një pikturë e Dora d’Istrias e titulluar: Pamja nga Borçia – Rumani. Ky artikull i botuar në revista Illustration(9.II.1861) vërtet e kishte këtë dizenjo por veç portretit të Dora d’Istrias të mirënjohur gjetëm aty edhe tre grafika të tjera që ilustronin shkrimin e saj dy prej të cilave janë të firmosura nga autorë të tjerë. Një informacion të ngjashëm Cechetti na referon edhe për shkrimin Kryengritja kreteze e cila është publikuar në të njëjtën revistë më 10 e 26 janar të viti 1867. Koleksionin që mundëm të shfletonim i mungonin këto data megjithatë për këtë fakt Cechetti shkruan se aty: janë stampuar disa dizenjo të vendfushimeve të kryengritësve të Kandia-s të nxjerra nga fotografi të dërguara nga autorja. Të jenë këto dizenjo të realizuara nga vetë Dora d’Istria ? Apo ajo ka bërë thjesht fotografitë? Pavarësisht nga këto njoftime të pakta Dora d’Istria kishte zakon t’i shoqëronte shpesh shkrimet e saj edhe me ilustrime shumë prej të cilave janë piktura apo grafika.

Në tetor të vitit 1870 ajo u stabilizua në Firence dhe fill më 1871 filloj të blejë terrenet rreth e rrotull shtëpisë për ngritjen e kopshtit të saj. Projekti me këtë rast, sipas fjalëve të Prof. Dot. Dimetrio Bargellini, u realizua nga një prej arkitektëve më të shquar të Parisit. Pra siç shihet raportet e Dora d’Istrias me artin mbeten akoma një kapitull i pashkrojtur.

Duke u kthyer tek bibliografia e Cechettit në pjesën e gjashtë trjatohen artikujt me karakter politik ku na ka reshtuar 13 shkrime. Mes atyre që kanë pasur më shumë jehonë gjejmë : Mbi bashkëvllazërinë e popujve latinë dhe vepra e tyre në zhvillimin e njerzimit(1856) ; Përgjigje deputetit grek që erdhi nga Triestja në Venedik(1867); Letër Dhomës Legjislative të Athinës(1867)
Përgjigje komiteti të grave epirote-thesale-maqedone(1867); Panhelenizmi(1867).

Pjesa e shtatë dhe e tetë i dedikohen historisë dhe udhëtimeve. Në total janë 50 publikime të karakterit të ndryshëm gjë që tregon edhe për impenjimin e veçantë të Dora d’Istrias në këtë drejtim. Ndër shkrime apo studime që panë dritën edhe si vepra më vete mund të shënojmë: “Gratë në Orient” (Zurig 1860), “Shqiptarët në Rumani” (Firence1873) e “Heronjtë e Rumanisë” (Firence 1887) që u botua nën kujdesin e P. Mantegazza. Mes artikujve apo studimeve më në zë të kësaj periudhe janë: Ishujt jonianë(1858), Kombi helen sipas historianëve(1860); Kryengritje kombëtare serbe sipas këngëve popullore(1868), Gratë në perëndim(1860-1861), Vasiliqija(1868 e më 1869) Kleftët e Greqisë moderne(1868), Gratë në Indi(1871), Roma kryeqytet(1871), Azija dhe aziatikët(1871) etj.

Mes veprave historike zënë vend studimi për Bushatllinjtë e Shkodrës(1868) dhe për Ali Pashë Tepelenën(1870), të dyja nën titullin e përbashkët Shqiptarët myslimanë të botuar në rev. “Nuova Antologia e Firences”. Mbi familjen Gjika ajo trajtoi gjatë në studimi Shqiptarët e Rumanisë i cili pasi u botua në rivista “Europea” (1871-73) doli edhe si vëllim më vete i përkthyer në italisht nën kujdesin e vetë B. Cechettit(1873). Fill me daljen e librit kemi dhe recensionet e para të botuara në rev. “Cornelia”(16 gusht 1874) nga C.F. Gaba. Një përmbledhje studimesh ku trjatohet edhe ky problem kemi së fundi nga Kristia Maksuti(2001). Në kjo vepër preket edhe origjina e kësaj familje për të cilën Elena saktëson se Gjikat kanë prejardhje shqiptare duke shmangur kështu të gjitha hipotezat që pretendonin të devijonin origjinën e kësaj familje. Mirëpo tregohet e rezervuar të fiksojë se nga cila zonë e Shqipërisë është familja e saj dhe për çfarë arsye të parët e Gjikajve u shpërngulën në Azinë e Vogël. Mbi këtë çështje ajo shkruan:

Kur të njihen më mirë klanet e Shqipërisë të padepërtueshme, historianët mundet të gjurmojnë më mirë, se cilit prej tyre i përkisnin të parët e Gjikaive. Deri tani është e ditur se ndër Klemendasit, një nga fiset më të shquara të Gegërisë, gjenden Gjokajt (Giocai), e meqenëse Gjoka e Gjika janë sigurisht një emër identik, mund të hamendësohej që Gjikajt të rridhnin nga fisi i Kelmendit, të cilët për traditë mbahen me origjinë veneciane.

Vepra “Shëtitje në Rumeli dhe në More” (Zurig 1863) ku flitet edhe për shqiptarët e Greqisë u prit jashtëzakonisht mirë nga publiku. Pjesë të saj filluan të përktheheshin e të ribotoheshin në periodikë të ndryshëm mirëpo në Kostandinopojë botimi i saj i përkthyer greqisht në revista Evridiki u ndërpre me urdhër të Sulltanit.

Ndër përshkrimet e udhëtimeve vendin e parë që e bëri të njohur në Evropë e zë vepra Zvicra gjermane dhe ngjitja në Mönch(Paris, Genevra 1856) e cila u përkthye në anglisht dhe gjermanisht ndërsa më 1857-8, pati një ribotim të përpunuar e me shtesa në frëngjisht. Sot jo të gjithë janë dakord se Dora d’Iastria e ngjiti me të vërtetë majën e Monk-ut mbasi edhe një nga udhërrëfyesit nuk pranoi ta nënshkruante dëshminë që ajo publikoi në këtë vepër. Mirëpo pavarësisht nga këto debate të sotme vepra në atë kohë bëri një bujë të madhe dhe Helena diti me mjeshtëri artistike të tërhiqte rreth vetes së saj vëmendjen e gjithë evropianëve. Mjaft shkrime të kësaj natyre filluan të botoheshin në vazhdim si: Zvicra italiane(1856), Tiçino(1856), Lugano(1856), Ngjitja në San Salvador(1859), Peizazhe dhe dhurata nga Zvicra italiane(1860), Një shëtitje në brigjet e Lago Maggiore(1864), Shëtitje në Toskanë(1868, Gjiri i Species(1867), Kujtime nga Kanton Tiçino(1867), Një ekskursion nëpër Itali. I. Një shëtitje në Pompei II. Montenero III. Firence(1869), Një dhuratë nga Spezia(1869), Një pelegrinazh në vari i Dantes(1869), Venecia 1867(1870), Alpet(1870), Pegli(1872), Gjiri i Rapallos(1873), Karnavalet e Venecies(1867) etj. të cilat gjithashtu ishin të mirëpritura nga shumë lexues për të cilët përshkrimet gjeografike ishin mjaft të modës.

Pjesa e nëntë dhe e dhjetë e bibliografisë të Cechetit përmbledh romancat dhe shkrime të ndryshme. Mes tyre gjejmë shkrimin Projekte shqiptare (Esquisses albanaises) të botuar në revista Gréce e Athinës në janar dhe shkurt 1868.

Duke kultivuar interesa të ndryshme Dora d’Istria nuk la mënjanë as pasionin e saj të madh për kopshtarinë e drurët e rrallë dekorativë. Kjo filloi nga momenti që u vendos në Firence (1870) dhe vazhdoi deri në fund të jetës së saj. Një vepër të veçantë për këtë qëllim i ka dedikuar Prof. Dot. D. Bargellini (1887) drejtor i institutit botanik të Firences i cili u përqendrua në përshkrimin e 60 drurëve më të veçantë që ishin rritur nën kujdesin e vetë Dora d’Istrias dhe i jepnin kopshtit një hijeshi madhështore të cilët sipas fjalëve të vetë Prof. Bargellini-t (Barxhellinit) i bejnë nder qytetit tonë, dhe Asaj që me aq dashuri e mençuri i ka mbledhur dhe i ka kultivuar.


***
Më 17 nëntor 1888 ditën e shtunë në ora 6 e mbrëmjes në rruga Leonardo Da Vinçi n* 10 (Villa Istriana) – Firence, vdes parakohe princesha Dora d’Istria në moshën 60-vjeçare pas një sëmundje që e bënte të vuante prej vitesh.

Dëshirat e fundit në testamentin e saj të shkruar me dorën e vet (9 janar 1886) ishte që funerali të zhvillohej me një ceremoni të thjeshtë civile ndërsa trupi të kremohej në varezat e Trespinianos (Firence), ku ruhet edhe sot e kësaj dite urna e saj. Tregonte kështu edhe me vdekjen e saj një akt të lartë civilizimi por edhe humanizmi të shquar kur shkruante se:

“Je donne a l’école des sourds muets ma maison et mes jardins sis Rue Leonardo da Vinci n. 10 et Viale Militare.”

Instituti Kombëtar i shurdhmemecëve ndodhej pikërisht në të njëjtën rrugë dhe kishte nisur jetën e vet dy vjet më parë se Dora d’Istria të shkruante këtë dëshirë në testamentin e saj. Mirëpo nga ana tjetër nuk la pa shpërblyer nga pasurija e saj ngërzit e familjes madje deri tek kopshtari i devotshëm që i qëndroi besnik gjithë jetën. Mbas disa vitesh administrata e institutit vendosi ta shiste Vilën Istria dhe kopshtin për rreth saj deri sa më 1932 duke kaluar dorë më dorë këto pasuri u prishën për të zënë vend ndërtesa të reja.

Filologu dhe orientalisti i shquar A. De Gubernatis për një nga takimet e tij të para me Dora d’Istrian do të shkruante:

Unë nuk e kam njohur si princeshën Elena të Rumanisë, por nga korret e himneve të bukurisë së saj greke, që më kumbojnë rreth e rrotull, himne princash dhe peshkatarësh, poetësh dhe kritikë, e sarmati-ve të ashpër dhe latinëve të këndshëm, duhet të pranoj që nuk bëhet fjalë për një bukuri të stisur, të një Diana të zbehtë, të një lulele të fishkur, por ama të një flake të fortë e të fshehur, gjithmonë e ndritshme e gjithmonë plotëjetë....Rumenë, shqiptarë, grekë, sllavë, latinë e trajtojnë dhe e respektojnë si bashkëqytetaren e tyre të palodhur Dora d’Istrian, sepse ajo ka bërë të tingëllojë në Perëndim fjala e saj e këndshme, e ndjeshme, e gjallë dhe elegante në dobi të të gjithëve : për Orientin e pastaj për latinët ajo shpjegoi cilësitë e gjermanëve, të skandinavëve, të fimaingëvë dhe të anglo-saksonve, me qëllim që progresi të mos mbetej priviligj i vetëm disa popujve...(rivista “Contemporanea Nazionale Italiana”, Torino, prill 1869)

Në vazhdim të këtij mendimi të vyer të Gubernatit nuk na mbetet gjë tjetër të themi për këtë princeshë veçse një nga pionieret e para të Evropës së Bashkuar.

Firence 23.XII.2010
WebMaster
WebMaster
Fondatori i Forumit
Fondatori i Forumit

Vendbanimi Vendbanimi : Ku te dua un
Postime Postime : 98857
Gjinia Gjinia : Female
Anëtarësuar Anëtarësuar : 11/01/2009
Mosha Mosha : 46
Hobi Hobi : Të përballoj jetën

http://www.klealove.com

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi