Filip Shiroka (1859 – 1935)
Faqja 1 e 1
Filip Shiroka (1859 – 1935)
Filip Shiroka lindi në Shkondrën historike më 1859 në një familje të ngritur intelektuale. Filloi mësimet në shkollën françeskane ku pati mësues Leonardo de Martinon – poet arbëresh i dhënë pas artit poetik të cilën ua mishëronte nxënësve të vet. Nga këtej, Filipi vazhdoi studimet në Itali.
Në kohën e tregtive hileqare të fuqive të mëdha evropiane, kur ata luanin me fatin e trojeve shqiptare duke ju ndarë kulaç të tjerëve në dëm të shqiptarëve, Filip Shiroka shkruajti në italisht kushtrimin : « Shqiptarë, tek armët, tek armët » (Milano, 1878). Në këtë vjershë, Shiroka thërriste në mbrojtjen e bregdetit me qytetet Ulqinin e Tivarin që i jepeshin Malit të Zi si mbulesë për humbjen e Hotit dhe Grudës gjatë viteve të Lidhjes së Prizrenit dhe sukseseve ushtarake të saj.
Mëtej, ai mërgoi në Egjipt dhe Liban ku edhe vuajti shum nga malli dhe dashuria për atdhe. Në këtë kohë shkroi edhe dy vjershat më të bukura që konsiderohen si margaritarë të letërsisë së Rilindjes. « Shko dallëndyshe » dhe « Dallëndyshe eja » janë pra dy vjershat që i njeh çdo shqiptarë pa mar parasyshë nivelin shkollor që ka.
Nga poezitë heroike më të dalluarat janë « Shqypnia », « Gjergj Kastrioti » dhe « Burri ». Duhet theksuar se punimet e tij Shiroka i nënshkruante me pseudonimin letrar Geg Postriba dhe se botoi në « Besa » dhe « Toska » por mës së shumti bashkëpunoi me revistën « Albania » të intelektualit dhe atdhetarit të famshëm shqiptar, Faik Konicës.
Në Tiranë, gjatë një qëndrimi të fundit në atdhe, Shiroka botoi vëllimin « Zani i zemrës.
U nda nga të dashurit, në vitin 1935 në Bejrut, Liban, nga ku, pas njëzet e pesë vjetësh, ju sollën eshtërat në vendlindje.
Shko Dallëndyshe
Udha e mbarë se erdh pranvera,
shko, dallëndyshe tue fluturue,
prej Misirit n'dhena tjera,
fusha e male tue kërkue;
n'Shqipni shko, pra, fluturim,
shko në Shkodër, n'qytetin tim.
Shëndet prej meje të m'i falësh
saj shpisë vjetër ku kam le,
me ato vende rreth t'përfalesh,
ku kam shkue kohën e re;
atje shko, pra, fluturim,
fal me shndet qytetit tim.
Me ato male, me ato kodra,
me ato prroje rreth t'përfalesh
n'ato fusha që m'ka Shkodra
të lulzueme, aty t'ndalesh;
tue kndue me ambëlcim,
fal me shndet qytetit tim.
T'mujsha dhe un' me fluturue
dojsha dhe un' me u nisë me ty,
dojsha n'Shkodër me kalue,
m'e pa prap at'vend me sy!
Por... ti shko atje... fluturim
e ti qajma fatin tim.
Nji lules së vyshkun
Lulja e bukur – keput kush të ka,
Prej shoqesh tueja – kush te paska nda?
M’je vyshke e thamun – lulja e shkretë
Qysh se të kanë tret
Se ti dhe unë – nda prej shoqënisë
Larg prej qytetit – tim, prej Shqiperisë
Si ti u dogja – lulja e shkretë
Ne dhe t’huejin tret
Ti, ne kopsht tandin – ku ke lulzue
T’ka ushqye vesa – dielli t’ka gzue
Por tash je veshkun – lulja e shkretë
Tash ** t’ka tretë!
Edh’ un, n’dhe timin – gjith i gazmue
Prindet me knaqshin – isha i lumnue
Por tash po digjem lulja e shkretë
N’dhe t’huejin tretë
Si po prishet gjuha shqype?...
Gjyshat tonë, eh paçin dritë!
Njerz koktrashë, kurgja s'kanë dijtë:
..........Jan kenë t'hutuemun!...
Ata t'mjerët s'kan dijtë athera,
as buon giorno, as kali spera,
as sabah sherif teheir-ollsun!
Na sot jem për t'u lavdue,
dijmë me folë, me bisedue
..........nga mendja jem holluemun!
Çojmë n'dhe t'huej djalin m'u msue,
kombin tonë m'e përparue,
..........dhen tonë m'e nderuemun;
rri n'shkollë djali pesë - gjashtë vjet,
kur vjen n'Shkodër, shqyp nuk flet,
..........Shqypen ka harruemun!!!!
Kur flet shqyp, asht çud m'e ndi
Gjys-për-gjys tue e përzi
..........me fjalt t'gjuhve t'hueja!...
Thotë: me thanë la verita
ktu në Shkodër sot diçka
..........jan civilizuemun...
La gioventu ka studiue
di me folë, me ragionue
..........po m'vjen mirë: bravissimo!
Veramente, n'shkolla t'hueja
me kenë me studiue dhe grueja,
..........kish me u ndritë il popolo,
Se n'dhe t'huej asht rispettata,
grueja asht emancipata,
..........nuk asht schiava e burrave!...
Dhe kah ana e Toskenis
ku janë shkollat e Greqis,
..........çud asht me i ndigjuemun;
atje Toskat t'thotë gjithehera:
mirëmbrëma, kali mera
..........si ta kam, kalla mu ise?!
Thuej: ç'po bahet nga Greqija?
T'thotë: atje është elefterija,
..........bota është e gëzuarë!!!
Nga Jakova e nga Pesrendi,
n'Stara Serbia ku i kishteni
..........msohet n'shkolla t'serbëve,
tue folë shqyp t'thotë me pahir:
si ja brate, nadja e mirë,
..........dobro itro, kakoti?...
E kshtu gjuha po shëmtohet,
dhe kshtu kombi po mjerohet
..........nga shkollat e hueja!...
Faqja 1 e 1
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi