Klea Love Forum
Klea Love Forum - Welcome
Grua në errësirë - Tregim nga Suzana Kuqi People-icon
Mirë se vini në Klea Love Forum, Ju ftojmë që të Regjistroheni, në mënyre që të keni aksese në të gjitha kategorit dhe temat, në Klea Love Forum, mund të gjeni Shoqeri, Filma Shqip dhe të huaj, Muzikën më të re 2013, DVD Humore shqip, Këshilla Mjeksore, Diskutime, Video Klipe, Kuriozitete, dhe Lajmet më të reja nga vendi dhe bota.

KleaLove.com / Staff.


Join the forum, it's quick and easy

Klea Love Forum
Klea Love Forum - Welcome
Grua në errësirë - Tregim nga Suzana Kuqi People-icon
Mirë se vini në Klea Love Forum, Ju ftojmë që të Regjistroheni, në mënyre që të keni aksese në të gjitha kategorit dhe temat, në Klea Love Forum, mund të gjeni Shoqeri, Filma Shqip dhe të huaj, Muzikën më të re 2013, DVD Humore shqip, Këshilla Mjeksore, Diskutime, Video Klipe, Kuriozitete, dhe Lajmet më të reja nga vendi dhe bota.

KleaLove.com / Staff.
Klea Love Forum
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Grua në errësirë - Tregim nga Suzana Kuqi

Shko poshtë

Grua në errësirë - Tregim nga Suzana Kuqi Empty Grua në errësirë - Tregim nga Suzana Kuqi

Mesazh nga noranda Fri 2 Oct 2009 - 8:00

Grua në errësirë - Tregim nga Suzana Kuqi


Zbrazëtia e gjysmës së shtratit i kujtoi se i shoqi nuk ishte
kthyer në shtëpi mbrëmjen e shkuar.Tashmë ishte mësuar, ishte grua artisti, të
njohur madje. Të gjithë e adhuronin. Dikur e kish adhuruar edhe
ajo dhe e kish dashur. Shumë. Kushedi me kë ka qenë mbrëmë, mendoi tek po lante
dhëmbët. Hamendësimet shkumëzuan së bashku me pastën e dhëmbëve e pastaj së
bashku me të u shpëlanë e rrëshkitën bashkë me ujin. Nuk ka rëndësi, do të
kthehet prapë. Do të mundohet ta harrojë edhe atë ashtu siç ka bërë me të
tjerat.

- o -

Shtyu derën e hyri në
dhomën e hotelit. E kishin lajmëruar se i shoqi e kish lënë që në mëngjes e kish
paguar edhe llogarinë. Shikoi me kërshëri përreth. Dhoma ishte pastruar e
rregulluar, asnjë shenjë që të mund të dëshmonte për sa kish ndodhur ato ditë të
mungesës së tij në shtëpi. Shkoi tek dritarja dhe e hapi. Koha ishte e bukur dhe
e kthjellët, me atë kthjelltësi pafajësie pas një nate me shi. Poshtë dritares
pa bishta cigareje të lagur, të shëmtuara, si një çast pasioni të gabuar të
konsumuar e të djegur shpejt. Të shkoi keq edhe këtë rradhë, një tjetër grua për
t'u harruar... sepse... nuk e ke lidhur me fillin e mbiemrit tënd që ta
tërheqësh nga cepi i harresës...

- o -

E gjeti të shoqin në
studio tek po punonte mbi një telë. Qëndroi tek dera dhe admiroi lëvizjen e
shkathët të penelit. Abstraksion, nuk e dinte se ç'kish ndërmend të shprehte ai
me të, por asaj ju duk si një varr i përmbysur. E përshëndeti duke i buzeqeshur.
Mendimi se ai ishte sërish aty, dhe... çuditërisht ndjesia se fundja nuk i bëhej
më vonë se ku kishte qenë, e bëri të vinte buzën në gaz përsëri. Ai kishte qenë
me shërbim dhe aq. Kurrë nuk do ta pranonte se e kish tradhëtuar dhe kurrë nuk
do të pranonte që ajo t'a tradhëtonte. Mendjemadh, mendoi ajo dhe i buzëqeshi
për herë të tretë. Jo, ajo nuk mund ta bënte, jo sepse nuk donte por... sepse
nuk ja vlente... Ai e kish mbajtur me kujdes nën hijen e tij duke ja zbehur të
gjitha vlerat, e vetmja gjë që i kish mbetur ishte ajo e ndershmërisë. Ajo ishte
gruaja e atij artisti të madh, dhe... ishte e ndershme. Ja përse e vlerësonin,
sepse ishte e ndershme, asnjë meritë tjetër. Endrrat e saj për artin kishin
perënduar me talentin e saj të shtypur nga madhështia e talentit të tij. Shkoi
herët për të fjetur e mori të lexonte një libër. Ai erdhi, si gjithnjë u zhvesh
e u shtri bri saj. Në fillim larg, pastaj filloi të afrohej. Ndjeu duart e tij
tek e preknin, të shkathëta si me penelin. Ajo ishte tela e tij, ai po
pikturonte ...mbi të... varrin e kujtimit të gruas së fundit që kish pasur ndër
duar... gruaja e tij për të harruar gratë e botës...trupi, tempulli i shpirtit
të saj ku ai lutej për pak harrim të zhgënjimit të makutërisë së tij. A më ka
dashur vallë ndonjëherë, mendoi tek ndjente këmishën t'i rrëshqiste përgjatë
trupit, apo kam qenë vetëm stacioni i ndërrimit nga njëra grua tek tjetra,
stacioni i harrimit... ndjeu duart ta preknin e ta hapnin, kërkonin thellë sa më
thellë... Sa i thellë duhet të jetë një varr ..? Nuk kundërshtoi, e fundja
përse? Një varr më shumë a një më pak ... në një varrezë dashurie, ç'punë i
prishte asaj... Ajo do ta bënte të harronte, edhe emrin, edhe aromën, edhe
flokët e asaj tjetrës, e kish bërë gjithnjë...Frymemarrjet u vështirësuan,
ofshama, kënaqësi që rritej, rënkime, pastaj më të forta derisa...ai thirri
emrin e saj. Atë tjetrën e kish harruar...

- o -

Burrin e zuri gjumi
shpejt. Ajo ngriti me kujdes në errësirë telën e saj. Mjaft më dëshira për burra
pa fytyrë. Me lëvizje të lehta e delikate, një fytyrë, sa i ngjante asaj të
burrit të saj. Ishte veç pak ndryshe, ishte vetëm i saj. Një burrë që të vinte
aty këtë moment, që të ishte i zoti të shkatërronte atë varrezë, për t'a
shndërruar në një tempull. Tempujt ndërtohen për Zotat, mendoi, po bie në mëkat.
Por a nuk kishin bërë mëkate të gjithë ata që kishin ngritur tempuj? Le ta
fillojmë, deri sa mban mend historia. Ishin vetëm mashtrim, me kohën ranë një e
nga një me zotat e tyre.Tani kish arritur tek duart. Të zakonshme por delikate
në prekje. Të kthehem përsëri tek fytyra. Sytë, më hyjnë në shpirt, por buzët...
duhet të jenë më premtuese, prej andej del fryma, zëri, fjalët , ato dhurojnë
puthjen. Po ngjyrën e syve? Të blertë janë më të bukur, por janë të pabesë.
Ndoshta Zoti i ka në ngjyrën e qiellit, por nuk janë të qëndrueshëm. Më mirë në
ngjyrë të tokës, është më e qëndrueshme, më e ngrohtë e më besnike. Nuk kish
dëgjuar ndonjëherë se toka i braktis njerëzit, përkundrazi. Kjo duhej të ishte
fytyra që duhej t'i ngjante Zotit, çuditërisht shumë e ngjashme me atë të të
shoqit. Sepse dikur e kam dashur, shumë. Zoti merr tiparet e njeriut që duam.
Ose të asaj pjese mashkullore të tij, pjesa femërore jam unë e së bashku do të
ndërtojmë këtë tempull. Portreti ishte mbaruar, fytyra e pikturuar i buzëqeshi.
“Eja”,- i tha ajo,- “zbrit nga tela”. Me një vështrim çapkën burri zbriti nga
tela. Ajo i bëri vend mes saj dhe të shoqit. Filloi ta prekte me gishtërinj të
dridhur...

- o -

Ajo i buzëqeshi errësirës
që la pas imazhi i bukur i tempullit të saj. Dëgjoi gërhimën e lehtë të të
shoqit dhe u mundua të shquante tiparet e tij mbi nënkresën e bardhë. Atë natë
ishte aty, e ndoshta edhe shumë netë të tjera në vazhdim, derisa instinkti i
gjahut pas grave të bukura t'i zgjohej sërish. Dikur kish qenë zot i tempullit
të saj, dikur, tani ishte një monument, një përmendore së cilës i falej përpara
çdo tradhëtie që i bënte. Tradhëtie? Ajo vuri buzën në gaz tek dritat e një
makine të vetmuar në shkretëtirën e errët të rrugës depërtuan në dhomë e
ndriçuan një çast fytyrën e tij të qetë e të vetëknaqur. I shkreti ti, mendoi,
nuk e ke menduar kurrë se unë jam grua, e kam aq forcë në shpirt sa për tu
hakmarrë...jo me burra hoteleve, nuk i shkon natyrës sime. Kam aq forcë e magji
në shpirt, sa të tradhëtoj edhe me ajrin që ti thith dhe e nxjerr prej
mushkërive...


Nga Suzana Kuqi
noranda
noranda
I/e Regjistruar
I/e Regjistruar

Vendbanimi Vendbanimi : shqiperi
Postime Postime : 10
Gjinia Gjinia : Female
Anëtarësuar Anëtarësuar : 08/05/2009
Mosha Mosha : 36
Hobi Hobi : Shopingg

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi