Deri në fund të jetës, dashuria vë në provë
2 posters
Deri në fund të jetës, dashuria vë në provë
Çfarë çifti! Dy muzikantë tetëdhjetëvjeçarë të izoluar në një apartament në Paris. Çdo gjest, çdo frazë, çdo vështrim, flet për brishtësinë e tyre. Sonatat e Shubertit, albumet e fotove të rinisë, vizitat e të afërmve, rituali qesharak i kujdesit të infermierëve: të gjitha këto e shtojnë dhimbjen. Ky dekor studioje hiperealist kthehet papritur në hapësirë makthi, falë neutralitetit të imazhit nga Darius Khondji, operatori franko-iranian.
Elsa Demo
Në kinemanë e njëzetvjeçarit të fundit të regjisorit austriak Michaele Haneke, njeriu nuk gjen rrugëdalje. Mund të mos i kërcënohet dhe preket thjesht jeta fizike, por bota e tij shpirtërore e psikike përmbyset dhe nuk del në breg. Raportet njerëzore qofshin lidhje gjaku solidare (Lojëra të Çuditshme, 1997) apo traumatike (Pianistja, 2001), martesa të kultivuara (Fshehur, 2005) apo të ndërprera papritmas (Koha e ujkut, 2003) përshkruajnë me gjuhë të kulluar realitete konkrete të qeta e të shtruara, por substrati i absurdit që ngrihet prej tyre, vjen e kryen operacione abstrakte për fuqitë e kufizuara të njeriut, ia bën rrethanat të egra, mizore, hakmarrëse, vrasëse. Këto trajton me ftohtësi ky Kafka i kinemasë bashkëkohore. Madje prej Franc Kafkës, Haneke ka bërë një realizim televiziv të romanit "Kështjella"� (me protagonistë dyshen e aktorëve të preferuar Ulrich Mühe, Susanne Lothar.)
Në filmat e përmendur, vdekja dhe dhuna vjen drejtpërdrejt, ngadalë apo menjëherë (një familje masakrohet para syve tanë, një arab çan fytin para "kundërshtarit"� oksidental, një pianiste mpin përgjithmonë organin e vet seksual, një dorë e padukshme fëmije ekzekuton parinë e një fshati në prag të Luftës së Parë Botërore).
Michael Haneke vë në provë njeriun me gjithsejtin e të së mirës dhe të së keqes. Nëse do të kishte një rrugë për tu nisur nga e para, ajo vetëm për më keq do të rimerrej (Lojëra të çuditshme). Është natyra e gjendjes njerëzore që ka provokuar qerthuj të cilët në udhëkryqe marrin statusin e forcave kontrolluese. E si të ishin raste klinike, Haneke i mban përshkrimet në duet apo kuartet aktorësh e rrallë në ansambël (Shiriti i bardhë).
Referuar kritikave, kështu duhet të jetë edhe filmi i tij i fundit "Dashuri"�, i vlerësuar të dielën në mbrëmje me Palmën e Artë në Festivalin e 65-të në Kanë, ku konkurroi ndër 22 prodhime nga bota. Përtej bakanaleve të Kanës "që digjen në hirin e një magjie zhdukur kohë më parë"�, siç shkruante dje në "Le Monde"� Jacques Mandelbaum, përtej shampanjës, xhaketave e fustaneve të mbrëmjes, ekziston kinemaja që e bën esëll audiencën. "Dashuri"� i Michael Haneke-s është një ndalesë për të menduar në mesin e këtij shfrenimi, tek përshkruhet me "klas të pamat nga Emmanuelle Riva dhe Jean-Louis Trintignant"� dashuria e një çifti tetëdhjetëvjeçarësh i kapur nga sëmundja dhe ankthi që tani njëri do ta lërë tjetrin.
Ana (Emmanuelle Riva) dhe Zhorzh (Jean-Louis Trintignant) mësues muzike në pension, jetojnë të izoluar në një apartament të bukur në Paris. Vajza e tyre Eva (Isabelle Huppert) edhe ajo muzikante jeton jashtë me familjen e saj: "Nuk kam kohë të merrem me shqetësimin tuaj. Keni jetën tuaj. Na lini të bëjmë dhe ne tonën."� Ana pëson një goditje cerebrale dhe prej këtij momenti, fillon teposhta e çiftit i lidhur për vdekje me një dashuri të parrëfyer. "Jean-Louis Trintignant (81 vjeç), është madhështor dhe prekës. Ne arratisemi me të ndërsa ai tregon kujtimet e rinisë. Emmanuelle Riva (85 vjeç) vështron pa nostalgji albumet e fotove. Dhe kaq mjafton për të kuptuar se ajo do të ikë."�
Olivier Delcroix shkruan në "Le Figaro"� që "Michael Haneke, 70 vjeç, ka realizuar një dramë intime, e zhveshur, lineare Me mënyrën e tij unike për të shkaktuar vuajtje gjithnjë në rritje, ia del të na mbyllë në këtë qendër vdekjeprurëse me dyer të mbyllura, ku asgjë dhe askush nuk del i padëmtuar. Me përjashtim të dashurisë së çeliktë që i mban bashkë një burrë dhe një grua."�
Salla ka duartrokitur gjatë vendimin e jurisë me president kineastin italian Nanni Moretti. Regjisori Haneke tha thjesht falemnderit dhe iu është drejtuar aktorëve duke thënë se ata janë esenca e "Dashurisë"�. Emmanuelle Riva, heroina e "Hiroshima mon amour"�, kishte 53 vite pa shkelur në skenën e Kanës. Ndërsa Jean-Louis Trintignant, që nuk xhiron prej 14 vitesh, kur u ngjit në skenë, mbrëmjen e ceremonisë më 27 maj, tha për regjisorin këto fjalë: "Kam parë filmin e tij "Caché"� dhe kam thënë se po të kthehesha në xhirime, do ta bëja vetëm për të."� Për Jean-Louis Trintignant, kjo është hera e nëntë në konkurrim në Kanë, ku për herë të parë, e pat sjellë më 1966 filmi "Një burrë dhe një grua"� i Claude Lelouch.
Duke iu drejtuar së shoqes në sallë, Haneke, pohoi se ky film "reflekton gjendjen e tyre"�, nëse një ditë njëri prej tyre do të ndodhej në situatën e protagonistëve.
Në vitin 2009 Haneke u vlerësua me Palmë për "Shiritin e bardhë"�. Të laureuar si ai, dy herë me Palmën e Artë, janë gjithsej në botë pesë kineastë: amerikani Francis Ford Coppola, danezi Bille August, serbi Emir Kusturica, japonezi Shohei Imamura dhe vëllezërit belgë Dardenne.
Si përfundim kritika e quan të merituar këtë çmim sikurse dy çmimet për skenarin e filmit "Përtej kodrave"� i regjisorit Cristian Mungiu dhe për dy aktoret protagoniste.
Bilanci që i bëjnë Kanës mediat franceze tregon që do të duhej të meritonin më shumë filmat "Motorë të shenjtë"� nga Leos Carax, "Kozmopolis"� nga David Cronenberg, "Në mjegull"� nga Sergei Loznitsa, "Ju akoma nuk keni parë asgjë"� nga veterani i Valës së Re franceze Alain Resnais (89-vjeçar). Për seksionet "Quinzaine des réalisateurs"� dhe "Semaine de la critique"�, kritika thekson se festivali do duhej të vinte më tepër në dukje të rinjtë, autorë nga India si Vasan Bala, apo bullgari Ilian Metev me dokumentarin e tij haluçinant për mosfunksionimin e urgjencave mjekësore, autorë nga Izraeli Ami Livne e Ini Avan, nga Sri Lanka Asoka Handagama.
Për çmimet e Kanës që po rendisim veçan, kemi përfshirë edhe gjykimin e krikut francez të kinemasë Jean-Luc Wachthausen.
Nuk është aspak ky vit ndër më të mirët. Kanë 2011 vazhdon të mbahet mend për prurje si "Melankolia"� Lars van Trier, "Pema e jetës"� Terrence Malick, "Artisti"� Michel Hazanavicius, "Lufta është shpallur"� Valérie Donzelli dhe Jérémie Elkaïm.
Përballë krizës, dy zgjidhje ka ofruar kinemaja e këtij edicioni: dashuri o vdekje, siç thotë Thomas Sotinel në numrin e djeshëm të "Le Monde"�. Nga pesëdhjetë filmat konkurrentë në të gjitha kategoritë, ky edicion mund të përmblidhej kështu: kriza e sistemit është atje, e thellë, ajo rregullon sjelljen e njerëzve në shoqëri. Për ti shpëtuar asaj, njerëzit dy rrugë kanë: vdekjen dhe dashurinë. Shumë kineastë i kanë kujtuar me forcë audiencës gjendjen e saj prej vdekatarësh.
Me këtë frymë lexohet edhe afishja e festivalit që paraqiste Marylin Monroe-në me fustan të zi tek i fryn qiririt të një ëmbëlsire. Foto e realizuar më 1 qershor 1956, me të cilën i bëhet njëherësh homazh pesëdhjetëvjetorit të vdekjes së aktores dhe 65-vjetorit të Festivalit të Kanës.
Në këtë frymë është parë mjaft i goditur dhe prekës citimi që Jean-Louis Trintignant i bëri Jacques Prévert-it në skenë: "Sikur të përpiqeshim për të qenë të lumtur do duhej veç të jepnim shembullin."� "Dashuri"� i Michael Haneke-s del në kinema më 24 tetor. Urojmë të vijë dhe në kinematë e Tiranës.
Palma e Artë
"Dashuri"� i austriakut Michael Haneke. Film i madh por linear që duhet vlerësuar sidomos për lojën e shkëlqyer të aktorëve.
Çmimi i Madh
"Realitet"� i italianit Matteo Garrone. Të njëjtin çmim Garrone e fitoi më 2008-ën për "Gomorrën"�, por kritika shprehet e pakënaqur me skenarin dhe e quan "çmim ngushëllues për Italinë"�.
Çmimi për interpretimin femëror (ex-aequo)
Rumuneve Cosmina Stratan dhe Cristina Flutur për filmin "Përtej kodrave"� i Cristian Mungiu-t. Edhe kritika e vlerëson lart interpretimin e dy aktoreve.
Çmimi për interpretimin mashkullor
Danezit Mads Mikkelsen për "Gjuetia"� nga Thomas Vinterberg. I merituar çmimi për interpretimin e thellë e njerëzor.
Çmimi për regjinë
Meksikanit Carlos Reygadas për "Post Tenebras Lux"�. Kritika ka qenë mjaft e hidhur me këtë film, duke e konsideruar dështim të festivalit, që film që nuk është film dhe një regji që sështë regji.
Çmimi për skenarin
Rumunit Cristian Mungiu për "Përtej kodrinave"�. Skenari është frymëzuar nga një ngjarje e vërtetë që bëri bujë në vitin 2005, kur një vajzë gjeti vdekjen pas një seance ekzorcizmi në një manastir të humbur në veri-lindje të Rumanisë. Mungiu është fitues i Palmës së Artë më 2007 me "4 muaj, 3 javë e 2 ditë"�. Ky film është cilësuar surprizë e mirë e festivalit dhe padyshim historia më e fortë dhe më origjinale në konkurrim.
Çmimi i jurisë
"Pjesa e engjëjve"� i britanikut Ken Loach, veteran i Kanës, fitues i Palmës së Artë më 2006. Loach ka thënë në ceremoni: "Kana na tregon që kinemaja nuk është veç zbavitje por reflekton realitetin e botës. Flet për ata që në këtë periudhë ngushticash ekonomike, rezistojnë."� Ishte unanim vlerësimi i këtij filmi.
Kamera e artë
"Kafshët e jugut të egër"� i amerikanit Benh Zeitlin.
Palma e Artë për metrazhin e shkurtër
"Heshtje"� i turkut Rezan Yesilbas. Në seksionin "Un certain regard"�, ishte një premierë e bukur në formën e mesazhit të dashurisë së një babai për të bijën.
Regjisori i ngricës emocionale
I lindur më 23 mars 1942 në Mynih nga një nënë aktore dhe baba regjisor, Michael Haneke, studion filozofi dhe psikologji. Vë në skenë pjesë për teatër, prej vitit 1967 për Kompaninë Südwestfunk. Më 1970, ai del regjisor i pavarur, dhe është viti 1973 kur debuton në televizion me "Pas Liverpulit"�. Filmi i parë i gjatë, "Kontinenti i shtatë"�, del në kinema pasi ishte refuzuar nga kanalet televizive. Me këtë film Haneke inauguron trilogjinë për "ngricën emocionale"�, e ngritur mbi konstanten e zhvillimit të dhunës në shoqëritë moderne. I dyti është "Videoja e Benit"� më 1992, ndjekur më 1994 nga "71 fragmente të një kronologjie të fatit"�. Më 1997 shkakton bujë shfaqja e "Lojëra të Çuditshme"� (me protagonistë bashkëshortët Ulrich Mühe e Susanne Lothar) në Festivalin e Kanës. Regjisori i "ngricës emocionale"� e çon në zenit diskutimin e tij mbi dhunën në shoqërinë moderne. Prej këtij viti ai është vazhdimisht prezent në Kanë.
Emona- WebMaster
- Postime : 46759
Gjinia :
Anëtarësuar : 12/03/2010
Re: Deri në fund të jetës, dashuria vë në provë
epo ka dhe nga ato njerez qe sduan tia dine per dashurine
Anakonda- V.I.P Anëtarë
- Vendbanimi : Australia
Postime : 31717
Gjinia :
Anëtarësuar : 02/12/2011
Mosha : 34
Hobi : Once Upon A Time
Similar topics
» Totti: Nuk dorëzohemi deri në fund
» Tuneli i Kalimashit gati deri në fund të marsit
» Kinë, besnik deri në fund, qeni që ruan varrin e padronit
» Nganjehere shakat jane fatale - Shiko Videon deri ne fund.
» E bindur për fundin e botës, i jep fund jetës
» Tuneli i Kalimashit gati deri në fund të marsit
» Kinë, besnik deri në fund, qeni që ruan varrin e padronit
» Nganjehere shakat jane fatale - Shiko Videon deri ne fund.
» E bindur për fundin e botës, i jep fund jetës
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi