Klea Love Forum
Klea Love Forum - Welcome
GJAKMARRJA, SHTETI DHE SHOQËRIA CIVILE People-icon
Mirë se vini në Klea Love Forum, Ju ftojmë që të Regjistroheni, në mënyre që të keni aksese në të gjitha kategorit dhe temat, në Klea Love Forum, mund të gjeni Shoqeri, Filma Shqip dhe të huaj, Muzikën më të re 2013, DVD Humore shqip, Këshilla Mjeksore, Diskutime, Video Klipe, Kuriozitete, dhe Lajmet më të reja nga vendi dhe bota.

KleaLove.com / Staff.


Join the forum, it's quick and easy

Klea Love Forum
Klea Love Forum - Welcome
GJAKMARRJA, SHTETI DHE SHOQËRIA CIVILE People-icon
Mirë se vini në Klea Love Forum, Ju ftojmë që të Regjistroheni, në mënyre që të keni aksese në të gjitha kategorit dhe temat, në Klea Love Forum, mund të gjeni Shoqeri, Filma Shqip dhe të huaj, Muzikën më të re 2013, DVD Humore shqip, Këshilla Mjeksore, Diskutime, Video Klipe, Kuriozitete, dhe Lajmet më të reja nga vendi dhe bota.

KleaLove.com / Staff.
Klea Love Forum
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

GJAKMARRJA, SHTETI DHE SHOQËRIA CIVILE

2 posters

Shko poshtë

GJAKMARRJA, SHTETI DHE SHOQËRIA CIVILE Empty GJAKMARRJA, SHTETI DHE SHOQËRIA CIVILE

Mesazh nga WebMaster Thu 12 Jul 2012 - 7:32

Kanuni ishte rregullator dokesor, ligjor dhe jo “kobure” e ngrehur në duart e askujt

GJAKMARRJA, SHTETI DHE SHOQËRIA CIVILE Ndue-Dedaj-300x225“U
banë 15 vjet që pres të vendoset drejtësia. Edhe sot e kësaj dite
shkruej letra në zyrat ma të nalta të shtetit, por marr përgjigje, sa me
la gojën… I jam drejtue Presidentit, ministrit të Brendshëm, prokurorit
të Përgjithshëm etj. Vrasësi i tim biri ka emigrue me kohë dhe unë nuk i
kam mbyllun brenda njerëzit e tij, të atin, vëllaznit, apo, prite Zot,
fëmijët. Pse të marr mbi vete gjynahet e tyne, tue i pengue të venë në
punë, shkollë etj. Kam prit se mos vrasësin (doracin) do ta sillnin para
meje për me m’kërkue falje, me m’ra në gjunj, simbas zakonit, se do ta
kisha falun, por nuk e kanë ba!…” Kjo është dëshmia autentike e një
burri 75-vjeçar nga Malësia e Madhe. Ky është malësori tipik,
mentaliteti i tij burrëror, falës, pajtues, por jo gjithnjë atij i
preken telat e mirësisë nga ndërmjetësit, teksa shteti nuk arrin ta
gjejë, ekstradojë dhe dënojë autorin e krimit. Krahas njerëzve të tillë
me mend në kokë, që janë dhe shumica mbizotëruese, njëzet vitet e fundit
mjerisht është (sh)formuar dhe një kategori kriminale që nuk njeh as
ligj, as zakon. Këta jo vetëm që kanë shkaktuar viktima të
herëpashershme në bashkëfshatarët apo të afërmit e tyre, por kanë
krijuar dhe deformimin e keqkuptimin më të skajshëm të Kanunit. Kanuni
ishte rregullator dokesor, ligjor për ato kohë dhe jo “kobure” e ngrehur
në duart e askujt. As bombë që mund të pëlciste kudo e kurdo. As minë
me sahat. Ai ishte i vetmi instrument e institut mbrojtës në një shoqëri
pa shtet. Kjo është e gjitha. Ambroz Marlaskaj, kur ishte deputet në
Parlamentin e parë shqiptar, ishte për përshtatjen e Kanunit të Maleve
me rrethanat e kohës dhe në atë mënyrë të formohej Kodi Civil shqiptar,
por u kundërshtua nga disa parlamentarë, që sipas tij, donin të
shartonin sheriatin me kodin napoleonik. Gjithsesi, në thelb Kanuni
ishte për dikur e jo për sot, pasi pos asaj që sot kemi shtetin ligjor,
të tjerë janë dhe njerëzit që veprojnë në emër të Kanunit, më së shumti
abuzues, përfitues të paskrupuj, kurse në rastet e vetëgjyqësisë,
shpërdorues skandalozë të dokes së vjetër. Nuk mund të ndodhte
kurrësesi, në zonën e Kanunit, që të ngrihej prita pas gardhit dhe të
qëllohej mbi mbarë njerëzit e një shtëpie, duke shkaktuar masakër ditën
për diell, si këto ditë në një fshat të Pukës, ku qëllohet autobusi me
familjarë, vriten dy vëllezër e plagosen një grua e një burrë. Për më
tepër në të kremten e Shën Palit, kur faleshin gjaqe. Krimi i rëndë
ndodhi për pronësi toke, që jo vetëm në malësi, po gjithkund është burim
konfliktesh, si në rastin e gjykatësit të ndjerë, Konomi në Vlorë, me
gjithë një vendim të Gjykatës së Lartë në favor të tij etj. Rendi i ri
demokratik vërtet e ktheu tokën tek i zoti, por praktikisht metri i
shtetit ende nuk e ka ndërtuar tapinë e tokave, kullotave, vijave të
ujit…



Një vetëgjyqësi e paralajmëruar dhe mosreagimi shtetëror në kohën e duhur

Mjafton nganjëherë dhe një rast i vetëm, i bërë gjithanshmërisht
publik, për të kuptuar ato që ngjajnë prapa “kuintave” të maleve dhe jo
vetëm, që shpesh mjegullohen nga komentet e përcipta dhe njerëzit nuk
arrijnë të kuptojnë se nuk kemi të bëjmë me Kanunin historik, po me
shpërdorimin e tij. Dhe sfida është parandalimi i vetëgjyqësisë.
Lexuesit e kanë të freskët rastin e një burri nga Mirdita para 7 muajsh,
kur familjarisht zuri derën e ambasadës amerikane në Tiranë, për të
kërkuar zgjidhje për një konflikt pronësie që kishte në fshatin e tij. U
dërgua në policinë e kryeqytetit dhe atë të rrethit, ku me siguri duhet
të jetë këshilluar. Me atë rast ai pati paralajmëruar se nëse nuk do
t’i zgjidhej problemi, do të vepronte vetë. Mirë a keq kjo është logjika
e shumëkujt në këta njëzet vjet. O me shtet, o (po nuk veproi shteti)
me Kanun. Në kuptimin e daljes për zot pronës dhe jo domosdoshmërisht të
shkuarjes deri në krim, paçka se rrugës gjërat shpesh trashen, dhe se
nuk janë më në fuqi e në veprim pleqësitë tradicionale që zgjidhnin
ngatërresat kësodore. Pse të mos e shohim problemin pra dhe nga kjo
optikë, që është e lidhur me shqetësimet e njeriut për pronën, aq më
tepër me psikologjinë konservatore të fshatarit në këtë mes.
Vetëgjyqësia fundja e ka një të “mirë”, pasi ajo gjithmonë është
“kronikë e një vdekjeje të paralajmëruar”, që do të thotë se të bën me
dije ty si polici, komunë, komision të kthimit të pronave, shoqëri
civile se ç’mund të ndodhë, të lë kohë të veprosh me ligj, ndërmjetësim
etj. Po u more seriozisht dhe në kohë, e shmang të keqen. Në rastin e
sipërthënë, nuk u trokit në “portën” e konfliktit në kohën e duhur…



Gjakmarrja nuk është ekzotike, të atillë e bëjmë ne!…

Ka ca gjëra që dhe pse thuhen sa herë, prapë tirren e pështillen pa
fund. Këmbëngulet që devijimet e spekulimet të merren për “Kanun”. Si
për ta davaritur këtë mjegullnajë, shkruante këto ditë Fatos Baxhaku:
“Në kohët tona, të ashtuquajtura moderne, kanë ndodhur dy fenomene,
kryesisht të ardhura nga padija dhe konfuzioni. Më i pari është
konceptimi i Kanunit si një lloj fajtori, si një numër rregullash që i
shtyn njerëzit të vrasin me krenari, me gjak të ftohtë, ndonjëherë ka
edhe idiotë që e konsiderojnë Kanunin sikur të ishte një njeri i
shpellave, i cili u fryn malësorëve në vesh. Në fakt, ka qenë pikërisht e
kundërta…” Ka pasur jo pak mendje të ndritura që i kanë rrahur çështjet
kanunore, veçmas gjakmarrjen, me urtësi e profesionalizëm, ku mjafton
të përmendim një shqiptar si Ernest Koliqi dhe një të huaj (por shqiptar
për nga vokacioni albanologjik) si Zef Valentini. Edhe sot ka nga ata
që e bëjnë këtë, publicistë, klerikë, juristë etj., brenda dhe jashtë
Shqipërisë. Kush i ka ndjekur në shkrime e kumtime e di mirë se në
gjakmarrjen e dikurshme nuk kishte asgjë ekzotike, si dhe në këtë të
sotmen, që është kryekëput një shtrembërim i asaj të së kaluarës. Ja
disa rregulla të kodit zakonor që e dëshmojnë këtë. Ndalohej me fjalë e
me vepra vrasja për gjak e fëmijëve, grave, pleqve të moshuar,
misionarëve të fesë etj. Kur njeriu në gjak ishte me një fëmijë përdore,
nuk mund të qëllohej mbi të. Ashtu si nuk vritej për gjak ai që nuk
kishte se kush t’ia merrte gjakun. Gjakmarrja kishte rregulla strikte
dhe nuk mund të ndodhte në asnjë rast që të vritej femra. Për vrasjen e
një gruaje bihej dyfish në gjak. Ishte e ndaluar bile të shtije dhe mbi
vetë hasmin kur ai e kishte pushkën me grykë poshtë, jo më mbi të
tjerët. Asgjë, pra, nuk zgjidhet duke e quajtur gjakmarrjen: arkaike,
ekzotike, mesjetare, tribale etj. Ajo është njëlloj qysh nga koha e
Kainit dhe Abelit (që s’i përkisnin ndonjë Kanuni). Nëse nuk vepron
ligji, kudo mund të ndodhë hakmarrja, anarkia, destabiliteti. Në një
vend ku zhvatet prona publike dhe ka korrupsion marramendës, doemos që
do të ketë hakmarrje, për shkak të përplasjes së interesave, aferave,
trafiqeve, që diku mund të përkthehet dhe si gjakmarrje. Është e rëndë
të thuhet, po një shteti që i vritet deputeti, gjyqtari, kryekomunari,
policët, biznesmenët, kot e kërkon fajin te gjakmarrja, e cila duhet
llogaritur për aq sa është e pranishme. Sipas Policisë së Shtetit, në
periudhën 2001-2005, vrasjet për gjakmarrje ishin mesatarisht 7.5 për
qind në vit. Gjatë vitit 2008 nga 85 vrasje gjithsej, ato për gjakmarrje
ishin 4, ose vetëm 4.7 për qind e tyre. Ky është pak a shumë raporti
dhe sot. Natyrisht që dhe kaq është tronditëse dhe e pafalshme, nuk
duhet të ketë as dhe një vrasje me këtë shtysë fatale, ashtu si dhe as
për asnjë motiv tjetër, por dhe të përdoret herë pas here gjakmarrja si
alibi e vrasjeve për hakmarrje, nuk ka kuptim. Rastet e gjakmarrjes
vërtet janë dramatike e të dhimbshme, me pasoja të gjithanshme, po
krahas komenteve korrekte, pse duhet të ketë dhe “hartime”
antigjakmarrje, sa nganjëherë është më i qenë opinioni publik i njerëzve
në rrugë, se disa opinione mediatike. E mira është t’ua vëmë veshin
atyre që dinë t’i qasen asaj. “Në fakt, gjakmarrja ka perënduar me kohë e
me vakt. Ajo që përmendet në media s’është veçse fantazma e saj… Kjo që
për forcë zakoni mediat e quajnë gjakmarrje, s’është veçse një vrasje
barbare dhe primitive që bëhet jo sipas rregullit kanunor, por si ia do
qejfi individit…”, analizon Çapajev Gjokutaj. Po dhe të kundrojmë në
provat e historisë duke ballafaquar me të sotmen.

Kështu, lidhur me një aspekt nga më të debatueshmit, (mos)vrasjen e
(mos)ngujimin e fëmijëve Kanunisht, po sjellim një argument. Me 1910, në
vigjilje të krijimit të shtetit shqiptar, Kuvendi i Mirditës, që mbahej
në Shpal, merr vendimin: “Cilido që për hasmëri vret një fëmijë
shkolle, t’i digjet shtëpia, t’i merret pasuria, t’i priten pemët dhe të
nxirret për tre vjet nga fshati dhe bajraku”. Dhe nuk ka qenë një
formulim i thatë, por një ligj i zbatueshëm, krahas dhe një forme tjetër
ndëshkimi mjaft të rreptë, “grimjes katundisht” të atij që vriste një
fëmijë për gjakmarrje. Çfarë mund t’i kërkojmë më shumë të drejtës sonë
zakonore? E përsërisim, tjetër është devijacioni i sotëm kanunor. Ka
ndodhur që dikush duke dashur të vrasë për hakmarrje një të rritur, nga
errësimi i syve dhe arsyes, nuk e ka kontrolluar situatën dhe ka vrarë
pa dashje një fëmijë që gjendej me personin e që i ishte vënë prita. E
njëjta gjë mund të ketë ngjarë dhe me Marien në Dukagjin. Objekti i
shënjestrës duhet të ketë qenë gjyshi, kurse vrasja e saj aksidentale.
Po si është thënë gjithë këto ditë? Është nxjerr në plan të parë vajza
dhe thuajse është “harruar” gjyshi, si të mos kishte ndërruar jetë dhe
ai. Ja, pra, që ne vetë e konfigurojmë ngjarjen si ekzotike, për të
thënë se është vrarë një grua… nga Kanuni, për gjakmarrje! Dikush mund
të thotë e ç’rëndësi kanë të gjitha këto, fundja ajo vajzë u vra, aty në
arën e saj, në moshën më të bukur, duke pasur si shkak gjakmarrjen e
familjes. Për sa i përket krimit të dyfishtë, ai duhet ndëshkuar me
gjithë forcën e ligjit, mundësisht përmes ndonjë gjyqi shembullor, por
puna është që të mos ia vëmë ne si publik emrin krimit, por prokuroria,
gjykata, pasi kështu nuk do të dimë si të sillemi as nesër në luftën me
krimin e vrasjes.



Shteti, mes veprimit dhe mosveprimit

Natyrisht që shteti ka bërë dhe hapa kundër gjakmarrjes. Ka nene të
veçanta në Kodin Penal. Ka një “Shans të dytë” që zbatohet në shkollat e
disa qarqeve veriore për fëmijët e (vetë)ngujuar. Duhet saktësuar ky
term, pasi edhe mendjet me të krisura nuk urdhërojnë mbylljen e fëmijëve
brenda. Është më shumë frika nga e keqja, shpërdorimi, pasi jemi në
kushtet e një gjakmarrjeje pa rregulla si dikur. Organet shtetërore kanë
publikuar në vazhdimësi të dhëna për gjakmarrjen, kurse së fundi është
përpiluar dhe një raport për këtë. Ama pranohet nga të gjithë se është
mosveprimi i shtetit që çon në vetëgjyqësi, më saktë vendimet e buta të
dhëna nga gjykatat etj. Shkon një i palës së vrarë te prokurori dhe i
thotë, nëse i jepni dënim të lehtë vrasësit, na futët në gjak, pasi do
të detyrohemi të hakmerremi vetë. Vrasësi u dënua maksimalisht me burg,
kështu që pala “gjakmarrëse” u tërhoq, e quajti të mbyllur atë kapitull.
Shpagimin e tyre e kishte bërë shteti. Kurse në një tjetër rreth
gjykata e dënoi vrasësin me 2 vjet burg, çka nuk mund të pranohej nga
pala vetëgjyqësuese, e cila pas daljes nga burgu të personit vrasës (të
ikur jashtë shtetit) shtiu mbi të vëllain. Edhe për vrasjen e ndodhur së
fundi në kryeqytet, u tha se një vit më parë gjykata e kishte lënë të
lirë viktimën për mungesë provash, duke nënkuptuar një hakmarrje të
mundshme. Kështu analizohet dukuria, pa e parë atë si diçka “ekzotike”,
por pasojë e krizës morale e sociale. Për një krim si vrasja gjithkund
ka ndëshkime të rënda, por ai që e merr përsipër drejtësinë mbi jetën e
tjetrit është ligji i shtetit dhe vetëm ligji. Kështu duhet të ndodhë
dhe te ne për çdo rast. Për më tepër që gjakmarrja e deformuar ka
ngujuar përkohësisht dhe funksionarë shtetërorë: kryetarë rrethi,
komunash, deputetë, drejtor institucionesh, shefa policie etj. Një polic
vritet në Tiranë për gjakmarrje, i cili nuk kishte vrarë askënd e kur
me kanun “vrasja për fis” ishte ndaluar që në vitin 1904. Mjafton dhe
kaq që qeveritarët dhe funksionarët e tjerë të lartë t’i bashkohen
protestës qytetare si shtetarë dhe qytetarë. Veçse më parë ata lipset të
bëjnë detyrën e tyre ligjore për mbrojtjen e jetës së njerëzve. Për fat
të keq Shqipëria sot problemin me të madh të sajin ka humbjet drastike
të jetëve njerëzore, nga vrasjet, aksidentet e ndryshme etj., dhe një
drejtësi të korruptuar që nuk e ndëshkon krimin. Gjyqet e ndershme dhe
gjykatat ligjzbatuese e çojnë gjakmarrjen në zero.



Shoqëria civile dhe veprimi civil

Shoqëria civile nuk janë vetëm shoqatat, forumet, apo fondacionet që
zbatojnë projekte prej vitesh në fushën e të drejtave të njeriut,
zgjidhjen e konflikteve etj., që natyrisht kanë meritat e tyre. Por a
nuk janë në këtë cilësi dhe elitat kulturore, shkollat, organizmat e
ndryshme të zhvillimit etj. Puna është që të gjithë ta kenë me gjithë
mend dhe të gjenden akordet ndryshe nga deri më sot. Kur e ndërmorën
nismën intelektualët e Kosovës, nuk kishin aty as projekte e donacione
të huaja, as shoqata gjithnurësh, as komitete mbarëkombëtare pajtimi dhe
megjithatë bënë një nga mrekullitë shqiptare të shekullit XX. Kishin
idetë e qarta, idealin e madh dhe shpirtin e bardhë. Tipari i burrave të
Kanunit ishte peshimi i çështjeve sipas urdhrit të së drejtës dhe jo
përfitimi përmes leçitjes së “gjakut” deri në Belgjikë e Suedi për të
përfituar në emër të tij azil, strehim dhe punësim. Të jesh i shoqërisë
civile nuk mjafton që të flasësh në konferenca me të huaj me kufje në
vesh, në tubime me “burra zakoni” me qeleshe, të debatosh nëpër studio
me ato që di, apo të shkruash nëpër gazeta në vrap. Për ata që e njohin
gjendjen dhe psikologjinë e këtyre rrethanave, individët më precizë e më
të ndershëm që kanë folur, kanë qenë vetë personat në gjak, një për
një, i madh e i vogël, burrë apo grua. Ka aq shumë vërtetësi, emocion,
dinjitet në fjalët e tyre. Ligjërimi i tyre është i pamanipulueshëm.
Sidomos “Top Channel” ka depërtuar aty ku dhemb plaga e fshehur, duke
sjellë dëshmi tronditëse nga koha në kohë, veçmas në sensibilizimin e
fundit, duke i dhënë rastit të Maries përmasat e ngjarjes së madhe
mediatike, pasi dihet që pas këtij afishimi fshihen dhe të tjera fate
njerëzore.

Natyrisht që ka dhe mënyra të tjera për kontribuar në këtë mes. Tek
ndiqja përmes ekranit tubimin kushtuar Maries 17-vjeçare, me praninë dhe
të ambasadorit amerikan, po mendoja se dikur ishin të jashtëzakonshme
misionet jezuite (fluturuese), shtëpi më shtëpi, për falje e pajtime të
vështira. Protesta sensibilizon një ditë a më shumë, kurse ato misione
nuk shkuleshin, me ditë të tëra, nga shtëpia e atij që duhej të falte,
pa e marrë fjalën e gjakfaljes. Edhe në vitet e luftës, jezuitët kanë
kryesuar pajtime në malësitë e Dukagjinit. Atyre u bashkohej e gjithë
paria e vendit, njerëzit me ndikim në popull, që as sot nuk mungojnë.
Personalisht, nëse do të duhej shkuar në protesta kësisoj, patjetër që
do të veja, kurse po të flitet për një mision antonçetian “jezuit” që do
të shtegtonte maleve, do të thosha me gjithë zemër: “Më shënoni dhe
mua!” i bindur në suksesin e padiskutueshëm të një nisme të tillë. Ja,
këtë mendim modest do të kisha dashur t’ia shprehja shumëkujt nga
shoqëria civile, atyre që na asistojnë e mbështesin, përfshi dhe z.
Aleksandër Arvizu, për praninë publike të të cilit kam mjaft respekt.
Mendoj se dukuria është komplekse, hakmarrja është problemi ynë i madh:
përplasjet mes bandave kriminale për larje hesapesh, vrasjet për
pronësi, krimi në familje, vetëvrasjet e shpeshtuara, natyrisht dhe
gjakmarrja, paçka se jehona mediatike e kësaj është më e madhe, për
shkak dhe të ndjeshmërisë së lartë ndaj saj. Pa thënë se është hakmarrja
ajo që në disa zona gjeneron dhe gjakmarrjen. Në një popull jo pak të
shprishur nga vesi, nëpër gollat e tranzicionit, me mungesa të ndjeshme
në sjelljen qytetare, shoqëria civile vetëm nëse mund të shndërrohet në
edukuese e tij, do ta luante rolin e saj emancipues, natyrisht jo duke
lëvizur në shëtitoret me blirë të kryeqytetit, por duke rendur nëpër
shkrepat e maleve e baltën e fushave, nga vijnë më së shumti jehonat
tragjike të krimit kundër jetës së njeriut.

Së fundi, janë ca gjëra themelore të kulturës së një kombi, që kur
flitet për ekzistencën e tyre, jemi të gjithë në një mendje, në të
njëjtën gjatësi vale, bie fjala: për himnin kombëtar, çështjet e gjuhës,
boshtet e historisë, besimet fetare, monumentet etj. E Kanuni është një
nga këto kolona të mermerta të trashëgimisë sonë historike, ai nuk
është vetëm verior, por gjithëshqiptar, ka dhe këmbën e tij jugore, që
është Kanuni i Labërisë. Donn Rubin, një jurist i njohur nga
Uashingtoni, pohon se Kanuni “është pjesë përbërëse e identitetit ligjor
dhe kulturor të shqiptarëve”, se ai deri diku i përkufizon ata.
WebMaster
WebMaster
Fondatori i Forumit
Fondatori i Forumit

Vendbanimi Vendbanimi : Ku te dua un
Postime Postime : 98857
Gjinia Gjinia : Female
Anëtarësuar Anëtarësuar : 11/01/2009
Mosha Mosha : 45
Hobi Hobi : Të përballoj jetën

http://www.klealove.com

Mbrapsht në krye Shko poshtë

GJAKMARRJA, SHTETI DHE SHOQËRIA CIVILE Empty Re: GJAKMARRJA, SHTETI DHE SHOQËRIA CIVILE

Mesazh nga Anakonda Sat 14 Jul 2012 - 21:24

eshe shteti yn nuk po ben asgje per ta ndaluar nje fenomen te tille.
Anakonda
Anakonda
V.I.P Anëtarë
V.I.P Anëtarë

Vendbanimi Vendbanimi : Australia
Postime Postime : 31717
Gjinia Gjinia : Female
Anëtarësuar Anëtarësuar : 02/12/2011
Mosha Mosha : 34
Hobi Hobi : Once Upon A Time

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi