Klea Love Forum
Klea Love Forum - Welcome
Zinxhir dhimbjesh me pasoja të rënda, me përjetime të dhimbshme dhe mbi të gjitha me deformime shpirtërore People-icon
Mirë se vini në Klea Love Forum, Ju ftojmë që të Regjistroheni, në mënyre që të keni aksese në të gjitha kategorit dhe temat, në Klea Love Forum, mund të gjeni Shoqeri, Filma Shqip dhe të huaj, Muzikën më të re 2013, DVD Humore shqip, Këshilla Mjeksore, Diskutime, Video Klipe, Kuriozitete, dhe Lajmet më të reja nga vendi dhe bota.

KleaLove.com / Staff.


Join the forum, it's quick and easy

Klea Love Forum
Klea Love Forum - Welcome
Zinxhir dhimbjesh me pasoja të rënda, me përjetime të dhimbshme dhe mbi të gjitha me deformime shpirtërore People-icon
Mirë se vini në Klea Love Forum, Ju ftojmë që të Regjistroheni, në mënyre që të keni aksese në të gjitha kategorit dhe temat, në Klea Love Forum, mund të gjeni Shoqeri, Filma Shqip dhe të huaj, Muzikën më të re 2013, DVD Humore shqip, Këshilla Mjeksore, Diskutime, Video Klipe, Kuriozitete, dhe Lajmet më të reja nga vendi dhe bota.

KleaLove.com / Staff.
Klea Love Forum
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Zinxhir dhimbjesh me pasoja të rënda, me përjetime të dhimbshme dhe mbi të gjitha me deformime shpirtërore

Shko poshtë

Zinxhir dhimbjesh me pasoja të rënda, me përjetime të dhimbshme dhe mbi të gjitha me deformime shpirtërore Empty Zinxhir dhimbjesh me pasoja të rënda, me përjetime të dhimbshme dhe mbi të gjitha me deformime shpirtërore

Mesazh nga WebMaster Thu 26 Jul 2012 - 11:11

Vajzat

Rasti nr. 1. – Edhe tani më del përpara shkëlqimi i asaj thike të asaj nate të tmerrshme

Edhe tani kur mbylli sytë, përpara me del shkëlqimi i asaj thike të asaj nate të tmerrshme. Dritonin e njihja tash 2 muaj. Unë mendoja se jam e dashura e tij. Shumë kohë kalonim duke biseduar dhe duke i dërguar mesazhe njëri-tjetrit në telefonat tanë mobilë. Ai jeton në kryeqytet, ndërsa unë jam rreth 100 kilometra larg tij. Më mungonte çdo ditë dhe mezi prisja orët për të biseduar me të. Ishim parë përmes kamerave në kompjuter. Më 20 dhjetor të këtij viti ai më ftoi të shkoja tek ai në shtëpinë e tij. Kishte dëshirë të më njoftonte me prindërit e tij. Unë isha shumë e gëzuar. Bleva edhe xhinse të reja për atë ditë.
Bënte ftohtë. Në autobus kisha një ndjenjë të përzier: në një ane mezi prisja ta takoja, në anën tjetër ndjehesha keq, sepse i gënjeva prindërit se do shkoj te një shoqe në kryeqytet. Prindërit nuk më dhanë leje dhe unë ika.
Por edhe mezi prisja ta takoja Dritonin. Ai më priti në stacionin e autobusëve ashtu siç ishim marre vesh. E njoha menjëherë, ishim parë përmes kamerave, megjithëse tani më dukej shumë mi i pashëm.
Në fillim shkuam në një lokal ku kishte internet; aty pimë kafe dhe nuk flisnim shumë. Pasi që dolëm nga aty më tha se në shtëpi kishin mysafirë dhe se nuk kishim mundësi të shkonim tek ai, por do ishte mirë të shkonim te shtëpia e një shoku të tij për të ndenjur pak së bashku. Nuk u mendova gjatë. Vendosëm të shkojmë në shtëpinë e shokut të tij, e cila sipas Dritonit ishte e zbrazët dhe do ishim për pak qaste vetëm. Këmbët me ishin ngrirë, çizmet e kuqe me take që kisha mbathur me vrisnin dhe mezi ecja me to; veç tjerash ato ishin edhe shumë të ftohta. Arritëm gati në fund të qytetit, ngjitëm shkallët e një shtëpie dykatëshe. Tani më ishte errësuar dhe nuk e dija saktësisht sa kishte vajtur ora. Dritoni kishte çelësin e kësaj shtëpie, hapi një dhomë e cila nuk ishte ajrosur mbase me muaj. U futa ngadalë dhe me dorë preka çelësin për rrymë; këtë e gjeta disi derisa Dritoni futi në prizë një nxehëse aty afër. Në mesin e dhomës ishte i shtrirë një dyshek me diçka që ngjante në shtroje dhe që i vinte erë e keqe. Kisha pak frikë edhe pse doja të jem me Dritonin; pra diçka më zgjonte ca të dridhura, por mendova se e kam nga të ftohtit. U shtrimë së bashku dhe pas pak telefoni i Dritonit filloi të bie...u largua nga unë dhe fliste me dikë. Ai qeshej gjatë gjithë kohës. Nuk e di saktësisht se sa kemi qenë bashkë dhe çka ndodhi tamam në mes nesh. Unë nuk i rezistoja për asgjë, fundja mezi kisha pritur ditën të jemi bashkë.
Ai u ngrit dhe ndezi një cigare. M’u duk se dëgjova zhurmë në korridor dhe i thashë mos ka njeri tjetër këtu
- Po, shokët e mi. U përgjigj ai.
Unë mbeta e strukur dhe fillova të vishem. Ai doli nga dhoma dhe menjëherë pas tij u fut në dhomë një djalë tjetër, të cilin nuk e kisha takuar kurrë. Ai filloi të zhvishej me një qeshje prej budallai në fytyrë. Unë e tmerruar fillova të ngrihem, por këmbët s’më mbanin nga frika. Çarçafi ishte krejt gjak nga ajo që kishte ndodhur më herët mes nesh. Ishte hera e parë për mua të kem marrëdhënie seksuale me një djalë.
U ngrita në këmbë dhe e pyeta ku është Dritoni?
- Jashtë në korridor m’u përgjigj ai, por rri urtë ti dhe kthehu ku ishe.
Në ato momente kuptova se ky kishte qellimin të bënte seks me mua.
Desha të kaloj përskaj tij, por ai më kapi për dore, me shtrëngoi dhe më hodhi në dyshekun ku më parë isha shtrirë.
Me sa zë që pata e thirra Dritonin, por askush nuk u përgjigj. Djali i panjohur u vërsul mbi mua. Fillova të shqelmoj dhe ti bie me grushta. Ai më ra shuplakë në fytyrë dhe me shau. Pasi që unë rezistoja gjatë gjithë kohës, në derë u paraqit Dritoni. Nuk e njihja më, në dorë mbante një thike jo shumë të gjatë me të cilën mua afrua dhe më kërcënoi se do më masakronte sikur të ngritja prapë zërin.
- Rri urt dhe mos bërtit, kuptove!
Mendova se nuk do më kërcënonte prapë dhe fillova të qaj e të bërtas. Tani shuplaka më erdhi edhe nga Dritoni.
- Kudër! Po vazhdove kështu do të përfundosh e copëtuar.
Me duar mbaja gojën time të ndali britmat dhe dhimbjet.
Pas këtij djali në dhome hyri një tjetër dhe pas tij edhe një tjetër.
Isha e tmerruar, e rrahur e dhunuar. Të gjitha humbën kuptimin. Më dukej se jam në një ëndërr te keqe dhe se do zgjohem së shpejti. Më nuk e dëgjoja zërin tim, mundohesha të flisja por nuk me dilte zëri. Me kujtohen zërat e tyre, të sharat dhe tymi i cigareve. Bënte një i ftohtë varri. I tërë trupi më dhimbte dhe më vinte të vjelli. Me siguri edhe kisha vjellur, sepse kur morra veten pashe se rreth shtratit ishte bërë pis nga të vjellurat e mia nga bishtat e cigareve.
Ishte mëngjes. Tani morra të ngrihem nga shtrati me shumë vështirësi. Mendët më merreshin. Duke u mbajtur për muri dola deri në korridor ku nuk kishte askush në shtëpi. Zbrita shkallët ngadalë dhe dola në oborr. Nuk dija kah të orientohesha. Pasi që kalova nëpër oborrin e një shtëpie tjetër, dola në rrugën magjistrale. Mora drejtimin kah qyteti, pasi që nuk dija saktësisht se ku ndodhesha, sepse kjo shtëpi ishte në dalje të qytetit. Mendova të shkoj deri në stacionin e autobusëve dhe të iki që këtej. Ashtu edhe veprova, ecja ngadalë duke u dridhur nga të ftohtit. Rrugët nuk i njihja dhe kisha frikë se do të ngatërrohem dhe do humbi në këtë qytet. Për pak ndalova afër një supermarketi, u ula në skajin e betonit që rrethonte këtë supermarket. Lotët më rridhnin dhe nuk kisha mundësi t’i ndalja. Dëgjova dorën e dikujt në supin tim, u drodha e tera nga frika. - Mos ke frikë, jam nga policia e komunitetit, ke nevojë për ndihmë.
- Po, po ju lutem...
Pasi që morën nga unë deklaratën dhe të dhënat tjera, më pyetën nëse do doja të kthehesha në shtëpi.
- Jo!, u përgjigja, jo tani, sepse ata do më rrahin edhe më keq. Pastaj ata më rrahin edhe pa ndonjë arsye e lëre më tani kur të kuptojnë që jam e dhunuar. Përfundova e strehuar këtu. Kam marrë veten shumë mirë. Me mua sillen shumë mirë sa që ma kanë kthyer ndjenjën e dinjitetit dhe të qenit e vlefshme. Ç’kado që të them dhe sikur pandërprerë ta përsëris, asnjëherë nuk do të mund t’u falënderohem në masën e duhur këtyre njerëzve që më ndihmuan. Unë jam 14-vjeçare. Mendoj të vazhdoj shkollimin dhe të përpiqem ta harroj gjithë këtë peripeci të tmerrshme.

Rasti nr. 2. – Më kishin abuzuar tre persona të moshës madhore

Nëse engjëjt ishin dikur në tokë dhe nëse vazhdojnë të vizitojnë këtë vend, atëherë sigurisht kishin harruar diçka nga hirësia e tyre në fytyrën e saj.
E pabesueshme që as dhimbja fizike e as ajo shpirtërore nuk kishin arritur të zhdukin sadopak atë pamje prej engjëlli që vajza kishte në fytyrë.
Shikimin e mbante lart dhe sytë e saj dukeshin edhe më të mëdhenj se sa që realisht ishin.
Tete, mos më lërë vetëm sa të pastrohem. Rri te dera të lutem.
Në rregull!, i thashë.
Po mos e mbyll derën e banjës.
Po duhet mbyllur. Do jesh rehat edhe vetëm, këtu më ke, të pres sa të pastrohesh.
Shumë gjë e shpifur ishte të shkosh te mjeku i grave, uhaaa nuk shkoj më. Pastaj edhe pyetjet në polici më çmendën fare. Unë s’e kam bezdi të flasë mbi atë çka ndodhi sot, bile mezi pres të tregoj, vetëm mos më pyet asgjë.

- U bë!, - ja ktheva.
- Unë kam ikur nga shtëpia qysh se dje dhe desha të martohem, s’ka rëndësi se me kënd, desha vetëm te martohem. Me pëlqen shumë të jem e martuar të veshi fustane të gjatë, të grimohem, të kem një burrë që më do dhe që më blen dhurata.
- Pra, kur dola nga shtëpia e gjeta burrin, me herën e parë burri që takova tha se do martohej me mua. Më dërgoi në ëmbëltore; hëngra sa u ngopa, më bleu çamçakëz dhe pastaj shkuam në shtëpinë e tij. Atje kishin qenë edhe dy burra tjerë. Të them të drejtën krejt çka kanë bërë me mua më ka krijuar dhimbje dhe më vinte të vjell, por isha shumë e lumtur se tani nuk kisha një burrë, kisha tre burra. E vërteta, edhe tani kam shumë dhimbje në stomak dhe në krahun e majtë, por do më kalojë. Pastaj më tregoni se kur do më dërgoni te burri im, por nuk do doja të rri ashtu e shtrirë me të se kisha dhimbje. Burri im tha se ashtu duhej, por ju mund t’i thoni se do martohem me të nëse nuk bëj prapë atë që bëmë dje.

Vajza kishte vetëm 12 vjet, ishte me të meta mentale, nuk e thoshte asnjëherë emrin e vërtetë. Nuk dinte datëlindjen e saj dhe më duket se lidhur me familjen me qëllim fshihte diçka. Për ditët sa qëndroi ajo disa herë ndërroj deklaratat mbi vendbanimin.
Ne kishim diçka nga të dhënat që kishte dorëzuar policia, por emrin e vërtetë asnjëherë s’e mësuam. Ajo çka policia dhe mjekët ligjorë kishin konstatuar ishte se me të kishin abuzuar tre persona të moshës madhore.

Rasti nr. 3. – Më nuk dua as të njihem me djemë; ata janë dhunues dhe gënjeshtarë

Që nuk jam e bukur e kam kuptuar shumë herët. Më duket atëherë kur kam filluar të kuptoj se çka flasin njerëzit. Dëgjoja kur nënës i thoshin: E kjo kujt i ka ngjarë dhe bënin një shprehje të dhembshurisë në fytyrë. Kur shihja veten në pasqyrë më dukej çdo gjë në rregull, veç syrit të djathtë kapaku i të cilit rrinte disi i fryre dhe shija pak vëngër, tjerat ishin ne rregull. Kur mbusha 14 vjet nëna ime iku dhe shkoi në familjen e saj. Ne jemi pesë fëmijë dhe unë jam më e madhja ndër ta.
I urrej ende mëngjeset, zërin e babit tim që të zgjohem për t’i lëshuar dhitë në kullosë pasi që ai kujdesej rreth tyre, por unë dilja për t’i kullotur. Kjo zgjati një vit, pastaj me këtë merrej vëllai im i madh dhe unë fillova të gatuaj e të pastroj shtëpinë. Babai im shkonte shpesh në qytet dhe kur kthehej fillonte me të zakonshmet e tij; dikush rrihej, dikush shpëtonte me te shara e kështu mbyllej edhe një ditë. Ishte pranverë maji, koha ishte shumë e bukur, unë vendosa kokë në vete të iki pak nga shtëpia, të dal në qytet. Dija se si të shkoj deri atje. Kisha edhe pak të holla qi ia kisha marrë fshehurazi babait nga kuleta. U nguta me punët e shtëpisë dhe pasi që tërë të vegjëlit hëngrën buke, fshehurazi u drejtova kah vendi ku vinte autobusi. Shumë shpejt u gjenda në qytet. Në stacionin e autobusëve sillesha vërdallë, shihja njerëz. Fillova të eci rrugës së gjerë afër stacionit, pranë mu ndal një makinë. Brenda pashë një djalë të hijshëm; ai buzëqeshi, unë ja ktheva. Kur hapi derën e makinës dhe më ofroi të më dërgojë deri ku kam nevojë të shkoj, nuk mendova dy herë, u futa menjëherë në makinë. Djali i pashëm me ofroi një cigare. Për t’u bërë më e rëndësishme e pranova, ndonëse kurrë nuk kisha pirë duhan. E ndeza dhe bëhesha demek se po e pi.
Shpejt u gjendëm në një banesë e cila nga jashtë kishte ngjyrë jeshile. Aty përjetova edhe marrëdhënien time të parë seksuale. Mua më pëlqeu t’u them të drejtën. E keqja qëndronte se mbeta aty e mbyllur pasi që Fatosi tha se do vijë më vonë të më sjellë bukë, e unë mund të rri rehat. Por nuk ndodhi ashtu. Fatosin e pashë pas dy ditësh, ndërsa gjatë këtyre dy ditëve në banesë erdhën edhe katër djem të tjetë. Një vinte ditën, një natën e kështu. Unë me të gjithë pata marrëdhënie seksuale, sepse ndryshe më kërcënonin. Njëri nga ta edhe më rrahu, më quajti me emra të ndryshëm. Ditën e tretë erdhi edhe Fatosi, i thashë se dua te shkoj në shtëpi. Ai qeshi dhe tha: do shkosh kur unë të them të shkosh. Mos m’i ngrit nervat se s’kam kohë të merrem me ty. Fillova të qaj, ai doli nga shtëpia dhe prapë isha e mbyllur brenda. Pas pak kohe fillova të bërtas si e çmendur dhe t’i bie me grushta derës. Pas pak u dëgjua një zë burri. U tmerrova. Mendova se edhe ai tash do vijë brenda. Por zëri nga jashtë me tha se kishte njoftuat policinë dhe se shpejt do më nxirrnin jashtë.
Kështu përfundova këtu ku sot jam në gjendje të flasë, sepse disa ditë radhazi nuk e kam hapur gojën. Nuk e dija çka të them. Ishte faji im sigurisht, sepse kërkova të më dojë dikush. E di se kërkova diçka... nuk di as vetë çka të them.
Me rëndësi është se sot jam në gjendje të flas mbi të gjitha dhe të ndjehem shumë më mirë. Nuk mund të them se çka do të ndodhë me mua e as çka do të doja. Një gjë e di të sigurt: Nuk kthehem në shtëpi te babai kurrë ...dhe nuk dua as të njihem me djem, se janë gënjeshtarë.

Rasti nr. 4. – O Zot ç’më gjeti, i gjithë faji është i imi

Po, e di se nuk duhet të shpërndajë drogë, nuk duhet as vetë ta marr, por...aman tete, ti nuk e njeh Jetonin; ai është aq i bukur e i mirë sa unë për të çdo gjë do bëja. Po, po, çdo gjë, pastaj ku ka rëndësi se policisë nuk i pëlqyeka Jetoni. Mua me pëlqen dhe pikë. Dua të më tregosh se a është ai mirë. Nuk dua që dikush ta rrahë atë!
- Po s’ka rëndësi nëse ai paksa më paska rrahur. E bën këtë shpesh kur është nervoz. Thënë të drejtën, unë mundohem mjaft të mos e nevrikos. I bëj qejfin, por ja që ai e ka zakon të nevrikoset.
- Jo nuk di gjë për prindërit e mi. Babai e di se jeton këtu vetëm në qytetin tuaj. Nuk e kam parë ka 5 vite. E nënën po, e kam parë muajin që shkoi. Mirë është; ajo ka gjetur një burrë të mirë. Ai ka shumë para dhe ia bën qejfin nënës si të dojë ajo. Mua dhe motrën nuk na deshi në shtëpi, por s’ka rëndësi, na ka lejuar që të jetojmë aty. Motra s’ka nevojë të rri, sepse është martuar në Maqedoni. Thotë se mirë e ka me burrin kur u dëgjova në telefon. E rrahë edhe ai ndonjëherë kur është nervoz, por jo shumë. Ashtu si unë me Jetonin. Mua nuk më pëlqen shumë të shkoj te nëna. Ashtu si më lejoi njerku, nuk shkoj gati fare.
Nuk më vërejnë a jam a s’jam aty. Kështu që kjo ka perparesitë e veta, sepse mund të shkoj me Jetonin ku të ma dojë qejfi. Sa jemi në Prishtinë e sa në Prizren, flemë kudo nëpër shokët e tij. Kur kemi para flemë edhe në hotele. Aty kaloj më së miri, më pëlqen të jem rehat kur fle. Pastaj kam rroba shumë të bukura dhe kozmetikë të shtrenjtë. Ma sheh këtë hijen në kapakët e syrit, është Loreal, është i shtrenjtë. Jetoni kur ka para nuk pyet fare se sa harxhoj. Ai më do shumë.
- Po e di për shenjat në fytyrë. Uhaa, nuk është hera e parë që më mbesin shenjat, i vë pak pudër dhe nuk vërehen aq.
- Nuk ndjehem mirë që Jetoni ra në burg për fajin tim. Ndjehem keq. Tani më e kanë zbuluar edhe drogën që kishte me vete; do e dënojnë shumë me siguri. E unë budallaqja çirresha me zë të lartë kur me rrahu. Sikur ta dija se çka do të ndodhë sigurisht nuk do bëja zë, por atë dite nuk di çka e gjeti, më rrahu shumë dhe më dhimbti koka kur i rashë murit, pashe se kam shumë gjak nëpër fytyrë. Më merreshin mëndtë dhe atëherë fillova të bërtas. Dikush paska dëgjuar dhe policia na gjeti.
- Vetëm le të mbarojë mirë për Jetonin, sepse e di që ai do zemërohet shumë në mua. Kam frike se prapë do më rrahë.
- O Zot ç’më gjeti...i gjithë faji është i imi.

Rasti nr. 5. – Ja, shiko si e kam shpinën; ende nuk më hiqen vrragët nga plagët e marra

Ke çamçakëz në çantë?
- Jo!, - ju përgjigja. Por do blej më vonë, bën?
- U bë, por mos më gënje.
- Jo nuk të gënjej.
- Te gjithë thonë se nuk gënjejnë, ndërsa të gjithë gënjejnë.
Qesha me këtë thënien e saj dhe vazhduam bisedën qe e ndërpriste duke luajtur me plagën e vogël që kishte në fytyrë. Ishte një vajzë e nacionalitetit rom dhe një vajzë me sytë më të bukur që kam parë ndonjëherë. Shumë e zgjuar dhe shumë problematike. Vajzë e marrë nga rruga. Ajo thoshte se kishte profesion lypjen dhe se vajzat tjera lypsare i kishin inat se kjo gjithnjë fitonte më shumë.
- Në mbrëmje arrija të mbledh edhe deri në 30 €, kjo ndodhte verës. Pastaj në Mal të Zi jetohet më mirë se këtu dhe fitimi është më i mirë.
- Qe do që këto para m.i merrte babai gjithnjë. Po të hetonte se kisha fshehur diçka më rrihte. Po mos të dilja ndonjë ditë për lëmoshë, prapë më rrihte.
- Ja, shiko si e kam shpinën; ende nuk më hiqen vrragët nga plagët e marra.
- Disa ditë kam ikur me shoqet e mia për t’u larë në det, s’kam punuar hiç dhe i thosha se s’kam pasur fitim gjatë ditës. Kështu, mora një të rrahur që s’do e harroj kurrë.
Shpina e saj ishte krejt vrragë nga plagët e të rrahurave të mëhershme.
Tamam si pamja nga filmat ishin shenjat që mbesin nga kamxhiku. Ajo thoshte se më ka rrahur me rrip të pantallonave. Por kjo kishte mjaftuar për trupin e një fëmije.
Më premto mbasi që s’mund të dal vetëm se do më blesh çamçakëz çdo ditë?
Shohim, mbase edhe i blej çdo ditë.
Uh! Sa të këqij jeni ju të rriturit!
Shpesh mendoj se sikur nëna ime të ishte gjallë, jeta ime do ishte shumë më e bukur. Pastaj shpesh mendoj sikur ndonjë grua të donte të ishte nëna ime. Kjo do ishte një mrekulli. E di ti tete se unë këtë marifet e përdori shumë shpesh para gjumit, sepse kështu më zë gjumi më shpejtë edhe nëse jam e uritur apo e rrahur. Më beso se filloj t’i mendoj këto gjera të bukura për një jetë tjetër me një nëne, sepse babain nuk dua ta kem. Nuk më duhet babai fare, bile unë mendoj se nuk do lindi kurrë fëmijë sepse ata te gjorët pastaj do të kenë baba. Të kesh baba është mallkimi më i madh. Nënë nuk kam, por e di ama se është mirë të kesh. Si thua ti tete? Është mirë të kesh nënë?...
Vajza e bukur kishte 12 vjet. Pas kontakteve me punëtorët socialë të dy vendeve ajo u transferua në qytetin ku jetonte babai i saj me 3 fëmijët tjerë dhe gruan e dytë. Rastin e saj e përcjell Qendra për Punë Sociale e Malit të Zi.

Rasti nr. 6. – Më thonte: S’ka rëndësi pse flenë edhe me shokun tim, kurse unë u tmerrova

Nuk dua të flasë për burrin tim të parë!. Aty kalova mirë vetëm disa muaj. Nejse, ai më ka rrahur nja pesë herë për këtë kohë, por ajo s’ka rëndësi. Me dukej se më rrahe babai dhe kalonte krejt kjo kur binim në shtrat. Por dikur ai filloi të mos më pëlqejë; thën më drejt nuk më pëlqente nëna e tij. Me duhej të shërbeja gjithë ditën krejt gratë e lagjes, pastaj të vishem me fustan të gjatë, të grimohem dhe kështu më shkonte dita duke e pritur Senadin në mbrëmje. Një kohë m’u duk mirë, por u mërzita shpejt. Fillova të kontaktoj prapë me telefon me një djalë që më pëlqen ende sot e kësaj dite. Po sa i bukur është, veç ta shihje, shumë i bukur! Ai më tha se s’kemi si takohemi, sepse je e martuar. Këtë pune s’e bëra problem, sepse do çmartohesha unë për të. M’u duk e lehtë në fillim, por pastaj pasuan rrahjet e vërteta nga burri pas tregimit tim se dua të ndahem, sepse e dua një tjetër. Nejse, e gjitha përfundoi se unë ika nga shtëpia dhe ai s’më kërkoi më kurrë. U takova me të dashurin tim, por kishim një problem të vogël. Nuk kishim ku të banonim. Në shtëpinë e tij më tha se nuk guxon të më dërgojë. Flinim nëpër shtëpi të huaja. Në fillim veç me të, por më vonë edhe me të tjerë. Kishte net kur ai më merrte në telefon dhe arsyetohej se nuk mund të vijë të jetë me mua. Kisha frikë, shtëpitë ishin të pabanuara dhe pastaj më thoshte se sonte do vijë ky apo ai shok i tij. Herën e parë kur erdhi shoku i tij tentoi të bënte seks me mua. Unë e tmerruar e morra në telefon, duke i treguar. Shoku i tij qeshej, ndërsa ai më tha se çdo gjë është në rregull. Unë të dua, mos ki merak, s’ka rëndësi nëse flenë edhe me shokun tim. Fundja, thoshte ai, nuk e ke me lekë. Atëherë nuk e dija se unë vërtet për lekë flija me ta. Por lekët ama i merrte i dashuri im . Këtë e kam kuptuar një natë kur një ,,shok” i tij më rrahu keq. Ai gjatë kërcënimit përmendi se kishte paguar të jem me të, andaj edhe duhej të bindesha për krejt çka kërkonte. E mora në telefon të dashurin tim, i cili me tha se do vijë nesër dhe bisedojmë sepse ishte i zënë diçka me do punë. Unë u tmerrova nga toni i tij. Me gjasë atij s’i bëhej vonë për mua fare. ,,Shoku” i tij iku pas disa orësh. Unë mbeta duke qarë. Diçka në mua kishte pëlcitur. Nuk e di, më dukej se më shumë kisha dhimbje diku brenda meje se sa shuplaka e grushtat që kisha marrë atë natë. Pak para se të zdritej kam dalë nga shtëpia dhe nuk e di për ku isha nisur. E dija vetëm se më nuk do kthehem kurrë brenda atyre mureve. Mu kujtua familja ime, nëna ime, ajo pak ngrohtësi që e ndjeja së paku kur të gjithë ishin në gjumë, sepse gjithnjë kishte të shara dhe zhurmë në shtëpi. U drejtova kah shtëpia ime. Rrugës u ndjeva e ndotur, e keqe dhe pak e frikësuar se si do reagonin ata me këtë ,,ndodhi” timen. U ktheva mbrapa dhe vazhdova të eci rrugës për në qytet. Dikur filloi të zdritej. Makinat endeshin, disa prej tyre i binin borisë. Më herët ndoshta do isha e lumtur që më vërejnë, por sot dëshiroja të jem e padukshme. Sot do të doja të mos jem fare. Zot! Ku të tretem?! Në hyrje të qytetit është stacioni policor. Unë kisha dëgjuar se ekziston shtëpia ku u ofrohet strehim femrave të keqtrajtuara. Andaj hyra në stacionin policor. Kaluan orë të tëra derisa flisja për veten, për atë çka më ka ndodhur dhe për frikën time të shkoj në shtëpinë e prindërve. Nga aty më dërguan në strehimore. Mendoj se gjithë këto që i flas sot nuk kam qenë ne gjendje t’i them në fillim, sepse vetëm këtu kam kuptuar se unë mund të flas e të mendoj më drejt. Ajo që ka rëndësi është se këtu kuptova se unë vërtet vlej ashtu si çdo qenie tjetër, unë meritoj të jetoj më ndryshe. Unë meritoj dhe kam shumë nevojë që dikush të më ndihmoj. Unë në muajin korrik do i mbushi 16 vjet.

Rasti nr. 7. – Më dhunoi burri i motrës sime kur isha 13-vjeçare

T’u them të drejtën deri para pak muajsh as që më bëhej dert nëse edhe kiameti kërcet. Unë jam e bukur dhe kjo më ka mjaftuar gjithnjë. Nejse, jam rome, por nuk më pengon shumë. Pastaj të gjithë shqiptarët kanë dëshirë të jenë me rome. Këtë gjë e di që nga fëmijëria. Nëna ime e thoshte shpesh, se ne romet e kemi gjakun e ëmbël dhe se jemi më të mira për shtrat. Mua për vete ashtu edhe me doli, sepse Ramizi më do e çmendet pas meje. Ja, e shihni edhe vetë, ai më merr në telefon 20 herë në ditë. Sikur prindërit e tij të bindeshin, tani do isha nusja e tij.
Po, po, e dua unë Ramizin. Do thosha më shumë më do ai mua dhe pasi që ma bën qaren, po e dua edhe unë atë. Fundja, është shqiptar dhe ka disa dyqane të veta.
Mua nuk më pëlqen të vesh çkado e as të ha çkado. Jam mësuar mirë në familjen time. Ju e dini sigurisht se familja ime është shumë në zë për familje të mirë. Ne jemi zotëri njerëz. Pra, siç isha duke të të treguar, unë më herët nuk mërzitesha për asgjë, sepse sa e shihja veten në pasqyrë me kalonte mërzia. Jam shumë e bukur. Por ja që pata fatin e keq të mashtrohem dhe të iki nga shtëpia. Më pëlqen t’i ndërroj meshkujt. Por nuk më pëlqen kur më dhunojnë. Më ka ndodhur kur isha 13 vjeçe. Më dhunoi burri i motrës sime. Tash e këtë ditë nuk e di askush për këtë punë. Kur ju kam kërcënuar se do i tregoj nënës sime dhe motrës,
Më ka thënë se vetë paskam dashtë. Më vjen turp të shpaloj këtë gjë. Betohem se nuk kam dashtë të shkoj në shtrat me të dhe se më ka shkaktuar shumë dhimbje ky akt, madje shumë net kam mbetur pa gjumë. E kam inat sot e kësaj dite kur vjen te ne. E kam inat, sepse askush nuk e di sa horr është, e unë kurrë nuk guxova të flasë për këtë.
Muajtë e fundit jeta ime është bërë ferr. Përjetova edhe dhunimin e tretë dhe mund të them se është gjëja më e tmerrshme që mund të merret me mënd. Mua më pëlqen të jem me meshkuj, më pëlqen edhe t’i ndërroj. Por unë dua që të më duan. Unë nuk dua të më dhunojnë. Kësaj here e rrahur dhe e gjakosur jam paraqitur në polici dhe nuk e kam ndërmend të ndalem. Kam nevojë t’ua tregoj të gjitha, ama të gjitha sepse kur kujtoj aktet e tilla më zë mëngjesi me sy hapur. Nuk do doja askujt t’i ndodhë kjo. Jo, mos me thoni se më kuptoni, sepse askush nuk mund të kuptojë si është, veç atyre që e kanë përjetuar.
Kam shumë frikë se si do reagojë Ramizi kur të kuptojë krejt ngjarjen. Nesër do takohem me Ramizin këtu në qendër dhe kam shumë frikë se edhe ai do mendojë se i kam paraprirë vetë një gjëje të tillë.
Sytë e saj ishin plot lot dhe inat. Ishte shumë e vendosur që gjerave t’u shkojë deri në fund.
Duart mbante të lidhura njërën me tjetrën, shikimin kah dritarja të mos i shiheshin lotët. Ishte një fëmijë i rritur para kohe, një fëmijë i bukur me të vërtetë.

Rasti nr. 8. – Torturat dhe pamja e syve të tij më tmerron çdo natë

Unë kisha frikë të shikoj në drejtimin e tij, të ndeshesha me sytë e tij, kjo më tmerronte më së shumti.
Kjo pamje e syve të tij më shfaqet çdo natë para gjumit, ndonjëherë edhe më zgjon nga gjumi një ankth dhe një dhimbje në gjoks, të gjitha këto të shoqëruara me sytë e tij që nguliten në fytyrën time.
Gjykatësi shihte sa në drejtim timin, sa në të tijin. E gjitha mbase zgjati vetëm tre minuta. Por për mua ishte një shekull. Atëherë pasi na njoftoi për qëllimin e prezencës sonë, filloi me leximin e deklaratës sime dhënë policisë atë ditë kur erdhën të më merrnin në shkollë.
Gjersa lexonte gjykatësi, mua filloi të më rrihte zemra më fort. Kisha frikë se ai tani do ngrihej nga ajo karrige dhe do më vriste. Mbaroi leximi i deklaratës dhe në pyetjen e gjykatësit drejtuar babait tim se a është e vërtetë çka u tha deri atëherë, ai nuk foli. Shikonte nga dritarja dhe merrte frymë me vështirësi. Në ato çaste nuk do të doja t’i dëgjoja ato frymëmarrje. Më kujtoheshin rrahjet që kisha pësuar, gjithnjë ishin të shoqëruara me këtë frymën e tij të rënduar dhe me të sharat e panumërta.
Më duket se më nuk isha këtu në sallën e gjyqit, por prapë e lidhur me litar dhe e hedhur në katin e sipërm të shtëpisë. Atë ditë pasi që m’i kishte lidhur duart prapa me litar, me hodhi barkas në njërën nga dhomat e katit të sipërm. Më rrotullonte kur më godiste me duar. Kjo ishte diçka e mësuar tashmë për mua, pastaj mori një gyp plastike të mbushur me një lëndë të metaltë dhe më godiste. Nuk e di se sa larg janë dëgjuar britmat e mia. Pasi që unë nuk pranoja për fajin që më ngarkonte, ai vazhdonte mënyrën e vet të torturës mbi mua. U ngjit prapë në dhomë, në dorë kishte një presë elektrike për hekur, e futi në prizë dhe mu afrua me të duke më kërcënuar se do m’i presë gishtat e duarve nëse nuk e pranoj fajin. Isha më shumë se e tmerruar. As tani me saktësi nuk mund të them se çfarë ndjeja në ato çaste. Veç dhimbjeve që kisha nga goditjet e marra me herët, kisha diçka si dridhje që më ngrinte nga toka, trupi më dridhej dhe zëri nuk më dilte.
Kur më afroi presën tek gishtat dhe ndjeva dhembjen e parë në njërin nga gishtat, pranova çdo gjë që thoshte. Nuk dija tamam as çka flisja. Aty ai u ndal dhe doli nga dhoma. Më vonë kur vëllai im me hoqi litarin, kuptova se kisha qenë kështu e lidhur dhe e rrahur për afro shtatë orë.
Për kohën sa ai kishte qëndruar në Amerikë (unë kisha 7 muaj kur ai më la nën kujdesjen e gjyshes dhe 9 vjet kur u kthye) kuptova se kam baba dhe me padurim prisja që ai të kthehej tek unë e vëllai. Nëna ime kishte vdekur gjatë lindjes, për të s’kam çka të them. Nuk e kam njohur dhe më duket se ajo ma bëri me hile që vdiq. Më la vetëm, më la mua gjallë e vetë vdiq. Do ishte më mirë që të vdisnim të dyja atë natë të lindjes sime apo të jetonim të dyja. Me rëndësi ishte vetëm të mos më linte kështu me këtë peshë të madhe faji që bart me vete. Athua unë e vrava?!
Edhe pak është ditëlindja ime dhe përvjetori i saj i katërmbëdhjetë. Mua më duket se kam njëqind vjet që jetoj. Kam frikë nga zëri i lartë dhe po të jetë edhe muzikë, kam frikë nga babai im.

Rasti nr. 9. – I tërë trupi më dhimbte nga rrahja e babait, nënës dhe vëllait

Jam 16-vjeçare, rome, analfabete e ndarë me dhunë nga burri. Fillova në shkollë, por pasi që shtëpia jonë ishte larg shkollës askush nuk pati kohë të më përcillte së paku vitin e parë. Më vonë nënës i nevojitesha rreth punëve të shtëpisë dhe kujdesi për fëmijët tjerë. Kam përshtypjen se askujt nuk i bëhej vonë për mua. Ndoshta edhe do të harronin se unë ekzistoj sikur unë mos të ikja nga shtëpia dhe të martohesha me krijesën më të dashur për mua, burrin tim. Atëherë ata u kujtuan se edhe unë jam gjallë. Erdhën shpejt dhe më morën me dhunë nga shtëpia e burrit pas tri ditësh. Sipas babait tim, ai më kishte fejuar me një djalë tjetër që ishte me ,,letra” në Gjermani. Me një djalë që unë nuk i dija as emrin e asgjë tjetër, por që pritej të vinte ai këtu në Kosovë të martoheshim e pastaj të më merrte me vete. Kjo ishte krejt çka dija rreth kësaj marrëveshjeje të babit me miqtë. Po dija edhe atë që ata e ndihmonin babain kohë pas kohe me të holla. Dija edhe që në atë shtëpi askush asgjë nuk më pyeste; rrihesha sa herë ishin nervozë babi, nëna apo edhe vëllai i madh. Kështu, unë ika dhe u martova pa dijen e tyre. Ata më morën prapa. Unë ika prapë edhe pse i tërë trupi më dhimbte nga rrahja e babait, nënës e vëllait. Këtë herë reaguan më shpejt, erdhën e më morën po atë natë, më tërhiqnin zvarrë dhe duke me shqelmuar, por unë arrita t’u iki dhe të shkoj në polici. Tani jam e strehuar, e frikësuar, por së paku kuptova se di çfarë dua. Dua të jem me të dashurin tim. Me të unë ndjej se ekzistoj dhe se bile për dike jam e rëndësishme.
Mua me pëlqen shumë të shohë televizorin dhe pikërisht këto novelat e dashurisë. Me duket se do shihja gjithë ditën dhe se nuk do mërzitesha fare. Kuptohet, sikur me mua të ishte edhe i dashuri im do ishte fantastike. Shpesh harroj për të ngrënë bukë kur jam duke parë këto telenovela. Më kujtohet shpesh në shtëpi, kur nuk ishin të tjerët ulesha dhe shihja televizor. Më duket se kjo është ajo që më pëlqen gati sa i dashuri im. Aty mund të ëndërroja pakufi, hyja në rolin e personazheve më të bukura, bëja një jetë të qetë e të bukur shpesh e dëshpëruar nga dashuria, por së paku vishesha bukur dhe jetoja në një shtëpi të madhe plot dritë.
Këtu në strehimore shoh televizor, kam shoqe dhe ndjehem mirë. Nuk e di se si do zgjidhet e gjithë kjo rrëmujë nga jeta ime, por shpresoj të më japin lejen prindërit për t’u martuar dhe mbase jeta ime do i ngjajë një filmi të bukur.

Rasti nr. 10. – Nuk pata kurrë guximin t’u tregoj prindërve të mi, sepse ai ishte shoku i babait tim

Jam 13-vjeçare, shqiptare, kam prindër dhe dy vëllezër. Dje kuptova që jam shtatzënë. Kam dëgjuar që gratë mbesin shtatzënë, kam ëndërruar që edhe unë një ditë të kem fëmijë, sepse i dua shumë. E dua shumë edhe vëllain tim të vogël të cilin nuk e zë gjumi pa i prekur flokët e mi. Por unë nuk di çfarë të bëj tani. Mjeku tha se jam në muajin e shtatë të shtatzënisë. Pra, unë paskam mbetur shtatzën që nga korriku, kur ai filloi të më dhunojë. Unë nuk pata kurrë guximin t’u flas prindërve të mi, sepse ai është shoku i babait tim. Ai ,,kujdesej” për mua dhe vëllezërit, ai thoshte se do më martonte me vëllain e tij. Ai...
Pastaj në raste të rralla kur prindërit e mi ishin esëll (janë të dy alkoolistë) mua më dhimbsej të prishja gjithçka me tragjedinë time, pastaj edhe kisha frikë, sepse ai më pati thënë se nëse i tregoj dikujt, ai do të thotë se unë vetë i isha ofruar. Por unë nuk doja diçka të tillë, unë kisha dhimbje...ndërsa ai ma mbyllte gojën me shuplakë dhe nuk pyeste fare.
Prindërit e mi që të dy janë të varur nga alkooli dhe kur i zinte gjumi nuk dëgjonin më asgjë. Unë e frikësuar e prisja natën kur ai ishte aty kinse për t’u shoqëruar me prindërit e mi dhe ju sillte gjithnjë nga një litër ose dy me raki. Kishte aq liri në shtëpinë tonë, sa që edhe kur më rrihte ai babi nuk kundërshtonte asgjë. Ishte kjo mënyra e tij për të më edukuar. Më ndalonte të dilja të luaja me fëmijët e tjerë. Thjesht unë isha e tmerruar nga ai. Tani jam mirë dhe e sigurt. Lutem vetëm të isha pak më e rritur të të mund të kujdesem si duhet për beben time. Një gjë e di sigurt, e urrej alkoolin, kurrë nuk do të lejoj që fëmijët e mi të vuajnë për shkakun tim. E bekoj këtë vend që më ofroi më shumë ngrohtësi se sa që kisha gjatë gjithë jetës sime.

Rasti nr. 11. – Babai më shpesh e rrihte nënën, pastaj mua

Pushimet e kësaj vere në det ishin më të paharrueshmet për mua. Unë isha ,,fëmija i sefasë”, siç thoshin shoqet e mia, por fundja ku dinin shoqet e mia se çka kishte brenda mureve tona.
Parë nga jashtë ne ishim një familje perfekte. Nëse e anashkalojmë pandarë dajakun ndaj nënës, meje e motrës më të vogël çdo gjë do të ishte në rregull.
Po desha tu tregoj për pushimet e kësaj vere.Thënë të drejtën, në shtëpinë tonë gjithnjë dikush për diçka rrihej. Më së shpeshti babai e rrihte nënën time, pastaj mua. Të them se ne dyja ishim fajtoret kujdestare gjatë gjithë kohës.
Pushimet, festat dhe çdo gjë tjetër në shtëpinë tonë ishte e veshur me të rrahura. Kushtet jetësore i kishim të mira, bile shumë të mira krahasuar me të tjerët. Por ne ishim gjithmonë të trishtuara.
Nëna ime rrinte gjithnjë në ankth kur priste babanë të kthehej tek ne. Ai tashmë nuk jetonte me ne. Ka dy vite e gjysmë që jeton në kryeqytet me një grua tjetër. Por vinte pothuajse çdo ditë për të na parë se si jemi. Ashtu thoshte ai, sepse e di me siguri se si nëna ashtu edhe unë e motra do ishim shumë më mirë sikur të mos vinte kurrë të na vizitonte.Unë edhe pak i mbushi 18 vjet dhe jam regjistruar në fakultetin juridik. Kohën më të madhe jam kundër gjithë botës, e më së tepërmi kundër vetes sime. Më ngjan vetja pa pikë dinjiteti kur mendoj se si e toleroj një njeri të më trajtojë në atë mënyrë. Kam edhe të dashur me te cilin nuk mund të bisedoj edhe aq lirshëm. Ngurroj gjithnjë t’i shpalosi krejt hallet para tij. Mbase edhe do me kuptonte, por ndjehem e turpëruar. Me duket se me t’i treguar për hallet tona, ai do më shikojë me një sy tjetër, ndoshta do të gjejë arsye pse ne keqtrajtoheshim në atë mënyrë.
Vitin e kaluar gjatë një ,,ligjërate” të tijën më ka thyer këmbën. Dy muaj mezi bëra më mirë. Pas asaj shkuam në pushime, ironike apo jo. Parë nga jashtë ai kujdesej shumë për të dyja familjet, dhe për ne e edhe për gruan tjetër.
Gëzonte një respekt të veçantë te njerëzit. Mbase këtu kishte faj fakti se ai kishte qenë dhe vazhdonte gjithnjë të jetë ndër njerëzit e respektueshëm në shoqëri. Te ne është lehtë, po pate para automatikisht fiton miq dhe të thurin lëvdata.

Rasti nr.12. - Kam një brengë që s’më shqitet kurrë

Nuk do të dija se ka vende të tilla si strehimorja sikur mos të kishin intervenuar polica atë natë në shtëpinë tonë. Sigurisht dikush nga komshinjtë i ka lajmëruar, sepse thënë të drejtën zhurma e vetme në lagjen tonë në orët e vona vie vetëm nga shtëpia jonë. Unë së paku nuk kam dëgjuar zhurmë të tilla nga fqinjët tanë. Aty nata ishte natë, njerëzit pushonin, flinin, ndoshta edhe kënaqeshin, ku e di unë, së paku kishin qetësi në shtëpitë e tyre.
Unë tani kam17 vjet, më duket se kam shumë më shumë. Shpesh kur shoh fytyrën time në pasqyrë më duket se ngjaj shumë më e moshuar. Kam një brengë qe s’më shqitet kurrë, brengë për vëllain dhe dy motrat e mia. Që të gjithë më te rinj se unë. Në sytë e tyre unë shoh veten dhe dhimbja ime pasqyrohet edhe në sytë e tyre. Një fat i njëjtë i tyre me timin. Një e përsëritur me dhimbje tjera të veçanta dhe gjithnjë te dhimbshme.
Gjatë luftës në Kosovë ne ikëm jashtë vendit. Peripecitë ishin të shumta, hallet po ashtu si të të gjithë kosovarëve. Mendoja se babai im pas kësaj do harronte pijen, dhunën ndaj nënës. Por ndodhi diçka edhe me e keqe, ai tani pinte çdo ditë dhe veç se fjaloseshin me nënën gjatë gjithë, ai tani filloi edhe me mua. Sikur të mos mjaftonin të gjitha këto, mua më ndodhi edhe një aksident. Pas lufte nëpër shtëpitë e shumta të shqiptarëve u gjindën armë të harruara të ushtrisë serbe. Djali i xhaxhait tim kishte gjetur një pushkë automatike dhe atë të mbushur plot me fishekë. Ishte muaji korrik kur ne dy së bashku, duke e parë pushkën mendonim se si funksionon dhe na dukej shumë interesante. Pushka shkrepi gjersa ishte duke e mbajtur djali i xhaxhait tim dhe një breshëri plumbash u derdhën më dukej se në mua e rreth meje. Jam zgjuar në spital me krahun e majtë të lidhur me fasha. Kuptova se isha plagosur rëndë në dorë dhe në krahë. Qëndrova disa muaj dhe mezi u shërova. Bënte vapë. Isha e mërzitur se nuk mund të shkoja për t’u larë në lumë me fëmijët tjerë dhe në këtë mënyrë isha e detyruar të mbes në shtëpi dhe gjatë gjithë kohës të jem me prindërit e mi. Të them të vërtetën nuk e di a i dua, apo cilin e dua ma tepër. Mbase nuk e dua asnjërin prej tyre. Më ishin mërzitur zënkat e tyre që gjithnjë përfundonin me rrahjen e nënës e rrahja e saj me poterë dhe ikje nga shtëpia pastaj zbrazej mbi mua. Me duhej te gatuaj dhe te kujdesem për motrat e vëllain tim, si edhe për babanë. Ndryshe, rrihesha nga ai, megjithëse për t’u rrahur ai nuk kërkonte ndonjë arsye të madhe. Mjaftonte të ishte i dehur dhe pastaj të gjithë i kishim faj. Në punë, natyrisht, nuk shkonte. - S’ka punë për ata me shkollë e lëne më për mua që kam veç shkollën fillore, ishin fjalët e tij kur arsyetohej se nuk mund të bënte asgjë më shumë për ne. Thënë të drejtën nuk më kujtohet as që ka dalë ndonjëherë për të kërkuar punë.
Na ndihmonin për të mbijetuar tezja ime dhe xhaxhai. Pak para se të strehoheshim këtu, nëna pat gjetur një punë si pastruese në një ambulancë private. Ishte gëzuar pa mas. U gëzuam edhe ne. Unë tashmë isha mësuar të jetoj me përjetimet e tyre. Ata qanin edhe unë qaja; ata qeshnin edhe unë qeshja, kështu që rrallë ndodhte që përjetimi të ishte veç i imi.
WebMaster
WebMaster
Fondatori i Forumit
Fondatori i Forumit

Vendbanimi Vendbanimi : Ku te dua un
Postime Postime : 98857
Gjinia Gjinia : Female
Anëtarësuar Anëtarësuar : 11/01/2009
Mosha Mosha : 45
Hobi Hobi : Të përballoj jetën

http://www.klealove.com

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Zinxhir dhimbjesh me pasoja të rënda, me përjetime të dhimbshme dhe mbi të gjitha me deformime shpirtërore Empty Re: Zinxhir dhimbjesh me pasoja të rënda, me përjetime të dhimbshme dhe mbi të gjitha me deformime shpirtërore

Mesazh nga WebMaster Thu 26 Jul 2012 - 11:12

Rasti nr. 13. – Nga mosha 14-vjeçare babai im ka filluar të më dhunojë

- Jam 19-vjeçare; jam fëmija më i madh në familjen time tetanëtarëshe. Ndonjëherë mendoj se ky mallkim vie pikërisht për këtë arsye; mbase mua më duket ashtu, ku ta di unë.
Që nga mosha 14-vjeçare babai im ka filluar të më dhunojë. Kjo gjendje ka vazhduar gjer më tani kur vendosa të kërkoj ndihmë. Thjesht isha e zënë rob nga ai. Më rrihte, më kërcënohej dhe ai u shndërrua në ankthin tim. Gjithnjë shfrytëzonte rastin kur mbeteshim vetëm. Kisha frik kur nëna fliste se do të shkonte diku për vizitë dhe gjithnjë qaja të më merrte me vete. Mirëpo babai insistonte se dikush duhet te kujdesej për shtëpinë dhe gjithnjë ajo "dikush" isha unë.
Herën e fundit kur deshi të më dhunojë më rrahu aq shumë sa që vendosa t’u jap fund të gjithave. E di se është shumë e vështirë për nënën time, për vëllezërit dhe motrat të ballafaqohen me këtë realitet, por kam vendosur që këtë punë ta çoj deri në fund. Tani janë përzier në këtë mesele edhe dajallarët e mi dhe axhallarët. Ata thonë se duhet heshtur për hir të motrave e vëllezërve, sepse askush nuk do miqësohet me ne tash e tutje. Nëna në telefon më shumë më është kërcënuar se sa që më ka kuptuar. Sipas saj jeta ime nuk qenka veç e imja, unë duhet të mendoj për motrat e mia, për vëllezërit. Mos të flasë, sepse do bëhemi horë. Unë e di për vete se jam bërë copë e grimë, se nuk fle, se ndihem keq . Do të doja të vdes. Po, veç këtë do të doja. Unë tani jam mirë dhe e sigurt në strehimoren e Pejës. Babai im ndodhet në paraburgim, ndërsa familja ime janë tejet të shqetësuar. Besoj se shumë shpejt të gjithave do t‘u vijë fundi. Jam shumë mirënjohëse për ndihmën që më ka ofruar kjo shtëpi, për përkrahjen dhe kthimin në diçka që i thonë jetë. Me duket se familja ime kanë vendosur që të më dërgojnë jashtë shtetit, te dajët në Austri. Thonë se do ja bëjnë disi që të më largojnë nga këtu. Unë nuk di se çka dua. Me duket se nuk dua asgjë veç një vendi ku do të mund të flija rehat, një vendi ku nuk do të kujtoja asgjë. E di se është pamundur ta harroj gjithë këtë. Tash më duket e pamundur edhe të dal e ta denoncoj në gjykatë. Më kanë thënë se në gjykatë u dashka te them se kam gënjyer, se ai veç me ka rrahur dhe asgjë tjetër. Pastaj jetën time do e "rregullojnë" dajallarët e mi që janë më të pasur se familja e babait.


Gratë

Rasti nr. 14. – Nga burri im kisha frikë konstante

- Jam shqiptare 26-vjeçare. Kur erdha këtu për strehim shihja si me ndrojtje të gjithë. Më besoni se kisha një frikë që as vetë nuk e di nga çka. E di se nga burri im kam frikë konstante, por se kisha frikë edhe nga njerëzit tjerë, këtë e pashë vetëm pasi që u strehova këtu. Por, në anën tjetër, hasa në një mori buzëqeshjesh e fjalësh përkrahjeje nga stafi i kësaj qendre. Akulli rreth meje filloi të shkrihet. Unë ngadalë po e marr veten, edhe pse e di që përjetësisht do jem me të meta në kurriz nga dhuna që kam përjetuar nga burri im. Por së paku tani jam këtu e sigurt me njerëz që më kuptojnë dhe që më kane ndihmuar të ndjehem vetvetja. Nga ky zgjim e pashë se kam mbetur me shumë të meta fizike e shpirtërore, por mendoj se është me shumë rëndësi të shpëtoj shpirtin tim, trupin tim dhe vajzën time. Tani pres të mbarojë seanca gjyqësore dhe të merrem vetë me jetën time dhe të vajzës sime. Natyrisht, gjithnjë duke e falënderuar këtë personel të mrekullueshëm të kësaj qendre që bëri gjithçka për mua që të kthehem prapë në jetë.

Rasti nr. 15. – Vuajtja ishte bërë pjesë e jetës sime

- Unë jam 29-vjeçare dhe nënë e katër fëmijëve. Dhuna ka filluar menjëherë vitin e dytë të martesës. Gjithnjë me shpresë se kjo do të kalojë, unë mundohesha të mos e nxisë në asnjë mënyrë, sepse pasojat i vuaja vetëm unë. Pas përfundimit të luftës gjendja jonë materiale ishte edhe më e keqe. Tani më kisha katër fëmijë. Ai punonte rrallë, ndërsa dehej çdo ditë e më shpesh. Vitin e kaluar nga rrahja e tepër ai më theu edhe këmbën. E kalova edhe këtë. Tani më vuajtja ishte bërë pjesë e jetës sime. Ajo çka më shtyu të kërkoj ndihmë dhe strehim këtu ishte se tani ai këtë dhunë filloi ta ushtrojë edhe në fëmijët tanë, e më së tepërmi në vajzën e madhe e cila ka vetëm 9 vjet. Herën e fundit kur më rrahu dhe më dëboi nga shtëpia me fëmijët, e rrahu shumë edhe vajzën e madhe të cilën e nxori nga shtrati dhe duke e rrahur e hodhi në oborr. Unë kam vendosur të kërkoj ndihmë dhe strehim për fëmijët dhe për veten time. Jam e strehuar në strehimoren e Pejës, ku më është ofruar ndihmë dhe gjërat kanë filluar të lëvizin për të mirë. Unë tani jam më e fortë dhe më e vendosur të luftoj për fëmijët e mi dhe për veten time.

Rasti nr. 16. - Kur më goditte gjithnjë gjeja arsyen për t’ia falur

- Jam 30-vjeçare. Jam martuar para pesë vitesh dhe nga kjo martesë kam një djalë 4-vjeçar. E desha shumë burrin tim. Unë nuk e di se si filloi e gjithë kjo. Në fillim ai ishte i pakënaqur me punët e mia dhe kujdesin për familjen e tij. Pasi që ai punonte, mua më duhej të kujdesesha për nënën e tij të sëmurë. Kur filloi të më godasë, gjithnjë gjeja arsye për t’ia falur, duke besuar se me këtë do të dëshmoja dashurinë ndaj tij, e në anën tjetër pafajsinë time. Por tani e shtrirë dhe me plagë nga rrahjet e tij e kuptova se gjithë këto vite kisha gënjyer veten.
Po të mos më hetonte policia dhe të më strehonte në strehimore unë ndoshta ende do të kisha qëndruar në atë ankth dhe e pavetëdijshme se po torturohesha pa arsye lejoja që fëmija im të rritej në një rreth ku dhuna flet dhe dhuna edukon një njeri tjetër (fëmijën tim) i cili me siguri do të ushtronte dhunë në familjen e tij.
Nuk është e lehtë të kuptohet gjendja në të cilën ndodhesh derisa je e keqtrajtuat. Gjërat dhe situatat u ngjanin njëra-tjetrës dhe përsëriteshin shpesh. Unë isha në një gjendje amullie. Gjendje e cila ngadalë çdo ditë e më tepër të mëson jo si t’i zgjidhësh problemet, por si t’i përballosh ato. Diçka e tillë ndodh më duket me të gjitha ne. Më kujtohet se nuk kisha guximin e duhur as të ecja vetëm rrugës me të. Një frikë konstante mbeti në mua për më shumë vite. Një ndjenjë e nënçmimit për të cilën shpesh isha e bindur se është gjykim i drejtë i burrit tim.
Dua të shtoj se ikja nga një rreth i tillë jo gjithnjë sjell zgjidhjen e kënaqshme, por për një gjë jam shumë e sigurt se dalja nga rrethi i dhunës na ndihmon në radhë të parë të shohim më realisht situatën tonë, të ndjehemi më të zonjat për zgjidhjen e problemit dhe së fundmi të jemi vetvetja.

Rasti nr. 17 – Natën shpesh kam ankthe dhe pagjumësi

Unë jam 34-vjeçare, shqiptare e besimit katolik. Jam nënë e katër fëmijëve dhe e ndarë nga burri. Jam e strehuar në strehimoren e Pejës pa fëmijët e mi. Ndjej mall për ta, por kjo ishte zgjidhja e vetme të shpëtoj kokën time dhe të mbes shëndosh mentalisht.
Kur jam pranuar për strehim, veç lëndimeve fizike kam qenë në një gjendje shumë të rëndë psikike. Flisja pa asnjë lidhshmëri, isha shumë konfuze…
Në fillim të martesës burri im ishte shumë xheloz. Mendoja se kjo do të kalojë, por filloi edhe më keq. Më akuzonte për çdo imtësi, më ndaloi të shkoj në kishë, më rrihte pothuaj çdo ditë. Më akuzonte pa arsye. Dikur filloi të më akuzojë edhe se jam e çmendur. Ndjehesha e lehtësuar kur ai nuk ishte në shtëpi, mundohesha të jem gjatë gjithë kohës në shërbim të fëmijëve të mi, të punoj me ta.
Familja ime jetojnë jashtë Kosovës. Gjatë gjithë kohës kam ndjerë vetmi dhe mospërkrahje dhe këtu është hera e parë që ndjehem e përkrahur . Pas disa muajsh fillova të mendoj dhe të veproj në mënyrë më të shëndoshë. Kuptova se sa shumë kisha hequr gjatë gjithë martesës sime. Ende nuk e kuptoj pse kam duruar gjithë këto vite.
Tani jam në gjendje të flas për netët e shumta kur më rrihte, kur më lidhte me kabllot e ndryshme që gjente nëpër shtëpi. Natën shpesh kam ankthe dhe pagjumësi, por ditën shoh me sy tjerë, shoh përkrahjen që më ofrohet, shoh zgjidhjen për krejt atë situatë në të cilën kam qenë me vite e vite. Unë dua të falënderohem shumë për atë që sot jam në gjendje të shoh drejt, të mendoj për një të ardhme tjetër pa dhunë.

Rasti nr. 18. – Familja ime nuk më kupton dhe më akuzon se do të lindi fëmijë jashtmartesor

Unë jam 30-vjeçare, e pamartuar dhe së shpejti do të bëhem nënë. Punoja në spital. Tani jam e strehuar dhe pres lindjen e fëmijës. Mjeku më tha se do të lindi djalë. Zot! Mendoj shpesh se e gjithë jeta është një ironi. Nuk e kuptoj se ku qëndron shkaku i gjithë atyre maltretimeve dhe rrahjeve që kamë duruar. Qendra e gruas më aranzhoi disa takime me babanë e fëmijës, por ai nuk pranon përgjegjësinë mbi fëmijën. Familja ime nuk më kupton dhe më akuzojnë se do të lindi fëmijë jashtmartesor. Por unë kam vendosur ta lindi edhe pse ish i dashuri im më tha të abortoj ashtu siç më detyroi edhe dy herat tjera. Unë pata dëgjuar në radio për një strehimore të tillë në Pejë dhe u drejtova këtu. Tani sado-kudo e kam marrë veten dhe jam qetësuar nga akuzat e paragjykimet. Këtu kam hasur në mirëkuptim. Kam përkrahje të plotë dhe shpesh mendohem: Athua ku do të kisha përfunduar sikur mos të ekzistonte ky vend, ky institucion kaq human?

Rasti nr. 19 – Ata të cilët i mbyllën sytë përballë tragjedisë sime

Jam 28-vjeçare, e martuar dhe e ndarë dy herë. Gjendem në Strehimoren e Pejës. T’u them të drejtën derisa nuk më sollën policia këtu unë as që kam ditur se ekzistoka një vend ku gruaja ka një mbështetje të tillë. Vend i sigurt me plot mirëkuptim. Një strehë të cilën nuk më ofruan as familja e bashkëshortit dhe as familja ime. Ata të cilët dy herë më martuan pa më pyetur, ata të cilët i mbyllën sytë përball tragjedisë sime, ata të cilët nuk më dërguan kurrë në shkollë, ata të cilët vendosën gjithmonë për mua dhe për fatin tim më prunë në këtë ditë që të përfundoj si mos më keq. Natën kur më përzuri nga shtëpia burri i dytë unë rendja rrugëve e rrahur, e pa veshur. Bënte ftohtë, kurse pantallonat gjer në gjunjë më ishin ngrirë. Nuk e di për sa kohë kamë ecur gjersa në mua kanë hasur policia, e cila më solli këtu në strehimoren e Pejës. Ishte natë. Rashë për të fjetur dhe kur u zgjova më dukej vetja në një botë tjetër. Në një botë ku kishte shumë dashuri, mirëkuptim dhe përkrahje. Pasi që unë isha analfabete, këtu ngadalë kam filluar të shkruaj dhe të lexoj me ndihmën e punëtoreve të strehimores. Kam fituar vetëbesim dhe jam një njeri krejt tjetër. Kam kuptuar se unë nuk jam objekt i askujt, se jam personalitet si të gjithë të tjerët. Unë jam grua së cilës i janë shkelur të drejtat elementare për jetë.

Rasti nr. 20. – Shko ku të duash, askush nuk ka nevojë për ty

Jam 44-vjeçare, e martuar qe 23 vjet. Nga kjo martesë nuk pata fëmijë edhe pse kjo ishte ëndrra ime e jetës. Por pasi që fati deshi ashtu, unë vendosa që jetën time ta ndërtoj mbi lumturinë e burrit tim. Punoja pa ndarë me të rreth ndërtimit të shtëpisë sonë të përbashkët; mundohesha që ai së paku të jetë i lumtur. Vitet kalonin. Unë për dashurinë që pata ndaj tij vendosa që ai të martohet edhe një herë, pra ia dhashë mundësinë e të qenit baba pasi që unë nënë nuk u bëra kurrë. Para gjashtë vjetësh ai u martua dhe unë isha e lumtur me lumturinë e tij. Jetonim të gjithë bashkë. Gruaja e tij e dytë lindi tre fëmije - dy djem dhe një vajzë. Tani m’u duk se kishim krijuar një familje të vërtetë, unë kënaqesha duke u kujdesur për këta fëmijë. Mirëpo ndodhi diçka që nuk e prisja. Tri vitet e fundit ai filloi të ushtrojë dhunë ndaj meje. Filloi të më fyente dhe të më rrihte. Më drejtohej me fjalët: “Shko ku të duash, askush nuk ka nevojë për ty”. Me kohë edhe gruaja e tij filloi të më fyente, ndërsa një natë me përzuri nga shtëpia. Ika te vëllezërit e mi. Ata të inatosur më drejtoheshin: Po ti ke shtëpinë tende atje, ti ke punuar dhe ke kontribuar gjithë këto vite në atë shtëpi. Si e marrosur u paraqita në polici dhe kërkova një skutë, një vend kudo ku do të rrija e qetë dhe ku nuk do të rrihesha e ofendohesha, pra diku ku do të ndjehesha e denjë për jetë si të tjerët. Policia më solli në Qendrën e Pejës. Tani jam e strehuar këtu dhe jam shumë mirënjohëse që ekziston një vend ku e ndjej se ka njerëz që janë të gatshëm ta ndajnë dhimbjen me mua, të kujdesen për mua dhe të m’i kuptojnë hallet e mia, e veç kësaj të më ndihmojnë për realizimin e të drejtës sime në shtëpi dhe në shoqëri.

Rasti nr. 21. – Më akuzonte se e tradhtoj me të tjerë dhe më rrihte vazhdimisht

Jam 25-vjeçare, e nacionalitetit rom. Jam martuar para 13 vjetëve dhe nga kjo martesë kamë katër fëmijë - dy djem e dy vajza. Burrin e mora me dashuri, por tash më duket se ky ka qenë veç një iluzion i imi. Me të kalova shumë peripeci jetësore, kushte të këqija ekonomike, endje të shpeshta nga një qytet në tjetrin dhe në ndërkohë rrisja fëmijët e mi me ato kushte që kishim. Sikur të mos mjaftonin gjithë këto probleme, ai mua me rrihte shpesh duke me akuzuar se nuk kujdesem për fëmijët, se e tradhtoj me të tjerë e shumë akuza të tjera. Dikur nga dhimbjet që më shkaktonte pranoja çdo gjë vetëm të mos më rrihte më.
Do të pyesni pse nuk ikja? S’kisha si të ikja, sepse ai ma mbyllte derën dhe nga disa ditë rresht më ruante në shtëpi, duke m’u kërcënuar se nëse e lajmëroj policinë do më vriste. Disa herë provova te familja ime të mbetem, mirëpo as këtu nuk më linte të qetë. Fillonte me lutje e lot se kjo më nuk do të përsëritet, se do të përmirësohej, por çdo kthim i imi kishte pasur e përjetuar prapë pasojat e njëjta. Kam harruar se si është të flejë e qetë dhe pa frikë. Jam bërë kockë e gjallë dhe shëndeti më është rrënuar. Herën e fundit që më rrahu ika; ika dhe të nesërmen me ndihmën e vajzës sime e lajmërova dhe u paraqita në polici. Ata më sollën këtu në strehimore. Më besoni se këto ditë kam filluar të këndellem dhe të kënaqem në rolin tim të nënës dhe ta shoh veten në pasqyrë. Jeta me gjithë bukuritë e saj kishte kaluar për vite skaj meje, e unë kurrë nuk e kam shijuar dhe nuk kam qenë në gjendje ta dalloj me asgjë të mirë. E vetmja gjë e mirë ishte kur unë shpëtoja pa u rrahur. Këtu jam shumë mirë, kam mundësinë e të menduarit të kthjellët dhe jam e njoftuar për të drejtat e mia juridike, për të drejtën time të barabartë me të tjerët. Shumë nga këto gjëra unë i dija, por më besoni se nuk pata kurrë kohën të kthej kokën dhe të shoh se sa poshtë kisha rënë. Këtu tani kam një përkrahje dhe mbështetje maksimale. Kjo më bëri tjetër njeri, më mundësoi të filloj të mendoj se për çdo gjë në këtë botë ka zgjidhje. Ju faleminderit shumë, shumë.

Rasti nr. 22. – Unë jam shumë e palumtur, kaq di të them

Unë jam 25-vjeçare, e martuar dhe nënë e tre fëmijëve. Unë jam shumë e palumtur, kaq di të them. Nuk e di se kur filloi i gjithë ky ferr dhe nuk mund ta gjej shkakun për gjithë ato dhimbje që përjetoja çdo ditë. Shpesh më duket se kjo gjendje është e vetmja që e njoh në jetë, e ato ishin rrahjet dhe maltretimet e përhershme psikike.
Në këtë gjendje të raskapitur që jam nuk e di se çfarë mund t’u ofroj fëmijëve të mi. Ndjej një obligim të madh ndaj tyre dhe një pamundësi për t’u marrë me rritjen dhe edukimin e tyre. Thjesht nuk kam më forcë për asgjë. Ka pesë ditë që kam kërkuar ndihmë për problemet e mia dhe tani ndodhem e vendosur në strehimoren e Pejës. Ndjehem shumë e sigurt dhe e mbrojtur. Besoj që me kohë do të filloj të mbledh forcën për t’u përballuar me realitetin tim dhe të kërkoj dalje nga kjo situatë.

Rasti nr. 23. – Rrahjet nuk m’i ndali as gjatë shtatzënësisë sime

Unë jam 36-vjeçe, nënë e një fëmije. Linda dhe u rrita në Bosnje, jam e besimit mysliman. Para katër vitesh e njoha burrin tim dhe u dashurova në shikimin e parë. Ai kishte qenë i martuar dhe nga kjo martesë kishte pesë fëmijë. Gruaja i kishte vdekur. U martuam pas një muaji . E desha shumë, mendoja nganjëherë se ndoshta nuk e meritoj gjithë këtë lumturi. Pas disa muajsh filloi të më rrahë, por unë gjithnjë gjeja arsye për ta shfajësuar. Rrahjet nuk u ndalën edhe gjatë shtatëzënësisë sime. Djali ynë tani i ka dy vjet. Djali është edhe arsye pse sot flas me ju. Shpesh mendoja t’i jap fund çdo gjëje, por jetoja për këtë krijesë të bukur e pa faj, sepse dashuria humbi. Mbet dhimbja e trupit dhe e shpirtit tim, mbet një pakuptimësi mbi të gjitha që ndodhën. Nuk mund të them se e kuptoj situatën apo shkakun pse ndodhi kështu, pse erdhi deri këtu lidhja jonë.
Kohë të gjatë kam kaluar duke menduar dhe prapë nuk mund të gjej fillin e ngjarjeve të këqija. Arsyen nuk e kam kërkuar, sepse e di që nuk ekziston. Nuk mund të ketë asnjë arsye që të shtynë të bësh diçka të tillë.
Një natë e rrahur brutalisht përfundova e hedhur në rrugë si ndonjë leckë pa vlerë. Atëherë kuptova se sa pak e kam respektuar veten dhe sa shumë kam duruar. Unë nuk e di se kur filloj gjithë kjo, por më në fund e kuptova se unë mund t’i ndërpresë të gjitha dhe të jetoj me fëmijën tim. Falë ndihmës së pakursyer të grave të cilat punojnë për të na përkrahur dhe që na kuptojnë plotësisht ne sot jemi këtu ku jemi, pra nuk jemi vetëm. Sot punoj në vendin e mëparshëm të punës dhe kujdesem për djalin tim. Dhuna është diçka që dua ta harroj, sepse isha shumë e lënduar. Po ashtu jam e gatshme t’i ndihmoj edhe gratë tjera në mënyrë që të kuptojnë se jetën tonë nuk ia kemi borxh askujt përveç Zotit.

Rasti nr. 24. – Ngjaj me një kufomë të gjallë ngjyrë të verdhë në të murrme

Jam 20-vjeçare, e martuar para dy vitesh. Para dy javësh u bëra edhe nënë. Linda një vajzë të bukur, të cilës ende nuk i kam dhënë gji, nuk ma lejuan vjehrra dhe burri. Mbase edhe nuk do të mund të kujdesesha për të. Nga rrahjet e burrit tim unë përfundova në spital dhe kështu linda vajzën tri javë para kohe. Më mori dhe më dërgoi në shtëpi dhe vetëm pas dy javësh më rrahu prapë. Nga lëndimet e marra përfundova në repartin intensiv. Nuk jam në gjendje të mendoj apo të vendos çkadoqoftë. Jam e strehuar në shtëpinë e sigurt, kohën e shumtë e kaloj me sy mbyllur, lotët më lagin fytyrën. Përpara më del fytyra e vajzës sime e cila mbet te burri. Zot, ajo është aq e vogël. Një ofshamë më vjen nga shpirti: Ku mbet e gjithë ajo dashuri, kush e vodhi ëndrrën time?! Pse na e bëri gjithë këtë ferr. Nga të qarat e shpeshta më nxiten dhimbjet në fyt. Kam probleme me laringun tani. Gjat rrahjes më ka nxjerrë prej vendit laringun, kam problem edhe kur marr ushqimin. Nuk mund ta definoj se nga me vijnë gjithë këto dhimbje - nga ana fizike, nga shpirti apo prej të dyjave bashkë. Nuk kam guxim të shihem në pasqyrë se në çfarë gjendje kam ardhur. Ngjaj me një kufomë të gjallë ngjyrë të verdhë në të murrme.

Rasti nr. 25. – Nga torturat gati çdo ditë përjetoj sulme epileptike

Jam 29-vjeçare, nënë e pesë fëmijëve. Më fejoi dhe më martoi babai. Burri im sa kishte dalë nga burgu, ishte dënuar për vrasje. Isha e re, e desha dhe e pranova ashtu siç ishte. Kaluam të jetojmë në Gjermani. Atje edhe i linda fëmijët e mi. Atje burri im kreu edhe vrasjen e dytë. Kësaj here u dënua me shtatë vjet burgim. Unë u sëmura nga epilepsia. Nëna ime më ndihmonte rreth fëmijëve. Nuk mërzitesha për të. Ai e kishte merituar burgun. Pastaj kur sillja nëpër mend gjithë ato që kisha përjetuar nga ai, mendoja që së paku trupi im kishte pushuar nga gjithë ato rrahje të pakuptimta. Pas shtatë vitesh ai doli nga burgu. U kthyem që të jetojmë në Kosovë. Ai ishte prapë i njëjti, ai i vjetri. Dhunën ndaj meje e filloi prapë gjersa një natë pas rrahjes brutale tentoi të më vrasë. Ai më futi tytën e revoles në gojë, vajza e madhe e cila kishte qenë zgjuar më shpëtoi. Atëherë mora vrapin dhe ika në stacionin e afërt policor. Sot ndodhem e strehuar në strehimore. Gati çdo ditë përjetoj sulme epileptike. Nga medikamentet që përdori gjithë dita më kalon në amulli. Jam larg fëmijëve të mi. Jam gjysmë e vdekur dhe dua shumë, dua të jetoj për veten, rinin time, fëmijët e mi. O Zot, dua të shërohem për hir të asaj se unë kurrë nuk pata faj, unë vetëm i dëgjova të gjithë përreth meje. Mjekët nuk shpresojnë në shërimin tim. Ilaçin që e merrja një herë në ditë tani duhet ta marr tri deri në katër herë në ditë. Shoh veten në pasqyrë dhe nuk e njoh më këtë grua, nuk e njoh veten time. Dikur isha shumë e bukur. Një gaz ironik më vjen në buzë dhe pyes: Pse? Pse kështu?

Rasti nr. 26. – Unë rendja rrugëve e rrahur

Jam 28-vjeçare, e martuar dhe e ndarë dy herë. Gjendem në strehimoren e Pejës. T’u them të drejtën derisa nuk më sollën policia këtu unë as që kamë ditur se ekziston një vend ku gruaja ka një mbështetje të tillë. Vend i sigurt me plot mirëkuptim; një strehë të cilën nuk më ofruan as familja ime. Ata të cilët dy herë më martuan pa më pyetur, ata të cilët i mbyllën sytë përballë tragjedisë sime, ata te cilët nuk më dërguan kurrë në shkollë, ata të cilët vendosën gjithmonë për dhe prandaj përfundova kështu si mos më keq. Natën kur më përzuri nga shtëpia burri i dytë, unë rendja rrugëve e rrahur, e rraskapitur e zbathur në të ftohtit që bënte.Nga të ftohtit pantallonat gjer në gjunjë më ishin ngrirë. Nuk e di për sa kohë kam ecur gjersa në mua kanë hasur patrulla e policisë. Ata më gjetën dhe më sollën në strehimoren e Pejës. Kur më sollën ishte natë. Rashë për të fjetur dhe kur u zgjova më dukej vetja në një botë tjetër. Në një botë ku kishte shumë dashuri, mirëkuptim dhe përkrahje. Pasi që unë isha analfabete, këtu ngadalë kam filluar të shkruaj dhe të lexoj me ndihmën e punëtoreve të strehimore. Kam fituar vetëbesim dhe jam një njeri tjetër. Kam kuptuar se unë nuk jam objekt i askujt, se unë jam personalitet si të gjithë të tjerët. Unë jam grua të cilës i janë shkelur të drejtat elementare për jetë.

Rasti nr. 27. – Më rrahu brutalisht dhe më hodhi në rrugë si leckë

Unë jam 36-vjeçe, nënë e një fëmije. Linda dhe u rrita në Bosnje, jam e besimit mysliman. Para katër vjetësh e njoha burrin tim dhe u dashurova në shikimin e parë. Ai kishte qenë i martuar dhe nga kjo martesë kishte pesë fëmijë, ndërsa gruaja i kishte vdekur. U martuam pas një muaji . E desha shumë, mendoja nganjëherë se ndoshta nuk e meritoj gjithë këtë lumturi. Pas disa muajsh filloi të më rrahë, por unë gjithnjë gjeja arsye për ta shfajësuar. Rrahjet nuk m’i ndali edhe gjatë shtatzënësisë sime. Djali ynë tani i ka dy vjet. Djali është edhe arsyja pse sot flas me ju. Shpesh mendoja t’i jap fund çdo gjëje, por jetoja për këtë krijesë të bukur e pa faj, sepse dashuria humbi. Mbet dhimbja e trupit dhe e shpirtit tim Një natë e rrahur brutalisht përfundova e hedhur në rrugë si ndonjë leckë pa vlerë, atëherë kuptova se sa pak e kam respektuar veten dhe sa shumë kam toleruar. Unë nuk e di se kur filloi gjithë kjo, por më në fund e kuptova se unë mund t’i ndërpres të gjitha dhe të jetoj me fëmijën tim falë ndihmës së pakursyer të grave të cilat punojnë për të na përkrahur dhe për të na dhënë kurajë se nuk jemi vetëm. Sot punoj në vendin e mëparshëm të punës , kujdesem për djalin tim dhe se dhuna është diçka që dua ta harroj sepse isha shumë e lënduar. Po ashtu jam e gatshme t’i ndihmoj edhe gratë tjera që të kuptojnë se jetën tonë nuk ia kemi borxh askujt.

Rasti nr. 28. – Burri i saj për pak sa s’e kishte mbytur nga të rrahurat

Jam 20-vjeçe, e martuar para dy vitesh. Para dy javësh u bëra edhe nënë. Linda një vajzë të bukur, të cilës ende nuk i kam dhënë gji, sepse nuk ma lejoi vjehrra dhe burri. Mbase edhe nuk do të mund të kujdesesha për të. Nga rrahjet e burrit tim unë përfundova në spital dhe kështu linda vajzën tri javë para kohe. Më mori dhe më dërgoi në shtëpi dhe vetëm pas dy javësh më rrahu prapë. Nga lëndimet e marra përfundova në repartin intensiv. Nuk jam në gjendje të mendoj apo të vendos për çkadoqoftë. Jam e strehuar në shtëpinë e sigurt, kohën e shumtë e kaloj me sy mbyllur dhe vetëm lotët ma ngrohin fytyrën. Kam shumë dhimbje, nuk e di ku më dhemb më shumë. Më dhemb edhe shpirti për vajzën time. Përpara më shfaqet fytyra e vajzës sime e cila mbet te burri. Zot, ajo është aq e vogël. Një ofshamë më vie nga shpirti: Ku mbet e gjithë ajo dashuri, kush e vodhi ëndrrën time. Pse ndodhi e gjithë kjo? Unë vërtet e desha shumë.
Nusja e re kishte vetëm 20 vjet. Ishte martuar me mësitni, me adete. Ishte e nacionalitetit rom. Ishte një krijesë shumë e bukur dhe vërtet një enigmë e madhe rreth asaj se çka e shkaktoi gjithë atë agresivitet te burri i saj, i cili për pak sa s’e kishte mbytur nga te rrahurat. Asaj i janë dashtë afër 4 javë të këndellet dhe të fillojë vetë të ushqehet normalisht, sepse laringun e kishte të nxjerrë nga vendi, Kishin mbetur edhe shenja të përjetshme në trupin e fytyrën e saj.
Pas disa muajsh familja e saj erdhën e morën. Me gjasë dikush e kishte kërkuar prapë për nuse dhe ata kishin vendosur kokë në vete si herën e parë ta martojnë sërish.

Rasti nr. 29. – Vrasësi i shumëfishtë tentoi të më vrasë, ma futi tytën e revoles në gojë

Jam 29-vjeçare, nënë e pesë fëmijëve. Më fejoi dhe më martoi babai. Burri im sa kishte dalë nga burgu, ishte dënuar për vrasje. Isha e re, e deshta dhe e pranova ashtu siç ishte. Kaluam të jetojmë në Gjermani. Atje edhe i linda fëmijët e mi. Atje burri im kreu edhe vrasjen e dytë. Kësaj here u dënua me shtatë vjet burgim.Unë u sëmura nga epilepsia. Nëna ime më ndihmonte rreth fëmijëve. Nuk mërzitesha për të. Ai e kishte merituar burgun. Pastaj kur sillja nëpër mend gjithë ato që kisha përjetuar nga ai, mendoja që së paku trupi im kishte pushuar nga gjithë ato rrahje të pakuptimta. Pas shtatë vjetësh ai doli nga burgu. U kthyem që të jetojmë në Kosovë. Ai ishte prapë po ai. Nuk kishte ndryshuar fare. Dhunën mbi trupin tim e filloi prapë, gjersa një natë pas rrahjes brutale tentoi të më vrasë. Ai më futi tytën e revoles në gojë. Vajza e madhe, e cila kishte qenë zgjuar më shpëtoi. Unë atëherë mora vrapin dhe ika në stacionin e afërt policor. Sot ndodhem e strehuar në strehimore. Gati çdo ditë përjetoj sulme epileptike. Nga medikamentet që përdori gjithë dita më kalon në amulli. Jam larg fëmijëve të mi. Jam gjysmë e vdekur dhe dua të jetoj për rinin time për fëmijët e mi. O Zot, dua të shërohem për hir të asaj se unë kurrë nuk pata faj, unë vetëm i dëgjova të gjithë përreth meje. Mjekët nuk shpresojnë në shërimin tim, ilaçin që e merrja një herë në ditë tani duhet ta marr tri gjer në katër herë në ditë. Shoh veten në pasqyrë dhe nuk e njoh më a ajm unë apo s’jam. Dikur isha shumë e bukur. Një gaz ironik më vie në buzë dhe pyes: Pse?!

Rasti nr. 30. – Isha viktimë e dhunës së parreshtur seksuale, fizike, emocionale dhe psikologjike

Ajo u strehua në Qendër në gusht të këtij viti. Ishte hera e dytë që strehohej. Ajo është 30-vjeçare, nënë e gjashtë fëmijëve. Ka 13 vjet martesë. Prindërit e saj e fejuan dhe e martuan sipas zakonit të vjetër shqiptar, pra pa u njohur më herët me burrin e saj të ardhshëm, i cili është 17 vjet më i moshuar dhe vuan nga çrregullimet mendore.
Kur erdhi për herën e parë për t’u strehuar në Qendër e kishte vështirë të hapej në bisedë. Ajo ishte tejet e frikësuar dhe bisedonte në mënyrë tejet sipërfaqësore mbi problemin. Me kohë ajo tregoi për të gjitha torturat që kishte përjetuar nga burri i saj. Për një gjë të tillë ajo nuk ju kishte treguar familjarëve. Kishte treguar se ai e rrahte, por kjo nuk kishte shumë peshë në mentalitetin e disa njerëzve shqiptarë, madje-madje një gjë e tillë dukej si shenjë burrërie. Ajo ishte viktimë e dhunës seksuale, fizike, emocionale dhe psikologjike për vite të tëra rresht.
Menjëherë pasi që ishte strehuar, burri i saj filloi të kërkojë takim me të. Ai kishte biseduar edhe me familjarët e saj dhe te dyja palët kishin konstatuar se ajo nuk ka pasur nevojë të ikë nga shtëpia. Natyrisht, edhe burri i saj kishte ,,premtuar” se do tregohej më i butë me të. Nuk ishte ndalur me kaq, ai kishte biseduar edhe me punëtorët socialë dhe i kishte bindur se më nuk do e rrahë vetëm le të kthehet. Kjo edhe ndodhi. Në vizitën e parë të tij me punëtorët socialë e bindën dhe e kthyen në shtëpi. Atje ajo tani kishte përjetuar ferrin e vërtetë. I vrarë në sedër se edhe dikush tjetër di mbi ,,punët e tij” (jo për të gjitha), burri i saj tani e torturonte edhe më keq. Kryente marrëdhënie të dhunshme seksuale me të duke përdorur mjete të ndryshme, madje vazhdonte t’i kryente këto dhunime edhe në prezencën e fëmijëve dhe të gjitha ishin të shoqëruara me rrahje brutale. Çdo përpjekje e saj për të ikur tani më i kushtonte shtrenjte. Ajo pohon se ankthi i vërtetë e kaplonte sa fillonte të binte terri. Ishte e tmerruar nga dhuna dhe besimi i humbur se diçka do të shkonte më mirë. Ajo arriti të ikë prapë nga shpia dhe të strehohet në Qendër. Burri i saj bashkë me familjarët e tjerë filluan prapë të tentojnë ta kthejnë. Por viktima tani e dinte mjaft mirë se vendimi i saj për të mos kthyer do t’i kushtojë shumë shtrenjtë. Ajo i la gjashte fëmijët e saj në shtëpi te burri. Lufta e saj me veten dhe mallin për fëmijët ka vazhduar me muaj rresht, e mbase do vazhdojë edhe shumë me gjatë, madje tërë jetën. Por kjo ishte mënyra e vetme për ta shpëtuar jetën nga ky burrë i çmendur. Ka pasur telefonata edhe nga familjarët me një ton qortues se nuk është treguar nënë e denjë, se një nënë e denjë do të duhej të përballojë çdo gjë për t’i rritur fëmijët e vet. Familjarët e saj (vetëm motrat) vonë e kishin kuptuar krejt çka kishte përjetuar kjo grua. Në seancën gjyqësore ajo shpreh vendimin e saj që të divorcohet nga ky burrë. Ajo ka kuptuar se masat ndëshkuese në këtë rast janë pothuaj se simbolike në favor të burrit dhe se mbështetja kryesore mbetet në vetë atë e jo në ligjin, në forcat e rendit.
Sipas Kodit penal që vepron në Kosovë, dhuna në familje i përket çështjes civile dhe është e rregulluar me një rregullore të UNMIK-ut. Problemi kryesor qëndron në mosaplikimin e plotë të kësaj rregulloreje dhe në vetëdijen e përgjithshme të komuniteve se dhuna në familje është çështje e brendshme e secilës familje. Natyrisht, ka përjashtime, por në këtë aspekt gjërat po rrjedhin ngadalë.
Raporti i saj me vëllezër ka eskaluar kur kjo përfundimisht është divorcuar dhe ata (vëllezërit) i kanë thënë se ti duhet të kthehesh te familja jote pasi që secili prej nesh ka familjen e vet dhe se ti je e tepërt dhe nuk ke vend te ne. Pra aq i parëndësishëm kishte qenë për ta fakti se ajo aty kishte pasur jetën në rrezik çdo ditë e natë. Çdo ditç e natë edhe fëmijët kishin parë skena tmerruese, u ishin ekspozuar pamjeve e veprimeve degraduese të prindit të tyre mbi të ëmën. Por e gjithë kjo kishte çuar pak peshë në krahasim me etikën e familjes në fjalë. Me çdo kusht ata donin që motra e tyre të mos divorcohet. Ajo vazhdon strehimin te ne, ka filluar të vijojë një kurs dhe ngadalë po e merr veten. Shpresojmë që të fillojë jetën e pavarur. Gjithnjë potencon se sapo të arrin të sigurojë një vendbanim apo një punë, ajo gjithsesi do të tentojë t’i marrë me vete edhe fëmijët e saj për të jetuar me ta.

Të moshuarat

Rasti nr. 31. – Ajo që njoh unë janë vetëm vuajtjet e mia

Unë jam 65-vjeçare. Isha e martuar; jam nënë e gjashtë fëmijëve. Më martuan kur isha 16- vjeçare. Në këtë martesë njoha dashurinë apo epshin?, nuk e di! Në këtë martesë njoha dhimbjen fizike dhe atë shpirtërore. Tani më nuk e njoh as veten, ndjenjat në mua janë të përziera. Ajo që njoh më së miri është vuajtja. Nuk e di pse kaq gjatë kam toleruar, por e kam përshtypjen se ajo ishte gjithmonë me mua. Nuk e kujtoj asnjë çast të bukur të fëmijërisë sime. Tani jam e shkurorëzuar. Nuk trashëgova asgjë nga pasuria e burrit tim dhe jetës sonë të përbashkët. Fëmijët e mi nuk ishin të gatshëm të më pranojnë të rri me ta. Djali im i vetëm ndodhet në burg, sepse vrau gruan dhe la dy fëmijë jetimë. Gruaja e tij nuk pati fatin tim t’i shpëtojë vdekjes. Dhuna kishte ngadhënjyer, për fatin e saj tragjik.
Një kohë qëndrova e strehuar këtu në këtë Qendër. Me ndërmjetësimin e këtyre punëtoreve të vyeshme social sot unë ndodhem në Shtëpinë e Pleqve në Prishtinë. Jam e besimit katolik dhe më ka mbetur si shpresë e vetme besimi në një jetë tjetër më të mirë, ku do të trajtohesha si njeri dhe jo si gjësend i dikujt.

Rasti nr. 32. – Më rrahu djali dhe nipi

Jam mirë tani. Ju falemnderit shumë.
Pas lufte këtu në Kosovë ka gjithçka. Ja për shembull, ju gratë që ndihmoni. Nuk më kish shkuar mendja kurrë se ekziston një shtëpi e tillë për ne gratë.
As në ëndërr më të keqe s’e kisha parë dhe s’e kisha menduar se do të vie dita e do të dal në gjyq me djalin tim. Eh! Unë nuk desha të ndodhë kështu. Ka gjasa që dikush nga komshinjtë e ka lajmëruar policinë. Ata më nxorrën nga bodrumi ku kisha qëndruar e mbyllur më shumë se tri jave. Po, po, bukë më kanë sjellë çdo ditë aty poshtë - nusja ose djali. Atë ditë që më morën policia ka qenë dita e tretë që fillova të bërtas të ma hapin derën. Doja të shkoja te vëllai im. E di se aty nuk do ta kem si në shtëpinë time, por së paku do rri e do jetoj me njerëz.
Për kohën sa kam qëndruar e mbyllur kam menduar shumë. Kam menduar edhe për sjelljet e mija me nusen. Ka raste edhe kur i kam folur, por jo me të keq dhe nuk e kam ditur se aq shumë e paskam penguar në shtëpi. Nuk kam çka të them për asgjë. Mua më dukej se çdo gjë ishte në rregull. Ditën kur patëm konflikt ishte diçka e papritur. Po nejse, më ka ra djali njëherë dhe nipi disa herë.
Me nusen filloi e gjitha. U zumë dhe nuk e di saktësisht se si ndodhi që më ra djali. Nuk dua as ta di. Më dhemb shumë. Do jepja mallin e botes veç të mos kishte ndodhur kjo. Jam shumë e lënduar, shumë... Një gjë të tillë s’e kam pritur kurrë nga askush, jo më nga djali im. Më ka rrahur burri, ndjesë pastë gjithë jetën. Por ai ishte burri im dhe ishte e drejta e tij. Por të më bie djali, këtë s’e kisha menduar kurrë. Kjo ishte gjëja më e dhimbshme, lëndimi im më i madh.
Do të shkoj te vëllai im, nuk mund të kthehem në atë shtëpi më. Ishalla ata e gëzojnë me shëndet e të mira. Unë nuk jetoj sa kam jetuar. Jo, nuk e denoncoj, nuk dua që rasti të dalë në gjyq. Më ndihmoni ju lutem mos ta përjetoj këtë gjë.
- Ashtu do bëhet sikurse do ti!, - u përgjigja
- Po, ashtu dua. Dua vetëm të shkoj te vëllai dhe do të jem mirë sigurisht. Nuk dua të dal në gjyq me të.
Nga biseda me djalin e saj kuptuam një të vërtetë të dhimbshme, madje shumë të dhimbshme. Ai tha pikërisht kështu:
- Ajo e meriton dajakun, por çka të bësh, nënë e kam. Po të kishte qenë e mirë e pa gojë s’e kishte rrahur babai im çdo ditë. Babi im thoshte: Ka gra që veç dajakun e kuptojnë.
Nga gjithë kjo u kuptua vetëm një. Djali i saj kishte mësuar gjuhën e komunikimit, gjuhën e zgjidhjes se konflikteve vetëm me dajat qysh në fëmijëri. Pra atë gjuhë të dhunës që kishte përdorur babai i tij.

Rasti nr. 33. – Në fytyrë e trup kishte hematome, në shpirt e dinte veç ajo çka kishte

Duart i mbante të lidhura, kishte një qëndrim prej të rëndësishmit. Kishte mllef e inat në sytë e saj. Ishte e rrahur. Në fytyrë e trup kishte hematome. Në shpirt e dinte veç ajo se çka kishte, sepse nuk fliste shumë. Ishte e prerë në fjalë dhe në të menduar. Kuptohej se ishte një grua e cila kishte përjetuar shumë, por kishte luftuar mjaft për ta mbajtur gjallë dinjitetin e saj. Ishte krenare për veprimet e veta gjatë kësaj jete. Tregonte me krenari për mënyrën se si i kishte shërbyer burrit e familjarëve të tij, për punën në arë e në shtëpi. Tregonte për peripecitë që kishte hequr për t’i rritur fëmijët - vajzën e madhe dhe djalin. Vajza ishte e martuar dhe jetonte në Zvicër, ndërsa djali jetonte me të.
Ajo, edhe pse e rrahur, nuk pranonte ta akuzonte të birin, nuk dëshironte të jep deklaratë në polici. Më leni dhe më lejoni këtu për pak ditë, thoshte, sepse kam nevojë të mendoj kthjellur. Tani e shohë se asnjëherë nuk paskam pasur kohë për veten time. Me vjen të qaj për veten time, për kohën e shkuar, për mundin e madh e të pakursyer. Unë kurrë nuk jam ndalur duke u shërbyer të gjithëve, duke u marrë me problemet e të gjithëve. Unë nuk paskam jetuar asnjë orë timen. Kam jetuar e menduar për familjen time, për njerëzit që sot nuk i kam askund apo edhe që i kam kundër vetes. Kjo më dhemb dhe nuk do të doja të them diçka të keqe, sepse më duket se do bëj mëkat. Mëkat ndaje asaj që kam besuar për një jetë të tërë. Unë kam besuar shumë në dashurinë e tyre, në dashurinë time ndaj tyre. Kam besuar se Zoti të gjithëve na shpërblen kur japim. Kam mbajtë edhe fenë si duhet, kam ecur rrugës se Zotit dhe rrugës që nëna ime më ka mësuar. Kjo rrugë më ka shkaktuar shumë dhimbje, por unë kam besuar në atë që kam bërë. Kam besuar se e mira gjithnjë kthehet e sot..., po sot kam turp t’i shoh njerëzit në sy, sepse më kanë edukuar që të këqijat i gjejnë njerëzit e këqinj, por s’ishte ashtu.A thua paskam qenë edhe unë e keqe?!. Po mendohem se çka kam bërë gjatë kësaj jete. Ju betohem se nuk di nëse ndonjëherë kam bërë keq, mbase pa qëllim kam lënduar dikë. Nuk di kurrë që unë kam menduar të lëndoj ndokend. E sot sot nuk e di nëse Zoti është me mua. Nëse ai e ka parë të arsyeshme që unë të përjetoj këtë turp. Më rrahu biri im. Po, po, më ka rrahur dhe këtë mbase ja bej hallall se njerëz jemi dhe duhet të vdesim të gjithë; duhet të japim hallall ashtu si duhet ta kërkojmë nga të dashurit tonë.
Andaj unë ja bëj hallall, por kam një lutje moj motër.
Ma kontakto Shtëpinë e Pleqve në Prishtinë. Mundohuni të më vendosni atje. Unë kam turp ta shohë në sy birin tim, sepse e di se edhe ai ka turp për këtë që ka bërë. Pra, mos më lejoni që të përjetoj atë takim. E di se do të më marrë malli, por nuk do të përballoja të ndeshem me të. Mua s’me ka mbetur edhe shumë nga jeta, jam e moshuar dhe shpejt do të vdesë. Dua ta kujtoj si të vogël, atëherë kur kishte uri dhe gjithë gas futej në shtëpi të kërkonte të hante. Dua ta kujtoj si diçka të bukur, si dikë që ka nevojë për mua dhe jo si njeriun që ngriti grushtat ndaj meje, ndaj nënës së vet. Ai është fëmija im. Më lini ta kujtoj si fëmijë. Ndryshe, do më duket si i ati i tij me grushtin kthyer nga ne. E unë dua të jetë fëmija ime. Ai që më përqafonte kur murmuronte natën. Ai që frikësohej dhe më futej në gji. Kur ishte i sëmurë, kur i duroja qejfet, nazet dhe teket e tij, kur qeshja me gëzimet e tij. Më duket se kjo është pamja që do të doja ta marr me vete në varr. Kujtimi i këtyre gjërave do të shtyjë ditët e mia të pakta.
WebMaster
WebMaster
Fondatori i Forumit
Fondatori i Forumit

Vendbanimi Vendbanimi : Ku te dua un
Postime Postime : 98857
Gjinia Gjinia : Female
Anëtarësuar Anëtarësuar : 11/01/2009
Mosha Mosha : 45
Hobi Hobi : Të përballoj jetën

http://www.klealove.com

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi