Klea Love Forum
Klea Love Forum - Welcome
Origjina e Himnit te Flamurit People-icon
Mirë se vini në Klea Love Forum, Ju ftojmë që të Regjistroheni, në mënyre që të keni aksese në të gjitha kategorit dhe temat, në Klea Love Forum, mund të gjeni Shoqeri, Filma Shqip dhe të huaj, Muzikën më të re 2013, DVD Humore shqip, Këshilla Mjeksore, Diskutime, Video Klipe, Kuriozitete, dhe Lajmet më të reja nga vendi dhe bota.

KleaLove.com / Staff.


Join the forum, it's quick and easy

Klea Love Forum
Klea Love Forum - Welcome
Origjina e Himnit te Flamurit People-icon
Mirë se vini në Klea Love Forum, Ju ftojmë që të Regjistroheni, në mënyre që të keni aksese në të gjitha kategorit dhe temat, në Klea Love Forum, mund të gjeni Shoqeri, Filma Shqip dhe të huaj, Muzikën më të re 2013, DVD Humore shqip, Këshilla Mjeksore, Diskutime, Video Klipe, Kuriozitete, dhe Lajmet më të reja nga vendi dhe bota.

KleaLove.com / Staff.
Klea Love Forum
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Origjina e Himnit te Flamurit

2 posters

Shko poshtë

Origjina e Himnit te Flamurit Empty Origjina e Himnit te Flamurit

Mesazh nga WebMaster Fri 9 Nov 2012 - 0:37

Edhe një herë rreth himnit tonë kombëtar

nga Vasil Tole


HYRJE

Qysh në fillim do të theksonim faktin, se problemi i shqyrtimit të
historisë së krijimit të himnit tonë kombëtar “Rreth flamurit të
përbashkuar” (apo qoftë edhe i bërjes ose jo të një himni tjetër), janë
para së gjithash probleme për t’u diskutuar dhe rrahur nga muzikologjia
shqiptare. Pohimi i këtij momenti në hyrje të shkrimit tonë ka një
rëndësi të veçantë, pasi, siç do të shohim më poshtë, mungesa e
analizave, debateve artistke dhe problemore mbi lëndën në fjalë, në më
të shumtën e rasteve ka sjellë shtrëmbërime dhe keqkuptime të pavend
lidhur me sa më sipër. Për këtë arsye, por dhe për disa të tjera syresh,
jemi përpjekur që nëpërmjet këtij shkrimi integral lidhur me himnin
tonë kombëtar “Rreth flamurit të përbashkuar” të shprehim të ç`ka dimë
deri më sot rreth njërit prej simboleve tona kombëtare.

Në një vështrim të përgjithshëm, çështja e himneve kombëtare të vendeve
të ndryshme është një problem i cili filloi të popullarizohej fillimisht
në Angli, diku aty nga mesi i shek. XVIII. Në fakt, himne ka patur edhe
përpara kësaj kohe, por rëndësia dhe kuptimi i tyre nuk ka qënë në këtë
shkallë kaq të rëndësishme të cilës i referohemi neve sot, pasi askush
nuk e mendonte se ky llojformimi i ri muzikor do të përfaqësonte një nga
gjetjet gjeniale të të shprehurit të shpirtit të popujve. Muzikologjia
daton si të parin himn atë të Holandës, himn i cili i përket vitit 1572 -
“Wilhelmus van Nassouwe”. Ndërkohë, himni me fjalët më te vjetra në
origjinë i përket himnit japonez, rreth shek. IX, tekst i cili rrjedh
kryesisht nga folklori. Po në këtë arsyetim, himni më i gjatë në
ekzekutim është “Marcha de la Patria”, i Argjentinës kompozuar nga Blas
Parera në vitin 1813; ndërkaq himni kombëtar me më shumë vargje është ai
i Greqisë etj. Pra siç e shohim, historia e formimit të himneve
kombëtare është e ndryshme në vende të ndryshme. Me sa duket, në
përcaktimin ose jo të një krijimi muziko-letrar si himn kombëtar, rol
kryesor kanë luajtur edhe kontekste të caktuara, kryesisht historike në
historinë e një vendi. Por ka edhe shembuj të tjerë. Këtu gjej rastin të
përmend faktin, se p.sh himni zyrtar i Vatikanit u përcaktua në vitin
1949 me anë të një vendimi zyrtar të Selisë. Në bazë të himnit të
Vatikanit qëndron muzika e kompozitorit francez Sharl Guno, i cili e
shkroi këtë muzikë në vitin 1846 (vepra quhet “Marcia Pontificiale”
dedikuar papa Piut të XI), muzikë e cila gati 100 vjet më vonë u vendos
të ishte himn zyrtar i Selisë së Shenjtë. Dhe raste të tilla ka
shumë[1].

Historiku i krijimit të himnit tonë kombëtar

Deri më tani, poeti Lasgush Poradeci është ai i cili ka përshkruar dhe
botuar i pari historinë e krijimit të himnit tonë. Në punimin “Himni
kombëtar “Flamurit pranë të bashkuar dhe gjeneza e tij”[2], L. Poradeci
bëhet kështu edhe rrëfyesi kryesor për këtë ngjarje madhore. Në rrëfimin
e tij të tërheq vëmendjen një hollësi. Kjo hollesi, lidhet me faktin e
thjeshte se askush në ato çaste historike për Shqipërinë, nuk mendonte
se ajo këngë e ngritur dhe e kënduar për të parën herë nga kori i
kolonisë shqiptare të Bukureshtit, do të ishte himni i ardhshëm. Ja
ç’thotë Lasgushi: -…me fjalë të tjera, himni nuk u përgatit me qëllimin e
posaçmë që të shërbejë si Himn Kombëtar, të përmbushë misionin e
shenjtë të këngës simbolike zyrtare të popullit”.

Nga këto rradhë, por dhe nga zhvillimi i mëtejmë i historisë së
Shqipërisë, vëmë re se në kushtet kur nuk kishte shtet shqiptar ishte
jashë mendjeje, që dikush të mendonte që në fillim të kishim himnin e
pastaj të bënim shtetin, si me thene: “buxhakun para oxhakut”. Shumë
vite më vonë, poeti i shquar Migjeni shkroi poezinë me titull “Kënga që
s’kuptohet”, kushtuar melodisë sonë kombëtare. Në përpjekje për ta
zhvendosur titullin e poezisë nga konteksti i saj, do të shohim se ky
emërtim qëndron fare mirë për të, nisur jo vetëm nga largësia nga data e
krijimit të himnit, por dhe se shkrimet historike për gjenezën e himnit
tonë, kanë shërbyer në të njëjtën kohë edhe si kronikë besnike e
lindjes së tij, por dhe si alibi.

Gjatë hulumtimeve të materialeve dokumentare rreth lëndës në fjalë, në
librin “The Guinnes Book of Music”[3], është shkruar si më poshtë:

himni “Rreth flamurit të përbashkuar” është pranuar si himn kombëtar i Shqipërisë në vitin 1912
fjalët e himnit janë shkruar nga Asdreni
muzika e himnit është kompozuar nga Ciprian Porumbesku

Duke i shqyrtuar një nga një për sa më sipër, e vëteta do që të
theksohet fakti kuptimplotë, se përpara se himni të bëhej himn zyrtar i
shtetit të ri shqiptar më 1912, po sipas Lasgushit, “… kjo ngjau se
populli e gjeti të pëlqyer; vetë e dëshiroi ai ashtu, nga gjiri i tij i
dha trajtën dhe frymën, vetë e shënjtëroi, duke e dashur me zemër gjer
në therori dhe më shumë e përtej vetëtherorisë. Me të luftuan çetat e
kryengritjes që ishin nëpër gjithë viset e Atdheut, dhe vdiqën vdekjen e
ëmbël dëshmorët e lirisë. Me të u ngrit Flamuri në Vlorë”. Me pak
fjalë, kjo do të thotë që ngritja e flamurit nën tingujt dhe fjalët e
“Betimit mi flamur” ishte vetëm një akt formal nga ana e Ismail Qemalit
për ta njohur këtë këngë si këngën tonë kombëtare.

(Foto 1– “Faksimile e firmave të delegatëve në Kuvendin Kombëar në Vlorë më 28 Nëndor 1912”)

Së dyti, lidhur me fjalët e himnit. Në asnjë vend të botës, nuk gjejmë
një himn kombëtar i cili t’i kushtohet po një simboli tjetër kombëtar
siç është flamuri[4], dhe që të dy së bashku t’i kushtohen atdheut. Ja
poezia e plotë e “Betimi mi flamur”[5]-(Hymni patriotik) e shkruar dhe
publikuar nga Asdreni në vitin 1908:


Rreth flamurit të përbashkuar
Me një dëshir` e një qëllim,
Të gjith` atij duk` ju betuar
Të lidhim besën për shpëtim.
Prej lufte veç ay largohet
Që është lindur tradhëtor,
Kush është burrë nuk frikohet,
Po vdes, po vdes si një dëshmor!
Në dorë armët do t`i mbajmë
Të mprojmë atdhenë më çdo kënt,
Të drejtat tona ne s`i ndajmë;
Këtu armiqtë s`kanë vënt.
Se Zoti vetë e tha me gojë
Që kombe shuhen përmi dhe,
Po Shqipëria do të rrojë;
Për të, për të luftojmë ne!

O flamur, flamur, shenj` e shenjtë,
Te ty betohemi këtu,
Për Shqipërin` atdhen` e shtrenjtë,
Për nder` edhe lavdimn` e tu.
Trim, burrë quhet dhe nderohet
Atdheut kush iu bë theror;
Për jet` ay do të kujtohet
Mi dhet, mi dhe si një shenjtor!


Lidhur me origjinalitetin e poezisë së himnit do të citonim përsëri
Lasgushin i cili thotë se “…tituli “Betimi mi flamur”, që i ka vënë
himnit Asdreni, është një koncept dhe një akt e fakt etnikërisht
shqiptar”. Po të njëjtën gjë në koncept e pohon edhe Migjeni, qysh në
vargun e parë të poezisë kushtuar Melodisë kombëtare: “U vodh kënga nga
zemra e kombit”. Që të gjithë e njohin edhe kontekstin e betimit
popullor mbi flamur: - “Nën hijen e tij qofshim dhe në dorën tonë
valoftë”.

Së treti lidhur me muzikën e himnit. Si Migjeni, po ashtu edhe Lasgush
Poradeci anojnë të paktën në karakterizimin e përgjithshëm të himnit
tonë për nga përbërësi muzikor i tij. “Këngë a vaj? Çë je? Thuejma,
zemër kombi! (Migjeni); “U bë Shqipëria! Po u bë duke vuajtur me
buzëqeshje, duke u kurajuar me këngën e jetës dhe të vdekjes nër dhëmbe:
me Himnin e saj Kombëtar Shqiptar” (Lasgushi).

Më tej, Prof. Sokoli thotë se “… motivi i këtij himni e ka burimin te
tradita muzikore gjermane , meqë këngët e lartpërmendura (nga kjo
traditë-shënimi ynë) janë më të hershme se kompozimi i Porumbeskut”.
Edhe kompozitori i shquar bashkëkohor George Ligetti[6] konstaton me të
drejtë ngarkesën edhe origjinën internacionale të parakrijimit të Himnit
Shqiptar të Flamurit. Pohimi i kësaj të dhëne është me rëndësi jo vetëm
për faktin se krijimi i himnit tonë në pikëpamje muzikore ishte
drejtuar përkah orientimit të përgjithshëm perëndimor, por dhe se në
këtë mënyrë nuk ka arsye që ende të citohet Porumbescu si krijues i tij.


Vetë krijimtaria muzikore e Purumbeskut[7] ka një lidhje të fortë me
traditën e shquar muzikore të Austrisë, vend ku ai studioi muzikë pranë
konservatorit të Vienës. Tashmë njihet fakti, se në bazë të himnit të
tij qëndron një nga meloditë më te njohura të rinisë austriake të
gjysmës së dytë të shek. XIX. Në rastin e himnit të vjetër të Rumanisë
“Pe al nostin steag”, të kompozuar nga C. Porumbescu me fjalë të A.
Barteanut, po sipas Prof. Sokolit, “… mjafton të krahasojmë fillimet e
këtyre këngëve gjermane me fillimin e Himnit të Flamurit për të parë
ngjashmërinë e madhe, ose pothuajse njëjtësinë e disa masave”.

Shembulli muzikor nr. 1- “Melodia dhe teksti i Himnit Kombëtar”

Në Shqipëri në vitet 1900-1945, nga muzikologjia jonë konstatohet se
krahas folklorit muzikor dhe tendencave të para të muzikës profesioniste
shqiptare, u krijua dhe kultivua edhe nje repertor këngësh me origjinë
vendase dhe internacionale, këngë të cilat këndoheshin në gjuhën shqipe.
Kjo gjë u vu re si në aspektin e këngëve lirike si psh serenatat, po
ashtu edhe në fushën e këngëve patriotike e më pas atyre partizane. Pa u
zgjatur këtu do të përmendja këngën “Të gjithë ne o djema”, me fjalë
dhe muzikë nga Spiridon Ilo (1876-1950); këngën “Vlora-Vlora”, me
kompozitor Thoma Nasin dhe poezi nga Ali Asllani; “Këngën e dëshmorëve
të Shkodrës”, me fjalë dhe muzikë nga Kolë Jakova; “Këngën e Asim
Zenelit” me fjalë nga Qamil Buxheli dhe muzikë nga Mustafa Krantja;
“Bashkohi shokë me ne në çetë”, me fjalë dhe muzikë nga Kolë Jakova;
“Shkrep me zjarr porsi rrufeja”, me fjalë nga A. Skali dhe muzikë nga
Kristo Kono; këngët “Kushtrimi i lirisë”, “Britma e çlirimit”,
“Hakmarrja” , “Ato maja rripa-rripa”, “Rini-Rini”, “Himni i ushtrisë” me
muzikë të Dhora Lekës e shumë të tjera.

E gjithë kjo krijimtari kishte bërë jetën e saj nga goja në gojë dhe
vetëm gjatë viteve ’50, tek ne u bënë përpjekjet e para për të
grumbulluar dhe notizuar këngët patriotike edhe partizane që ishin
kënduar nga populli për vite me rradhë duke përfshirë këtu edhe himnin e
flamurit. Dy botimet e para të kësaj fushe i përkasin vitit 1959 të
përgatitura përkatësisht nga Gaqo Avrazi -“Këngë patriotike”, dhe nga
Baki Kongoli - “Këngë partizane”. Në materialet shoqëruese të tyre me të
drejtë konstatohet se në përgjithësi për të gjithë këtë repertor vihet
re se pjesërisht janë krijime me autor, pjesërisht të popullit dhe
pjesërisht melodira të importuara që tashmë ato janë asimiluar në
thesarin e muzikës sonë. Konstatimi vazhdon me faktin se populli këto
këngë i ka bërë të tijat duke marrë formën shqiptare saqë po t’i
krahasosh me origjinalin ndryshojnë mjaft njera nga tjetra[8]. Dhe ky
nuk është vetëm një fenomen shqiptar. Në kulturën muzikore të ç’do
vendi, në të gjitha kohërat gjendet një repertor i tërë muzikor i cili
qarkullon pa ndërprerë, duke ndryshuar gjuhën si dhe stilemat muzikore
të materialit fillestar. Kjo është një dukuri normale e shkëmbimit të
kulturave.

Për sa më sipër, edhe muzika e himnit kurrsesi nuk mund të quhet
plagjaturë e për më tepër imitim. Po ashtu, ajo nuk duhet të
konsiderohet si një pamundësi kompozimi prej krijuesve shqiptarë.
Pikërisht zgjedhja e kësaj melodie ndoshta mund të ketë qënë edhe e
rastësishme, por ne mendojmë se parapëlqimi i saj synonte zgjedhjen e
një gjuhe muzikore tepër të lexueshme e të qartë për të tjerët, për të
kuptuar aspiratën e kombit shqiptar në ato vite të errëta të historisë
së tij. Duke pasur dhe përdorur në ndërtimin e tij melodik, gjymtyrë të
tëra pan-evropiane, himni synonte (me gjetjen muzikore “rastësore”),
pikërisht Europën. I krijuar në kohën e ripërtëritjes së ndërgjejges
historike shqiptare, melodia me tekstin e Asdrenit sillte dhe ende sjell
zërin e njërit prej popujve të rilindur të Europës.


Shembulli muzikor nr. 2- “Partitura e Himnit Kombëtar, orkestruar nga akademik Cesk Zadeja”

Rreth historisë së shkrim-notizimit të himnit tonë kombëtar

Duhet theksuar se që nga krijimi i tij e deri në fund të viteve 40’ të
shek. XX, himni ynë përveç se është kënduar dendur, ka bërë një jetë më
së shumti gojë më gojë dhe pjesërisht është interpretuar me nota. Pas
vitit 1912, interpretimi me nota i himnit ishte domosdoshmëri pasi ai
ishte i destinuar të luhej edhe në ceremoni të ndryshme të shtetit
shqiptar jashtë vendit. Në një letër të dërguar nga Faik Konica, në atë
kohë përfaqësues në legatën e Mbretërisë Shqiptare në Washington,
drejtuar Ministrisë së Punëve të Jashtme shkruhet shprehimisht se “…
morra nga ministria e detit e Sh.B.A një letrë ku më luten t’u gjej një
kopje për bandë t’avazit kombëtar të Shqipërisë…kuptova që avazi ynë
ësht i vetëmi avaz kombëtar që nuk e kanë”.

Për herë të parë për partiturën e himnit flet Lasgushi kur përshkruan
dërgimin e himnit në atdhe nga kolonia shqiptare e Bukureshtit në vitin
1908 me anë të Tashko Ilos dhe Hilë Mosit i cili punonte ne kete kohe si
sekretar prane nje tregetari te madh te Korces. Lasgushi i quan ata me
qëllim kasnecë, pasi ishin në të vërtetë mbartës të një mesazhi që
fillimisht duhej kënduar. Që të dy erdhën në Korçë “… me partiturat e
himnit të bëra imtësisht gati me fjalë shqip”, dhe prej këtu filloi
mësimi dhe përhapja e himnit kombëtar në të gjithë Shqipërinë. Po sipas
Lasgushit “…përhapja parashikonte në krye të të gjithave mësimin e
këngës”. Pikërisht për këtë arsye u zgjodh Hilë Mosi i cili kishte
përveç formimit letrar dhe intelektual edhe talentin muzikor.

Mendoj se përhapja e himnit në popull do të ketë pasur vështirësi
serioze për dy arsye. E para lidhet me mungesën e mësimit të muzikës dhe
të sistemit muzikor në Shqipëri në ato vite, dhe e dyta lidhet me
veshin muzikor të shqiptarit. Përhapja e himnit në një rrugë “gojë më
gojë”, ndërmjet transmetuesve të tij (shpesh herë pa arsim muzikor), dhe
bartësve të tij të ardhshëm , me siguri duhet ë ketë sjellë një
rikrijim të mundshëm të tij. Së dyti, historia ka provuar se është tepër
e vështirë, për të mos thënë e pamundur, që një populli si i yni t’i
imponosh një melodi të huaj, aq më tepër melodinë që do të shndërrohej
më pas në këngën kombëtare shqiptare.

Në një kohë me ardhjen e Hil Mosit dhe Tashko Ilos në Korçë, një shtytje
mësimit të muzikës në përgjithësi dhe mësimit të himnit në veçanti i
dha krijimi i “Bandës së Lirisë” themeluar më 1 tetor 1908. Qysh në
formim banda përbëhej prej 25 muziktarësh me vegla të ndryshme. Fakt
është se komuniteti i ri i muziktarëve në Korçë, pajtoi me pagesë një
dirigjent italian të quajtur Pasquale i cili shërbeu si dirigjent i
“Bandës së Lirisë”. Aq shumë u lidh ai me të sa më vonë edhe himnin e
bandës së Lirisë e kompozoi ai vetë me fjalë të Hil Mosit. Pas kësaj
periudhe, me gjallimin edhe të formacioneve të tjera muzikore nëpër
qytetet e Shqipërisë si Shkodra, Elbasani, Gjirokastra, Vlora, Gjakova
etj, përhapja e himnit me nota u bë më e lehtë.

(Foto 2 - “Banda e Lirisë në Korçë”)


Mbi regjistrimet muzikore të himnit tonë kombëtar

Regjistrimi i parë muzikor në disk i himnit tonë kombëtar, është bërë
nga shoqëria diskografike “Albanian Phonograph Records”. Kjo është
shoqëria e parë diskografike shqiptare e shekullit të XX, e ideuar dhe
themeluar në Amerikë në vitin 1923 nga muziktari dhe patrioti Spiridon
T.Ilo nga Korça. Në një kontekst më të përgjithshëm, vlera e “A.P.R”
është shumëplanëshe dhe lidhet me gjithë zhvillimin e kulturës dhe artit
muzikor shqiptar të viteve ‘20-‘40. Himni ynë kombëtar është kënduar
dhe regjistruar në disk nga vetë Spiridon Ilo së bashku me tenorin
arbëresh Giuseppe Mauro. Vlen të theksohet se tenori arbëresh Giuseppe
Mauro, në vitet 20’ të shek. XX ka qënë një ndër tenorët me famë
botërore. Në kohën kur së bashku me Spiridon Ilon regjistroi himnin tonë
kombëtar në diskun e prodhuar nga shoqëria diskografike “Albanian
Phonograph records”, me nr. E-3948, G. Mauro ishte ftuar në New York nga
Metropolitan Opera për të interpretuar atje rolin e Otellos nga opera
me të njëjtin titull e Verdit.

Foto 3- “Faksimile e botimeve të Albanian Phonograph Records”

Himni ynë ka njohur shumë versione të regjistruara në disqe duke filluar
prej viteve ‘40 e deri në fund të viteve ’60. Ndër këto regjistrime në
disqe, përmendim atë te regjistruar pranë “ODEONIT” me nr. Ab 56 me
mbishkrimin: “Hymni i flamurit”, Një pjes e korit të shkollës Normale
Femërore të Korçës drejtue prej Maestro Z. Sotir V. Kosmos. Ky kor ka
interpretuar gjithashtu në diskun me nr. Ab 55 edhe “Hymnin Mbrentorë”
etj. Regjistrimi më i mirë profesionalisht i himit tonë kombëtar, është
ai i vitit 1995. Ky regjistrim është interpretuar nga orkestra simfonike
e Bambergut-Gjermani dhe është orkestruar posaçërisht për këtë orkestër
nga kompozitori ynë i shquar Prof. Çesk Zadeja (1927-1997(-“Artist i
Popullit”) me rastin e vizitës së Presidentit gjerman në Shqipëri.

Historiku i përpjekjeve për himne të tjera kombëtare.


Na duhet të themi se mbas pëlqimit të përgjithshëm të “Rreth flamurit të
përbashkuar” si himn kombëtar (1912), në mënyrë të vazhdueshme janë
shkruar këngë apo qoftë edhe vetëm poezi për himn kombëtar. Poezi për
himn kombëtar kanë shkruar At Gjergj Fishta më 1913, Ernest Koliqi më
1921 si fitues i vendit të parë në konkursin[9] për himn kombëtar
shpallur nga Ministria e Arsimit, Fan S.Noli më 14 nëntor 1926 me titull
“Hymni i flamurit”[10], Mihal Grameno me titull “Kënga Kombëtare”[11],
Hil Mosi “Himn i Bandës së Lirisë”[12]. Himn kemi edhe nga poeti Lasgush
Poradeci më 1933, të botuar tek “Vallja e yjeve” etj. E përbashkëta e
gjithë këtyre poezive është fakti se që të gjitha pothuajse i referohen
përsëri simbolit të flamurit, gjë që është edhe në thelb të poezisë së
Asdrenit.

Mbi njatë flamur Perëndia
me dorë t’vet Ai ka shkrue:
Për shqiptarët do t’jet Shqupnia..
At. Gjergj Fishta

O vend e vatër,
O nëne e babë.
Fan Stilian Noli

Një poezi të shkëlqyer përsa i përket references sonë lidhur me flamurin kemi edhe nga Zef Serembja[13]:

Flamuri shqiptar
S`i shihet n`horizont i dlirë shkëlqimi
Dhe as nuk i fal ngjyrat për fitore
Më nuk shartohet mbi lavdin njerëzore
Porsi një shenjë drite apo mjerimi.
I grisur ra dhe s`e përfill njeri,
Dhe gjindja e Arbrit, e ndershme e krenare
mori mërgimin dhe as ndalet fare
në një breg mikpritës n`siguri.

N`mëshirë të fatit përherë duke ndeshur
Intruga diplomatësh, n`hidhërim
Ç`do shpresë e ç`do premtim ngadalë i tretet
Dhe koha kalon, rend fluturim.
Nga gjithshka na premtuan asgjë s`mbetet.
Më keq na shkelin se sa truall`n e zhveshur.


Qysh në vitin e parë të vendosjes së mbretërisë nga Ahmet Zogu,
Shqipëria u bë edhe me himnin e mbretërisë. Në ndyshim nga himni “Betimi
mi flamur”, himni i i ri mbretërisë i kushtohej tërësisht figurës së
mbretit, një traditë e njohur kjo për të gjitha himnet e mbretërive, me
muzikë të Thoma Nasit dhe me fjalë të Kristo Floqit. Një tjetër
përpjhekje për himn mbretëror kemiedhe nga Loni Logori, i cili nuk
arriti të njihej si i tillë. Një variant i himnit të mbretërisë është
interpretuar dhe regjistruar në disqe nga sazet e Selim dhe Hafize
Leskovikut në vitet ’20.

Në vitin 1922, Këshilli i Ministrave shpall konkursin për bërjen e
“Himnit zyrtar kombëtar”[14]. Për shpalljen e konkursit dhe kriteret e
tij caktohet Ministria e Arsimit ku ndër të tjera u përcaktua edhe masa e
shpërblimit prej 1000 franga ari për vjershëtarin e himni dhe 3000
franga ari për kompozitorin e tij. Më tej, në vitin 1937, në përvjetorin
e 25 pavarësisë, u organizua një konkurs, me qëllim bërjen e një himni
tjetër kombëtar. Sipas arsyetimeve të Komisionit të ngritur për
kremtimet e 25 vjetorit të vetqeverimit, “… hymni i sotëm i flamurit
kombëtar asht fjalë për fjalë përkëthimi i një marshi rumun dhe
gjithashtu melodija e tij asht nji kopjim i plotë i muzikës rumune”[15].


Duke e konsideruar ekzistencën e këtij himni “… si një cen për
ndërgjegjen kombëtare dhe për sedrën t`onë atdhetare”, komisioni i
përbërë nga Zj. Parashqevi Kyrias, Mati Logoreci, Kol Rodhe, Telki
Selenica, Sotir Papakristo, Karl Gurakuqi, Zoi Xoxa, Lasgush Poradeci,
Qemal Butka dhe Odhise Paskali në mbledhjen e dates 05. 03. 1937
vendosën hartimin e një himni tjetër me frymë thjesht shqiptare. Ky
komision ngriti edhe një komison-juri, e cila do të vendoste për
caktimin e krijimit artistik i cili do të ishte himni i ri kombëtar.
Komisioni përbëhej nga At Gjergj Fishta, Mid`hat Frashëri dhe Konstantin
Cipo. Për hir të së vërtetës, Mid`hat Frashëri bën dorëheqjen nga kjo
Juri, dorëheqje e bërë e ditur publikisht me letrën e tij të dt.26. 07.
1937. drejtuar Komisionit qëndror të kremtimeve të vetqeverimit. Nga
76 krijime, juria e përbërë nga At Gjergj Fishta dhe Kostaq Cipo
shpallën fitues himnin e krijuar nga Beqir Çela[16]., i cili mbante
pseudonimin “Osoja i Ri”.


O Flamur, yll i lirisë,
Valëvit me plot shkëlqim;
E prej qiellit t`Shqipërisë
Të dëgjohet në amëshim

Foto 4- “Faksimile e librit kushtuar krijimeve për teksin e Himnit Kombëtar, Tiranë 1937”

Fakt është se ky konkurs për poezinë e himnit nuk u pasua edhe nga një
tjetër konkurs i cili do t`i kushtohej muzikës së tij. Për këtë arsye,
duke mbetur vetëm një tekst, kjo poezi nuk pati popullaritet dhe si e
tillë u fshi nga qarkullimi, megjithëse pjesëmarrësit dhe krijimet e
këtij konkursi u botuan në shtypin e kohës. Për variacion të temës së
njohur të flamurit, edhe konkursi në fjalë u quajt “Tekstet për
konkursin e Hymnit të Flamurit”. Më pas kemi edhe një konkurs për
melodinë e himnit kombëtar. Në konkurs u shpall fitues një kompozitor
italian mjaft i njohur, por edhe për këtë nuk pati një vendim zyrtar të
metëjshëm për ta zyrtarizuar si himnin tonë kombëtar.

Krijime artistike mbi këtë temë, të konsideruara në vetvete të pavaruara
(por me titullin “Hymni Mbretnor”), kemi të realizuar me vargje të Loni
Logorecit dhe “muzikuar si e këndon Spiridon T. Ilo” në tonalitetin Fa
+. Ky variant është botuar edhe me nota (facsimile e partiturës) dhe
hapet me strofën:

Ardhi koha e bekuar
Për Shqipëri të lëftojmë
Mbretin tonë ta nderojmë
Dhe të vdesim të gëzuar

Në kopertinë të këtij botimi krahas titullit “Hymni Mbretnor”, gjejmë
edhe foton e tenorit të shquar arbëresh Giuseppe Mauro dhe shënimin “…
kënduar prej të dëgjuarit tenorit shqipëtar Zotit Giuseppe Mauro”.

Shembulli muzikor nr. 3-“Faksimile e melodise dhe tekstit të Himnit mbretëror”

Në këtë kohë, një përpjekje tjetër për të ndryshuar himnin ekzistues të
flaumurit, u bë edhe nga ana e kompozitorit Thoma Nasi dhe poetit Kristo
Floqi. Në ndryshim nga sa më sipër, këta dy autorë e ruajtën të
paprekur linjën melodike të “Himnit të Flamurit”, por synuan ndryshimin
e vargjeve të tij. Me këtë rast, kompozitori Thoma Nasi realizoi të
parin klavir të himnit tonë kombëtar së bashku me harmonizimin përkatës

Shembulli muzikor nr. 4- “Faksimile e klavirit të himnit të flamurit”

Pas pushtimit , në vitet 1942-43, në malet e Shqipërisë partizanja Dhora
Leka krijoi himnin e ushtrisë çlirimtare, himn i cili njihet edhe sot
zyrtarisht si himni i ushtrisë sonë, kjo krahas shumë himneve të
brigadave partizane apo formacioneve të tjera luftarake etj.

Pas çlirimit të vendit më 29 Nëndor 1944, rreth fundit të vitit
1945-fillimit të 1946, u organizua konkursi i parë shtetëror për himn
kombëtar. Krahas shumë krijimeve të paraqitura, si krijimi më i mirë u
shpall “Himni i Shqipërisë së re”, me poezi të Skënder Luarasit dhe
muzikë të Kristo Konos, rezultat që u bë i ditur me shpalljen e
Shqipërisë republikë më 11 Janar 1946. Koha tregoi se edhe ky krijim
artistik nuk u ligjerua që të zëvendësonte himnin ekzistues për arsye
nga më të ndryshmet, megjithëse “Himni i Shqipërisë së re” (në ndonjë
rast edhe me fjelë të tjera), pati interpretime të ndryshme, kryesisht
nga kori i ushtrisë. Pas kësaj, përpjekjen tjetër serioze për të shkruar
një himn, e kemi në fillim të viteve ’70. Nga Këshilli i ministrave të
asaj kohe, në bashkëpunim me ministrinë e arsimit dhe kulturës si dhe
Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë u shpall një konkurs
për “Himnin e Republikës”. Në këtë konkurs morën pjesë ajka e krijuesve
tanë, ndër ta Çesk Zadeja, Ismail Kadare, Tish Daija, Fatos Arapi,
Nikolla Zoraqi, Xhevahir Spahiu, Pjetër Gaci, Feim Ibrahimi, Tasim
Hoshafi etj. Sipas ish sekretar të lidhjes së shkrimtarëve dhe
artistëve, studiueses dhe kritikes së muzikës zj. Hamide Stringa
konkursi pati një organizim shumë serioz si nga ana e krijuesve ashtu
edhe nga organizatorët. Më kujtohet se kemi bërë shumë takime për të
parë materialet dhe për t’i seleksionuar. Pas seleksionimit u arrit në
dy variante. Në himnin e krijuar nga Çesk Zadeja dhe në atë të Nikolla
Zoraqit me poezi të Fatos Arapit të titulluar “E lirë u ngrit toka
jonë”. Pati mendime që të njihej si himn edhe kënga e Pjetër Gacit “Për
ty atdhe”.

Historia e himneve vazhdon edhe më tej, por gjithësesi pa sjellë ndonjë
rezultat i cili të ndikonte në ndryshimin e himnit tonë kombëtar. Në të
gjithë këtë histori të himneve të tjera, ajo ç’ka duhet thënë është e
lidhur me faktin se asnjë vendim nga cilido forum artistik apo
shtetëror, nuk ka ndikuar në zëvendësimin apo ndryshimin e himnit
ekzistues të flamurit, për arsyen e thjeshtë, se himni është ngulitur
thellë me rëndësinë, peshën dhe domethënien e tij në memorien kolektive
të shqiptarëve. Ndoshta gjithë ç’ka thamë më sipër mund të jenë një
argument i mjaftë për të kuptuar, se pse kanë “dështuar” përpjekjet për
të ribërë në himn të ri të Shqipërisë. Kjo nuk do të thotë se s’do të
ketë përpjekje të tjera, por mendoj se mbrapa tyre, edhe sikur himni
“Rreth flamurit të përbashkuar” të mos njihet më si himn zyrtar,
shqiptarët kudo që të jenë do të vazhdojnë përsëri të këndojnë thjesht
këngën “Rreth flamurit të përbashkuar”.


Së fundi

Ajo që duhet ritheksuar është fakti se ndryshe dhe si në asnjë himn
tjetër të botës, himni ynë ekzistues është një me flamurin tonë
kombëtar. Ky binom shprehet që në titullin e poezisë së himnit “Betimi
mi flamur”, që siç e përsëritëm është një akt e fakt etnikërisht
shqiptar. Nisur nga ky vështrim, himni është edhe kënga e flamurit dhe
njëkohësisht edhe kënga jonë zyrtare. Për veçoritë e popullit tonë,
popull i ndarë në katër shtete, faktor i bashkimit kombëtar, faktor i
“prishjes” së kufijve artificialë, faktor i unifikimit etj, ka qënë edhe
flamuri dhe himni ynë i njëjtë. Për sa më sipër, e udhës do të ishte që
të presim kohë më të qeta, kohë gjakftohta të cilat do të na ndihmojnë
që të rishikojmë të gjithë së bashku, me qetësinë dhe maturinë e duhur
gjërat të cilat mund të ishin bërë ndryshe, ku një ndër gjërat mbase do
të ishte edhe himni. Deri atëhere, himni i vërtetë i shqiptarëve apo
“Avazi ynë kombëtar”, siç shprehet Konica do të jetë ai që do të njihet,
do të këndohet dhe do të respektohet nga të gjithë shqiptarët, ashtu
siç është shkruar në nenin 14, pika 4 të Kushtetutës: Himni Kombëtar
është “Rreth flamurit të përbashkuar”.


Tiranë 2000-2003
WebMaster
WebMaster
Fondatori i Forumit
Fondatori i Forumit

Vendbanimi Vendbanimi : Ku te dua un
Postime Postime : 98857
Gjinia Gjinia : Female
Anëtarësuar Anëtarësuar : 11/01/2009
Mosha Mosha : 46
Hobi Hobi : Të përballoj jetën

http://www.klealove.com

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Origjina e Himnit te Flamurit Empty Re: Origjina e Himnit te Flamurit

Mesazh nga WebMaster Fri 9 Nov 2012 - 0:37

HISTORIA

Cila është historia e vërtetë e himnit tonë kombëtar.

"Vjedhja" e melodisë së himnit rumun dhe mendimet e qeveritarëve të ndryshëm për frymën joshqiptare…

Tentativat e Zogut dhe Enverit për të ribërë Himnin e Flamurit


----------------------------------------

Rezarta Delisula


Dhe nëse himni u përhap në tërë Shqipërinë dyke zotëruar zemrat
shqiptare, kjo ngjau se populli e gjeti të pëlqyer; vetë e dëshiroj ay
ashtu, nga gjiri i tij i dha trajtën dhe frymën, vetë e shentëroj dyke e
dashuruar me zemër gjer në therrori dhe më shumë e më përtej
vetëtherrorisë; i cili himn dhe e mbaroj punën e tij të thjeshtë që kish
për të bërë, punën e tija ashtu siç qe ay i vogël ay për një punë të
madhe shqiptare: u bë Shqipërija". Këto fjalë ka shkruar i madhi Lasgush
Poradeci më 1943, teksa përjetonte tentativat e qeveritarëve për të
krijuar një Himn të ri të Flamurit. "Rreth flamurit të përbashkuar, me
një dëshirë e një qëllim…". Për shqiptarët ky ishte dhe mbeti himni
kombëtar.


Tentativa e Zogut
Në prag të 25-vjetorit të Pavarësisë, kori i vajzave të institutit "Nana
Mbre-tëreshë", nën udhëheqjen e sopranos e dirigjentes korçare
Gjeorgjia Filçe, kënduan Himnin e ri të Flamurit. Ky grup u përgatit nga
maestro Capanino i teatrit lirik "San Carlo" të Napolit. Një himn i ri.
Pikërisht këtë mendonin drejtuesit e shtetit se i duhej vendit më 1937.
"Rreth flamurit të përbashkuar" konsiderohej si përkthimi i një marshi
rumun me muzikë tërësisht rumune. Një komision i veçantë u ngrit me
qëllimin e organizimit të konkursit për Himnin e Flamurit me frymë
tërësisht shqiptare. Në mes 76 konkurrentëve që paraqitën krijimet e
tyre, fitoi Beqir Çela, i cili në atë kohë njihej me pseudonimin "Osoja i
Ri". Ndërsa sërish kompozitori i Himnit të Flamurit do të ishte një i
huaj. E. A. Mario, kompozitori napoletan i "Legjendës së Piavës", u
zgjodh për të krijuar muzikën e Himnit të ri të Flamurit. Në kohë
rekord, në 15 tetor 1937, në kryeqytet u luajt për herë të parë himni i
ri.

Euforia
"O Flamur, yll i lirisë, Valëvit me plot shkëlqim; E prej qiellit
t`Shqipërisë; Të dëgjohet në amëshim". Kjo është një strofë e Himnit të
ri të Flamurit të krijuar në vitin 1937. Para një publiku shumë të
zgjedhur, përfaqësuar nga anëtarë të kabinetit, si dhe nga ministri i
Italisë Jacomoni, konsulli i Italisë Valerio Valeriani, autori i himnit
Beqir Çela, kompozitori E. A. Mario, si dhe përfaqësues të shtypit, u
këndua për herë të parë himni i ri. "Suksesi ishte i jashtëzakonshëm dhe
publiku fort i zgjedhur mbeti tepër i kënaqur. Mbrëmja kushtuar "Hymnit
të Famurit" do të mbetet e paharueshme në zemrat e të gjithë
ndigjuesit, të cilët pa përjashtim përshëndetën E. A. Mario dhe
ndihmësin e tij z. M. Campanino". Kështu shkruan "Gazeta Shqiptare" e
datës 16 tetor 1937 për ceremoninë e zhvilluar në sallën e bashkisë për
dëgjimin e Himnit të Flamurit. Entuziazmi vazhdoi deri më 28 nëntor,
atëherë kur në sheshin kryesor të Tiranës, "Skënderbej", do të ngrihej
flamuri i 25 vjetëve vetëqeverisje. ``Ç'ngjau atëhere? Ngjau se himni i
dytë, i ekzekutuar prej muzikave zyrtare, ndoqi si një rrymë uji e pa
pritur dhe e fortë shtratin e lumit, gjith dyke mos lojtur dot nga vendi
gurin e rëndë të himnit të parë në mes të rrymës…', shkruan Poradeci.

E vërteta e himnit
Në shkrimin "Himni Kombëtar 'flamurit pranë të bashkuar' dhe gjeneza e
tij", shkrimtari Lasgush Poradeci sjell për herë të parë historinë e
krijimit të Himnit të Flamurit. Kori Kishtar Shqiptar i Bukureshtit
filloi të gjallërohej në fillim të viteve 1900. Ashtu siç e thotë
shkrimtari dhe publicisti Poradeci, Bukureshti në atë kohë ishte
kryeqyteti shqiptar i mërgimit. Kori udhëhiqej nga profesori rumun
Kiriak, i cili më pas, duke pasur shumë punë me korin e tij të shoqërisë
"Karmen", ia la në dorë drejtimin 25-vjeçarit Ionesku. Ky i fundit,
përveç këngëve shqipe, i jepte korit për të mësuar edhe këngë popullore e
marshe patriotike, si dhe himnin kombëtar të Rumanisë 'Mbi flamurin
tonë'. Himni i Rumanisë ishte shkruar nga poeti Ioan Barsan me muzikë të
Çiprian Porumbeskut. Viti 1907. Të entuziazmuar nga ky himn, kori
shqiptar iu lut Asdrenit të thurte disa vargje të përshtatura me atë
melodi, që të këndohej prej tyre. Kori kërkonte një himn shqip. Vetëm
pas disa ditëve Asdreni solli tekstin e himnit "Rreth flamurit të
përbashkuar", titulli origjinal 'Betimi mbi flamur'. "Dhe himni harin të
bëhet kësisoj Himni Kombëtar i Kollonisë së Bukureshtit, që
përfaqësonte Shqipërinë në atë vend mërgimi aq të djegur për atdhe, dyke
u bërë zakon të këndohet rregullisht përpara dhe pas çdo ushtërimi të
korit", shkruan Poradeci. Fjalët e Asdrenit u shkrinë në melodinë e
himnit kombëtar rumun. Më 1912, me ngritjen e flamurit në Vlorë, himni i
shqiptarëve të Bukureshtit, tashmë i kënduar dhe në Shqipëri, u njoh si
himni ynë kombëtar.

Ngatërresat
Të shumta kanë qenë polemikat për himnin kombëtar të ligjëruar më 1912.
Muzika i përkiste himnit kombëtar të Rumanisë, ndërsa teksti i ishte
përshtatur tekstit origjinal nga Asdreni, megjithatë në popull "Rreth
flamurit të përbashkuar" këndohej si himni ynë. Tentativat e para nisën
që në kohën e qeverisjes së Zogut, por dolën pa sukses. Pas çlirimit të
vendit më 29 nëntor 1944, rreth fundit të vitit 1945-fillimit të 1946-s,
u organizua konkursi i parë shtetëror për himnin kombëtar. Ndër shumë
krijimet e paraqitura, si krijimi më i mirë u shpall "Himni i Shqipërisë
së re", me poezi të Skënder Luarasit dhe muzikë të Kristo Konos,
rezultat që u bë i ditur me shpalljen e Shqipërisë republikë më 11 janar
1946. Në fillim të viteve '70, Këshilli i Ministrave, në bashkëpunim me
Ministrinë e Arsimit dhe të Kulturës, si dhe me Lidhjen e Shkrimtarëve
dhe Artistëve të Shqipërisë, shpall një konkurs për "Himnin e
Republikës". Në këtë konkurs morën pjesë krijuesit më të mirë, ndër ta
Çesk Zadeja, Ismail Kadare, Tish Daija, Fatos Arapi, Nikolla Zoraqi,
Xhevahir Spahiu, Pjetër Gaci, Feim Ibrahimi, Tasim Hoshafi etj. Pas
seleksionimit, u arrit në dy variante: në himnin e krijuar nga Çesk
Zadeja dhe në atë të Nikolla Zoraqit me poezi të Fatos Arapit, të
titulluar "E lirë u ngrit toka jonë". Pati mendime që të njihej si himn
edhe kënga e Pjetër Gacit "Për ty atdhe". Por, edhe pse konkurset për
një himn të ri kombëtar vazhdonin, te gjithsecili vazhdohej të këndohej e
të pranohej himni i shqiptarëve të Rumanisë. 'Edhe uji vazhdoj udhën e
vendosur dyke rrethuar gurin, edhe guri i rrethuar qëndroj pa tundur në
vënd", përfundon Lasgush Poradeci.


HIMNI I VJETER RUMUN


MI FLAMURIN T'ONE

Mi flamurin t'onë është shkruar bashkim,
Bashkim në vetëdije dhe në ndjenja
Dhe nënë hijen e tij të madhërishme
Do përballim çdo goditje.

Në luftën e rëndë trembet ay,
Që vetë është mëndje-arratisur,
Po ne të bashkuar në çdo kohë
Do jemi, do jemi mundës.

E armatosmë dorën t'onë
Që të mpruajmë një vend të shtrenjtë,
E drejta jonë është zotëronjëse,
Dhe qëllimi ynë i shenjtë.

Dhe në librën e përjetësisë shkruan
Se shumë kombe do humbasin,
Po Rumanija jonë e Shtrenjtë
Përjetë, përjetë do lulëzojë.

Shkruar nga Ioan Barsan


HIMNI KOMBETAR

BETIMI MBI FLAMUR

Rreth flamurit të përbashkuar,
Me një dëshirë dhe një qëllim,
Të gjithë Atij duke iu betuar,
Të lidhim besën për shpëtim.

Prej lufte veç ai largohet,
Që është lindur tradhëtor,
Kush është burrë nuk friksohet,
Po vdes, po vdes si një dëshmor.

Në dorë armët do t'i mbajmë,
Të mbrojmë Atdheun në çdo vend,
Të drejtat tona ne s'i ndajmë,
Këtu armiqtë s'kanë vend.

Se Zoti vet e tha me gojë,
Që kombe shuhen përmbi dhé,
Po Shqipëria do të rrojë,
Për të, për të luftojmë ne.

Shkruar nga Asdreni


Dorëshkrimet e Asdrenit

Aleksandër Stavri Drenova (Asdreni) lindi në Drenovë të Korçës, ku edhe
mori mësimet e para. Më vonë shkoi në Rumani, ku vazhdoi shkollën e
mesme. Nga viti 1890, në gazeta të ndryshme shqiptare filluan të botohen
vjershat e tij. Pas shpalljes së Pavarësisë erdhi në Shqipëri, por
sërish u detyrua të kthehej në Rumani. Më 1904 botoi përmbledhjen e
poetike "Rreze dielli", e më vonë "Ëndrra e lot" dhe "Psallme murgu". Më
1907 shkroi poezinë "Betimi mbi flamurin", që u bë himni ynë kombëtar. I
mbetën në dorëshkrim "Këmbana e Krujës" dhe vjersha të tjera.

Regjistrimi i parë muzikor në disk i himnit tonë
kombëtar, është bërë nga shoqëria diskografike "Albanian Phonograph
Records". Kjo është shoqëria e parë diskografike shqiptare e shekullit
XX, e ideuar dhe themeluar në Amerikë në vitin 1923 nga muziktari dhe
patrioti Spiridon T. Ilo nga Korça, kënduar nga tenori arbëresh Giuseppe
Mauro.

Regjistrimi më i mirë profesionalisht i himit tonë
kombëtar është ai i vitit 1995. Ky regjistrim është interpretuar nga
orkestra simfonike e Bambergut (Gjermani) dhe është orkestruar
posaçërisht për këtë orkestër nga kompozitori ynë i shquar, prof. Çesk
Zadeja (1927-1997), "Artist i Popullit", me rastin e vizitës së
presidentit gjerman në Shqipëri.


- Himni i parë i përcaktuar nga muzikologët është "Wilhelmus van
Nassouwe", që është himni i Holandës, i cili i përket vitit 1572

- Himni me fjalët më të vjetra në origjinë i përket himnit japonez, rreth shek. IX, tekst i cili rrjedh kryesisht nga folklori.

- Himni më i gjatë në ekzekutim është "Marcha de la Patria" i Argjentinës, kompozuar nga Blas Parera në vitin 1813.

- Himni kombëtar me më shumë vargje është ai i Greqisë.


HIMNI KOMBETAR ME 1937

O Flamur, yll i lirisë,
Valëvit me plot shkëlqim;
E prej qiellit t'Shqipërisë
Të dëgjohet në amëshim

HIMNI KOMBETAR
Muzika: E.A. Mario
Teksti: Beqir Çela

HYMNIT MBRETNOR

Ardhi koha e bekuar
Për Shqipëri të lëftojmë
Mbretin tonë ta nderojmë
Dhe të vdesim të gëzuar

HIMNI I MBRETERISE
Muzika: Thoma Nasi;
Teksti: Kristo Floqi
WebMaster
WebMaster
Fondatori i Forumit
Fondatori i Forumit

Vendbanimi Vendbanimi : Ku te dua un
Postime Postime : 98857
Gjinia Gjinia : Female
Anëtarësuar Anëtarësuar : 11/01/2009
Mosha Mosha : 46
Hobi Hobi : Të përballoj jetën

http://www.klealove.com

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Origjina e Himnit te Flamurit Empty Re: Origjina e Himnit te Flamurit

Mesazh nga WebMaster Fri 9 Nov 2012 - 0:38

Hymni i Flamurit Kombtar nga At Gjergj Fishta:

Hartimi i ketij Hymni asht ndoshta momenti ma i lumnueshmi e ma i guximshmi per Poetin e Kombit.
Malazezet mbas 7 muejsh rrethimi kishin hy ne Shkoder. Megjithese ketyne
ju desht me dale, Fuqite Nderkombetare nuk e ngrehen flamurin e
Shqypnis. Ishte nata e sh'Antonit dite e kremte 13 qershor 1913. Po
mbushej muaji qe Fuqite nderkombetare kishin marre nen kontroll qytetin.
At Fishta keshilluar me disa bashkevellazen (franceskane) te vet kishte
vendose me ngrehe flamurin e Shqypnis e ne kete entuziazem kishte hartue
edhe hymnin i cili u ishte mesue menjihere femijeve te shkolles
franceskane.
Ndersa ne maje te kumbonares se kishes franceskane te Gjuhadolit
valvitej flamuri ma se 4 metrash, femijet menjehere u shperndane neper
rruget e qytetit tue kendue "Porsi fleta".
Menjehere erdhi urdhni prej sundimtarit te qytetit Kolonel De Philips, qe ta ulnin por franceskanet nu gjegjen kurrsesi.
(Komenti shkruar nga At Viktor Volaj marre nga libri Mrizi i Zanave me poezi te zgjedhura te Fishtes botim i vitit 1941)

HYMNI I FLAMURIT KOMBTAR

Porsi fleta e ejllit te Zotit
Po rreh flamuri i Shqypnis
E thrret t'bijt e Kastriotit
Me u mbledhe tok ne cete t'ushtris

Bini toske, ju. bini gege!
si dy rrufe qe shkojn tue djege!
A ngadhnjyesa a t'gjith deshmore!
Trima, mbrende! me dore! me dore!


Per mbas flamurit te vet shqiptari
kur rrok armet per t'drejta t'veta
Atje lufta ndezet zhari,
atje armiku vehet m't'lehta

Bini toske... etj

Mbi njate flamur Perendia
Me dore t'vet Ai e ka shkrue
Per shqyptar do t'jet Shqypnia
Kush ua preke, ai kjofte mallkue

Bini toske... etj

Shka? Athue at toke t'bekueme
qi vete Zoti na e ka dhanun
sot me e shkele kamba e poshtnueme
e nji t'hueji na kem me ia lanun?

Bini toske... etj

Ah, JO, kurr. njiqind here para
Kem me u shkri me gra me fmi
Kem me mbete kortare nder ara
se me e shkele lame t'huej n'Shqypni

Bini toske... etj

M'kambe Sokola te Shqypnis
Flamuri yne qe ne ajer po shtiellet
Si pol veshje 'Perendise
Kah na ban hije prej qiellet

Bini toske... etj

Ma mire dekë me u shue nen hije
T'flamurit tone n'fushe t'mejdanit
se me rrnue nji jete robnije
per nen sukuj t'hueje t'ballkanit


Bini toske... etj

Armet e besen na i njeh bota
trima n'za kem pasun t'Paret
Luften ne na e msoi Kastriota
Kë, thue, frike do t'ken shqyptaret?

Bini toske... etj

Urra! djem eh u dhashte e mbara
Sot a kurr me dekë per Atdhe
Flamuri yne qe u nis perpara
ndimo Zot per Atdhe e Fe

Bini toske... etj
WebMaster
WebMaster
Fondatori i Forumit
Fondatori i Forumit

Vendbanimi Vendbanimi : Ku te dua un
Postime Postime : 98857
Gjinia Gjinia : Female
Anëtarësuar Anëtarësuar : 11/01/2009
Mosha Mosha : 46
Hobi Hobi : Të përballoj jetën

http://www.klealove.com

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Origjina e Himnit te Flamurit Empty Re: Origjina e Himnit te Flamurit

Mesazh nga WebMaster Fri 9 Nov 2012 - 0:39

Gjeneza e "Himnit të Flamurit"

Himni i Flamurit" ka ringjallur
kujtime përpjekjesh që përbëjnë burim për atdhedashurinë, sepse ka
rrënjë të thellë në zemrat shqiptare


Gjeneza e "Himnit të Flamurit"


Nga Prof. Ramadan SOKOLI


Dihet se "Himnin e Flamurit" e ka kompozuar Ciprion Porumbesku (1853 -
1883) nga Moldavia në gjysmën e dytë të shekullit XIX, kur po studionte
në konservatorin e Vienës. Atje, në kryeqytetin e ish-perandorisë
austro-hungareze u këndua nga një grup koral i studentëve të shoqatës
Rumani June (Rumani e Re) Himni "Pe-al nestin steag", himn që ushtroi
një ndikim të madh gjatë përpjekjeve të popullit rumun për pavarësi dhe
që më vonë u bë himn kombëtar i tyre. (Pas çlirimit, rumunët e
zëvendësuan me një himn të ri).

Po të kërkojmë burimin e motivit të këtij himni, mund të gjendet shumë
më larg. Siç do të shihet më poshtë, motivi i këtij himni i ka prindët
ndër disa balada kolorsiake të hershme, ndër disa këngë të punës si dhe
ndër disa këngë patriotike të traditës gjermane. Gjendet gjithashtu në
disa këngë punëtorësh të traditës çekosllavake. Dëshmitë më të hershme
për këtë motiv janë hasur në traditat gjermane. Së pari, në një baladë
epike të shekullit XVI me titull "Es spielt ein Ritter und einer Magd"
(Shembull muzikor Nr.1)

Të njëjtin fillim anakruzik me shkapërcim në kuarte, të njëjtin arpezh
tonesh në kuintakordin e tonikës që vjen si një këngë apo si himn, motiv
të cilin në këto përmasa mund ta gjejmë në vepra madhore sinfonike.
Rëndom një motiv i huaj mund të shfrytëzohet me dashje, por si citat,
anasjelltas rastis rëndom që një autor pa dashje, e si të thuash pa
vetëdije, përsërit diçka të krijuar nga tjetërkush. Ndërkohë për shkak
të lajthitjeve të kujtesës pandeh se ka krijuar diçka të re.

Ka edhe raste ku nuk çalon kujtesa, por ndërgjegja e vetë autorit që
ngatërron me dashje krijimtarinë e mirëfilltë me punën e kopsistit
(fjala krijimtari këtu nuk ka ndonjë vështrim metafizik të shpikjes nga
hiçi). Askush nuk lind i ditur, por mëson diku në ndonjë shkollë ose nga
ndonjë mjeshtër, duke përfituar nga përvoja si dhe duke pësuar pak a
shumë ndikimin e tyre. Elementët e ndikimit të shkollës ose të mjedisit
të huaj përligjen deri diku në punimet e autorëve të rinj, por ndërmjet
imitimit dhe krijimtarisë së mirëfilltë ka një shkallëzim të gjërë që
shkon nga stili origjinal deri tek ajo dobësi që quhet "plagjiaturë".
Sesi duhet kunduar rasti në fjalët ndikim i mjedisit të studimeve apo
përvetësim i pjesshëm, imitim i vetëdijshëm, reminishencë e rëndomtë,
apo diçka tjetër, sikush le ta gjykojë ashtu si t'i duket më e
arsyeshme. Gjithsesi Himni i Flamurit kompozuar nga Ciprian Porumbesku
qëndron si kompozim, pavarësisht se ndërtimi i gjymtyrës kryesore që
përbën gjysmën e temës së parë, është pothuajse i njëjtë me motivin
steriotip të atyre këngëve të hershme gjermane që u cekën më lart, dhe
se pikërisht nga kjo temë e huazuar zë fill shtjellimi i këtij himni.


Përpjekjet e rilindasve për të shkruar një himn shqiptar


Përpjekje për të shkruar një himn shqiptar ka patur edhe nga poetë dhe
muzikantë patriotë, që gjatë Rilindjes Kombëtare iu digjej zemra dhe
shpirti që kombi ynë i stërlashtë të kishte shtetin e vet dhe gjithçka
që rrjedh prej tij, si flamurin, himnin kombëtar. Pra, simbolet e një
shteti.

Nga këto vjersha, me pathos po citojmë njërën prej tyre që është:


O flamur i Shqipërisë,

Ti je ndera e gjaku i jonë

Sot u ngrite në Vlorë

Udhërëfyes i trimërisë


Mbi ty Shqipja hapi fletët

U bashkua me ty Shqipëria

Qoft'e lirë si ti përjetë

E madhnoftë Perëndia


Sytë si dielli të lëshojnë rreze

Shqipninë anembanë shiqoje

Prej Tivari e te Preveza

Shpejt hap krahët e mbroji


Shqipe ngreje djelmëninë

T'ipet zani e kushtrimi

Se anmiqtë e Shqipërisë

E shkelnë, burra ku ini!


Merr Flamurin ndër thonj shqipe

Gjithë trimije të vrullojë

Përmbi male, brigje hype

Kufinit jashtë armiqtë dëbo!


Këtë vjershë e muzikoi Thanas Floqi, i cili në jetëshrkimin e tij ka
shënuar se asokohe e këndonin përditë në Vlorë dhe më poshtë ka shprehur
keqardhjen që "s'e përdorëm për himnin e flamurit tonë". Shtojmë se,
ndërkohë për këtë flamur janë përshtatur e janë përhapur edhe këngë të
tjera, por asnjëra syresh nuk arriti të zgjidhej si himn kombëtar i
miratuar me dekret shtetëror. Përshembull, shih a) Hil Mosi: (Libër
këngësh botuar në Vlorë më 1925 f. 80), gjithashtu Gaqo Avrazi dhe Zoi
Xoxa, me pëlqimin e Këshillit të Ministrisë, së atëhershme e cila vuri
në dispozicion shumën e çmimit, shpalli një konkurs së pari, për tekstin
e një himni të ri, duke ftuar për pjesëmarrje (kundrejt një shpërblimi
prej 2000 franga ari për fituesin) të gjithë shkrimtarë shqiptarë.


"Lidhja e "Himnit të Flamurit" me një çmim tingëllues të hollash është një frymëzim i pafat"


Më poshtë do të shihet përse u shpall ky konkurs i njëanshëm (vetëm për
tekstin) kur dihet se ky himn sa në tekst aq edhe në muzikë nuk është
origjinal shqiptar. Rev/"Java", vël. I, 24 prill 1937. "Shumëkush e
gjeti të pavend shpalljen e atij konkursi dhe filloi të kritikohej
mendimi i komisionit qoftë në biseda të lira andej-këndej qoftë
nëpërmjet letrave në redaksitë e gazetave dhe të revistave. Ndësa shtypi
i asohershëm në fillim u rezervua të shkruante: "rreth kësaj pike
delikate".

Së pari, guxoi të shfaqte mendimin haptazi revista "Përpjekja
shqiptare", e cila në numrin 7 të vitit 1927 f.24. nxorri këtë shënim:
"Duhet të pohohet se lidhja e Himnit të Flamurit me një çmim tingëllues
të hollash është një frymëzim i pafat. Nuk na e merr mendja se do të
gjendet sot një poet shqiptar që të pranojë të shpërblehet me një çmim
franga ari për një vepër të tij që do të caktohet si Himni i Flamurit.

Ky parashikim i redaksisë së asaj reviste nuk u vërtetua, siç do të
shihet më poshtë. Sodoqoftë redaksia e revistës së lartpërmendur shfaqte
mendimin se Himni i Flamurit nuk mund të ndryshohet, sepse Himni i
Flamurit ashtu siç është sot, u bë pronë e kombit. "Iu fut në gjak". Ky
himn, i brymosur me ndjenjën patriotike dhe intelektualëve të pragut të
Pavarësisë, krijoi kushte dhe rethana historike, duke u ngjizur me këtë
frymë patriotike. Prandaj, kështu siç ish sipas tyre i përgjigjej më
fort kushteve historike të vendit tonë, kur nevojitej si asnjëherë
tjetër bashkimi kombëtar.


Mbi flamurin tonë është shkruar bashkim


Poeti Dr.Lasgush Poradeci, në artikujt e tij, ballafaqoi poezinë e
Bersanit (të përkthyer nga vetë ai në gjuhën shqipe), me përshtatjen e
Asdrenit.


Mbi flamurin tonë

(Zaharia Borsan)


Mbi flamurin tonë është shkruar bashkim

Bashkim në vetëdije dhe në ndjenja,

Dhe nënë hijen e tij të madhërishme

Do përballim çdo goditje.


Në luftën e rëndë trembet ai

Që vetë është i arratisur

Po ne të bashkuar në çdo kohë

Do jemi, do jemi mundës.


E armatosën dorën tonë

Që të mbrojmë një vend të shtrenjtë

E drejta jonë është zotëronjëse

Dhe qëllimi jonë i shenjtë.


Dhe në librin e përjetësisë shkruan

Se shumë kombe do humbasin

Po Rumania jonë e shtrenjtë

Përjetë, përjetë do lulëzojë


Ja edhe teksti i mëposhtëm sipas Asdrenit

Rreth flamurit të përbashkuar

(Asdren)


Rreth flamurit të përbashkuar

Me një dëshirë e një qëllim

Të gjithë atij duk'iu betuar

Të lidhim besën për shpëtim.


Prej lufte veç ay largohet

Që është lindur tradhëtar

Kush është burrë nuk frikohet

Por vdes, por vdes, si një dëshmor.


Në dorë armët, do t'i mbajmë

Të mbrojmë atdhenë në çdo kënd.

Të drejtat tona ne si ndajmë

Këtu armiqtë s'kanë vend.


Se zoti vetë tha me gojë

Që kombe shuhen përmbi dhe.

Po Shqipëria do të rrojë

Për të, për të luftojmë ne….


Përpjekjet për një himn origjinal, me ngjyra kombëtare


Gjatë historisë së himnit tonë, ka patur vazhdimisht ide dhe mendime të
intelektualëve, që për hir të krenarisë kombëtare, kanë shfaqur
vazhdimisht ide për ta patur himnin tonë origjinal, me ngjyra kombëtare
dhe të mbështetur në motivet e traditës sonë kombëtare me tekst dhe
muzikë. Kjo kërkesë e natyrshme, por dhe e domosdoshme u bë objekt
diskutimesh në kuadër të 25-vjetorit të pavarësisë, në vitin 1937. Për
këtë arsye, u ngrit një juri, e cila, pasi shqyrtoi vjershat e 76
pjesëmarrësve, zgjodhi vetëm dy syresh, të cilat ia paraqiti Komisionit
Qendror. Anëtarët e këtij komisioni u zunë ngushtë, sepse nuk po dinin
për cilën nga ato dy poezi të vendosnin. Siç shkruante me këtë rast
gazeta e Korçës (12 gusht 1937) për njërën syresh u shprehën se ishte
"një chef d'oeuvre sublime, majestouz", kurse tjetra ishte popullore. E
para, kishte fantazi sublime extraordinaire", por ishte shumë e vështirë
për veshin e popullit, në vend që tjetra ishte në një gjuhë që mund t'i
pëlqejë vulgut, por nuk e dhanë definitivisht mendimin e tyre.

Nuk po zgjatemi me prapaskenat dhe me dallaveret e këtij konkursi, për
të cilat nuk heshti as shtypi i asokohshëm (shih Gazeta e Korçës, datë 1
shtator 1937), por po kufizohemi të vëmë në dukje, se pasi u zgjodh, më
në fund vjersha e nënshkruar me pseudonimin "Osua i ri" (Beqir Çela),
mbetej për të menduar për muzikën e saj. Për këtë qëllim pritej që të
vinte një kompozitor i ftuar enkas nga Italia. Me të drejtë redaksitë e
disa revistave të lënduara në sedrën kombëtare, u acaruan dhe shpërthyen
me një sërë artikujsh interesantë nga kjo pikëpamje. Ja për shembull,
se çka shkruante "Gazeta e Korçës" më datën 19 gusht të vitit 1937:
"Komisioni për kremtimin e 28 Nëntorit po bën një padrejtësi të madhe
ndaj kompozitorëve tanë. Marrim vesh me hidhërim se melodia, muzika, do
t'i besohet një të huaji. A nuk është turp që iu japim një shuplakë kaq
të fortë kompozitorëve tanë? Dhe ata të gjorët se meritojnë, se megjithë
shpërfilljet dhe dekurajimet prapëseprapë janë munduar të përhapin
muzikën ndër ne, t'i japin vendit tonë një faktor qytetërimi. Të paktën,
më thosh një mik, të bëjmë një konkurs internacional dhe të pranojmë
dhe kompozitorët tanë në atë konkurs, për një këngë apo një himn, por
edhe një vepër madhore me përmasa sinfonike. Këto krijime u ekzekutuan
gjatë një mbrëmjeje nga orkestra frymore e kryeqytetit.

Pra, ndryshe nga sa thuhet në një enciklopedi të huaj, u ekzekutuan nga
një kor vashash shqiptare në prani të vetë autorit (shih Enciklopedia
della Musica-Rizzilo Ricordi Milano 1972 vëll. IV. Fq. 130.) Ekzekutimi u
bë në sallën e Bashkisë në prani të komisionit të katër himneve të
kompozuara nga konkurentët Luigj Filaj (1898-1978), Kristo Kono
(1907-1991) Pjetër Dungu (1907-1989) dhe E.A.Mario (pseudonimi i poetit
dhe kompozitorit italian Xhovani Gaeto 1884-1961, autor këngësh shumë të
përhapura asokohe nëpër Itali, ndër të cilat spikat veçanërisht
("Legjenda del Pive" kompozuar më 1918) i ardhur enkas nga Italia. Siç
parashikohej konkursin e fitoi ky i fundit. Një faksimile e himnit të
zgjedhur u botua asokohe në gazetën "Drita" dhe në revistën "Java" Nr.28
të vitit 1937, ku pranë firmës së kompozitorit si për ironi është
shënuar qartë edhe data e vitit fashist (E.A. Mario, Tirana 11-octobre,
1937. XV). As me këtë rast nuk heshti "Gazeta e Korçës, e cila
shkruante: "Siç duket Himni i Flamurit u pranua nga qeveria dhe pritet
të dalë urdhëri përkatës për t'i detyruar shqiptarët ta pranojnë himnin
kombëtar. Himni i vjetër që simbolizonte vetëamëshimin për lirinë e
atdheut quhet i papërshtatshëm! U bë mirë ose jo, do të gjykojë
historia. Neve sot nga shtyllat e kësaj gazete urojmë që shembulli i
ndërrimit të himnit kombëtar të mos përsëritet dendur"… Me këtë rast nuk
mungoi ndonjë kritikë e butë në drejtim të himnit fitues (shih Luigj
Fitaj: Dy fjalë mbi Himnin e ri në revistën "Java" më 31 tetor 1937.


"Himni Kombëtar i Flamurit të bashkuar dhe gjeneza e tij", sipas Poradecit


Pothuajse pesë vjet më vonë, domethënë gjatë vitit 1942, poeti ynë
Lasgush Poradeci (ish-sekretar i përgjithshëm i kolonisë shqiptare të
Bukureshtit botoi në 14 numra të fletores "Tomorri" artikullin me
titull: "Himni Kombëtar i Flamurit të bashkuar dhe gjeneza e tij".
Përmes këtij artikulli, ai tregonte me ç'kritere e sajoi Asdreni himnin e
lartpërmendur pas shpalljes së Hyrrijetit, domethënë më 1908. Ky
atdhetar i shquar mbajti me atë rast një fjalim të gjatë dhe nxorri
vjershën të frymëzuar të cituar më sipër.

Polemikat për himnin e flamurit në shtypin e kohës vazhduan. Sidomos në
numrat e gazetës "Java", e cila në numrin 21 (gusht 1937) shkruante për
këtë çështje: "Një herë bëhet himni. Prandaj ne jemi të mendimit të mos e
ndryshojmë se historia nuk ndryshohet"… Dhe në numrin 23 të po atij
viti nën titullimn: "A duhet ndryshuar Himni i Flamurit" shtonte: "Eshtë
e vërtetë se himni i sotshëm i flamurit tonë është një kopjim i një
himni të huaj. Por a thua se kjo formon një asrye të fortë për
zëvendësimin e tij?" Pra edhe redaksia e kësaj reviste e shihte si të
panevojshëm zëvendësimin e Himnit të Flamurit, sepse "ky himn ka
udhëhequr sa e sa ëndrra dhe entuziazmuar shpirtëra", sepse ka ringjallë
kujtime përpjekjesh që përbëjnë një burim për atdhedashurinë, sepse ka
rrënjë të thellë në zemrat shqiptare dhe këto zemra do të ndjejnë
dhimbjen më të madhe kur të lëndohen e të shkulen ato rrënjë".
Gjithashtu e një mendjeje me redaksinë e revistës së lartpërmendur ishte
edhe Gazeta "Korça", e cila në numrin e 12 gushtit të vitit 1937
shkruante se…është gabim ndërrimi i Himnit të Flamurit me tjetër të ri, i
cili disi i mirë qoftë kurr nuk mund të ngjallë atë entuziazëm të
flaktë patriotik të të parit. Po kjo gazetë, në numrin e 23 gushtit të
atij viti shkruante: "Himni ynë i vjetër i flamurit duhet të mbetet si
kujtim historik dhe si simbol i luftërave për liri. Asnjë himn tjetër
nuk mund ta zërë vendin e tij, duke hyrë në shpirtin e popullit, si ka
hyrë marshi "Rreth flamurit"… Dhe do të jetë gabim i madh që kjo këngë e
bukur patriotike, e cila që prej 30 vjetësh po entuziazmon zemrat e
shqiptarëve të zëvendësohet zyrtarisht me një himn të ri". Për më tepër
Gazeta e "Korçës", në numrin e 1 shtatorit të atij viti botoi një
artikull të gjatë prej 5 shtyllat nën titullin: "Si varroset një himn që
këndohej me një burrëri në kohërat e robërisë dhe të gjakut e vendin e
tij e zë një tjetër i thurrur në kohë paqeje". Ndër shtyllat e kësaj
gazete u botuan edhe këto fjalë të një veterani. "Himni i Flamurit të
mos ndërrohet pse ai u thurr në kohën e robërisë kur gjaku shqiptar
vlonte për liri, kur populli shqiptar zuri të ndjejë kombësi, njëjësi e
vëllazërim". Është me interes të ndalemi e të shoshisim disa ide dhe
pikëpamje që u parashtruan edhe aso kohe në shtypin e vitit 1937.


Pak histori nga formimi i himneve të huaja


Dihet se himnet kombëtare janë si të thuash përfaqësimi poetiko -
muzikor i popujve përkatës, ashtu siç janë stemat dhe flamujt
përfaqësimi i tyre figurativ. Në përgjithësi, gjeneza dhe përhapja e
tyre lidhet me ndonjë ngjarje historike të shënuar për jetën e kombit,
por ndonëse disa syresh kanë lindur në rrethana lëvizjesh
politiko-shoqërore të rëndësishëm, krahas himneve origjinale të
kompozuara qëllimisht në rrethana të përcaktuara nuk mungojnë himnet e
përqafuar më vonë të huazuar nga vende të ndryshme. Mjafton të përmendim
si shembull, në Francë, më 1817 ka patur edhe raste përshtatjesh të
tilla si himni i Rusisë cariste kompozuar mbi fjalët e dy strofave të
shkruara nga autorë të ndryshëm konkretisht më parë u shkrua strofa e
dytë nga P.Cajkovski më 1814 dhe pastaj 20 vjet më vonë, u shkrua strofa
e parë nga Aleks Lëoft (1799-1870) me urdhërin e Car Nikollës së parë.
Këtë himn e nxorri jashtë përdorimit Revolucioni i Tetorit më 1917.
Vjersha e himnit grek ka qenë shkruar më 1823, ndërsa muzika e tij u
kompozua pas afro 20 vjetësh nga Nikolaes Manxaras. Mund të përmendim
shumë himne kombëtare të kompozuar nga autorë të huaj, për shembull
himni zyrtar i Spanjës, i cili u zëvendësua pas vitit 1931, ka qenë
kompozuar nga një autor anonim gjerman, ndërsa himnin e SHBA e ka
kompozuar një autor anglez. Përveç këtyre mund të përmendim himnin e
Bolivisë, kompozuar më 1845 nga italiani Bente Vincenti. Dikur Egjipti
pat përshtatur si himn një marsh instrumental të kompozuar më 1871.

Ndër shembuj të njohur mund të përmendin rastin e himnit kombëtar
hungarez, i cili dikur zëvendësoi marshin e Rakocit, pas një konkursi të
shpallur më 1842 e të fituar nga kompozimi i Franc Erkilit (1810-1893).
Theksojmë se edhe ky kompozim ka qenë zëvendësuar fill pas dy vjetësh
nga një tjetër himn i zgjedhur nëpërmjet një konkursi zyrtar. Disa himne
kundruar nga pikëpamja e hijëshisq së tyre nuk paraqesin vlera të mëdha
artistike, madje mund të mos kenë shumë vlera as si krijimtari
origjinale. I tillë është rasti i himnit polak kompozuar nga Kuprinski,
duke shkëmbyer një nga ariet e operas frenge "Le secret" të Y.P.Solie
(1796). I tillë është gjithashtu rasti i himnit kombëtar portugez
kompozuar më 1822 nga Don Pedro I. Theksojmë se ngrehina e këtij himni
shtjellohet porsi ariet e vjetra italiane ku për më tepër dallohet një
frazë e tërë (Viva, viva, viva e Rey) krejt e njëjtë me atë të himnit
kombëtar grek.

Në miratimin dhe në vlerësimin e disa himneve, kanë ndërhyrë edhe
faktorë subjektivë, madje nganjëherë në mënyrë vendimtare. Rëndom vetë
efekti i tyre emocionues kushtëzohet më fort nga rrethanat se sa nga
cilësitë përkatëse. Sidoqoftë dihet se shumë himne kombëtare kanë
ushtruar ndikime të rëndësishme si në kohë paqeje ashtu edhe në kohë
lufte. Bukur e pat thënë Viktor Hygo se, "gjysma e fitoreve franceze i
detyrohet Marsejezës". Me të drejtë mallëngjehen veteranët, luftëtarët e
një ideali kur dëgjojnë këngët që dikur këndoheshin në rrethana
përpjekjesh historike, sepse ato këngë u kujtojnë ditët e betejave e të
flijimeve për liri, u kujtojnë çastet e gëzueshme të fitoreve, sepse në
ato këngë gjejnë vetveten dhe shokët e luftës. Edhe tek ne, është e
kuptueshme lidhja e disa veteranëve me Himin e Flamurit që i bashkonte
"me një dëshirë, me një qëllim". Ky himn që lidhet me rrethana historike
aq të rëndësishme për vendin tonë, ashtu si sa e sa këngë patriotike të
huazuara pa qenë si një armë e fortë politike.

Sosëm, pothuajse në mbarim të "ekskursionit" rreth historikut të himnit
tonë të flamurit, meqenëse ky historik vijon ende. Prej vitit 1956 e
këtej, tri herë është shpallur konkurs për një himn të ri, meqë vetë
sedra kombëtare kërkon që mospërfaqësohemi me një krijim të huazuar.
Mjerisht nuk u zgjodh asnjëri nga konkuruesit e shumtë, sepse kërkohej e
pritej diçka më e goditur. Në këtë dështim ndikuan padyshim edhe
ngatërresat e prapaskenat partiake të zgjedhës komuniste. Sidoqoftë,
nëse ndërkohë shpata e Liktorit dhe ylli pesëcepësh u hoqën nga flamuri
ynë si simbole të huazuara, vallë a duhet të pranojmë një himn kombëtar
tërësisht të huazuar? Urojmë që botimi i këtij shkrimi të shërbejë si
nxitje për një himn të ri të kalitur në kullën e zjarrit të përvojës
sonë. Që të jetë zëri kushtrimor i zemrës së popullit tonë e që të
përshkohet nga afshi i kësaj zemre të madhe. Shkurt, të jetë i gatuar me
intonacione kombëtare që të prekë ndjenjat e dëgjuesve shqiptarë.

Edhe gjashtë vjet na ndajnë nga 100-vjetori i Shpalljes së Pavarësisë.
Do kisha shumë dëshirë dhe uroj që në këtë përvjetor të 100, kombi ynë
të ketë himnin e tij me poezi dhe muzikë shqiptare.
WebMaster
WebMaster
Fondatori i Forumit
Fondatori i Forumit

Vendbanimi Vendbanimi : Ku te dua un
Postime Postime : 98857
Gjinia Gjinia : Female
Anëtarësuar Anëtarësuar : 11/01/2009
Mosha Mosha : 46
Hobi Hobi : Të përballoj jetën

http://www.klealove.com

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Origjina e Himnit te Flamurit Empty Re: Origjina e Himnit te Flamurit

Mesazh nga Anakonda Fri 9 Nov 2012 - 1:05

sa origjin tveshtir qe paska pas edhe ky himni i flamurit tone
Anakonda
Anakonda
V.I.P Anëtarë
V.I.P Anëtarë

Vendbanimi Vendbanimi : Australia
Postime Postime : 31717
Gjinia Gjinia : Female
Anëtarësuar Anëtarësuar : 02/12/2011
Mosha Mosha : 34
Hobi Hobi : Once Upon A Time

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Origjina e Himnit te Flamurit Empty Re: Origjina e Himnit te Flamurit

Mesazh nga Sponsored content


Sponsored content


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi