“Gjeta dy fëmijët e gruan të larë në gjak e të copëtuar”
2 posters
Faqja 1 e 1
“Gjeta dy fëmijët e gruan të larë në gjak e të copëtuar”
Shpesh ecën kot, vërdallë, nëpër dhoma dhe oborr. Shpesh ulet dhe në vendet ku ka gjetur trupat e dy fëmijëve, Nexhmies së pajetë me kafkën e hapur, Malvinit pa gjymtyrë në grahmat e fundit dhe bashkëshortes Violetë që zvarritet në pellgjet e gjakut mbi dysheme.Por, më shpesh shpërthen në lot dhe nuk e kupton më realitetin. Ose nuk do që ta kuptojë… Arif Kurti ka humbur gjysmën e familjes dhe gjysma e mbetur duket po aq e humbur mendërisht. Ai, babai 50-vjeçar, flet me vete. Bashkëshortja e tij, Violeta, e mbijetuar nga tragjedia, ndodhet në gjendje të rëndë në Spitalin Ushtarak, në Tiranë dhe nuk di asgjë për vdekjen e dy fëmijëve. Djali i shpëtuar, Doriani 17-vjeçar, di dhe pa gjithçka, por vetë nuk shihet gjëkund… Kjo është situata e familjes Kurti, 12 orë pas shpërthimit të një lënde plasëse që ende nuk i është gjetur emri. Ose më saktë, gjëma e madhe, siç e quan vetë Arifi gjatë një intervistë për gazetën “Panorama”. Ne gjetëm një moment që ai dukej i kthjellët në përgjigje, siç edhe mund ta lexoni, megjithatë duhet të theksojmë se thuajse gjatë gjithë kohës ishte në gjendje shumë të rëndë psikologjike dhe dilte shpesh nga konteksti. Për këtë arsye, po botojmë vetëm përgjigjet që kanë kuptim dhe janë të plota, duke filluar që nga shpërthimi…
Ku ndodheshit në momentin e shpërthimit?
Unë çohem gjithmonë herët, sidomos në verë, pasi shkoj që të kosis bar ose jonxhë. Jo vetëm në arat e mia, por edhe të të tjerëve, kundrejt pagesës. Si çdo ditë tjetër, isha nisur bashkë me djalin e vogël, Dorianin, në një livadh jo shumë larg shtëpisë, kur dëgjova një zhurmë të madhe dhe pashë pas disa sekondash shtëllunga tymi. Por, ishte akoma shumë herët dhe nuk isha shumë i qartë.
Ju shkoi mendja direkt te familja juaj, që mund t’i kishte ndodhur diçka?
U frikësova, dyshoja se shtëllunga dukej si pranë shtëpisë sime, por nuk isha i sigurt. Këtu shtëpitë janë ngjitur dhe nuk kuptohej nga larg. Kushdo që të ishte, unë u ktheva direkt nga rruga që të shihja se çfarë kishte ndodhur.
Dhe çfarë kishte ndodhur?
Ç’kishte ndodhur… ja, shih çfarë ka ndodhur. Gjëma e madhe. Gjeta familjen time të larë në gjak. Që të tre të copëtuar dhe s’dija kë të kapja më parë, kë të ndihmoja më përpara.
Kë ndihmove më parë?
Kapa djalin e madh, Malvinin, se po përpëlitej akoma dhe ishte në mes të korridorit. Me krahët e këputur nga trupi që ishin shpërndarë në dysheme dhe këmbët gati njësoj. Ishte ende gjallë dhe bërtiste nga dhimbjet, por gjaku po i bllokonte edhe frymëmarrjen, për pak sekonda nuk foli më. (Ulet te vendi ku gjeti djalin dhe me lot në sy tregon njollat e gjakut ende të pathara) .
Po vajza?
Ahhh, Nexhmia (vajza). Ajo nuk ndihej… As jepte, as merrte. Kishte vdekur në vend. I ishte hapur koka dhe i kam mbledhur trutë me dorë dhe ia kam futur sërish brenda. Ja, këtu, mbi krevat ishte, po flinte e shkreta atëherë kur dolëm ne (tregon vendin se ku e gjeti dhe ashtu si me djalin, ulet qan mbi krevat). E mbyti gjaku familjen time… Vajza ime, vajza ime… kullonte në gjak, afër vëllait të saj me gjak, afër nënës së saj po me gjak.
Edhe bashkëshortja juaj ishte pranë fëmijëve?
Pranë të shkretëve ishte, e shkretë dhe Leta (Violeta, bashkëshortja e Arifit). Qante se i dhembte krejt trupi dhe po përpiqej të ngrihej në këmbë duke u mbajtur pas murir, por sërish binte në tokë. Kërkonte të shikonte se ç’bëhej me fëmijët, por asgjë nuk merrte vesh. Bërtiste prej gjakut, bërtiste se pse nuk i përgjigjeshin edhe fëmijët kur ajo i thërriste në emër. Më pas, ra pa ndjenja dhe është zgjuar në spital. Të paktën kështu më kanë thënë.
Nuk e keni parë ju bashkëshorten se si është?
Nuk mundem, Leta është në Tiranë tani, në Spitalin Ushtarak. Mua më duhet të qëndroj këtu, dua t’u bëj respektin e fundit fëmijëve të mi. T’i varros me të gjitha nderet. Më duhet të bëhem i fortë për djalin tjetër, por edhe për bashkëshorten time. Me aq sa kam folur, ajo ende nuk kupton asgjë.
Po thoni që bashkëshortja juaj nuk e di akoma se fëmijët tuaj nuk janë më gjallë?
Jo, ajo nuk e di që nuk e kemi më as Malvinin, as Nexhmien. Ajo kujton se edhe ata janë shtruar në spital dhe madje janë më mirë se ajo për nga gjendja shëndetësore. Kam porositur edhe njerëzit që qëndrojnë me të, që të mos i tregojnë asgjë.
Po kur mendoni që t’ia thoni?
Ajo është shumë e dobët dhe me plagë. Nuk mund t’ia rëndoj gjendjen me këtë lajm të kobshëm, nuk do të mund ta përballonte dot tani. Do të përpiqem t’ia fsheh sa më gjatë. Shpresoj që të bëhet sa më mirë dhe të shërohet sa më shpejt. Atëherë do t’ia them. E rëndësishme tani është që të shërohet. Nuk mund të duroj dot një vdekje tjetër në shtëpi. Nëse ka zot, ajo duhet të shpëtojë. Nëse ka zot, të marrë fëmijët e mi në xhehnet (parajsë). Nëse ka zot, mallkoj kush ma bëri gjithë këtë gjëmë.
Pse mendoni se ua ka bërë dikush?
Se nuk di ç’të mendoj tjetër. Në fillim u tha se shpërtheu bombola e gazit, por atë e gjeta në shtëpi, të paprekur. Më pas më thanë që ka shpërthyer herë dinamit, herë tritol e herë granatë, por në asnjërën prej tyre nuk e kemi pasur në shtëpi. Ndaj mendoj atëherë se mos na e ka vënë njeri.
Keni në mendje ndonjë person konkret?
Jo, nuk e di…
Keni pasur ndonjë konflikt kohët e fundit ose edhe më parë?
Jo, asnjë. Ne jemi familje e thjeshtë, punëtore, të gjithë përpiqeshim të punonim diçka në shtëpi, me tokën, me bagëtinë e ç’të na dilte përpara. As fëmijët nuk më kanë sjellë asnjë shqetësim.
Atëherë pse të mendoni se dikush ju ka vënë lëndë plasëse në shtëpi?
Po ç’të mendoj tjetër… Mbase kanë ngatërruar shtëpi, mbase ka ndonjë gjë që nuk di unë.
Mbase e di policia tashmë, e keni denoncuar ngjarjen dhe a e keni pyetur?
Ata ishin këtu gjithë paraditen. Disa më thanë që ishin edhe ekspertë nga Tirana. Panë vendin, më pyetën mua, vëllain tim dhe disa të afërm dhe fqinj të tjerë që më ndihmuan me trupat e fëmijëve dhe të gruas. As ata akoma nuk kanë kthyer një përgjigje. Pres të më thonë diçka. Është barrë shumë e rëndë humbja e fëmijëve, por edhe më e rëndë bëhet kur nuk di se pse të ikën.
Shpërthimi, vdesin motër e vëlla
Vdesin të copëzuar motër e vëlla, ndërsa nëna e tyre përfundon në gjendje të rëndë në Spitalin Ushtarak, në Tiranë.Ky është bilanci tragjik i viktimave nga familja Kurti, që jeton në fshatin Brest i Epërm, të komunës së Kastriotit në Dibër.
Rreth orës 05.30 të mëngjesit, një shpërthim i fuqishëm ndodhi në shtëpinë e familjes Kurti, duke tronditur të gjithë fshatin. Pasojat kanë qenë fatale: Nexhmie Kurti, 21 vjeçe, gjeti vdekjen e menjëhershme. Vëllai i saj, Malvin Kurti, 19 vjeç, ndërroi jetë rrugës për në Spitalin e Peshkopisë, ndërsa nëna e tyre, Violeta Kurti, 49 vjeçe, është plagosur dhe ndodhet në gjendje të rëndë në Spitalin ushtarak pasi u transportua me helikopter. Nga tragjedia kanë shpëtuar kryefamiljari Arif Kurti dhe djali i vogël i familjes, Doriani 17 vjeç, të cilët nuk ndodheshin në shtëpi. Ata ishin nisur për të kositur barin 30 minuta para shpërthimit. Fillimisht u dyshua se shkaku i kësaj tragjedie ishte një bombol gazi, ndërsa më pas është konfirmuar nga burime të Policisë së Dibrës se është lëndë plasëse, e cila dyshohet të jetë dinamit ose granatë. Për të shkuar në fshatin Brest, të gjithë të tregojnë rrugën, por jo shtëpinë e familjes Kurti. Banorët fillojnë e flasin, por pasi i dëgjon, do të dëshiroje që më mirë të mos të kishin folur… “Nuk vihet në mort pa fjalë dhe kjo që bën ti është kundër zakoneve. Ne ende nuk kemi futur në dhe kufomat. Vetëm ditën e varrimit është me dëshirë për të ardhur ose dhe pas varrimit. Para varrimit, vetëm njerëzit e fisit, të ftuarit me lajmës dhe, nëse rastësisht ke kaluar pranë shtëpisë që ka mort, mund të futesh brenda në shtëpi dhe të pish kafe”, thotë një burrë i fshatit rreth të 80-ave me emrin Demir, por që të gjithë i thërrasin Mixha (xhaxha). Me një kësulë të bardhë në kokë, të cilën e heq herë pas here për të pastruar djersën me një shami akull të pastër, ai tregon shumë histori për komshinjtë e tij që pësuan fatkeqësinë, por të gjitha rrëfimet e tij të çojnë drejt një fjalie: Janë të varfër, por nuk ka familje më punëtore dhe të ndershme se ata. Nuk u është xheç (dëgjuar) kurrë zëri në fshat. Të tjerët rreth Demirit nuk guxojnë të flasin, për keq apo për mirë. Në raste të tilla, sipas zakonit, flet më i moshuari dhe të tjerët vetëm mund të miratojnë me kokë, ulje sysh dhe psherëtimash. Me ngadalë 80-vjeçari kthehet mbrapsht dhe nis të ngjitet drejt shtëpisë së Aqif Kurtit. Pas tij dhe kundër dëshirës së tij, edhe ne…
Në shtëpinë Kurti
Një shtëpi e vjetër, e lyer jashtë e brenda me të bardhë dhe e mbushur me gra të veshura me të zeza. Në qendër të njërës prej dhomave janë vendosur arkivolet e dy fëmijëve të vrarë nga shpërthimi, të cilat janë të mbyllura për shkak të kufomave të shpërfytyruara. Sipas traditës, gratë vajtojnë me vargje, ndërsa burrat ndodhen në një banesë tjetër. Në korridor, pak gra rrinë aty. Njollat e gjakut duket se i mbajnë larg ato. Edhe pse janë larë disa herë, siç rrëfen njëra prej grave që bën shërbim aty me këtë rast, ato njolla nuk dalin. Sipas saj, kanë përdorur shumë solucione, por në disa vende kanë ngelur. Teksa tregon muret se ku ndodhen, të njëjtën gjë bën edhe me dyshemenë. Sapo ngre pak tapetin me lule ngjyrë blu, menjëherë vjen një duhmë gjaku. Gratë lëvizin pak mbrapsht, ca nga era dhe ca nga bestytënitë që kanë për erën e gjakut, ndërsa në derë shfaqet vetë babi i dy fëmijëve të vdekur, Arifi. Ai është i tronditur dhe mezi qëndron në këmbë nga dhimbja për humbjen në mënyrë kaq tragjike të dy fëmijëve të tij.
Dëshmitë
Arif Kurti, djali i tij Doriani dhe Ramazan Kurti, vëllai i Arifit, janë personat e parë që janë marrë në pyetje nga grupi hetimor. Fillimisht u tha se ngjarja ishte e qëllimshme dhe pistat e para të hetimit kishin të bënin me mundësinë e një sulmi mbi banesën e kësaj familjeje. Por, nga dëshmitë e marra u mësua shpejt se familja Kurti nuk ka pasur asnjë lloj konflikti me banorët e tjerë të fshatit dhe gjithçka ka ndodhur nga pakujdesia. “Janë mbledhur prova të shumta, copa tavani të rëna në dysheme, rroba të viktimave, copa të dyerve e dritareve që kishin rënë përtokë pas shpërthimit të fuqishëm, si dhe
sende të tjera të gjetura në vendin e ngjarjes”, thanë burime të policisë.
Varferia
Banorë të lagjes thanë se Malvini, djali që mbeti i pajetë në dyshemenë e shtëpisë së tyre, ishte fjalëpakë dhe shumë punëtor. Kohë më parë kishte punuar si çoban në ultësirën e Lezhës. “Kjo familje mbahej vetëm me punë krahu. Komuna u jepte 20 mijë lekë të vjetër ndihmë ekonomike, ndërkohë muajt e fundit ua kishte mbajtur këto para si taksë për ujin vaditës. Janë një familje shumë e varfër, por ama shumë bujare dhe e ndershme”, – thonë fqinjët e familjes Kurti. Vetë kryefamiljari thotë se jetesa e tyre ishte siguruar vetëm nga të ardhurat prej bujqësisë dhe bagëtisë. Ai herë pas here punonte tokat e të tjerëve në fshat.
Ekspertët nga Tirana: Dyshojmë për granatë ose dinamit për peshkim
Menjëherë pas shpërthimit që ndodhi ende pa zbardhur, në banesë kanë shkuar fqinjët, të cilët kanë lajmëruar Policinë e Dibrës. Në vendngjarje mbërritën forcat e rendit, por edhe një grup ekspertësh hetimorë. Ata transportuan trupat e dy fëmijëve, Nexhmie dhe Malvin Kurti, drejt morgut të qytetit të Peshkopisë, ku kanë bërë ekspertizën, ndërsa nëna e tyre, Violeta, e plagosur rëndë, është transportuar me një helikopter të Ministrisë së Shëndetësisë drejt e në Spitalin Ushtarak të Tiranës. Më pas, gjatë ditës, hetimit i janë bashkëngjitur edhe kolegë nga Tirana, veçanërisht specialistë të Njësisë Anti-Eksplozivë. Burime pranë tyre bënë të ditur se pas disa orësh në vendngjarje, por edhe ekspertizës së trupave të pajetë, për momentin janë dy pista dyshimi që mendohet se kanë shkaktuar tragjedinë. “E para dhe më e mundshmja, është një granatë e tipit të vjetër. Kemi mësuar se të hënën ishte një festë fetare që quhet edhe ‘natë e mirë’. Në këtë natë, fëmijët, vajzat dhe gratë shkojnë pranë varrezave dhe atje marrin ëmbëlsira. Duket se njëri prej fëmijëve të familjes Kurti, që mendojmë se është vajza pasi e kanë parë, ka qenë pikërisht atje dhe ka marrë në një qese disa prej tyre. Në shtëpi, ajo i ka lënë në një sirtar të bufesë që ishte në korridor. Në po të njëjtin vend, në të njëjtin sirtar, njëri nga djemtë që ende nuk e dimë se cili, ka lënë granatën. Dyshojmë për granatën, pasi dy djemtë mblidhnin edhe skrap për shitje e mund ta kenë gjetur në punë e sipër dhe e kanë vendosur aty, pa e ditur se çfarë rreziku sjell, edhe granata e mbështjellë në qese. Këtu mendojmë se duhet të jetë bërë një gabim me qeset dhe djali (Malvini) do të jetë ai që ka dashur të marrë ëmbëlsirat që i ka lënë e motra (Nexhmia) dhe gabimisht ka hapur qesen tjetër. Për shkak të mëngjesit të hershëm, ku ka mungesë drite dhe përgjumje, ai duket se nuk e ka dalluar granatën dhe e ka hapur pa dashje. Kështu ka ndodhur shpërthimi, nga ku shpjegohet dhe shkëputja e gjymtyrëve të tij. Ndërsa vajza ka qenë duke fjetur pranë bufesë dhe ka pasur kokën poshtë saj, çka shpjegon dëmtimin e saj të rëndë në kafkë. E ëma e tyre ka qenë më tej dhe, siç dihet, fatmirësisht ka shpëtuar, edhe pse me plagë shumë të rënda”, thonë ekspertët që merren me këtë çështje. Po ashtu, pista e granatës për ta është më e sakta, edhe duke iu referuar plagëve: Granata të shkakton ato lloj plagësh. Sa i përket pistës tjetër, edhe pse jo shumë e besueshme për ekspertët, është dinamiti. Banorët e zonës e përdorin shpesh për peshkim në ujërat e liqenit aty pranë, por ekspertët dyshojnë. “Nuk e mohojmë si pistë, por më shumë i përmbahemi variantit të granatës. Megjithatë, duhen analiza të hollësishme, jemi një grup i madh që po punojmë për këtë çështje. Do ta zbardhim brenda 2 ditësh}. Ndërkaq, ata mohojnë që lënda plasëse të jetë vendosur nga dikush tjetër për arsye konflikti me familjen Kurti, duke theksuar se deri tani gjithçka duket si aksident.
Panorama.
Re: “Gjeta dy fëmijët e gruan të larë në gjak e të copëtuar”
Shume e dhimbshme qenka.
Anakonda- V.I.P Anëtarë
- Vendbanimi : Australia
Postime : 31717
Gjinia :
Anëtarësuar : 02/12/2011
Mosha : 34
Hobi : Once Upon A Time
Similar topics
» Marokeni vret fëmijët e tij, ndëshkoi gruan se hoqi shaminë
» 37 vite pa u larë dhe pa u qethur!
» Fëmija i copëtuar gjendet në frigorifer
» Mir se ju gjeta.
» Mir Se ju Gjeta ,
» 37 vite pa u larë dhe pa u qethur!
» Fëmija i copëtuar gjendet në frigorifer
» Mir se ju gjeta.
» Mir Se ju Gjeta ,
Faqja 1 e 1
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi