Aurel Plasari, letër Enver Hoxhës për të drejtën e studimit
Aurel Plasari, letër Enver Hoxhës për të drejtën e studimit
Shpesh ndodh që prindërit nuk ia tregojnë të gjitha fëmijëve. E bëjnë për t’i mbrojtur e shpesh i marrin me vete të gjitha dhimbjet. Ky ishte edhe rasti i Anastas Plasarit, njërit prej militantëve më të hershëm komunistë, që prej mesit të viteve ’20, por i dënuar fillimisht me eliminim nga vetë Enver Hoxha (pa zhurmë e pa bujë) e pastaj i tërhequr nga jeta publike. I biri, Aurel Plasari, ishte një nxënës me dhunti. Nuk kishte vetëm notat e mira, por zotëronte dhe pasionin për gjuhët e huaja. Kishte përkthyer disa libra, megjithatë nuk i dilte e drejta e studimit. I riu, i cili asokohe nuk dinte asgjë për marrëdhëniet e të atit me Enver Hoxhën, i dërgon një letër-ankesë këtij të fundit. Ish-diktatori nuk i ktheu përgjigje, por në listën e studentëve të ardhshëm figuronte edhe emri i Aurel Plasarit. Në biografinë “Enver Hoxha” të Blendi fevziut, Plasari tregon historinë e tij. al.mi
Në të ritë e vet Hoxha vuante nga mania e protagonizmit dhe dëshira për të qenë gjithnjë në qendër të vëmendjes. Këtë e dëshmojnë të gjithë ata që e kanë njohur nga afër. Siç kujtojnë se xhelozia e tij ishte vrastare. Ajo shfaqej shpesh deri në detaje të vogla dhe pa asnjë vlerë, por që në kujtimet e tij merr përmasa të frikshme. Në njërin prej tyre, për shembull, ai akuzon Mustafa Gjinishin që përfillej nga anglezët, sepse dinte anglisht dhe se nuk i përfillte të tjerët që “dinin frëngjisht”…! Histori të ngjashme dhe kontraverse janë pa dyshim pjesa më misterioze dhe më e pakuptueshme e diktatorit, por gjithsesi pjesë pa të cilën ai nuk mund të shpjegohet.
Aurel Plasari, sot një nga personalitetet e kulturës shqiptare, atëherë sapo kishte mbaruar shkollën e mesme dhe trajtohej si fëmijë me prejardhje një familje me “biografi të keqe”: nuk i lejohej e drejta e studimeve të larta. Ishte nxënës që qe dalluar, me njohje të disa gjuhëve të huaja, ndonëse vetë sot nuk pranon që të ketë qenë nxënës “i shkëlqyer”, thjesht është dakord me karakteristikën që i bënte njëra prej mësuesve të tij: “arrin rezultate maksimale me përpjekje minimale”. Mirëpo kishte një problem: i ati, Anastas Plasari, militant komunist i hershëm që prej mesit të viteve ’20, kishte pasur më se një përplasje me Enver Hoxhën gjatë Luftës, çfarë ishin bërë shkak edhe për disa urdhra të njëpasnjëshëm të Hoxhës për eliminimin e tij fizik. I ati kishte mbijetuar, pas një dënimi në vitet 1946-1948, një rehabilitimi të përkohshëm, një tjetër dënimi me heqjen e të drejtave civile, për t’u tërhequr nga jeta publike duke punuar si punëtor i thjeshtë. Të birit, kudo që shkonte për të kërkuar të drejtën për shkollim, i duhej të paraqiste dëshminë e dënimit të të atit si “armik i popullit”, ndërkohë që të atit i duhej t’i shpjegonte që nuk kishte kryer kurrfarë krimi, vetëm kishte qenë pré e intrigave politike të viteve 1946-1948, madje ishte falur duke u shpallur edhe “i padënuar”.
Kopertina e librit të Blendi Fevziut
Atëherë djali mendoi diçka që praktikohej në ato kohë: vendosi t’i shkruante një letër Hoxhës, ku t’i ankohej për ato struktura shtetërore që ia pengonin të drejtën e studimit. Ishte i bindur që kjo i takonte, e para sepse ishte një nxënës që jo vetëm i arrinte rezultatet e kërkuara, por kishte botuar tre ose katër libra të përkthyer.
Aurel Plasari tregon sot se atëherë nuk kishte as më të voglën dijeni për urdhrat e Hoxhës për eliminimin e të atit: ata fëmijët e tij i morën vesh, sigurisht të tronditur, vetëm në vitet ’90 nga botimet e AQSh. Befasisht, përgjigjja e letrës diktatorit tërthorazi mund të quhet pozitive. Në bisedën e shumë viteve më vonë, tanimë ai e kujton kështu këtë moment:
“Duhet të ketë qenë viti 1980 ose 1981: punoja korrektor i bocave të botimeve në gjuhën spanjolle në shtypshkronjën “Mihal Duri”, kur e mblodha t’i bëj letër Enver Hoxhës, “shokut Enver” të asaj kohe, për t’iu ankuar për të drejtën e studimit në shkollën e lartë, që më mohohej, në veçanti për ata nëpunës të shtetit te të cilët kisha kërkuar të “drejtën time” dhe m’i kishin përplasur dyert në fytyrë. Që në atë moshë kisha përkthyer tre-katër libra nga letërsia e huaj, që tani më duken krejt modestë, por atëherë më dukeshin gjë e madhe. Mbaj mend, për shembull, që në atë letër i jam ankuar shtjellimisht për zv.kryeministrin Manush Myuftiu etj. Tim eti nuk i thashë çfarë po sajoja, në parim ai nuk do të donte t’i shkruhej Enverit, këtë e dija: as për t’iu ankuar, as për t’i kërkuar çfarëdo qoftë. Nga ana tjetër, urdhrat e Enver Hoxhës për ta vrarë (“spastruar”) Anastas Plasarin, i kemi marrë vesh vetëm në vitet ’90, kur filluan të botoheshin burimet dokumentare të PKSh nga Arkivi Qendror i Shtetit, atëherë babai nuk rronte më. Babai kurrë nuk na e kishte zënë në gojë një gjë të tillë, asnjëherë nuk la të kuptohej që konflikti i Enverit me të kishte mbërritur në një shkallë si ajo. Tani e kuptoj babanë: ka pasur kujdesin e madh të na ruajë ne, fëmijët. Unë vetë, ta kisha ditur, nuk do të kisha guxuar kurrë t’i shkruaja “udhëheqësit”. Mirëpo i përkisja një brezi të lindur dhe të rritur në një kohë tjetër, besoja përnjëmend që padrejtësitë mund të viheshin në vend, që të drejtat mund të fitoheshin duke ngulmuar për to. I përkisja, siç i përkas, një familjeje me kontribute të njohura në Luftë për atdheun, me një motër dëshmore në Korçë, me dy dajallarë të ekzekutuar në një kamp përqendrimi gjerman në Prishtinë etj.: e quaja të papranueshme që të mos më njihej e drejta për të vazhduar studimet”
I pyetur për rezultatin e letrës, Aurel Plasari tregon:
“Përgjigje nuk pati, afërmendsh, por në listat e radhës të të drejtave të studimit që do të afishoheshin më pas, përfshihej edhe emri im. Më 1982, kur u pranova të punoja korrektor letrar në revistën “Nëntori”, njëri ndër drejtuesit e Lidhjes së Shkrimtarëve në zyrën e tij më pyeti: “Ti i ke shkruar një letër shokut Enver, apo jo?’ “Po, – ia ktheva me trurin tim të atëhershëm, – por nuk kam marrë ende përgjigje.” “Po ç’përgjigje do ti?! – ma priti. – Tani e drejta e studimit ose të del, ose nuk të del fare…”. Dhe shtoi: “Kam pasur në duar një kopje të asaj letre, përanash saj shoku Enver ka shënuar: “I ati i këtij djali ka qenë kundërshtar yni ideologjik, por Partia nuk ka udhëzuar që t’i trajtohen kështu fëmijët”.” Ndërsa nuk dija si të reagoja, ai përfundoi me dashamirësi: “Tani ti e kupton vetë sa kujdes duhet të bësh, se je djalë i zgjuar…”. Fjalinë, ashtu si mu tha, me atë element rrezikimi të nënkuptuar, e kam të rrënjosur në tru fjalë për fjalë: ishte diçka jetike, si një parakusht për mbijetesën që më priste, dhe as e kam harruar, as nuk besoj ta harroj kurrë”.
Ç’ishte kjo sjellje e diktatorit? Plasari e shpjegon atë kështu:
“Vetëm me ndihmën e Freud-it mund t’i jap një shpjegim: stërhollimi psikopatologjik i trurit të diktatorit, i cili në nënvetëdije nuk i ka çregjistruar urdhrat për vrasje, ka marrë masat për një ditë të ardhme, kur për ata urdhra të tjerët mund të bëheshin me dije dhe atëherë ata të rezultonin të pabesueshëm duke mbetur vetë diktatori ai, i regjistruar në kujtesën e një të çunaku si figurë “bamirësi”.
BLENDI FEVZIU
Emona- WebMaster
- Postime : 46759
Gjinia :
Anëtarësuar : 12/03/2010
Similar topics
» Kërkohet rivendosja e bustit të Enver Hoxhës
» Nga rezidenca bunker e Gadafit, tek piramida e Enver Hoxhës
» Luleshtrydhe blu… sipas studimit, ngjyrat janë subjektive
» Aurel Dasareti: Shqipëria është gjaku im që nuk falet!
» Pse mohojne te drejten nganjehere njerezit.
» Nga rezidenca bunker e Gadafit, tek piramida e Enver Hoxhës
» Luleshtrydhe blu… sipas studimit, ngjyrat janë subjektive
» Aurel Dasareti: Shqipëria është gjaku im që nuk falet!
» Pse mohojne te drejten nganjehere njerezit.
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi