Shkolla “Karl Gega”, 1 vajzë për 25 djem
2 posters
Faqja 1 e 1
Shkolla “Karl Gega”, 1 vajzë për 25 djem
Eglantina Bardhi
Të rrethuara vetëm nga djem dhe nga një ambjent disi i egër për ato. Megjithatë, dinë të sfidojnë dhe të tregojnë se bashkë me shkollën po marrin edhe një zanat që do t’u duhet nesër për jetën. Janë 26 vajzat e shkollës profesionale “Karl Gega” në kryeqytet, të cilat janë të rrethuara nga 624 djem të po kësaj shkolle. Se si ndihesh në një ambient të tillë, lehtësisht mund ta tregojnë vetë nxënësit (vajza e djem), mësuesit e drejtuesit e kësaj shkolle.
Nën presion
Vajzat i sheh në këndin e tyre të praktikës së prerjes dhe qepjes. Të gjitha studiojnë në degën e konfeksioneve, ku bëjnë lloj-lloj stilimesh rrobash, shumë prej të cilave bashkëmoshataret e tyre as nuk mund ta imagjinojnë se mund t’i realizojnë ndonjëherë. Madje, ato përpiqen të kenë edhe stilet e tyre në veshje që janë pikërisht produkt i realizimeve të tyre. Por shkolla ku mësojnë, të vetmin problem për to ka mungesën e bashkëmoshatareve, sepse shumë prej tyre zgjedhin gjimnazin e përgjithshëm dhe harrojnë se në shkollën ku ato studiojnë, fitojnë një zanat dhe shpejt dalin në tregun e punës. E kështu gjatë kohës që janë në shkollë, për shkak se janë pakicë, luftojnë për të zbutur disi ambientin e egër të mbushur me meshkuj.
“Në shkollë, për fat të keq, jemi shumë pak vajza dhe djemtë duket se e kanë pushtuar këtë shkollë. Kjo sigurisht që nuk është aspak pozitive, sepse e ndiejmë shumë mungesën e aktiviteteve. Nuk bëjmë asnjëherë festa, sepse djemtë me kaq pak vajza sa jemi, nuk vijnë. Nuk bëjmë as ekskursione apo aktivitete të tjera. Pra, mungesa e zbavitjes në orët jashtë mësimit mungon”, pohon nxënësja Elisabeta Nikolli.
Megjithatë, mungesa e argëtimit nuk është i vetmi shqetësim për këto vajza, sepse në një ambient me një mbizotërim meshkujsh, ato nuk ndihen edhe shumë rehat. “Këtu ngaqë ka shumë djem, flasin me njëri-tjetrin jo fort me gjuhë të përshtatshme dhe kur na shohin, na thonë se harruan që jemi të pranishme. Shpesh janë arrogantë dhe ka raste që bëhen fyes. Megjithatë, për të mirë kemi mbështetjen e stafit pedagogjik dhe ne vajzave na mbajnë disi më të priveligjuara”, pohon Erjona Xhani.
E ndërsa i pyet për pikat më të forta që ka shkolla e tyre, ato theksojnë se kjo shkollë në radhë të parë iu jep një zanat dhe kur ta mbarojnë atë, mund të vazhdojnë arsimin e lartë ose të futen direkt në punë, gjë që nuk ndodh me nxënëset që mbarojnë gjimnazin. “Nga gjimnazistet mund të ndihemi disi të paragjykuara, duke na e cilësuar shkollën si të dorës së dytë. Në fakt, gabojnë sepse ne fitojmë një zanat të cilin ato do ta fitojnë shumë më vonë se ne”, pohon nxënësja Aida Sina.
Ndërkohë, ato theksojnë se ambjenti me shumë djem i ka bërë më të forta dhe të zonjat e vetes. “Mendoj se këtu jemi bërë më shumë të zonjat e vetes duke qenë se ambjenti me shumë djem na bën të jemi disi më të forta në karakter. Është ambjenti maskilist i cili na e imponon që të mos mbetemi në atë guackën e izoluar, por shpesh edhe të dimë se si të reagojmë ndaj sjellje jo të hijshme të djemve”, pohon nxënësja Klodiana Bylyku.
E nëse i pyesim për ndonjë lidhje të mundshme me bashkëmoshatarët e tyre në shkollë, siç ndodh rëndom në gjimnaze, kjo nuk është një dukuri që nuk ndodh në shkollën e tyre. “Sigurisht që ka lidhje mes djemve dhe vajzave të shkollës, por këtu është shumë e vështirë dhe paragjykimet janë më të mëdha. Nëse një vajzë lidhet këtu, e gjithë shkolla në një kohë shumë të shkurtër e merr vesh, sepse ne jemi pak dhe pothuajse të gjitha janë disi në qendër të vëmendjes. Kështu mundohemi që të kemi shokë, dhe jo të dashur”, pohon Elisabeta Nikolli.
Nevojë për mikesha
Ndërkohë, vajzat e shkollës nuk harrojnë t’u bëjnë apel bashkëmoshatareve të tyre dhe madje edhe vajzave që po mbarojnë shkollën 9-vjeçare. “Nëse do të mundeshim t’iu bënim ndonjë apel vajzave të tjera që të vijnë këtu dhe të shtohen në numër, sepse këtu marrin një zanat që iu duhet shumë. Bëhemi rrobaqepëse, madje edhe stiliste. Shumë nga ne do të vazhdojnë edhe shkollën e lartë për inxhinieri tekstile, dhe kjo nuk është pak. Ne që tani stilojmë rroba, madje shumë nga gjërat që veshim i kemi realizuar vetë. Thjesht na duhen më shumë shoqe në shkollë”, pohojnë vajzat e shkollës së mesme profesionale “Karl Gega”.
Djemtë e shkollës: Prania e vajzave do ta zbuste ambjentin
Nëse vajzat kërkojnë praninë e më shumë moshatareve në shkollën e tyre, djemtë çfarë kërkojnë? Në fakt, këta të fundit janë më të interesuarit për praninë e femrave të shkollën e tyre. Madje, thonë se ndihen më të mjerë se vajzat, sepse mungesa e tyre në shkollë nuk iu jep shumë mundësi për të pasur më shumë shoqe, edhe pse jo edhe ndonjë të dashur. Gjithashtu, këtë fakt e cilësojnë si të vetmin problem që ka shkolla e tyre, se “me të tjerat janë në rregull”.
“Na pyesni a e ndiejmë mungesën e vajzave në shkollë. Sigurisht që po. Edhe Zoti e ka dhënë që të jetë një vajzë dhe një djalë, ndërsa këtu jemi me shumë se 600 djem me vetëm 26 vajza. Numri më i madh i vajzave në shkollë do ta zbuste disi ambientin. Ne shpesh harrojmë fare se kemi vajza në shkollë për shkak të numrit të tyre të papërfillshëm”, pohon nxënësi Aurel Cani, i cili është edhe presidenti i shkollës. Të njëjtin mendim me të ndajnë edhe bashkëmoshatarët e tij, të cilët theksojnë se mungesa e pranisë së vajzave duket që në pamje, sepse oborri i shkollës është i mbushur plot me djem dhe shumë rrallë vë re ndonjë vajzë.
“Ndoshta vetëm për faktin se në gjimnaz ka shumë vajza, do na pëlqente me shumë një gjimnaz i përgjithshëm, por të tjerat këtu janë shumë më mirë, sepse marrim një zanat dhe bëjmë shkollën njëkohësisht. Unë kam qenë edhe në gjimnaz, por këtu është më mirë se mësuesit janë më tolerant dhe më të dashur me ne”, pohon nxënësi Leonard Ahmetaj.
Ndërsa për sa i takon faktit se vajzat shpesh janë të pakënaqura me sjelljen e tyre, djemtë e justifikuan këtë situatë pikërisht me ambjentin që i rrethon.
“Në fakt ndodh që kur flasim me njëri-tjetrin harrojmë se ka vajza dhe gjuha që përdorim shpesh është e papërshtatshme për vajzat. Aq pak sa janë ato, harrojmë se janë dhe ndodh kjo situatë. Gjithsesi, iu kërkojmë falje se pa dashje e bëjmë këtë në shumicën e rasteve”, pohojnë duke qeshur si të zënë në faj djemtë e shkollës së mesme “Karl Gega”.
Psikologia: Në shkollë ndihet mungesa e vajzave
Psikologia e shkollës është personi ku nxënësit rrëfejnë problemet e tyre, dhe ndajnë edhe ndonjë mendim për çështjet e moshës së tyre së bashku. Lediona Asabella është psikologe prej 5 vitesh në shkollën e mesme profesionale “Karl Gega” dhe një pjesë të punës së saj në këtë shkollë vendos të na e rrëfejë.
“Kemi të bëjmë me një shkollë me një dinamikë disi të veçantë. Raporti i numrit shumë të madh të djemve me shumë pak vajza është vërtet problem. Ky raport e bën disi të egër ambjentin dhe shpesh mund të krijohen zënka, keqkuptime, mosmarrëveshje, tone të ashpra. Megjithatë, e rëndësishme është se ata janë të bindur dhe bëhen të mbarë. Thjesht numri më i madh i vajzave do të ishte shumë më mirë për të dyja palët”, pohon psikologia.
Ajo shpjegon se vajzat janë të gjitha në degën e konfeksioneve, ndërsa djemtë në degët e tjera të shkollës. Ndërkohë thotë se në fillim puna e saj në këtë shkollë ishte e vështirë që të shpjegonte rolin e saj dhe se çfarë duhej të bënte psikologu aty. Ndërsa tani ka krijuar raporte miqësore dhe nxënësit trokasin shpesh në derën e saj.
“Nxënësit, si djemtë, edhe vajzat vijnë dhe i rrëfejnë problemet e tyre në mënyrë indirekte, duke thënë se shoku apo shoqja ime ka këtë problem, por në fakt është problemi i tyre. Ndërsa vajzat vijnë gjithmonë dyshe kur rrëfejnë problemet e tyre, duke qenë se jenë shoqe të ngushta ato i dinë problemet e njëra-tjetrës”, pohon psikologia duke theksuar se problemet atyre mund t’u kenë lindur mes nxënëseve, por edhe me mësuesit. “Mendoj se kësaj shkolle i mungojnë nxënësit dhe sidomos vajzat, edhe pse zanati që mund të marrin këtu mund t’u shërbejë shumë në jetë dhe mund t’i aftësojë për tregun e punës. Këtyre u mungojnë shumë dhe aktivitetet dhe argëtimi, si vajzave, edhe djemve. Duke pasur këtë raport ata nuk mund të organizojnë festa”, thekson Asabella.
Drejtori: Duhet të kuptoni se sa të rëndësishme janë profesionet
Raportin e djemve me vajzat e shohin si problem edhe stafi pedagogjik. Sipas tyre, shkolla ku ata japin mësim duhet të shikohet më me përparësi, së pari nga vetë prindërit dhe nxënësit të cilët duhet të vijnë në këtë shkollë.
“Sigurisht që nuk është pozitive fakti që kemi 640 nxënës dhe vetëm 26 vajza. Prania e më shumë vajzave do ta zbuste ambjentin, edhe do të ishte shumë më pozitive”, pohon drejtori i shkollës, Agim Jakupi. Sipas tij, shkolla që drejton është shumë e rëndësishme, sepse nxënësit dalin nga kjo shkollë me një zanat dhe janë të aftë të futen direkt në tregun e punës. Madje, ai pohon se nxënësit e tij kanë filluar të bëjnë praktikë pune pranë firmave të mëdha që tani dhe janë të aftë të punojnë.
“Mendoj se ka ardhur koha që ky vend të kuptojë se ka shumë nevojë për teknikë të mesëm, mekanikë, hidraulikë, rrobaqepës dhe stilist, ndaj është me shumë interes që prindërit t’i sjellin fëmijët e tyre këtu. Sidomos vajzat. Sepse ato janë pak në shkollë dhe zanati që marrin këtu, është vërtet me vlerë dhe me perspektivë në tregun e punës”, pohon Jakupi. Ndërkohë, numrin shumë të vogël të vajzave, ai e shpjegon edhe me faktin se për to është vetëm dega e konfeksioneve.
Çfarë ofron shkolla e mesme profesionale “Karl Gega”
Kjo shkollë përgatit nxënës me njohuri të plota tekniko-praktike në lëndët profesionale dhe të formimit të përgjithshëm duke krijuar përparësi për vazhdimin e fakulteteve inxhinierike, por edhe në degët që ata dëshirojnë.
Shkolla ofron këto nivele
Niveli i I: (2 vjet) – Certifikohet si specialist gjysmë i kualifikuar me mundësi punësimi në firma të ndryshme.
Niveli i II: (2+1) – Certifikohet specialist i fushës së zgjedhur
Niveli i III: (2+2+1) – Përgatit nxënës si teknik-menaxherial, jep mundësi të vazhdojë studimet universitare
Në shkollën e mesme profesionale “Karl Gega” mund të përgatiten specialistë sipas sistemit të ri në arsimin profesional (2+1+1) në degët e mëposhtme:
Teknik në përfundim të katër viteve (2+2+1)
Teknik ndërtimi me mundësi punësimi
Teknik për zbatimin e punimeve të objekteve civile, hidroteknike dhe veprave inxhinierike
Teknik në njësitë projektuese për përpunimin e projekteve të objekteve civile, industriale, hidroteknike dhe veprave inxhinierike
Teknik gjeodet (topograf) katërvjeçar me mundësi punësimi në disa fusha
Dega përpunim druri/mobiler/tapiceri
Teknik Hidraulik
Teknik Automekanik me mundësi punësimi
Teknik konfeksionesh/stilist shekulli.com.al
Emona- WebMaster
- Postime : 46759
Gjinia :
Anëtarësuar : 12/03/2010
Re: Shkolla “Karl Gega”, 1 vajzë për 25 djem
ehe shkoll interesante qenka:xP
Anakonda- V.I.P Anëtarë
- Vendbanimi : Australia
Postime : 31717
Gjinia :
Anëtarësuar : 02/12/2011
Mosha : 34
Hobi : Once Upon A Time
Similar topics
» I këndon vargje seksi një vajze, pezullohet nga shkolla 6 vjeçari
» Paulin Gega - Perhare Dasma (2013)
» Pa vajza/pa djem................
» Keshilla per djem...
» Perdhunohet i mituri nga dy djem
» Paulin Gega - Perhare Dasma (2013)
» Pa vajza/pa djem................
» Keshilla per djem...
» Perdhunohet i mituri nga dy djem
Faqja 1 e 1
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi