Vlerësimi i lëvizjes feministe perëndimore nga këndvështrimi islam
2 posters
Faqja 1 e 1
Vlerësimi i lëvizjes feministe perëndimore nga këndvështrimi islam
Themelet e feminizmit perëndimor
Gjatë tërë historisë gruas i janë bërë shumë herë padrejtësi, duke filluar nga statusi i saj social, roli që ka luajtur në veprimtaritë ekonomike, aspekti i të drejtës politike, etj.
Në shoqëritë primitive gruaja nuk pranohej të ishte anëtare e bashkësisë fetare. Ligji i “Hamurabit” e konsideronte femrën në grupin e kafshëve shtëpiake. Në qytetërimin e vjetër egjiptian gruaja është flijuar duke e hedhur në Nil, në Indi është djegur e gjallë së bashku me trupin e burrit të vdekur. Shekuj me radhë gruaja ka qenë objekt seksual në pallatet iraniane dhe bizantine.1
Sipas disa koncepteve ekstremiste dhe të gabuara perëndimore femra nuk është qenie e plotë njerëzore, ajo është urë lidhëse ndërmjet shtazëve dhe njerëzimit, shpirti i saj nuk është i përjetshëm dhe shpëtimi i amshueshëm është e drejtë ekskluzive e mashkullit.2
Në shekullin e XIX-të liderët fetarë në Francë, pas një diskutimi të gjatë kishin vendosur: “Gruaja është qenie njerëzore, por është krijuar për t’i shërbyer mashkullit. Sipas ligjit të vitit 1850, në Angli gruaja nuk kishte të drejtë të posedonte pasuri. Henri VIII kishte nxjerrë dekret me të cilin grave u ndalohej të lexonin librat e shenjtë.”3
Themelet e feminizmit perëndimor janë ngritur mbi traditën judaike-kristiane dhe mbi filozofinë greke. Në Bibël, Eva është krijuar prej brinjës së Adamit, ajo është dytësore. Në mitologjinë greke, Athinaja, Perëndesha e Mençurisë, lindi prej kokës së Zeusit, babait të gjitha zotave – ajo është dytësore. Në të dyja këto histori të rëndësishme gruaja është krijuar nga burri. Të dyja ato përmbajnë mitin se gruaja është dytësore ndaj burrit.4
Klementi i Aleksandrisë, në shek. e II-të, shkruante: “Asgjë nuk është shnderuese për burrin, sepse burri është i pajisur me arsye; po te gruaja edhe meditimi për natyrën e saj është i turpshëm.”
Tertuliani thoshte: “Ti je porta e djallit. Sa lehtë e shkatërron ti burrin, shëmbëlltyrën e Zotit.”
Hegeli bëri procesin “dialektik” tezë/antitezë/sintezë. Një identitet i caktuar është domosdoshmërisht i krijuar përballë një të kundërte ose një “tjetri”. Feministet mendojnë se identiteti mashkullor (duke përfshirë arsyen, racionalizmin, qëndrueshmërinë, agresivitetin) është krijuar përballë një “tjetre” femërore (natyrë, emocion, pavendosmëri) dhe kjo ka sjellë një dallim të pandershëm të sekseve.
Në tragjedinë e tij Eumenidet, Eskili vë këto fjalë në gojën e hyjit Apollon: “Nëna e fëmijës që njerëzit e quajnë të sajin, s’është vërtet një jetë-krijuese, po tajë e farës të jetës. Vetëm mbjellësi i farës është krijuesi.” Pra mashkulli është ai që i jep “formë” fëmijës së palindur.
Edhe Platoni mbron mendimin se burrat i japin formën botës. Ideja e Platonit për shpirtin racional që sundon trupin, përmban në vetvete idenë e sundimit mashkullor mbi femrën.
Filo-ja, një hebre i Aleksandrisë, shfrytëzoi filozofinë greke për të interpretuar shkrimet hebraike. Në trajtimin që Filo-ja i bëri tregimit të Zanafillës, Eva bëhet “burimi i rënies”, kurse burri simbolizohet si “mendje”. Pra, gruaja është shkaku i rënies të burrit.
Shumë feministe thonë se historia e filozofisë perëndimore përmban një paragjykim të lindur kundër grave. Për këtë arsye, vetë mënyrat me të cilat na kanë mësuar të mendojmë janë organikisht “mashkullore” dhe gratë janë përjashtuar nga lëmi i arsyes.5
Sipas pikëpamjes feministe, dikotomia që përbën bërthamën e mendimit iluminist është rezultat i dysisë mashkulli- femra. Kësisoj, në dikotominë racional/irracional, subjekti/objekti dhe kultura/natyra, mashkulli ndërlidhet me elementin e parë, kurse femra me të dytin. Në këto dyshe mashkullit i jepet vend i privilegjuar.6
Feminizmi për të drejta të barabarta kërkon të ndryshojë pozitën e grave në shoqëri nëpërmjet ndryshimit të ligjeve. Duke ndryshuar ligjet (për shembull duke u dhënë të drejtën e votës, të drejtën e pronësisë pas martesës, të divorcit) pozita e grave në shoqëri do të ndryshonte krejtësisht.7
Feminizmi liberal dhe radikal
Diskutimi mbi të drejtat e femrës dhe lirisë së saj është një ndër temat aktuale dhe tërheqëse për të cilat është folur vitet e fundit.
Përgjatë periudhës moderne, në Perëndim janë shfaqur shumë pikëpamje në lidhje me çështjen e femrës dhe zgjidhen e kësaj çështjeje. Si pikëpamje më të rëndësishme mund të përmendim feminizmin liberal, feminizmin radikal, feminizmin socialist, feminizmin marksist, kulturor, negativ, psikoanalitik, strukturalist, feminizmin e pavarur, e kështu me radhë.
Feminizmi liberal u prin historikisht lëvizjeve të tjera feministe dhe të gjitha polemikat rreth feminizmit ndalen para së gjithash të tezat e feminizmit liberal, që cilësohet si rryma kryesore feministe (mainstream feminist).8
Feministët liberalë thonë se punësimi, dalja në skenën publike dhe liria ekonomike përbëjnë garancinë e lirisë së femrës. Femra që ka pavarësi ekonomike nuk qëndron nën këmbën e burrit, por në këmbët e veta. 9
Megjithatë, vetë feminizmi liberal, që është prijësi historik i lëvizjeve feministe moderne, është një nga rrymat më të kritikuara feministe. S’duhet harruar se të gjitha pikëpamjet e tjera feministe kanë lindur si fryt i ballafaqimit me feminizmin liberal. Kritikat e drejtuara ndaj tij janë të natyrës politike dhe epistemologjike. Këto kritika i bëjnë qarqet të cilat pretendojnë se feminizmi liberal, sikurse liberalizmi, nuk parasheh ndryshime rrënjësore dhe për pasojë s’ia del ta perceptojë dhe ta zgjidhë çështjen e femrës. Kritika e dytë serioze del nga pretendimi se feminizmi liberal bazohet në modelin racionalist. Sipas kësaj kritike, liberalizmi është botëkuptim iluminist dhe bazohet në racionalizmin iluminist i cili është gjenetikisht mashkullor. Nga këndi i epistemologjisë mund të thuhet se feminizmi liberal përpiqet ta realizojë të pamundurën.10
Një pikëpamje tjetër feministe bashkëkohore është feminizmi radikal që çështjen e femrës e trajton sipas logjikës: “mos përmirëso, ndrysho!”. Sipas feministëve radikalë, shkaku kryesor i pozitës jo të mirë të femrës është struktura patriarkale e shoqërisë. Botëkuptimi feminist radikal synon ndryshimin e plotë dhe rrënjësor të këtij sistemi. 11
Mund të thuhet se vepra e parë e feminizmit radikal është ajo e Shulamith Firestone, Dialektika e gjinisë (Dialectic of sex) e botuar në vitin 1971. Firestone, në këtë vepër, ndalet te dallimi biologjik midis femrës dhe mashkullit dhe pohon se forma themelore e përplasjes ndërnjerëzore është ajo gjinore. Sipas feministëve radikalë, forcë motorike e historisë nuk është, siç pohon marksizmi, lufta ndërmjet klasave ekonomike, por ajo ndërmjet klasave gjinore.12
Feminizmi radikal mendon se kuptimi i të qenit grua është modeluar dhe shtrembëruar nga burrat. Radikalet mendojnë se ndryshimi i ligjeve do të ndryshojë mendimet e rrënjosura te burrat. “Radikalet” janë në kërkim të një kuptimi krejtësisht të ri të asaj çka do të thotë jesh grua dhe një mënyrë të re të jetës së grave në botën tonë. 13
Pjesa më e madhe e feministëve radikalë janë kundër martesës, sepse sipas tyre, martesa është një formë që e mban femrën nën presion. Sipas tyre, kushti themelor i shpëtimit të femrës është çlirimi i saj prej “institucionit patriarkal të quajtur martesë.”14
Filozofia e të qenit grua
Të gjitha feministet janë të mendimit se ka një ndryshim të rëndësishëm midis “seksit”dhe “gjinisë”. “Seksi” është fakti biologjik i të qenit grua; “gjinia” është filozofia e të qenit grua. Feministet shpallin se, fatkeqësisht, filozofia e të qenit grua është krijuar nga burrat. Të jesh “femër” do të thotë të kesh një ndërtim të caktuar anatomik, të jesh “grua” do të thotë të jesh subjekt i disa pikëpamjeve të caktuara. Feministet ankohen se vetë fjala grua [woman] përfshihet në termin burrë [man] që përfshin edhe burrat edhe gratë. Pra, se gruaja quhet inferiore ndaj burrit. 15
Një temë tjetër e trajtuar nga mendimi feminist është edhe ajo që ka të bëjë më mënyrën e përdorimit të gjuhës. Femrat, në përgjithësi, janë më të kujdesshme ndaj rregullave gramatikore, shfrytëzojnë shumë atribute ndijore, ndërtojnë fjalë elastike që nuk shprehin vrazhdësi apo përpikëri. Shkak i gjithë kësaj është fakti se femrat nuk kanë pasur pushtet.16
Feministet theksojnë se shoqëria jonë është “patriarkale”. Shoqëria jonë është e modeluar dhe e sunduar nga burrat. Pra gratë janë vendosur në një sferë “më të ngushtë” dhe janë të frenuara prej strukturave mashkullore. Të marrim dy shembuj të zakonshëm: kur martohet një grua, mendohet se ajo duhet të marrë mbiemrin e burrit dhe të mbajë një unazë që tregon se ajo i takon atij. 17 Feministet radikale e shohin burrin si shfrytëzues dhe gruan si të shfrytëzuar.
Shkrimtarja frënge Simone de Beauvoir, veprimtare e dalluar e lëvizjes feministe në Francë dhe në botë, është kategorike: “Përderisa të mos shpartallohet miti për familjen, për amësinë dhe instinktin amtar, femrat do të eksploatohen edhe më tej.”18
Në veprën “Seksi i Dytë” (1949) Simone de Beauvoir argumentonte se burrat i shohin gratë si “të tjera”. Gratë duhej ta kapërcenin këtë identitet dhe nga “objekt” ato duhej të bëheshin “subjekt”. Fill pas botimit, kjo vepër u shndërrua në një nga veprat me referenciale të lëvizjes për “liritë e femrave”. Ky libër i de Beauvoir-it, që ka zënë vend ndër klasikët e mendimit feminist, thuhet se është adaptim i veprës së Sartre-it “Qenia dhe hiçi” në mendimin feminist. Jean Paul Sartre, si njëri prej përfaqësuesve ateistë të ekzistencializmit, e ndan qenien në dy kategori: qenie në vetvete (en-soi) dhe qenien për veten (pour-soi).
Edhe pse de Beauvoir e pranon realitetin se femra dhe mashkulli dallojnë në aspektin biologjik dhe psikologjik, prapëseprapë ajo shton se duhet marrë parasysh konteksti social dhe asaj i duket e pakuptimtë cilësimi i mashkullit si “vetja”, kurse i femrës si “tjetri”.
Sipas saj është gjithashtu e vërtetë se femrën nuk e bën femër vetëm trupi i saj. Edhe ajo e ka segmentin ekzistencial të saj që e nxjerr prej “qenies në vete” dhe e bën “qenie për veten.”19
Betty Friedan-i në librin e saj “Mistika femërore” (1963) dhe “Organizata kombëtare për gratë” e krijuar më 1966, kërkonin çlirimin e grave nga vartësia shkatërruese e kulturës patriarkale.20 Sipas Betty Friedan-it, shpëtimi i gruas qëndron në punësimin apo angazhimin e saj jashtë shtëpisë.21
Socializmi utopik i Robert Ouenit ndikoi në lëvizjen feministe dhe bëri që të pasojnë edhe ide të tjera për një pavarësi më të madhe të grave: marrëdhënie jashtëmartesore, divorci dhe kontrolli i lindjeve. 22
Sipas mendimeve të grave feminsite, gruaja ka të drejta të pakufizuara në trupin e saj, në mes të tjerash të drejtën për të mbytur fetusin dhe të drejtën për të pasur marrëdhënie seksuale me burrat e tjerë. Kjo do të thotë se lëvizja feministe që derdh lot krokodili për të drejtat e gruas, i mohon referencat fetare dhe kulturore mbi të cilat ngrihet shoqëria.23
Fushata për të drejtat e grave.
Fushata për të drejtat e grave nisi në shek. e XVIII-të, gjatë Iluminizmit. Iluminizmi ose Shekulli i Arsyes ishte një periudhë në të cilën mendimtarët besonin se “njeriu është masa e gjithçkaje”24. Teza e emancipimit të femrës lindi në kohën e revolucionit me Déclaration des droits de la femme et de la citoyenne (Deklarata e të drejtave të gruas e të qytetares) të Olimpë dë Guzhë 1791, pastaj u mor nga sen-simonienët dhe korri fitoret e para në planin juridik (barazi përpara ligjit e burrit dhe gruas), pastaj në planin politik (e drejta për të votuar e për t’u zgjedhur).25
Filozofia iluministe e të drejtave të barabarta u shpreh në mënyrë të qartë në librin e Meri Uollstounkraftit “Një kërkesë për të drejtat e grave”, botuar më 1792, që ishte një nga manifestet më të hershme feministe në Britani.
Deklaratë tjetër e fortë në mbështetje të feminizmit erdhi prej Xhon Stjuart Millit në esenë e tij “Shtypja e grave”, botuar në 1869.
Emili Dejvisi luftoi për të drejtën e grave për arsimin e lartë dhe themeloi në Kembrixh, më 1869, Kolegjin Girton. Elizabet Garet Andersoni u bë gruaja e parë mjeke më 1869. Milisent Foseti u bë luftëtarja e parë për të drejtën e votës për gratë dhe dorëzoi në parlament peticionin e parë më 1867.
Kolegji i Mbretëreshës në Londër, e para shkollë e lartë për gra, u hap më 1847 dhe më 1849 u pasua nga kolegji i Bedfordit. Ndonëse universiteteve që nga viti 1875 u lejohej të diplomonin gra, Oksfordi priti vitin 1920, ndërsa Kembrixhi 1947-ën për ta bërë këtë.
Vetëm në vitin 1918 në Britani grave iu dha drejta e votës. Midis viteve 1918 dhe 1920, këtë të drejtë e fituan gratë në Britani, Gjermani, Austri, Holandë, SHBA dhe BRSS. 26
Duhet thënë se Franca është vendi i fundit i Evropës ku u pranua e drejta e gruas për të votuar që u hodh poshtë nga senati më 1934 dhe u vendos më 1944 nga gjenerali De Gol. Nga ana tjetër, Franca është një nga vendet e para në Evropë që vendosi më 1960 barazinë e të ardhurave të burrit e të gruas për të njëjtën punë.27
Me gjithë miratimin e ligjeve për barazinë e sekseve më 1919, për divorcin më 1971, të pagesës së barabartë më 1970, dhe atij kundër diskriminimit për shkak të seksit më 1975, feministet ankohen se gratë nuk kanë akoma një vend të barabartë me burrat në shoqëri.28
Feminizmi postmodern
Për ta përshkruar fazën e pjekurisë së shoqërisë moderne përdoren koncepte të ndryshme, si p.sh. shoqëria e dijes, shoqëri a e konsumit, shoqëria postindustriale, shoqëria postkapitaliste, shoqëria e medias, periudha elektronike, shoqëria e teknologjisë së avancuar ose një shprehje që i përfshin të gjitha këto fjalë: shoqëria postmoderne. Postmoderniteti (post modernity) nënkupton gjendjen ose shoqërinë e shkëputur prej modernes. Madje sipas disave postmodernizmi është antimodernizëm.29
Postmodernizmi, që ka ngritur flamurin e rebelimit kundër të gjitha vlerave dhe institucioneve të shenjtëruara nga periudhe moderne, aty nga vitet ’70 të shekullit të XX-të, ka filluar të shndërrohet në subjekt interesimi për intelektualët perëndimorë. Meqë vetë postmodernizmi del me teza antipërgjithësuese, është e vështirë të bëhet ndonjë përgjithësim për këtë botëvështrim të ri. Ky qëndrim në jetën e përditshme pasqyrohet në sentencën: “Mos më kategorizo!” Në një shkrim që synonte ta ndriçonte këtë nocion, pas prekjes së çështjes së përkufizimit, gjendet edhe kjo sentencë: “Kjo fjalë është e pakuptimtë. Shfrytëzojeni atë sa të mundeni.”30
Marrëdhëniet mes postmodernizmit dhe feminizmit deri diku janë paradoksale. Pyetja nëse është i mundshëm koncepti i ‘feminizmit postmodern’ i ka ndarë në dysh mendimtarët. Sipas grupit të parë, postmodernizmi, duke ruajtur strukturën e feminizmit ka përgatitur terren për riformulimin e pikëpamjes feministe. Domethënë, ‘feminizmi postmodern’ është i mundshëm. Sipas disa të tjerëve, është e pamundshme të jesh feminist duke mbetur brenda diskursit postmodern.31
Feminizmi postmodern, po kështu zhvillohet duke i nxjerrë në pah gabimet e feminizmit modern. Feminizmi postmodern sikurse ai modern është i përgjithshëm dhe nuk ofron ndonjë zgjidhje konkrete për çështjen e femrës. 32 Ai nuk ofron receta për shpëtimin e femrës nga gjendje e saj e pavolitshme.
Feminizmi në marrëdhëniet ndërkombëtare
Vitet e fundit feminizmi ka hyrë edhe në marrëdhëniet ndërkombëtare, të cilat shiheshin si një prej fushave më kundërshtuese ndaj argumenteve feministe. Studimet feministe në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare ngjallën një interes në rritje në vitet 1990 dhe krijuan një literaturë që rritej me shpejtësi.
Të gjitha studimet feministe kanë të përbashkët idenë se për të kuptuar mënyrën se si veprojnë marrëdhëniet ndërkombëtare, ka rëndësi edhe përkatësia gjinore, sidomos për çështje që lidhen me luftën e sigurimin ndërkombëtar. 33
Konceptet tradicionale vërtiten rreth hipotezave, sipas të cilave meshkujt bëjnë luftëra dhe drejtojnë shtete, ndërsa femrat në thelb nuk mund të merren me marrëdhënie ndërkombëtare, se meshkujt janë më të përshtatshëm për hapësirën publike e politike, ndërsa femrat lidhen më shumë me hapësirën e problemeve private e shtëpiake. Kështu në një mbledhje të nivelit të lartë ndërmjet Reganit e Gorbaçovit, në vitin 1985, shefi i këshilltarëve të presidentit Regan tha se: “Gratë nuk e vrasin mendjen për fuqinë e hedhjes se raketave balistike ndërkontinentale, por u bën përshtypje më shumë Nensi Regani.”34
Feministët i përshkruajnë zakonisht gratë si krijesa më paqësore sesa burrat, si nga ana biologjike, ashtu edhe ajo kulturore. Këta feministë e venë theksin te aftësitë e papërsëritshme të grave dhe ndihmesën e tyre si paqebërëse.
Bettha von Sutnner e bindi Alfred Nobelin që të krijonte një çmim Nobel për paqen, të cilin ajo e fitoi në vitin 1905. Në vitin 1915, Xhejn Adams dhe feministe të tjera thirrën konferencën ndërkombëtare të grave për paqen në Hagë. Ato krijuan Partinë e Grave për Paqen.
Në vitin 1960 grupe të tilla feministësh si Women Strike for Peace dhe Another Mother for Peace iu kundërvunë provave bërthamore të Luftës së Vietnamit. Në vitet 1980, Women’s Action for Nuclear Disarmament iu kundërvu shtimit të armëve bërthamore. Në vitet 1980, gratë britanike rrethuan bazën ajrore Greenham Common, ku po vendoseshin raketat amerikane kruiz. 35
Sipas feministëve, një botë në të cilën pjesa më e madhe e politikanëve ose e ushtarakëve do të kishin qenë femra mund të kishte qenë një botë ndryshe. Natyrisht këto teori të feministëve botëkuptimorë nuk janë provuar kurrë, sepse gratë nuk kanë arritur kurrë të mbizotërojnë në politikën e jashtme të ndonjë vendi e aq më pak në sistemin ndërkombëtar në tërësi.36
Pikëpamjet islame për lëvizjen feministe
Le t’i shqyrtojmë të gjitha këto pikëpamje të lëvizjes feministe nga këndvështrimi islam:
Disa tipare të kauzës feministe shkaktojnë zhgënjimin dhe madje kundërshtimin e grave muslimane mbasi mendimet apo reformat e kësaj lëvizjeje janë në kundërshtim të plotë me traditat e kulturës dhe të trashëgimisë fetare islame. 37 Duke qenë se historia dhe trashëgimia e popujve muslimanë ka qenë radikalisht e ndryshme prej asaj të Evropës Perëndimore dhe Amerikës, feminizmi i cili do t’u apelonte grave muslimane dhe shoqërisë në përgjithësi, duhet të jetë përkatësisht i ndryshëm. Këto të drejta ligjore, të cilat gratë perëndimore i kërkuan në reformimin e Ligjit të Përgjithshëm Anglez, kanë qenë tashmë të pohuara për gratë muslimane në shekullin e 7-të. Me fjalë të tjera, që lëvizja feministe të ketë sukses në një ambient islam, ajo duhet të jetë një formë vendase (indigjene) e feminizmit, më mirë sesa një formë e konceptuar dhe e kultivuar në një ambient të huaj, me probleme të ndryshme, me zgjidhje dhe synime të ndryshme.
Ndërsa në Perëndim, rrjedha kryesore e lëvizjes së grave, e ka shikuar fenë si një prej armiqve kryesorë të progresit dhe të mirëqenies së saj, gratë muslimane i vlerësojnë mësimet e Islamit si përkrahësin dhe mbrojtësin e tyre më të mirë. Porositë që gjenden në Kur’an dhe në shembullin e pejgamberit Muhammed s.a.v.s., vlerësohen si ideal drejt së cilit gratë bashkëkohore dëshirojnë të kthehen. 38
Të drejtat dhe privilegjet të cilat kanë arritur femrat evropianë pas presioneve në shoqëritë ku jetojnë dhe që i kanë arritur vetëm tani së fundi, Islami i ka rregulluar juridikisht për të gjitha gratë shumë shekuj më parë, pa qenë nevoja që ato të rebelohen për shpalljen e normave të tilla ligjore. 39
Të drejtat e gruas në kohët moderne nuk u dhanë vullnetarisht apo vetëm si rezultat i përzemërsisë ndaj gjinisë femërore. Gruaja moderne arriti në pozitën e saj të tashme me anën e forcës.
Me qëllim që të arrinte deri në pozitën e sotme, gruaja luftoi me dekada dhe shekuj. Me qëllim që të fitonte të drejtën e mësimit dhe lirinë e punës dhe fitimit, asaj iu desh të ofronte sakrifica të dhembshme dhe të heqë dorë nga shumë të drejta të saj natyrore. Ajo pagoi shumë shtrenjtë që ta vendoste statusin e saj si një qenie njerëzore që posedon shpirt. Edhe pas të gjithë këtyre sakrificave të shtrenjta dhe luftërave të dhembshme, ajo ende nuk ka arritur atë që feja islame ka vendosur me dekretin hyjnor për gruan muslimane.40
Islami i ngriti gratë prej pozitës së “një plaçke” në martesë, në atë të partnereve të barabarta. Në çështjen e divorcit, ajo ndryshoi prej një soditëse plotësisht të pafuqishme, në një që mund të ndërmerrte procedurën gjyqësore të divorcit dhe të kërkonte të drejtat e saj të prikës dhe trashëgimisë. Prej një pozite të një mosqenieje ligjore, ajo u bë një personalitet ligjor në kuptimin e plotë të fjalës, e aftë për të mbajtur pronën, dhe iu dha e drejta për të pasur pjesë të drejtë të pasurisë trashëguese të familjes dhe burrit të saj. Nga ana sociale, me arsimimin e kërkuar barazisht të saj si edhe të çdo mashkulli, ajo u ngrit prej Islamit në pozitën e ndikimit dhe shërbimit social dhe kulturor. 41
Kur’ani nuk i denigron gratë
Në mesin e errësirës që e kishte gllabëruar botën, zbulimi hyjnor kumboi në shkretëtirën e Arabisë me freski dhe madhështi si mesazh universal për njerëzimin: “O ju njerëz, kini frikë Zotin tuaj , që ju ka krijuar prej një vete, dhe nga ajo krijoi palën e saj dhe prej atyre të dyve u shtuan shumë burra e gra.” (Kur’ani 4:1). Një studiues duke analizuar këto vargje thotë: “Është e besueshme se nuk ka tekst tjetër, të vjetër apo të ri, që ta trajtojë me kaq humanizëm gruan në të gjitha aspektet, kaq shkurt, kaq thellë, me kaq elokuencë dhe me kaq origjinalitet se sa ky dekret hyjnor.”42
Islami i sheh si mashkullin edhe femrën me të drejtat dhe detyrat e veta, pasi secili janë degë të një trungu, që e kanë zanafillën nga një baba, Ademi dhe nga një nënë Hava.43 Në pajtim me Kur’anin, të dy gjinitë ndajnë besimin e përbashkët, të dy janë subjekte në kushte të njëjta ekzistenciale, me mundësi të njëjta dhe qëllim të njëjtë për ekzistim.44
Pejgamberi Muhammed thoshte: “Gratë janë gjysma tjetër e burrave.” Njësia themelore e njerëzimit nuk është as burri, as gruaja. Është burri dhe gruaja, të bashkuar përmes martesës që i bën ata familje (ashtu si pjesa më e vogël e ujit nuk është as oksigjeni as hidrogjeni, po të dy këta elementë së bashku.)45
Statusi i gruas në fenë islame është diçka unike, diçka që nuk ka kurrfarë ngjashmërie në cilindo sistem tjetër.
Nuk ishte zëri i fesë islame ai që e karakterizoi gruan si prodhim të djallit apo si farë të së keqes. Nuk qe feja islame që parashtroi pyetjen se a ka gruaja shpirt apo jo. Asnjëherë në historinë islame nuk u vu në dyshim statusi njerëzor i gruas apo posedimi nga ana e saj i shpirtit dhe kualiteteve të tjera të mira shpirtërore.46
Kur’ani nuk i përmban historitë, që gjenden në Testamentin e Vjetër, të cilat e denigrojnë gruan. Nuk ekziston asnjë e thënë tërthorazi, se gruaja e parë, e krijuar prej Zotit, ishte një krijesë më pak e vlefshme se burri i parë, apo se ajo ishte një lloj shtojce e formuar nga një prej brinjëve të tij. Në vend të kësaj, ne lexojmë se mashkulli dhe femra janë krijuar ‘min nefsin uehidetin’ (“prej një shpirti apo uni të vetëm”), për ta plotësuar njëri-tjetrin (4:1; 7:189). Ndërsa Tora apo Testamenti i Vjetër e trajton Avën si tunduese të kopshtit të Edenit, e cila e ndihmoi Satanin në joshjen e Ademit për të mos iu bindur Zotit, Kur’ani e trajton çiftin me barazi të plotë. Në fenë islame nuk ekziston koncepti i fajësisë së mëkatit fillestar mbi gratë (7:20-25; 20:121). Larg prej idesë se djalli e tundoi Evën në rolin e saj si gruaja e parë, Kur’ani e vendos fajësinë për mosbindje në Kopshtin e Edenit si mbi Adamin ashtu edhe mbi gruan e tij. Që të dy janë njëlloj fajtorë, të dy u ndëshkuan njëlloj prej Zotit duke u dëbuar prej Kopshtit; dhe që të dy u falën njëlloj kur ata u penduan.47 Gjithashtu, gruaja është nëna e të gjithë burrave dhe roli i saj nuk përmban konotacione përbuzëse.
Gjithashtu, historia e krijimit në Kur’an, sipas të cilës Zoti krijoi njeriun e parë dhe e çiftëzoi këtë njeri, nuk e ka përcaktuar (atë) si mashkull dhe në lidhje me këtë t’i jepte atij ndoshta rëndësi të më përparshme. Në të vërtetë, për arsye të kërkesave gramatikore (nafs është një fjalë e gjinisë femërore në arabisht, siç është fjala wahidah që do të thotë “një njeri”), personi i parë i krijuar është konsideruar si i gjinisë femërore. Në kundërshtim me këtë fakt, përkthimet anglisht të ndikuara prej historisë së Testamentit të Vjetër bëjnë transferimin tek mashkullorja kur përkthejnë fragmentin përkatës prej Kur’anit (4:1).48
Pozita e gruas në Islamin e hershëm
Pozita e gruas në Islamin e hershëm ka qenë me të vërtetë një pozitë shembullore, pozitë që duhet të studiohet dhe të njihet prej çdo gruaje, si edhe prej çdo liberacionisti në shekullin e 21-të. 49
Madje edhe feministet muslimane, sikurse Fatima Mernissi në librin e saj “Women and Islam: An historical and theological inquiry”, Oxford, 1991, e pranojnë se gratë kanë luajtur një rol të rëndësishëm në jetën e Pejgamberit. s.a.v.s. 50
Zëri i parë që është ngritur për të vërtetuar pejgamberinë e Muhammedit a.s. ka qenë zëri i femrës, e ai zë ka qenë zëri i Hadixhes r.a. Po ashtu, dëshmorja e parë në Islam ka qenë femër, e ajo është Sumejja, nëna e Amarit.51
Pejgamberi ka thënë: “Nga bota juaj më janë të dashura gratë dhe aroma, kurse gëzimi im më i madh është në namaz.”
Siç shihet nga fjalët e tij, gratë janë përmendur së bashku me aromën dhe namazin. Edhe fjalimin e tij të fundit lamtumirës drejtuar as’habëve e përfundoi me porosinë që të jenë të sjellshëm ndaj bashkëshorteve të tyre. All-llahu i gjithëfuqishëm, ia besoi mashkullit ndërtimin, ngritjen dhe rregullim e jetës, por femrës ia dhuroi rolin më të madh, më të rëndësishëm dhe më të ndershëm: i besoi edukimin e vetë njeriut.52
Duke i dhënë rëndësi të madhe nënës e cila lind dhe edukon shoqërinë, duke lavdëruar amësinë, Pejgamberi a.s. ka thënë: “Xhenneti është nën këmbët e nënës.”
Gratë luanin një rol të rëndësishëm në shekujt e hershëm të Islamit, madje duke arrirë pushtet në çështjet shoqërore. Kur’ani insistoi mbi barazinë e gjinive dhe vrulli i hershëm islam për arsimim solli shumë dobi për gratë në shekujt e hershëm. Gratë u bënë poete, shkrimtare dhe udhëheqëse në fusha të ndryshme. Sukajaneh (vdiq 735 e.s.), bija e Husejn ibn ‘Aliut, ishte drejtuese e modës dhe letërsisë, sallonet dhe mbrëmjet intelektuale të së cilës ishin të njohura në tërë Botën Muslimane të asaj kohe. Rabi’ah el ‘Adauijjah, në shekullin e dytë të Islamit, ishte një nga poeteshat më të famshme sufiste. 53
Është njoftuar në Kur’an dhe na bëhet me dije prej historisë, se gratë jo vetëm shprehnin mendimet e tyre lirisht në prezencën e Pejgamberit, por gjithashtu argumentonin dhe merrnin pjesë në diskutime serioze me vetë Pejgamberin dhe udhëheqës të tjerë muslimanë të kohës (58:1). Gratë muslimane, dihet madje të mos kenë qenë në një mendje me halifë të caktuar, të cilët më vonë kanë pranuar argumentet e bazuara të këtyre grave. Një shembull i veçantë ndodhi gjatë halifatit të ‘Umer ibn el Hattab-it. 54
Pas vdekjes së Pejgamberit e deri në shekullin tonë, gjendet një histori e mbushur plot me zonja të famshme muslimane, mësuese, edukatore, luftëtare, infermiere, poete, autore, hafëze, të ndershme e dinjitoze, që merren si shembull në shoqëri.55
Gruaja është personalitet ligjor i mëvetësishëm
Çdo individ musliman, qoftë mashkull apo femër, mban një identitet të veçantë prej djepit deri në varr. Ky personalitet ligjor i mëvetësishëm i paracakton çdo gruaje të drejtën për të kontraktuar, për të drejtuar biznesin, për të fituar dhe zotëruar pasurinë në mënyrë të pavarur. Martesa nuk ka pasoja mbi statusin e saj ligjor, pronën e saj, fitimet e saj – apo madje mbi vetë emrin e saj. Ndryshe nga situata në Perëndim, ku deri në shekullin e fundit ishte e pamundur për një grua të martuar, për ta mbajtur pasurinë për veten e vet, për të kontraktuar me persona të tjerë, apo për të shfrytëzuar pasurinë e saj pa miratimin e burrit të saj, Kur’ani shpalli të drejtën e çdo gruaje, për të blerë dhe për të shitur, për të kontraktuar dhe për të fituar, dhe për të mbajtur dhe menaxhuar paratë dhe pronën e vet asaj. 56
Gruaja mund t’i diktonte kushtet e marrëveshjes martesore në kontratë, si edhe kushtet e divorcit. Ajo u bë një qenie ligjore e cila mund ta zotëronte dhe ta drejtonte vetë pasurinë. Pasuria e saj mbetej e vet asaj, madje edhe kur ajo martohej. Asaj i është dhënë e drejta nga Kur’ani për të siguruar jetesën dhe për të pasur të ardhura si një individ i pavarur (4:32). Asaj, veçanërisht, i paracaktohet në Kur’an sa gjysma e hises së mashkullit (4:11); por kur ne kuptojmë se, në ndryshim nga shoqëria perëndimore, burri i saj, babai i saj, vëllai i saj apo pjesëtarë të tjerë meshkuj të farefisit të afërm, mbahen ligjërisht përgjegjës për mbajtjen e saj, ne mund të kuptojmë domosdoshmërinë – si edhe drejtësinë – e një kushti të tillë.57
Në fenë islame, gruaja është një entitet i pavarur dhe sipas kësaj, një qenie plotësisht përgjegjëse njerëzore. Islami i drejtohet asaj në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe nuk i qaset më ndërmjetësimin e meshkujve. Pranimi i fesë është një çështje krejtësisht personale e bërë sipas vullnetit të saj burimor dhe të pavarur. 58
All-llahu i Gjithëdijshëm i ka dhuruar gruas fuqi të jashtëzakonshme. Përparimi dhe lumturia, si edhe shkatërrimi i familjes janë në duart e saj. Gruaja mund të shndërrojë shtëpinë në xhennnet ose në xhehenem të këndellur. Ajo ka mundësi që ta çojë burrin e vet gjer në piedestalin më të lartë të suksesit ose në fund të humnerës dhe mjerimit.59
Burri dhe gruaja kanë status dhe vlerë të barabartë
Islami e sheh femrën si pjesëtare të denjë të shoqërisë me përgjegjësitë, të drejtat dhe privilegjet e saj. Zonja Anni Besant thotë: “Për sa i përket çështjes së gruas, Legjislatura Islame është prej legjislaturave më të përparuar dhe më të drejta të cilat kanë dalë në këtë botë.” 60 Në sferën e legjislacionit, Islami filloi me barazimin e statusit të burrit dhe të gruas. Muhammedi a.s. ka thënë: “Më i miri nga ju është ai që sillet më së miri ndaj gruas së vet.” Po ashtu edhe: “Ju keni të drejta te gratë tuaja, por edhe ato kanë të drejta ndaj jush.” Kështu ai i vuri relacionet midis dy gjinive mbi një bazament juridik.61
Islami pohon se të dy llojet e roleve meritohen barazisht të ndiqen dhe të respektohen, dhe se kur shoqërohen me drejtësinë e kërkuar prej fesë, një ndarje e punës sipas gjinive është përgjithësisht e dobishme ndaj të gjithë anëtarëve të shoqërisë. Në Kur’an, nuk është bërë kurrfarë dallimi midis gjinive. “Nuk ka dyshim se për muslimanët dhe muslimanet, besimtarët e besimtaret, adhuruesit e adhurueset, të sinqertit e të sinqertat, durimtarët e durimtaret, të përvuajturit e të përvuajturat, sadakadhënësit e sadakadhënëset, agjëruesit e agjërueset, ruajtësit e nderit e ruajtëset e nderit, shumë përmendësit e All-llahut e shumë përmendëset e All-llahut, All-llahu ka përgatitur falje (mëkatesh) dhe shpërblim të madh.” (33:35). “Kush bën vepër të mirë, qoftë mashkull ose femër, e duke qenë besimtar, Ne Do t’i japim atij një jetë të mirë (në këtë botë ) e (në botën tjetër) do t’u japim shpërblimin më të mirë për veprat e tyre.” (16:97). “Unë nuk ia humb mundin asnjërit prej jush, mashkull qoftë apo femër. Ju jeni njëri nga tjetri...” (3:195)
Kur’ani i qorton ata që besojnë se gratë janë inferiore ndaj burrave (16:57-59) dhe, në mënyrë të përsëritur, shprehet për nevojën e trajtimit të burrave dhe të grave me paanësi (2:228, 231; 4:19, dhe kështu në vazhdim).62
Po të mos i kishte gjykuar All-llahu i Lartësuar të dy sekset si të një statusi dhe të një vlere të barabartë, deklarata të tilla të shprehura qartë të barazisë së tyre në obligimet dhe shpërblimet fetare, nuk do të ishin bërë në Kur’an.63
Është e vërtetë se ekzistojnë disa dallime ontologjike dhe fiziologjike midis femrës dhe mashkullit. Femra është xhentile, anon më shumë nga dashuria, është shpirtbutë, e dhënë pas estetikës, është më mbresëlënëse. Për këtë arsye gruas i thuhet “gjinia më e ndjeshme”. Burri është më racional, më i fortë fizikisht dhe më i ashpër. Por sipas Islamit, këto dallime nuk janë edhe aq të rëndësishme , sepse edhe natyrën e mashkullit edhe natyrën e femrës i lartësojnë faktorët transcendentale, si “fryrja e shpirtit” dhe “substanca hyjnore”.64
Është e qartë se, Kur’ani jo vetëm rekomandon, por është madje insistent në barazinë e burrave dhe grave, si një karakteristikë themelore e një shoqërie kur’anore. Pretendimi i kritikëve jomuslimanë se, Islami i denigron gratë, mohohet në mënyrë emfatike nga Kur’ani. Mohime të ngjashme janë edhe argumentet e të ashtuquajturve muslimanë, se gratë janë fetarisht, intelektualisht dhe etikisht inferiore kundrejt burrave, sikurse përmendej më herët në literaturat çifute dhe kristiane.65
Të drejtat dhe përgjegjësitë e një gruaje janë të barabarta ndaj atyre të një burri, por ato nuk janë domosdo identike me të tyret. Barazia dhe identiteti janë dy gjëra të ndryshme. Si rrjedhim burrat dhe gratë duhet të jenë plotësues të njëri-tjetrit, në një organizim multi-funksional, më mirë se sa të konkurrojnë me njëri-tjetrin në një shoqëri uni-funksionale.66
Familja është qeliza themelore e shoqërisë
Familja është institucioni më i vjetër nga të gjitha institucionet njerëzore. Qytetërime të tëra kanë lulëzuar apo kanë stagnuar varësisht prej asaj se sa ka qenë jeta familjare e tyre e fortë apo e dobët. Islami u kushton kujdes të veçantë vlerave dhe artit familjar, sepse kjo me të vërtetë është art dhe kërkon një përkujdesje më të madhe nga të gjitha lidhjet e tjera njerëzore.67
Nëse familja është e shëndoshë, e tillë është e edhe e tërë shoqëria. Nëse në familje ndodhin shkatërrime dhe tronditje, themelet e shoqërisë minohen seriozisht. 68
Familja e cila përbëhet prej dy elementeve përbërëse, mashkullit dhe femrës, fton për bashkëpunim reciprok dhe siguron nevojat e tyre. Realisht ata së bashku formojnë një organizëm, duke i mundësuar pemës së njerëzimit të zhvillohet dhe në fund të sjellë fryte. Përmes bashkëpunimit çifti bashkëshortor mund të rritë dhe të arsimojë farën e fryteve të tyre.69
Sipas komunistëve, familja nxit ndjenjën e forcimit të pronës private për hir të trashëgimit nga ana e fëmijëve të asaj që zotërojnë prindërit. Ata duan ta zhdukin pronën private dhe si rrjedhojë urrejnë çdo sistem apo mendim që qëndron në rrugën e zhdukjes së saj. Sistemi komunist kërkon nga individët që të shkrihen plotësisht me “sistemin’, “shtetin” e “udhëheqësin” dhe të mos kenë asnjë lidhje tjetër veç këtyre varësive të domosdoshme për sistemin. Si rrjedhojë ata e urrejnë familjen. 70
Kulmi i kësaj marrëdhënieje “civilizuese” ndaj familjes mund të gjendet në fjalinë e njohur të Marksit në librin e tij “Kapital”: “Fëmijët e të dy gjinive nuk duhen mbrojtur nga askush më tepër se nga prindërit e tyre.” 71
Sipas komunistëve kur të zhduket prona private fëmijët do të jenë pronë e shtetit. Ai do t’i zotërojë ata si pronë kolektive. Shteti i rrit me edukatën e duhur dhe prindërit e tyre nuk kanë për detyrë përveçse lindjen e tyre për llogari të shtetit.72
Çerdhet dhe azilet e pleqve janë mungesë e dashurisë dhe ngrohtësisë dhe janë rezultat i ndryshimit të rolit të femrës në jetën e njeriut. Premisa e tyre e përbashkët është eliminimi shkallë-shkallë i marrëdhënies prindërore: në çerdhe janë fëmijët pa prindër, në azilet e pleqve – prindërit pa fëmijë. Të dyja janë ‘mrekullitë’ e civilizimit.73
Pa marrë parasysh se cili është shkaku e cila pasoja, qytetërimi dhe familja duket se e kanë të shkruar të ngrihen së bashku e të bien së bashku. 74
Sistemi i familjes islame i sjell të drejtat e burrit, të gruas, të fëmijëve dhe të të afërmve në një baraspeshë të përsosur. Ai kultivon sjellje bujare, zemërgjerësi dhe dashuri në suazat e sistemit të mirëorganizuar familjar. Paqja dhe siguria e ofruar nga njësia e qëndrueshme familjare është një vlerë e madhe dhe konsiderohet si qenësore për ngritjen shpirtërore të anëtarëve të saj. 75
Shoqëria moderne ka bërë një gabim të madh që e ka zëvendësuar mësimin brenda familjes me shkollën qysh në moshë të njomë dhe këtë gabim e ka bërë e shtyrë nga gratë që ua lënë fëmijët dadove të tyre për t’u marrë me karrierën e tyre, me jetën mondane, me kënaqësitë seksuale, me fantazitë letrare apo artistike, ose thjesht për të luajtur brixh, për të shkuar në kinema, duke shkaktuar në këtë mënyrë shthurjen e bashkimit familjar, ku fëmija rritej pranë të mëdhenjve dhe mësonte shumë prej tyre. 76
Arma e parë që perëndimi përdori për shpartallimin e qytetërimit dhe për ndryshimin e moralit islam nga forma e tij origjinale ishte femra. Nuk ka nevojë për të dhënë argumente më të forta për këtë të vërtetë se sa fjalët e misionarit dhe orientalistit të njohur Gispi: “Me të vërtetë shkollat e femrave arabe janë drita e syve të mi” për arsye se ai e kuptonte forcën e ndikimit të gruas në rregullimin e jetës së një gjenerate apo prishjen e saj.77
Shumë gra sot e ushtrojnë të drejtën e lirisë për të dalë të pavarura të punojnë e të fitojnë, të pretendojnë se janë të barabarta me mashkullin, por kjo, për fat të keq shkon në disfavor të familjeve të tyre.78
Gratë duhet të marrin një edukatë të ngritur si e si që fëmijët e tyre t’i bëjnë qenie të larta dhe jo për t’u bërë ato vetë doktoresha apo profesoresha. 79
Kur zbatohet moraliteti islam familja jeton në mirëqenie, kënaqësi, respekt, dashuri reciproke, disponim dhe sinqeritet.
Kontributi i nënës për formimin e anës shpirtërore të fëmijës është shumë i madh. Është ajo që i mëson fëmijës gjithçka që ajo e ka më të bukur, më të lartë e më fisnike. Ajo nuk i jep fëmijës vetëm qumështin, por diçka edhe më të vlefshme se ai, diçka që s’mund t’ia japë askush tjetër veç saj. Ajo i jep zemër e bashkë me të ngrohtësinë e ndjenjave njerëzore. Atë mund të japë vetëm nëna dhe fëmija mund t’i ndjejë ato vetëm në gji të saj, tek përqafimi i saj. 80
Kultura që nga lashtësia e deri më sot ia kushtoi nënës vargjet më të bukura, tonet më tronditëse dhe pikturat dhe skulpturat më të dalluara. Picasso krijoi pikturën e vet madhështore amësia – dhe me këtë himn të mrekullueshëm shpalli se për kulturën Nëna është ende gjallë.81
Martesa – shenjë e bekimit të Zotit
Martesa në fenë islame nuk është një marrëveshje afariste për të cilën bëjnë negociata dy partnerë, as nuk është kontratë shekullare ku përfitimet dhe obligimet çmohen në kontrast me njëra-tjetrën. Pastërtia morale, ngritja shpirtërore, integriteti social, stabiliteti njerëzor, paqja dhe mëshira, janë elementet kryesore të martesës. Kjo është një kontratë për të cilën vetë Zoti është Dëshmitari i Parë dhe Pala e Parë. Kjo kontratë nënshkruhet nën Emrin e Tij. Kjo është shenjë e bekimeve të Tij dhe një mëshirë e pafundme, siç thotë vetë Ai në Kur’an (30:31).82
Lidhja bashkëshortore është një litar hyjnor që i bashkon zemrat, i qetëson ato kur janë të shqetësuar. Shtëpia është qendër dashurie, kujdesi dhe miqësie. Këto begati All-llahu i gjithëfuqishëm i përmend në Kur’anin famëlartë: “Edhe një argument tjetër i Tij është se Ai, nga lloji juaj, krijon bashkëshorte që të gjeni prehje pranë tyre, dhe ndërmjet jush mbjell dashuri dhe mëshirë. (30:21).” 83
Fëmija është fryt i drurit bashkëshortor dhe dëshirë natyrore e mashkullit dhe femrës. Martesa pa fëmijë është sikurse pema pa frute. Përgjegjësia me e ndjeshme e nënës është të edukojë fëmijën e saj. Nëse nënat i edukojnë si duhet fëmijët e tyre, atëherë i tëri kombi, madje edhe bota do t’u nënshtrohej ndryshimeve revolucionare.84
Raporti midis burrit dhe gruas nuk është një raport thjesht utilitar. Ky raport ka karakter shpirtëror dhe prej tij burojnë: dashuria, xhentilesa, mirëkuptimi, mbështetja, besimi reciprok, shpirti i sakrificës, përkrahja dhe ndihma. Vetën në kontekstin familjar, këto potencialitete shpirtërore të burrit dhe gruas kthehen në realitete dhe bëjnë që brenda familjes të lulëzojë begatia dhe virtyti.85
Shija delikate e femrës dhe ndjenja e saj për elegancë e fisnikëron bashkëshortin e saj dhe fëmijët, i jep sharm dhe shkëlqim shtëpisë së tyre dhe u jep dëshirë dhe vullnet për jetë.86
Nëse jeta martesore kalohet në harmoni atëherë aty krijohet prehje, relaksim dhe çlodhje mendore mbas detyrave dhe obligimeve. Mbas këtyre të mirave që janë fryte të harmonisë bashkëshortore, çdo i martuar mund t’i përkushtohet veprimtarisë së tij me një zell të ripërtërirë dhe më me devotshmëri. 87
Mbrojtja e sistemit të zgjeruar familjar
Në statusin dhe rolin e gruas në shoqërinë islame ndikojnë një numër traditash sociale, psikologjike dhe ekonomike. Një prej këtyre traditave është mbrojtja e sistemit të zgjeruar familjar në vend të sistemit familjar bërthamë. Përkrahjet dhe përgjegjësitë reciproke, që veprojnë në këto grupe tepër të gjëra të një gjaku, nuk konsiderohen vetëm të dëshirueshme, por ato ligjërisht shkaktojnë obligime mbi anëtarët e shoqërisë sipas ligjit islam.
Ndërsa pjesa më e madhe e feministeve perëndimore do ta nënçmonin pjesëmarrjen e familjes në martesën e një çifti si një influencë negative, për shkak të kufizimit të dukshëm të lirisë dhe përgjegjësisë së tyre individuale, ne si muslimanë duhet të argumentojmë se pjesëmarrja e tillë është dobiprurëse edhe për individët, edhe për grupet brenda shoqërisë. Kjo jo vetëm i siguron martesat, që bazohen mbi parime më të shëndosha sesa ato të bazuara në magjepsjen fizike dhe tërheqjen seksuale, por siguron edhe masa të tjera ruajtjeje për vazhdimësinë e suksesshme bashkëshortore. 88
Përfundimet e një studimi, drejtuar nga Qendra e studimeve të Politikës Familjare dhe botuar në “Daily mail” , me tirazh masiv, shkaktuan shqetësim. “Daily mail” komentonte se Britania dhe shumë nga vendet e tjera të Evropës ishin përpara “shkatërrimit të familjes”. 89
Pasi që shkurorëzimi i jep goditje vdekjeprurëse ligjit të familjes, ndërsa ngrohtësia e jetës familjare zëvendësohet me ftohtësi, shumë sociologë dhe psikologë theksojnë se duhet të ndalen shkurorëzimet, pos në raste të veçanta. 90
Anëtarët e familjes, sigurojnë shoqërueshmëri të shumëllojshme, si edhe burime të gatshme të këshillës dhe mirëdashjes për të sapomartuarit, derisa ata të përshtatin mënyrën e të sjellit ndaj njëri-tjetrit. Për këtë arsye, grindjet nuk janë kurrë shkatërruese ndaj lidhjes martesore, derisa anëtarë të tjerë të rritur të familjes, veprojnë si ndërmjetës dhe sigurojnë burime alternative të shoqërimit dhe këshillojnë mosmarrëveshjet pasuese. Problemet e papajtueshmërisë midis brezave (të prindërve dhe të fëmijëve), gjithashtu lehtësohen dhe në familjen e zgjeruar, fëmijët e prindërve që janë në marrëdhënie pune, nuk e ndiejnë nevojën e të qenit të pambrojtur, të papërkujdesur, apo të dashurisë dhe të shoqërizimit të pamjaftueshëm, sepse shtëpia e familjes së zgjeruar nuk është kurrë e zbrazët.91
Fëmijët që përjetojnë pakënaqësi të tilla janë të prirë të bëhen agresivë, depresivë dhe pesimistë që në moshë të re. Ata dëshpërohen me familjet e veta dhe mund të bëhen aq të kompleksuar dhe me pengesa mentale sa që mund t’ua rrezikojnë jetën dhe madje t’i vrasin njerëzit, ose të bëjnë vetëvrasje.92
Nesër bota do të vuajë për shkak të fëmijëve të sotëm që janë të mbrapshtë, kokëfortë, të padijshëm, materialistë, shpirtligë, neglizhentë dhe egoistë. Nga ana tjetër, bota e të nesërmes do të ketë dobi prej fëmijëve të sotëm që janë të ndershëm, të sjellshëm, bujarë, guximtarë, të drejtë e të besueshëm. 93
Në fakt, pa institucionin e familjes së zgjeruar është e pamundur të imagjinosh ndonjë zgjidhje të arsyeshme për problemet me të cilat përballet tani shoqëria perëndimore. Derisa një numër gjithnjë e më i madh grash po hyjnë në fuqinë punëtore, familja e ngushtë është e paaftë për të mbështetur nevojat e anëtarëve të saj.
Vështirësitë në një familje të vetme prindërore janë sigurisht të zmadhuara njëqindfish. Sforcimi që një sistem i tillë familjar vendos mbi gruan e punësuar është shkatërrim për individin, gjithashtu për martesën dhe lidhjet familjare.94 Mashkulli ndien jo vetëm vështirësi fizike, pasi ai orvatet për të marrë përsipër disa prej obligimeve të gruas, të cilat ajo nuk është e aftë për t’i përmbushur në rolin e saj të ri të shumëfishtë si grua e punësuar – bashkëshorte – nënë; në situata të tilla satisfaksioni i tij intelektual dhe emocional gjithashtu pakësohet. Gruaja e tij nuk e ka energjinë rezervë mendore apo emocionale për të dëgjuar problemet dhe ankesat e tij. Ajo nuk ka kohë për të ndarë për planet e tij, në kohën kur ajo duhet të përballojë pozicionin e saj të dyfishtë ndaj problemeve që krijohen si jashtë, ashtu dhe brenda shtëpisë. 95 Shpesh acarimet mbi nënën, babain dhe fëmijët bëhen aq të padurueshme saqë familja shkatërrohet nga divorci dhe problemet shumëfishohen me polarizimin në rritje midis individëve. Vështirësi të tilla mund të lehtësohen me anën e një sistemi të zgjeruar familjar. Gruaja, në këtë rast, do të gëzojë një “çlirim” të vërtetë për t’ia kushtuar përpjekjet e saj më kryesore mbikëqyrjes së përgjegjësive të saj familjare; apo – nëse gra të tjera në familje janë të lira dhe dëshirojnë ta përmbushin këtë rol – për të vazhduar karrierën e saj të zgjedhur me vullnet të lirë. 96
Familja e zgjeruar i mundëson gruas të ndjekë karrierën e saj
Gratë duhet të arsimohen dhe të jenë në gjendje që t’i ofrojnë shoqërisë shërbime më kualitet të njëjtë sikurse meshkujt. Meshkujt muslimanë nuk duhet të jenë egoistë dhe t’ia rrëmbejnë shoqërisë shërbimet e grave të talentuara dhe të përparuara dhe të presin prej tyre që t’i kushtohen vetëm një njeriu. Ka shumë meshkuj që nuk i kushtojnë rëndësi talentit të grave të tyre dhe e ngufasin zhvillimin e tyre të mundshëm, gjë kjo që është shumë e trishtueshme për shoqërinë. 97
Edhe pse amvisëria, lindja dhe rritja e fëmijëve është një profesion universal, është e vërtetë se ai nuk i shteron të gjitha energjitë e femrës. 98
Nuk është e rregullt që të presim nga një grua shumë inteligjente që të rrijë në shtëpi duke e humbur talentin e saj dhe duke u kufizuar vetëm me punët e shtëpisë. 99
Organizimi i zgjeruar familjar iu mundëson grave të

Re: Vlerësimi i lëvizjes feministe perëndimore nga këndvështrimi islam
me vjen mire qe e ke prekur ket tem pasi mu duk shum interesante
Anakonda- V.I.P Anëtarë
- Vendbanimi : Australia
Postime : 31717
Gjinia :
Anëtarësuar : 02/12/2011
Mosha : 34
Hobi : Once Upon A Time
Similar topics
» Vlerësimi i lëvizjes feministe perëndimore nga këndvështrimi islam
» Stuhi të fuqishme në brigjet e Evropës Perëndimore
» 70 personalitetet e Beratit që vijnë nga një botë perëndimore
» MEHË UKA-KOLOS I LËVIZJES KOMBËTARE
» Cila është më e lumtur, gruaja lindore apo ajo perëndimore?

Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi