Kush e shiti Shqiperine...? Esat Toptani.!
Faqja 1 e 1
Kush e shiti Shqiperine...? Esat Toptani.!
Esat
Toptani ose Esat Pasha lindi në vitin 1863 dhe u vra nga Avni Rrustemi
më 13 qershor të vitit 1920 në Paris, Francë, ishte një politikan dhe
kryeministër shqiptar. Esat Toptani detyrën e kryeministrit të
Shqipërisë e ushtroi nga 12 tetori i vitit 1913 e gjer më 12 shkurt të
vitit 1914 si dhe nga 5 tetori i vitit 1914 e gjer më 24 shkurt të vitit
1916.
Gjatë viteve 1918 - 1920 Esat Pasha përpiqej që përmes
aktivitetit të tij në mërgim në Paris, Francë të përfaqësojë Shqipërinë
në Konferencën e Paqes përkundër asaj qe delegacioni shqiptarë nuk e
përkrahte. Gjersa në vitin 1920 ai po përgatiste territorin që të
kthehej në Shqipëri, interesat e së cilës i paraqiste në Paris të
cunguara, vritet nga Avni Rrustemi.
Bemat e Esatit
Esati,
i biri i Ali be Toptanit, lindi në Tiranë rreth vitit 1863. Vëllai i
tij, Gani beu, ishte katër vjet më i madh, e i vëllai i Sadije Toptanit.
Që në fëmijëri, ai dallohej për karakterin e tij të keq dhe gjaknxehtë;
vëllai i tij i madh ishte jo më pak i tillë dhe babai i tyre ishte
viktima e parë e karakterit të tyre të keq. Një ditë ata e mbuluan me
një rrogoz të lagur me naftë dhe e kërcënuan se do ta digjnin. Në fakt
Ali beu nuk ishte në rregull mendërisht.
Esati ishte rritur në
Tiranë dhe e kish zgjeruar rrethin e ndikimit të tij, gjë që i jepte
mundësi të çlirohej nga rivalët (familja Jella) dhe ta shtonte pasurinë
me mjete kurdoherë të paligjshme. Pasi gjeti mjetin për t'u vënë me
dëshirë në shërbim të Hafiz Pashës, guvernator i Durrësit, ai u caktua
kryetar i rrethit të Tiranës, post që i lejonte ta tepronte në veprime
pa u dënuar.
Rreth vitit 1895, ai u emërua nga Sulltani
komandant i xhandarmërisë së Janinës; ky post i kushtoi atij 1500 lira
turke të cilat iu paguan mareshalit Dervish Pasha. Atë që në Tiranë e
kishte bërë në mnënyrë të paligjshme, filloi ta bënte hapur dhe në
mënyrë zyrtare në Janinë. Dervish Pasha ishte në atë kohë i plotfuqishëm
në Stamboll. Ganiu ishte favoriti i Sulltanit dhe Esati mund t'i
lejonte vetes, pa u ndëshkuar, gjithçka, megjithëse ky post ishte sa
fitimprurës aq edhe i rrezikshëm.
Ai përuroi në Janinë epokën e
përdorimit të bandave të cubave, që zëvendësuan 30 xhandarë me kuaj, të
cilët i futi përsëri në punë, pasi mori prej secilit 25 lira turke.
Gjatë Luftës Greko-Turke të vitit 1897, ai i grabiti të gjithë bagëtitë,
të imëta e të trasha, që gjeti dhe pasi mbërriti në Janinë si
guvernator i përgjithshëm i Osman Pashës, i dha një hov më të madh
punëve të veta, duke shkuar deri atje sa mori rushfete madje edhe prej
20 frangash, duke rrëmbyer paratë e njerëzve të thjeshtë, të cilët i
kërcënonte me syrgjynosje, duke futur hundët në çështjet administrative e
të drejtësisë dhe duke nxjerrë përfitim nga gjithçka. Eshtë e pamundur
të bëhet një listë për të këqijat, vjedhjet dhe grabitjet e tij.
Për
këtë, ndër të tjera. mund të përmendim: ai arriti të grabiste
manastirin (Teqe) e Peshtanit (rrethi i Përmetit); i grabiti 900 lira
turke Baba Ahmetit, kryedervishi i Teqesë së Kostanit; 640 lira baba
Abedinit, dervishit të Teqesë së Frashërit; 1200 lira vëllezërve Xhelal
dhe Mehmet bej Këlcyra, 200 lira Abaz bej Vasiarit. Pas vrasjes së
vëllait të tij Ganiut, Esati, duke menduar se rrezikohej, dërgoi në
Konstantinopojë shërbëtorin e tij të quajtur Haxhi Mustafa, lindur në
Krujë, i cili vrau Xhavit Beun, në mes të Urës së Gallatës.
Vrasësi
u arrestua, u gjykua dhe u burgos, por u trajtua me shumë butësi; ai,
në burg, ishte një shef i vogël e pak kohë më vonë u lirua dhe u caktua
rojë në Ministrinë e Drejtësisë. Nga kjo merret me mend se Hamit Beu
ishte i kënaqur nga suprimimi i Xhavitit. Esatit, edhe pse i njohur nga
të gjithë si autori i vërtetë i vrasjes, nuk u keqtrajtua aspak.
Por, pak nga pak, marrëdhëniet e tij me qeverinë e përgjithshme të
Janinës, Tatar Osman Pasha, u tendosën dhe për shkak të një skandali që
ndodhi ndërmjet të dyve. Esati u transfema në Shkodër, gjithnjë me
detyrën e shefit të xhandarmërisë. Ky ishte një rast për tiranin që t'u
diktohej bashkëpatriotëve të tij, mbasi ai banonte në Tiranë, në vend që
të banonte në qytetin e Shkodrës, në kryeqendër.
Gjithashtu
forca që kishte, i dhanë atij mundësi të bënte kërdinë kundër atyre që
nuk i pëlqenin, atyre që mund të luftonin kundër fuqisë së tij, ose që
me anë të pasurisë të tyre mund ta shqetësonin. Pikërisht në këtë
periudhë nis me të vërtetë fuqia e tij në Tiranë e Durrës,sepse, duke
persekutuar njerëzit e ndershëm, në të njëjtën kohë ai mbronte njerëzit e
liq dhe u kërkonte ndarjen e përfitimeve të paligjshme që mund të
arrinin këta të fundit; kjo ishte mënyra e tij për të garantuar
sigurimin publik, ashtu sikurse kishte bërë në Janinë.
Ndryshimi i
regjimit turk, në vitin 1908, e gjeti Esatin në postin e tij në Shkodër
dhe me famën e një njeriu despotik, besnik ndaj Abdyl Hamitit dhe ndaj
mënyrës së tij të administrimit, pra ai nuk mund të kishte marrëdhënie
të mira me personat e regjimit të ri dhe duhej në mënyrë fatale të
shinangej.
Por nuk i mungonte aspak shkathtësia: ai shkoi shpejt
në Selanik, ku ndodhej selia e Komitetit Bashkimi dhe Progresi; thuhej
se thonturqit e kishin dënuar me vdekje, por 500 lira turke, qendrimet e
përulura dhe premtimet e rrema i dhanë atij mundësi të hynte në shërbim
të shefave unionistë, të cilët e përkrahën dhe e ndihmuan të merrte
mandatin e deputetit të Sanxhakut të Gjirokastrës për Parlamentin Osman.
Esati, i cili dikur ia detyronte madhështinë e tij Abdul Hamitit, këtë
herë duhej të mbështetej te armiqtë e Sulltanit.
Pra ai e kishte
vendin në Dhomën Osmane, duke mos marrë asnjëherë pjesë në të, duke mos
dashur të luajë asnjë rol si deputet shqiptar dhe që shqetësohej tepër
pak për mbrojtjen e interesave të kombit të tij; ai mbajti më tepër një
qendrim servil me padronët e kohës, deri në atë pikë sa u caktua nga
këta të fundit si anëtar i delegacionit që do t'i njoftonte Abdyl
Hamitit rrënimin e pushtetit të tij.
Esati njihej atëherë si një
nga shefat unionistë dhe këto marrëdhënie të mira vazhduan për sa kohë
që këta të fundit kishin pushtetin; dhe kur xhonturqit filluan të
dobësohen, kur partia kundërshtare, e quajtur liberale, dukej se po
korrte sukses, Esati e ndryshoi menjëherë kampin, duke u shprehur armik i
Talatëve, i Xhavitëve dhe i Xhahidëve. Pikërisht në këtë çast
nacionalistët e rinj shqiptarë hynë në lidhje me të në Stamboll: ai
premtoi ndihmën e tij për lëvizjen antiturke që zhvillohej në Shqipëri
(fillim i vitit 1912).
Megjithatë, mbasi ia njihnin karakterin
dinak dhe oportunist, nacionalistët u treguan të kujdesshëm dhe nuk u
bazuan plotësisht në fjalën e tij. Kur shqiptarët, të cilët dolën
fitimtarë në Shkup, arritën ta detyronin Dhomën të shpërbëhej dhe
përgatitën formimin e qeverisë liberale të Myftar Pashës. Esati u emërua
komandant i rezervistëve në Shkodër dhe me këtë detyrë ai mori pjesë në
luftën kundër serbo-malazesve, që rrethuan qytetin e Shkodrës
(1912-1913).
Komandant i forcave të Shkodrës ishte koloneli
Hasan Riza Pasha i konsideruar inteligjent e i paanshëm, dhe duke e
kuptuar se shqiptarët (të mërzitur nga regjimi turk) do t'i ndihmonin
malazezët, ai hartoi projektin për të ngritur flamurin shqiptar në
Kështjellën e Shkodrës, me qëllim që të gruponte shqiptarët dhe t'i
bënte ata të marshonin kundër agresorit sllav ose të paktën për të
siguruar asnjanësinë e tyre. Në fakt, pavarësia e Shqipërisë u shpall në
Vlorë (28 Nëntor 1912) dhe ishte fjala të bindeshin malësorët (malësorë
të rrethinave të Shkodrës) se çështja e këtij qyteti ishte çështje e
tyre.
Në çastin kur Hasan Rizai do ta zbatonte këtë projekt dhe
se ishte gati të merrej vesh me malësorët, ai u vra në mbrëmje përpara
shtëpisë së Esat Toptanit, tek i cili ai sapo kishte qenë për darkë.
Vrasësi ishte Osman Bali, shërbëtor dhe njeri besnik i Esatit. Për të
shpjeguar këtë krim, duhet ditur se Hasan Riza ishte një kundërshtar i
komitetit "Bashkim e përparim" dhe se ai donte të vinte kandidaturën e
tij në Bagdad si deputet liberal.
Nga ana tjetër, shefi i
shtatmadhorisë së tij, nënkoloneli Kiameran ishte, së bashku me disa
oficerë të tjerë, një fanatik unionist; Esati donte të shpëtonte nga
Hasan Rizai, për ta zëvendësuar vetë atë dhe Kiemerani ishte i kënaqur
të hiqte qafe një armik të partisë së tij; Esati dhe Kiamerani u morrën
vesh deri në fund, domethënë deri në kapitullimin e qytetit, gjë që
ndodhi në vitin 1913.
Thuhej se Shkodrës i mungonin ushqimet
por, nga ana tjetër, të rrethuarit ishin paralajmëruar se serbët që
mbanin të rrethuar qytetin, në bashkëpunim me malazestë, sapo ishin
larguar: pra ata ndodheshin përballë forcash të reduktuara dhe, për më
tepër, mbretit Nikita i ishte dorëzuar ultimatumi i Fuqive të Mëdha për
ta hequr ai vetë rrethimin.
Esati, pra, kishte shumë mundësi ta
zgjaste rezistencën edhe për disa ditë, por ai parapëlqeu të kapitullojë
duke u mjaftuar të shpëtojë nderin e tij ushtarak. Por qysh nga ajo
periudhë ka pasur zëra se gëzimi i Esatit kishte shkaqe të tjera nga ato
të "Ndereve" ushtarake dhe se një shumë prej 600 000 frangash iu dha
nga malazezët.
Gjithashtu mbreti Nikita e princi Danillo e
ndihmuan në ambicjet e tij personale; po ditën e kapitullimit të
qytetit, malazestë përhapën zëra se Esati e kish shpallur veten mbret i
Shqipërisë. Megjithatë Esat bej Toptani u mjaftua në fillim të tërhiqet
në Tiranë, me ushtarë dhe topa që i solli nga Shkodra.
Ai gjatë viteve 1914 shërbeu si ministër i Punëve të Brendshme dhe i Luftës, nën Princ Vidin.
Emri
i Esat Pashë Toptanit u përmendet në një letër të Kryeministrit
Francez, Aleksandër Mileran (njëkohësisht edhe president i Konferencës
së Paqes në Versajë) më 30 janar 1920, drejtuar Fuqive të Mëdha. Në
letrën e tij ai flet për dëmet që i ishin shkaktuar Shqipërisë dhe Esat
Pashë Toptanit dhe familjes së tij gjatë bombardimeve të Durrsit.
Në letër shprehet qartë se sipas Aleksandrit, fakti që Shqipëria
qëndroi përkrah vendeve të Antantës ishte meritë kryesore Esatit, duke i
dhënë këtij të fundit edhe një meritë të madhe ushtarake dhe morale. Me
sa duket nga letra, Esat Pasha ka ndihmuar sistematikisht ushtritë
serbe dhe kjo tregon një besnikëri të tij ndaj Fuqive të Mëdha.
Kryeministri Francez nuk limitohet me kaq, por ai e falënderon
komandantin shqiptar për ndihmën e tij të çmuar në Luftën e Selanikut.
Në këtë betejë Esat Pasha operoi si pjesë e divizioneve franceze dhe
supozohet se ai ka mbajtur peshën më të madhe në frontin prej 30
kilometrash të Frontit të Selanikut.
Letra është një letër
lavdëruese, ku Presidenti i Konferencës së Paqes të Parisit shpreh
shqetësimin e tij për humbjet e mëdha që kryetari i qeverisë shqiptare
kishte pësuar. Me keqardhje dhe njëkohësisht me respekt, Aleksandër
Mileran-it i vjen keq që ushtaraku shqiptar, të gjitha shpenzimet e
qëndresës së luftës, iu desh t’i përballonte vetë.
Sidoqoftë nga
burimet shqiptare, shikohet se Esat-i nuk gëzonte një reputacion të mirë
në vendin e tij. Prof. A. Luarasi shkruan se “...pozita mbisunduese e
Esat Pashës vinte ndesh me ndjenjat e shumë patriotëve shqiptarë...”
duke vazhduar më tej se “...princi i huaj... do të mund të siguronte
qetësinë dhe stabilitetin e brendshëm... duke mënjanuar Esat
Toptanin...” Duket qartë se ai kishte shumë armiq; armiqësi e cila do
t’i kushtonte shtrenjtë atij.
Kështu Esat Pashë Toptanit do t’i
vidheshin shumë pasuri gjatë bombardimit të dyfishtë të Durrësit. Për më
tepër, anijet ushtarake austriake do të godisnin pa kriter duke
shkaktuar dëme të shumta edhe në godinat qeveritare. Shtëpia e tij u
sulmua nga njerëz të armatosur duke dëmtuar rëndë rezidencën e personit
në fjalë .
Të tjera prona në emër të Esat Pashës do të
grabiteshin dhe do të dëmtoheshin në mënyrë katastrofike. Në se kjo nuk
do të mjaftonte gjatë periudhës katër vjeçare të luftës, Toptani nuk
kishte përfituar asnjë rrogë qeveritare. Ushtria e tij ishte gjysmë e
shkatërruar nga luftimet e gjata. Shumë ushtarë kishin vdekur, të tjerë
ishin të gjymtuar, disa dezertuan dhe ata të mbeturit ishin moralisht të
demoralizuar .
Vetë Esat Pashës iu kërkua që të linte Shqipërinë dhe të qëndronte në
pritje të vendimeve të Konferencës së Paqes, e cila do të vendoste edhe
për fatin e statusit të Shqipërisë. Në një gjendje të mjerueshme, Esat
Pasha do të kërkonte një dëmshpërblim prej 10 milion frangash edhe pse
nuk dihet shumë qartë në se do e merrte ndonjëherë shpërblimin e tij.
Ndërkohë që Esat Pasha qëndronte i syrgjynosur jashtë vendit, Nikolla
Pashiqi do ta mbështeste atë me një letër drejtuar Kryetarit të
Sigurimit të Konferencës së Ambasadorëve në Paris.
Në këtë letër,
Pashiqi shkruan indinjatën e tij për harresën që fuqitë e mëdha i
kishin bërë këtij ushtaraku të lartë shqiptar që kishte sakrifikuar më
shumë se sa mundej për Fuqitë e Mëdha . Kjo mbështetje ndaj tij nga ana e
Nikollës shpjegohet qartë, pasi Esat-i i kishte dhënë një kontribut të
paçmuar forcave serbe në luftime. Megjithatë Nikolla Pashiq tregohet
Pesimist në lidhje me Esat Pashën. Në delegacionin sllav (11 janar,
1920), Pashiqi shpreh bindur se ai është për mbrojtjen e tij si një
detyrim moral që ai ka.
Esat Pasha gëzonte privilegjet e qeverisë
Franceze prej dy vjetësh. Me gjithë se në pamje të parë ai ngjante si
një kartë e djegur, Esati simbolizonte akoma një kërcënim. Ai po i
prishte edhe punë Mehmet Konicës, një përfaqësues i denjë ky i
interesave shqiptare. Konferenca e Versajës e kishte ndarë mendjen për
ta zhdukur Shqipërinë nga harta e botës dhe me sa dukej Toptani nuk
shqetësohej shumë për sa kohë ai merrte fetën e tij të tortës.
Fundja
nuk ishte hera e parë që Esati bënte akte të turpshme në kurriz të
popullit shqiptar . “Pleqësia” e tij e famshme bëri çmos që të pengonte
qeverinë e re të Ismail Qemalit. Ai ka luajtur rol negativ edhe në
kryengritjet e jugut për tu mbrojtur nga sulmet greke. Në memorandumin e
tij të shkruajtur në frëngjisht, Esat Pasha pretendon se ai ishte
dënuar me vdekje nga Perëndoria Osmane kur ky i fundit, në Luftën e Parë
Botërore përkrahu aleatët perëndimorë. Kjo sipas tij ishte arsyeja për
tu quajtur “Pasha.”
Esati do të vritej më 13 qershor, 1920 nga
atdhetari i shquar Avni Rustemi. Mbas një gjyqi të gjatë Avni Rustemi do
të lirohej duke u shpallur i pafajshëm nga gjykatat e Shtetit Francez.
Esat Pashë Toptani shikohet si një figurë tradhtare. Vrasësi i tij Avni
Rustemi, do të vritej nga njerëzit Ahmet Zogut, i cili kishte lidhje
fisnore me Esatin.
lajmerimi ne media i vdekjes se Esatit
Pashë
Toptani nuk bëri asgjë për vendin e tij. Ai shikohet si një tradhtar i
çështjes shqiptare dhe bëri vetëm në interes të vet . Madje edhe
përkrahja e madhe që ai kishte në Dibër, do të vinte duke rënë. Esat
Pash Toptani humbi shumë djem shqiptarë që ishin nën komandën e tij duke
i syrgjynosur ata në beteja të përgjakshme pro-sllave dhe pro-greke.
Prof. A. Luarasi shkruan: “Ishte e qartë që fuqitë e mëdha, që i bënë
varrin qeverisë së Vlorës, mbështeteshin në elementë antikombëtarë si
Esat Pasha, të gatshëm për të vënë në ankand pavarësinë e Shqipërisë.
Burimi i Temes Universexplorer
Similar topics
» Hetimi i terrorizmit, pista e re për agjentin esat Çopa
» Shiti veshkën për të blerë iPad2
» Femrat hetojnë se kush është gej, e kush jo
» 100 vjetori i pavarësisë, Berisha: Duhet të rehabilitohen figurat e Ahmet Zogut dhe Esat Toptanit
» A e shiti Enver Hoxha Kosovën?!
» Shiti veshkën për të blerë iPad2
» Femrat hetojnë se kush është gej, e kush jo
» 100 vjetori i pavarësisë, Berisha: Duhet të rehabilitohen figurat e Ahmet Zogut dhe Esat Toptanit
» A e shiti Enver Hoxha Kosovën?!
Faqja 1 e 1
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi