Klea Love Forum
Klea Love Forum - Welcome
Përpjekjet për rimëkëmbjen e Shtetit Shqiptar. Rëndësia e Epokës së Skënderbeut People-icon
Mirë se vini në Klea Love Forum, Ju ftojmë që të Regjistroheni, në mënyre që të keni aksese në të gjitha kategorit dhe temat, në Klea Love Forum, mund të gjeni Shoqeri, Filma Shqip dhe të huaj, Muzikën më të re 2013, DVD Humore shqip, Këshilla Mjeksore, Diskutime, Video Klipe, Kuriozitete, dhe Lajmet më të reja nga vendi dhe bota.

KleaLove.com / Staff.


Join the forum, it's quick and easy

Klea Love Forum
Klea Love Forum - Welcome
Përpjekjet për rimëkëmbjen e Shtetit Shqiptar. Rëndësia e Epokës së Skënderbeut People-icon
Mirë se vini në Klea Love Forum, Ju ftojmë që të Regjistroheni, në mënyre që të keni aksese në të gjitha kategorit dhe temat, në Klea Love Forum, mund të gjeni Shoqeri, Filma Shqip dhe të huaj, Muzikën më të re 2013, DVD Humore shqip, Këshilla Mjeksore, Diskutime, Video Klipe, Kuriozitete, dhe Lajmet më të reja nga vendi dhe bota.

KleaLove.com / Staff.
Klea Love Forum
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Përpjekjet për rimëkëmbjen e Shtetit Shqiptar. Rëndësia e Epokës së Skënderbeut

Shko poshtë

Përpjekjet për rimëkëmbjen e Shtetit Shqiptar. Rëndësia e Epokës së Skënderbeut Empty Përpjekjet për rimëkëmbjen e Shtetit Shqiptar. Rëndësia e Epokës së Skënderbeut

Mesazh nga Alberti Mon 28 Dec 2009 - 5:22

Përpjekjet për rimëkëmbjen e Shtetit Shqiptar. Rëndësia e Epokës së Skënderbeut

PËRPJEKJET PËR RIMËKËMBJEN E SHTETIT SHQIPTAR. RËNDËSIA E EPOKËS SË GJERGJ KASTRIOTIT - SKËNDERBEUT(1468 - 1506)

1. SHQIPËRIA NË VITET 1468 - 1479

Shqipëria pas vdekjes së Skënderbeut
Gjergj Kastrioti-Skënderbeu vdiq në një kohë kur Shqipëria ndodhej përballë vështirësive të mëdha ekonomike të papara ndonjëherë. Luftimet e ashpra të viteve 1466-1467 dhe prania për dy vjet radhazi e trupave të shumta osmane në tokat e lira shqiptare, rrënuan shumë ekonominë e vendit dhe nuk lejuan të mbillej drithi e kulturat e tjera bujqësore. Masakrat e padëgjuara dhe uria detyruan me mijëra shqiptarë të linin atdheun dhe të emigronin. Një pjesë e rajoneve lindore, si ato të Tetovës, Kërçovës, Ohrit e të Elbasanit iu shkëputën viseve të lira dhe kaluan nën pushtimin osman.
Vdekja e Skënderbeut i tronditi thellë shqiptarët dhe ndikoi shumë në jetën politike të vendit. Disa javë pas vdekjes së tij, e shoqja, Donika, dhe i biri 13-vjeçar Gjoni, u përfshinë në eksodin e madh shqiptar dhe u vendosën në pronat që kishin në Itali (Monte Sant Anxhelo dhe San Xhovani Rotondo).
Humbja e Skënderbeut, e këtij gjeniu të artit ushtarak, i hoqi botës shqiptare udhëheqësin e jashtëzakonshëm, personalitetin më të shquar të historisë kombëtare, që kishte ndikuar fuqishëm në tërë veprimtarinë politike të vendit. Nuk kishte në Shqipëri një personalitet tjetër që t'i afrohej këtij Heroi nga aftësitë si burrë shteti dhe udhëheqës ushtarak. Prandaj jeta politike filloi të decentralizohej. Familjet e mëdha aristokrate dolën përsëri si zotër më vete dhe disa prej tyre filluan të mbështeteshin te Republika e Venedikut, që, me vdekjen e Skënderbeut, veproi energjikisht për të vënë nën kontroll jetën politike të Shqipërisë.
Senati i Venedikut vendosi që të dërgonte në Shqipëri Pal Engjëllin, i cili prej shumë vitesh qëndronte atje si përfaqësues i Skënderbeut. Sapo erdhi në Shqipëri, Pal Engjëlli bisedoi me gruan dhe djalin e Skënderbeut, si dhe me të afërm të familjes së Kastriotëve dhe u kërkoi atyre që t'i dorëzonin Venedikut Krujën dhe zotërimet e tjera. Kur gruaja dhe djali i Skënderbeut u larguan nga Shqipëria, Kruja kaloi në duart e Venedikut. Vëmendje u kushtoi Republika e Venedikut edhe marrëdhënieve me fisnikët e tjerë shqiptarë, që i kishin zotërimet në kufi me të dhe me Krujën. Prandaj më 1469 i dërguari i posaçëm (proveditori) i Venedikut në Shqipëri, vizitoi Gjin Stres Balshën, Vuk Skurën e Bendës e fisnikë të tjerë që i kishin zotërimet në afërsi të Krujës.
Ndërkohë disa nga fisnikët shqiptarë ishin kundër forcimit të pozitave të Venedikut në Shqipëri dhe marrëdhëniet u acaruan aq shumë, saqë u ndërmorën edhe masa ndëshkimore. Më 1469 Senati i Republikës vendosi që, në qoftë se i biri i Mamicë Kastriotit nuk do t'i bindej Venedikut, nëna e tij të dëbohej nga qyteti i Durrësit, ku ajo banonte. Edhe më të acaruara u bënë marrëdhëniet e Venedikut me Lekë Dukagjinin. Për të ruajtur zotërimet e veta nga sulmet osmane, Leka hyri në bisedime me osmanët, gjë që e shqetësoi shumë Republikën e Venedikut. Prandaj më 1469 Senati i saj vendosi të mos lejohej Lekë Dukagjini që të merrte pasuritë që kishte në Shkodër, duke shpresuar se me një masë të tillë do ta largonte atë nga bisedimet me osmanët. Por ky sanksion i acaroi edhe më tej marrëdhëniet ndërmjet tyre dhe e detyroi Lekë Dukagjinin të përdorte armët kundër Venedikut.
Pas marrjes së Krujës, në duart e Republikës së Venedikut kishin kaluar të gjitha kështjellat e rëndësishme të viseve të Shqipërisë Qendrore e të Sipërme, që ende ishin të papushtuara prej osmanëve. Edhe pse këto kështjella mbroheshin kryesisht nga luftëtarë shqiptarë, ruajtja e tyre varej shumë tani nga qëndrimi që do të mbante Venediku ndaj pushtuesve osmanë.

Alberti
Legjendë
Legjendë

Postime Postime : 41743
Gjinia Gjinia : Male
Anëtarësuar Anëtarësuar : 23/11/2009
Mosha Mosha : 36
Hobi Hobi : Tenisi

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Përpjekjet për rimëkëmbjen e Shtetit Shqiptar. Rëndësia e Epokës së Skënderbeut Empty Re: Përpjekjet për rimëkëmbjen e Shtetit Shqiptar. Rëndësia e Epokës së Skënderbeut

Mesazh nga Alberti Mon 28 Dec 2009 - 5:23

Mbrojtja e Shkodrës gjatë Rrethimit I (1474)

Humbjet e rënda të trupave osmane në Shqipëri gjatë dy fushatave ushtarake të viteve 1466-1467 dhe angazhimi i tyre në fronte të tjera lufte, deri në fillim të viteve 70, e detyruan sulltan Mehmetin II që për disa vjet të ndërpriste sulmet mbi viset e lira shqiptare dhe vetëm më 1474 të vendoste për organizimin e një fushate të re ushtarke për pushtimin e rajoneve perëndimore të Shqipërisë Qendrore e të Epërme.
Ndryshe nga fushatat ushtarake të mëparshme që kishin për detyrë të shkatërronin ushtrinë e Skënderbeut dhe i drejtoheshin kryeqendrës shqiptare, Krujës, tani trupat osmane duhej të luftonin me Venedikun, prandaj iu drejtuan kryeqendrës së zotërimeve veneciane në tokat shqiptare, Shkodrës. Krahas kështjellës së Rozafës, qyteti i Shkodrës dhe rrethinat mbroheshin edhe prej kështjellave të tjera, si ajo e Drishtit, e Dejës, e Zhabjakut. Pushtimi i Shkodrës u hapte rrugën osmanëve që të merrnin edhe qendra të tilla të rëndësishme, si Krujën e Lezhën.
Marshimi i trupave osmane në drejtim të Shkodrës ishte i papritur për qeveritarët venecianë dhe shkaktoi një shqetësim të përgjithshëm. Banorët e paaftë për luftë të fshatrave të fushës së Shkodrës u larguan nga vendbanimet e tyre dhe u strehuan nëpër male e vende më të sigurta. Në mbrojtje të kështjellës, krahas banorëve të qytetit, ishin edhe luftëtarë të ardhur nga krahinat dhe nga vise të largëta të vendit, si dhe një repart i vogël venecian. Numri i përgjithshëm i mbrojtësve të kështjellës së Shkodrës arrinte deri në 2 mijë luftëtarë.
Në kështjellën e Rozafës u strehuan edhe banorët e paaftë për luftë të qytetit dhe të fshatrave të afërt. Mbrojtjen e kështjellës e drejtonte qeveritari venecian i Shkodrës, Anton Loredani.
Më 15 maj të vitit 1474 shtatë sanxhakbejlerë, në krye të disa mijëra ushtarësh, arritën në fushën e Shkodrës. Pasi rrethuan kështjellën, një pjesë e tyre filloi plaçkitjen e krahinave rreth saj. Më 4 qershor arritën trupa të tjerë me bejlerbeun e Rumelisë në krye, Sinan Pashën, duke e rritur numrin e përgjithshëm të tyre. Burimet e kohës japin një shifër të ekzagjeruar, 80 mijë veta.
Për pushtimin e kështjellës Sinan Pasha vuri në përdorim artilerinë. Pranë mureve të saj u derdhën gjatë muajit qershor 4 topa shumë të fuqishëm. Pas një bombardimi të vazhdueshëm muret e kështjellës u dëmtuan rëndë, por shqiptarët i meremetonin ato vazhdimisht duke punuar edhe natën.
Mbrojtësit dhe të strehuarit në kështjellën e Rozafës u gjendën përballë vështirësive të shumta. Uria, etja dhe sëmundjet shkaktuan ndër ta vdekje në masë. Sipas një relacioni mbi rrethimin e Shkodrës, të shkruar e të botuar ato ditë prej humanistit venecian Gjergj Merulës, vdiqën gjysma e të strehuarve në kështjellë, rreth 3 mijë veta. Mbrojtësit e Shkodrës iu drejtuan për ndihmë dukës së Venedikut. Komandanti i flotës veneciane Trinidat Griti, që ndodhej në këtë kohë në detin Egje, kur e njoftuan për rrethimin e Shkodrës, me iniciativën e vet u nis menjëherë në ndihmë të saj. Në krye të 8 anijeve luftarake ai hyri në lumin e Bunës, por për shkak të cektësisë së ujit nuk mundi të lundrojë sipër Shirgjit. Si rrjedhim, ai nuk arriti të krijojë lidhje me mbrojtësit e kështjellës së Shkodrës, as të ndërmerrte ndonjë aksion kundër forcave osmane. Përkundrazi, sapo e zbuluan flotën veneciane, osmanët e sulmuan atë dhe e detyruan të largohej menjëherë në det të hapur nëpërmjet lumit të Bunës.
Ndihmë të rëndësishme u dhanë mbrojtësve të kështjellës shqiptarët që vepronin jashtë saj, në rrethinat e Shkodrës dhe në vise të tjera më të largëta, si edhe luftëtarët e Gjon Gjurashit. Këta vinin nga kështjellat e papushtuara, nga liqeni i Shkodrës, nga ngushtica e gryka të rrezikshme dhe sulmonin pandërprerë trupat osmane dhe karvanët e furnizimit të tyre, duke u shkaktuar dëme të rënda.
Pas një muaji bombardimi të pandërprerë të mureve të Rozafës, Sinan Pasha urdhëroi më 18 korrik që të sulmohej kështjella, duke përdorur gjerësisht të gjitha mjetet e mundshme. Me besim të plotë se do ta merrnin kështjellën, osmanët vërshuan me tërbim drejt mureve të saj, por sulmi i tyre ndeshi në qëndresën e pamposhtur të mbrojtësve të kështjellës. Këta kundërsulmonin me heroizëm dhe largonin forcat osmane, duke u shkaktuar humbje të rënda. Sipas një letre të shkruar ato ditë nga qeveritari venecian i Shkodrës, A. Loredani, ushtria osmane la në këto luftime mbi 7 mijë të vrarë dhe një numër shumë të madh të plagosurish.
Trupat osmane nga dita në ditë po ndesheshin në vështirësi gjithnjë e më të mëdha, si prej sulmeve të luftëtarëve shqiptarë që vepronin në viset përreth, ashtu dhe nga mungesa e furnizimit me ushqime e materiale të tjera të nevojshme për ushtarët dhe kuajt e tyre. Këto vështirësi e bindën Sinan Pashën se ishte e kotë që të vazhdonte më tej luftën, prandaj vendosi që t'i largonte ushtritë nga rajoni i Shkodrës. Më 9 gusht ushtritë osmane hoqën rrethimin nga Shkodra dhe gjatë largimit dogjën e shkatërruan çdo gjë, duke përfshirë edhe kështjellën e Dejës, pas një qëndrese të fuqishme të popullsisë së saj të udhëhequr nga vëllezërit Lekë e Nikollë Dukagjini. Largimi i tyre prej tokave shqiptare shkaktoi një valë gëzimi jo vetëm në Shqipëri, por edhe në shtetet italiane e në vende të tjera, sepse, siç shkruante Gj. Merula, kur osmanët sulmonin muret e kështjellës së Rozafës thirrja e tyre e luftës ishte "Roma! Roma!", gjë që tregonte se ata synonin që, pas pushtimit të qyteteve shqiptare, të fillonin pushtimin e Italisë.

Alberti
Legjendë
Legjendë

Postime Postime : 41743
Gjinia Gjinia : Male
Anëtarësuar Anëtarësuar : 23/11/2009
Mosha Mosha : 36
Hobi Hobi : Tenisi

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Përpjekjet për rimëkëmbjen e Shtetit Shqiptar. Rëndësia e Epokës së Skënderbeut Empty Re: Përpjekjet për rimëkëmbjen e Shtetit Shqiptar. Rëndësia e Epokës së Skënderbeut

Mesazh nga Alberti Mon 28 Dec 2009 - 5:23

Rënia e Krujës, e Shkodrës dhe e kështjellave të tjera

Luftimet e vitit 1474 treguan se luftëtarët shqiptarë ishin ata që mbrojtën me gjakun dhe jetën e tyre qytetin e Shkodrës, duke përballuar me heroizëm sulmin e forcave osmane. Shqiptarët luftonin me vetëmohim kudo që ndodheshin, si mbrojtës të kështjellës, si sulmues në rrethinat e Shkodrës etj. Prandaj Republika e Venedikut u kujdes të forconte lidhjet me ta, duke u kushtuar vëmendje sidomos marrëdhënieve me fisnikët shqiptarë, si me Dukagjinët, Gjurashët, Stres Balshajt, Arianitët etj.
Pas rrethimit të parë të Shkodrës, sulltan Mehmeti II i angazhoi ushtritë osmane kryesisht me pushtimin e brigjeve të Detit të Zi dhe pas dy vjetësh i drejtoi ato kundër Shqipërisë Qendrore e të Epërme.
Dështimi i fushatës ushtarake të vitit 1474 e bindi sulltan Mehmetin II se për pushtimin e kështjellave shqiptare duhej përdorur i gjithë potenciali ushtarak i Perandorisë Osmane dhe se ato duhej të sulmoheshin radhazi.
Për zbatimin e këtij plani trupat osmane erdhën përsëri në Shqipëri në vitin 1476, rrethuan Krujën, që ishte për ta pengesa më e rëndësishme në drejtim të Shkodrës.
Republika e Venedikut duke vlerësuar rëndësinë strategjike të Krujës për mbrojtjen e zotërimeve te saj në Shqipëri, u përpoq të lidhej sa më shumë me shqiptarët dhe kërkoi që të kthehej në Shqipëri djali i Skënderbeut, Gjon Kastrioti, i cili jetonte në pronat që kishte trashëguar në Mbretërinë e Napolit. Për mbrojtjen e Krujës Venediku vendosi këtu 300 stratiotë shqiptarë të sjellë nga Moreja.
Për të liruar Krujën nga rrethimi u formua një ushtri e përbashkët shqiptaro-veneciane, e cila në vitin 1477 sulmoi trupat osmane, që mbanin të rrethuar Krujën, dhe u shkaktoi atyre humbje të rënda. Në vend që fitorja të çohej në fund, ushtria shqiptaro-veneciane ra pas plaçkës së madhe të kampit armik, veprim ky që u dha mundësi forcave kundërshtare të riorganizoheshin menjëherë dhe të ndërmerrnin një sulm të befasishëm. Trupat osmane siguruan një fitore të plotë mbi ushtrinë shqiptaro-veneciane dhe vazhduan kështu rrethimin e Krujës.
Në pranverë të vitit 1478 trupa të freskëta osmane filluan të marshonin mbi tokat shqiptare dhe më 14 maj kontingjentet e para të tyre rrethuan Shkodrën. Brenda një kohe të shkurtër, deri më 15 qershor, ato u përforcuan me ardhjen e ushtrive të tjera të drejtuara nga bejlerbeu i Rumelisë, nga bejlerbeu i Anadollit, si dhe nga vetë sulltan Mehmeti II.
Pas një rrethimi dyvjeçar mbrojtësit heroikë të Krujës dhe banorët e strehuar në kështjellë, të mbetur pa asnjë lloj ushqimi, u detyruan të pranonin kërkesën e sulltanit për dorëzimin e kështjellës me kusht që të largoheshin të lirë nga qyteti. Më 16 qershor të vitit 1478 trupat osmane hynë në kështjellën e Krujës, por sulltani nuk e mbajti premtimin dhe ata, me përjashtim të qeveritarit venecian, vranë të gjithë meshkujt e rritur që gjendeshin në Krujë, ndërsa gratë e fëmijët i kthyen në skllevër.
Pasi mori Krujën, sulltani kërkoi pushtimin e menjëhershëm të Shkodrës. Prandaj të gjitha forcat ushtarake osmane u përqendruan në luftë për pushtimin e saj.
Ashtu si gjatë rrethimit të vitit 1474, krahas qytetarëve shkodranë, në luftën për mbrojtjen e Shkodrës në 1478 morën pjesë edhe banorë të rrethinave e të viseve të tjera shqiptare, duke përfshirë edhe bashkëluftëtarë të Skënderbeut. Në radhët e tyre ishin edhe anëtarë të familjes së njohur shkodrane Dukagjini, nga të cilat ranë në fushën e nderit Teodori dhe Budomiri.
Për të mposhtur mbrojtësit e Shkodrës, si asnjëherë më parë, osmanët përdorën gjerësisht artilerinë, të cilën e vendosën rreth kështjellës. Vetëm topa të rëndë ishin mbi 10. Prej më se një muaji mijëra predha goditën vazhdimisht muret e Rozafës, të cilat i dëmtuan rëndë. Edhe pse në shumë vende muret u rrafshuan, mbrojtësit e kështjellës u përleshën trup me trup me forcat osmane dhe i zbrapsën e i thyen sulmet e vazhdueshme të tyre. Në këto luftime të rrepta krahas burrave morën pjesë edhe gratë e strehuara në kështjellë.
Humbje të rënda trupave osmane u shkaktuan edhe luftëtarët që vepronin në rrethinat e Shkodrës. Këta sulmonin vazhdimisht nga drejtime të ndryshme, sidomos duke ardhur me varka nga liqeni i Shkodrës dhe nga bregu i përtejmë i Bunës.
Deri në fillim të muajit gusht të vitit 1478 trupat osmane e sulmuan vazhdimisht kështjellën e Rozafës, por pa ndonjë përfundim dhe me humbje të rënda për ta. Prandaj sulltan Mehmeti II vendosi t'i mposhtte mbrojtësit e saj nëpërmjet urisë duke forcuar rrethimin e tyre. Për këtë ai ndërmori sulme mbi të gjitha kështjellat e tjera në afërsi të Shkodrës, si Zhabjaku, Drishti e Lezha, që shërbenin si baza të rëndësishme strehimi e furnizimi për luftëtarët shqiptarë që vepronin jashtë kështjellës së Rozafës.
Detyra për pushtimin e kështjellës së Zhabjakut, që ishte në brigjet e liqenit të Shkodrës, iu ngarkua ushtrisë së bejlerbeut të Rumelisë. Mbrojtësit e Zhabjakut, ku e kishte selinë Gjon Gjurashi (Cërnojeviçi), djali i Stefanit që kishte vdekur rreth vitit 1465, nuk bënë asnjë qëndresë dhe ua dorëzuan kështjellën trupave osmane.
Pushtimi i Drishtit, ku po përhapej sëmundja e murtajës, iu ngarkua ushtrisë së bejlerbeut të Anadollit. Për tri javë mbrojtësit e Drishtit përballuan me burrëri sulmet e trupave osmane. Vetëm pasi shkatërruan me artileri nga të gjitha anët muret e fortesës (muret rrethuese të qytetit), më 1 shtator ushtritë osmane u futën në qytetin e shkretuar të Drishtit, kurse kështjella e tij mbeti ende e papushtuar. Rreth 300 drishtianë të zënë rob, ata i vranë nën muret e Rozafës për të ligështuar mbrojtësit e saj. Disa ditë më vonë, pasi morën më parë Lezhën, osmanët pushtuan edhe kështjellën e Drishtit. Edhe me mbrojtësit e kështjellës së zënë rob ata vepruan si me të tjerët, duke i vrarë nën muret e kështjellës së Rozafës.
Më 5 shtator trupat e bejlerbeut të Rumelisë u futën lehtësisht në kështjellën e Lezhës, sepse ajo u braktis nga komandanti venecian që drejtonte mbrojtjen e saj. Banorët e qytetit, që ishin strehuar në ishullin e Lezhës, u kapën dhe u vranë para mureve të kështjellës së Shkodrës.
Pas pushtimit të kështjellave të mësipërme, që e përforconin mbrojtjen e Shkodrës, sulltan Mehmeti II me pjesën më të madhe të ushtrisë, më 8 shtator të vitit 1478, mori rrugën e kthimit në Stamboll. Trupat që mbetën në Shqipëri kishin për detyrë të vazhdonin rrethimin e Shkodrës derisa uria të mposhtte qëndresën heroike të shqiptarëve.
Ndërkohë, pas përpjekjeve shumëvjeçare, më 25 janar 1479, Venediku arriti të siguronte nënshkrimin e paqes me sulltan Mehmetin II. Në traktatin e paqes, ndër të tjera, ishte përfshirë edhe çështja e Shkodrës. Në bazë të tij Shkodra kalonte në duart e osmanëve, kurse mbrojtësit e banorët e saj mund të largoheshin të lirë prej qytetit të tyre. Më 25 prill të vitit 1479 forcat osmane hynë në Shkodër. Banorët e Shkodrës e të rrethinave të saj i braktisën ato masivisht dhe u vendosën kryesisht në rajonin e Venedikut. Bashkë me ta emigruan edhe personazhe të shquara të jetës politike shqiptare, si Lekë e Nikollë Dukagjini, Gjon Gjurashi (Cërnojeviçi) etj.
Po gjatë vitit 1479, Republika e Venedikut u dorëzoi osmanëve në Shqipërinë e Poshtme kështjellat bregdetare të Himarës, të Sopotit (Borshi) e të Kastrovilës. Osmanët morën edhe zotërimet e fundit që despoti Leonard I (IV) Toko kishte në Shqipërine e Poshtme.
Edhe pas rënies së këtyre kështjellave në duart e osmanëve, lufta e shqiptarëve kundër pushtuesve nuk u shua, ajo mbeti gjithnjë e gjallë dhe iu përshtat rrethanave të reja, kur qytetet e kështjellat e vendit kishin rënë përfundimisht në duart e pushtuesve.

Alberti
Legjendë
Legjendë

Postime Postime : 41743
Gjinia Gjinia : Male
Anëtarësuar Anëtarësuar : 23/11/2009
Mosha Mosha : 36
Hobi Hobi : Tenisi

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Përpjekjet për rimëkëmbjen e Shtetit Shqiptar. Rëndësia e Epokës së Skënderbeut Empty Re: Përpjekjet për rimëkëmbjen e Shtetit Shqiptar. Rëndësia e Epokës së Skënderbeut

Mesazh nga Alberti Mon 28 Dec 2009 - 5:24

2. PËRPJEKJET PËR RIMËKËMBJEN E SHTETIT SHQIPTAR

Kthimi në Shqipëri i djalit të Skënderbeut, Gjon Kastriotit (1481-1484)

Rënia gjatë viteve 1478 e 1479 e Krujës, e Shkodrës, e Lezhës, e Himarës dhe e kështjellave të tjera i forcuan pozitat e pushtuesve osmanë në Shqipërinë Perëndimore dhe u krijuan atyre prapavija deri diku të sigurta për të realizuar synimet e sulltan Mehmetit II për pushtimin e Italisë dhe të vendeve të tjera të Evropës Perëndimore.
Pas marrjes së qyteteve të mësipërme dhe përgatitjeve intensive, trupat osmane u grumbulluan në Vlorë dhe në rrethinat e saj. Në pranverë të vitit 1480 rreth 10 mijë ushtarë me Ahmet Gjedik pashën në krye u nisën nga Vlora dhe zbarkuan në tokën e Mbretërisë së Napolit. Këtu ushtritë osmane rrethuan kështjellën e Otrantos, të cilën e pushtuan më 11 gusht të atij viti.
Sulmet e ushtrive osmane për pushtimin e kështjellave të tjera të Mbretërisë së Napolit qenë të pasuksesshme, prandaj gjatë dimrit osmanët filluan përgatitjet për të hedhur në Itali trupa të tjera. Por ndërkohë, me vdekjen në maj të vitit 1481 të sulltan Mehmetit II, ndërmjet djemve të tij, Bajazitit dhe Xhemit, shpërtheu lufta për trashëgimin e fronit, gjë që pezulloi dërgimin e përforcimeve ushtarake osmane në Itali. Pasi siguroi fronin, sulltan Bajaziti e drejtoi vëmendjen nga Italia dhe komandën e trupave të reja për në Gadishullin Apenin ia ngarkoi bejlerbeut të Rumelisë, Sulejman pashë Eunukut.
Pushtimi i kështjellës së Otrantos prej osmanëve i kishte tronditur qarqet drejtuese të shteteve evropiane dhe i nxiti ato që të krijonin një koalicion të përbashkët nën kryesinë e Mbretërisë së Napolit. Forcat e koalicionit evropian e detyruan ushtrinë osmane të qëndronte e rrethuar në kështjellën e Otrantos. Në këto luftime, në radhët e ushtrisë napolitane mori pjesë edhe djali i Skënderbeut, Gjon Kastrioti.
Lufta e koalicionit evropian kundër ushtrisë osmane në Itali, interesimi i mbretit Ferdinand të Napolit për të krijuar në Shqipëri një prapavijë të pasigurt për trupat osmane që vepronin e që dërgoheshin në Itali, si dhe kriza politike që shpërtheu në Perandorinë Osmane me vdekjen e sulltan Mehmetit II, u ngjalli shpresa shqiptarëve për t'u çliruar nga zgjedha osmane dhe i hodhi ata në aksione të fuqishme.
Në këto rrethana në Shqipërinë Perëndimore shpërtheu një valë kryengritjesh, të cilat e detyruan bejlerbeun e Rumelisë që ushtritë e destinuara për në Itali t'i angazhonte në luftë kundër shqiptarëve. Për shpërthimin dhe organizimin e këtyre kryengritjeve rol parësor patën disa nga drejtuesit e mëparshëm të vendit dhe trashëgimtarë të tyre, që u kthyen në Shqipëri nga mërgimi për të rimëkëmbur zotërimet e tyre.
Në fillim të verës së vitit 1481, pas vdekjes së sulltan Mehmetit II, filluan të kthehen në Shqipëri Nikollë Dukagjini, Lekë Dukagjini, Gjon Gjurashi (Cërnojeviçi) dhe, pak më vonë, Gjon Kastrioti e Konstandin Muzaka. Gj. Gjurashi hyri në marrëveshje me osmanët, u bë vasal i tyre dhe ringriti kështu shtetin e tij.
Gjon Kastrioti jetonte në Mbretërinë e Napolit, në pronat që i kishte trashëguar prej babait të tij, Skënderbeut. Ai ishte duke luftuar kundër osmanëve në Otranto, kur përfaqësues të kryengritësve shqiptarë i kërkuan Gjon Kastriotit që të kthehej në Shqipëri dhe ai e pranoi kërkesën e tyre.
Duke përfituar nga interesimi që kishte në këtë kohë oborri napolitan për zgjerimin sa më shumë të frontit të luftës kundër pushtuesve osmanë, Gjon Kastrioti arriti të siguronte nga mbreti Ferdinand mjetet e nevojshme të lundrimit për të ardhur në Shqipëri së bashku me një numër luftëtarësh. Në katër anije (galera) napolitane i ngarkoi forcat e veta dhe u nis në drejtim të atdheut bashkë me kushëririn e tij, Konstandin Muzakën.
Pasi Gjon Kastrioti zbarkoi në jug të Durrësit, anijet napolitane iu drejtuan Shqipërisë së Poshtme dhe zbarkuan Konstandin Muzakën në zonën e Himarës, ku ishte krijuar një vatër tjetër kryengritjesh antiosmane. Ndërkohë në Shqipërinë e Epërme, në rajonet malore të Lezhës e të Shkodrës vepronin forcat e Nikollë e Lekë Dukagjinit. Këta sulmuan edhe qytetin e Shkodrës, gjë që e detyroi Sulejman Pashën të dërgonte përforcime ushtarake edhe në këtë zonë.
Gjon Kastrioti u mirëprit nga banorët e Shqipërisë Qendrore si trashëgimtar i ligjshëm i vendit. Me ardhjen e tij kryengritësit e këtyre rajoneve e fuqizuan luftën për dëbimin e pushtuesve osmanë. Në këto kushte, Sulejman pashë Eunuku nisi kundër tyre një pjesë të ushtrisë osmane, e cila po përgatitej në rrethinat e Vlorës për të shkuar në Itali.
Për të përballuar sulmin e ushtrisë osmane Gjon Kastrioti dërgoi një pjesë të luftëtarëve të vet në mbrojtje të një shtegu nga do të kalonin trupat armike. Por luftëtarët shqiptarë nuk e përballuan dot sulmin e forcave osmane dhe thuajse të gjithë ranë robër. Kjo humbje ia lëkundi besimin Gjon Kastriotit për suksesin e kryengritjes, prandaj ai mendoi të largohej nga Shqipëria dhe të kthehej në Itali. Por banorët e zotërimeve të Kastriotëve shprehën një gatishmëri masive për të vazhduar luftën kundër pushtuesve osmanë. Rreth 7 mijë luftëtarë u grumbulluan rreth Gjon Kastriotit dhe në gjysmën e parë të muajit gusht të vitit 1481 i sulmuan dhe i shpartalluan trupat osmane. Krahas kësaj fitoreje u arrit të liroheshin edhe shqiptarët që ishin zënë rob prej osmanëve në betejën e mëparshme.
Po gjatë muajit gusht të vitit 1481 edhe në viset perëndimore të Shqipërisë së Poshtme, sidomos në rajonin e Himarës, u zhvilluan luftime të ashpra ndërmjet shqiptarëve dhe trupave osmane. Nën drejtimin e Konstandin Muzakës luftëtarët shqiptarë rrethuan dhe sulmuan kështjellën e Himarës dhe të Sopotit (Borshit). Gjendja shumë e vështirë që u krijua për forcat osmane, që vepronin në këto vise, e detyroi Sulejman Pashën të nisej vetë në krye të 3 mijë ushtarëve në drejtim të Himarës. Por rrugës këta u shpartalluan prej shqiptarëve dhe lanë mbi 1 mijë të vrarë e robër. Midis robërve ishte edhe bejlerbeu i Rumelisë, Sulejman Pasha, të cilin himariotët ia dhanë si trofe lufte Gjon Kastriotit, shprehje kjo e ndjenjave të tyre të thella për Gjergj Kastriotin-Skënderbeun, si dhe të respektit që ata tregonin për veprimtarinë e djalit të tij. Për të tërhequr vëmendjen e përkrahjen e shteteve evropiane për luftën e shqiptarëve, Gjoni i dërgoi mbretit të Napolit si trofe bejlerbeun e Rumelisë.
Pas fitores së himariotëve mbi trupat e Sinan Pashës, në viset bregdetare të Shqipërisë së Poshtme u çliruan kështjella e Himarës më 31 gusht 1481 dhe më pas ajo e Sopotit.
Shpartallimi i ushtrisë së Sulejman Pashës në Shqipëri, i lehtësoi së tepërmi aksionet luftarake antiosmane që zhvilloheshin në mbretërinë e Napolit. Më 10 shtator të vitit 1481 ushtria e Napolit çliroi kështjellën e Otrantos dhe i dëboi kështu osmanët nga Italia.
Pas fitoreve të shqiptarëve gjatë muajit gusht të vitit 1481 kundër ushtrisë së Sulejman Pashës, u zgjeruan veprimet e tyre luftarake për çlirimin e qyteteve dhe të kështjellave të vendit. Luftëtarët e Gjon Kastriotit iu drejtuan Krujës dhe ndërmorën sulme për çlirimin e saj. Megjithëse nuk arritën ta merrnin atë, sepse kështjella e Krujës ishte shumë e fortifikuar dhe e papushtueshme me forcën e armëve, deri në fund të vitit 1481 shqiptarët çliruan një pjesë të konsiderueshme të zotërimeve të Kastriotëve, duke përfshirë edhe kështjellën e Stelushit, si dhe krahina të tjera rreth saj. Si kryezot i viseve të çliruara u njoh Gjon Kastrioti.
Pas marrëveshjes së paqes të vitit 1483 ndërmjet Perandorisë Osmane dhe Mbretërisë së Napolit, ushtritë osmane fuqizuan veprimtarinë e tyre për ripushtimin e zotërimeve të Kastriotëve dhe të viseve të tjera të lira shqiptare. Edhe pse në janar të vitit 1484 luftëtarët e Gjon Kastriotit shpartalluan një ushtri osmane pranë lumit Erzen, qëndresa dhe lufta e organizuar e shqiptarëve përkohësisht filloi të dobësohej prej presionit të madh e të pandërprerë të trupave pushtuese. Në verë të vitit 1484 osmanët ripushtuan kështjellën e Himarës. Rënia e qëndresës antiosmane e detyroi Gjon Kastriotin të largohej nga Shqipëria dhe të vendosej përsëri në pronat që Kastriotët kishin në Itali. Të njëjtën gjë bënë edhe sundimtarët e tjerë shqiptarë, që kishin emigruar dhe që në fillim të viteve 80 erdhën në Shqipëri për të udhëhequr kryengritjet antiosmane.
Gjon Kastrioti vdiq pas vitit 1502 dhe la pesë fëmijë: Gjergjin (Skënderbeu i Ri), Konstandinin, peshkop i Izernias që vdiq në vitin 1500 në moshën 20-vjeçare, Ferrantin (të cilit M. Barleci i ka kushtuar një parathënie te “Historia e Skënderbeut” dhe që ka vdekur më 1561), Federikon, që vdiq më 1503 në moshën 15-vjeçare në Valencie të Spanjës, ku u varros me nderime mbretërore, dhe Marien, e cila iu përkushtua artit.

Alberti
Legjendë
Legjendë

Postime Postime : 41743
Gjinia Gjinia : Male
Anëtarësuar Anëtarësuar : 23/11/2009
Mosha Mosha : 36
Hobi Hobi : Tenisi

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Përpjekjet për rimëkëmbjen e Shtetit Shqiptar. Rëndësia e Epokës së Skënderbeut Empty Re: Përpjekjet për rimëkëmbjen e Shtetit Shqiptar. Rëndësia e Epokës së Skënderbeut

Mesazh nga Alberti Mon 28 Dec 2009 - 5:24

Kryengritja e vitit 1492 në Shqipërinë e Poshtme

Edhe pas luftimeve të shqiptarëve me ushtritë osmane gjatë gjysmës së parë të viteve 80, vala e kryengritjeve antiosmane vazhdoi më tej.
Një nga vatrat e qëndresës antiosmane u bë Labëria. Për nënshtrimin e banorëve të saj u ngarkua sanxhakbeu i Vlorës, Komjan Arianiti, që kishte origjinë shqiptare. Më 1486 forcat e tij u dërguan kundër Labërisë, por ato pësuan disfatë edhe vetë Komjan Arianiti ra rob dhe u vra prej shqiptarëve, të cilët ndërkohë çliruan edhe kështjellën e Himarës. Për të shtypur kryengritjen erdhi vetë bejlerbeu i Rumelisë, Sinan Pasha, në krye të një ushtrie të fuqishme. Gjatë vitit 1486 trupat e tij kaluan nëpër bregdetin e Himarës dhe e shkretuan atë.
Gjatë vitit 1488 lëvizja antiosmane u shtri edhe në viset e Shqipërisë Qendrore. Kryengritësit e këtyre rajoneve dërguan përfaqësuesit e vet në Itali dhe kërkuan rikthimin në atdhe të Gjon Kastriotit që të vihej në krye të tyre. Por prej Mbretërisë së Napolit dhe vendeve të tjera evropiane me sa duket, ai nuk gjeti përkrahjen materiale dhe mjete lundrimi për të realizuar transportimin e forcave të tij.
Viti 1492 do të shënonte një nga pikat kulmore të luftës antiosmane, për shtypjen e së cilës u angazhua vetë sulltan Bajaziti II.
Pas përgatitjeve ushtarake intensive, në pranverë të vitit 1492 ushtria perandorake osmane me sulltanin në krye mori drejtimin për në Shqipërinë e Poshtme. Gjatë muajit maj 1492 ushtria osmane arriti në Tepelenë, ku vendosi kampin e vet. Ndërkohë, me qëllim që kryengritësve mos t'u lihej shteg ikjeje, një flotë osmane prej 300 anijesh, nën komandën e Sinan Pashës, kishte dalë në bregdetin e Shqipërisë së Poshtme më parë se sulltani të arrinte në Tepelenë.
Veprimet ushtarake kundër shqiptarëve sulltan Bajaziti II i filloi në muajin korrik. Mbasi shtinë në dorë kështjellat e Himarës e të Sopotit (Borshit), të cilat me urdhër të sulltanit u shkatërruan si çerdhe të kryengritësve, forcat ushtarake të sulltanit u orvatën të hyjnë në viset e brendshme, për të shpartalluar kryengritësit shqiptarë, të cilët bashkë me pleqtë, gratë e fëmijët, kishin kaluar në malet e Labërisë. Që nga lart shqiptarët lëshonin mbi ushtarët armiq shkëmbinjtë e malit. Armët e tyre ishin të thjeshta, shtizat në trajtën e gjuhës së gjarprit dhe shigjetat me majë të hekurt që ata i hidhnin me harqe druri. Megjithatë qëndresa e shqiptarëve ishte heroike. "Aq të shkathët janë ata në kohën e luftës, sa që shpata nuk ua cenon dot dorën dhe shigjeta nuk u prek as gishtin", shkruan kronisti turk bashkëkohës Ibn Kemali, pjesëmarrës në këtë luftë.
Pas sulmesh të vazhdueshme të forcave të shumta osmane, kryengritësit e Labërisë u detyruan të përqendroheshin në dy maja mali, ku ata kishin ngritur kulla mbrojtëse. Njëri grup, me gjithë qëndresën heroike kundër ushtrisë së Rumelisë të komanduar prej bejlerbeut Jahja Pashës, u shtrëngua të dorëzohej me kusht që të lihej i lirë të ikte. Por pushtuesit e shkelën marrëveshjen dhe mbi kryengritësit e dorëzuar bënë kërdinë, burrave u prenë këmbë e duar dhe pastaj i hodhën tatëpjetë malit, gratë dhe fëmijët, që u gjetën në atë mal, i bashkuan me vargun e 8 000 robërve që kishin kapur gjatë këtyre operacioneve dhe, nëpërmjet skelës së Vlorës, i nisën për në tregjet e Lindjes që t'i shisnin si skllevër.
Nga ana tjetër, garda perandorake dhe ushtria e Anadollit nën komandën e Daut Pashës, u përpoqën të asgjësonin qëndresën që vazhdoi në malin tjetër. Luftimet vazhduan deri në fund të gushtit pa asnjë përfundim. Afrimi i vjeshtës, vështirësitë e mëdha e shpenzimet që bëheshin për të mbajtur në këmbë një ushtri aq të madhe kundër një pakice shqiptarësh, e detyruan sulltan Bajazitin II të kërkonte dhe të arrinte një marrëveshje me kryengritësit. Në bazë të saj kryengritësit do të njihnin sundimin osman dhe, në shenjë bindjeje, do t'i paguanin sulltanit një tribut të vogël vjetor, kurse sulltani u njihte atyre të drejtën të vetëqeverisnin vendin në bazë të dokeve tradicionale, të kishin gjyqet e tyre dhe të mbanin armët lirisht. Kjo marrëveshje u dha mundësi kryengritësve të largonin rrezikun e vendosjes në krahinën e tyre të qeveritarëve osmanë dhe të sistemit të timareve.
Në fund të fushatës ushtarake osmane, kur ushtritë po largoheshin nga Tepelena, sipas kronistit osman të shek. XVI, Aliut, një kryengritës i veshur si dervish, iu vërsul në rrugë sulltan Bajazitit II, por nuk arriti ta vrasë. Pas këtij episodi, sulltani la një pjesë të ushtrisë në Shqipërinë e Poshtme për të rivendosur aty administratën osmane.

Alberti
Legjendë
Legjendë

Postime Postime : 41743
Gjinia Gjinia : Male
Anëtarësuar Anëtarësuar : 23/11/2009
Mosha Mosha : 36
Hobi Hobi : Tenisi

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Përpjekjet për rimëkëmbjen e Shtetit Shqiptar. Rëndësia e Epokës së Skënderbeut Empty Re: Përpjekjet për rimëkëmbjen e Shtetit Shqiptar. Rëndësia e Epokës së Skënderbeut

Mesazh nga Alberti Mon 28 Dec 2009 - 5:24

Kthimi në Shqipëri i Skënderbeut të Ri (1501-1503)

Në fund të shek. XV sulltanët osmanë i shtuan përpjekjet për të zgjeruar pushtimet e tyre drejt Evropës Qendrore dhe Perëndimore.
Për të përballuar këtë rrezik, shtetet evropiane u përpoqën të organizonin operacione ushtarake të përbashkëta kundër Perandorisë Osmane dhe të nxitnin popujt e Gadishullit Ballkanik të hidheshin në kryengritje. Në këto rrethana, Shqipëria kishte një rëndësi të veçantë edhe për vetë pozitën gjeografike të saj si vendi që e përshkonin rrugët tokësore më të shkurtra për të kaluar nga Evropa Perëndimore në qendër të Perandorisë Osmane. Ajo formonte krahun perëndimor të kësaj Perandorie dhe ishte si një urë kalimi për t'i hedhur ushtritë osmane në Itali.
Për të penguar përgatitjet ushtarake të osmanëve kundër Italisë, ato projektuan fushata të përbashkëta kundër Perandorisë Osmane dhe menduan t'i nisnin nga bregdeti i Shqipërisë.
Iniciativën për të zbarkuar në Ballkan e mori mbreti i Francës, Karli VIII, i cili bashkë me ushtrinë e tij kishte pushtuar një pjesë të madhe të Italisë dhe në fund të vitit 1494 mori Napolin. Përgatitjet e Karlit VIII ngjallën entuziazëm në popujt e shtypur të Ballkanit dhe qenë një nxitje për shqiptarët që të rrëmbenin përsëri armët. Në planet e këtij mbreti lëvizja shqiptare ishte llogaritur si një faktor politik shumë i rëndësishëm.
Kryengritja që filloi në Shqipëri mori përpjesëtime të mëdha veçanërisht në krahinën e Himarës dhe në viset pranë Durrësit. Shqiptarët ishin të gatshëm të sulmonin forcat osmane dhe të përkrahnin zbarkimin e ushtrive frënge. Ato riaktivizuan lidhjet me fisnikët shqiptarë të mërguar në Itali për t'i vënë në krye të luftës së tyre. Për këtë qëllim si dhe për të krijuar lidhje me Karlin VIII, shkoi në Itali kryepeshkopi i Durrësit, Martin Firmano. Por, kur po kthehej nga Italia, ai u kap në det prej venecianëve, të cilët nuk e shikonin me sy të mirë as ardhjen e ushtrive frënge në Itali, as zbarkimin e tyre në Ballkan dhe as kryengritjen në Shqipëri. Kundërshtimet që gjeti në Itali e detyruan Karlin VIII të hiqte dorë nga ekspedita dhe të kthehej në Francë më 1495. Me largimin e rrezikut frëng, në verën e vitit 1495 disa sanxhakbejlerë osmanë, që nga Vlora ku kishin sjell forcat e tyre, filluan ekspeditat ndëshkimore kundër shqiptarëve, për të rivendosur sundimin e tyre në rajonet e kryengritjeve. Por edhe këto ekspedita nuk e shuan dot qëndresën shqiptare.
Për shkak se Perandoria Osmane kishte filluar të ndërtonte një flotë të madhe në kuadrin e përgatitjeve për të sulmuar Italinë, marrëdhëniet e saj me Venedikun u acaruan në vitin 1498. Në këto rrethana, duke pasur nevojë për qëndresën antiosmane të shqiptarëve, Senati i Venedikut u përpoq të lidhej me të. Për këtë qëllim ai e nxori nga burgu Martin Firmanon dhe në qershor të vitit 1499 e nisi për në Shqipëri bashkë me emisarët e vet.
Midis krerëve shqiptarë dhe të dërguarve venecianë lindën mosmarrëveshje për qëllimet, vendin dhe për shtrirjen që do të kishte kryengritja në Shqipëri. Senati ishte kundër shpërthimit të një lëvizjeje të përgjithshme dhe kërkonte vetëm një kryengritje lokale në rajonin e Lezhës. Këtu Venediku parashikonte të zbarkonte forcat e veta për të ruajtur zotërimin e Durrësit. Kurse shqiptarët ishin për një kryengritje sa më të gjerë për çlirimin e vendit. Në takimin që bënë krerët shqiptarë me emisarët venecianë në shtëpinë e Martin Firmanos në afërsi të Durrësit, mosmarrëveshjet midis tyre u acaruan në atë shkallë, saqë Republika me anën e bajlit të saj të Durrësit e helmoi Martin Firmanon.
Një muaj më vonë, në shtator 1499, shpërtheu kryengritja në rrethin e Lezhës. Rrugët për në Shkodër dhe në Dukagjin u prenë dhe funksionarët osmanë u dëbuan. Kryengritësit kërkuan që pasardhësit e Skënderbeut të viheshin në krye të lëvizjes antiosmane. Në vend të Gjon Kastriotit, që ishte i sëmurë, ata iu drejtuan birit të tij, Gjergj Kastriotit, të mbiquajtur Skënderbeu i Ri.
Për të pasur nën kontroll zhvillimin e ngjarjeve në Shqipëri, Senati i Venedikut shpalli se merrte përsipër dërgimin e Gjergj Kastriotit dhe të forcave të tij në Shqipëri. Nga Mbretëria e Napolit Gjergj Kastrioti shkoi në Venedik, ku me premtime të ndryshme, u mbajt gjatë, për më tepër se një vit.
Gjergji u nis për në Shqipëri vetëm në pranverë të vitit 1501 kur Durrësi, që ishte nën zotërimin venecian, u rrezikua seriozisht nga sulmet e ushtrive osmane. Nisjen e Gjergj Kastriotit në Shqipëri e organizoi Venediku. Me këtë Senati kishte për qëllim të fuqizonte kryengritjen e shqiptarëve në rajonin e Lezhës për t'i detyruar osmanët të largonin ushtritë e tyre nga rrethimi i Durrësit dhe t'i angazhonin ata në luftë kundër kryengritësve shqiptarë.
Ekspedita, e përbërë prej 150-200 stratiotësh, e kryesuar nga Skënderbeu i Ri dhe e shoqëruar nga një emisar venecian, zbarkoi më 5 mars 1501 në Ishullin e Lezhës, të çliruar qysh më parë nga kryengritësit shqiptarë. Por, ndihmat veneciane që ai solli me vete ishin të pakta. Në përpjekjen e parë që patën me forcat osmane, ushtarët e Skënderbeut të Ri u thyen dhe ekspedita do të kishte dështuar, sikur më pas kryengritësit shqiptarë të mos i përballonin sulmet e osmanëve. Ndërkohë midis emisarit venecian dhe Skënderbeut të Ri, që mbante anën e krerëve shqiptarë, lindën mosmarrëveshje që ndikuan negativisht në zhvillimin e kryengritjes.
Më 13 gusht 1501 ushtria osmane, e komanduar nga sanxhakbeu i Elbasanit, pushtoi Durrësin. Për të mënjanuar humbjen e Ishullit të Lezhës, të Ulqinit e të Tivarit, Venediku filloi bisedimet për paqe me pushtuesit osmanë dhe, më 14 dhjetor 1502, nënshkroi me ta marrëveshjen përkatëse dhe i braktisi kryengritësit shqiptarë.
Në këto rrethana Skënderbeu i Ri dhe Progon Dukagjini, i cili gjithashtu ishte kthyer nga mërgimi, kërkuan të hynin në marrëveshje me autoritetet osmane. Më 1503 shkuan në Shkodër dhe i kërkuan sanxhakbeut Feriz Beut që ata të vendoseshin në ish-zotërimet e familjeve të tyre dhe t'i qeverisnin ato nën sovranitetin e sulltanit. U pranua vetëm kërkesa e Progon Dukagjinit, të cilit iu dha titulli i pashës dhe, në formë timari, një pjesë e zotërimeve të Dukagjinëve. Kurse kërkesa e nipit të Skënderbeut nuk u pranua. Pas këtij refuzimi dhe një qëndrimi dyvjeçar në Shqipëri, në shkurt të vitit 1503 Skënderbeu i Ri u detyrua të mërgonte përsëri në Itali. Nuk dihet data e vdekjes së tij. Thuhet se vdiq në Qipro duke lënë pas tre djem. Më 1506 turqit pushtuan Ishullin e Lezhës, kurse Ulqini e Tivari do të vazhdonin edhe për disa dhjetëra vjet të qëndronin në duart e Venedikut e të papushtuara prej osmanëve.
Me përpjekjet që u bënë gjatë fundit të shek. XV dhe fillimit të shek. XVI për rimëkëmbjen e shteteve mesjetare shqiptare u mbyll periudha e luftës së gjatë më se njëshekullore e shqiptarëve kundër pushtuesve osmanë për të mbrojtur lirinë dhe jetën e pavarur politike.

Alberti
Legjendë
Legjendë

Postime Postime : 41743
Gjinia Gjinia : Male
Anëtarësuar Anëtarësuar : 23/11/2009
Mosha Mosha : 36
Hobi Hobi : Tenisi

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Përpjekjet për rimëkëmbjen e Shtetit Shqiptar. Rëndësia e Epokës së Skënderbeut Empty Re: Përpjekjet për rimëkëmbjen e Shtetit Shqiptar. Rëndësia e Epokës së Skënderbeut

Mesazh nga Alberti Mon 28 Dec 2009 - 5:25

Mërgimet masive të shqiptarëve gjatë shek. XIV-XV

Lëvizjet migruese nga tokat shqiptare drejt vendeve të tjera, janë një dukuri që ndeshet gjatë gjithë mesjetës.
Në grupe apo si individë, shqiptarët dëshmohen të kenë lëvizur të paktën qysh në shek. XI. Kryesisht si ushtarakë ose si funksionarë të administratës bizantine, shqiptarë të veçantë apo grupe shqiptarësh ndeshen në atë kohë në viset më të ndryshme të Perandorisë, sa në Italinë e Jugut, në Dalmaci e në Bullgari, aq dhe në Peloponez e në vetë Konstandinopojë, ku dhe shumë prej tyre me kalimin e kohës u integruan.
Por, në krahasim me këto mërgime të para, për shkak të jetës politike të trazuar emigrimet shqiptare të shek. XIV-XV morën përmasat e eksodeve të vërteta, që lanë gjurmë të thella si në vendin e origjinës, ashtu dhe në vendbanimet e reja. Valët e emigracionit shqiptar të shek. XIV-XV ndoqën dy drejtime kryesore: atë verior, që preku Raguzën (Dubrovnikun) dhe qytetet e tjera të Dalmacisë, Venedikun dhe qytetet e fshatrat e provincës italiane të Markës, si dhe drejtimin e krahut perëndimor të Adriatikut (Fano, Ankona, Rimini, Pezaro). Vendi nga vinin emigrantët shqiptarë drejt veriut të Ballkanit Perendimor e të Italisë Lindore ishin përgjithësisht viset veriore dhe qytetet e atyshme të Ulqinit, Tivarit, Shkodrës, Drishtit, Lezhës e deri të Durrësit. Ata u përkisnin shtresave nga më të ndryshme: bujq, zejtarë, marinarë, punëtorë, tregtarë të vegjël, mjeshtër, artistë etj.
Klerikë të shumtë nga Ulqini, Lezha e sidomos nga Durrësi e nga Drishti dëshmohen në kishat e manastiret e Raguzës, ku shpesh shërbenin edhe si shkrues, sekretarë e noterë. Në Raguzë dhe në qytetet e tjera dalmatine, mjaft emigrantë shqiptarë mundën të sistemohen dhe të fitojnë statusin e banorit të përhershëm (habitator), ndonjë syresh edhe atë të qytetarit me të drejta të plota (civis). Në Raguzë, Venedik ose në Rimini e Rekanati (Markë) shqiptarët organizoheshin në shoqëri fetaro-kulturore, të quajtura shkolla ose vëllazëri (scuola, confraternitas). Autoritetet e vendit jo gjithnjë i shihnin me sy të mirë këto shoqëri me bazë etnike, që gjithsesi pengonin integrimin e emigrantëve. Megjithatë, emigracioni shqiptar në Dalmaci e në qendrat italiane të Adriatikut verior nuk arriti të krijojë ngulmime kompakte masive, e në krye të 2-3 shekujve bashkësitë shqiptare të atjeshme u tretën në popullsinë vendase.
Mërgimet shqiptare në krahun tjetër, atë jugor, qenë shumë më intensive se ato veriore. Vatra e nisjes së tyre qenë territoret në jug të lumit Shkumbin, veçanërisht trevat e Vlorës, Beratit, Korçës dhe sidomos të Epirit e të Moresë. Këto shtegtime prekën fillimisht viset e Greqisë. Prej këndej, një pjesë e tyre kaloi në Sicili e në Italinë e Jugut.
Një valë e parë e emigracionit shqiptar dëshmohet në Thesalinë Lindore, në vitet 20-30 të shek. XIV. Ajo mori shkas nga shtypja e kryengritjeve shqiptare në zonën e Vlorës, të Devollit e të Thesalisë veriperëndimore nga ana e Perandorit bizantin Androniku III. Fluksin e popullatave shqiptare drejt jugut e ushqeu në atë kohë edhe rritja e presionit të shtetit serb në trevat shqiptare. Si rezultat, viset e Thesalisë lindore, në jug të rrjedhës së Peneut, u kolonizuan dendur nga shqiptarët. Të joshura nga qeveritarët vendas, mjaft bashkësi shqiptare e vazhduan shtegtimin e tyre dhe u vendosën në ishullin e Eubesë, si dhe në krahinat e Beotisë, të Atikës e të Korintit. Nëpërmjet istmit të Korintit, valë shtegtarësh që vinin sa nga Thesalia aq edhe nga Epiri invaduan në fillim të shek. XV krahinat e Peloponezit. Në vitin 1405, një dëshmitar okular shkruan se vetëm në një valë, 10 mijë mërgimtarë shqiptarë, me familjet, me pasuritë e me bagëtitë e tyre kaluan Istmin dhe me leje të despotit Teodor Paleolog u sistemuan në krahinën e Akesë. Këtë valë e pasuan në vitet e mëvonshme flukse të tjera që vinin nga Atika, Beotia, Thesalia ose drejtpërdrejt nga trevat shqiptare, të kërcënuara nga invazioni osman. Me shterimin e këtyre prurjeve emigruese, aty nga mesi i shek. XV, krahina të tëra të Peloponezit (Moresë), si Korinti, Akea, Elida, Arkadia, Argolida, Mesenia e Lakonia, ishin kolonizuar në mënyrë mjaft intensive nga popullsi shqiptare. Një defter osman i vitit 1458, që bën regjistrimin e popullsisë së Peloponezit qendror, ndër 198 fshatrat e regjistruara 155 i cilëson shprehimisht si fshatra shqiptare. Një tjetër regjistër i vitit 1461 veçon si shqiptare 16 ndër 20 qendërbanime që kishte zona e Korintit. Akoma në vitin 1668, udhëtari turk Evlija Çelebi konstatonte se "banorët e krahinave që shtrihen nga Kalavrita, Voshtica e Tripolica deri në Korint janë arbër që flasin arbërisht". Prej Peloponezit, shumë kolonë shqiptarë u hodhën në ishujt e afërt të Egjeut, në Salaminë (Kullur), Hidra, Poros, Specia etj.
Vendosja e kolonëve shqiptarë u inkurajua në shumë raste nga qeveritarët e krahinave greke, që u premtonin atyre toka, kullota dhe përjashtimin nga taksat. Vendosja e kolonëve shqiptarë ndihmoi në ripopullimin dhe në rigjallërimin e trevave të tëra greke të braktisura e të lëna djerrë. "Arbërit", shkruan një autor i shek. XV, "u vendosën në zona të shkreta; ata i shpyllëzuan ato dhe i bënë të banueshme. Shumë vende të egra, që deri atëherë kishin qenë strehë banditësh, u pastruan dhe dora e këtyre bujqve me përvojë i mbolli dhe i kultivoi ato".
Dhënia e lejes së vendosjes për ardhësit shqiptarë, akordimi i tokave të bukës dhe i kullotave, thuajse gjithmonë u kushtëzua nga qeveritarët vendas me detyrimin e shërbimit ushtarak. Në shek. XIV-XV, luftëtarët shqiptarë mbushnin repartet ushtarake sa të dukëve katalanë të Athinës, aq edhe të despotëve bizantinë të Moresë apo të kështjellarëve venecianë të Eubesë, të Koronit, Modonit e Nauplionit (Peloponez). Të inkuadruar ose jo në trupat e sundimtarëve të huaj, shqiptarët u bënë protagonistë të qëndresës kundër invadimit të këtyre viseve nga pushtuesit osmanë. Kronistët bizantinë të shek. XV, Kritobuli, Dukas dhe Halkokondili vënë në dukje se në atë kohë, përveç Shqipërisë, një tjetër kështjellë e qëndresës shqiptare qe ngritur në Peloponez. Në luftërat e shqiptarëve të Peloponezit kundër osmanëve u shquan kapedanët Pjetër Bua, Teodor Buhali, Primo Koka, Krokodejl Klada, Manuel Bokali etj.
Invazioni osman i Ballkanit jugperëndimor, që hyri në një fazë vendimtare pas mesit të shek. XV, shkaktoi valë të papara mërgimesh shqiptare, që konvergonin drejt Italisë. Këtu popullsitë e ikura shqiptare iu shtuan ngulimeve të mëparshme shqiptare, duke e forcuar elementin shqiptar në Italinë e Jugut dhe në Sicili. Ngulimet shqiptare të kësaj kohe u vendosën kryesisht në provincat Abruco, Molize, Kampanie, Bazilikatë, Kapitanatë, Pulje, Kalabri. Ngulimet kryesore shqiptare të Sicilisë u bënë Piana deli Albanezi, San Kristina Xhela, Mexojuso, Kontesa Entelina, Palaco Adriano.
Kolonët shqiptarë erdhën drejtpërsëdrejti nga Shqipëria, por shumë syresh erdhën nga kolonitë shqiptare të Greqisë, veçanërisht nga Moreja. Vala më e madhe migruese i përket vitit 1479, kur pas rënies së Shkodrës dhe paqes veneto-osmane, që e pasoi atë, shumë luftëtarë shqiptarë, sa në Shqipëri aq dhe në More, u detyruan të largohen për t'i shpëtuar hakmarrjes osmane. Midis tyre ishin pinjollë të shquar të familjeve Kastrioti, Gjurashi (Cërnojeviçi), Dukagjini, Arianiti, Muzaka, Bua etj. Mbreti Ferdinand i Napolit u dha këtyre feude e poste zyrtare në mbretërinë e tij, kurse masave të të ikurve u caktoi për banim vende kryesisht të pabanuara. Valët e emigracionit shqiptar, ndonëse me intensitet më të vogël, vazhduan edhe në vitet e mëvonshme. E fundit njihet ajo e vitit 1744, kur u themelua Vila Badesa në Abrucie. Numri i fshatrave arbëreshe arrin sot në rreth 100 me një popullsi afër 150 000 banorë.
Për shumë nga ngulimet shqiptare ekzistojnë aktet e themelimit (capitula) të nënshkruara me autoritetet civile dhe kishtare të vendit. Në to fiksohen detyrimet por dhe të drejtat dhe privilegjet e banorëve të rinj, midis të cilave figuron shpesh dhe e drejta për të pasur drejtues dhe priftërinj (papas) të tyre, jo katolikë. Ruajtja e ritit ortodokso-bizantin luajti një rol mjaft të rëndësishëm për konservimin e kolonive arbëreshe të Italisë. Këtu luajtën rolin e tyre edhe kompaktësia e këtyre ngulimeve si dhe klima e tolerancës që, ndryshe nga ç'ndodhi me ngulimet arbëreshe të Greqisë, karakterizuan marrëdhëniet e ardhësve shqiptarë me popullsinë dhe me autoritetet civile e kishtare vendase. Edhe sot, arbëreshët e Italisë ruajnë gjuhën si dhe traditat, këngët e zakonet e hershme shqiptare.

Alberti
Legjendë
Legjendë

Postime Postime : 41743
Gjinia Gjinia : Male
Anëtarësuar Anëtarësuar : 23/11/2009
Mosha Mosha : 36
Hobi Hobi : Tenisi

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Përpjekjet për rimëkëmbjen e Shtetit Shqiptar. Rëndësia e Epokës së Skënderbeut Empty Re: Përpjekjet për rimëkëmbjen e Shtetit Shqiptar. Rëndësia e Epokës së Skënderbeut

Mesazh nga Alberti Mon 28 Dec 2009 - 5:25

3. RËNDËSIA E EPOKËS SË GJERGJ KASTRIOTIT-SKËNDERBEUT

Rrjedhimet e luftës dhe të pushtimit osman në Shqipëri

Lufta më se njëshekullore e Perandorisë Osmane për pushtimin e trojeve shqiptare dhe vendosja e pushtetit osman, sollën rrjedhime të thella në të drejtat e pronësisë, në veprimtarinë ekonomiko-shoqërore, në jetën politike dhe në atë fetare-kulturore të shqiptarëve.
Veprimtaria e pavarur politiko-shoqërore e botës shqiptare ishte arritja më e rëndësishme në historinë kombëtare të shqiptarëve gjatë shekujve të mesjetës. Që në shek. XII dhe në shekujt që vijuan, deri me pushtimin osman, në viset shqiptare lindën formacione shtetërore të pavarura, të cilat ndikuan fuqishëm në të gjitha fushat e veprimtarisë shoqërore dhe, në tërësi, për zhvillimin e gjithanshëm të vendit. Në kuadrin e këtyre formacioneve shtetërore lindi dhe u fuqizua aristokracia vendase dhe tradita shqiptare e drejtimit dhe e aparatit administrativ shtetëror.
Elita drejtuese shqiptare, si ajo laike ashtu edhe fetare, pati një rol të madh historik për zhvillimin e gjithanshëm të vendit. Ishte meritë e saj ndryshimi i orientimit të lidhjeve ndërkombëtare të Shqipërisë, duke e larguar atë gjithnjë e më shumë prej Perandorisë Bizantine e vendeve të tjera fqinje e të prapambetura të Ballkanit dhe duke e afruar Shqipërinë me vendet e përparuara të Evropës Perëndimore. Lidhjet politike, tregtare-ekonomike dhe fetare-kulturore me Italinë dhe vendet e tjera të Evropës Perëndimore ndikuan që në të gjitha këto fusha të përshpejtoheshin ritmet e zhvillimit.
Pushtimi osman i dha fund jetës së pavarur politike e shtetërore të shqiptarëve dhe i mbylli rrugët zhvillimeve të mësipërme, ndërpreu lidhjet intensive të Shqipërisë me vendet e Evropës Perëndimore dhe i kaloi ato në drejtim të Lindjes. Këto rrjedhime negative u shfaqën në Shqipëri jo vetëm gjatë viteve të luftës, por ato vepruan fuqishëm edhe gjatë gjithë periudhës së gjatë të sundimit osman.
Pushtimi osman i tokave shqiptare u bë gradualisht, duke nisur me fundin e shek. XIV, me marrjen prej osmanëve të qendrave kryesore të viseve lindore, dhe duke vijuar në fillim të shek. XV me pushtimin e disa qyteteve e kështjellave të viseve perëndimore shqiptare. Pas këtyre pushtimeve dhe veçanërisht me periudhën e luftës nën udhëheqjen e Skënderbeut dhe deri në rënien e kështjellave në fund të viteve 70 të shek. XV, një pjesë e rëndësishme e viseve qendrore e veriore shqiptare u gjend në kushtet e një lufte të gjatë e të vazhdueshme.
Që me pushtimet e para të fundit të shek. XIV të qendrave të tilla si Nishi, Shkupi, Manastiri, Ohri, Kosturi etj., u dëmtuan rëndë marrëdhëniet dhe shkëmbimet e ndryshme ekonomike e tregtare ndërmjet viseve lindore me ato perëndimore, aq të domosdoshme e jetike për banorët e tyre. Ekspeditat e njëpasnjëshme të ushtrive osmane dhe luftimet e vazhdueshme e të ashpra, që ato zhvilluan me forcat shqiptare, dëmtuan rëndë jetën ekonomike të vendit. Gjatë ekspeditave ushtarake dhe luftimeve të shumta për të dobësuar qëndresën shqiptare dhe burimet ekonomike, aq të domosdoshme për vazhdimin e saj, ushtritë osmane rrënonin të mbjellat, dëmtonin objektet ekonomike, rrëmbenin bagëtinë.
Vështirësitë e shumta ekonomike dhe zjarri i luftës detyruan me mijëra e mijëra vetë të braktisnin vendin dhe kështu bashkë me të vrarët në luftë pakësuan ndjeshëm numrin e banorëve, por edhe dëmtuan jetën ekonomike, sepse ishin nga forcat më aktive të shoqërisë shqiptare.
Në kushtet e luftës dhe të pushtimit osman, ekonomia fshatare u bë edhe më e mbyllur dhe përkohësisht i dobësoi lidhjet me qytetin, aq të domosdoshme për zhvillimin ekonomik të vendit. Qytetet shqiptare, gjatë shekujve të mesjetës kishin njohur të gjitha tiparet e zhvillimit ekonomik, shoqëror e organizativ të qyteteve të pellgut të Mesdheut, që ishte rajoni më i zhvilluar i Evropës, kurse me pushtimin osman pësuan ndryshime. Që me sulmet e para osmane filluan të largohen banorët nga qytetet dhe disa prej tyre u shndërruan në qendra të vogla administrative e ushtarake. Pjesa më e madhe e banorëve në disa qytete iu kushtuan kryesisht ekonomisë bujqësore, dobësuan lidhjet me zonat fshatare dhe thuajse i ndërprenë marrëdhëniet ekonomiko-tregtare e kulturore me Evropën Perëndimore. Rrjedhimisht, qytetet shqiptare në përgjithësi u shndërruan gradualisht në qendra administrative ekonomike dhe fetare-kulturore të tipit lindor, osman. Nga qytetet nisi dhe u përhap procesi i islamizmit, i cili jo vetëm solli ndryshime të rëndësishme në besimin fetar të shqiptarëve, por edhe ndikoi dukshëm përgjithësisht në botëkuptimin e mënyrën e jetesës së tyre. Me ndryshimet e mësipërme Shqipëria nga një vend që kishte tërhequr vëmendjen e Evropës Perëndimore, gradualisht u shndërrua në një vend thuajse të harruar prej saj.
Ndonëse pushtimi osman i dha fund copëtimit politik dhe anarkisë që ekzistonte në Ballkan dhe në Shqipëri, prapambetja ekonomike që i karakterizoi vendet ballkanike më pas e kishte burimin e vet në ndryshimin në fushën e pronësisë që solli ai pushtim. E drejta feudale mbi tokën në Shqipëri, në prag të pushtimit osman, ishte në fazën e zhvilluar edhe pse aty-këtu mund të shfaqeshin mbeturina të formave arkaike të saj. Në zonat fushore të Shqipërisë kishte mbizotëruar prona e madhe feudale dhe e drejta e pakufizuar e shitblerjes së tokës. Pushtimi osman ligjërisht i dha fund kësaj forme feudale të përparuar të pronësisë mbi tokën, zhduku pronën e madhe e zotëruesit e saj, që përbënin shtresën drejtuese të vendit. Ai vendosi pronën feudale ushtarake osmane, sistemin e timarit, që në thelb ishte rivendosje e pronies bizantine, një formë pronësie që përgjithësisht ishte kapërcyer nga vetë zhvillimi i gjithanshëm i shoqërisë shqiptare. Sistemi i timarit, i vendosur dhe i mbajtur në këmbë me dhunë për shekuj të tërë, konsideronte si pronar të tokës shtetin, ua kufizoi fshatarëve pronarë deri diku të drejtat mbi tokën dhe feudalët e rinj (timarlinjtë apo spahinjtë) konsideroheshin si zotërues të një pjese të rentës feudale, por jo pronarë të tokës me të drejtën e shitblerjes së saj. Do të kalonin shekuj që në Shqipëri ligjërisht të njiheshin pronat e mëdha feudale dhe zotëruesit e tyre. Kurse në Evropën Perëndimore ndërkohë ishin shkatërruar marrëdhëniet feudale dhe atje lulëzonte prona kapitaliste. Pozicioni gjeografik periferik (në kuadrin e Perandorisë Osmane) i pjesës më të madhe të viseve shqiptare ndikoi negativisht për zhvillimin e tyre. Shqipëria u gjend kështu disa shekuj larg Evropës Perëndimore jo vetëm në zhvillimin ekonomik, por edhe në fusha të tjera të veprimtarisë shoqërore.

Alberti
Legjendë
Legjendë

Postime Postime : 41743
Gjinia Gjinia : Male
Anëtarësuar Anëtarësuar : 23/11/2009
Mosha Mosha : 36
Hobi Hobi : Tenisi

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Përpjekjet për rimëkëmbjen e Shtetit Shqiptar. Rëndësia e Epokës së Skënderbeut Empty Re: Përpjekjet për rimëkëmbjen e Shtetit Shqiptar. Rëndësia e Epokës së Skënderbeut

Mesazh nga Alberti Mon 28 Dec 2009 - 5:26

Rëndësia e luftës antiosmane të shqiptarëve

Lufta e gjatë dhe e ashpër kundër pushtuesve osmanë ishte rrjedhojë e ndërgjegjësimit të shqiptarëve, e në radhë të parë e elitës drejtuese të tyre, për pasojat e rënda dhe shkatërrimtare që sillte pushtimi osman në të gjitha sferat e veprimtarisë shoqërore. Ky pushtim godiste më shumë se këto, deri në asgjësimin e plotë, shtresat e larta të shoqërisë shqiptare, duke u marrë pushtetin politik, si dhe pasuritë etj. Prandaj përfaqësues të tyre e udhëhoqën me vendosmëri luftën kundër pushtuesve osmanë. Në këtë luftë morën pjesë të gjitha shtresat e shoqërisë shqiptare, sepse pushtimi osman të gjithëve u prekte të drejtën e pronësisë, interesat ekonomikë dhe mënyrën e jetesës.
Lufta e shqiptarëve kundër pushtimit osman në jetën e përditshme zhvillohej si një luftë për mbrojtjen e pronës e të marrëdhënieve të përparuara shoqërore kundër shpronësimit, si dhe kundër formave të prapambetura të pronës feudale e të marrëdhënieve shoqërore që rridhnin prej saj. Ishte një luftë kundër dhunës, shkatërrimit e grabitjes së njerëzve e të pasurisë dhe që mbronte mënyrën e jetesës, doket, kulturën dhe besimin fetar të shqiptarëve, të cilat ishin cilësisht të ndryshme me ato të pushtuesit lindor osman. Rrjedhimisht, lufta e shqiptarëve mbronte zhvillimin dhe raportet e përparuara shoqërore kundër formave arkaike të një shoqërie feudale të prapambetur dhe tashmë të perënduar në viset shqiptare. Për të gjitha këto, në sintezë, përmbajtje themelore e luftës ishte mbrojtja e jetës së pavarur politiko-shtetërore të shqiptarëve, pra e lirisë kundër pushtimit osman të vendit.
Përballë rrjedhimeve të tilla të thella për të gjitha shtresat e shoqërisë shqiptare, periudha e sulmeve të ushtrive osmane për pushtimin e vendit dhe e qëndresë së fuqishme të shqiptarëve kundër tyre, sidomos gjatë viteve të luftës nën udhëheqjen e Skënderbeut, përbën ngjarjen më të rëndësishme e më kulmore të historisë së popullit shqiptar, që la gjurmë të pashlyeshme në vetëdijen kombëtare të të gjithë shqiptarëve. Ajo u dha atyre traditën historike të luftës kundër pushtuesve osmanë dhe mbi këtë bazë ndjenjat e fuqishme kombëtare, përpara se të vendosej mbi shqiptarët pushtimi i plotë pesëshekullor osman dhe të bëhej islamizimi masiv i tyre.
Ndjenja kombëtare, që i ka mbrojtur popujt nga asimilimi dhe zhdukja, bëri që, gjatë gjithë periudhës së gjatë pesëshekullore të pushtimit osman, shqiptarët, edhe pse do të islamizoheshin masivisht, të ruanin identitetin e tyre kombëtar pa dallime fetare. Kur e kërkoi koha, si shqiptarët katolikë e ortodoksë, ashtu dhe ata myslimanë, nuk ngurruan të ngriheshin kundër pushtimit të huaj osman dhe të qëndronin në ballë të luftës për pavarësi kombëtare. Ndjenja kombëtare, si një tregues identiteti, i ka shoqëruar popujt gjatë gjithë historisë së tyre. Edhe protagonisti kryesor, që e udhëhoqi luftën e shqiptarëve kundër pushtuesve osmanë, Skënderbeu, në veprimtarinë e tij politike e ushtarake, iu referua traditës së lavdishme historike të popullit të vet. Kështu, p.sh., duke iu përgjigjur plot krenari kombëtare një kundërshtari politik në Itali, Skënderbeu do t'i shkruante atij për aksionet ushtarake të epirotëve e të Pirros kundër romakëve në Itali do të përdorte si simbole të veta shtetërore elementë nga simbolet e Pirros, të Aleksandrit të Madh të Maqedonisë dhe nga mitologjia pellazge.
Idetë dhe fryma e lëvizjes humaniste evropiane, që ishte përhapur në atë kohë edhe te shqiptarët, ndikuan që lufta e tyre titanike kundër pushtimit osman dhe, sidomos, figura e Skënderbeut të çimentoheshin në vetëdijen kombëtare shqiptare dhe të materializoheshin në krijimtarinë e tyre jo vetëm nëpërmjet gojëdhënave, tregimeve e këngëve popullore, por edhe nëpërmjet veprave të para të historiografisë kombëtare, të cilat i përshkon një patos i fuqishëm patriotik, siç janë veprat e M. Barlecit, Dh. Frëngut, F. Bardhit etj.
Një tipar i rëndësishëm dallues i luftës së shqiptarëve kundër pushtimit osman ishte zhvillimi i saj mbi dallimet fetare. Në radhët e ushtrisë shqiptare qëndronin përkrah njëri-tjetrit luftëtarët e besimit katolik, ortodoks, si dhe shqiptari i islamizuar, siç ishte, p.sh., vetë Skënderbeu dhe nipi i tij, Hamzai. Besime të ndryshme fetare kishin edhe bashkëpunëtorët më të ngushtë të Skënderbeut, edhe familjet me të cilat lidhën krushqi Kastriotët. Krahas klerikëve katolikë, Skënderbeu dërgoi si përfaqësues të vet në shtetet italiane edhe priftërinj ortodoksë. Shembull i tolerancës fetare dhe i mirëkuptimit ndërmjet shqiptarëve me besime fetare të ndryshme ishte vetë familja e Kastriotëve. Shumica e fëmijëve të Gjon Kastriotit kishin emra ortodoksë, një djalë dhe një nip i tij (Skënderbeu dhe Hamzai) mbajtën deri në fund të jetës emra myslimanë, kurse veprimtaria politike e Kastriotëve, e sidomos e Skënderbeut, ishte e lidhur me botën katolike. Vetë Heroi Kombëtar, pasi u kthye në Shqipëri më 1443 dhe derisa vdiq, përdori emrin e dyfishtë, të kristianit dhe të myslimanit, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, si shprehje kjo e tolerancës fetare dhe e kujdesit të tij për ruajtjen e unitetit kombëtar të shqiptarëve që kishin rite fetare të ndryshme. Shqiptarët, duke përfshirë edhe shtresat e larta shoqërore, konvertonin lehtësisht besimin e tyre fetar. Balshajt, p.sh., në fund të shek. XIV u kthyen nga ortodoksë në katolikë, në përshtatje me besimin fetar të shumicës së banorëve të zotërimeve të tyre.
Pjesëmarrja masive e shqiptarëve të të gjitha besimeve fetare dhe të krahinave në luftën kundër pushtuesve osmanë ndikoi shumë në zbutjen e sheshimin e dallimeve e të mosmarrëveshjeve, që mund të lindnin nga bindjet e ndryshme fetare si dhe nga përkatësia krahinore. Rrjedhimisht, një nga arritjet më të rëndësishme të luftës antiosmane ishte kompaktësimi dhe forcimi i unitetit të shqiptarëve pa dallime fetare e krahinore, duke përfshirë edhe banorët e viseve të largëta që kishin mbetur jashtë shtetit të Skënderbeut. Dëshmi e gjallë për këtë është e drejta dokesore, përballë së cilës ishin të barabartë të gjithë shqiptarët, pavarësisht nga pozita shoqërore dhe besimi fetar i tyre. Dëshmi e unitetit kombëtar të shqiptarëve janë edhe legjendat, tregimet dhe këngët popullore për figurën e Skënderbeut, të cilat u ruajtën pa dallime fetare, te shqiptarët katolikë, ortodoksë e myslimanë të të gjitha viseve kombëtare, madje edhe jashtë tyre, si te arbëreshët e Italisë e të Greqisë. Këngët popullore për Skënderbeun lindën qysh në shek. XV dhe ato vijuan ndër shekujt të këndohen me krenari nga shqiptarët. Kronisti venecian Antonio Sabeliko ka shkruar në vitin 1487 se shqiptarët “me këngë solemne ... këndonin lavdinë e princit të vdekur (Skënderbeut) ashtu siç e kishin zakon të moçmit në gostitë e heronjve të mëdhenj”. Në fillim të shek. XX Edit Durham rrëfen për dy krutanë që një ditë të tërë i kënduan trimëritë e Skënderbeut në një këngë të gjatë pa mbarim.
Lufta kundër pushtimit osman kaliti guximin, trimërinë dhe heroizmin masiv të shqiptarëve, i bëri ata të dalloheshin nga popujt e tjerë dhe të vlerësoheshin shumë në vendet e huaja për cilësite e vyera ushtarake. Gjatë shekujve që vijuan, nga radhët e shqiptarëve dalin shumë komandantë e udhëheqës ushtarakë të shquar që vepruan në kuadrin e Perandorisë Osmane apo edhe nëpër vende të tjera evropiane.
Gjatë viteve të luftës kundër pushtuesve osmanë u intensifikuan, si asnjëherë tjetër, lidhjet politike, ushtarake, ekonomike, fetare e kulturore të Shqipërisë me vendet e Evropës Perëndimore, lidhje që nxitën zhvillimet e brendshme në të gjitha ato fusha dhe e bënë botën shqiptare të ndihej më shumë se çdo rajon tjetër i Ballkanit si pjesë përbërëse e Evropës Perëndimore. U krijuan lidhje të ndërsjellta shpirtërore me shtetet italiane dhe me vendet e tjera të Evropës Perëndimore, sepse me luftën e tyre heroike shqiptarët i detyruan ushtritë osmane të luftonin për një periudhë shumë të gjatë në viset shqiptare dhe u bënë kështu pengesë e pakapërcyeshme për kalimin e tyre drejt Perëndimit. Lufta e shqiptarëve të udhëhequr nga Skënderbeu propagandohej në vendet e Evropës Perëndimore si pjesë e luftës së tyre shpirtërore për mbrojtjen e krishterimit kundër islamizmit dhe prandaj Heroi shqiptar cilësohej në Perëndim si "luftëtar i Krishtit" (Athleta Christi). Mbështetja e vendeve të Evropës Perëndimore ishte një nxitje dhe inkurajim për luftën e shqiptarëve kundër pushtimit osman. Me luftën e tyre shqiptarët penguan për një kohë shumë të gjatë kalimin e ushtrive osmane në Evropën Perëndimore dhe me këtë ata dhanë një ndihmesë të vyer për mbrojtjen dhe përparimin e qytetërimit evropian, e cila është vlerësuar jo vetëm nga personalitetet e shquara evropiane të asaj periudhe, por edhe gjatë shekujve që pasuan me botimin e dhjetëra veprave historike, letrare e artistike kushtuar figurës së Skënderbeut dhe epopesë shqiptare të udhëhequr prej tij. U krijua kështu një traditë e vyer e lidhjeve shpirtërore të ndërsjellta ndërmjet Shqipërisë dhe vendeve të Evropës Perëndimore.
Edhe popujt e Evropës Juglindore dhe ata fqinjë kurrë ndonjëherë nuk janë ndier më afër shqiptarëve sesa gjatë periudhës së luftës kundër pushtuesve osmanë. Lufta e Skënderbeut dhe e Huniadit kundër të njëjtit armik, krijoi lidhje të ngushta jo vetëm ndërmjet këtyre dy personaliteteve të shquara evropiane, por edhe një traditë miqësie e respekti të ndërsjelltë ndërmjet popujve të tyre. Lufta e shqiptarëve nën udhëheqjen e Skënderbeut ndikoi te popujt e Ballkanit që shpirtërisht të ndiheshin pranë njëri-tjetrit si kurrë ndonjëherë. Ajo i mbante të gjalla shpresat e ballkanasve për t`u çliruar nga zgjedha osmane, prandaj edhe sundimtari i fundit i Despotatit të Rashës qëndroi disa vjet në Krujë dhe u bë baxhanak me Skënderbeun. Për popujt e Ballkanit Heroi shqiptar u bë edhe si një hero popullor i tyre, prandaj ata do ta përkujtonin Skënderbeun nëpërmjet tregimeve e këngëve popullore dhe në shekujt që pasuan do t'i kushtonin figurës së tij një numër të madh veprash historike, letrare, artistike, në disa prej të cilave cilësohej me origjinë greke apo sllave, duke e paraqitur kështu si simbol të krenarisë së tyre kombëtare. Figura e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, mbeti ndër shekuj, jo vetëm te shqiptarët, por edhe te popujt e tjerë, si një simbol i luftëtarit të lirisë dhe u shërbente si burim frymëzimi në luftën e tyre për të mbrojtur e për të fituar lirinë dhe pavarësinë kombëtare.

Alberti
Legjendë
Legjendë

Postime Postime : 41743
Gjinia Gjinia : Male
Anëtarësuar Anëtarësuar : 23/11/2009
Mosha Mosha : 36
Hobi Hobi : Tenisi

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Përpjekjet për rimëkëmbjen e Shtetit Shqiptar. Rëndësia e Epokës së Skënderbeut Empty Re: Përpjekjet për rimëkëmbjen e Shtetit Shqiptar. Rëndësia e Epokës së Skënderbeut

Mesazh nga Alberti Mon 28 Dec 2009 - 5:26

Epoka e Skënderbeut në veprat e Marin Barlecit dhe të autorëve të tjerë shqiptarë bashkëkohës

Figura e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, epopeja e shqiptarëve nën udhëheqjen e tij dhe e gjithë periudha e luftës së tyre kundër vendosjes së pushtimit osman, ndikuan fuqishëm në jetën shpirtërore të shqiptarëve, në rritjen dhe në konsolidimin e vetëdijes kombëtare të tyre. Epopeja shqiptare e shek. XV frymëzoi intelektualë të shquar shqiptarë që ta përjetësonin atë në vepra historike monumentale e nga më të shquarat e kohës dhe që patën një jehonë të gjerë ndërkombëtare, me të cilat nisi jetën e vet historiografia shqiptare. Themeluesi i saj u bë Marin Barleci, historian humanist i shquar i përmasave ndërkombëtare.
Për jetën e Marin Barlecit dihet pak. Ai lindi rreth fundit të viteve 50 të shek. XV ndoshta në Shkodër, qytet ky me tradita arsimore për formimin e shkollimin e klerikëve të besimit katolik. Nuk përjashtohet mundësia që ai të ketë lindur në Medun (në verilindje të Podgoricës), meqenëse në burimet historike bashkëkohëse është gjetur një banor i tij me emrin familjar Barleci, mbiemër ky që deri më tani nuk është hasur te ndonjë person i tretë.
M. Barleci i përjetoi ngjarjet dramatike të Shkodrës të viteve 70 të shek. XV, qytet ky ku ai padyshim ka jetuar për vite e vite të tëra, ndaj në veprat e tij shpesh e cilëson veten shkodran. Gjatë rrethimit të parë të saj prej turqve, në vitin 1474, ai ka shkruar se ka qenë i ri dhe se ende nuk kishte arritur moshën për të rrëmbyer armët, kurse në vitin 1478, gjatë rrethimit të dytë të Shkodrës, M. Barleci rrëfen se ishte rreshtuar përkrah luftëtarëve që luftuan për mbrojtjen e qytetit të tyre.
Me rënien e Shkodrës në duart e osmanëve, si shumë bashkëqytetarë, M. Barleci mori rrugët e mërgimit dhe u vendos në Itali. Këtu ai plotësoi shkollimin e vet, u bë njohës i thellë i letërsisë antike e i gjuhës latine dhe u shfaq si një intelektual humanist nga më të shquarit evropianë të kohës. Që në fund të shek. XV, M. Barleci ishte figurë e njohur në jetën kishtare të Padovës. Në një dokument të muajit janar të vitit 1497 ai përmendet si rektor i kishës parokiale të Shën Stefanit në fshatin Plovenar të dioqezës së Padovës dhe si abat në kishën Shën Justina të Padovës. Për vitin e vdekjes së M. Barlecit mungojnë njoftimet. Nëpërmjet të dhënave të tërthorta është arritur në përfundimin se ai ka vdekur më 1512.
Vepra e parë e Marin Barlecit është “Rrethimi i Shkodrës” (De obsidione Scodrensi), e botuar latinisht në Venedik më 10 janar 1504, sipas kalendarit vendas, datë që i përket vitit 1505. I mbështetur në shënimet e në kujtimet e veta si dhe të pjesëmarrësve të tjerë në ngjarjet që rrëfen, libri i kushtohet jetës politike e ushtarake gjatë rrethimit të dytë të Shkodrës më 1478.
Ngjarjet dramatike të Shkodrës gjatë viteve 70 kishin nxitur edhe pena të tjera të shquara që t'i pasqyronin ato. Humanisti i njohur Gjergj Merula botoi më 1474 një rrëfim prej 24 faqesh mbi zhvillimet politike dhe ushtarake në Shkodër gjatë rrethimit të parë. Kjo ngjarje si dhe rrethimi i dytë i Shkodrës, vendosja e shkodranëve në Venedik, episode nga jeta politike e këtij qyteti gjatë shekujve të mesjetës dhe lidhjet e shkodranëve me Venedikun kanë zënë vend në panegjerikun e humanistit shkodran Marin Beçikemi, të botuar më 1503 (ose më 1504) dhe që i drejtohej dukës Loredan Loredanit dhe Senatit të Republikës së Shën Markut. Edhe pse bashkëkohësi dhe bashkëqytetari i të njëjtit fat me M. Barlecin, M. Beçikemi, po ashtu si Gj. Merula, ishin humanistë me emër për kohën; veprat e tyre për ngjarjet e Shkodrës gjatë viteve 70 të shek. XV mbetën të harruara.
Këtyre ngjarjeve u bëri jehonë të gjerë nëpër Evropë vepra e Marin Barlecit “Rrethimi i Shkodrës”. Deri në mesin e shek. XVII ajo njohu 17 botime në gjuhë të ndryshme, si latinisht (5), italisht (7), frëngjisht (4) dhe polonisht (1), shumica e të cilave janë botime në vëllime të përbashkëta me vepra të tjera.
Megjithëkëtë vepra që e ngriti figurën e M. Barlecit në piedestalin e pavdekësisë është pa dyshim “Historia e jetës dhe e bëmave të Skënderbeut” (Historia de vita et gestis Scanderbegi), e botuar në Romë gjatë viteve 1508-1510. Deri në mesin e shek. XVIII kjo vepër njohu jo më pak se 21 botime, në disa gjuhë të Evropës, si latinisht (4), gjermanisht (4), italisht (4), katalonisht (2), portugalisht (1), polonisht (1), si dhe, nëpërmjet një përkthimi të lirë dhe adoptimi të Lavardenit, frëngjisht (4) dhe anglisht (1).
Vepra e fundit e M. Barlecit “Shkurtesë e jetës së papëve dhe të perandorëve” (Compendium vitarum pontificum et imperatorum), botuar në Romë më 1555, nuk pati ndonjë jehonë. Autorësia e tij mbi këtë vepër është e dyshimtë. Vetëm pjesa deri më 1512 e kësaj vepre i është atribuar M. Barlecit, kurse vazhdimi i saj është hartuar nga Andre Engjëlli. Ky duhet të jetë autori i vërtetë i veprës. Është pikërisht kufiri kohor ndërmjet dy pjesëve të veprës që na lejon të caktojmë 1512 si vit të vdekjes së M. Barlecit, themeluesit të historiografisë shqiptare.
Veprat e M. Barlecit “Historia e jetës dhe e bëmave të Skënderbeut” dhe “Rrethimi i Shkodrës”, me botimet e shumta në gjuhë të ndryshme të Evropës, dëshmojnë për nivelin e lartë me të cilin e nisi jetën e vet historiografia shqiptare.
Veprat e M. Barlecit ishin fryt i një pune të gjatë shumëvjeçare. Ato kanë vlera sa historike aq edhe letrare dhe janë shkruar me një stil të shkëlqyer prej humanisti. Për hartimin e tyre ai u mbështet në shënimet e në kujtimet e veta si dhe të pjesëmarrësve dhe të dëshmitarëve të tjerë në ngjarjet që rrëfen. Ky material autentik shumë i pasur u ka dhënë veprave të M. Barlecit vlerën e burimeve historike të dorës së parë e të pazëvendësueshme. Dëshmitë që M. Barleci mblodhi nga burimet e shumta, si një historian i mirëfilltë, i shoshiti dhe i plotësoi me literaturën, që ai gjeti, për t'i lidhur dhe shpjeguar ngjarjet. Megjithëkëtë veprat e M. Barlecit kanë një varg dobësish, që janë karakteristike në përgjithësi për historiografinë humaniste, siç është fryma panegjirike, fjalimet e sajuara që u vihen në gojë heronjve, imitimi i historianëve antikë, si p.sh. i Tit Livit etj. Por vlerat e veprave të tij, si burime historike, janë shumë më të mëdha se dobësitë e tyre. Këtë e dëshmojnë dokumentet e shek. XV, si dhe jetëshkrimi më i hershëm për Skënderbeun, i shkruar gjatë viteve 1481-1482 prej peshkopit të Ulqinit, Martin Segonit nga Novobërda. Jetëshkrimi “Tregim për Gjergj Kastriotin, i quajtur në gjuhën turke Skënderbe, d.m.th. Aleksandri i Madh” (Narrazione di Giorgio Castriotto, da i Turchi nella lingua loro chiamato Scanderbeg, cioè Alessandro Magno) është hartuar nga M. Segoni në disa faqe dhe është shfrytëzuar si dorëshkrim nga disa autorë të vjetër, bashkëkohës me autorin apo më të vonë. Ai u botua për herë të parë më 1981 nga studiuesi italian Agostin Pertusi.
Atdhedashuria e thellë, ndjenja e detyrës për të përjetësuar epopenë shqiptare të shek. XV dhe figurën legjendare të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, e për t'i përdorur ato si shembull e burim frymëzimi në luftën për liri, ishin arsyet që e shtynë M. Barlecin t`i përkushtohej hartimit të veprave mbi historinë kombëtare.
Ngjarjet politike e ushtarake të Shqipërisë së shek. XV, jetën e veprimtarinë e Skënderbeut, rrethimet e Shkodrës etj., M. Barleci i pasqyroi duke ndjekur parimin e zhvillimit kronologjik të tyre. Megjithëkëtë në veprat e tij nuk mungojnë edhe digresionet për të pasqyruar e treguar psikologjinë e botës shpirtërore të shqiptarëve, legjendat e folklorin e tyre, veprimtarinë ekonomike dhe rajonet kryesore të banuara prej shqiptarëve në Ballkan etj. etj. Edhe fjalimet e shumta që janë vënë në gojë të figurave historike, ndonëse nuk janë autentike, tërthorazi pasqyrojnë realitetin historik dhe mendësitë e shqiptarëve bashkëkohës të M. Barlecit.
Veprat e M. Barlecit u bënë drejtpërdrejt ose tërthorazi burimi më i rëndësishëm nga ku patriotët shqiptarë mësonin historinë e epopesë së shek. XV. Ato vazhdojnë të jenë përmendore kushtuar luftës për liri të shqiptarëve nën udhëheqjen e Skënderbeut.
Krahas vlerave të shumanshme burimore e letrare të veprave të veta, M. Barleci ka meritën e madhe që, bashkë me përshkrimin e portretit fizik e moral të Skënderbeut te “Historia e jetës dhe e bëmave të Skënderbeut”, na ka dhënë edhe një gravurë me portretin e tij. Ky portret duhet të përmbajë tiparet karakteristike të fytyrës së Heroit, sepse Barleci këtë vepër ia kushtoi nipit të Skënderbeut, Ferrant Kastriotit, dhe e hartoi në bazë të kujtimeve të bashkëluftëtarëve që ende jetonin, në mendjen e të cilëve ishin të ngulitura mirë tiparet e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut. Pranë portretit të Skënderbeut, në këtë vepër M. Barleci ka dhënë në një gravurë të vogël edhe portretin e vet.
Epopeja shqiptare e shek. XV u përjetësua edhe në vepra historike të tjera prej bashkëkohësve të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut. Njëra ndër to është vepra e Dhimitër Frëngut (1443-1525): “Komentar për punët e turqve dhe të zotit Gjergj Skënderbe, princ i Epirit” (Commentario de le cose de Turchi, et del S. Georgio Scanderbeg, principe di Epyrro).
Dhimitër Frëngu lindi në qytetin e Drishtit dhe ishte kushëri i parë me familjen e njohur fisnike Engjëlli të këtij qyteti. Ai u rrit gjatë epopesë legjendare të Skënderbeut dhe u shkollua si klerik. Dh. Frëngu u lidh ngushtë me Heroin Shqiptar, e shoqëroi atë gjatë viteve 1466-1467 në udhëtimin që bëri në Romë e në Napoli. Me pushtimin e Drishtit prej osmanëve më 1478, Dh. Frëngu emigroi dhe u strehua në Itali. Ai u vendos në rajonin e Venedikut dhe për një periudhë të gjatë shërbeu si famulltar i nderuar në fshatin Brainë, pranë qytetit Trevizo, deri më 1513, kur për arsye të moshës së shtyrë ia liroi detyrën të nipit të tij, Pal Pjetër Engjëlli. Dh. Frëngu vdiq më 1523, në moshën 82 vjeç.
Veprën për jetën e Skënderbeut Dh. Frëngu e shkroi latinisht dhe në frymën e ideve humaniste të kohës. Kjo ishte një përmbledhje, me disa ndryshime të vogla e “Historisë së Skënderbeut” të M. Barlecit, gjë që dëshmon se vepra e themeluesit të hsitoriografisë shqiptare kishte pasqyruar drejt një realitet historik të njohur e të pranuar edhe nga bashkëluftëtarët e afërt të Skënderbeut, siç kishte qenë Dh. Frëngu. Pas vdekjes së këtij, veprën e përktheu italisht i nipi i autorit, Pal P. Engjëlli, dhe ajo u botua anonime për herë të parë më 1539 në Venedik. Interesimi i veçantë, që u tregua për subjektin e kësaj vepre, bëri që ajo të njihte shumë ribotime. Deri më 1679 pati 18 botime italisht, që u bënë në Venedik (me tre tituj të ndryshëm), dhe në mesin e shek. XVI u botua e përkthyer frëngjisht dhe anglisht. Një përkthim rumanisht, i bërë prej një të burgosuri rumun në Milano (1763) dhe që ruhet në dorëshkrim, dëshmon se vepra lexohej me interes edhe gjatë shek. XVIII.
Në krahasim me “Historinë e Skënderbeut” të M. Barlecit, vepra e Dh. Frëngut u përhap më shumë në Itali (sidomos në Venedik, ku u shtypën të gjitha botimet e saj italisht), sepse ishte shumë më e shkurtër, si "një libër xhepi", botimi i të cilit kërkonte shpenzime të pakta, dhe se për të u interesuan pjesëtarë të familjes Engjëlli.
Familja Engjëlli ishte nga të paktët drishtanë që arritën t'u shpëtonin masakrave osmane dhe të vendoseshin në Itali pas pushtimit më 1478 të qytetit të tyre prej osmanëve. Ata jetonin në Venedik, ku kishin zënë një pozitë të dalluar në rrethet kishtare e intelektuale të këtij qyteti dhe ishin vënë në krye të urdhrit fetar të Shën Gjergjit, të lidhur me emrin e familjes së tyre. Ashtu si te shqiptarët e tjerë të emigruar, edhe te pinjollët e familjes Engjëlli u ruajt ndër breza vetëdija kombëtare, ndjenja e atdhedashurisë dhe dëshira për t'u kthyer në Shqipëri. Ishin këto motive që nxitën pjesëtarë të kësaj familjeje të interesoheshin gjatë shek. XVI e XVII për botimin e ribotimin e veprave kushtuar epopesë shqiptare të shek. XV, si dhe të veprave të tjera për të drejtën e trashëgimisë që mëtonin se kishte familja Engjëlli në Shqipëri. Me nxitjen e interesimin e pjesëtarëve të kësaj familjeje u botuan dhe u ribotuan në Venedik e në Romë vepra të tilla, si “Komentari” i Dh. Frëngut (1539), “Shkurtesa e jetës së papëve” e Marin Barlecit (1555), “Privilegjet perandorake për familjen Engjëlli” e Françesk Malvecos (Privilegi imperiali ... a favore della Famiglia Angela, 1626) etj. si edhe “Historia e turqve” e historianit venecian Françesk Sansovinos, (Historia universale dell'origine et Imperio de Turchi, 1560), në të cilën u përfshinë dhe u ribotuan shumë herë gjatë shek. XVI e XVII “Komentari” i Dh. Frëngut dhe “Rrethimi i Shkodrës” i M. Barlecit,
Krahas përkujdesjes dhe interesimit për veprat e mësipërme, Engjëllorët botuan edhe vepra të hartuara prej tyre. Pal Pjetër Engjëlli, shumë vite më parë se ta përkthente italisht dhe ta botonte “Komentarin” e Dh. Frëngut, kishte botuar në Venedik më 1522 një broshurë latinisht të titulluar “Letër drejtuar saracenëve...” (Epistola Pavli Angeli ad Saracenos...), kurse i vëllai, Andrea Engjëlli, botoi në Romë më 1553 veprën “Gjenealogjia e perandorëve romanë dhe konstantinopolitë...” (Genealogia d'imperatori romani et constantinopolitani ...), e cila me disa ndryshime u ribotua shumë herë gjatë shek. XVI e XVII prej tij dhe anëtarëve të tjerë të familjes Engjëlli. Vepra i është kushtuar kryesisht gjenealogjisë së familjes Engjëlli (duke krijuar lidhje të pavërteta të saj me familjet perandorake romake e bizantine), si dhe të familjeve të tjera fisnike shqiptare. Në tërësi veprat e Engjëllorëve kanë vlera të pakta si burime historike për njohjen e shoqërisë shqiptare të shek. XV.
Gjon Muzaka ishte anëtar i njërës prej familjeve më të njohura aristokrate shqiptare. Ashtu si anëtarë të tjerë të familjes Muzaka, ai kishte marrë pjesë aktive përkrah Skënderbeut në luftën kundër pushtuesve osmanë. Pas pushtimit prej osmanëve të kështjellave të fundit shqiptare, si shumë bashkatdhetarë të tjerë, Gj. Muzaka emigroi në Itali dhe u vendos në Napoli. Dëshira për kthimin e familjes së tij në atdhe e nxitën Gj. Muzakën të hartonte më 1510 përkujtesën “Historia dhe gjenealogjia e shtëpisë së Muzakajve” (Historia e Genealogia della casa Musachia) për t'u dhënë bijve të vet njoftime për historinë e familjes dhe për zotërimet që kishin në Shqipëri. E botuar për herë të parë më 1873, kjo përkujtesë, me të drejtë është cilësuar prej zbuluesit të saj, historianit gjerman Karl Hopf, si një "margaritar" për vlerën e veçantë që ka për njohjen e historisë mesjetare shqiptare. Në të gjenden njoftime të rëndësishme për veprimtarinë e aristokracisë shqiptare dhe për marrëdhëniet në gjirin e saj, për organizimin e administratës shtetërore të Shqipërisë gjatë shek. XV dhe formimin e shtetit të Skënderbeut, për toponiminë e shek. XV etj. Ajo dëshmon për njohuritë historike dhe nivelin kulturor relativisht të lartë që kishte pasur aristokracia laike shqiptare e shek. XV, pjesëtar i së cilës kishte qenë Gjon Muzaka.
Fryma atdhetare ka përshkuar tej e mbanë veprat historike të M. Barlecit, Dh. Frëngut dhe të autorëve të tjerë të hershëm shqiptarë. Këto vepra dëshmojnë që periudha e luftës kundër pushtuesve osmanë nën udhëheqjen e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut dhe vetë figura e tij i pasuruan dukshëm traditat tona historike dhe u shndërruan në simbol të luftës për liri e pavarësi. Ato mbetën gjithnjë të gjalla dhe gjatë shekujve që pasuan shërbyen si një burim i pashtershëm frymëzimi në luftën dhe përpjekjet e shqiptarëve për mbrojtjen e interesave kombëtarë.

Alberti
Legjendë
Legjendë

Postime Postime : 41743
Gjinia Gjinia : Male
Anëtarësuar Anëtarësuar : 23/11/2009
Mosha Mosha : 36
Hobi Hobi : Tenisi

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Përpjekjet për rimëkëmbjen e Shtetit Shqiptar. Rëndësia e Epokës së Skënderbeut Empty Re: Përpjekjet për rimëkëmbjen e Shtetit Shqiptar. Rëndësia e Epokës së Skënderbeut

Mesazh nga Alberti Mon 28 Dec 2009 - 5:26

Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, Hero Kombëtar i shqiptarëve (1405-17 janar 1468)

Gjergj Kastrioti-Skënderbeu (1405-17 janar 1468) personifikon një epokë të tërë të historisë kombëtare të shqiptarëve, që mori emrin e tij: luftën më se njëshekullore të tyre kundër vërshimit osman (fundi i shek. XIV - fillimi i shek. XVI) për mbrojtjen e tokës, të pasurisë e të lirisë. Nën udhëheqjen e tij lufta e shqiptarëve u ngrit në një shkallë të lartë e të organizuar, shënoi një kthesë vendimtare në zhvillimin politik të vendit dhe në forcimin e vetëdijes kombëtare të tyre.
Figura e tij paraqet një nga ato raste, jo të shpeshta në histori, kur shtresat e ndryshme shoqërore të një kombi takohen me një personalitet të shquar, në të cilën gjejnë shprehjen e vet aspiratat e vetitë e tyre më të mira dhe që për këtë arsye bëhet simbol i bashkimit kombëtar dhe i luftës së tyre të përbashkët.
Gjergj Kastrioti-Skënderbeu ishte përfaqësuesi më konsekuent dhe më i shquar i elitës drejtuese shqiptare, që udhëhoqi me vendosmëri frontin e luftës së shqiptarëve kundër pushtuesve osmanë. Ai e kuptoi, më qartë se kushdo tjetër, detyrën që shtronte çasti historik: nevojën e bashkimit politik si kusht kryesor për të realizuar mbrojtjen e interesave të të gjitha shtresave shoqërore, të pasura e të varfra, të kërcënuara tashmë prej pushtuesve osmanë në çështjet jetike.
Njohja e thellë e jetës, e botëkuptimit, e traditës dhe e luftës së shqiptarëve kundër pushtimit të huaj si dhe e organizimit të shtetit e të ushtrisë osmane, i dhanë mundësi Skënderbeut të ndërtonte me efektivitet të lartë gjithë veprimtarinë e tij si burrë shteti dhe udhëheqës ushtarak i shquar. Ai arriti në përfundimin se, përballë një pushtuesi të fuqishëm, siç ishte Perandoria Osmane, shqiptarët nuk mund të arrinin në fitore, pa kapërcyer copëtimin politik të vendit në një varg zotërimesh, pa një bazë organizative të qëndrueshme, pa bashkërendimin e mjeteve dhe të burimeve njerëzore, ekonomike, ushtarake e materiale, pa bashkërendimin e të gjitha veprimeve që zhvilloheshin në rrafsh të brendshëm e të këtyre me veprimet e ndërmarra në rrafsh ndërkombëtar. Një nga hapat e parë në këtë drejtim qe themelimi, me nismën e nën drejtimin e tij, i Besëlidhjes Shqiptare të Lezhës, që përbënte të parin bashkim të gjerë politik të shqiptarëve.
Duke njohur zhvillimin e ngjarjeve e perspektivën e tyre, Skënderbeu e kuptoi me kohë se nuk mund të mbrohej vendi, të çliroheshin viset e pushtuara dhe të zhdukej përfundimisht rreziku i pushtimit osman, duke qëndruar mbi bazën e Besëlidhjes Shqiptare si aleancë politike vullnetare, karakteristikë që ajo e kishte pasur në fazën e saj fillestare. Prandaj në gjirin e koalicionit të fisnikëve shqiptarë u krye dora-dorës një zhvendosje në raportin e forcave (që karakterizon etapën e dytë të veprimtarisë së Skënderbeut si burrë shteti), dhe që çoi në fund të viteve 50 në krijimin e një pushteti të vetëm shtetëror për të gjitha viset e lira shqiptare. Ai u bë themeluesi i shtetit të pavarur shqiptar.
Kujdes të veçantë Skënderbeu i kushtoi ruajtjes së burimeve të brendshme ekonomike, mbi të cilat u mbështet lufta. Duke fuqizuar mbrojtjen në brezin kufitar, në lindje e në jug të viseve të lira, ai u dha mundësi nënshtetasve të tij të zhvillonin një veprimtari ekonomike e tregtare deri diku normale. Prandaj, ashtu si më parë, edhe në këto vite vazhduan të eksportoheshin nga portet e Adriatikut drithëra e prodhime të tjera.
Krahas mbrojtjes së vendit, Skënderbeu u kushtoi vëmendje viseve të pushtuara. U mbajtën kështu të gjalla dhe u forcuan më tej lidhjet me banorët e këtyre viseve, gjë që ndikoi në forcimin e bashkimit shpirtëror të shqiptarëve dhe në konsolidimin e mëtejshëm të kombit shqiptar, duke i dhënë mundësi të mbijetojë e të zhvillohet më pas në kuadrin e Perandorisë Osmane.
Procesin e bashkimit të shqiptarëve e favorizoi shumë edhe toleranca e lartë fetare e Skënderbeut. Si i krishterë i rritur në ambientin mysliman, ai qëndroi mbi dallimet fetare. Ai bashkëpunoi ngushtë dhe pa asnjë paragjykim me klerin e riteve të ndryshme dhe dërgoi si ambasadorë të tij në vendet e huaja priftërinj katolikë dhe ortodoksë. Respektimi i besimeve e riteve fetare ndikoi pozitivisht në procesin e bashkimit të shqiptarëve.
Bashkimi shpirtëror i të gjithë popullit shqiptar dhe forcimi i vetëdijes kombëtare të tij, shënonin fitoren më të madhe të epopesë së lavdishme të shek. XV dhe të tërë veprës së Skënderbeut.
Aftësitë e Skënderbeut si burrë shteti spikatën edhe në marrëdhëniet me vendet e tjera. Ai e vlerësoi drejt rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar, si kusht i nevojshëm për të përballuar agresionin osman. Duke patur të qartë se rrezikut osman mund t'i bëhej ballë me sukses vetëm me forca të bashkuara, Skënderbeu iu drejtua pareshtur shteteve evropiane dhe kërkoi pjesëmarrjen e tyre në luftën kundër armikut të përbashkët, si dhe përkrahje materiale për luftën e popullit shqiptar.
Personaliteti i Skënderbeut si burrë shteti është i pandarë nga veprimtaria e tij si udhëheqës ushtarak i talentuar. Në kushtet e pabarazisë, Skënderbeu përpunoi strategjinë dhe taktikën e tij ushtarake, në bazë të së cilës qëndronte mendimi se fitorja nuk mund të varej nga numri i ushtarëve. Këtë parim, të ndjekur prej tij, e shprehin me vërtetësi edhe fjalët që Barleci ka vënë në gojë të Skënderbeut, se "kush nuk është në gjendje ta mundë armikun me një ushtri prej 8 deri 12 mijë vetash, nuk do të mund ta bënte këtë edhe me një ushtri shumë më të madhe".
Në kushtet e epërsisë së theksuar të ushtrive osmane në luftëtarë e në armatime, Skënderbeu për t'i mposhtur ato i mbante në alarm të përhershëm, i shqetësonte me sulme të vogla e të papritura. U priste rrugët e furnizimit dhe, pasi i kishte futur në kurth, i godiste me sulme të fuqishme e të befasishme dhe i shkatërronte përfundimisht. Skënderbeu zbatoi një strategji të mbrojtjes aktive sipas parimit "mbrohu duke sulmuar". Në betejat e ndryshme ai ndërthuri mjeshtërisht operacione të mëdha taktike-strategjike me tërheqje e sulme, me pusi e befasi të luftës guerile.
Personaliteti i Skënderbeut si burrë shteti, strateg e mjeshtër i artit ushtarak dallonte me mbretërit e me princët evropianë të kohës. Ndryshe nga veprimtaria ushtarake e tyre, që bazohej mbi trupat mercenare të armatosura rëndë, Skënderbeu u mbështet mbi një ushtri të armatosur lehtë, me lëvizshmëri të madhe e aftësi të lartë goditëse, të formuar kryesisht nga vullnetarë që kishin gatishmëri luftarake dhe shpirt vetëmohimi. Edhe ai vetë luftonte i pangarkuar me armatime të rënda e me krah të shpërvjelur si një ushtar i zakonshëm. Në betejë ai ishte, në të njëjtën kohë, komandant i talentuar dhe ushtar i guximshëm, që me shembullin e tij bëhej burim frymëzimi për luftëtarët shqiptarë. Edhe në jetën e përditshme Skënderbeu ishte i thjeshtë dhe kohën e kalonte kryesisht me bashkëluftëtarët e tij, duke bërë jetë ushtari.
Skënderbeu gëzonte dashurinë nga bashkëkombësit e vet, jo vetëm sa qe gjallë, por edhe pas vdekjes. Figura e tij mbeti e gjallë në ndërgjegjen e popullit shqiptar si kujtim i asaj lufte që habiti botën me fitoret e saj legjendare dhe u bë krenaria për një të kaluar, të cilën donin ta përsërisnin. Këngët që shqiptarët i thurën Skënderbeut, të cilat i këndonin me krenari edhe përpara pushtuesve, gojëdhënat e lidhura me vendet ku veproi e luftoi ai dhe me vise të tjera të banuara prej tyre, i dhanë atij tiparet e një luftëtari me forca vigane, të pajisur me trimëri të pashoqe, i cili i kalonte caqet e realitetit dhe merrte cilësitë e një figure që mishëronte aspiratat e një populli të tërë për liri e pavarësi.
Kujtimi i Skënderbeut jetoi jo vetëm në zemrën e popullit që e lindi. Ai pati një shtrirje që kalonte kufijtë e Gadishullit të Ballkanit, kishte një rëndësi evropiane. Skënderbeu i detyroi të gjitha kohërat të flisnin për të.
Figura e Skënderbeut ka tërhequr vazhdimisht vëmendjen e ushtarakëve, të burrave të shtetit e në përgjithësi të opinionit publik evropian, të cilët kanë kërkuar të nxirrnin mësime nga përvoja luftarake e shqiptarëve, sidomos kur vendet e tyre luftonin kundër pushtuesve të huaj. Këtu e ka burimin ajo literaturë e shumëllojtë dhe shumëgjuhëshe, që i është kushtuar figurës së këtij Heroi, në të katër anët e botës. Kur vërshimi osman qëndronte si një shpatë mbi Evropën Qendrore, kur në Gadishullin e Ballkanit shpërthyen lëvizjet për çlirimin kombëtar etj., historianët, shkrimtarët e poetët e përdornin figurën e Heroit shqiptar si flamur frymëzues për mobilizimin e popujve të tyre në luftë për liri. Dëshmi e përhershme e vlerësimit dhe e respektit të thellë që kanë popujt e tjerë për Skënderbeun, krahas botimeve të shumta për të, janë sheshet dhe rrugët e Romës, të Parisit, të Brukselit, të Gjenevës dhe të qyteteve të tjera të vendeve të ndryshme, ku janë vendosur monumente e buste të tij ose që mbajnë emrin "Gjergj Kastrioti - Skënderbeu".

Alberti
Legjendë
Legjendë

Postime Postime : 41743
Gjinia Gjinia : Male
Anëtarësuar Anëtarësuar : 23/11/2009
Mosha Mosha : 36
Hobi Hobi : Tenisi

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Përpjekjet për rimëkëmbjen e Shtetit Shqiptar. Rëndësia e Epokës së Skënderbeut Empty Re: Përpjekjet për rimëkëmbjen e Shtetit Shqiptar. Rëndësia e Epokës së Skënderbeut

Mesazh nga Sponsored content


Sponsored content


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi