Klea Love Forum
Klea Love Forum - Welcome
Dituria dhe besimi. People-icon
Mirë se vini në Klea Love Forum, Ju ftojmë që të Regjistroheni, në mënyre që të keni aksese në të gjitha kategorit dhe temat, në Klea Love Forum, mund të gjeni Shoqeri, Filma Shqip dhe të huaj, Muzikën më të re 2013, DVD Humore shqip, Këshilla Mjeksore, Diskutime, Video Klipe, Kuriozitete, dhe Lajmet më të reja nga vendi dhe bota.

KleaLove.com / Staff.


Join the forum, it's quick and easy

Klea Love Forum
Klea Love Forum - Welcome
Dituria dhe besimi. People-icon
Mirë se vini në Klea Love Forum, Ju ftojmë që të Regjistroheni, në mënyre që të keni aksese në të gjitha kategorit dhe temat, në Klea Love Forum, mund të gjeni Shoqeri, Filma Shqip dhe të huaj, Muzikën më të re 2013, DVD Humore shqip, Këshilla Mjeksore, Diskutime, Video Klipe, Kuriozitete, dhe Lajmet më të reja nga vendi dhe bota.

KleaLove.com / Staff.
Klea Love Forum
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Dituria dhe besimi.

4 posters

Shko poshtë

Dituria dhe besimi. Empty Dituria dhe besimi.

Mesazh nga WebMaster Mon 11 Jul 2011 - 10:04

Marrëdhënia ndërmjet diturisë dhe besimit

Më sipër, e diskutuam marrëdhënien ndërmjet humanitetit dhe dimensionit shtazarak të njeriut, që është në të vërtetë marrëdhënia ndërmjet jetës kulturore (ose shpirtërore) të njeriut dhe jetës së tij materiale. Tashmë duhet të jetë e qartë se humaniteti i njeriut është një ekzistencë e pavarur dhe nuk është thjesht një reflektim i dimensionit të tij shtazarak. Është gjithashtu e qartë se dituria dhe besimi janë dy themelet kryesore të humanitetit. Tani të shohim se ç`ndërlidhje ka ndërmjet këtyre dy dimensioneve të njeriut.

Fatkeqsisht, disa pjesë të Dhiatës së Vjetër e kanë krijuar në Krishterim idenë se dituria dhe besimi janë kundërthënëse me njëra-tjetrën. Kjo ide, e cila i ka kushtuar shumë si diturisë ashtu edhe besimit, i ka rrënjët e veta në Dhiatën e Vjetër, në Librin e Zanafillës.

Në pjesët ku përcillet tregimi i Adamit dhe i pemës së ndaluar, në kapitullin e dytë të librit të Zanafillës, vargjet 16 dhe 17 thonë: “Zoti Hyj i urdhëroi njeriut dhe i tha: “Ha prej çdo peme të kopshtit; por prej pemës së dijes - të së mirës dhe të së keqes, ruaj se ha. Sepse, atë ditë që ke për të ngrënë prej saj, do të vdesësh”. © Copyright Kisha Katolike, Kosovë

Më pas, në kapitullin e tretë të Librit të Zanafillës, vargjet 1-7 thonë: “1 Ndër të gjitha egërsirat e fushës që Zoti Hyj krijoi, gjarpri ishte më dinaku. Ky i tha gruas: “Vërtet, Hyji ju urdhëroi që të mos hani prej asnjë peme të kopshtit?”. 2 Gruaja iu përgjigj: “Ne i hamë frutat e pemëve që janë në kopsht; 3 porse për frytin e pemës që është në mes të kopshtit, Hyji na urdhëroi të mos e hamë as të mos e prekim që të mos vdesim”. 4 Porse gjarpri i tha gruas: “Nuk do të vdisni assesi. 5 Madje Hyji e di se kurdo të hani prej saj, sytë tuaj do të hapen e do të bëheni porsi Hyji duke e njohur të mirën e të keqen”.6 Atëherë gruaja pa se pema ishte e mirë për ta ngrënë dhe e bukur për t`u parë dhe pemë e dëshirueshme për të fituar dijen; gruaja mori prej frutit të saj dhe hëngri. Pastaj i dha edhe burrit të vet që ishte me të. Hëngri edhe ai. 7 Atëherë u hapën sytë të dyve. Kur panë se ishin lakuriq, gërshetuan gjethe fiqsh dhe bënë mbështjellës për vete...“ © Copyright Kisha Katolike, Kosovë

Në vijim, në vargun 22 të po këtij kapitulli, thuhet: “22 Atëherë Zoti Hyj tha: “Ja, njeriu u bë gati si njëri prej nesh duke e njohur të mirën e të keqen; tani, pra, s`do të ishte mirë ta shtrijë dorën e të marrë prej pemës së jetës e të hajë dhe të jetojë për amshim”.© Copyright Kisha Katolike, Kosovë

Sipas këtij konceptimi të njeriut, të Zotit dhe të diturisë, Zoti dëshiron që njeriu të mos jetë i vetëdijshëm për të mirën dhe për të ligën. Pema e Ndaluar është pema e diturisë. Sipas kësaj, njeriu e fiton diturinë vetëm nëse rebelohet kundër urdhrave të Zotit (domethënë shfaq mosbindje ndaj mësimeve të fesë e të profetëve). Dhe pikërisht për shkak të këtij rebelimi, ai dëbohet më pas nga Kopshti. Duke u mbështetur në këtë, të gjitha shtysat e liga konsiderohen ato të diturisë dhe arsyeja konsiderohet “djalli” që i shkakton këto gjëra.

Përkundër kësaj, nga Kur`ani mësojmë se Zoti ia mësoi Ademit të gjithë emrat (realitetet) dhe pastaj u urdhëroi ëngjëjve të përkuleshin para tij. Djalli u dëbua ngase nuk pranoi të përkulej para mëkëmbësit të Zotit, i cili tashmë ishte vetëdijesuar për realitetin e gjërave (duke i mësuar emrat). Thëniet e të Dërguarit të Zotit na kanë shpjeguar se Pema e Ndaluar ishte pema e lakmisë, e dëshirave dhe e aspekteve shtazarake të Ademit dhe nuk kishte fare të bënte me dimensionin e tij human. Sipas Islamit, djalli gjithnjë e shtyn njeriun drejt asaj që është kundër arsyes por që ia kënaq epshet. Brenda njeriut, është epshi ai që e përfaqëson djallin dhe jo arsyeja njerëzore. Përkundër kësaj, ajo që mund të shohim tek libri i Zanafillës është vërtet e habitshme.

Është pikërisht kjo mënyrë e konceptimit që e ka ndarë historinë e Evropës së 1500 viteve të kaluara në dy periudha: në atë të besimit dhe atë të shkencës. Me këtë, besimi dhe shkenca janë vendosur përballë njëra-tjetrës.

Në një kontrast të plotë me këtë, historia e kulturës islame është e ndarë në periudhën kur edhe shkenca edhe feja kanë përparuar dhe në periudhën kur të dyja kanë rënë bashkërisht. Andaj, muslimanët duhet të distancohen nga ky konceptim i gabuar, i cili i ka shkaktuar humbje të mëdha diturisë, besimit dhe humanitetit. Muslimanët s`kanë pse ta pranojnë si një fakt të pakundërshtueshëm pretendimin se dituria dhe besimi kundërshtohen ndërmjet veti.

Sugjeroj që tani të bëjmë një studim analitik të kësaj pyetjeje dhe të shohim, në i takojnë këto dy tipare njerëzore (dituria dhe besimi), vetëm një epoke të caktuar dhe të shohim në është njeriu vërtet i dënuar që në çdo epokë të historisë, të jetë një gjysëm-njeri dhe domosdo të vuajë ose nga injoranca ose nga mungesa e besimit.

Siç do të shihet, secila fe mbështetet domosdo në një mënyrë të caktuar të të menduarit dhe në një konceptim të caktuar të kozmosit. Është përtej dyshimit se disa konceptime të kozmosit, ndonse mund të jenë themeli i një besimi, janë të papranueshme për shkak të papërshtatshmërisë së qartë me principet racionale dhe shkencore. Pyetja, pra, është në gjendet një konceptim i kozmosit dhe një interpretim i jetës, i cili është njëherit edhe racional edhe i aftë për të qenë themeli i një feje të pranueshme.

Nëse vërtetojmë se një konceptim i tillë ekziston vërtet, atëherë nuk ka arsye përse njeriu të jetë i dënuar për të vuajtur domosdo ose nga injoranca ose nga mungesa e besimit.

Marrëdhënia ndërmjet diturisë dhe besimit mund të diskutohet nga dy pikëpamje. Njëra pikëpamje është që të kërkohet një fe, e cila përveç që krijon një ndjenjë besimi tek njeriu, është edhe racionale. Paralelisht me këtë, duhet të shihet në bien të gjitha idetë shkencore në kundërshtim me fenë, në e lënë të pashpresë njeriun dhe në krijojnë pesimizëm tek ai. Këtë do ta diskutojmë më vonë, nën kapitullin “Konceptimi i kozmosit”.

Pikëpamja e dytë sipas të cilës mund të diskutohet kjo çështje, është të shohim se si dituria dhe besimi ndikojnë tek njeriu. A thua dituria na tërheq drejt një gjëje të caktuar dhe besimi drejt një gjëje të kundërt? A kërkon besimi të na trajtësojë në një mënyrë që është kundërt me atë të diturisë? Ose mos vallë dituria dhe besimi e përmbushin njëra-tjetrën, për të krijuar një tërësi të harmonishme nga njeriu? Të shohim tani se ç`i jep dituria njeriut dhe ç`i jep besimi!

Dituria i jep njeriut dritë dhe fuqi por besimi ia jep dashurinë, shpresën dhe ngrohtësinë. Dituria ndihmon në shpikjen e mjeteve të reja për përparim dhe me këtë e përshpejton zhvillimin. Por besimi është ai që e përcakton qëllimin e përpjekjeve njerëzore dhe u jep atyre një kahje të caktuar. Dituria e krijon revolucionin e jashtëm por revolucionin e brendshëm e krijon besimi. Dituria e kthen botën në një botë të njeriut, kurse besimi e kthen jetën e tij në një jetë prej njeriu. Dituria e zgjeron në rrafshin horizontal ekzistencën e njeriut por besimi, e lartëson ekzistencën e tij në boshtin vertikal. Dituria i edukon temperamentet njerëzore por besimi e reformon njeriun. Edhe dituria edhe besimi i japin fuqi njeriut. Por fuqia e dhënë nga dituria është e përkohshme dhe e pjesshme, ndërkohë që fuqia e dhënë nga besimi është e vazhdueshme. Edhe dituria edhe besimi janë një bukuri. Por ndërsa dituria e zbukuron arsyen dhe mendimin, besimi i zbukuron shpirtin dhe ndjenjat. Edhe dituria edhe besimi i falin siguri njeriut. Por ndërsa dituria i fal një siguri të jashtme, besimi i fal këtë së brendshmi. Ndërsa dituria i fal mbrojtje nga katastrofat natyrore, nga përmbytjet, nga tërmetet dhe nga stuhitë, besimi e mbron njeriun nga dëshpërimi, nga vetmia, nga pasiguria dhe nga mendimet e liga. Dituria e harmonizon botën me njeriun, kurse besimi e harmonizon njeriun me veten e tij.

Nevoja e barabartë e njeriut për besimin dhe për diturinë, e ka tërhequr vëmendjen e shumë mendimtarëve, qofshin ata fetarë ose sekularë. Dr.Muhammed Ikbali thotë:

“Sot njerëzimit i duhen tri gjëra: një interpretim spiritual i universit, një emancipim shpirtëror i individit dhe principe themelore të një rëndësie universale, të cilat do ta drejtojnë evolucionin e shoqërisë njerëzore mbi themele shpirtërore.

Evropa moderne vërtet ka ndërtuar një sistem realist duke u mbështetur në këto gjëra, por përvoja tregon se e vërteta e zbuluar nga arsyeja e pastër është e paaftë për t`ia falur personit atë zjarr të bindjes që mund t`ia falë vetëm Shpallja. Ky është shkaku përse arsyeja ka patur aq pak ndikim mbi njeriun, ndërsa feja gjithmonë i ka lartësuar individët dhe i ka transformuar shoqëritë. Idealizmi i Evropës kurrë nuk u bë një faktor i gjallë në jetën e banorëve të saj dhe pasoja e saj ishte vetëm një ego perverse, e cila e kërkon vetveten nëpërmjet demokracive që s`e durojnë dot njëra-tjetrën dhe detyra e të cilave s`është tjetër veçse shfrytëzimi i të varfërve në interes të të pasurve. Sot Evropa është pengesa më e madhe e njerëzimit për të arritur një përparim në rrafshin etik. Muslimanët në anën tjetër, i kanë këto ide falë një shpalljeje, e cila flet nga thellësitë e jetës. Për muslimanin, themeli shpirtëror i jetës është një bindje, për të cilën ai mund ta sakrifikojë edhe vetë jetën.” (Rindërtimi i mendimit fetar në islam)

Will Durant, autori i mirënjohur i veprës “Historia e civilizimeve”, edhe përkundër të qenit një njeri jofetar, ka thënë:

Bota e lashtë dallonte nga bota moderne e makinave, vetëm përnga metodat dhe jo përnga qëllimi. Ç`do të thoshit sikur të kuptohej se i gjithë përparimi ynë përbëhet nga përmirësimi i metodave dhe i mënyrave dhe jo nga përmirësimi i qëllimeve? (Kënaqësitë e filozofisë, fq.240)

Sërish, Durant-i ka thënë:

Pasuria është e mërzitshme, kurse arsyeja dhe urtësia janë si një dritë e zbehur. Është vetëm dashuria e cila me një butësi të papërshkrueshme i ledhaton zemrat. (Kënaqësitë e filozofisë, fq.114)

Tashmë është e qartë se këndvështrimi dhe edukimi i pastër shkencor nuk mund të krijojnë një njeri të plotë. Një proces i tillë mund të prodhojë vetëm një gjysëm-njeri, një material të papërpunuar plotësisht. Një proces i tillë mund të krijojë një qenie të fuqishme, të shëndetshme dhe njëdimensionale por kurrë nuk mund të krijojë një individ të virtytshëm dhe shumëdimensional. Të gjithë e kanë të qartë tashmë se epoka e dominuar vetëm nga shkenca ka përfunduar dhe se shoqërisë i kanoset një vakum idealist. Disa njerëz duan të mbushin këtë vakum me filozofi, kurse disa të tjerë duan ta bëjnë të njejtën nëpërmjet letërsisë, artit dhe shkencave humane.

Edhe në vendin tonë (flitet për Iranin), ka përpjekje për ta mbushur këtë vakum idealist nëpërmjet letërsisë dhe në veçanti duke e përdorur letërsinë mistike të Mevlanasë, të Sa`diut dhe të Hafizit. Por ajo që harrojnë personat që përpiqen ta bëjnë këtë, është se vetë kjo letërsi është frymëzuar nga feja dhe se shpirti i saj human që e bën aq tërheqës, është thelbësisht islamik. Në të kundërt, si është e mundur që letërsia moderne, edhe përkundër pretendimeve se është humaniste, është aq pa shije dhe pa një shpirt që do ta tërhiqte lexuesin? Në të vërtetë, përmbajtja humaniste e letërsisë sonë mistike është një pasojë e konceptimit islamik të universit dhe të njeriut.

Po t`u hiqet shpirti islam këtyre veprave, nuk mbetet asgjë përveç një forme të zbrazur.

Will Durant është njëri nga ata që e vërejnë këtë vakum. Ai është i mendimit se letërsia, filozofia dhe arti duhet ta mbushin atë dhe thotë: “Dëmtimi i bërë shkollave dhe universiteteve tona është kryesisht për shkak të teorisë së Spencerit në lidhje me arsimimin, e cila e ka definuar arsimimin si përpjekjen për ta sjellë njeriun në harmoni me mjedisin e tij. Ky definicion është i pajetë dhe mekanik dhe buron nga një filozofi, e cila e përkrah superioritetin e mekanikës. Çdo shpirt dhe çdo mendje kreative është e padëshiruar në këtë mes.

Pasoja e kësaj është që shkollat tona janë të mbushura me shkenca mekanike dhe me teori, ndërkohë që kanë mbetur krejtësisht pa letërsi, pa histori, pa filozofi dhe pa art, ngase këto të fundit konsiderohen të pavlera. Një arsimim që është vetëm shkencor nuk mund të prodhojë tjetër veçse mjete. Ky sistem i arsimimit e largon njeriun nga e bukura dhe e bën të huaj për urtësinë. Do të ishte shumë më mirë për botën sikur Spencer-i të mos kishte shkruar asnjë libër.” (Kënaqësitë e filozofisë, fq.168,169)

Është tejet befasuese që Will Durant-i, ndonse e pranon se ky vakum është në rradhë të parë një vakum idealist që buron nga një lloj mendimi i gabuar dhe nga mungesa e besimit në qëllimet humane, prapëseprapë mendon se problemi mund të zgjidhet nga cilado gjë jomateriale, qoftë ajo edhe vetëm imagjinare. Ai mendon se historia, arti, estetika, poezia dhe muzika janë të afta për ta mbushur këtë vakum që buron nga thellësitë e instinktit njerëzor të të kërkuarit të një ideali dhe të një përsosmërie.

A është e mundur që dituria dhe besimi t`ia zënë vendin njëra-tjetrës?

Kemi shpjeguar se ndërmjet besimit dhe diturisë nuk ka kundërthënie. Përkundrazi, këto dy gjëra e përmbushin njëra-tjetrën. Pyetja që parashtrohet në vijim, është: A munden ato t`ia zënë vendin njëra-tjetrës?

Kjo pyetje nuk ka nevojë të analizohet thellësisht sepse tashmë i kemi shpjeguar rolet e diturisë dhe të besimit. Është më se e qartë se dituria nuk mund ta zëvendësojë besimin, i cili sjell dashuri dhe shpresë përkrah dritës dhe fuqisë. Besimi i “emancipon” dëshirat njerëzore dhe përveç kësaj, i ndihmon njeriut që ta kuptojë qëllimin e tij, e largon egoizmin dhe individualizmin nga dëshirat dhe idealet njerëzore dhe i vendos të njejtat mbi themelet e dashurisë dhe të marrëdhënieve morale dhe shpirtërore. Përveç të qenit një mjet në duart e tija, besimi është një faktor që e ndryshon esencën e njeriut.

Po kështu, edhe besimi nuk mund t`ia zërë vendin diturisë, e cila na afron me natyrën, na i zbulon ligjet e saja dhe na bën më të vetëdijshëm për veten tonë.

Përvoja historike ka treguar se ndarja e besimit dhe e diturisë ka shkaktuar dëme të pariparueshme. Besimi duhet të identifikohet nëpërmjet dritës së diturisë, e cila do ta shpëtojë besimin nga përzierja me mitet. Një besim pa dituri përfundon në stagnim dhe në paragjykime të verbra dhe si i tillë, nuk i shërben asnjë qëllimi. Atje ku nuk ka dituri, besimi i njerëzve bëhet një mjet një duart e hipokritëve dinakë. Shembullin e kësaj mund ta shohim në rastin Harixhitëve të epokës së hershme të Islamit. Shembuj të tjerë mund të shihen në forma të ndryshme në periudhat vijuese dhe madje edhe sot.

Në anën tjetër, një dituri pa besim është si shpatë e mprehtë në duart e një mizori të dehur. Ajo është llamba në duart e një vjedhësi, për t`i ndihmuar t`i vjedhë gjërat më të vlefshme. Kjo është arsyeja përse nuk ka fare dallim ndërmjet njeriut injorant të të kaluarës që nuk kishte besim dhe njeriut të ditur të të sotmes, të cilit gjithashtu i mungon besimi. Në fund të fundit, ç`është dallimi ndërmjet një Churchilli, Johnsoni, Nixoni ose Stalini të sotëm dhe Faraonit, Xhingiz Kanit ose Atillës së djeshëm?

Ngase dituria është dritë po aq sa është edhe fuqi, mund të themi se ajo nuk ka një përdorim ekskluzivisht të jashtëm. Dituria mund ta ndriçojë edhe botën tonë të brendshme dhe të na japë fuqi për ta ndryshuar atë. Nga kjo mund të arrijmë në përfundimin se dituria mund ta krijojë njeriun brenda njeriut, po aq sa është e aftë të krijojë një botë për njeriun. E gjithë kjo është e saktë. Problemi qëndron në faktin se dituria është vetëm një mjet, përdorimi i të cilit varet nga vullneti njerëzor. Çfarëdo që njeriu dëshiron të bëjë, mund ta bëjë më mirë me ndihmën e diturisë. Ja përse themi se dituria është e dobishme në arritjen e qëllimeve dhe në kalimin e shtegut që njeriu e zgjedh për veten e tij.

Është e qartë se mjetet zgjidhen për të arritur një qëllim të paracaktuar. Pyetja kritike është: Si duhet të caktohet qëllimi?

Siç kemi thënë, përnga natyra e tij biologjike, njeriu është një kafshë. Aspekti i tij human është një cilësi që arrihet më pas. Me fjalë të tjera, potencialet humane të njeriut duhet të kultivohen dhe të zhvillohen gradualisht nëpërmjet dritës së besimit. Me natyrën e tij shtazarake, njeriu lëviz drejt qëllimeve vetjake, materiale dhe individualiste. Për t`i arritur, ai i përdor të gjitha mjetet që i ka në dispozicion. Njeriu, pra, ka nevojë për një forcë të brendshme që nuk do të jetë as qëllimi i tij dhe as mjeti për ta arritur këtë qëllim. Ai ka nevojë për një forcë që do t`i japë energji të brendshme dhe që do ta kthejë në vepra talentin e tij. Ka nevojë për një forcë që do të shkaktojë një revolucion në vetëdijen e tij dhe që do t`i japë një orientim të ri.

Kjo detyrë nuk mund të kryhet nga zbulimet shkencore dhe nga njohja e ligjeve të natyrës. Ajo mund të kryhet vetëm nëse rëndësia dhe shenjtëria e disa vlerave të caktuara është e ngjizur në shpirtin njerëzor. Për këtë arsye, njeriu duhet të ketë disa qëllime të shenjta që do të burojnë nga një mënyrë e caktuar e të menduarit dhe nga një konceptim i caktuar i universit dhe i njeriut. Këta konceptime dhe përmbajtja e dimensioneve të ndryshme të tyre nuk mund të krijohen në laboratore dhe janë përtej spektrit të shkencës.

Historia e lashtë dhe moderne ka treguar qartë se çfarë pasojash sjell ndarja e diturisë nga besimi. Atje ku kishte besim por nuk kishte dituri, përpjekjet humane të njerëzve ose ishin të përqëndruara në çështje jo fort frytdhënëse ose nuk sollën rezultate dhe aq të mira. Këto përpjekje ishin zakonisht burime paragjykimesh e pengesash dhe shumë shpesh, shkaktuan konflikte tejet të dëmshme.

Atje ku ka patur dituri por ka munguar besimi, siç ndodh me disa shoqëri moderne, e gjithë forca e diturisë është përdorur për t`i shërbyer kauzës së fitimit të pushtetit, të mbledhjes së pasurisë dhe të kënaqjes së lakmisë për fuqi, shfrytëzim dhe nënshtrim të të tjerëve.

Dy tre shekujt e kaluar mund të konsiderohen si epoka ku shkencës i është kushtuar kujdesi maksimal, ndërkohë që besimi është shpërfillur. Shumë intelektualë ishin të bindur se të gjitha problemet njerëzore mund të zgjidheshin nëpërmjet shkencës por përvoja e ka vërtetuar të kundërtën. Sot nuk ka asnjë intelektual që e mohon faktin se njeriu ka nevojë për ndonë lloj besimi. Dhe sikur të mos jetë një besim fetar, ky besim është i dënuar të jetë ultra-shkencor. Bertrand Russell është një njeri me pikëpamje materialiste. Por megjithatë, ai pranon se: “Një punë, qëllimi i të cilës është fitimi, nuk mund të sjellë rezultate pozitive. Për këtë qëllim, njeriu duhet të zgjedhë një profesion, i cili mbjell brenda tij një besim individual, një arsye dhe një qëllim.” (Martesa dhe morali, fq.102, Londër 1929)

Materialistët e sotëm janë të detyruar të pretendojnë se janë filozofikisht materialistë dhe se janë idealistë në aspektin moral. Me fjalë të tjera, ata thonë se janë materialistë në këndvështrimin teorik të çështjes por spiritualistë përnga këndvështrimi praktik dhe përnga idealizmi. Pyetja se si mund njeriu të jetë teorikisht një materialisht dhe praktikisht një spiritualist qëndron akoma dhe është një pyetje të cilës ata duhet t`i përgjigjen.

George Sarton, një shkencëtar i mirënjohur dhe autor i veprës “Historia e shkencës”, duke e përshkruar pamundësinë e shkencës për t`i humanizuar marrëdhëniet njerëzore dhe duke e theksuar nevojën urgjente të njeriut për forcën e besimit, shkruan: “Në disa lëmi, shkenca ka bërë përparime të mrekullueshme. Por në lëmitë e tjera që kanë të bëjnë me marrëdhëniet e ndërsjella njerëzore, për shembull në lëminë e politikës kombëtarë dhe ndërkombëtare, ne akoma jemi duke qeshur me veten tonë...”

George Sarton pranon se besimi i nevojshëm për njeriun është besimi fetar. Në lidhje me nevojën e njeriut për treshen e artit, fesë dhe shkencës, ai thotë: “Arti e zbulon të bukurën dhe është hareja e jetës. Feja do të thotë dashuri dhe është muzika e jetës. Shkencë do të thotë arsye dhe kjo është vetëdija e njerëzimit. Neve na nevojiten të trija, si arti dhe feja, ashtu edhe shkenca. Shkenca është një nevojë absolute por kurrë nuk mund të jetë e mjaftueshme si e vetme.” (Gjashtë krahë: njerëz të shkencës në Renesansë, fq.218; Londër 1958)
WebMaster
WebMaster
Fondatori i Forumit
Fondatori i Forumit

Vendbanimi Vendbanimi : Ku te dua un
Postime Postime : 98857
Gjinia Gjinia : Female
Anëtarësuar Anëtarësuar : 11/01/2009
Mosha Mosha : 45
Hobi Hobi : Të përballoj jetën

http://www.klealove.com

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Dituria dhe besimi. Empty Re: Dituria dhe besimi.

Mesazh nga Neutral_ne_politike Mon 11 Jul 2011 - 10:28

Lexova te teren dhe mua personalisht me la mbrese pozitive. Te lumte, Klea, qe ndave kete artikull me ne.
Neutral_ne_politike
Neutral_ne_politike
I/e Regjistruar
I/e Regjistruar

Vendbanimi Vendbanimi : Malmë
Postime Postime : 343
Gjinia Gjinia : Male
Anëtarësuar Anëtarësuar : 02/07/2011
Mosha Mosha : 33
Hobi Hobi : Fifa -futboll-

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Dituria dhe besimi. Empty Re: Dituria dhe besimi.

Mesazh nga WebMaster Mon 11 Jul 2011 - 10:31

Thjeshte edhe un kur e lexova mbeta me pelqej jasht mase si shkrim ..
WebMaster
WebMaster
Fondatori i Forumit
Fondatori i Forumit

Vendbanimi Vendbanimi : Ku te dua un
Postime Postime : 98857
Gjinia Gjinia : Female
Anëtarësuar Anëtarësuar : 11/01/2009
Mosha Mosha : 45
Hobi Hobi : Të përballoj jetën

http://www.klealove.com

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Dituria dhe besimi. Empty Re: Dituria dhe besimi.

Mesazh nga Docteur Mon 11 Jul 2011 - 10:45

paske lexu kete gje por vallai me pas lexu kaq shume isha ba njesh ne shkolle
Docteur
Docteur
V.I.P Anëtarë
V.I.P Anëtarë

Vendbanimi Vendbanimi : Ne Afrike
Postime Postime : 5764
Gjinia Gjinia : Male
Anëtarësuar Anëtarësuar : 09/05/2011
Hobi Hobi : Ngacmime

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Dituria dhe besimi. Empty Re: Dituria dhe besimi.

Mesazh nga Anakonda Tue 21 Feb 2012 - 18:57

E pse te besojme,kur askush sbeson tek ne.
Anakonda
Anakonda
V.I.P Anëtarë
V.I.P Anëtarë

Vendbanimi Vendbanimi : Australia
Postime Postime : 31717
Gjinia Gjinia : Female
Anëtarësuar Anëtarësuar : 02/12/2011
Mosha Mosha : 34
Hobi Hobi : Once Upon A Time

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Dituria dhe besimi. Empty Re: Dituria dhe besimi.

Mesazh nga Sponsored content


Sponsored content


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi