Klea Love Forum
Klea Love Forum - Welcome
“Banda e Durrësit”, dy të vrarë brenda tre ditësh People-icon
Mirë se vini në Klea Love Forum, Ju ftojmë që të Regjistroheni, në mënyre që të keni aksese në të gjitha kategorit dhe temat, në Klea Love Forum, mund të gjeni Shoqeri, Filma Shqip dhe të huaj, Muzikën më të re 2013, DVD Humore shqip, Këshilla Mjeksore, Diskutime, Video Klipe, Kuriozitete, dhe Lajmet më të reja nga vendi dhe bota.

KleaLove.com / Staff.


Join the forum, it's quick and easy

Klea Love Forum
Klea Love Forum - Welcome
“Banda e Durrësit”, dy të vrarë brenda tre ditësh People-icon
Mirë se vini në Klea Love Forum, Ju ftojmë që të Regjistroheni, në mënyre që të keni aksese në të gjitha kategorit dhe temat, në Klea Love Forum, mund të gjeni Shoqeri, Filma Shqip dhe të huaj, Muzikën më të re 2013, DVD Humore shqip, Këshilla Mjeksore, Diskutime, Video Klipe, Kuriozitete, dhe Lajmet më të reja nga vendi dhe bota.

KleaLove.com / Staff.
Klea Love Forum
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

“Banda e Durrësit”, dy të vrarë brenda tre ditësh

Shko poshtë

“Banda e Durrësit”, dy të vrarë brenda tre ditësh Empty “Banda e Durrësit”, dy të vrarë brenda tre ditësh

Mesazh nga WebMaster Wed 19 Oct 2011 - 21:32

Pas vrasjes së Marsel Sotirës, “Banda e Durrësit” merr një periudhë “pushimi”. Pothuajse të gjithë anëtarët largohen nga Shqipëria për në Itali. Lulzim Berisha ndodhet në Gjermani ku është i arrestuar për një procedim ndërsa Klodjan Saliu, pasi kthehet nga Italia, arrestohet i akuzuar për vrasjen e Sotirës. Në këtë kohë bandës i shtohen anëtarë të rinj si Bujar Gashi apo Endrit Dokle, i cili do të marrë një rol kryesor vite më vonë, pas vrasjes së Klodjan Saliut. Më poshtë pjesë nga dosja

“Nga fundi i vitit 1999 e kryesisht nga fillimi i vitit 2000 organizatës kriminale i bashkohet një anëtarë i ri, e konkretisht bashkëpandehuri Bujar Gashi nga qyteti i Durrësit. Në fillim të vitit 2000, shtetasi i vrarë Klodjan Saliu kthehet nga Italia në qytetin e Durrësit ndërsa i pandehuri Lulzim Berisha pasi vjen në Durrës rikthehet përsëri në Itali, e pasi shkon atje arrestohet nga policia Italiane dhe ekstradohet në drejtim të Gjermanisë ku po procedohej për trafikim dhe shpërndarje të lëndëve narkotike. Në qytetin e Durrësit rreth shtetasit Klodjan Saliu rrinin anëtarët e organizatës kriminale si Adriatik (Dritan) Coli, Indrit Taullai, Plaurent Dervishaj, Endrit Dokle si dhe Bujar Gashi e shtetas të tjerë. Në këto kohë vihej re një ftohje midis tij dhe të pandehurit Plaurent Dervishaj për të cilën do të ndalemi më poshtë. Vrasja e shtetasit Marsel Sotira në vitin 1999 si drejtuesi kryesor i grupimit kundërshtarë kishte krijuar një farë lehtësimi e superioriteti për grupimin kriminal të drejtuar nga shtetasi Klodjan Saliu, pasi Lulzim Berisha ndodhej i izoluar në burgjet Gjermane. Por megjithatë bashkëpunëtorët e shtetasit të vrarë Marsel Sotira si Erion Lame, Alban Selishta, Dritan Disha, etj rigrupoheshin me njëri-tjetrin e me shtetas të tjerë në Durrës duke krijuar dukshëm një grupim përsëri të rrezikshëm. Në këtë situatë, më datë 06.07.2000 rreth orës 20.00 vritet shtetasi Mehmet Saliu.

Organizata kriminale e drejtuar prej shtetasit Klodjan Saliu në analizë të të gjitha veprimeve të kryera nga autori i kësaj ngjarje, lëvizjeve të tij, karakteristikave trupore, etj si dhe nga të dhënat e tyre konfidenciale arrijnë në konkluzionin se vrasja është kryer nga grupimi kundërshtar i tyre, e konkretisht nga shtetasi Erjon Lame. Banda vendosi të hakmerrej dhe për këtë vrasje dhe u përcaktua personi i përshtatshëm nga grupimi kundërshtarë për tu vrarë. Si i përshtatshëm në përzgjedhjen e organizatës u gjet shtetasi Dritan Disha. Ky shtetas ishte aktiv ndër anëtarët e grupimit kundërshtarë, kishte siguruar disa të ardhura nga shpërndarja e lëndëve narkotike, kishte filluar një aktivitet privat, etj.

Pasi u vendos të vritej shtetasi Dritan Disha, organizata planifikoi vrasjen e tij në një ditë simbolike të vrasjes së shtetasit Mehmet Saliu, e konkretisht ditën e tretë të varrimit të tij, më datë 09.07.2000. Për të realizuar këtë vrasje shtetasi Klodjan Saliu ndau detyrat, ku i pandehuri Bujar Gashi u ngarkua të ruante të gjitha lëvizjet e shtetasit Dritan Disha e të mbante me informacione rreth këtyre lëvizjeve atë. Si ekzekutor të kësaj vrasje shtetasi Klodjan Saliu caktoi të pandehurit Adriatik (Dritan) Coli e Endrit Dokle, ndërsa si bashkërendues të veprimeve caktoi të pandehurin Indrit Taullai. Më datë 09.07.2000, Klodjan Saliu thërret bashkëpunëtorët e tij Adriatik (Dritan) Coli, Endrit Dokle, Indrit Taullai e Bujar Gashi në shtëpinë e tij në lagjen Spitallë e jep udhëzimet e fundit për vrasjen. Në këtë shtëpi bashkëpandehurit Endrit e Adriatik pastrojnë dy armë automatike tip kallashnikov, të cilat do të përdoreshin për të realizuar vrasjen e shtetasit Dritan…

Endrit Dokle e Adriatik (Dritan) Coli nisen me armë në dorë për tek vendi ku do të goditej viktima Dritan, ndërsa i bashkëpandehuri Bujar dhe i pandehuri Indrit Taullai qëndrojnë në vend për të paralajmëruar ardhjen e viktimës Dritan. Pas disa çastesh, viktima Dritan Disha rikthehet me makinën e tij tip ”BMË” në drejtim të shtëpisë së tij e pasi vihet re nga i pandehuri Bujar e bashkëpandehuri Indrit, ky i fundit qëllon një herë në ajër me pistoletë duke njoftuar kështu shokët e tij të bëhen gati për të vrarë viktimën Dritan. Sapo makina e viktimës është afruar vendit ku ishin pozicionuar të pandehurit Endrit e Adriatik dhe ka marrë djathtas për të hipur mbi urën që e dërgonte në drejtim të shtëpisë së tij, është qëlluar me armë zjarri nga dy drejtime. Kështu të pandehurit Adriatik (Dritan) Coli e Endrit Dokle qëlluan me dy armët e tyre automatike të tipit “kallashnikov” në drejtim të viktimës Dritan Disha, i cili ishte në timon dhe i vetëm në makinë. Nga këto goditje me armë zjarri, makina që drejtohej nga viktime në urë pëson një devijim djathtas dhe përfundon me kokë në kanal. Bashkëpandehuri Adriatik (Dritan) Coli ka përdorur dy krehra me fishekë në drejtim të viktimës dhe pasi është siguruar ai dhe bashkëpunëtori i tij Endrit Dokle se objektivi i tyre u realizuar janë larguar me vrap nga vendi i ngjarjes.





Coli: Si e vrava Dritan Dishën

Në lidhje me këtë vrasje Adriatik Coli ka shpjeguar se ka qëlluar vetë me urdhër të Saliut. Më poshtë pjesë nga dëshmia: “Indrit Taullai me Bujar Gashin do shkonin për të dhënë sinjal, ndërsa në pritë isha unë me Endrit Doklen. Indrit Taullai tha do shkojmë 200 metra larg dhe kur të dëgjoni të shtënën time, do shtini. U pozicionuam unë tek cepi i kangjellave të parkingut të makinave. Endrit Dokle u pozicionua 10-20 metra larg meje dhe ndenjëm 20-30 minuta duke pritur që të vinte Dritan Disha. Desha të them se Dritan Disha kur kishte dalë me makine BMË 760 jeshile, këtë na e konfirmoi Bujar Gashi lart te shtëpia e Klodit para se të niseshim. Pas gjysmë ore vjen Dritan Disha me makinë. Ishte vetëm tek pullë. Ai po afrohej tek ne, dëgjuam të shtënën e Indrit Taullait. Kur u afrua 20 metra afër meje, para se të futej te kthesa i kam gjuajtur unë. I kam gjuajtur unë karikatorin e parë, plumbat i morri në krahun e majtë, në krahun e shoferit. 4-5 metra, para se të futej në kthesë i qëlloi ballë për ballë dhe Endrit Dokle, doli në xhade dhe filloi të gjuante. Ora ka qenë 9 e ca e darkës. Pasi gjuajti Endriti makina hyri ne kthese, iu pre timoni dhe ra në kanal. Pasi mbaroi karikatori i Endritit, kam mbushur karikatorin e dytë dhe i kam shkuar afër makinës, një metër larg. Ai ndodhej në pozicionin e shoferit me pamje nga shtëpia e vet, i kam zbrazur gjysmë karikatori në trup. Makina e Dritanit ra me turi në kanal, i cili ishte pa ujë. Kanali ndodhej në krahun e djathtë të shtëpisë së Dritanit. Gjysma e trupit të makinës ishte jashtë, gjysma brenda. Më pas u nisëm, ikëm bashkë me Endrit Doklen, ikëm në këmbë. Armët i hodhëm në kanal..”.





Arrestimi i Klodian Saliut për tre vrasje

“Situata në organizatën kriminale që drejtohej efektivisht nga Klodjan Saliu pasi Lulzim Berisha ishte i arrestuar në Gjermani për trafikim të lëndëve narkotike nuk do të vazhdojë gjatë pasi më datë 12.09. 2000, në orën 12.00 shtetasi Klodjan Saliu ndalohet si i dyshuar se kishte kryer veprat penale të vrasjes së shtetasve Viron Curri e Arjan Paja si dhe plagosjen e shtetasit Marsel Sotira me date 29.10.1998 si dhe vrasjen e shtetasit Dritan Disha me date 09.07.2000 në qytetin e Durrësit. Pas këtij ndalimi dhe sigurimit të provave në ngarkim të tij, për organizatën kriminale filluan telashet me drejtësinë. Në këtë situatë, organizata kriminale përqendroi aktivitetin e saj në dy drejtime: Së pari, korruptimi nëpërmjet dhënies së ryshfetit në sasi të mëdha të gjithë personave që kishin të bënin me çështjen në ngarkim të tyre pa hezituar korruptimin deri në nivelet më të larta të dhënies së drejtësisë në vend po të kemi këtu në konsideratë deklarimet e të pandehurit Adriatik Coli për këtë rast. Së dyti, nëpërmjet kërcënimit, shantazhimit dhe rrëmbimit të dëshmitarëve që kishin dijeni për aktivitetin e tyre kriminal. Së treti, në fshehjen, zhdukjen dhe manipulimin e provave.

Në këtë kuadër të veprimtarisë së organizatës kriminale vjen rrëmbimi dhe mbajtja peng e dëshmitares V.J (vajza që futi në kurth Marsel Sotirën) nga data 01.12.2000 deri në muajin qershor 2002 ku organizata kriminale “triumfon” pasi edhe pse dosja penale në ngarkim të shtetasit Klodjan Sali kishte prova të mjaftueshme për ta deklaruar fajtor për vrasjet e mësipërme, ai shpallet i pafajshëm e lirohet nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës, vendim, i cili pason shkallët e tjera të gjyqësorit sipas mënyrës që i pandehuri Adriatik Coli ka deklaruar në seancë gjyqësore. E dëmtuara V.J rrëmbehet nga i pandehuri Indrit Taullai më datë 01.12.2000 në Tiranë dhe dërgohet në shtëpinë e tij të vjetër në qytetin e Durrësit në lagjia Nr.15, Spitallë, Durrës. Në këtë shtëpi kjo shtetase mbahet nga i pandehuri Indrit Taullai e Endrit Dokle deri në muajin qershor 2002 kohë në të cilën del nga burgu Klodjan Saliu”.





Vrasja e Erion Lames në qendër të Durrësit

Në datë 14.01.2002, të pandehurit Endrit Dokle e Adriatik Coli të armatosur Endriti me armë zjarri “skorpions” ndërsa i Adriatiku me armë zjarri pistoletë prodhim rus “markarov”, pasi sinjalizimeve të marra se shtetasi Erion Lame ndodhej në lokalin e dëshmitarit L.M në qëndër të qytetit Durrës në të errësuar i zënë pritë. Vendi ku mendohej nga të pandehurit të kalonte viktima me makinë është pjesë e rrugës automobilistike. Viktima del nga lokali dhe me makinën e tij tip “Benz” merr rrugën sheshi i bashkisë në drejtim të vendit ku ishin në pritë dy të pandehurit. Sapo makina e viktimës është afruar vendit ku ndodheshin dy të pandehurit, ka qëlluar në drejtim të tij me armën automatike tip “skorpios” i pandehuri Endrit Dokle, i cili ishte në krahun e majtë. Si rezultat i goditjes së kryer nga i pandehuri Endrit Dokle makina e viktimës ndalon shpejtësinë dhe humbet kontrollin e makinës e si pasojë makina me pjesën ballore godet një shtyllë elektrike që gjendej anës rrugës automobilistike. Në këtë moment i pandehuri Adriatik Coli tenton ti hapë derën për ta goditur, por nuk arrin dhe në këto kushte e qëllon me pistoletë dy herë në xhamin e parë. Si rezultat i këtyre goditjeve viktima Erion e hap vetë derën e makinës dhe rrëzohet përtokë. Të pandehurit Endrit Dokle e Adriatik Coli pasi sigurohen se shtetasi Erion Lame ka vdekur largohen nga vendi i ngjarjes dhe rrugës hedhin armët e përdorura në këtë vrasje. Në vijim i pandehuri Endrit Dokle shkon në shtëpinë e shtetasit Klodjan Saliu ku dhe rrinte shumicën e kohës, ndërsa i pandehuri Adriatik Coli në shtëpinë e tij. Policia e qytetit Durrës në bazë të të dhënave për konfliktet e grupimeve rivale shoqëron atë natë në polici për tër të pyetur të pandehurin Adriatik Coli e familjen e tij, të pandehurin Indrit Taullai, shtetasin J.P dhe pas disa ditësh edhe të pandehurin Endrit Dokle pasi atë natë nuk e kishin gjetur.



Dëshmia e Colit për vrasjen e Lames

Në lidhje me këtë vrasje, vetë Coli ka treguar se sherri mes Dokles dhe Lames ka nisur për një shikim të shtrembër me makinë. Në një moment Lame ofrohet të ulen në tryezë dhe të pinë një “kafe sqaruese”, por Dokle i përgjigjet se nuk e do një gj të tillë. Në këtë moment Lame i thotë që herën tjetër që do takohen do t’i këpusin kokën njëri-tjetrit.

“Unë bashkë me Endritin biem dakord për ta vrarë Erion Lamen, sepse Erion Lame siç kisha marrë vesh kishte shtirë mbi mua në vitin 1998. Erion Lamen e ruajmë tek shtëpia që e ka te 30 Dhjetori. I zëmë pritë përballë apartamentit në darkë vonë. Këtë gjë nuk e kemi bërë vetëm në një rast, por në shumë raste… Endriti qëlloi me skorpions. Makina ndalon shpejtësine dhe i bie shtyllës elektrike me turi. Unë i shkoj afër, i hap derën që ta qëlloj. Dera nuk u hap. I dal përballë dhe i shtie dy herë makinës se Erionit. Shtiva drejt xhamit përballë. Në atë moment Erioni e hap derën e vet dhe rrëzohet përtokë…”.





Lidhja e Erjon Lames me Alban Danin

Vrasja e Erjon Lames rikthen në skenë një emër të njohur të drejtësisë shqiptare, Alban Danin. Si pjesë e bandës së “Rrugës së kavajas”, Dani është akuzuar për vrasjen me snajper të Ilir Bardhit brenda burgut 313 në Tiranë, por hetimi i tij nuk vazhdoi më tej pasi u vra në Durrës. Sipas prokurorisë, më datë 16.03.2000 është vrarë shtetasi Alban Dani në qytetin e Durrësit dhe po në këtë ngjarje është plagosur edhe shtetasi Erion Lame, i cili mbante me vete edhe një armë zjarri pa leje për të cilën është deklaruar fajtor më vonë nga gjykata. Shtetasi Alban Dani rezulton të jetë lidhje shoqërore e grupit të drejtuar nga shtetasi Marsel Sotiri, etj, kundërshtarë të “Bandës së Durrësit”. Shtetasi Alban Dani emërohet në të njëjtën ditë (me datë 11.09.1998) së bashku me shokun e tij Ilir Bardhi dhe shtetasit Marsel Sotira, Viron Curri e Bledar Zefi si inspektor pranë sektorit të anikondrabandës në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganve Tiranë me përgjegjës shtetasin Marsel Sotira. Pas plagosjes së shtetasit Marsel Sotira e vrasjes së shtetasit Viron Curri me datë 29.10.1998, si shtetasi Marsel ashtu dhe shtetasit Alban Dani, e Ilir Bardhi largohen nga detyra ( me datë 15.01.1999). Pas vrasjes së shtetasit Dritan Sallaku më datë 17.10.1998, i cili ishte bashkëpunëtorë i shtetasit Marsel Sotira, rezulton se bashkëpunëtori më i ngushtë i shtetasit Alban Dani, shtetasi i vrarë Denis Gina interesohet tek dëshmitarët D.Gj e G.B lidhur me makinën e përdorur për të lëvizur autorët e vrasjes.



“Miss Skrapari”: Si futa në kurth Marsel Sotirën

Vrasja e Marsel Sotirës është kryer vetëm në sajë të përdorjes së një vajze të re si karrem. Vetë vajza e etiketuar si “Miss Skrapari”, ka rrëfyer si u rekrutua nga Klodjan Saliu dhe momentet e fundit të jetës së Marsel Sotirës. Më poshtë pjesë nga dëshmia e vajzës:

“…kujtoj se në muajin Shkurt të vitit 1999 familje ime u transferua nga Çorovoda për në qytetin e Durrësit. Në atë kohë isha 17 vjeç. Pas një muaji që kisha shkuar në Durrës, një shoqe më prezantoi me një shokun e saj nga Spitalla me emrin Klodian Saliu, i cili në atë kohë ishte i moshës rreth 23 vjeç. Kur ishim vetëm Klodi më propozoi që të lidhesha me të dhe unë për momentin i kërkova pak kohë, pastaj do t’i jepja përgjigje. Që atë ditë Klodi vinte pothuajse përditë te lagja ime dhe priste përgjigje. Unë pranova propozimin e Klodit dhe filloi lidhja…. Klodi më tha se kishte biseduar me shokët e tij, por nuk më tha se me kë dhe aty më hap muhabetin se si do të vriste Marsel Sotirën. Ai më tha se kemi bërë plan që të çojmë ty në plazh të Durrësit, ti e bën, dhe atje do të njihesh me Marselin. Pasi të njihesh, ti do të na e nxjerrësh në shteg atë duke u bërë si e dashura e tij dhe ne do ta vrasim.

Ai më porositi që me të të kisha shumë kujdes, dhe të mos i bija në sy atij se isha e futur nga ndonjë person. Po kështu ai më porositi që kur ta njihja Marselin si person ti bëja ndonjë provokim femëror dhe pastaj të lidhesha me të. Fillimisht unë nuk pranova por ai më kërcënoi… Ai më tha se do të merrte një shtëpi me qera në zonën e plazhit për mua dhe familjen time dhe unë duhej tu thosha prindërve që të shkonim 15 ditë në plazh, si dhe mos tu tregoja për vrasjen e Marselit. Kohën që kemi bërë këtë bisedë unë kujtoj se ka qenë fund Qershori ose fillim korriku 1999. Unë Marselin nuk e njihja fizikisht dhe Klodi më solli një fotografi shumë të vjetër ku Marseli kishte dalë me dy shokët e vet të cilët unë nuk i njihja. Në atë fotografi Marseli kishte dalë me një xhup meshini të zi, flokë të gjata të drejta, me trup të dobët dhe fytyrë të imët, ku ai kishte pak mustaqe dhe mjekër..

. Unë akoma nuk e kisha fiksuar për fytyrë se kush ishte Marseli. Pasditen e asaj dite dola vetëm me motrën dhe kemi shkuar tek Pista dhe aty vjen përsëri ai djali që donte të më paguante ujin. Në atë çast unë isha ulur me motrën dhe po pinim kafe dhe ky personi i tha kamarierit i cili nuk ishte ai djali nga Skrapari por një tjetër se ato kafe janë të paguara nga unë, por ne në atë kohë nuk pranuam që të paguheshin nga ai dhe i paguam vetë. Pas kësaj ne u ngritëm dhe dolëm dhe kur ishim në dalje të pistës ky personi na u afrua me një makinë të markës “Audi”me ngjyrë të kuqe, zbriti nga makina dhe duke mu drejtuar mua më tha që e kam me ty. Unë i thashë fol ç`ke për të thënë se do iki në shtëpi. Ai mu prezantua duke më thënë se quhej Marsel Sotiri, jam 25 vjeç dhe me origjinë nga Fieri. Mbas këtij prezantimi u prezantova dhe unë, duke i thënë se quhesha V.J, prezantova motrën dhe i thashë se ishim me origjinë nga Skrapari…

Në një moment unë pata shumë frikë dhe isha gati ti tregoja Marselit që mund ti përgatisnin një kurth, por nuk guxova pasi nga ana tjetër kisha frikë nga Klodiani pasi nëse dilte gjë edhe ai mund të më vriste. Ne ikëm të dy për tek shtëpia e Marselit me makinën “Audi” të cilën ai e futi për në garazh dhe pastaj u ngjitëm lart dhe pamë shtëpinë. Në shtëpi nuk kishte njerëz dhe ne qëndruam pak aty dhe unë insistova që të largoheshim pasi bëhej merak motra dhe ai pranoi duke më thënë mirë se takohemi nesër… Lamë “Audin” dhe u nisëm me B.M.W për në shtëpi dhe si gjithmonë i dolëm nga rruga që unë kam thënë më sipër. Meqë ai ndërroi makinë mua më zuri frika se mos Marseli kishte kuptuar ndonjë gjë.

Kur mbërritëm në shtëpi e para zbriti motra e cila u largua pak më tutje, kurse unë në makinë qëndrova pak më tepër me Marselin duke u përqafuar dhe në kohën që unë i thosha atij se do të iki dhe hapja siguresën e dyerve ai mi mbyllte ato menjëherë. Më pas unë i thashë atij se po na priste motra dhe ai më tha mirë se po të përcjell unë, në këtë çast mori dhe pistoletën me vete. Kur dolëm nga makina unë i thashë Marselit që të bënim një xhiro deri tek shinat e trenit të cilat nuk ishin më larg se 10 metra nga shtëpia ime dhe kur shkuam atje dëgjuam një si kërcitje bidoni plastik.

Aty menjëherë Marseli më tha nëse dëgjova ndonjë zhurmë, kurse unë i thashë jo pasi më zuri frika se mos kishin ardhur Klodi me shokët për të bërë vrasjen e tij dhe nga ky moment unë i thashë Marselit ik se nata është e frikshme, ai në këtë moment më puthi dhe e lamë për tu takuar të nesërmen. Unë u futa në oborr të shtëpisë dhe nuk kisha hyrë akoma brenda saj dhe aty gjeta motrën me kalamajtë dhe me plazhistët e tjerë që rrinin tek shtëpia jonë, kur në këtë moment dëgjoj krisma dhe breshëri armësh jo më larg se 10 metra nga ku isha unë. Në këtë çast mendova se Klodi me të tjerët e kishin vrarë Marselin dhe nga frika hyra brenda në shtëpi pa parë se ç’po ndodhte jashtë saj. Faktikisht mua nuk më vajti mendja që Marselin do ta vrisnin aq shpejt, pasi nuk dija as kohën dhe as vendin se kur do të bëhej vrasja e tij…

Dua të them se Marseli ditën që u vra kishte veshur një këmishë me mëngë të shkurtra dhe me disa cerka të bardha dhe një palë pantallona të gjata si ngjyrë bezhë ose kafe. Marseli ishte i gjatë rreth 1.90 m me trup atleti, kishte flokë ngjyrë gështenjë në të hapur dhe po kështu kishte dhe tiparet. Ai ishte bardhosh nga fytyra dhe trupi… Ditën e nesërme të vrasjes mua më ka ardhur në shtëpi vëllai i Klodit, Shkëlqim Saliu dhe më ka thënë se do të vi Klodi në darkë dhe do të takojë. Shkëlqimi ishte vëllai i madh i Klodit dhe ishte rreth 35 vjeç, me trup mesatar, nuk ishte i gjatë. Klodi erdhi në darkë dhe më takoi mua dhe më tha se do ti kërkonte familjes sime që ne të dy të iknim në Itali për një jetë më të mirë dhe do të jetonim bashkë.



Shfrytëzimi në Itali

Në deklarimin e datës 27.09.2006 V.J. ka deklaruar si për ikjen në Itali, shfrytëzimin e saj për prostitucion nga i pandehuri Indrit Taullai, etj, pastaj rikthimin në Shqipëri në vitin 2000. Në vijim ajo ka vazhduar duke deklaruar se si është rrëmbyer e mbajtur peng nga të pandehurit Indrit Taullai e Endrit Dokle nga muaji dhjetor 2000 deri në vitin 2002. Lidhur me ikjen e saj në Itali pas vrasjes së Marsel Sotirës, shfrytëzimin e saj për prostitucion në Itali e më pas kthimin e saj në Shqipëri në vitin 2000.



Vrasja e Sotirës, duke përdorur si karrem një vajzë

Punonjësi i Doganave, Marsel Sotira ishte një pengesë që duhet të kalohej medoemos nga Banda e Durrësit. Ai i kishte shpëtuar një atentati dhe më pas kishte marrë hak duke vrarë dy anëtarë të bandës. Që nga ajo ditë ai lëvizte me makina të blinduara dhe ruhej. Në këto kushte banda vë në zbatim një goditje perfekte duke përdorur si karrem një vajzë të re simpatike, e cila duhet të nxirrte viktimën në pritë. Vajza e njohur si “Miss Skrapari”, nën kërcënimin e Klodian Saliut, nxjerr në pritë Sotirën, i cili vritet me 271 plumba. Më poshtë pjesë nga dosja e prokurorisë për ngjarjen:

“…Me vrasjen e shtetasit Eduart Ongari organizata kriminale e drejtuar nga Lulzim Berisha e Klodjan Saliu rimerr veten nga shoku i shkaktuar nga vrasjen e shokëve të tyre Ilir Xhunga e Arben Paja, por për ta ekzistonte rreziku potencial se Marsel Sotira e grupimi i tij do të hakmerrej ndaj tyre. Në këto kushte mendojnë për të vrarë shtetasin Marsel Sotira si personin që paraqiste më shumë rrezik ndaj tyre. Për shkak se kishin dështuar një herë me datë 29.10.1998 lidhur me vrasjen e shtetasit Marsel Sotira, tani mendohej më me seriozitet dhe dredhi vrasja e tij. Për të realizuar vrasjen e shtetasit Marsel Sotira organizata kriminale mendon t`i bëjë një pabesi atij nëpërmjet mashtrimit me anë të një vajze e për këtë u vendos dëshmitarja V.J.

Dëshmitarja V.J ishte një vajzë e re e sapoardhur me familjen e saj në qytetin e Durrësit në gjendje të vështirë ekonomike, por nga paraqitja simpatike e tërheqëse, e cila kishte marrë pjesë edhe në një konkurs bukurie në qytetin e saj të lindjes Çorovodë, ku ishte vlerësuar për këto cilësi. Kjo dëshmitare vihet re nga i pandehuri Klodjan Saliu dhe nëpërmjet një shoqeje të saj takohen së bashku fillimisht për kafe e më pas krijojnë një lidhje miqësore. Që në fillim të kësaj lidhje shtetasi Klodjan Saliu kishte si qëllim përdorjen e saj si karrem për të nxjerrë në pritë Marsel Sotirën. Pas disa kohë njohjesh, Klodjan Saliu ia ofron në një bisedë qëllimin e tij, por ajo e kundërshton. Në këto kushte shtetasi Klodjan Saliu në mënyrë të vazhdueshme për disa ditë i ushton dhunë fizike e psikologjike nga më të ndryshmet derisa dëshmitarja i nënshtrohet vullnetit e dëshirës së tij.

Duke qënë se Marsel Sotira, pas plagosjes së datës 29.10.1998 lëvizte me mjete të blinduara dhe bënte lëvizje të kufizuara, i kishte shtuar vështirësitë për vrasjen e tij. Po në këtë drejtim vështirësi paraqiste edhe vendndodhja e tij pasi ai shumicën e kohës e kalonte te pista në Plazh, Durrës në administrim të bashkëpunëtorëve të tij, afër së cilës kishte filluar të ndërtonte edhe një shtëpi banimi. Të gjendur në këto kushte organizata kriminale e drejtuar nga Lulzim Berisha e Klodjan Saliu vendosën të vrasin Marsel Sotirën në afërsi të plazhit ku ai rrinte duke përdorur si karrem dëshmitaren V.J. Për të realizuar këtë skenar organizata planifikoi të përdorë dy shtëpi në afërsi të plazhit ku rrinte Marsel Sotira. Njëra shtëpi i duhej atyre për të sjellë dëshmitaren me familjen e saj në plazh që veprimi i saj të ishte i kamufluar, ndërsa shtëpia e dytë i duhej afër të parës që të fshiheshin e të godisnin në befasi Marsel Sotirën. Shtëpia ku do të vinte dëshmitarja dhe familja e saj për plazh u gjet në afërsi të unazës së plazhit sipër shinave të trenit të destinuar për të bërë plazh në afërsi të pistës. Afër kësaj shtëpie, në vijë ajrore rreth 250 metra, ngjitur me unazën e plazhit u gjet banesa tjetër, e cila do të shërbente për strehimin e atyre që do të kryenin vrasjen e shtetasit Marsel Sotira.

Dëshmitarja V.J fillimisht bisedon me motrën e saj, dëshmitaren G.C duke i treguar për situatën në të cilën ndodhej e pasi e bind këtë të fundit ta ndihmojë pasi gjendeshin të kërcënuara për jetën e tyre dhe të familjes në tërësi, i kërkon familjes të shkojnë në plazh më datë 16.08.1999. Që nga kjo kohë e deri në 21.08.1999 dëshmitarja kishte arritur të takonte shtetasin Marsel Sotira dhe ta joshte sipas porosive të dhëna nga shtetasi Klodjan Saliu. Plani kriminal sipas parashikimeve po iu jepte rezultatin e pritur kështu me datë 22.08.1999 vendosin për ta vrarë shtetasin Marsel Sotira. Për këtë të pandehurit Lulzim Berisha, Plaurent Dervishaj, Indrit Taullai e shtetasi i vrarë Klodjan Saliu shkojnë në shtëpinë e dëshmitares Zh.F që në orët e drekës së datës 21.08.1999 dhe fshihen brenda banesës së saj. Në këtë banesë shkon më datë 22.08.1999 edhe i pandehuri Adriatik Coli i thirrur prej tyre ku të gjithë së bashku flasin lidhur me mënyrën se si do ta vrasin shtetasin Marsel Sotira. Ata në këtë banesë kishin sjellë një arsenal të madh armësh nga arma automatike kallashnikov e deri te kundratanku pasi kishin informacion që shtetasi Marsel lëvizte i armatosur dhe me makinë të blinduar. Pasi marrin informacion se dëshmitarja V.J gjendej me shtetasin Marsel Sotira në lokal afër pistës dhe se një natë më parë ai e ka shoqëruar me makinë deri në afërsi të shtëpisë ku rrinte me familjen në plazh, ata në të errësuar të datës 22.09.1999 nisen nga shtëpia e dëshmitares për t’i zënë pritë në afërsi të shtëpisë ku do të vinte dëshmitarja. Coli kishte marrë urdhër të qëndronte diku sipër urës dhe pas vrasjes së Marselit do të bllokonte rrugën e unazës me automatik deri sa shokët e tij të hipnin në makinën e tij e të niseshin për në drejtim të qytetit Durrës. Pas pak shtetasi Marsel Sotira sjell me makinën e tij tip “BMV” të blinduar dëshmitaren V.J për në shtëpinë ku rrinte e sapo ndahet prej saj ai qëllohet me armë zjarri nga shumë drejtime dhe vritet…”.

Largimi nga vendi i ngjarjes

“Menjëherë pas goditjeve me armë të pandehurit Lulzim Berisha e Plaurent Dervishaj shkojnë për në drejtim të urës dhe vendit ku po i priste i pandehuri Adriatik Coli, i cili me automatik kishte bllokuar lëvizjet në rrugën e unazës së plazhit. Ata pasi interesohen për shokët e tyre Indritin e Klodjan dhe shikojnë se ata po vonohen, nga frika të rrinin në pritje të tyre largohen së bashku me të pandehurin Adriatik Coli, i cili ishte në timonin e makinë. Pas tyre po në këmbë largohen edhe i pandehuri Indrit Taullai e shtetasi Klodjan Saliu. Në vendin e ngjarjes autorët kanë lënë disa armë zjarri të cilat janë sekuestruar me cilësinë e provës materiale”.

Rrëmbimi i vajzës

“Dëshmitarja V.J merret nga shtetasi Klodjan Saliu me qëllim ruajtjen e jetës së saj. Kjo dëshmitare për afro një muaj mbahet e fshehur dhe më pas dërgohet me anije si klandestine në Itali. Atje shfrytëzohet për prostitucion nga i pandehuri Indrit Taullai e kushëriri i tij deri nga fundi i muajit shtator 2000”.

Coli: Çfarë di për vrasjen e Sotirës

Në lidhje me këtë ngjarje, i penduari Adriatik Coli ka thënë: “Sa u errësua dëgjoj të shtënat që vinin poshtë shinave te trenit, ku ishte shtëpia. Zbres poshtë, dal e marr automatikun dhe bllokoj rrugën. Pas pesë minuta të shtimesh kthehet Lul Berisha me automatik në dorë bashkë me Plaurentin që nuk kishte armë në dorë. Atë kohë i them Lulit, ku është Klodi? Ai thërret dy herë Klodi, Klodi. Nuk kthen kush xhevap, e thotë hip në makine. Dal në timon, i jap makinës… Të nesërmen dal poshtë në rrugë, në lagjen time. Shoh afishen e të vdekurit, shoh emrin e Marsel Sotirit që kishte vdekur… Në lidhje me vrasjen: Luli e kishte më afër Marselin, Indriti e Klodi më larg. Luli ishte me Plaurentin në një ferrë. Kur ishte afruar afër makinës i ka shti Klodi me Indrit Taullain në fillim. Klodi i ka shti me mitraloz të lehtë me fishekë kallashnikovi, Indriti me automatik. Kur ka dëgjuar të shtimet e para Marseli është futur në makinë për ta ndezur, aty ka shti Plaurent Dervishi me “Kolinov “dhe Lul Berisha me automatik. Këto i mësova nga Lul Berisha, Klodiani, Indriti e Plarenti. Makina ka qenë e ndaluar sepse po përcillte B. te shtëpia e saj. Marseli ishte në këmbë. Klodi e Indriti e kanë pasur makinën përballë dhe plumbat kishin kapur në motor dhe anash derës, tek gomat, tek dyert. Makina nuk ishte e ndezur. Marseli del jashtë dhe shtin 5 herë me pistoletë. Mundohet të iki. Kur ishte munduar të ikte, Marseli ka kaluar një gardh, tip muri. Aty i ka shti Indrit Taullai, ai ishte i fundit. Pastaj bashke me Klodin, që ka marrë kundratankun, mbasi janë i kishin mbaruar fishekët, ka shkuar për të kontrolluar zonën se ku është…”

Krisja e parë e bandës

Adriatik Coli rrëfen për herë të parë momentin e krisjes mes Lulzim Berishës dhe Klodjan Saliut. “Kur u kthyen pasi kishin qëlluar Marselin, Taullai dhe Saliu kishin kërkuar për Lulin, por ai kishte ikur. Ata thanë: Si na e bëri Luli këtë gjë. Kështu që kur kthehem nga Italia, Klodi kthehet në Qershor të vitit 2000, më thërret te shtëpia. U futëm te kuzhina dhe më pyet për ngjarjen e Marsel Sotirit si ndodhi që iket dhe unë i shpjegova. Klodi bindet që ja kishin me të futur Lul Berisha dhe Plaurenti…”.

Lulzim Berisha: Nuk kam lidhje me vrasjen e Sotirës

Mbrojtja e Lulzim Berishës kundërshton implikimin e tij në episodin e katërt ku akuzohet për vrasjen e shtetasit Marsel Sotira, të ndodhur në datën 22.08.1999 në unazën e plazhit Durrës. Sipas mbrojtjes, përveç dëshmisë së Adriatik Colit, dëshmitarja kryesore e ngjarjes nuk e përmend në asnjë rast Berishën. Vaza që nxorri në kurth Sotirën, V.J ka përshkruar ngjarjen me detaje, por ajo në asnjë rast nuk ka përmendur Lulzim Berishën. Madje edhe në gjykatë ka deklaruar se nuk e njeh. “Dëshmitarja ka shpjeguar se në të gjithë këtë ngjarje ka vepruar nën urdhrat e Klodian dhe Shkëlqim Saliut dhe se nuk e njihte Lulzim Berishën dhe se ka qene po Klodian Saliu, që në mënyrë të dhunshme e ka nisur për në Itali. Megjithatë mbi pyetjen e drejtpërdrejte të bërë nga Lulzim Berisha, kjo dëshmitare u përgjigj në gjykatë se nuk e njihte. Në dëshminë e saj të datës 24.05.2010 ajo shpjegon se nuk i njeh as të pandehurit Dervishi dhe Taullai”,- thuhet në mbrojtjen e Lulzim Berishës.

“Në dëshminë e saj në Gjykatën e Durrësit, bashkëpunëtorja e drejtësisë ka rikonfirmuar faktin që nuk ka njohur Lulzim Berishës dhe që ajo nuk është shfrytëzuar për prostitucion dhe nuk është mbajtur peng nga i pandehuri Indrid Taullai, dhe që të gjitha deklarimet e dhëna nga Valbona Jaho para policisë gjyqësore janë bërë në presionin e të ndjerit Arjan Saliu. Ai e ka nxitur të denoncoje sa ka deklaruar dhe se dëshmitaret G.C dhe F.J kanë dhënë dëshmi në këtë gjykim mbi bazën e atyre rrethanave që kanë mësuar nga e motra dhe vajza e tyre… Risia e kësaj dëshmie është fakti se i mbrojturi prej meje është implikuar në fazën e hetimeve paraprake nga ana e saj për shkak të presionit të bërë nga shtetasi Arjan Saliu, i cili pas vrasjes së të vëllait i ka kërkuar që të bëjë deklarime implikuese për Lulzim Berishën…”,- thotë mbrojtja.

“Banda e Durrësit”, dy të vrarë brenda tre ditësh Deshmitari-i-penduar-adriatik-coli
WebMaster
WebMaster
Fondatori i Forumit
Fondatori i Forumit

Vendbanimi Vendbanimi : Ku te dua un
Postime Postime : 98857
Gjinia Gjinia : Female
Anëtarësuar Anëtarësuar : 11/01/2009
Mosha Mosha : 46
Hobi Hobi : Të përballoj jetën

http://www.klealove.com

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi