Liri Berisha: Jeta ime mes sfidës, pasionit e dashurisë
2 posters
Faqja 1 e 1
Liri Berisha: Jeta ime mes sfidës, pasionit e dashurisë
Liri Berisha, bashkëshortja e kryeministrit të Shqipërisë ka ardhur dje, në një rrëfim ekskluziv e plot ngjyra për emisionin “Arratia e Peshkut të Kuq”, që transmetohet çdo të shtunë në ekranin e “News 24”, nën drejtimin e gazetares Rezarta Reçi.
Bashkëshortja e liderit të mazhorancës, në intervistën e dhënë, veç jetës private, të cilën do ta gjeni edhe sot në faqet e “Gazeta Shqiptare”, ka ndarë me shikuesit punën e saj të përditshme, që lidhet drejtpërdrejtë me fëmijët. Profesioni si pediatre, duket se e ka bërë që të mos ndahet kurrë prej tyre. Një fondacion i krijuar enkas për fëmijët nga Domenico Scalione, drejtohet prej zonjës Berisha që prej vitit 2005-së. Sakaq, këtë vit është kurorëzuar me sukses një projekt gjigant, në krye të të cilit qëndron pikërisht ajo. Një qendër kushtuar fëmijëve autikë, më e madhja e këtij lloji në Ballkan. Pikënisjen për krijimin e kësaj qendre tha se e ka marrë nga profesori i nderuar Anastas Suli, por si shtysë kryesore ajo tregoi se kishin shërbyer prindërit, të cilët kanë qenë vazhdimisht në kërkim të një zgjidhjeje për fëmijët e tyre...
Duke lënë mënjanë përditshmërinë, zonja Berisha ka rrëfyer për gazetaren Rezarta Reçi, edhe jetën e saj përpara martesës, fëmijërinë, lidhjen e ngushtë me prindërit, ku ka veçuar marrëdhënien me të atin. Sakaq, ajo ka treguar njohjen e saj me djalin që u bë shoku i jetës së saj, e njëkohësisht kryeministër i shqiptarëve. Sakrificat, momentet e bukura dhe të vështira, emocionet e të bërit nënë, gjyshe, si dhe orët e sadisfaksionit, që ia dhurojnë vetëm nipërit dhe mbesat që aq shumë i do...
Çfarë pëlqeni dhe vlerësoni në natyrën tuaj?
Ndoshta qetësinë me të cilën zgjidh një pjesë të problemeve, them se duhet të jetë një avantazh.
Çfarë ju lumturon?
Nuk ka një situatë të vetme që më lumturon, disa momente, disa situata. Më lumturon shumë lindja e një fëmije, festat familjare, kurorëzimi me sukses i projekteve profesionale, mirënjohja, një peizazh i bukur, një melodi e bukur. Kam pasur fatin të kem një profesion që mund të them se më ka lumturuar gjithë jetën time, pasi lidhet me lindjen e fëmijës, me rritjen e tij, me dashurinë që të jep pjesa më e sinqertë dhe më e pastër e jetës që është fëmija.
Ka gjëra që ju trishtojnë?
Sigurisht, më trishton humbja e njerëzve dhe dëshpërimi i njerëzve që kam pranë. Më dëshpëron pafuqia për të ndihmuar dikë që kërkon ndihmën time.
Sa i shtrenjtë është loti për ju?
Loti peshon shumë dhe më frikëson. Loti në sytë e njerëzve, kur është lot dhimbjeje është shumë i rëndë.
Ku e ka bazën optimizmi juaj për jetën?
Tek vetë jeta, tek dashuria për jetën.
Çfarë i pëlqeni dhe i vlerësoni të jetuarit?
Jetës i pëlqej larminë e saj. Jeta është sikur ecën në një rrugë të larmishme, në të cilën duhet të përballesh me sfida dhe përpjekje. Të mësosh dhe asnjëherë nuk mund të thuash që kjo është një deja vu, gjithmonë je në një rrugë, je në nxënie, je në moshën që gjithmonë duhet të fitosh diçka prej saj.
Cilën do të cilësonit si arritjen tuaj më të madhe?
Çdo përgjigje që do jepja është një fotografi e jetës. Unë jam udhëtare akoma në këtë jetë dhe mendoj se kjo pyetje ndoshta do të ketë përgjigje pak më vonë.
Pasionet tuaja?
Pasionet janë të shumta. Pasioni i parë është pa diskutim profesioni, të cilit i jam përkushtuar me shumë dashuri gjithë jetën time. Kam dashur gjithmonë letërsinë, muzika më pëlqen shumë, festat familjare, sigurisht të udhëtoj dhe mund të them që gjatë gjithë ditës, edhe kur punoj, edhe kur studioj, edhe kur eci në makinë, më pëlqen të dëgjoj muzikë.
A mund të na zbuloni një ëndërr tuajën në sirtar? Sirtari juaj mund të ketë shumë ëndrra, po një ëndërr të madhe, e keni realizuar?
Faktikisht, në sirtar të gjithë kanë shumë ëndrra dhe e rëndësishme është që këto ëndrra të dalin dhe të realizohen. Unë mund të them, që një pjesë e mirë e ëndrrave të jetës sime janë realizuar. Nëse bëhet fjalë për ëndrra të mbetura, po kam, jo një, po mund të kem dy, ose më shumë. E para ka qenë dëshira e madhe për të pasur më shumë se sa dy fëmijë, por them se ndoshta këtë dëshirë do të ma plotësojnë fëmijët dhe një ëndërr e dytë ka qenë,- e kam dashur shumë letërsinë,- të kisha bërë një fakultet letërsie, por ka qenë e pamundur. Në rast se bëhet fjalë për ëndrra në të ardhmen, kam një ëndërr që do të filloj të punoj për ta realizuar. Po e lë surprizë, por gjithsesi ka të bëjë me misionin tim në fondacion.
Zonja Liri, çfarë është dashuria për ju dhe a mund të na rrëfeni historinë e dashurisë me atë që më pas u bë bashkëshorti juaj?
Dashuria është një ndjenjë e brendshme, personale, që secili e shpreh në mënyrë po aq personale. Mendoj që të jep siguri, të jep fuqi, të jep kurajë, të motivon. Është një ndjenjë që njeriu gjatë gjithë jetës, e ndërton, e ruan, e riparon. Historia ime e dashurisë, mund të them që është një histori si e shumë grave të jetuara në vitet e mia. Është një dashuri që nisi në bazë të një respekti dhe një njohjeje relativisht të gjatë. Filloi një ditë dhe po vazhdon akoma. Është një dashuri, ia kemi treguar njeri-tjetrit pas martesës shpesh herë me shumë pasion, ia kemi treguar fëmijëve tanë me shumë dashuri, tani ua tregojmë mbesave me nostalgji. Është një ndjenjë e bukur, një ndjenjë që siç e thashë dhe në fillim duhet të ruhet, të ngelet e pastër.
A mund të dimë ndonjë hollësi rreth historisë suaj të dashurisë?
Mendoj se e kam treguar aq shpesh, saqë pothuajse të gjithë e dinë.
Çfarë ju pëlqeu tek ai djalë, që më pas u bë i dashuri dhe bashkëshorti juaj dhe ai çfarë pëlqeu tek ju?
Se çfarë pëlqeu ai tek unë, e merrni në intervistë Saliun për ta pyetur, por çfarë më goditi për herë të parë, ndoshta ka qenë zëri. Ka pasur një zë shumë kumbues. Pastaj e kam njohur dhe si të thuash, më ka bërë përshtypje mënyra e komunikimit. Ka qenë njeri me shumë vullnet. Vullneti është ndoshta një nga cilësitë më të veçanta të Saliut, zgjuarsia, karakteri, pastaj kanë ardhur të gjitha pjesët e tjera gradualisht.
Çfarë ka ndryshuar në lidhjen tuaj, në martesën tuaj, para dhe pas viteve ’90?
Në drejtim të jetës kanë ndryshuar shumë gjëra, kanë lindur fëmijët, jemi bërë gjyshër. Ka ndryshuar profesioni, më përpara Saliu, tani unë. Kurse në drejtim të ndjenjave, them se ato janë forcuar dhe nuk kanë ndryshuar.
E lehtë apo e vështirë të qëndrosh pranë një lideri?
Kënaqësitë, emocionet, sadisfaksionet... Jetën time me Saliun nuk do ta lidhja me vështirësitë, por do t’i bashkoja vështirësitë dhe kënaqësitë, sigurisht.
A është e lehtë të jetosh pranë një njeriu lider?
Ka vështirësitë e veta, si dhe kënaqësitë e veta. Unë do të thoja një përkufizim të tillë, që ndihem krenare me atë çfarë Saliu ka bërë, pavarësisht vitit ’97, që ka qenë një vitet më të vështira të jetës së të gjithë shqiptarëve, jo vetëm në jetën tonë familjare. Por krahas vështirësive natyrisht që ka edhe benefitet e veta të qenit pranë një lideri, që unë i kam thënë në mënyrë të vazhdueshme. Janë vizitat jashtë, takimet me njerëz të veçantë, prej të cilëve kam mësuar shumë, kam përfituar, kam diskutuar për problemet e mia qoftë profesionale, qoftë edhe probleme të ndryshme shoqërore. Është ndryshe, sepse është një jetë pak më e pasuruar.
Megjithatë, jam e sigurtë zonja Liri, që emocionet, sadisfaksionet dhe vështirësitë i keni pasur edhe për shkak të ndarjes së profesionit të njëjtë me bashkëshortin tuaj para viteve ’90-të.
Mendoj se të qenurit bashkë në një profesion është një avantazh shumë i madh, është një avantazh shumë i madh, sepse kuptohesh shumë mirë për çdo problem që lind në punë. Duke pasur orare shumë të zgjatura, unë e kam kuptuar shumë drejt vonesën e tij në shtëpi, po ashtu edhe vonesa ime, ose punët jashtë orarit që detyrohesha shpesh herë të kryeja në lagjen ku banoja. E kam pasur një mbështetje, jo vetëm profesionale, por e kam pasur Saliun një mbështetje në gjithë jetën time. Unë jam ndjerë gjithmonë e sigurtë me të në krah.
E thënë miqësisht, a duhet të sakrifikojë një grua që mbështet një burrë lider?
Edhe unë po të përgjigjem me sinqeritet, që jo vetëm një burrë lider, por në një çift nuk mendoj se të dy mund të ecin njësoj, në rast se kanë po të njëjta probleme, po të njëjtat detyra, po të njëjtat vështirësi në jetën që bëjnë. Të paktën për mua, gjithmonë kam pasur një ide që duhet të lë mangët diçka vetë që Saliu të ecë pak më përpara. Kështu ka qenë jeta në atë kohë, tani gjërat kanë ndryshuar, shumë detyra të familjes njerëzit i kryejnë edhe në mënyra të tjera, është bërë më e lehtë jeta, tani është bërë më e lehtë. Burri dhe gruaja tani mund të ecin njësoj. Në atë kohë kur gjysmën e kohës e kalonim nëpër radha ka qenë e pamundur që të dy të ecnin njësoj, kështu që unë kam sakrifikuar që Saliu të ecë pak më përpara.
Jua ka ditur gjithmonë?
Them se ma ka ditur gjithë familja, por dhe unë kam përfituar nga ajo çfarë kam lëshuar. Çfarë mamaje jeni?
Jam një mama e butë, një mama shumë e durueshme, tolerante, por shumë kërkuese. Kam kërkuar gjithmonë nga fëmijët e mi të mos shkelin rregullat e vendosura në familje. Kam qenë e butë vërtet në shumë drejtime, por kur ka ardhur puna në ato gjëra që ne kemi përcaktuar që nuk duhen shkelur kam qenë shumë rreptë në kërkesat ndaj tyre. Kam qenë e rreptë në kërkesën që të tregonin gjithmonë të vërtetën, të krijonin raporte shumë të paqta dhe të sinqerta me njëri-tjetrin edhe jashtë shtëpie. Të jenë të rregullt, të mos kenë vese, atë që kërkon çdo prind. Në probleme të tjera pastaj sa harxhonin kohë për mësime, sa harxhonin kohë për vete, kam qenë më tolerante, më e butë, më e durueshme.
Ju kujtohet sadisfaksioni i bërjes nënë me vajzën edhe me djalin?
Mendoj se këto momente që asnjë nënë nuk i harron. Janë momentet më të veçanta të jetës, të paharrueshme, më të lumturat. Lindja e një fëmije, jo vetëm nënës, por lindja e një fëmije të jep një gëzim të jashtëzakonshëm, është lindja e një jete. Aq më tepër unë kam pasur fatin të jem edhe pediatre dhe atë lindjen e asaj jete, unë ta shikoj se si rritet, se si zhvillohet se si të jep gëzim, jep kënaqësi. Lindja e fëmijës është gjëja më e bukur në botë them unë.
Kështu që e keni përjetuar po kaq bukur edhe bërjen gjyshe?
Bërja gjyshe është një privilegj, është një privilegj që nuk e kupton atë fjalën mjalti i mjaltit, pa e provuar vërtet, pa u bërë gjyshe, e thua po nuk arrin ta shijosh edhe ta ndjesh ashtu siç e ndjen kur bëhesh gjyshe. Të bërit gjyshe është vërtet një privilegj, sepse tamam në kohën kur mosha fillon dhe merr nga vetja jote shumë gjëra, përpara teje vjen një dashuri e madhe, një pasuri e jashtëzakonshme, një forcë që jo vetëm të rinon, por të duket sikur ti do fillosh të bësh nga e para po të njëjtën jetë dhe po të njëjtin aktivitet që ke bërë me fëmijët e tu. Nuk do ju pyes, se cila është dashuria e tyre më e madhe, por do ju pyes për emrat e tyre e dashurisë suaj... Janë gjashtë nipër dhe mbesa. Kur i shikoj ashtu të rritur, e kuptoj se sa shpejt ecën jeta. E para është Dasara, në vit të dytë gjimnaz, Dalila e cila është në klasën e tretë, është Ambla në klasën e dytë, Medina në klasën e parë dhe Lajdoni që është në parashkollore dhe i vogli fare që mbush 2 vjeç është Arti.
Çfarë është familja për ju, zonja Liri?
Familja për mua është gjëja më e çmuar. Unë familjen nuk do ta mendoja pa të shkuarën e saj, ajo nuk krijohet vetëm. Familja mendoj se ka një urë që bashkon vlerat e familjes prej nga vjen me vlerat e familjes që gjen. Sa më të pastra dhe sa më të pasura të jenë këto vlera, aq më e fortë është familja dhe aq më e fortë është ura që krijon familjen tjetër. Për mua familja është tempulli ku unë motivohem, jam motivuar gjatë gjithë jetës sime. Është vendi ku besoj, ku falem, që e ruaj, e respektoj me shumë fanatizëm, e kam ngritur dhe e mbroj me shumë dashuri, është vendi i ngritjes së vlerave tona të përbashkëta, të cilën e ruaj për të mos ndryshuar kodin që ne kemi vendosur bashkë. Është gjëja më e çmuar për mua dhe motivi, qëllimi i jetës sime, ka qenë gjithmonë familja.
Si mendoni, a është tronditur familja shqiptare këto vite pas ’90- ës. Çfarë ka ndodhur me të?
Po, nga ndikimi i faktorëve të jetës moderne. Mendoj gjithashtu nga largimi për një kohë të gjatë, për arsye të ndryshme i të rinjve, gjë që shkëput në njëfarë mënyrë brezin prindër-gjysh me të rinjtë. Ndoshta edhe futja e shpejtë, ose dyndja e informacionit, informatizimi duket sikur kemi një familje virtuale, sikur malli, dashuria, shqetësimi janë të lidhura në mënyrë industriale tani me internetin, gjë që është në të mirë të kapjes së shpejtë të informacionit dhe të së resë, por brezi prindër – gjysh e ndjen këtë largim dhe këtë mungesë.
Cila ka qenë dhe mbetet filozofia e jetës suaj?
Filozofia ime ka qenë të përpiqesh për jetën, ta duash jetën, ta bësh atë të dobishme për veten dhe për të tjerët. Jeta një herë jepet dhe ajo duhet çmuar dhe duhet vlerësuar sa më mirë.
Një mesazh...
Është e vështirë të japësh një mesazh për të gjitha moshat, por do të thoja një mesazh që ma ka mësuar jeta. Veprat që shkojnë në dobi të njerëzve në nevojë janë të domosdoshme të bëhen nga të gjithë, sepse flasim për një shoqëri më të butë, më të civilizuar dhe njerëzit që ne ndihmojmë do të ndihen më të qetë, më të motivuar dhe më në paqe me veten e tyre.
Nga: REZARTA REÇI
Aяtємιѕα- I/e Përjashtuar
- Postime : 10065
Gjinia :
Anëtarësuar : 20/06/2011
Re: Liri Berisha: Jeta ime mes sfidës, pasionit e dashurisë
e ke zgjodhe ti mi?
Anakonda- V.I.P Anëtarë
- Vendbanimi : Australia
Postime : 31717
Gjinia :
Anëtarësuar : 02/12/2011
Mosha : 34
Hobi : Once Upon A Time
Similar topics
» A e keni pyetur ndonjehere veten:Cili eshte qellimi i JETES?", "Jeta ime?","Jeta jote?"
» Bota e trazuar e pasionit
» Jolie rend pas pasionit të saj të ri, fluturimit
» Kjo nuk eshte liri
» 50 Cent: Pasuria më jep liri
» Bota e trazuar e pasionit
» Jolie rend pas pasionit të saj të ri, fluturimit
» Kjo nuk eshte liri
» 50 Cent: Pasuria më jep liri
Faqja 1 e 1
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi