Si të sundosh? – Të fshehtat e një diktatori!
3 posters
Faqja 1 e 1
Si të sundosh? – Të fshehtat e një diktatori!
Ndërsa lexoja librin e ri “Perandori”, shkruar nga gazetari i mirënjohur Ryszard Kapuscinki, ishte e pamundur të mos shihja shumë prej paralelizmave të pashmangshme të karakterit dhe sjelljes së “perandorit” etiopian Hajle Selasije me ato të ish-diktatorit shqiptar Enver Hoxha. Ndërsa Blendi Fevziu, në përpjekjen e tij biografike, solli një ritregim historik të ngjarjeve mbi ardhjen në fuqi dhe sundimin gjysmëshekullor të ish-perandorit shqiptar, stili i pakrahasueshëm i Ryszard Kapuscinki-t e përshkruarn “perandorin” etiopian të parë nga këndvështrime të cilat hedhin dritë në mendjen dhe veprimet e këtyre njerëzve të cilët falë kushteve, përpjekjeve apo thjesht fatit kanë arritur ta sundojnë … popullin e tyre!
Ndonëse nuk është asnjëherë e lehtë të lexosh dhe kuptosh mënyrat se si diktatorët e historisë kanë sunduar mbi popullin e tyre, reflektimi mbi veprat dhe stilin e tyre të sjelljes të bën të kuptosh se sa shqetësuese janë paralelizmat e atij realiteti të të shkuarës me në të tashmen. Disa prej liderave aktual, qofshin ata të gjithëpushtetshëm apo thjesht të pushtetshëm, vazhdojnë të sundojnë, ose të operojnë në mënyra që, nëse humbasin çdo kontroll, mund të bëhen realisht të rrezikshëm për ata mbi të sundojnë!
Aspekti tjetër shqetësues është fakti që ekspozimi ndaj sjelljes dhe shembullit të këtyre krijesave mund të ngjallë te disa dëshirën për t’i kopjuar ata si të ishin “mësuesi”!
Në këto lloj rastesh më kujtohet këshilla e një mikut tim për të birin, ku i thoshte: “nga çdo njeri që takojmë ne mund të mësojmë dy gjëra; të mirat dhe të këqijat! Por është vendimi ynë të zgjedhim se çfarë do marrim prej tyre!” – Elvis Plaku
Fragment nga libri
T.L. (inicialet e shërbëtorit e perandorit i cili rrëfën për ndodhitë në pallat)
My dear brother, ora e emërimeve i kallte të dridhura gjithë pallatit! Për disa këto ishin të dridhura ngazëllimi dhe kënaqësie të thellë epshore, për të tjerë, eh, drithma llahtarie dhe katastrofe, sepse në atë orë mbreti i mbretërve jo vetëm dekoronte, shpërblente dhe emëronte, por edhe dënonte, shkarkonte dhe çgradonte. Çfarë them dhe unë! Në fakt nuk kishte ndarje në të gëzuar e të tmerruar; euforia dhe llahtaria mbushnin njëkohësisht zemrën e çdonjërit të thirrur në Sallën e Audiencave, sepse askush nuk e dinte ç’e priste në të vërtetë. Këtu qëndron edhe mençuria e thellë e sovranit tonë, kurrkush nuk njihte ditën e tij, fatin e tij. Kjo pasiguri plus palexueshmëria e qëllimit të monarkut bënin që pallati të merrej pa pushim me thashetheme dhe të humbiste në hamendësime. Pallati ishte i ndarë në fraksione dhe grupe që haheshin me njëri-tjetrin, duke u dobësuar dhe shkatërruar reciprokisht. Pikërisht këtu rrihte sovrani i respektuar. Në këtë ekuilibër që i siguronte atij qetësinë absolute. Në rast se ndonjëri nga grupet krijonte epërsi, sovrani shpejt e shpejt i jepte dorë grupit kundërshtar, duke kthyer kështu gjendjen e drejtpeshimit, gjë që i paralizonte uzurpatorët. Sovrani godiste në tastierë njëherë tastin e bardhë, herën tjetër të ziun- duke marrë nga pianoja një melodi harmonike çlodhëse për veshin e tij. Të gjithë i nënshtroheshin kësaj loje, sepse e vetmja arsye e ekzistencës së tyre ishte aprovimi nga ana e perandorit.
Sikur perandori t’i jepte fund asaj loje, qysh atë ditë ata do të zhdukeshin nga pallati pa lënë asnjë gjurmë. Thellë-thellë ata ishin një hiç. Ishin njerëz publikë për aq kohë sa i ndriçonte shkëlqimi i kurorës së monarkut. Hajle Selasje ishte i zgjedhuri i Perëndisë dhe nga kjo lartësi nuk mund të bashkohej me asnjërin nga fraksionet, edhe pse herë bëhej më shumë me njërin, herë me tjetrin më shumë. Në qoftë se ndonjëri nga grupet e përkrahur do të kalonte në zell të tepruar, atëherë perandori e godiste, mundet edhe ta dënonte formalisht. Kjo kishte të bënte veçanërisht me fraksionet e rrepta, të cilave sovrani u kishte vënë për detyrë të vendosnin rendin. Sepse vetë fjalimet e perandorit ishin të buta, plot mëshirë, ngushëlluese për vulgun, i cili kurrë nuk kishte dëgjuar nga goja e sovranit fjalë të urrejtshme. Mirëpo është e pamundur të drejtosh perandorinë me altruizëm, dikush duhet ta zdrugasë opozitën dhe të kujdeset për interesin sublim të perandorit, pallatit dhe shtetit. Pikërisht këtë bënin grupimet e ashpra.
Pa i kuptuar fare synimet e holla të perandorit, kridheshin në gabime-thënë më saktë- gabonin në pantografi. Të yshtur nga dëshira për të fituar mirënjohjen e mbretit të mbretërve, me një zell të shfrenuar, rrekeshin të vendosnin një rend absolut, në një kohë kur vetë sovrani mendonte vetëm për nje rend bazë, do të thotë rregull, por edhe një mungesë e vogël rregulli, ku të mund të manifestohej butësia dhe mirëkuptimi prej monarku. Ndaj kur grupimi i ashpër hynte në këtë fushë të mosrregullit, haste në qëndrimet ndëshkuese të sundimtarit. Në pallat ekzistonin tre klane kryesore-aristokratët, burokratët dhe të ashtuquajturit të zgjedhurit personalë. Klani i aristokratëve, ekstremist konservator dhe i përbërë nga çifligarë të mëdhenj, grupohej kryesisht në Këshillin Suprem. Për kryetar kishin princin e pushkatuar Kassa. Klani i burokratëve, më i priruri për ndryshime dhe më i lëçituri, me një pjesë të përfaqësuesve të vet me arsim të lartë, mbushte ministritë dhe kancelaritë imperiale. Dhe në fund klani i njerëzve të zgjedhur, që ishte edhe veçantia e pushtetit tonë, e sajuar nga perandori dora vetë. Sovrani i nderuar, partizan i shtetit të fortë dhe pushtetit të përqëndruar, duhej të zhvillonte një luftë të rafinuar dhe të shkathët me grupin e aristokratëve që mëtonin të qeverisnin provincat dhe të kishin një perandor të dobët, të plogët. Mirëpo kështu nuk mund të luftonte aristokracinë me duart e veta, prandaj vazhdimisht afronte në qerthullin e tij, si të emëruar dhe të zgjedhur nga ai vetë, njerëz nga populli, të rinj e të mprehtë, që vinin nga shtresat më të ulta, mundësisht diku nga vulgu i vërtetë. Qëllonte shpesh të zgjidhte mësëkoti nga turrma e llumtë në rastet kur takohej me popullin.
Këta lloj njerëzish, të hedhur drejtpërsëdrejti nga provinca dëshpëruese dhe e mjerë në sallonet e oborrit më të lartë, ndeshen aty me urrejtjen e natyrshme dhe armiqësinë e aristokratëve dhe, pasi kanë ndjerë shpejt shijen llamburitëse të pallatit dhe bukurinë e dukshme të pushtetit, i shërbejnë perandorit me një zell të papërshkrueshëm dhe vetëmohim, të bindur se janë atje dhe kryejnë funksionet më të larta të shtetit kryekëput me vullnetin e sovranit të respektuar. Pikërisht atyre perandori u besonte poste që kërkonin besimin më të madh. Ministria e penës, policia politike e perandorisë, kancelaria e pallatit ishin të mbushura me të tillë. Ata zbulonin të gjitha kurthet dhe komplotet, dënonin opozitën fodulle dhe keqbërëse. Llogarit, zoti gazetar, perandori jo vetëm që vendoste vetë për çdo emërim, por edhe deri kohë më parë ua komunikonte njerëzve personalisht. Ai dhe vetëm ai! Mbushte shtresat e larta të hierarkisë, edhe nivelet e saja të mesme dhe të ulta, caktonte drejtues postash, drejtorë shkollash, shefa policie, gjithë zyrtarët e rëndomtë, ekonomatë, drejtorë fabrikash birre, drejtorë spitalesh, hotelesh, do ta përsëris edhe një herë- të gjithë i caktonte ai vetë, me dorën e tij. Thirreshin në Sallën e Audiencave, në orën e emërimeve, dhe atje, të vendosur në një radhë pa fund, sepse ishte një masë, një masë e tërë njerëzish që prisnin ardhjen e perandorit. Pastaj sekush afrohej me radhë tek froni, atje dëgjonte i tendosur dhe i përthyer më dysh çfarë emërimi i jepte perandori, i puthte dorën mishërëplotit dhe zbythej, me përkulje derisa dilte. Aty edhe emërimi më i parëndësishëm kishte autorësinë e perandorit dhe kjo për arsye se burim i çdo pushteti nuk ishte shteti, asnjë institucion tjetër veç i të vetmit, më të veçantit sovran të respektuar.
Ç’e drejtë tmerrësisht e rëndësishme që ishte! Sepse, qysh nga çasti i kaluar me perandorin, kur ai jepte emërimet dhe bënte bekimin, lindte një lidhje e veçantë ndërnjerëzore, ç’është e vërteta brenda rregullave të hierarkisë, por, prapëseprapë, lidhje ishte dhe nga ajo buronte një parim që udhëhiqte sovranin tonë në gradimin dhe groposjen e njerëzve-ky ishte parimi i luajalitetit. Dëgjo miku im, mund të shkruhet një bibliotekë e tërë me spiunllëqet që mbërrinin në vite në veshin e perandorit kundër personit më të afërt të tij, ministrit të penës, Uajld Giorgis-it. Kjo ishte fytyra më perverse, më e neveritshme dhe më e korruptuar që kishin mbajtur ndonjëherë parketet e pallatit tonë. Vetë spiunimi kundër këtij njeriu mbartte pasoja tejet të hidhura. Dhe duhej të ketë qenë me të vërtetë keq përderisa njerëzit vazhdonin të raportonin. Mirëpo sovrani nuk dëgjonte nga ai vesh.
Uajld Giorgis-i mund të bënte ç’të donte, shthurrja e tij nuk njihte kufij. Megjithëse i verbuar me fodullëkun dhe padënueshmërinë e tij, ndodhi që një herë mori pjesë në mbledhjen e një grupi komplotist. Për këtë zbulimi i pallatit informoi sovranin e respektuar. Sovrani po priste që Uajld
Giorgis-i t’i tregonte vetë, mirëpo ai nuk po e zinte fare ngoje- pra, e thënë ndryshe, shkeli parimin e besnikërisë. Të nesërmen sovrani e nisi orën e emërimeve nga ministri i vet i penës, nga njeriu që pothuaj ndante pushtetin me të, e nisi, pra, me personin numër dy në shtet dhe Uajld Giorgis-i u katandis në një nëpunës i vogël province të largët në jug të vendit. Pasi dëgjoi emërimin, merre me mend çfarë të papriture dhe tmerri duhet të ketë provuar atë çast, gjithsesi, sipas zakonit, i puthi dorën mëshirëplotit dhe duke u zbythur me përkulje, u largua njëherë e përgjithmonë nga pallati. Ja le të marrim një figurë si ajo e princit Imru. Ky ndoshta ishte individualiteti më i spikatur i elitës, njeri i denjë për nderimet dhe detyrat më të larta. E sa para bën kjo, kur, siç e kam përmendur, sovrani kurrë nuk udhëhiqej nga parimi i aftësisë, por vetëm nga ai i luajalitetit. Asnjëri nuk e di nga dhe pse princi Imru befas kishte nisur të mbante era reformë dhe fare pa e pyetur perandorin kishte filluar t’u jepte fshatarëve pjesë nga tokat e tij.
Kështu, pra, duke i mbajtur të fshehta perandorit dhe duke vepruar në kokë të vet, në mënyrë irrituese dhe provokuese, shkelte parimin e besnikërisë. Kur ja, i plotmëshirshmi Sovran, që kishte bërë gati për princin një post mjaft të nderuar, u detyrua ta zbonte nga vendi dhe ta mbante të mërguar për njëzet vjet. Theksoj këtu që sovrani nuk ishte kundër reformave, përkundrazi, gjithmonë tregonte simpati për progresin dhe përparimin, por nuk mund të honepste, megjithatë, që dikush t’u hynte reformave për hesap të vet, sepse një gjë e tillë, pikësëpari krijonte përshtypjen sikur në perandori, përveç sovranit të ndritur, ekzistonin edhe ca bamirës rrëmbythje. Prandaj, edhe nëse ndonjë ministër pehlivan dhe me mend në kokë do të guxonte të kryente qoftë edhe reformën më të vogël në sarajet e veta, duhej ta sillte punën në atë farë feje që kur t’ia paraqiste perandorit, ta shpjegonte dhe tirrte në mënyrë të tillë që të mund të dilte pakundërshtueshmërisht, qartazi dhe e pranueshme nga të gjithë se nismëtar i gjindshëm e i butë, formulues dhe flamurtar i reformës është shkëlqesia e tij, edhe pse në fakt sovrani nuk e merrte vesh plotësisht përse bëhej fjalë. Shyqyr Zotit, jo të gjithë ministrat ishin me mend! Kishte edhe të rinj, të pamësuar me traditën e pallatit, që, të shtyrë nga ambicje personale, duke dashur njëkohësisht të fitojnë pikë në popull, sikur vlerësimi i perandorit të mos mjaftonte për të gjitha këto, arbitrarisht guxonin të reformonin këtë apo atë element të vogël. Sikur s’hanin pyka që me këtë shkelnin parimin e besnikërisë, duke groposur kësisoj jo vetëm veten e tyre, por edhe gjithë reformën, e cila pa autorësinë e perandorit, kurrë nuk do të kishte gjasa për t’u realizuar. Do ta them shkoqur; sovrani mëshirëplotë parapëlqente ministrat koti. Dhe këtë e bënte sepse pëlqente të vihej në pah për dobi të vet. E si mund të bënte figurë të mirë poqese do të ishte i rrethuar nga ministra të aftë? Mileti do të humbiste toruan, nuk do të dinte ku të kërkonte ndihmë, në mirësinë dhe mençurinë e kujt të lidhte shpresën. Në këtë rast të gjithë do të ishin të mirë dhe të mençur. Eh, ç’katrahurë do të behej në perandori! Në vend të një dielli do të ndriçonin pesëdhjetë, gjithkush do t’i bënte homazh planetit që do të zgjidhte vetë. Oh jo, mik i dashur, nuk mund të dëmtohet populli me një gjëmë të tillë papërcaktueshmërie. Dielli duhet të jetë vetëm një, sepse i tillë është ligji i natyrës, të gjitha teoritë e tjera janë herezi e papërgjegjshme kundër Zotit. Megjithatë të jesh i sigurtë se sovrani dallonte, kaq qartazi dhe kaq hirshëm dallonte, saqë mileti nuk gabonte të vërente kush ishte dielli, e kush hija.
Z.T.
Sovrani ynë, në çastin e dhënies së emërimit kishte para kokën e përkulur të atij që emëronte postin e lartë. Megjithatë as edhe ndonjë vështrim largpamës i të ndritshmit sovran nuk mund të vërente çfarë ndodhte më tej në këtë kokë. Sakaq kjo kokë, që në Sallën e Audiencave bënte lëvizje përkulje-ngritje, me të kapërcyer derën ndërronte pozicion, ngrihej lart, ngurtësohej dhe merrte një trajtë të fortë, solide. Po, po, zotni, të habiste fuqia e emërimit perandorak! Sepse ja, ajo kokë e zakonshme, që deri dje lëvizte natyrshëm dhe lirshëm, kaq e përkulshme dhe e shkujdesur, kaq e gatshme për t’u kthyer, përkulur dhe përthyer, tani e lubrifikuar me emërim, pëson një ndryshim të hatashëm, lëviz vetëm në dy drejtime- në atë vertikal, nga lart poshtë, që e kishte kur gjendej në prani të sovranit të nderuar dhe atë vertikal nga poshtë lart, për të tjerët që mbeteshin. E vendosur vetëm në një binar nga toka-lart, koka nuk mund të sillej lirshëm, madje edhe sikur t’i dilnit nga prapa dhe ta thërrisnit: Hej, zotëri!-ai nuk do të mund të kthente kokën në anën tuaj, por do t’i duhej të mbahej me dinjitet dhe vetëm me gjithë trup mund ta kthente kokën në anën tuaj, në drejtimin nga vinte zëri. Në përgjithësi, duke qenë nëpunës në Sallën e Audiencave, vija re që emërimet shkaktojnë ndryshime fizike tek njeriu dhe madje ndryshime serioze. Kaq shumë më tërhoqi kjo gjë, saqë nisa ta vërej më nga afër. Para së gjithash ndryshon fytyra. Më parë e imët, e futur brenda, tani merr për nga kuadrati, tenton drejt një siluete kuadratike.
Eshtë ky një kuadrat masiv, solid-simbol i seriozitetit dhe peshës së pushtetit. Nga fytyra tani shohim se kemi të bëjmë jo me një dosido, por me një personalitet të dukshëm, me pergjegjësi. Metamorfozën e fytyrës e shoqëron një ngadalësim i përgjithshëm i lëvizjeve. Njeriu i nderuar nga sovrani i respektuar tashmë nuk hidhet, nuk vrapon, nuk kërcen, nuk harbon.
Jo, hapi është serioz, këmbët të ngulura me siguri në tokë, një hepim i lehte i trupit para që do të thotë gatishmëri për t’u bërë ballë kundërshtive, lëvizjet e duarve të llogaritura, pa atë gjestikulacionin nervoz e të paformë. Aty edhe tiparet e fytyrës bëhen më serioze, sikur ngurtësohen, fytyra bëhet e trishtme dhe e mbyllur, e aftë megjithatë për të kërcyer kohë pas kohe në miratime dhe optimizëm.
Përgjithësisht është nisur e kurdisur në mënyrë të atillë që nuk jep mundësi për kontakt psikologjik, pranë saj nuk mund të çtendosesh, të marrësh frymë lirisht.
Shikimi gjithashtu ndryshon. Tjetër është tani gjatësia e tij, tjetër edhe këndi i rënies .Ky shikim zgjatet tani deri në një pikë për ne të pakapshme, prandaj teksa bisedojmë me të emëruarin, për shkak të ligjeve të optikës që i njohim të gjithë, nuk do të vihemi re prej tij, sepse vatra e shikimit të tij do të gjendet ku e ku sa prapa nesh. Nuk mund të vihemi re gjithashtu edhe për arsye se këndi i rënies së shikimit të tij është shumë i gjerë dhe në kohën e bisedës shikimi i tij na kalon diku përmbi kokë.
Këtu shfaqet parimi i çuditshëm i periskopit, sipas të cilit edhe nëse ai do të ishte më i shkurtër, prapëseprapë do të shihte mbi kokat tona, në një largësi jo të madhe, ose do të ishte duke bluar ndonjë ide të veçantë. Sido që të jetë ne e ndiejmë që, edhe në qoftë se mendimet e tij nuk janë më të thella, janë me siguri më të rëndësishme dhe më të përgjegjshme; në këtë situatë i japim karar duke menduar që çdo orvajtje për të shprehur mendimet tona do të ishte pa vend dhe meskine. Biem, pra, në heshtje. Favoriti i perandorit s’para ka qejf të bisedojë, sepse një nga shfaqjet e pasemërimit është edhe ndërrimi i stilit të të folurit, vendin e fjalive të qarta e të plota tani e zënë trajta të shumta monosilabike, mërmërima, hungërima, këputje zëri, pauza me shumë kuptime, fjalë të mjegullta dhe një reagim ndaj gjithçkaje, sikur ai i di të gjitha me kohë dhe shumë më mirë.
Shkurt fjala, ndjehemi të tepërt ndaj dhe largohemi, ndërsa koka e tij, në gjestin e përshëndetjes, lëviz në kursin perpendikular nga toka-lart.
Mirëpo ja që ka pasur edhe raste të tilla kur sovrani mëshirëplotë jo vetëm ka graduar, por- kur është konstatuar mungesë besnikërie- për fat të keq edhe ka degraduar, do të thotë, më fal mik për fjalët e rënda, për zhapë bythe i ka hedhur në rrugë. Me këtë rast mund të konstatohej se rruga paskësh pasur një veti interesante, konkretisht, nën ndikimin e kontaktit me të humbasin shenjat e emërimit, zhduken ndryshimet fizike, i flakuri në rrugë kthehet në normë, madje tek ai shfaqet një prirje nervoze, e ekzagjeruar disi në manifestim, për t’u afruar, ndihet se sikur ka qejf ta shuajë gjithë atë historinë e mëparshme, sikur do që me një të dhënë të dorës të thotë:, eh, le ta harrojmë atë, sikur kjo të kishte të bënte me ndonjë sëmundje që nuk vlen të përmendet.
M.
Po më pyet, or mik, si është e mundur që në periudhën e fundit të sundimit të perandorit ai farë Aklilu, që s’kishte asnjë funksion dhe vinte nga llumi, arriti të merrte më shumë pushtet sesa princi Makonen, kryetar qeverie dhe figurë e shquar aristokrate? Ndodhte kështu ngaqë shkallët e pushtetit në pallat nuk përcaktoheshin në bazë të hierarkisë së posteve, por sipas numrit të kontakteve konfidenciale me të shndritshmin sovran.
S’ke ç’i bën, i tillë ishte rregulli brenda pallatit. Thuhej shprehimisht: më me peshë është ai që ka më shpesh pranë veshin e perandorit. Më shpesh dhe më gjatë. Për këtë vesh grupimet hanin kokat me njëri tjetrin, veshi ishte çmimi më i lartë në gjithë lojën. Mjaftonte, por kjo s’ishte e lehtë, t’i afroheshe veshit të perandorit dhe diç të përshpërisje. Boll t’i pëshpërisje, kjo ishte e gjitha. Le të binte kjo gjetkë, të ishte diku, qoftë edhe si një përshtypje e flashkët, si një farëz. Pa do të vinte koha që përshtypja të ngjizej, farëza të mbinte dhe ne të mblidhnim prodhimin.
Këto ishin përpjekje shumë të stërholluara, kërkonin nuhatje, sepse sovrani ynë, megjithë energjinë dhe durimin boll të konsumuar e të habitshëm, mbetej sidoqoftë qenie njerëzore me një kapacitet dëgjimi gjithsesi të kufizuar, të cilin nuk mund ta fryje tej mase dhe as ta mbingarkoje pa shkaktuar ngacmimin dhe kundërveprimet ndëshkuese të tij. Prandaj edhe numri i takimeve konfidenciale ishte ngaherë i kufizuar, ç’ka bënte që lufta për veshin e perandorit të mos reshtte. Ecuria e kësaj lufte përbënte një nga temat më të gjalla të thashethemnajës së pallatit, jehonë të gjerë gjente edhe në qytet. Ndodhte edhe kështu që ai farë Abeje Debalk, funksionar i rëndomtë në Ministrinë e Informacionit kishte të numëruara katër takime konfidenciale në javë, në një kohë kur shefi i tij mezi çbënte dy të tilla. Perandori njerëzit e besuar i kishte shpesh të shpërndarë në funksione të dorës së dytë, por që bëheshin të fuqishëm për shkak të numrit të kontakteve konfidenciale, për çka as që mund të ëndërronin ministra apo edhe anëtarë të Këshillit Suprem. Kishte në këtë lëmë përçapje mbresëlënëse. Gjenerali i shquar Abije Abebe kishte tre takime në javë, kurse rivali i tij, gjenerali Kadebe Gebreja (të dy të pushkatuar) vetëm një. Por ja që në një moment grupi i Gebre-s e vërtiti punën në mënyrë të tillë që i futën një shqelm të mirë grupit në degradim të Abebe-s, saqë ky ra fillimisht në dy e më vonë në një takim konfidencial, ndërsa Gebre-ja, që u shqua gjatë shërbimit në Kongo dhe kishte vlerësime të larta ndërkombëtare, u ngjit deri në katër takime. Unë, në qoftë se dëshiron ta dish, miku im, në periudhën më të mirë munda të kisha vetëm një në muaj, megjithëse, kushedipse, gabimisht, më llogarisnin më tepër, por edhe kaq ishte goxha mirë, sepse pas takimeve konfidenciale të drejtpërdrejta, që ishin më të vyerat, vinte hierarkia e takimeve të tërthorta, të dorës së dytë, dorës së tretë e më tej. Megjithatë edhe atje tej shiheshin grindje, tregoheshin kthetrat, bëheshin përçapje, viheshin stërkëmbsha. Eh, dihej se atij që bënte numër të madh kontaktesh të drejtpërdrejta, të gjithë i përkuleshin përgjysmë, paçka se nuk ishte kurrfarë ministri. Ai që binte nga kontaktet e kishte tashmë të qartë se sovrani mëshirëplotë po e zhvendoste dhe nxirrte anash. Do të doja të shtoja, miku im, se në raport me fytyrën e tij të zakonshme, kokën e rregullt dhe proporcionale, sovrani i respektuar kishte veshë me përmasa të mëdha./ShL/
Emona- WebMaster
- Postime : 46759
Gjinia :
Anëtarësuar : 12/03/2010
Re: Si të sundosh? – Të fshehtat e një diktatori!
gjithmon diktatoret me dhun sundojne,esht teper e lehte me dhune
Anakonda- V.I.P Anëtarë
- Vendbanimi : Australia
Postime : 31717
Gjinia :
Anëtarësuar : 02/12/2011
Mosha : 34
Hobi : Once Upon A Time
Re: Si të sundosh? – Të fshehtat e një diktatori!
me duket se e paskan shkruar taman per sali berishen
dajti modh- V.I.P Anëtarë
- Postime : 17309
Gjinia :
Anëtarësuar : 19/01/2010
Similar topics
» “Diktatori” çensurohet në Turkmenistan
» ""DIKTATORI""..film dokumentar..
» Ekstradohet nga Franca ish-diktatori panamez Noriega
» Astrologjia Karmike - të fshehtat e jetëve të kaluara
» Astrologjia Karmike - të fshehtat e jetëve të kaluara
» ""DIKTATORI""..film dokumentar..
» Ekstradohet nga Franca ish-diktatori panamez Noriega
» Astrologjia Karmike - të fshehtat e jetëve të kaluara
» Astrologjia Karmike - të fshehtat e jetëve të kaluara
Faqja 1 e 1
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi