Shpërthimi i kanaleve televizive private në Shqipërinë pas Komuniste
2 posters
Faqja 1 e 1
Shpërthimi i kanaleve televizive private në Shqipërinë pas Komuniste
Kur
Shqipëria, një vend i Europës Juglindore, u kthye në një vend
demokratik në fillimet e viteve ’90, pas gjysmë shekulli të kaluar nën
diktaturën e Enver Hoxhës, media elektronike, veçanërisht Radio
Televizioni shtetëror i mëparshëm, transmetuesi i vetmi në vend, shërbeu
si një megafon për propagandën komuniste.Pas përmbysjes së qeverisë jo
demokratike, shqiptarët shpresonin të gëzonin një mori zërash, falë
lirisë së shprehjes, për të cilën kishin luftuar dhe ëndërruar për
dekada të tëra. Ashtu si ndodhi dhe në vende të tjera pas komuniste,
Shqipëria shihte me optimizëm drejt së ardhmes, duke synuar të arrinte
standardet perëndimore me një ritëm marramendës. Për fat të keq, siç do
ta shohim dhe në këtë punim, për Shqipërinë nuk do të ndodhte kështu: të
paktën jo deri pas vitit 2000, kur tregu i transmetimit nisi të rritet
me shpejtësi, pra u shfaqën kanalet televizive private, siç përshkruhet
në raportin e Institutit Shqiptar të Medias (2007).
Në Shqipëri,
shumimi i stacioneve televizive ndodhi vetëm pas vitit 2000. Sipas
Këshillit Kombëtar të Radios dhe Televizionit (KKRT), në 2008-n media
elektronike private në Shqipëri konsistonte në tre stacione televizive
gjithëkombëtare, 68 stacione televizive vendore, dy operatorë satelitorë
dhe 44 operatorë televizivë kabllorë. Vlen të përmendet se kanalet e
shumta televizive u ofronin produktet e tyre rreth 3 milionë
konsumatorëve, ndërkohë që “media elektronike vazhdon të jetë e
paqëndrueshme ekonomikisht, dhe varet gjerësisht nga të ardhura që
burojnë prej interesave të tjera të pronarëve të tyre” (Television
across Europe, 2008: 10). Më poshtë do të shqyrtojmë në detaje si dhe
pse ndodhi një shumim i tillë i medias elektronike.
Kanalet televizive si mburojë dhe shigjetë
Edhe
pse një rezultat i pritshëm, ishte interesante të mësoja nga
intervistat, se të katërt pronarët e kanaleve televizive me të cilët
fola, kishin investuar në këtë fushë pasi kishin fituar para prej
biznesesh të tjera, si për shembull ndërtimi apo tregtia. Në fakt të
gjithë besojnë se në Shqipëri kanalet televizive financohen nga biznese
të tjera dhe siç përfundon Hasimja “televizionet shërbejnë si mburojë
dhe si shigjetë” (intervistë, 2008). Ai argumenton se kanalet televizive
shërbejnë si mburojë, në mënyrë që të mbrojnë një biznes të caktuar nga
qeveria arbitrare, e njëkohësisht si shigjetë ndaj trysnisë financiare
apo taksave dhe autoriteteve doganore në një treg me nivele të larta
informaliteti. Frangaj, i TV Klanit, nuk heziton të pranojë se pronarët e
kanaleve televizive i kanë përdorur këto të fundit për të ushtruar
trysni në politikë e jo për të përdorur politikën kundër medias.
“Pronarët e medias i kanë përdorur kanalet e tyre televizive për t’i
bërë nder qeverisë, për shembull për të mbledhur sa më shumë reklama
shtetërore, të cilat kanë qenë burimi kryesor i financimit të stacioneve
televizive”, thotë Frangaj. I pyetur nëse ky rast kishte ndodhur edhe
me stacionin televiziv që ai ka në pronësi, ai pranon duke buzëqeshur
lehtazi “Ndoshta, ndonjëherë” (intervistë, 2008).
Ndryshe nga
Frangaj, Genc Dulakut, bashkëpronarit të Vizion Plus-it, i vjen keq që
nuk e ka përdorur kanalin e tij televiziv për të ushtruar trysni mbi
politikanët dhe për të fituar kështu ndere, si për shembull licencën
kombëtare. Megjithatë, ai shprehet se “politikanët priren të ushtrojnë
trysni mbi median kur biznesi nuk është i ndershëm, ndërsa ne nuk kemi
këtë lloj problemi” (intervistë, 2008). Gëzim Ismaili është pronari i
kanalit të parë televiziv privat në Shqipëri. Ky kanal televiziv, i
quajtur Shijak TV, emër i huazuar prej një vendi të vogël pranë
kryeqytetit të Shqipërisë, njihet gjerësisht si mbështetës i Partisë
Demokratike. Prej mëse 5 vitesh Ismaili është në gjyq me KKRT-në, pasi
rregullatori i hoqi licencën si ndëshkim për shkeljet pafund të së
drejtës së pronës. Ismaili pranon se ndonjëherë i ka përdorur miqësitë e
tij me drejtuesit e PD-së si mburojë, duke i konsideruar ndërhyrjet
ligjore me nuanca politike. Gjithsesi, atij “i vjen keq që politika e ka
përdorur kanalin e tij televiziv” (intervistë, 2008).
Pavarësisht
sa më sipër, “për ta thjeshtuar, le të supozojmë se media dhe politika
mund të qëndrojnë veçmas”, insiston Ermal Hasimja, shef i Departamentit
të Komunikimit në UET. “Cila kontrollon cilën?” – e pyes. Sipas tij,
përgjigjja është e thjeshtë; të dyja kontrollojnë njëra-tjetrën, sepse
asnjë nga mediat në Shqipëri nuk është ligjërisht dhe financiarisht “e
pastër”, kurse politikanët janë të interesuar t’i mbajnë ato “të pista”.
Sipas Hasimes, përpos mungesës së shifrave të besueshme, “një pjesë e
madhe e parave hyri në ekonomi prej burimesh të dyshimta, që prej
trafikimit deri tek droga, [më pas] nisi të lulëzojë biznesi i
ndërtimit, dhe investimi i përgjithshëm në ekonomi u rrit shumë
shpejt”(intervistë, 2008). Blendi Fevziu, një ekspert i mirënjohur në
Shqipëri, e kundërshton argumentin e Hasimes, duke thënë në intervistën e
dhënë se, shpesh media përdoret për të shantazhuar disa politikanë apo
ministra, për të përfituar më pas prej tyre. “Funksionet e mburojës dhe
shigjetës janë të këmbyeshme dhe është vështirë t’i dallosh nga
njëra-tjetra. Ka raste kur një media e caktuar i ka kryer të dyja
njëherazi” (intervistë, 2008).
Reklamimi kundrejt audiencës dhe anasjelltas
Nuk
përbën ndonjë mjeshtëri të zbulosh se kush është kontribuuesi kryesor i
buxhetit të transmetimit. Të gjithë të intervistuarit e përfshirë në
këtë kërkim pranojnë se reklamimi është burimi i tyre kryesor. Për të
pasur një ide të qartë se si është i organizuar sot tregu i reklamave në
Shqipëri do të paraqes disa të dhëna specifike të marra nga përgjigjet e
të intervistuarve. Sipas një studimi të KKRT-së, kryer në 2005-n, në
një vend me tre milionë banorë, për prezencën e pasur prej tre
stacionesh televizive gjithëkombëtare, dy operatorësh satelitorë dhe 44
kabllorë (KKRT, 2008), vlera e përafërt e tregut të reklamave në
Shqipëri është dy milionë dollarë. Për fat të keq, nuk ka të dhëna të
tjera zyrtare që konfirmojnë apo hedhin poshtë buxhetin e reklamave për
median transmetuese, siç dhe konfirmohet nga drejtori i Institutit
Shqiptar të Medias “për shkak të nivelit të lartë të informalitetit dhe
paaftësisë së Zyrës së Taksave për të hetuar tregun” (Lani, intervistë,
2008).
Por atëherë, si mbijetojnë financiarisht kanalet
televizive, kur për qindra transmetues në gjithë vendin ka vetëm një
shifër totale prej 21 milionë dollarësh të ardhura nga marketingu dhe
reklamat, të cilat, sipas pronarëve të televizioneve, janë burimi
kryesor i të ardhurave të tyre? Para se të përpiqem t’i japim përgjigje
kësaj pyetjeje, e gjej me rëndësi të paraqes një shembull nga një vend
tjetër ish komunist, në mënyrë që të kuptohet më mirë shpërpjesëtimi i
buxhetit të reklamave me tregun e mbingarkuar të televizioneve private.
Estonia është një vend me 1.5 milionë banorë dhe përkrah rrjetit
transmetues publik, që prej 1996-s, kanë qenë në funksionim mbi 20
stacione radiofonike dhe 6 kanale televizive private, vit kur, sipas
Vihalemm-it dhe Rosengren-it (1997), buxheti i reklamave ishte 31
milionë dollarë. Duket qartë se këto ushtrime matematikore tregojnë së
një dekadë më parë, një vend si Estonia, më i vogël se Shqipëria në
përmasa dhe popullsi, kishte një buxhet më të madh që buronte prej
reklamave.
Le të marrim në shqyrtim disa nga arsyet që shkaktojnë
një situatë kaq të pakuptimtë. Sipas Fevziut, (2009), media elektronike
subvencionohet prej biznesesh të tjera që sjellin fitime për pronarët e
televizioneve. Ky pohim u konfirmua edhe nga pronari i televizionit
vendor, Ismail Deliaj (intervistë, 2008). Gjithashtu, “hisja e luanëve”
nga vlera e reklamave u shkon dy kanaleve më të mëdha kombëtare, thotë
Lani (2008). Aleksandër Frangaj, pronar i televizionit kombëtar Klan
(2008), konfirmon se të ardhurat e tij vjetore nga reklamat arrijnë
vlerën 5 milionë dollarë, me një rritje prej 10-15% çdo vit. Kjo
nënkupton qartazi se pjesa tjetër e qindra transmetuesve të tjerë kanë
akses të kufizuar ose fare në të ardhurat nga reklamat. Kështu, “çmimi i
reklamave në televizionet private shqiptare është qesharak krahasuar me
vende të tjera në rajon”, thotë Hasimja (intervistë, 2008).
Bashkëpronari i televizionit me licencë rajonale Vizion Plus pranon se
në 1999-n, kur nisi transmetimin ky kanal, çmimi për një reklamë 30
sekonda të gjatë ishte 5 dollarë, kurse në 2008-n, 30 minuta reklamë
kushtojnë 600 dollarë. Gëzim Ismaili i Shijak TV-së pohon se në 1996-n,
kur kanali i tij televiziv ishte i vetmi që sfidonte stacionin televiziv
publik, ai arrinte të fitonte nga reklamat 100 mijë dollarë në muaj.
Si
përcaktohen çmimet e reklamave nga kanalet televizive në Shqipëri?
Përgjigjja nuk është në fakt edhe aq shkencore sa duhet. Pronarët e
televizioneve pranojnë se, për çmimet bihet dakord në biseda private me
kompanitë dhe ato ndryshojnë nga një kanal te tjetri. Të gjithë të
intervistuarit përsëritën se çmimet e reklamave diktohen nga audienca e
kanaleve televizive. Megjithatë, duket se matja e numrit të audiencës
nuk i shpëton dot shkallës së konsiderueshme të informalitetit të tregut
shqiptar. Për këtë arsye, falë një “gatishmërie të pronarëve të
televizioneve për të kryer matje profesionale dhe të besueshme të numrit
të audiencës”, sipas drejtorit të Institutit të Medias Shqiptare,
“çmimet e reklamave janë përcaktuar sipas perceptimeve personale dhe
telefonatave të rastësishme që u bëhen njerëzve nëpër shtëpi nga
punonjësit e televizioneve” (Lani, intervistë, 2008). Në mbështetje të
këtij pohimi, Albert Deliaj i kanalit vendor në Vlorë tregon se si
asistentja e tij, një herë në javë, gjatë emisionit të lajmeve të
darkës, telefonon njerëzit për t’i pyetur se çfarë po shohin në atë
moment. “Ndonjëherë ajo thjesht dëgjon se në ç’kanal është hapur
televizori dhe e mbyll telefonin pa u folur njerëzve”, thotë Deliaj
(intervistë, 2008).
Blendi Fevziu, ekspert i medias, mendon se
kjo mënyrë është e padenjë për një treg modern, të bazuar në shifra të
ndershme dhe të besueshme. Ai jo vetëm që nuk e miraton praktikën e
ndjekur deri tani, por deklaron se “tregu i transmetimit do të mbetet
kaotik nëse nuk e masim audiencën shkencërisht dhe profesionalisht”
(Fevziu, intervistë, 2008). Teksa pranojnë se kjo metodë matjeje e
audiencës është e papërshtatshme, pronarët e televizioneve fajësojnë
përmasat e vogla të tregut të reklamave, si shkak i mungesës së
investimeve në këtë aspekt. Për drejtoren e KKRT-së gjithçka në tregun e
transmetimit sot është një lojë e madhe hamendësimesh ndaj vetëm një
grup ekonomik i fuqishëm mund të investojë në matje dhe klasifikime,
duke qenë se ‘kanalet televizive nuk kanë interes; atyre u pëlqen të
vetë-vlerësohen’ (Doda, intervistë, 2008). Ky pohim duket se ka po ashtu
rrënjë të thella në mendësinë shqiptare. Sipas Lanit dhe Dulakut,
pronarët e televizioneve nuk do të pranojnë kurrë sondazhe apo matje të
audiencës nga burime të pavarura, sepse ata të gjithë deklarojnë të jenë
të parët. Të pyetur për investimin kolektiv në një strukturë
profesionale, e cila do të jetë në gjendje të llogarisë numrin e
shikuesve në shifra, fjala që përdorin më së shumti të gjithë të
intervistuarit është “mungesa e vullnetit”.
Përpos sa më sipër,
një tjetër shqetësim, që deri diku shpjegon shtrembërimin e tregut
transmetues në Shqipëri, është fakti se reklamues të mundshëm nuk kanë
interes të ushtrojnë trysni mbi kanalet televizive që këto të kenë të
dhëna shkencore për klasifikimet e tyre. Arsyeja se pse ndodh kështu
kërkon një studim të plotë të tregut dhe funksionimit të tij, ndaj nuk
mund të studiohet plotësisht si pjesë e këtij studimi. Gjithsesi, sipas
përkufizimit të Hasimes, “reklamat shpërndahen mes kanaleve televizive
pothuajse si ndere personale, për arsye politike apo për shkak
interesash” (intervistë, 2008). Gjithashtu, të pyetur për emrat e
kontribuuesve kryesorë të të ardhurave nga reklamat, Dulaku dhe Frangaj
përgjigjen: “telefonia e lëvizshme” (intervistë, 2008). Debati mbi
monopolin e telefonisë së lëvizshme në Shqipëri është mëse i njohur,
shprehet drejtori i Institutit Shqiptar të Medias, ndaj dhe “buxheti i
tyre për reklama televizive nuk bazohet në audiencën e medias; vendimi
merret për të mbajtur një marrëdhënie të mirë me median për të shmangur
hetimin mbi tarifat e tyre të larta” (Lani, intervistë, 2008).
Struktura e pronësisë së medias
Gjatë
intervistave të detajuara, vura re se të gjitha kanalet televizive
private ishin biznese familjare, dhe vendimi për të investuar në median
televizive kish ardhur si shtesë ndaj bizneseve të tjera fitimprurëse.
Edhe pse i njihja të intervistuarit që para se t’i intervistoja, mësova
aspekte të tyre që nuk i kisha parë apo dëgjuar më parë, si për shembull
rasti i TV Klanit, i cili kishte nisur të transmetonte prej banjës së
zyrës së pronarit pas një ndreqjeje modeste. Nga bisedat u mësua se
asnjë prej pronarëve të kanaleve televizive nuk kishte menduar të
kërkonte licencën për të transmetuar, kjo për shkak të kaosit dhe
paaftësisë, si dhe të akuzave për lidhje politike të anëtarëve të
rregullatorit. Për ketë arsye, vendimet e KKRT-së ishin kontestuar pa
shumë kokëçarje, ndaj dhe drejtorja e KKRT-së, Mesila Doda, pohon se
beteja kryesore e rregullatorit është ndërmjet kanaleve televizive dhe
gjykatave.
Një tjetër aspekt që doli në pah gjatë intervistave,
ishte fakti se, kanalet televizive janë më shumë një mjet për të
mbrojtur bizneset e tjera të pronarëve përkatës, se sa përpjekje për të
fituar para dhe për të qenë fitimprurëse. Kështu, metafora e përdorur
nga ekspertët e medias shqiptare se media elektronike përdoret si
mburojë dhe shigjetë, u justifikua dhe u mbrojt nga hezitimi i drejtorit
të Zyrës së Taksave në Tiranë, Jovan Cano, për të kontrolluar
ekuilibrat mediatikë dhe deklaratat e buxhetit vjetor. Vërejtja e tij se
“kështu e ka Shqipëria” flet shumë për standardet dhe respektin ndaj
ligjit në vend, dhe është njëkohësisht një e vërtetë e pamohueshme e një
tregu televiziv të mbingarkuar, i cili, sipas Fevziut, “nuk ka kuptim”
(intervistë, 2008). Në fund të fundit, përdorimi i medias për të fituar
pushtet ekonomik apo politik nuk është një shpikje e Europës Juglindore.
Siç shprehet dhe Hastings-i, “jo rrallë pronarët i konsiderojnë titujt e
tyre si largësi qitjeje nga ku mund të zgjedhin nishanin sipas
dëshirës, për ta persekutuar apo për t’i dhënë atij statusin e species
së mbrojtur” (Hastings, 2002: xiv).
Për shkak të shfytyrimit të
tregut të televizioneve private, çka u pranua gjerësish nga të
intervistuarit, media transmetuese në Shqipëri duket se është shumë larg
prej vendeve të tjera ish komuniste. Thënë ndryshe, reformat ligjore
dhe zhvillimet ekonomike, bazuar në konkurrencën e lirë e të ndershme,
përballen me sfida thelbësore, kurse tregu i televizioneve është ende
larg të qenit i konsoliduar. Kjo mund të ilustrohet me faktin se pronari
i TV Klanit ishte i kënaqur me ofertën për ta shitur stacionin e tij
televiziv për 30 milionë dollarë, ndërkohë që para vetëm një muaji, në
Bullgari, një tjetër vend ish komunist me një popullsi prej 8 milionë
banorësh, televizioni privat Nova u ble për 600 milionë dollarë nga një
kompani skandinave e quajtur Modern Times Group (2008, faqe
interneti).mapo.
Re: Shpërthimi i kanaleve televizive private në Shqipërinë pas Komuniste
Te flas per shqiprin duhet 1 cik pun;pasi edhe pse jemi nkriz tpakten ne populli shkret duam te ulemi ne dark te qet e te shohim dicka ne tv;po kudo qe ta cosh te del saliu e edi rama duke shar njeri-tjetrin me fjal nga me te ndryshmet; cti besh ket pun kan kta stacione
Anakonda- V.I.P Anëtarë
- Vendbanimi : Australia
Postime : 31717
Gjinia :
Anëtarësuar : 02/12/2011
Mosha : 34
Hobi : Once Upon A Time
Similar topics
» Pse nuk denohen krimet e diktatures komuniste?
» Perse Veriu quhet i persekutuar nga rregjimi i Diktatures Komuniste?
» “Shpërthimi’ i Gattuso
» Shperthimi i urrejtjes
» Nexhmije Hoxha, një rrëfim i ri plot detaje për diktaturën komuniste dhe ish-Bllokun
» Perse Veriu quhet i persekutuar nga rregjimi i Diktatures Komuniste?
» “Shpërthimi’ i Gattuso
» Shperthimi i urrejtjes
» Nexhmije Hoxha, një rrëfim i ri plot detaje për diktaturën komuniste dhe ish-Bllokun
Faqja 1 e 1
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi