Shpirti i lirë i një qyteti
Faqja 1 e 1
Shpirti i lirë i një qyteti
Pasi lë pas rrugën e gjarpëruar të Kërrabës, shoqëruar me kurora ullinjsh, si nga një ballkon të shfaqet qyteti i Elbasanit. Një mëngjes dimri ende i pagdhirë mirë. Mali i Tomorit përskuq nga takimi i parë me diellin. Gjithnjë na befason ky fron Perëndie, dhe në mendje na vijnë vargjet e poetit Xhevahir Spahiu: |
Athosi lan këmbët në det Tomori lan sytë, i dyti është i parë, i pari është i dytë. Me pamje nga Elbasani, ky mal i lartë e i shenjtë duket sikur heshton. Mjegulla e tymtë e metalurgjikut - rrënojë, ia vesh Tomorit sytë e larë në det. Ndoshta do të dëshironte të ishte çdo ditë mbuluar me dëborë të bardhë, të pastër, për ta larë këtë mjegullnajë që dëmton klorofilin e qytetit. Dielli shfaqet pak nga pak pas një kodre, sikur ta nginte dikush me dorë. Rrezet e para të tij i thonë mirëmëngjes qytetit, duke ravijëzuar me radhë konturet e kalasë, shtatoret e korifenjve të mëdhenj të diturisë dhe përparimit kombëtar, si Kostandin Kristoforidhi, Aqif Pashë Elbasani, Aleksandër Xhuvani, Luigj Gurakuqi etj. Nuk ishte rastësi që disa prej kësaj plejade të shquar ishin njësuar me Elbasanin, duke e pasur si emër të dytë. Çdo ditë të re mund të themi se ky qytet i mesit të Shqipërisë zgjohet i dyfishtë: qyteti i kohës së sotme - Elbasani, dhe Skampa e lashtë, që fle e zgjohet nën të. Elbasanin, banorët e tij e kanë çdo ditë në sy, e shohin se si ndryshon, u gëzohen ndërtimeve të reja, si dhe daljes herë pas here në pah të vlerave të lashtësisë së qytetit. Ato rrinin me shekuj të panjohura për ta. Ndonjëherë qytetarët edhe janë pezmatuar, siç ndodhi kur ia prenë vargun e pishave aty ndanë bulevardit. Kështu ndodh përgjithësisht me gjërat që duam. Por tashti ata kanë një shëtitore të gjerë, tej e tej qytetit, ku intimisht kalojnë çdo ditë. Shohin muret e kalasë të përshfaqura tej e tej me lashtësinë dhe madhështinë e tyre. Gjelbërim i ri po mbin. Porta e kalasë, si një ftesë e hapur, të fton në brendësi të saj. Nëpër rrugicat me kalldrëme të hershme, po ato shtëpi me arkitekturën e tyre origjinale. Një përkitje interesante: kjo lagje sot ka 4 mijë banorë, po aq sa ka pasur në fillimet e saj. Nëpër labirintet e saj ka aq histori. Vizitori gjen pranë e pranë dy objekte kulti: xhaminë dhe kishën, varrin e Kristoforidhit, shkollën e parë shqipe të qytetit aty ngjitur me kishën, Hamamin e Grave... Rrapi i Bezistanit është një nga simbolet e qytetit. Kohët e fundit në rrënjët e tij u zbulua një tjetër vlerë e lashtësisë: një mozaik i stërlashtë. Shkas për këtë zbulim u bë një letër-testament që kishte lënë tregtari i njohur elbasanas, Sulë Shiku, e arkivuar në Muzeun Etnografik. Kjo shërbeu si një hartë për të shkuar drejt mozaikut. Bashkia e qytetit e vlerësoi shumë këtë dokument dhe i dha udhë projektit për zbulimin e tij. Mozaiku është në përmasa 5x5 metra. Punimet vazhdojnë. Specialistë e studiues të njohur të arkeologjisë sonë shprehen se objekti i takon shekullit të tretë ose të katërt të erës sonë. Një mozaik me ngjyra, me elementë të shumëllojshëm, si afreske, kolona të mermerta, enë prej balte e qeramike, gurë të gdhendur me teknikat e përsosura të kohës... Ka disa momente kulmore në jetën dhe veprimtarinë shekullore të këtij qyteti arsimdashës, kulturëdashës dhe paqedashës. Jo më larg se dhjetë muaj pas Kongresit të Manastirit, një tjetër kongres kombëtar u mbajt në Elbasan. Ai njihet si Kongresi i Elbasanit, një ngjarje e shënuar mbarëkombëtare në historinë e arsimit, shkollës dhe kulturës shqiptare. Programi kulturor e arsimor që parashtroi Kongresi i Elbasanit parashikonte: Njohjen zyrtare të gjuhës shqipe, krijimin e një shkolle të mesme për përgatitjen e mësuesve të ardhëm, që njihet si Normalja e Elbasanit, si dhe ngritjen e shkollave të tjera në gjuhën shqipe kudo në vend. Normalja e Elbasanit i hapi dyert më 1 dhjetor të vitit 1909. Në programin e veprimtarive që do të organizohen për të përkujtuar me madhështi 100-vjetorin e Shkollës Normale bën pjesë dhe shtatorja e lartë që po ngrihet në nderim të saj, mbështetur nga bashkia e qytetit. Shkojmë në studion e skulptorit Vladimir Caridha, që po e krijon këtë shtatore. Djalë i një familjeje të fisme të lagjes "Kala", i diplomuar për skulpturë në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë, emigroi për disa vite në Greqi. Ndjehet mirë që është rikthyer në vendlindje për ta vënë talentin e tij në shërbim të saj. Shtatorja e lartë është në përfundim. Një gjetje e konceptim arkitekturor i studiuar, elegant dhe emocionues. Të njëqind vitet e Normales mishërohen në figurën e një mësueseje të re, me një qëndrim sa dinjitoz, aq dhe femëror... Në dorë mban librin, ndërsa fustanella e saj, si një libër i hapur, ngjan me një kronikë të pasur të historisë së Normales e të figurave të shquara të saj. Shkolla Normale pati jehonë të madhe brenda dhe jashtë vendit. Shtypi i kohës e cilëson si shkollë të lartë. Ajo mbetet për shumë dekada institucioni i parë për përgatitjen e mësuesve në hapësirën mbarëshqiptare. Normalja dallohet jo vetëm për misionin historik-kombëtar e arsimor, por dhe për vlerat didaktike e pedagogjike. Drejtoresha aktuale e shkollës së mesme pedagogjike "Luigj Gurakuqi", shprehet se stafi pedagogjik dhe nxënësit e saj ndjehen krenarë që janë pasardhës të normalistëve të parë. Gjithkush që ulet për herë të parë në bankat e kësaj shkolle ndjen nevojën të vizitojë në fillim muzeun e saj. Përpjekjet për të krijuar një muze të Normales nisën shumë vite më parë. U grumbulluan dokumente, foto, relike... Për 30 vite rresht, mësuesi i gjeografisë, Genc Trandafili, ka punuar dhe vijon të punojë me pasion dhe idealizëm për pasurimin e muzeut. Në fondin e tij ndodhen të ekspozuara e të arkivuara rreth 30 mijë dokumente, një pjesë e të cilave janë origjinale. Mbi 5 mijë foto, relike, ditarë e regjistra, si të jenë qëndisur me një shqipe të saktë e të bukur... Po kaq mbresëlënëse janë dhe shifrat. Normalja numëron rreth 15 mijë mësues të diplomuar. Mbi 30 mësues, ish-normalistë, janë nderuar me titullin "Mësues i Popullit", dhe afër 70 të tjerë me titullin "Mësues i Merituar". Kontribut të dukshëm për pasurimin e muzeut ka dhënë dhe shoqata "Normalisti". Ajo është themeluar më 1991, nga një grup nismëtarësh veteranë të arsimit mbarëkombëtar. Me veprimtaritë e saj, shoqata synon ruajtjen dhe trashëgimin e vlerave historike, kulturore e pedagogjike të Normales, dhe përcjelljen e tyre ndër breza. Lidhur me ardhmërinë e Normales 100-vjeçare ka ide dhe projekte të ndryshme nga studiues të njohur të gjuhësisë dhe arsimit shqiptar, si të profesor Mehmet Çelikut e të tjerë, që shprehen për kthimin e Normales në universitet. Elbasani ka një traditë të vyer edhe në fushën e publicistikës. Gazeta e parë në këtë qytet daton në vitin 1910. "Tomorri" titullohej ajo dhe drejtohej nga intelektuali i shquar Lef Nosi. Në faqet e saj trajtoheshin përgjithësisht probleme të rrafshit kulturor, arsimor të qytetit dhe rrethinave të tij, si dhe çështje të politikës së kohës. Në fillim të shekullit XX publicistika elbasanase do të merrte një zhvillim të dukshëm. Në periudhën e viteve 1920-‘24 u shënua pika kulmore e publicistikës përparimtare e demokratike. Disa gazeta si "Ku vemi", "Ura e Shkumbinit" etj., luajtën rol të rëndësishëm si opozitë e kohës dhe u bënë shkollë e publicistikës shqiptare. Sikurse është shprehur ambasadori i Kongresit Botëror të Hebrenjve, Mordekhai Arbel, Shqipëria është e shquar në shpëtimin e hebrenjve nga ndjekja e nazizmit. Solidariteti dhe humanizmi ndaj hebrenjve ka lënë gjurmë jo vetëm gjatë Luftës së Dytë Botërore, por qysh prej periudhës së Antikës së vonë e në Mesjetë, deri në kohët moderne. Elbasani ishte një prej qyteteve shqiptare që mori në mikpritje një numër jo të vogël hebrenjsh. Virtyti shqiptar - besa, u bë strehë ku hebrenjtë mund të mbroheshin nga ora e rrezikut. Të dhëna të mbështetura në kujtesën popullore na çojnë në disa prej familjeve elbasanase që strehuan hebrenjtë, si Adelina Nosi, Vasil Nosi, Qemal Karosmani, Destan Kurmaku, Niko Piluri, Besim Zyma etj. Pas luftës ata u larguan për në atdheun e tyre, Izrael. Për një kohë të gjatë, penguar nga diktatura në Shqipëri, miqësia e krijuar në ditët e vështira nuk mundi të takohej. Por kur u takuan, virtyti i mirënjohjes kishte po atë shkëlqim. Elbasani i kishave, xhamive, teqeve, tyrbeve... e ka reflektuar ndër kohëra, si e gjithë Shqipëria, tolerancën e shkëlqyer fetare. Në lagjen "Kala" rrinë pranë e pranë kisha dhe xhamia. Njerëzit që qëmoti respektonin festat dhe ritet fetare të njëri-tjetrit. Madje, jo në pak raste besimi fetar ka nxitur dhe mbrojtur atdhedashurinë, gjuhën dhe shkollën shqipe. Visarion Xhuvani njihet si një klerik dhe atdhetar i shquar. Ai është ndër themeluesit e Kishës Autoqefale shqiptare. Më 1919 ai u prit shumë mirë nga elbasanasit. Ndërsa vetë kleriku, në shërbesën e parë, pasi bekoi qytetin e tij, u shpreh: "Do të ishte më mirë që, në vend që të ketë tri kisha, të ketë një kishë, por të ketë shkolla...". Kleriku mbrojti gjithashtu domosdoshmërinë e gjuhës letrare shqipe. Ka përkthyer "Mesharin" dhe jetën e Shën Gjon Vladimirit. Me ndihmën e tij u ngrit busti i Kostandin Kristoforidhit. Nga 1943 deri më 1946 ishte piskop në qytetin e Vlorës. Në atë kohë u arrestua nga diktatura komuniste. Vdiq në Elbasan dhe u varros në Manastirin e Shën Gjon Vladimirit në Shëngjon... Shpirti i lirë e i butë i elbasanasit është mbrujtur nga kultura dhe dashuria njerëzore. Shprehje e kësaj urtie të mençur janë dhe momentet tepër delikate historike që zgjidhte me dialog dhe mirëkuptim njerëzor Aqif Pashë Biçaku, një nga figurat më në zë të lëvizjes kombëtare, para dhe pas shpalljes së pavarësisë. Figura si ai kishin shpirtëzuar besimin se tipari dallues i personalitetit të përsosur nuk është rebelimi, por shpirti paqësor. Ka një traditë të admirueshme në këtë qytet lidhur me familjen, komunitetin, fqinjësinë... Ato janë struktura sociale, që në brendësinë e tyre lulëzojnë ndjenjat bazë të humanitetit. Ato nuk e lënë njeriun të humbasë, si dhembshuria, miqësia, autoriteti dhe njohja. Në një xhami të vitit 1639, formuluesi i poezive qe një njeri i quajtur Manastirliu, poet i Elbasanit. Në një poezi të tij thuhet: "... Lavdia e shtëpisë është i zoti... dhe lavdia e të zotit është bujaria e tij". Qyteti i mjeshtrit të madh të këngës popullore elbasanase të shekullit XX, Isuf Myzyri, ka një traditë të pasur kulturore. Natyra e bukur dhe gjelbërimi ndoshta kanë ndikuar që të ketë shumë poetë. Udhëtari turk, Elvia Çelebiu, në shekullin XVII vizitoi edhe Elbasanin. Ai u habit nga numri i madh i poetëve dhe i poezive të shkruara në mjediset e shtëpive elbasanase. Krejt natyrshëm i erdhi Çelebiut kur e quajti qytetin "Darush Shuari" ("Shtëpia e Poetëve"). Traditat e pasura kulturore të këtij qyteti kulmojnë me krijimin e bandës muzikore "Afërdita". Koncertin e parë muzikor ky formacion kulturor e dha më 1917, ndërsa më 1920 shkon të marrë pjesë në Luftën e Vlorës. Këto tradita i respekton dhe i pasuron më tej sot veprimtaria e gjithanshme e qendrës kulturore të qytetit, për të cilën na rrëfen drejtori i saj, Fadil Paheshti. Dhurimi, si virtyt natyror i shpirtit të pasur, ka traditën e vet në këtë qytet. Të dhurosh në kohën e duhur dhe pa kushte është vlerë shpirtërore. Në kohët moderne ky akt quhet filantropi. Duke qëmtuar në bamirësinë e hershme të qytetit, përmendim Ali Agjah Bej Biçakun, ndër bamirësit e dokumentuar për testamentin e lënë. Tërë pasurinë e tij e vuri në dobi të arsimit kombëtar. Tafil Boletini, djali i Isa Boletinit, tërhoqi në veprimtari bamirësie për arsimin shoqërinë e duhanit "SAIDE", e cila dha një kontribut për ndërtimin e Shkollës Normale dhe godinave të tjera arsimore. Një nga tregtarët më në zë të qytetit, Sulejman Domi, ndihmonte vajzat e varfra të bënin pajën e martesës, dhe të rinjtë që të shkolloheshin... Trashëgimtarët e tij në vazhdim të bamirësisë së familjes, dhuruan një truall ku u ndërtua një shkollë. Kohët e fundit, personaliteti i njohur i gjuhës shqipe, profesor Mahir Domi, nderi i Elbasanit, bibliotekën e tij vetjake ia dhuroi bibliotekës publike. Biblioteka publike e Elbasanit mban emrin "Qemal Baholli". Ndërtesa e saj është dhuratë e familjes së Nazif Bahollit, i cili e ndërtoi dhe e pajisi me fond të pasur në kujtim të djalit të tij student, që u nda i ri nga jeta. Kjo bibliotekë u pasurua edhe me mbështetjen e intelektualit e atdhetarit të shquar Lef Nosi. Tradita e bamirësisë përcillet. Ibrahim Çoçoli, elbasanas me banim në Amerikë, në vitin 1975 la një testament të fisëm: me të hollat e tij të ngrihej një bibliotekë në Elbasan. Ajo u ngrit në lagjen "Vullnetari". Biblioteka publike e Elbasanit renditet ndër më të pasurat e vendit. Ajo numëron rreth 200 mijë libra e koleksione periodike në gjuhën shqipe e të huaj, që kanë hyrë në fond që me themelimin e saj. Fondi i albanologjisë, ballkanologjisë, periodikut të paraluftës së Dytë botërore numëron mbi 15 mijë libra e koleksione me vlerë. Elbasani quhet me të drejtë qyteti i luleve e i portokalleve. Natyrisht që në hartën e zhvillimeve moderne nuk i gjen më ato kopshte e qipshte me pemë nga më të larmishmet... Jo shpesh gjendet jasemini, gojasllani, lulesahati, dorëzonja, lule mos më prek, lule misiri, sefergjeni... kohët ecin, emërtime të tjera ua zënë vendin atyre. Por një gjë është e bukur në Elbasan: përpjekja e bashkisë, specialistëve të urbanistikës e të arkitekturës, që në ndërtimet e reja të ndërthuret modernia me elementë të traditës së qytetit. Kumuria është shpendi karakteristik i qytetit të Elbasanit. Gu-gu janë fjalët dhe muzika e këngës së saj, e zërit të saj engjëllor, që këndon kopshteve, bahçeve të Elbasanit. Folenë e ndërton në lartësi jo të mëdha, sikur do që të jetë sa më pranë njerëzve. Ky shpend nuk është shtegtar. Edhe kjo një cilësi biologjike, që përkon me lidhjen speciale të elbasanasve me qytetin, prej të cilit e kanë pasur zor të largohen. Bukuritë e Elbasanit dhe virtytet e shpirtit njerëzor të këtij qyteti kanë qenë objekt i penelit të shumë piktorëve të huaj që e kanë vizituar atë në periudha të ndryshme. Motivet e marra nga Elbasani i gjejmë në tablotë e Eduart Lir, piktorit vjenez Ludvig Hesajmer, piktorit italian Sorbelli etj. Edit Durham në fillim të shekullit XX qëndron në Elbasan dhe realizon një numër të madh skicash e akuarelesh. Temë e tyre u bënë qyteti, krahinat e tij, portretet me veshjet karakteristike të zonave... Një pjesë të tyre studiuesja angleze i përfshin dhe në veprën e njohur "Brenga e Ballkanit", botim i 1905-ës. Zakonisht, në biseda miqësore, kur përmendet Elbasani dhe traditat e tij festive, menjëherë të vjen në mendje Dita e Verës, si ditë e ripërtëritjes së natyrës dhe shpirtit njerëzor. Ritet e festimit të saj manifestojnë dëshirën për të gëzuar, për të shpresuar, për të qenë humanë me njëri-tjetrin. Ky qytet ka qenë i përmendur për furrtarë e bukëpjekës, që bënin simite me bugaçe, ballokumet, fërgesën karakteristike, tavën e kosit etj. Këtë të fundit e gjejmë dhe në menytë e Ballkanit, por edhe të disa vendeve europiane e gjetiu. Furrtari i njohur elbasanas, Xhevat Koburja, ka mbi 60 vite që u shërben bashkëqytetarëve të tij. Ai shprehet se që nga tavat që vinin në furrë, e dinte se cilës familje i përkisnin, pa le që i dinte dhe shijet. Kështu që jo thjesht ua piqte tavat, por u shtonte shijen me merakun dhe talentin e tij për kuzhinën elbasanase. Për të ruajtur lidhjet shpirtërore me qytetin, disa elbasanas në emigracion, lokalet e tyre i kanë emërtuar "Elbasani" apo "Skampa". Gjellët karakteristike të qytetit u janë shtuar edhe menyve shijeholla të Perëndimit. Është e natyrshme që banorët në përgjithësi të interesohen se nga vjen emri i qytetit të tyre. Dihet se Elbasani më parë, që në shekullin II, njihej me emrin Skampa. Për kuptimin e emrit të mëvonshëm, Elbasan, na ndihmojnë gojëdhënat apo kronikat e kohës. Thuhet se pas disfatës që pësoi në rrethimin e dytë të Krujës, në vitin 1466, sulltan Mehmeti i Dytë rindërtoi kalanë e Elbasanit, për ta pasur si pikëmbështetje të mëvonshme. Në hyrje të kalasë, mbi një pllakë, sulltani shkroi në turqisht një mbishkrim, i cili në shqip do të tingëllonte VURA DORË! Por Skampa nuk kishte si ta pranonte dorën e huaj. Kambanat e zgjimit të saj nuk do të pushonin, për të nxjerrë në sipërfaqe Ilirinë. Kjo ka bërë që Elbasani çdo ditë e më shumë të kthehet në një muze të hapur për vlerat e rralla arkeologjike e turistike që ka. Vizitori që vjen për herë të parë në Elbasan, përveç kalasë, mund të shohë kishën e Shën Mërisë, xhaminë Mbret, muzeun e pasur etnografik, fragmentet e Egnatias së hershme, kalanë e Mengëlit, kalanë e Qafës në Sulovë, mozaikun te Rrapi i Bezistanit, pikën turistike të Bushekut, pikturat e Onufrit, qendrën kurative të llixhave... që janë një pasuri e turizmit kulturor. Në sezonet turistike të viteve të kaluara këtë qytet e kanë vizituar afro 6000 turistë. Largohesh nga ky qytet duke marrë me vete paqe nga shpirti i lirë dhe qytetar elbasanas, duke dëshiruar e uruar që të ketë më shumë punësim, që i jep ritmin jetës së merituar. Sepse, natyrisht, si pasardhës i Skampës ilire dhe pas 100 vjet të Normales, Elbasani meriton më shumë! |
Erkidi- I/e Regjistruar
- Vendbanimi : Athens
Postime : 35
Anëtarësuar : 15/12/2009
Hobi : skam profesjon nje kam shum
Similar topics
» Shpirti i lirë i një qyteti
» Femija eshte shpirti, ndersa femija i femijes (nipi & mbesa) eshte shpirti i shpirtit...
» SHPIRTI IM
» Poezi shpirti!
» Qetësohu, shpirti im!
» Femija eshte shpirti, ndersa femija i femijes (nipi & mbesa) eshte shpirti i shpirtit...
» SHPIRTI IM
» Poezi shpirti!
» Qetësohu, shpirti im!
Faqja 1 e 1
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi