Klea Love Forum
Klea Love Forum - Welcome
Shpirti i lirë i një qyteti People-icon
Mirë se vini në Klea Love Forum, Ju ftojmë që të Regjistroheni, në mënyre që të keni aksese në të gjitha kategorit dhe temat, në Klea Love Forum, mund të gjeni Shoqeri, Filma Shqip dhe të huaj, Muzikën më të re 2013, DVD Humore shqip, Këshilla Mjeksore, Diskutime, Video Klipe, Kuriozitete, dhe Lajmet më të reja nga vendi dhe bota.

KleaLove.com / Staff.


Join the forum, it's quick and easy

Klea Love Forum
Klea Love Forum - Welcome
Shpirti i lirë i një qyteti People-icon
Mirë se vini në Klea Love Forum, Ju ftojmë që të Regjistroheni, në mënyre që të keni aksese në të gjitha kategorit dhe temat, në Klea Love Forum, mund të gjeni Shoqeri, Filma Shqip dhe të huaj, Muzikën më të re 2013, DVD Humore shqip, Këshilla Mjeksore, Diskutime, Video Klipe, Kuriozitete, dhe Lajmet më të reja nga vendi dhe bota.

KleaLove.com / Staff.
Klea Love Forum
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shpirti i lirë i një qyteti

2 posters

Shko poshtë

Shpirti i lirë i një qyteti Empty Shpirti i lirë i një qyteti

Mesazh nga WebMaster Wed 28 Apr 2010 - 6:31

Me pamje nga Elbasani, ky mal i lartë e i shenjtë duket sikur heshton.
Mjegulla e tymtë e metalurgjikut - rrënojë, ia vesh Tomorit sytë e larë
në det. Ndoshta do të dëshironte të ishte çdo ditë mbuluar me dëborë të
bardhë, të pastër, për ta larë këtë mjegullnajë që dëmton klorofilin e
qytetit. Dielli shfaqet pak nga pak pas një kodre, sikur ta nginte
dikush me dorë. Rrezet e para të tij i thonë mirëmëngjes qytetit, duke
ravijëzuar me radhë konturet e kalasë, shtatoret e korifenjve të mëdhenj
të diturisë dhe përparimit kombëtar, si Kostandin Kristoforidhi, Aqif
Pashë Elbasani, Aleksandër Xhuvani, Luigj Gurakuqi etj. Nuk ishte
rastësi që disa prej kësaj plejade të shquar ishin njësuar me Elbasanin,
duke e pasur si emër të dytë.

Çdo ditë të re mund të themi se
ky qytet i mesit të Shqipërisë zgjohet i dyfishtë: qyteti i kohës së
sotme - Elbasani, dhe Skampa e lashtë, që fle e zgjohet nën të.

Elbasanin, banorët e tij e kanë çdo ditë në sy, e shohin se si
ndryshon, u gëzohen ndërtimeve të reja, si dhe daljes herë pas here në
pah të vlerave të lashtësisë së qytetit. Ato rrinin me shekuj të
panjohura për ta. Ndonjëherë qytetarët edhe janë pezmatuar, siç ndodhi
kur ia prenë vargun e pishave aty ndanë bulevardit. Kështu ndodh
përgjithësisht me gjërat që duam. Por tashti ata kanë një shëtitore të
gjerë, tej e tej qytetit, ku intimisht kalojnë çdo ditë. Shohin muret e
kalasë të përshfaqura tej e tej me lashtësinë dhe madhështinë e tyre.
Gjelbërim i ri po mbin.

Porta e kalasë, si një ftesë e hapur,
të fton në brendësi të saj. Nëpër rrugicat me kalldrëme të hershme, po
ato shtëpi me arkitekturën e tyre origjinale. Një përkitje interesante:
kjo lagje sot ka 4 mijë banorë, po aq sa ka pasur në fillimet e saj.
Nëpër labirintet e saj ka aq histori. Vizitori gjen pranë e pranë dy
objekte kulti: xhaminë dhe kishën, varrin e Kristoforidhit, shkollën e
parë shqipe të qytetit aty ngjitur me kishën, Hamamin e Grave... Rrapi i
Bezistanit është një nga simbolet e qytetit. Kohët e fundit në rrënjët e
tij u zbulua një tjetër vlerë e lashtësisë: një mozaik i stërlashtë.
Shkas për këtë zbulim u bë një letër-testament që kishte lënë tregtari i
njohur elbasanas, Sulë Shiku, e arkivuar në Muzeun Etnografik. Kjo
shërbeu si një hartë për të shkuar drejt mozaikut. Bashkia e qytetit e
vlerësoi shumë këtë dokument dhe i dha udhë projektit për zbulimin e
tij. Mozaiku është në përmasa 5x5 metra. Punimet vazhdojnë. Specialistë e
studiues të njohur të arkeologjisë sonë shprehen se objekti i takon
shekullit të tretë ose të katërt të erës sonë. Një mozaik me ngjyra, me
elementë të shumëllojshëm, si afreske, kolona të mermerta, enë prej
balte e qeramike, gurë të gdhendur me teknikat e përsosura të kohës...

Ka disa momente kulmore në jetën dhe veprimtarinë shekullore të këtij
qyteti arsimdashës, kulturëdashës dhe paqedashës. Jo më larg se dhjetë
muaj pas Kongresit të Manastirit, një tjetër kongres kombëtar u mbajt në
Elbasan. Ai njihet si Kongresi i Elbasanit, një ngjarje e shënuar
mbarëkombëtare në historinë e arsimit, shkollës dhe kulturës shqiptare.
Programi kulturor e arsimor që parashtroi Kongresi i Elbasanit
parashikonte:

Njohjen zyrtare të gjuhës shqipe, krijimin e një
shkolle të mesme për përgatitjen e mësuesve të ardhëm, që njihet si
Normalja e Elbasanit, si dhe ngritjen e shkollave të tjera në gjuhën
shqipe kudo në vend. Normalja e Elbasanit i hapi dyert më 1 dhjetor të
vitit 1909. Në programin e veprimtarive që do të organizohen për të
përkujtuar me madhështi 100-vjetorin e Shkollës Normale bën pjesë dhe
shtatorja e lartë që po ngrihet në nderim të saj, mbështetur nga bashkia
e qytetit.

Shkojmë në studion e skulptorit Vladimir Caridha, që
po e krijon këtë shtatore. Djalë i një familjeje të fisme të lagjes
"Kala", i diplomuar për skulpturë në Akademinë e Arteve të Bukura në
Tiranë, emigroi për disa vite në Greqi. Ndjehet mirë që është rikthyer
në vendlindje për ta vënë talentin e tij në shërbim të saj. Shtatorja e
lartë është në përfundim. Një gjetje e konceptim arkitekturor i
studiuar, elegant dhe emocionues. Të njëqind vitet e Normales mishërohen
në figurën e një mësueseje të re, me një qëndrim sa dinjitoz, aq dhe
femëror... Në dorë mban librin, ndërsa fustanella e saj, si një libër i
hapur, ngjan me një kronikë të pasur të historisë së Normales e të
figurave të shquara të saj.
Shkolla Normale pati jehonë të madhe
brenda dhe jashtë vendit. Shtypi i kohës e cilëson si shkollë të lartë.
Ajo mbetet për shumë dekada institucioni i parë për përgatitjen e
mësuesve në hapësirën mbarëshqiptare. Normalja dallohet jo vetëm për
misionin historik-kombëtar e arsimor, por dhe për vlerat didaktike e
pedagogjike. Drejtoresha aktuale e shkollës së mesme pedagogjike "Luigj
Gurakuqi", shprehet se stafi pedagogjik dhe nxënësit e saj ndjehen
krenarë që janë pasardhës të normalistëve të parë. Gjithkush që ulet për
herë të parë në bankat e kësaj shkolle ndjen nevojën të vizitojë në
fillim muzeun e saj.

Përpjekjet për të krijuar një muze të
Normales nisën shumë vite më parë. U grumbulluan dokumente, foto,
relike... Për 30 vite rresht, mësuesi i gjeografisë, Genc Trandafili, ka
punuar dhe vijon të punojë me pasion dhe idealizëm për pasurimin e
muzeut. Në fondin e tij ndodhen të ekspozuara e të arkivuara rreth 30
mijë dokumente, një pjesë e të cilave janë origjinale. Mbi 5 mijë foto,
relike, ditarë e regjistra, si të jenë qëndisur me një shqipe të saktë e
të bukur... Po kaq mbresëlënëse janë dhe shifrat. Normalja numëron
rreth 15 mijë mësues të diplomuar. Mbi 30 mësues, ish-normalistë, janë
nderuar me titullin "Mësues i Popullit", dhe afër 70 të tjerë me
titullin "Mësues i Merituar". Kontribut të dukshëm për pasurimin e
muzeut ka dhënë dhe shoqata "Normalisti". Ajo është themeluar më 1991,
nga një grup nismëtarësh veteranë të arsimit mbarëkombëtar. Me
veprimtaritë e saj, shoqata synon ruajtjen dhe trashëgimin e vlerave
historike, kulturore e pedagogjike të Normales, dhe përcjelljen e tyre
ndër breza.

Lidhur me ardhmërinë e Normales 100-vjeçare ka ide
dhe projekte të ndryshme nga studiues të njohur të gjuhësisë dhe arsimit
shqiptar, si të profesor Mehmet Çelikut e të tjerë, që shprehen për
kthimin e Normales në universitet.

Elbasani ka një traditë të
vyer edhe në fushën e publicistikës. Gazeta e parë në këtë qytet daton
në vitin 1910. "Tomorri" titullohej ajo dhe drejtohej nga intelektuali i
shquar Lef Nosi. Në faqet e saj trajtoheshin përgjithësisht probleme të
rrafshit kulturor, arsimor të qytetit dhe rrethinave të tij, si dhe
çështje të politikës së kohës. Në fillim të shekullit XX publicistika
elbasanase do të merrte një zhvillim të dukshëm. Në periudhën e viteve
1920-‘24 u shënua pika kulmore e publicistikës përparimtare e
demokratike. Disa gazeta si "Ku vemi", "Ura e Shkumbinit" etj., luajtën
rol të rëndësishëm si opozitë e kohës dhe u bënë shkollë e publicistikës
shqiptare.

Sikurse është shprehur ambasadori i Kongresit
Botëror të Hebrenjve, Mordekhai Arbel, Shqipëria është e shquar në
shpëtimin e hebrenjve nga ndjekja e nazizmit. Solidariteti dhe humanizmi
ndaj hebrenjve ka lënë gjurmë jo vetëm gjatë Luftës së Dytë Botërore,
por qysh prej periudhës së Antikës së vonë e në Mesjetë, deri në kohët
moderne. Elbasani ishte një prej qyteteve shqiptare që mori në mikpritje
një numër jo të vogël hebrenjsh. Virtyti shqiptar - besa, u bë strehë
ku hebrenjtë mund të mbroheshin nga ora e rrezikut. Të dhëna të
mbështetura në kujtesën popullore na çojnë në disa prej familjeve
elbasanase që strehuan hebrenjtë, si Adelina Nosi, Vasil Nosi, Qemal
Karosmani, Destan Kurmaku, Niko Piluri, Besim Zyma etj. Pas luftës ata u
larguan për në atdheun e tyre, Izrael. Për një kohë të gjatë, penguar
nga diktatura në Shqipëri, miqësia e krijuar në ditët e vështira nuk
mundi të takohej. Por kur u takuan, virtyti i mirënjohjes kishte po atë
shkëlqim.

Elbasani i kishave, xhamive, teqeve, tyrbeve... e ka
reflektuar ndër kohëra, si e gjithë Shqipëria, tolerancën e shkëlqyer
fetare. Në lagjen "Kala" rrinë pranë e pranë kisha dhe xhamia. Njerëzit
që qëmoti respektonin festat dhe ritet fetare të njëri-tjetrit. Madje,
jo në pak raste besimi fetar ka nxitur dhe mbrojtur atdhedashurinë,
gjuhën dhe shkollën shqipe. Visarion Xhuvani njihet si një klerik dhe
atdhetar i shquar. Ai është ndër themeluesit e Kishës Autoqefale
shqiptare. Më 1919 ai u prit shumë mirë nga elbasanasit. Ndërsa vetë
kleriku, në shërbesën e parë, pasi bekoi qytetin e tij, u shpreh: "Do të
ishte më mirë që, në vend që të ketë tri kisha, të ketë një kishë, por
të ketë shkolla...". Kleriku mbrojti gjithashtu domosdoshmërinë e gjuhës
letrare shqipe. Ka përkthyer "Mesharin" dhe jetën e Shën Gjon
Vladimirit. Me ndihmën e tij u ngrit busti i Kostandin Kristoforidhit.
Nga 1943 deri më 1946 ishte piskop në qytetin e Vlorës. Në atë kohë u
arrestua nga diktatura komuniste. Vdiq në Elbasan dhe u varros në
Manastirin e Shën Gjon Vladimirit në Shëngjon...

Shpirti i lirë e
i butë i elbasanasit është mbrujtur nga kultura dhe dashuria njerëzore.
Shprehje e kësaj urtie të mençur janë dhe momentet tepër delikate
historike që zgjidhte me dialog dhe mirëkuptim njerëzor Aqif Pashë
Biçaku, një nga figurat më në zë të lëvizjes kombëtare, para dhe pas
shpalljes së pavarësisë. Figura si ai kishin shpirtëzuar besimin se
tipari dallues i personalitetit të përsosur nuk është rebelimi, por
shpirti paqësor. Ka një traditë të admirueshme në këtë qytet lidhur me
familjen, komunitetin, fqinjësinë... Ato janë struktura sociale, që në
brendësinë e tyre lulëzojnë ndjenjat bazë të humanitetit. Ato nuk e lënë
njeriun të humbasë, si dhembshuria, miqësia, autoriteti dhe njohja. Në
një xhami të vitit 1639, formuluesi i poezive qe një njeri i quajtur
Manastirliu, poet i Elbasanit. Në një poezi të tij thuhet: "... Lavdia e
shtëpisë është i zoti... dhe lavdia e të zotit është bujaria e tij".

Qyteti i mjeshtrit të madh të këngës popullore elbasanase të shekullit
XX, Isuf Myzyri, ka një traditë të pasur kulturore. Natyra e bukur dhe
gjelbërimi ndoshta kanë ndikuar që të ketë shumë poetë. Udhëtari turk,
Elvia Çelebiu, në shekullin XVII vizitoi edhe Elbasanin. Ai u habit nga
numri i madh i poetëve dhe i poezive të shkruara në mjediset e shtëpive
elbasanase. Krejt natyrshëm i erdhi Çelebiut kur e quajti qytetin
"Darush Shuari" ("Shtëpia e Poetëve"). Traditat e pasura kulturore të
këtij qyteti kulmojnë me krijimin e bandës muzikore "Afërdita".
Koncertin e parë muzikor ky formacion kulturor e dha më 1917, ndërsa më
1920 shkon të marrë pjesë në Luftën e Vlorës. Këto tradita i respekton
dhe i pasuron më tej sot veprimtaria e gjithanshme e qendrës kulturore
të qytetit, për të cilën na rrëfen drejtori i saj, Fadil Paheshti.

Dhurimi, si virtyt natyror i shpirtit të pasur, ka traditën e vet në
këtë qytet. Të dhurosh në kohën e duhur dhe pa kushte është vlerë
shpirtërore. Në kohët moderne ky akt quhet filantropi. Duke qëmtuar në
bamirësinë e hershme të qytetit, përmendim Ali Agjah Bej Biçakun, ndër
bamirësit e dokumentuar për testamentin e lënë.

Tërë pasurinë e
tij e vuri në dobi të arsimit kombëtar. Tafil Boletini, djali i Isa
Boletinit, tërhoqi në veprimtari bamirësie për arsimin shoqërinë e
duhanit "SAIDE", e cila dha një kontribut për ndërtimin e Shkollës
Normale dhe godinave të tjera arsimore. Një nga tregtarët më në zë të
qytetit, Sulejman Domi, ndihmonte vajzat e varfra të bënin pajën e
martesës, dhe të rinjtë që të shkolloheshin... Trashëgimtarët e tij në
vazhdim të bamirësisë së familjes, dhuruan një truall ku u ndërtua një
shkollë. Kohët e fundit, personaliteti i njohur i gjuhës shqipe,
profesor Mahir Domi, nderi i Elbasanit, bibliotekën e tij vetjake ia
dhuroi bibliotekës publike. Biblioteka publike e Elbasanit mban emrin
"Qemal Baholli". Ndërtesa e saj është dhuratë e familjes së Nazif
Bahollit, i cili e ndërtoi dhe e pajisi me fond të pasur në kujtim të
djalit të tij student, që u nda i ri nga jeta. Kjo bibliotekë u pasurua
edhe me mbështetjen e intelektualit e atdhetarit të shquar Lef Nosi.
Tradita e bamirësisë përcillet. Ibrahim Çoçoli, elbasanas me banim në
Amerikë, në vitin 1975 la një testament të fisëm: me të hollat e tij të
ngrihej një bibliotekë në Elbasan. Ajo u ngrit në lagjen "Vullnetari".

Biblioteka publike e Elbasanit renditet ndër më të pasurat e vendit.
Ajo numëron rreth 200 mijë libra e koleksione periodike në gjuhën shqipe
e të huaj, që kanë hyrë në fond që me themelimin e saj. Fondi i
albanologjisë, ballkanologjisë, periodikut të paraluftës së Dytë
botërore numëron mbi 15 mijë libra e koleksione me vlerë.


Elbasani quhet me të drejtë qyteti i luleve e i portokalleve. Natyrisht
që në hartën e zhvillimeve moderne nuk i gjen më ato kopshte e qipshte
me pemë nga më të larmishmet... Jo shpesh gjendet jasemini, gojasllani,
lulesahati, dorëzonja, lule mos më prek, lule misiri, sefergjeni...
kohët ecin, emërtime të tjera ua zënë vendin atyre. Por një gjë është e
bukur në Elbasan: përpjekja e bashkisë, specialistëve të urbanistikës e
të arkitekturës, që në ndërtimet e reja të ndërthuret modernia me
elementë të traditës së qytetit.

Kumuria është shpendi
karakteristik i qytetit të Elbasanit. Gu-gu janë fjalët dhe muzika e
këngës së saj, e zërit të saj engjëllor, që këndon kopshteve, bahçeve të
Elbasanit. Folenë e ndërton në lartësi jo të mëdha, sikur do që të jetë
sa më pranë njerëzve. Ky shpend nuk është shtegtar. Edhe kjo një cilësi
biologjike, që përkon me lidhjen speciale të elbasanasve me qytetin,
prej të cilit e kanë pasur zor të largohen.
Bukuritë e Elbasanit dhe
virtytet e shpirtit njerëzor të këtij qyteti kanë qenë objekt i penelit
të shumë piktorëve të huaj që e kanë vizituar atë në periudha të
ndryshme. Motivet e marra nga Elbasani i gjejmë në tablotë e Eduart Lir,
piktorit vjenez Ludvig Hesajmer, piktorit italian Sorbelli etj. Edit
Durham në fillim të shekullit XX qëndron në Elbasan dhe realizon një
numër të madh skicash e akuarelesh. Temë e tyre u bënë qyteti, krahinat e
tij, portretet me veshjet karakteristike të zonave... Një pjesë të tyre
studiuesja angleze i përfshin dhe në veprën e njohur "Brenga e
Ballkanit", botim i 1905-ës.

Zakonisht, në biseda miqësore, kur
përmendet Elbasani dhe traditat e tij festive, menjëherë të vjen në
mendje Dita e Verës, si ditë e ripërtëritjes së natyrës dhe shpirtit
njerëzor. Ritet e festimit të saj manifestojnë dëshirën për të gëzuar,
për të shpresuar, për të qenë humanë me njëri-tjetrin. Ky qytet ka qenë i
përmendur për furrtarë e bukëpjekës, që bënin simite me bugaçe,
ballokumet, fërgesën karakteristike, tavën e kosit etj. Këtë të fundit e
gjejmë dhe në menytë e Ballkanit, por edhe të disa vendeve europiane e
gjetiu. Furrtari i njohur elbasanas, Xhevat Koburja, ka mbi 60 vite që u
shërben bashkëqytetarëve të tij. Ai shprehet se që nga tavat që vinin
në furrë, e dinte se cilës familje i përkisnin, pa le që i dinte dhe
shijet. Kështu që jo thjesht ua piqte tavat, por u shtonte shijen me
merakun dhe talentin e tij për kuzhinën elbasanase. Për të ruajtur
lidhjet shpirtërore me qytetin, disa elbasanas në emigracion, lokalet e
tyre i kanë emërtuar "Elbasani" apo "Skampa". Gjellët karakteristike të
qytetit u janë shtuar edhe menyve shijeholla të Perëndimit.


Është e natyrshme që banorët në përgjithësi të interesohen se nga vjen
emri i qytetit të tyre. Dihet se Elbasani më parë, që në shekullin II,
njihej me emrin Skampa. Për kuptimin e emrit të mëvonshëm, Elbasan, na
ndihmojnë gojëdhënat apo kronikat e kohës. Thuhet se pas disfatës që
pësoi në rrethimin e dytë të Krujës, në vitin 1466, sulltan Mehmeti i
Dytë rindërtoi kalanë e Elbasanit, për ta pasur si pikëmbështetje të
mëvonshme. Në hyrje të kalasë, mbi një pllakë, sulltani shkroi në
turqisht një mbishkrim, i cili në shqip do të tingëllonte VURA DORË! Por
Skampa nuk kishte si ta pranonte dorën e huaj. Kambanat e zgjimit të
saj nuk do të pushonin, për të nxjerrë në sipërfaqe Ilirinë. Kjo ka bërë
që Elbasani çdo ditë e më shumë të kthehet në një muze të hapur për
vlerat e rralla arkeologjike e turistike që ka.

Vizitori që vjen
për herë të parë në Elbasan, përveç kalasë, mund të shohë kishën e Shën
Mërisë, xhaminë Mbret, muzeun e pasur etnografik, fragmentet e Egnatias
së hershme, kalanë e Mengëlit, kalanë e Qafës në Sulovë, mozaikun te
Rrapi i Bezistanit, pikën turistike të Bushekut, pikturat e Onufrit,
qendrën kurative të llixhave... që janë një pasuri e turizmit kulturor.
Në sezonet turistike të viteve të kaluara këtë qytet e kanë vizituar
afro 6000 turistë.

Largohesh nga ky qytet duke marrë me vete
paqe nga shpirti i lirë dhe qytetar elbasanas, duke dëshiruar e uruar që
të ketë më shumë punësim, që i jep ritmin jetës së merituar. Sepse,
natyrisht, si pasardhës i Skampës ilire dhe pas 100 vjet të Normales,
Elbasani meriton më shumë!
WebMaster
WebMaster
Fondatori i Forumit
Fondatori i Forumit

Vendbanimi Vendbanimi : Ku te dua un
Postime Postime : 98857
Gjinia Gjinia : Female
Anëtarësuar Anëtarësuar : 11/01/2009
Mosha Mosha : 46
Hobi Hobi : Të përballoj jetën

http://www.klealove.com

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Shpirti i lirë i një qyteti Empty Re: Shpirti i lirë i një qyteti

Mesazh nga Aristogata Wed 28 Apr 2010 - 7:21

brava brava brava
Aristogata
Aristogata
WebMaster
WebMaster

Vendbanimi Vendbanimi : made in albania
Postime Postime : 47912
Gjinia Gjinia : Female
Anëtarësuar Anëtarësuar : 11/03/2009
Mosha Mosha : 32
Hobi Hobi : poezia

http://www.klealove.com

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi